Shendetesi

Kalo: Shqipëria në parametra optimal, të vijojmë respektimin e rregullave me hapjen graduale

Mjeku infeksionist, Tritan Kalo në takimin virtual të Komitetit Teknik të Shëndetësisë së ngritur me qëllim në situatës së krijuar nga COVID, u shpreh se vendi ynë ndodhet në parametra optimalë të evolucionit të sëmundjes, situatë kjo që mund të ruhet nëse vijojnë të respektohen rregullat.

“Në opinionin tim si mjek infeksionist por edhe si pjesë përbërëse e Komitetit, fatmirësisht jemi në një stad kur falë përkujdesjes që është bërë dhe duke respektuar maksimalisht 7 elementë , si sjellja në mjedisin, familjar, sjellja në mjedisin publik, distancimin fizik, përdorimin e maskave në fashat orare të lejueshme, higjiena individuale, kolektive, ajrimi, ushqimi, aktiviteti fizik ka bërë që të jemi sot në parametra optimale të evolucionit të sëmundjes”, tha ai.

Me hapjen graduale, sipas Kalos, duhet vijuar me respektimin e masave përsa kohë që do të na duhet të bashkëjetojmë me virusin.

“Ç’ka është tejet e rëndësishme, me hapjen graduale që do të vijojë përsëri, ajo që mua më brengos mua si specialist është që të mos heqim dorë nga këto premisa të mirë të sjelljes ndaj vetes dhe mjedisit që punojmë dhe jetojmë por ti respektojmë ato në vijimësi duke bindur vetveten që tashmë do të jetojmë me një kohë ku rreth nesh do të ketë COVID sikundër ka edhe infeksione të tjera respiratore që janë me dhjetëra. Tashmë egzistojnë dhe do të shtohen më shumë me hapjen e stinës së vjeshtës dhe nëse do të bindemi dhe vijojmë në këtë rrugë, do të jemi në situatë optimale.

Sipas Kalos, “përmes kësaj rruge mund të mundësohet që Shqipëria të mbetet në nivelin e vendeve që menaxhojnë si duhet një epidemi të kësaj natyre. Shtimi i rasteve do të mundet të ndodhë vetëm nëse nuk respektojmë ato që përmenda më lart. Nuk do të ketë rikthim të COVID në vjeshtë pra të valës së Covidit në vjeshtë por do të ketë thjesht që COVIDI do të jetë i përzierë me infeksione të tjera respiratore të stinës, që në mjedisin tonë qarkullojnë mbi 75 deri në 150 infeksione. Me përzierjen e këtyre infeksioneve do të kemi edhe COVID. Por individët të cilët kanë mundur të respektojnë siç duhet masat e marra dhe duke jetuar tashmë në kushte pas shfaqjes së COVID, do të mbajmë situatën që kemi dhe të mos tejkalojmë kapacitetet që kemi, të mirëmenaxhojmë situatën dhe të mbetemi në situatë optimale deri më tani. Përsa kohë që nuk kemi preparate specifik dhe vaksinë, do të jetë vetë infeksioni gradual, ajo që duhet imunizimi masiv aktiv i popullatës që do të realizohet në një moment të caktuar, shkëputjen e zinxhirit të infektimit. Them se jemi në momente oportune të dobishme që duhen ruajtur dhe nuk duhen shkelur”. z.tosku

Mjeku Kalo hodhi poshtë idenë për qarkullimin më herët të virusit COVID- 19 në Shqipëri, duke shtuar se duhet të plotësohen disa faktorë.

“Për fillimin e epidemisë në vendin tonë duhet të plotësohen disa faktorë. Së pari është faktori epidemiologjik, pra kur ke izoluar rastet e para. Së dyti është faktori serologjik, nëse një përqindje e caktuar e popullatës e kapërcen pragun e 15-20% që janë infektuar më parë që prof. Andi na e shprehu që nuk është arritur në ato vlera. Së treti duhet kombinuar me klinikën e të sëmurëve të cilët janë paraqitur në shërbimin infektiv, ose shërbimin ambulator apo shërbimet e tjera spitalore që përkojnë për nga klinika me SarsCov 2. Tjetër element është shtimi i vdekjeve nga infeksionet respiratore në këto kohë dhe nuk më rezulton i tillë në raport me periudhën pas deklarimit të rastit të parë. Duhen kombinuar disa element së bashku dhe një analizë mes specialistëve për t’i shtrirë këto kufijtë kohorë para datës së përcaktuar si fillimi pandemisë Sars Cov 2 në Shqipëri”, tha Kalo./atsh

Kalo: Shqipëria në parametra optimal, të vijojmë respektimin e rregullave me hapjen graduale Read More »

Testi i shpejtë i pështymës zbulon koronavirusin në disa minuta

Testi i shpejtë i pështymës (Trs) është në gjendje të zbulojë koronavirusin në disa minuta dhe së shpejti do të tregtohet me një kit të vërtetë, njoftoi Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Shtatë Liqeneve, në bashkëpunim me Universitetin e Insubria në Varese.

Mjeti i ri që mund të diagnostikojë pozitivitetin Covid-19 përmes pështymës, “duke marrë 3 deri në 6 minuta”, funksionon në mënyrë të ngjashme me një test shtatzënie.

Pështyma mblidhet në një tampon letre dhe trajtohet me një reagent të veçantë: nëse shfaqet një vijë është negative, nëse dy personi është pozitiv.

Sipas studiuesve testi do të jetë në gjendje të diagnostikojë pozitivitetin edhe tek subjektet asimptomatikë, një veçanti e rëndësishme në dritën e rihapjes progresive të shteteve./atsh

Testi i shpejtë i pështymës zbulon koronavirusin në disa minuta Read More »

Brataj: Jemi të përgatitur për përballimin me sukses të një vale të dytë, nëse ndodh

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi sot se “jemi të përgatitur për përballimin me sukses të një vale të dytë të infektimit nga COVID-19, nëse ndodh, në kushtet kur po vijohet me lehtësimin e masave izoluese”.

Në një intervistë në media, Brataj tha se janë marrë masat me shtimin e ventilatorëve si dhe janë bërë skenarët.

Për shkak të masave të forta dhe të shpejta që u morën, Brataj tha se “ne edhe në valën e parë nuk kemi shfrytëzuar as burimet tona pa ardhur ndihmat”.

“Vendet që morën masa të menjëhershme izolimi e disiplinuan disi, ndërsa vendet që nuk morën masa patën një “shok”, u shpreh ai.

Sipas Bratajt, është vënë re se te ato vende që u morën masat që në fillim edhe me lirimin e masave, ka patur raste të pakta të infektuarish, një rritje prej 0.2%.

Ndërsa tek vendet që nuk morën masa të forta izolimi, që në fillim vihet re një rritje më e madhe e numrit të të infektuarve, edhe me lirimin më të pakët të masave.

Ai shprehu besimin se situata do të shkojë drejt përmirësimit, pasi sipas tij, janë disa faktorë favorizues për lehtësimin e gjendjes.

“Viruset kanë një periudhë që shfaqet, arrin kulmin dhe më pas nis rënia derisa sa zhduket siç është gripi dhe viruset e tjera që shfaqen nga tetori deri në mars. Po ta marrim si sezon edhe ky virus po e bën ciklin e vet. Nga dhjetori që u shfaq në Kinë jemi në muajin e 6. Virusi pas kapjes së kulmit ka rënien e virulencës së tij, qoftë si mutacion, për shkak të ndryshimeve që pëson, qoftë për shkak të temperaturave që rriten në verë. Por edhe për shkak të karakteristikave të popullsisë, pasi popullsia shqiptare është më e re, nuk është si ajo spanjolle, italiane, apo angleze. Rol mund të ketë edhe imuniteti i Ballkanit, pasi shikojmë që në këto vende ka patur një ndikim më të vogël. Këtu mund të luajë rol gjenetika, apo mënyra e vaksinimit. Janë shumë faktorë për të mos shfaqur numër të lartë të të infektuarish”, tha Brataj.

Më tej, Brataj theksoi se temperaturat e larta janë jo favorizuese për çdo virus.

“Ka edhe një faktor. Në këtë periudhë dymujore izolimi pati një stopim të të gjitha sëmundjeve infektive, as raste gripi, tuberkulozi, fruthi, sëmundje të kohës që kanë patur gjithmonë një përqindje. Izolimi i zhduk”, u shpreh ai./atsh

Brataj: Jemi të përgatitur për përballimin me sukses të një vale të dytë, nëse ndodh Read More »

“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë”/ Brataj: Rreziku ka kaluar, me rëndësi respektimi i rregullave dhe i distancës nga qytetarët

“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë dhe situata është nën kontroll”, tha sot drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj.

Brataj tha se ka rënie edhe të numrit të telefonatave drejt Urgjencës Kombëtare. “Numri ka rënë i thirrjeve si te 127, si te 08004040. Në këto momente jemi te 2039-2500 thirrje në 24 ore te 127 dhe 300-400 thirrje te 08004040. Duke menduar se në kohën e pikut të thirrjeve ne patëm 8300 thirrje në 24 orë, nga të cilat mbi 6000 ishin për COVID-19. Kështu që rënia është drastike, kjo është një shenjë e mirë që tregon nivelin e shoqërisë ose nevojat për ndihmë mjekësore”.

I pyetur nëse e kemi kaluar atë moment të rrezikshëm, Brataj tha se “unë mendoj se po, fakti i kësaj kurbe të sheshtë është kontrolli i saj ose menaxhimi i situatës dhe kjo për shkak të marrjes së masave të marra që në fillim, sidomos distancimi social. Ne hyjmë në ato vende që morëm masa menjëherë dhe çoi në kontrollin e epidemisë. Kjo pati disa faktorë pozitiv që sot, po shohim se shtetet po fillojnë të lirojnë masat. Ato që morën masat menjëherë e kanë situatën nën kontroll”.

I pyetur se sa ndikon rritja e temperaturave në uljen e infeksioni, Brataj tha se “ka disa faktorë dhe midis tyre është dhe temperatura e lartë dhe nuk diskutohet, por siç e pamë faktori kryesorë është distancomi social. Ne këtë periudhe duhet të mbushim mendjen se do të bashkëjetojmë për disa kohë me COVID-19, sepse është një virus i ri dhe nuk e dimë se sa do të zgjasë”.

Brataj theksoi se “mendoj se jemi drejt kontrollit të situatës dhe kjo do të tregojë pas dy javësh të lirimit të masave sa do të jetë numri i të infektuarve, varet nga respektimi i rregullave”.

Në lidhje me rrezikun e kësaj faze të lirimit të masave, Brataj shtoi se “Shqipëri nuk është se i ka masat ndryshe nga vendet e tjera. Po të shohim që nga fillimi i pandemisë, masat janë të gjitha njësojë, me ndryshimin, se kush mori me herët dhe me vonë dhe u dukën rezultate. Është kritik ky moment, lirimi i masave dhe njerëzit që do dalin, por duhet të jenë më të kujdesshëm. Nëse pas dy javësh do kemi raste të shtuara do merren masat sërish”, theksoi ai. /atsh

“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë”/ Brataj: Rreziku ka kaluar, me rëndësi respektimi i rregullave dhe i distancës nga qytetarët Read More »

Shqipëria me shkallën më të ulët të përhapjes së pandemisë dhe me ritmin më pozitiv të ecurisë për daljen prej saj

Shqipëria dhe fqinjët e saj të drejtpërdrejtë përbëjnë rajon model në Europë, me shkallën më të ulët të përhapjes së pandemisë dhe me ritmin më të lartë të procesit të daljes prej saj.

Në buletinin e Akademisë së Shkencave për pandeminë jepen disa fakte lidhur me këtë konstatim.

“Në shumicën e vendeve të Europës Perëndimore zhvillimet e djeshme përforcuan kursin e daljes nga pandemia. Me një ritëm shërimesh më të ulët se vendet e Ballkanit, vendet nordike përforcojnë trendin zbritës të numrit të të sëmurëve në ditë. Në shkallë globale, në Europë dhe në SHBA, u vërtetua ulje e treguesve të rritjes ditore të të sëmurëve: më të ulëtit deri më tani. Sot në botë një në çdo tre të prekur nga sëmundja rezulton i shëruar. Kurba e rritjes ditore në SHBA prej dy javësh është identike me atë të Europës më herët, me një zhvendosje prej 11 ditësh. Sëmundja po arrin pikun në shkallë botërore dhe në SHBA, sipas treguesve kryesorë”, cilëson Akademia e Shkencave.

Shqipëria dhe fqinjët e saj të drejtpërdrejtë, si dhe rajoni i Ballkanit në tërësi, rezultojnë me shkallën më të ulët të përhapjes së pandemisë dhe me ritmin më pozitiv të ecurisë për daljen prej saj. Mbi 80 për qind e numrit të të sëmurëve në Mal të Zi regjistrohen tashmë të shëruar. Ky tregues në Shqipëri u ngjit në 71,5 për qind, në Maqedoninë Veriore në 68,6 për qind, në Kosovë në 58 për qind dhe në Greqi në 52 për qind. Në të gjitha vendet e rajonit, përveç Greqisë, nga fillimi i muajit maj deri më sot, ky tregues në tërësi është rritur me 9-10 pikë. Edhe Kroacia e Turqia e kanë përmirësuar ndjeshëm këtë tregues, duke përforcuar trendin zbritës të kurbës së të sëmurëve faktikë. Ndërsa Bosnje-Hercegovina shenjoi sërish ecje me lëkundje në fazën dalëse, Bullgaria po shkon drejt rrafshimit të kurbës, megjithëse një rritje ditore mbi të tjerët, me rreth 3 për qind.
Ndërkaq, vendet e Europës Perëndimore, duke përfshirë shtetet e mëdha (Francë, Gjermani, Itali, Spanjë), si dhe Çekinë e Sllovakinë, shenjuan rritje minimale të numrit të të sëmurëve, në kufirin nën 1 për qind. Në shumicën e këtyre vendeve u përforcua kursi i daljes nga pandemia. Vendet më të avancuara janë Austria, Zvicra, Gjermania dhe Luksemburgu, ku mbi 80 e të sëmurëve janë shëruar tashmë. Ndërsa Belgjika dhe Holanda, me rritjet minimale të ditëve të fundme, vlerësohet se tashmë e kanë rrafshuar kurbën e pandemisë. Vendet e Europës Qendrore (Poloni, Rumani, Hungari) gjithashtu kanë hyrë në fazën e rrafshimit të kurbës.

Më tej, në shpjegimin që jep Akademia e Shkencave thuhet se “vendet nordike, duke përfshirë republikat priballtike (Letoni, Lituani, Estoni), me një ritëm të shëruarish më të ulët se rajoni ynë, gjenden në fazën e zbritjes së numrit të të sëmurëve në ditë. Edhe Suedia, e njohur për politikën e saj më liberale ndaj kufizimit të kontakteve sociale, po shkon drejt pikut të pandemisë dhe më tej drejt zbutjes së ritmit të përhapjes së saj.
Sipas ASH, Në shkallë globale, në Europë dhe në SHBA, dje është vërtetuar ulje e treguesit të rritjes së numrit të të prekurve rishtas nga “Corona-virus-i” i ri. Ky tregues ishte gjegjësisht në nivelet rekord prej 2.23 për qind, 1.6 për qind dhe 2 për qind. Vlen të theksohet se prej dy javësh, ritmi i rritjes së numrit të të sëmurëve në SHBA është identik me atë të Europës më herët, me një zhvendosje prej 11 ditësh. Kjo do të thotë se, pas tri javëve rritjeje eksponenciale me koeficient me të lartë se ai i Europës në javët e para të pandemisë, SHBA kanë hyrë në të njëjtin ritëm”.

Që prej një jave kurba e të sëmurëve në terapi intensive është në rënie në nivel botëror. Sot në Botë një në çdo tre të prekur nga sëmundja rezulton i shëruar. Vetëm gjatë ditës së djeshme numri i të shëruarve u shtua me 46 mijë vetë. Treguesit kryesorë të pandemisë dëshmojnë se sëmundja në shkallë botërore po arrin pikun, ndërsa SHBA po shkojnë drejt rrafshimit të kurbës së të sëmurëve faktikë.

Disa vende të Lindjes, si Ukraina, Bjellorusia e Rusia, ndonëse me një përhapje të kufizuar të pandemisë, kanë ende tregues sëmundshmërie në ngjitje. Veçanërisht i lartë është shtimi ditor i të infektuarve të rinj në Rusi, me 6-7 për qind, vend që ndërkohë ka dhe numrin më të lartë të testeve për një të infektuar të detektuar dhe indeksin e vdekshmërisë nën 1 për qind, ndër më të ulëtit në gjithë Botën./atsh

Shqipëria me shkallën më të ulët të përhapjes së pandemisë dhe me ritmin më pozitiv të ecurisë për daljen prej saj Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 12 raste të reja, shkon në 832 numri i të prekurve

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 12 raste të reja me COVID-19, duke e çuar në total numrin e të prekurve në 832.

Në informimin e sotëm në lidhje me situatën e COVID-19 zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli tha se, ” gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 12 raste të reja pozitive nga testimi i 255 personave të dyshuar si bartës të këtij infeksioni ose të semurë. Pjesa më e madhe e tyre janë kontakte të rasteve të konfirmuara më parë dhe të gjetura nga hetimi epidemiologjik”.

Rastet pozitive të ditës së sotme janë të shpërndara si vijon: Në Fier 3 të prekur, 3 në Krujë, 3 në Kamëz, 2 në Shkodër dhe 1 rast në Tiranë.

“Me shtimin e rasteve të sotme, numri i të prekurve nga COVID-19 shkon në 832.
Prej tyre janë tashmë të shëruar 595 persona dhe vazhdojnë të jenë aktivë aktivë 206 persona”, tha Rakacolli.

“Në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 36 pacientë dhe vetëm 8 prej tyre janë në terapi intensive. Pjesa tjetër po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë”, u shpreh Rakacolli.

Rakacolli tha se, “situata epidemiologjike e infeksionit Sars Cov 2 dhe sëmundjen Covid 19 në Shqipëri, po monitorohet me shumë kujdes nga të gjitha strukturat shëndetësore. Veçanërisht në këtë situatë të lehtësimit të masave, është rritur vigjilenca për gjurmimin, testimin dhe identifikimin në kohë të rasteve të dyshuara me COVID-19 si dhe kontakteve të tyre, në mënyrë që situata të vazhdojë të mbahet në kontroll”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara nga autoritetet shëndetësore sidomos distancimi fizik si një nga mjetet më efikase të parandalimit të infeksionit. Po ashtu bizneset e hapura duhet të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë, në mbrojtje të shëndetit publik dhe të parandalimit të shtimit të infeksionit.

Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID-19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus.
Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (6 Maj 2020)

Teste të kryera 9531
Raste pozitive 832
Raste të shëruara 595
Raste Aktive 206
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 98
Krujë 69
Shkodër 16
Kamëz 6
Kurbin 4
Elbasan 3
Fier 3
Mirditë 2
Berat 2
Durrës 1
Korçë 1
Lezhë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 12 raste të reja, shkon në 832 numri i të prekurve Read More »

Rama: Rezultat fantastik në sistem si pasojë e masave të marra

“Ne kemi një rezultat fantastik, fal masave. Nëse nuk do të kishim marrë masat e duhura sot do ishim duke numëruar të vdekurit”, tha sot Kryeministri Rama, i ftuar në një intervistë televizive.

Në lidhje me deklarimet se virusi ka qarkulluar ne muajin dhjetor, Kryeministri Edi Rama tha se ne nuk jemi epimidiolog, këto janë debate për shkencëtarët për ata që kur flasin dinë çfarë flasin. Ajo që ne mund të diskutojmë se çfarë lidhet me punë dhe detyrën time. Unë nuk jam epimidiolog dhe nuk marre përsipër këtë gjë.

“Ne kemi një rezultat fantastik në sistem. Ky rezultat vjen si pasojë e masave që kemi marrë. Nëse ne nuk do merrnim masa dhe do bënim këto që kemi bërë mund të kishim më shumë se 7 mijë ose mijëra të vdekur jo ata që ishin në spital”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “unë kam folur për shifra të tjera dhe kam folur duke u nisur nga një projeksion i bërë nga ekspertët nëse këtu do të kishte ndodhur ajo që ndodhi në Lombardi dhe s’kishte sepse të mos ndodhte nëse ne nuk do merrnim masat, kur dihet se çfarë lidhjesh të pazgjidhshme kemi ne me Italinë. Kështu po të merrnim shifrat e Lombardisë dhe nëse do ishin zhvilluar ngjarjet si në Lombardi në mungesë të masave ne sot do ishim duke numëruar më shumë se 1000 të vdekur”.

Rama theksoi se shifrat dalin nga projeksionet që bëjnë ekspertët.

“Unë nuk parashikoj shifër. Unë për gjithçka që them për gjera që nuk janë të fushës sime të përgjegjësisë, e marr,dhe pastaj e them. Nuk e bëj siç e bëni shpesh në media pa e ditur fare se çfarë thoni, e merrni dhe e transformoni pa dashje me qëllimin e mirë që të impresiononi publikun. Unë shifrat i marr nga projeksionet që bëjnë ekspertët”, deklaroi Kryeministri Rama. /atsh

Rama: Rezultat fantastik në sistem si pasojë e masave të marra Read More »

Mjeku Alimehmeti: Prej disa javësh rastet janë minimale, lirimi i masave sipas dinamikës së situatës

Ilir Alimehmeti, mjek epidemiolog klinik dhe njëkohësisht lektor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë, në Tiranë, vlerësoi sot se pavarësisht lehtësimit të masave rastet janë minimale ç’ka sjell shpresë.

Në një intervistë për mediet, Alimehmeti theksoi se jetës normale do t’i kthehemi shumë më shpejt se sa të prodhohet vaksina, edhe pse prodhimi i saj mund të ketë nevojë për të paktën 1-2 vite dhe efikasiteti i saj mbetet ende për t’u vërtetuar pasi të dalë.

Ndërkohë, sipas tij, një përqindje e lartë e popullatës do të jetë natyrisht e imunizuar nga virusi.

Ai u shpreh se “situata në Shqipëri fatmirësisht ka qenë vazhdimisht shumë e butë dhe me ecuri pothuajse të rrafshët”. “Tashmë u bënë disa javë kur rastet janë minimale, me përjashtim të situatës së krijuar në fasonerinë e Krujës që përfshiu edhe Kurbinin dhe në burgjet e Tiranës. Rastet komunitare kanë qëndruar vazhdimisht në nivele minimale. Në këtë situatë është patjetër jo vetëm e këshillueshme, por e domosdoshme të lirohen masat për të lejuar aktivitetin sa më normal të shoqërisë, gjithnjë duke e vlerësuar në dinamikë situatën”, tha ai.

Për sa u përket këshillave, ai tha se ato janë këshillat bazë e të përhershme si higjienë sa më e mirë personale dhe ambientale, si edhe njëfarë distance sigurie nga personat e panjohur apo të sëmurë.

Dorezat, sipas Alimehmetit nuk kanë asnjë dobi, madje shumë studime kanë treguar se mbajtja e tyre shoqërohet me dëme jo vetëm të lëkurës, por edhe të transmetimit të koronavirusit përmes dukurisë së njohur si “ndotja e ndërmjetësuar”.

“Maskat kanë efekt në komunitet vetëm nëse mbajtësi i maskës është vetë i sëmurë. Në rast se personi është i shëndetshëm, maska nuk shërben. Gjithashtu, maska këshillohet për personat që punojnë në kontakt me shumë persona, si punonjësit e marketeve, sportelistët etj. Megjithatë, evidencat mbi maskat janë ende të paqarta, ndryshe nga dorezat ku këshilla është mospërdorimi i tyre. Grupimet mbi 50 veta janë qartësisht element që duhet shmangur, ndërkohë që nuk ka evidenca të qarta për grupimet më të vogla se ky numër. Por, për të qëndruar në anën e sigurt të shëndetit, le të themi që grupimet duhet të jenë jo më të mëdha se 5-10 persona. Si përfundim, për evitimin e një vale tjetër mjafton higjiena dhe njëfarë distance e shëndetshme, pa shkuar në kushte paniku”, tha ai.

Pa asnjë diskutim, sipas Alimehmetit, “imuniteti i njeriut është arma më e mirë dhe më efikase kundër virusit. Dhe në fakt e kemi vënë re që të gjithë personat me imunitet normal nuk kanë pasur problem në kalimin e sëmundjes”.

Ndërkohë ai vlerësoi se testet serologjike janë kyçe për të kuptuar shtrirjen e vërtetë të sëmundjes në popullatë. /atsh

Mjeku Alimehmeti: Prej disa javësh rastet janë minimale, lirimi i masave sipas dinamikës së situatës Read More »