Politike

Pse nuk protestojmë kur humbet Shqipëria por kur na thërret partia?

Sot Opozita shqiptare duhet të ishte para kryeministrisë,
Sot nacionalistët shqiptar duhet të ishin para ambasadës Franceze.

Sot shoqëria civile duhet të ndizte Tiranën.

Sot azilantën shqiptar duhet të vishnin jelekët e verdhë në Paris.

Sot intelektualët duhet ti apelonin gjithë botës.

Sot qeveria duhet të jepte dorheqje.

Sot parlamenti duhet të shpërndahej.

Sot presidenti dhe Kryeministri duhet dorzëzonin çelsat,

30 vjet mashtrim dhe premtime.

30 vjet fobi ndaj ndërkombëtarve.

Këto ishin frutet e pemës që mbollën 3 dekada.

Shqipëria përfundimisht jashtë Europës si kombi më i përçmuar nga rracizmi francez, hollandez etj.

Ku janë ata militantë që kur rrezikon Berisha dhe Meta të burgosen e djegin Tiranën?

Ku janë ata idiotë që nuk shohin se Berlini, Washingtoni, Roma, Brukseli e duan Shqipërinë më shumë se PD dhe PS-ja.

Ku janë ata që heshtin edhe kur SOROSI e mbron më shumë se politikanët tanë Shqipërinë?

Ku janë Monika dhe Lulzimi që përfitojnë nga izolimi?

Mos prisni që të protestojnë sepse ata po festojnë.

Ata përfitojnë nga izolimi.

Jashtë BE nuk u kërkon llogari askush.

Nuk do ngrihet as SPAK dhe as VETING.

As reformë zgjedhore nuk do të ketë.

Rrini të qetë o milet i verbër.

Fundja nga shpulla franceze: Humbën 4 milion shqiptar dhe fituan 4 zuzar.

Ata as nuk do i burgos kush dhe as nuk i largon kush.

Në kurriz do i keni edhe për 20 vjet.

Pse nuk protestojmë kur humbet Shqipëria por kur na thërret partia? Read More »

Ja pyetjet që ngrenë sot shqiptarët – Nga Spartak Ngjela

Ja pyetjet që ngrenë sot shqiptarët:

Pse ka rrënë vullneti i Bashës për revolta kryengritëse?

A do të shkarkohet Ilir Meta?

Do të fillojë punën SPAK-u deri gjatë nëntorit?

Do të goditet ashpër korrupsioni i lartë shtetëror dhe krimi i organizuar në Shqipëri?

Përgjigjet e tyre mbajnë të shprehur brenda vetes historinë aktuale të Shqipërisë dhe të vetë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

l. Të gjitha këto pyetje përbëjnë në vetvete kohën tonë. Këto gjithashtu përbëjnë nevojën e historisë së Shqipërisë dhe janë domosdoshmëri për të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Historia i ka vendosur shqiptarët në këtë zonë prej mijëra vjetësh, dhe tani dihet mirë historia e gjatë e sukseseve të shqiptarëve në drejtimin e perandorive që kanë ardhur t’i pushtojnë.

Tani, shqiptarët nuk kanë përpara as Perandorinë Romake, as Perandorinë e Bizantine, nuk kanë madje përballë as Perandorinë Osmane. Ata kanë përpara, jo si pushtues por si aleat dhe partner, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E njeh politika amerikane historinë e shqiptarëve?

Sigurisht që e njeh. Dhe e njeh mirë historinë e madhe të botës ilirike, botës arbërore dhe botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Në funksione të kësaj historie, askush nuk duhet të harrojë fluksin ilirik të perandorëve romakë, as Perandorët arbërore të Bizantit me Justinianin e madh në krye, me Komnenët etj. Mos flasim pastaj për vërzirët e mëdhenj të Perandorisë Osmane. Kudo shkëlqim. Por tani ka ardhur koha reale e shkëlqimit të vetë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Il. Kjo që shprehëm është historia që ka qenë, por cila do të jetë historia e re në shkëlqim e Shqipërisë dhe botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor?

Kjo histori do të nisë me përgjigjet e pyetjeve të mësipërme, dhe me aleancën e thellë shqipraro-amerikane për Ballkanin Perëndimor. Kjo aleancë është interes shqiptar si reformim i Arbërisë, dhe interes amerikan në këtë zonë, kundrejt një populli i cili është 97 përqind proametikan. Është historia e shqiptarëve që kërkon të përsëritet.

Shqiptarët tani e kaluan mbijetesën e detyrueshme shekullore nga agresiviteti genocidial i osmanëve, rusëve, serbëve dhe grekëve, dhe po shkojnë drejt aktit sublim të reformimit të tyre arbërore. Ky në fakt është edhe thelbi i aleancës shqiptaro- amerikane, e cila e ka dhënë shenjën e vet reale me pavarësinë e Kosovës.

lll. Të gjithë këtë mendim imediat të historisë së pritshme të Shqipërisë e sqarojnë pyetjet që kemi ngritur në këtë shkrim. Pse ka rrënë vullneti i Bashës për revolta kryengritëse?

Ka rënë sepse ka marrë kërcënim nga politika amerikane për lobimin rus në Uashington.

A do të shkarkohet Ilir Meta? Sigurisht që po. Është forcë antikombëtare dhe kundër aleancës shqiptaro-amerikane në Ballkanin Perëndimor. Meta shkeli kushtetutën në favor të politikës ruso-serbe për destabilizimin e Shqipërisë.

Po pse heziton Rama për shkarkimin e Metës në këto momente? Sepse, siç duket, nuk i intereson që të fillojë goditja antikorrupsion e niveleve të larta politike. Po politika amerikane? Po të jetë se Rama vërtet po heziton për ngritjen e SPAK-ut, politika amerikane duhet t’i bëjë presion njëlloj si edhe Bashës. A nuk e rëndon dhe vetë Ramën çështja penale e lobimit Obama në Uashington?

Do të fillojë punën SPAK-u deri gjatë nëntorit të këtij viti?

Po. Sigurisht që duhet të fillojë. Por, politika amerikane duhet të jetë më operative në emërimin e personelit të Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Shqipëria sot ka nevojë për forcën amerikane kundër KLP-së të Gent Ibrahimi, dhe dredhive antikombëtare të Edi Ramës. Politika është forcë, dhe më mirë nga të gjithë këtë e dinë amerikanët.

Do të goditet ashpër korrupsioni i lartë shtetëror dhe krimi i organizuar në Shqipëri?

Nuk ka diskutim. Kundër tij, ekspertiza ndërkombëtare që po drejton Reformën në Drejtësi, i ka mbledhur thuajse të gjitha dokumentat që i duhen për proceset e hetimeve që do të vijnë. Por duhet të formohet SPAK-u sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në funksion të kësaj, për faktin që goditja penale në nivelet e larta të politikës është sot emergjencë kombëtare, duhet liberalizuar Kushtetuta aktuale dhe ligjet përkatëse për mbushjen e SPAK-ut edhe me juristë jashtë sistemit aktual juridik shqiptar.

Janë qindra juristë shqiptarë sot nëpër vendet perëndimire me shkollë europiane dhe amerikane. Individët e shkëlqyer të tyre duhet të emërohen në struktura e SPAK-ut, sepse drejtësia shqiptare është në emergjencë. Prandaj duhet përshtatur legjislacioni, sepse tani opozita aktuale në Parlament, është me Reformën në Drejtësi.

Si përfundim. Shqiptarët po presin dhe sytë i kanë nga Uashingtoni. Ndërhyrja e menjëhershme amerikane kundër politikës së vjetër franceze, që u bë flakë për flakë në datën 18 tetor, i qetësoi shqiptarët. Koha është e shqiptarëve, kurse lidërshipët që po i drejtojnë shqiptarët janë kundër interesit shqiptar, se janë të korruptuar. Kjo është arësyeja që duhen likuiduar. Me çfarë? Me reformën në drejtësi dhe forcën e politikës së aleatëve në Uashington dhe në Berlin./Nga Spartak Ngjela

Ja pyetjet që ngrenë sot shqiptarët – Nga Spartak Ngjela Read More »

Arta Dade: “Unë e kam thënë që qeverisja e Edi Ramës ka dështuar”

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, e njohur si një nga kritiket e “vijës së parë” të kryeministrit Edi Rama, ka komentuar me nota të theksuara negative moshapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në “News 24”, Dade tha se Shqipëria nuk i ka përmbushur “detyrat e shtëpisë” dhe se në të tilla rrethana, një kryeministër normal, duhet të bëjë verifikimin e mazhorancës përmes zgjedhjeve të parakohshme.

“Nëse ti i ke arritur këto, si nuk ke mundur tia bësh me dije këto arritje vendeve të BE, qoftë edhe vendeve që ishin kundër, pse Francën nuk e binde? Zaev tregoi se është një kryeministër që punon për vendin e vet.

Me Greqinë e zgjidhen problematikën dhe një kryeministër normal duhet të bëjë verifikimin e maxhorancës, duhet të shkojë te elektorati në mënyrë që të shohin nëse qytetarët e Maqedonisë së Veriut duan që ata ta drejtojnë sërish vendin? Kjo duhet të ndodhte edhe në Shqipëri.

Unë e kam thënë që qeverisja e Edi Ramës ka dështuar”, tha Dade.

Arta Dade: “Unë e kam thënë që qeverisja e Edi Ramës ka dështuar” Read More »

Cakaj: Nëse e ardhmja e BE është në pikëpyetje, Shqipëria nuk mund të ofrojë përgjigje

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, pas vendimit negativ për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, tha se ky vendim vjen nga vizionet e ndryshme të shteteve anëtare për të ardhmen e BE.

“Ky vendim nuk vjen nga dështimi i Shqipërisë për të qëndruar në lartësinë e nevojshme të standardeve për çeljen e bisedimeve për anëtarësim, por shfaqet në rrethana ku BE është në një proces të shqyrtimit të vetvetes”, – tha Cakaj.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u trajtuan në mënyrë identike”, – shtoi Cakaj, – “sepse të dy vendet kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për çeljen e negociatave dhe e dyta sepse shtyrja e këtij vendimi nuk ka të bëjë më performance, por me faktorë të tjerë që karakterizojnë BE-në”.

Duke folur për reformat shtetformuese në vend, Cakaj tha se, “Shqipëria është duke bërë një reformë në drejtësi të pakrahasueshme në rajon e më gjerë. Përsëri, ky vendim u shty sepse ky vendim nuk lidhet me meritat e vendeve aspirante”.

Duke bërë një rezyme të situatës, ministri tha se, “Këshilli Europian, në maj të këtij viti ka dhënë përgjigjen e tij të qartë pas një shqyrtimi të hollësishëm. KE ka konfirmuar se Shqipëria ka bërë gjithë çfarë është e nevojshme për të merituar çeljen e negociatave. Në qershor të 2019, për shkak të problemeve të brendshme dhe asesi për shkak të gjykimeve negative për Shqipërinë, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme vendosi dhe një herë shtyrjen në tetor. Ja ku jemi në tetor dhe nuk kemi marrë pëgërjen e merituar. Kjo është shtyrja e tretë për një vendim që është i thjeshtë. Nëse e ardhmja e BE është në pikëpyetje, Shqipëria nuk mund të ofrojë përgjigje”.

Pavarësisht shtyrjes së tretë, Cakaj thotë se puna në Shqipëri do të vazhdojë dhe integrimi europian i Shqipërisë është një proces i pakthyeshëm.

“Procesi i zgjerimit do të vazhdojë në mënyrë paralele me reformimin e brendshëm të BE. Shtyrja e vendimit për çeljen e negociatave nuk do të thotë që në Shqipëri duhet të ketë vonesa për të realizuar të gjitha reformat që kanë nisur. Shqipëria do të vazhdojë punën përmbajtësore në 5 prioritetet kyçe dhe po ashtu në adresimin e të gjitha çështjeve që janë paraqitur në qëndrimet zyrtare të Bundestagut. Jo thjesht se kjo është e nevojshme për rrugën europaine të Shqipërisë por seeps janë të nevojshme për ta bërë Shqipërinë europiane”, – u shpreh Cakaj në konferencë.

“Vendet anëtare mund të mos kenë forcën e mjaftueshme për të ndryshuar qëndrimin e Francës ama të gjithë konsiderojnë se Shqipëria ofron një model shembullor të reformave në rajon. Edhe një herë nënvizoj se Shqipërisë i takon ajo që është qëllimi themelor i këtij procesi, ndërtimi i Europës dhe jetësimi i idealeve të saj në Shqipëri”, – deklaroi Cakaj./atsh

Cakaj: Nëse e ardhmja e BE është në pikëpyetje, Shqipëria nuk mund të ofrojë përgjigje Read More »

Kryemadhi – Kryeministri Rama të dorëhiqet!

Një ditë pas vendimit të Këshillit Europian, i cili vendosi që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i refuzohet çelja e negociatave me BE, vjen një reagim nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
eksa ka fajësuar kryeministrin për këtë vendim negativ për Shqipërinë, Kryemadhi tha se e pakta që mund të bëjë Rama është dorëheqja si një shenjë reflektimi. Po ashtu ajo tha se i vetmi që bllokon integrimin e vendit është Rama, ndërsa listoi disa nga arsyet se pse BE vendosi t’i thotë ‘JO’ negociatave.
“Vendimi i sotëm i BE-së, ishte sigurisht një vendim që shqiptarët nuk do të dëshironin ta dëgjonin asnjëherë. Dita e djeshme dhe ditët e tjera në vazhdim do të jenë ditë të trishta për shqiptarët, në vend të një dite gëzimi që ata e prisnin me padurim. Shqiptarët kanë kuptuar qartë që Europa është me ta, por për fat të keq, shqiptarët dhe e ardhmja e tyre europiane, janë sot peng i një njeriu të vetëm, janë peng i Edi Ramës dhe i bllokimit të rrugës europiane vetëm prej tij.

Bashkimi Europian ka treguar qartë se cilat janë pengesat konkrete, cilat janë plagët e thella dhe problemet kritike që i ka hapur Shqipërisë sot Edi Rama. BE tregoi qartë se rrënimi i themelit të demokracisë në Shqipëri, që është vota e lirë dhe e ndershme, shitblerja dhe kriminalizimi i saj, ku autori i vetëm është Edi Rama, dhe kjo që tashmë është reflektuar edhe në kushtet që janë bërë publike, kushte që tregojnë dhe rrugën me të cilën do të dalë Shqipëria nga kriza për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian.

I vetmi kryeministër në Europë i cili quan normalitet bashkëjetesën me kriminelët dhe grabitësit e pronës publike dhe votës së shqiptarëve, është Edi Rama. BE refuzoi një qëndrim të tillë dhe u tregoi shqiptarëve se duhet të çlirohen nga kapja kriminale e shtetit të së drejtës, e qeverisë, e demokracisë dhe e lirive të tyre, autori i të cilave është kryeministri i vendit tonë, Edi Rama.

Korrupsioni, trafiku i drogës, pastrimi i parave, koncesionet grabitqare, dhunimi i pronës publike dhe private, kapja e drejtësisë, janë ato që e mbajnë larg dhe peng Shqipërinë nga Europa dhe përgjegjësi i vetëm për këto plagë të thella dhe për këtë pengesë që i bëhet rrugës europiane të Shqipërisë, është një dhe vetëm një, kryeministri Rama. Të gjithë shqiptarët kanë kuptuar shumë qartë se me Edi Ramën, bashkimi me BE-në është një objektiv i pamundur, një ëndërr e parealizueshme për ta. Shqipëria s’është dhe s’mund të jetë kurrë peng i tij, dhe dorëheqja e tij është reflektimi më i pakët për përgjegjësinë e rëndë politike që rëndon mbi kryeministrin.

Shqiptarët ja kanë dalë ta bindin Europën se janë pjesë e saj, se e duan Europën, se kërkojnë të jetojnë me standardet e saj të larta demokratike dhe ekonomike, ndaj dhe e mbështesin masivisht projektin e Europës së Bashkuar. Por shqiptarët e kanë gjithashtu shumë të qartë që pengesa e vetme për këtë ëndërr dhe për rrugën drejt Bashkimit Europian është Edi Rama. Dështimi i Edi Ramës është individual, është personal, është i fokusuar vetëm te ai sepse ai zgjodhi që të ndërtojë të ardhmen e tij mbi atë të shqiptarëve, të pasurohet në kurriz të shqiptarëve duke i varfëruar ata, zgjodhi ti grabisë ata, zgjodhi tu prishë qetësinë familjare atyre, zgjodhi që të detyroi me qindra dhe mijëra shqiptarë që të largohen nga Shqipëria, për shkak të tokës së djegur që ndërtoi Edi Rama.

Ndaj, shqiptarët nuk do të ndryshojnë asgjë nga bindja se Europa është e ardhmja e vetme e sigurt dhe njëherazi vendimi i tyre është i prerë: të largojnë Edi Ramën si pengesën e vetme të kësaj të ardhmeje. Shqipëria ishte më afër hapjes së negociatave sesa vendet e tjera, për shkak të shkatërrimit të shtetit, kapjes dhe shpërbërjes së tij nga kryeministri, sot ne jemi shumë pas vendeve të tjera, të cilat ishin shumë më mbrapa nesh vite më përpara. Fqinjët tanë treguan pjekuri dhe maturi politike për të kaluar probleme shumë të ndërlikuara dhe komplikuara, por Edi Rama rrënoi edhe arritjet e realizuara ndër vite, me shumë sakrifica nga shqiptarët.

Vullneti ynë për të mbështetur Integrimin Europian dhe për të bërë çdo sakrificë është i pandryshuar. Ne nuk do të rreshtim së punuari për të ndryshuar realitetin tragjik shqiptar, do të komunikojmë me të gjithë miqtë tanë dashamirës të Shqipërisë në Europë dhe në botë, për tu shpjeguar se sa e rëndësishme është Europa për shqiptarët dhe se nuk duhen dënuar kurrë Shqiptarët, por vetëm një njeri, Edi Rama, i cili ka zgjedhur rrugën anti-europiane dhe që i shërben vetëm vetes së tij dhe interesave të tij të ngushta personale. Falenderoj në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim Shtete e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e pandalur asnjëherë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve si partnerin tonë strategjik që edhe mbrëmë në një moment të zhgënjimit të shqiptarëve, ata i qëndrojnë në krah popullit shqiptar dhe Shqipërisë, u qëndrojnë në krah aspiratave të shqiptarëve për Integrimin Europian.
Asnjë faktor malinj nuk do të cënojë dot aleancën tonë mbi 100 vjeçare midis Shqipërisë dhe SHBA dhe asnjë faktor malinj nuk do të largojë dot aspiratave të shqiptarëve nga rruga e shqiptarëve tashmë drejt BE-së. Faleminderit!”, tha Kryemadhi.
(ed.me/BalkanWeb)

Kryemadhi – Kryeministri Rama të dorëhiqet! Read More »

I përmbushëm detyrat jo një herë, por dy herë rresht. Ndërtojmë shtëpinë europiane në vendin tonë

“Kemi marrë një refuzim për t’u marrë në konsideratë për çeljen e negociatave mbrëmë, por nuk kemi marrë asgjë më shumë se kaq, rruga jonë është e njëjta pa asnjë ndryshim, sepse ato që kemi bërë deri tani e do të vazhdojmë të bëjmë i kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë për vendin tonë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin në Detyrë për Europën e Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mbi dështimin e konsensusit në Këshillin Europian, lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

“Nëse kemi bërë një reformë në drejtësi që vazhdon, natyrisht kemi bërë një reformë që nuk i është kërkuar fare disa prej vendeve që kanë hyrë në BE, jo përpara se të çelnin negociatat pro, as kur kanë qenë në përfundim të tyre, e kemi bërë se është gjëja e duhur për ne dhe popullin tonë”, – theksoi Rama.

Ashtu sikundër do të vazhdojmë, vijoi Kryeministri, po njësoj me plotësimin e parakushteve të vendosur në votën ‘Po’ të Bundestagut për reformën zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR dhe natyrisht në pritje të plotësimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Do vazhdojmë më pas me pjesën tjetër që ka të bëjë me pikë për pikë kërkesa të lidhura me funksionim më të mirë të shtetit tonë dhe të sistemit tonë të institucioneve dhe jo sepse e ka kërkuar Gjermania dhe nuk ka absolutisht asnjë lidhje ajo që do të ndodhë në muajt në vijim apo do të ndodhë përpara samitit të Zagrebit ne do t’i bëjmë apo s’do t’i bëjmë, do t’i bëjmë këto dhe gjithë të tjerat pa ndryshuar asgjë”, – theksoi Rama.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “kjo është një përplasje mes të mëdhenjve dhe është një lojë në thonjëza qasjesh dhe interesash që është shumë më e madhe se ne, qoftë ne si Shqipëri, qoftë ne si rajon. Ama nga ana tjetër askush nuk e ka përjashtuar dhe nuk e përjashton perspektivën e integrimit tonë si rajon dhe si vende në BE”.

“Në fund të fundit e kam thënë gjithmonë dhe është dita për ta përsëritur edhe më fort procesi i integrimit është një proces i transformimit të brendshëm nuk është një proces për t’iu pëlqyer të tjerëve, një transformim i brendshëm që përputh legjislacionin’, përputh sistemin e funksionimit të institucioneve me legjislacionin e sistemit të funksionimit të kësaj familje të madhe në funksion të njerëzve tanë”, – tha Rama.

Kryeministri shtoi se “dua ta vë theksin shumë qartë tek fakti se ndërkohë ata të cilët janë jashtë nesh, ata të cilët përfaqësojnë BE e thonë pa ekuivok që në mosarritjen e vendimit të djeshëm përgjegjësia është e brendshme e BE-së, është e papranueshme dhe e pajustifikueshme që këtu mes veti fillon dhe shtrohet diskutimi sikur mosvendimi i djeshëm vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave. Ne i kemi përmbushur detyrat jo një herë, por dy herë rresht”.

Nga ana tjetër, vijoi Rama, nuk mund të mos shtoj se Franca është një nga themelueset e shtëpisë së përbashkët të BE-së, është në të drejtën dhe legjitimitetin e vet që të kërkojë ndryshimin e rregullave brenda një shtëpie, që siç e dëgjuat Presidentin e Francës sot, nuk funksionon.

“Nga ana jonë ajo që mbetet esenciale është të vazhdojmë rrugën që kemi nisur, të vazhdojmë përpjekjet që kemi bërë dhe ndërtimin e shtëpisë europiane në vendin tonë se për këtë është gjithë procesi, pastaj përputhja e qasjeve është një çështje që është më e madhe se ne dhe natyrisht ndikimi ynë në këtë është minimal, për të mos thënë zero”, – tha Rama./atsh

I përmbushëm detyrat jo një herë, por dy herë rresht. Ndërtojmë shtëpinë europiane në vendin tonë Read More »

Hajdari: Për të ardhur keq që shpresa e shqiptarëve për të qenë më afër Europës shtyhet

Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar ndaj vendimit të Francës për të vendosur veton ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Hajdari shprehet se është për të ardhur keq që shpresa e shqiptarëve për të qenë një hap më afër Europës shtyhet për një moment tjetër.

“A ka ndonjë përgjegjës në këtë vend për përkeqësimin e situatës politike dhe ekonomike? Përparësitë që ne duhet të kemi shtohen gjithnjë e më shumë. Pesë prioritetet e Komisionit Europian, vijojnë me 9 kushtet e Bundestagut, shtohen me azilkërkuesit në Francë. Sot Zoran Zaev njoftoi dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Kjo është çështje morali politik dhe përgjegjësie e lartë institucionale. Po këtu tek ne, a ka moral politik dhe përgjegjësi institucionale minimale?”, shprehet Hajdari.

Deputetja i kërkon qeverisë shqiptare të hartojë një plan të detajuar masash, bazuar mbi të gjitha përfundimet e Këshillit Europian, duke përfshire shqetësimet e secilit prej vendeve anëtare që kanë qenë kundër hapjes se negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë.

“Të gjitha këto masa që do merren, duhet të konsultohen sa më shpejt me institucionet kushtetuese dhe të monitorohen hap pas hapi. Ky plan veprimi duhet të ketë koston buxhetore reale për mbështetjen e këtij procesi. Në buxhet duhet të specifikohet qartë si do të përballohen shpenzimet për përmbushjen e këtyre detyrimeve,” shtoi ajo duke nënvizuar se angazhimi duhet jetë serioz dhe jo deklarativ. “Të ulemi në tryezë të flasim për çdo pikë, pa dallime politike, apo të çdo lloj përkatësie tjetër, ku në qendër të vëmendjes duhet të mbajmë qytetarin shqiptar”, shprehet deputetja Hajdari. /atsh

Hajdari: Për të ardhur keq që shpresa e shqiptarëve për të qenë më afër Europës shtyhet Read More »

Cakaj: Mungesa e konsensusit për negociatat, pasojë e vizioneve të ndryshme për reformën strukturore të BE

Ministri në Detyrë për Europën dhe për Punët e Jashtme , Gent Cakaj deklaron se pavarësisht mungesës së konsensusit në Këshill për çeljen e negociatave, Shqipëria do të vazhdojë angazhimet e saj reformatore dhe përpjekjet e mëtejme në shërbim të aspiratës evropiane.

Sipas ministrit në detyrë Cakaj, anëtarësimi me Shqipërinë nuk vjen si rrjedhojë e interpretimeve kundërthënëse lidhur me progresin e vendit, por si pasojë e vizioneve të ndryshme për reformën strukturore të Bashkimit Europian në përgjithësi.

“Nuk ka një ujdi absolute për të filluar bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ekziston një pajtueshmëri e plotë se të dy vendet kanë përmbushur të gjitha kushtet e paraqitura në konkluzionet e qershorit të vitit 2018” -u shpreh Cakaj. /atsh

Cakaj: Mungesa e konsensusit për negociatat, pasojë e vizioneve të ndryshme për reformën strukturore të BE Read More »