Shendetesi

Drejtoresha e OBSH-së në Shqipëri: U morën masa rigoroze që në fazën e parë të pandemisë, trendi i deritanishëm lejon hapje graduale

“Shqipëria ndërmori masa rigoroze që në fazën e parë të pandemisë për të parandaluar përhapjen e virusit dhe mbajtur nën kontroll kurbën e infeksionit. Trendi i deritanishëm në statistikat zyrtare na lejon për optimizëm e për një hapje graduale, por me shumë kujdes, bazuar në 6 hapa të nevojshme”, u shpreh sot në një intervistë televizive Bettina Menne, e sapoemëruar si drejtoreshë për Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Tiranë.

Në intervistën për Top Channel, ajo sqaroi se këto hapa janë: Pasja e një evidence të qartë se përhapja e COVID-19 është e kontrolluar. Pasja e kapaciteteve të nevojshme shëndetësore në identifikim, izolim, testim dhe trajtim të të gjitha rasteve. Minimizim të rrezikut për mundësinë e prekjes nga virusi atyre më të dobëtëve në kushtet e azilit apo burgje. Masa parandaluese në vendet e punës duke zbatuar distancimin fizik, ambiente të dedikuara larje duarsh dhe pajisje ventilimi të ajrit. Kontroll për të eliminuar eksportin dhe importin nga komunitetet të virusit, si dhe nga jashtë, dhe e fundit, duhet një bashkëpunim me të gjithë komunitetin.

“Dua të theksoj se kalimi nga njëra fazë në tjetrën duhet të jetë e mirë planifikuar dhe duhet të ndërmerret vetëm atëherë kur rënia e kurbës të jetë e qëndrueshme dhe me pak rrezik për 14 ditë”, u shpreh Menne.

Sa i takon mundësisë së një vale të dytë me COVID-19 në dimër, drejtoresha e OBSH-së, Bettina Menne tha se, megjithëse është e panjohur se si pandemia do të zhvillohet më tej, OBSH parashikon tre skenare.

“Skenari parë, është përfundimi transmetimit nga njeriu tek njeriu. Skenari i dytë përsëritje e valës së epidemisë në formë të madhe ose të vogël dhe skenari i fundit, vijueshmëri në nivel të ulët të përhapjes së virusit. Bazuar në të dhënat e deritanishme skenari më i mundshëm mbase do të jetë përsëritja e valës së shpërndarjes ku niveli transmetimit do të jetë i ulët”, tha ajo. /atsh

Drejtoresha e OBSH-së në Shqipëri: U morën masa rigoroze që në fazën e parë të pandemisë, trendi i deritanishëm lejon hapje graduale Read More »

Numri i testimeve/ 100% besim tek ekspertët shqiptarë, rezultati është në favor të tyre

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk i bindet Kryeministrit, por i bindet Kryeministri Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Në një intervistë në media, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se testimi i COVID-19 bëhet bazuar në gjurmimin e kontakteve dhe se strategjia është e koordinuar dhe e miratuar nga OBSH.

OBSH, vuri në dukje Kryeministri, ka përfaqësues në vendin tonë, me të cilët bashkëpunojmë.

Falë kësaj strategjie, tha Kryeministri, Shqipëria ka sukses spektakolar në këtë fazë të parë, ndërsa theksoi se në fazën e dytë do të jetë më e vështirë, sepse hapja sjell më tepër risqe.

“Në pozitën dhe rolin që kam unë duhet të jem një nxënës i mirë e i vëmendshëm për të mësuar jo si bëhen testimet, por logjikën e gjërave dhe për të qenë në gjendje të jap përgjigje, kur del përballë një gazetari. Dhashë një përgjigje, bazuar nga ajo që unë di nga ata që merren me këtë punë. Unë them që ai komiteti që ti e quajte komitet parti, sot meriton të gjithë admirimin tim për shkak të rezultatit. Nëse ai do të thoshte se kemi testime të mjaftueshme dhe rezultati do të ishte keq, do të binte një barrë të madhe për ta. Çfarëdo që të thotë partia juaj i merr era”, shtoi Kryeministri Rama gjatë intervistës.

Rama u shpreh se ne jemi gati të përballojmë çdo lloj situate.

“Ia kam thënë kryetarit të partisë tënde, në rast se Komiteti i Ekspertëve deklaron se na duhen 10 mijë teste në ditë, unë i kam siguruar se do t’i gjenim. Numrin e testeve nuk e përcakton PD me 7X7=42, as media, por ekspertët. Faktet flasin vetë”, deklaroi Rama.

Lidhur me akuzat e ngritura nga opozita për sigurimin e mjeteve mbrojtëse për mjekët e infermierët në vijën e parë të fronit, Rama u shpreh se “ne i kishim të siguruara”, sepse, tha Rama, “nëse nuk do t’i kishim patur, situata do të ishte si në Itali, Nju-Jork apo Angli”.

“Nuk kemi asnjë fatalitet dhe mjekët e infermierët ishin të mbrojtur, siç dëshmonte fotografia triumfaliste e një mjeku protestues aktiv të partisë tuaj, i cili nga një anë kishte fotografuar veten si kozmonaut, e nga ana tjetër dilte e fliste për mungesë të mjeteve mbrojtëse për mjekët e infermierët”, deklaroi Kryeministri.

Sipas Kryeministrit, tjetër është realiteti shqiptar dhe tjetër deklaron opozita reale, duke mos pasur lidhje me realitetin shqiptar.

“Unë i besoj 100% ekspertëve tanë dhe rezultati është në favor të tyre”, deklaroi Kryeministri.

Rama siguroi se qeveria i kishte filluar përgatitjet për t’u përballur me situatën me kohë. /atsh

Numri i testimeve/ 100% besim tek ekspertët shqiptarë, rezultati është në favor të tyre Read More »

“Komiteti Teknik me ekspertët më të mirë të shëndetësisë”/ Rakacolli: U ngrit që në 31 janar

“Komiteti Teknik i Ekspertëve për situatën e COVID-19 është është ngritur që më 31 dhe se është ngritur në përputhje me ligjet e vendit”, deklaroi zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëherësh kryetare e këtij Komiteti, Mira Rakacolli.

Gjatë një interviste televizive, Rakacolli theksoi se ky komitet është tërësisht teknik dhe me ekspertë dhe nuk ka asnjë lidhje me politikën.

“Ky Komitet teknik nuk është në shkelje të ligjit sepse krijimi i këtij Komiteti është bërë në përputhje me ligjin ku Ministria e Shëndetësisë ngre organe kolegjiale këshilluese të ndryshëm dhe kjo përcaktohet në ligj. I tillë është edhe ky Komitet Teknik i antiCovid, nuk është komitet politik, por një Komision ekspertësh nga më të mirët dhe kam kënaqësi që punoj me ta”, u shpreh ajo.

Rakacolli tha se ky Komitet është ngritur që me 31 janar kur OBSH e shpalli COVID-19 si emergjencë botërore.

“Atëherë u ngrit menjëherë komiteti për të marrë masat dhe ndjekur dinamikën e situatës në botë dhe për të marrë masa që nëse do shfaqej në Shqipëri si duhet vepruar”, tha Rakacolli./atsh

“Komiteti Teknik me ekspertët më të mirë të shëndetësisë”/ Rakacolli: U ngrit që në 31 janar Read More »

“Ulje e thirrjeve drejt Urgjencës Kombëtare”/ Brataj: Pjesa më e madhe e të prekurve nga COVID-19 kërkojnë të mjekohen në shtëpi

Skënder Brataj, drejtor i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore u shpreh se, ekipet e mjekëve vijojnë kontrollin e situatës shëndetësore të të prekurve nga COVID-19, ndërsa është fakt rënia e ndjeshme e numrit të thirrjeve drejt 127 të Urgjencës Kombëtare.

Gjatë takimit online të Komitetit Teknik të Ekspertëve për situatën e COVID-19, ai tha se “janë kryer 222 mijë thirrje nga 9 mars deri më sot, me një mesatare mbi 4 800 thirrje telefonike në ditë, ndërsa në ditën e sotme kemi 2 035 thirrje telefonike. Po ashtu edhe numri i thirrjeve drejt numrit 08000 është ulur ndjeshëm”.

Fakt tjetër tha ai, “është ulja e numrit të vizitave në përgjithësi. Kemi arritur në 300 vizita nga 600 dhe pozitive është fakti që të sëmurët që janë konfirmuar COVID-19 por kanë simptoma të lehta kërkojnë që të trajtohen në banesë dhe jo në spital. Transportohen në spital vetëm kur ka përkeqësim të situatës, vështirësi në frymëmarrje dhe që kanë nevojë për oksigjen. Pra qytetarët janë sensibilizuar dhe pjesa më e madhe e qytetarëve që janë asimptomatikë mjekohen në shtëpi me medikamente”.

Brataj konfirmoi se situata është në kontroll.

Brataj informoi se, “janë dy autoambulanca në dispozicion të sëmurëve me COVID-19 për Tiranën dhe 5 të tjera me respiratorë që për fat janë përdorur shumë pak”./atsh

“Ulje e thirrjeve drejt Urgjencës Kombëtare”/ Brataj: Pjesa më e madhe e të prekurve nga COVID-19 kërkojnë të mjekohen në shtëpi Read More »

Situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme, vijueshmëria varet nga qytetarët

Situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme ndërsa rastet e reja varen nga kujdesi që tregojnë qytetarët në fazën graduale të hapjes.

Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik tha se “realisht, situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme. Numri i rasteve nuk është se është në rritje megjithëse masat janë lehtësuar megjithatë vigjilenca nga ana jonë është maksimale, si nga ana epidemiologëve nëpër rrethe, mjekëve të familjes, ISHP-së, forcave të rendit. Të gjithë momentalisht, janë duke rritur vigjilencën më shumë se më parë se kur njerëzit ishin të izoluar. Shpresojmë ndërkohë që duke lehtësuar këto masa, numri të mos na rritet i rasteve. Megjithatë do të shihet në vazhdimësi”.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë distancimin fizik.

“Edhe një herë u bëjnë thirrje qytetarëve sepse çdo gjë në këto moment varet nga ata. Higjiena duhet të jetë maksimale dhe ju lutem distancimi fizik. Ju lutem, mos komunikoni shumë me njëri-tjetrin dhe mos lëvizni nga një qytet në tjetrin dhe kjo është arsyeja se pse ne nuk kemi pasur edhe raste të reja”, apeloi Daja.

Ajo sqaroi se gruaja shtatzënë e prekur nga infeksioni është në gjendje të stabilizuar. “Normalisht gruaja shtatzënë është në gjendje të stabilizuar megjithatë i takon klinikës për të vendosur nëse do të qëndrojë apo jo”, u shpreh Daja.

E pyetur nëse ka pavijone të posaçme për gratë shtatzëna të infektuara me COVID, ajo tha se “normalisht kemi dy spitale COVID ku shtrohen personat që janë me COVID pozitiv. Janë marrë të gjitha masat, në të dyja spitalet për të mjekuar të gjitha rastet”.

Për numrin e fëmijëve të prekur nga COVID ajo tha se “aktualisht kemi 35 fëmijë të prekur ku 22 prej tyre janë të shëruar. Numri i grave shtatzëna me COVID është 5, ku 4 prej tyre janë të shëruara. /atsh

Situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme, vijueshmëria varet nga qytetarët Read More »

8 qarqe mbyllin betejën me pandeminë/ Beteja përqendrohet në qarqet Tiranë, Shkodër dhe Durrës

Tetë qarqe të vendit e kanë mbyllur betejën me valën e pandemisë, ndërsa në tre qarqe të tjera, Tiranë, Shkodër dhe Durrës përqendrohet lufta për mbylljen e saj.

Akademia e Shkencave shprehet në buletinin e përditshëm se sfida me pandeminë në vendin tonë është konturuar qartë në tre qarqe: Tiranë, Durrës dhe Shkodër.

“Në këto tre qarqe rezultojnë sot 189 të sëmurë aktivë, nga 206 në tërë Shqipërinë. Tetë qarqe janë tashmë të çliruar, dhe i nënti, qarku i Lezhës, me 86 për qind të të sëmurëve gjithsej tashmë të shëruar, është fare pranë”, thuhet në buletin.

Edhe humbjet në jetët njerëzore, sipas këtij buletini, kanë qenë kryesisht në këto tre qarqe, ku numri i të ndarëve nga jeta për shkak të pandemisë është gjegjësisht 18 në Tiranë, 6 në Durrës dhe 2 në Shkodër.

Në Fier numri i jetëve të humbura është 3, ndërsa Vlora e Kukësi kanë regjistruar nga një humbje jetë. Në qarqet e tjera nuk ka pasur asnjë humbje.

“Ritmi i rritjes ditore të të sëmurëve në nivelin 1.2% në Tiranë e në shkallë vendi flet për një trend pozitiv. Ky tregues, tashmë nën 3% edhe në Krujë, tregon për frenimin e kësaj vatre dhe futjen e saj në fazën e uljes së sëmundshmërisë”, thuhet në buletinin e shpërndarë nga Akadamia e Shkencave./atsh

8 qarqe mbyllin betejën me pandeminë/ Beteja përqendrohet në qarqet Tiranë, Shkodër dhe Durrës Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 10 raste të reja, shkon në 842 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se në 24 orët e fundit janë identifikuar 10 raste te reja me COVID-19, duke e çuar në 842 numrin e të prekurve në vendin tonë.

Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se “gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 275 testime për persona të dyshuar me COVID-19 dhe prej tyre kanë rezultuar pozitivë 10 qytetarë, kontakte të rasteve të mëparshme. Rastet pozitive të ditës së sotme janë të shpërndara si vijon: 2 të infektuar në Kamëz, 3 të infektuar në Krujë, 2 të infektuar në Shkodër dhe 3 të infektuar në Tiranë”.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 842 qytetarë, ndërsa 605 prej tyre tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 206 persona aktivë me COVID-19. Pjesa më e madhe e të prekurve po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 38 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.

Të shëruar 605 qytetarë, 206 janë raste aktive ndërsa zonat më të prekura janë Tirana, Kruja, Shkodra dhe Kamza.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë.

Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID-19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus.
Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (7 Maj 2020)

Teste të kryera 9806
Raste pozitive 842
Raste të shëruara 605
Raste Aktive 206
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 96
Krujë 69
Shkodër 16
Kamëz 8
Kurbin 4
Elbasan 3
Fier 3
Mirditë 2
Berat 2
Durrës 1
Korçë 1
Lezhë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 10 raste të reja, shkon në 842 numri i të prekurve Read More »

Prej 9 ditësh asnjë humbje jete, testimi i serologjisë te grupet me risk

Prej 9 ditësh në Shqipëri nuk ka asnjë humbje jete prej COVID-19.

Lajmin e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve me Kryeministrin Edi Rama.

“Ne kemi hyrë në ditën e 9-të të kur nuk kemi asnjë humbje jete. Pra prej 9 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete dhe kjo është diçka që patjetër nga gëzon, sepse edhe një humbje jete për ne është e dhimbshme”, tha Manastirliu.

Manastilriu u shpreh se do të kemi pas dy jave e pak pune intensive në laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT rezultatet e para të testimit të serologjisë.

Manastirliu theksoi se, “ky është një testim për një kampion të parë. Pra do të vijojë testimi në grupet e riskut, siç tashmë e kemi vendosur përsa i përket personelit mjekësor, gjithashtu dhe sa i përket të infektuarve të identifikuar sipas skemës dhe metodologjisë që po vlerësohet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve”.

Duke folur për atë që është duke u bërë sa i përket situatës së hapjes në të gjithë sektorët e ekonomisë, por dhe të rihapjes së sektorit të kujdesit shëndetësor, Manastirliu tha se, “tashmë është aprovuar strategjia e ekspertëve për planin e veprimit të funskionojë në raport me organzimin e sistemit shëndetësor në të gjithë hallkat e tij duke filluar nga shëndeti publik, duke vijuar nga kujdesi parësor tek ai spitalor tek urgjenca paraspitalore, e cila tregoi edhe njëherë që ka një organizim perfekt, me të gjithë strukturat e tjera. Për të mos lënë askënd pa shërbim dhe kujdes shëndetësor”.

Nga ana tjetër, Manastirliu informoi se, “rezultatet e deritanishme tregojnë për një organizim shumë të mirë të të gjithë sistemit, por edhe cilësisë së shërbimit të ofruar qytetarëve, pasi siç edhe të dhënat deri më sot tregojnë ne kemi hyrë në ditën e 9-të të kur nuk kemi asnjë humbje jete. Pra prej 9 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete dhe kjo është diçka që patjetër nga gëzon, sepse edhe një humbje jete për ne është e dhimbshme”.

“Ne duam të vijojmë me këta tregues, por ka një rëndësi të madhe ndërgjegjësimi i popullatës, kujdesi dhe sjellja personale, në këto momente kur ne do të vijojmë me fazat e rihapjes, ashtu siç Komiteti i Ekspertëve vijon të na këshillojë”, tha ajo.

“Monitorimi do të jetë mbi baza periodike. Ne po përgatitemi të fuqizojmë kapacitetet tona edhe më tej përsa i përket testimit, gjurmimit dhe duke vijuar gjithashtu dhe me testimin e serologjisë që është gjithashtu një indikator shumë i mirë që do të na japë një panoramë më të gjerë sa i përket edhe hapjes së mëtejshme në raport me identifikimin e antikorpeve në grupe të caktuara të riskut por më tej edhe në popullatë, sipas testimit që ne po programojmë të kemi”, u shpreh Manastirliu./atsh

Prej 9 ditësh asnjë humbje jete, testimi i serologjisë te grupet me risk Read More »