Politike

Basha: Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme, nuk e përjashtojmë dialogun

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një intervistë televizive ka deklaruar sot se mos hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian erdhi si pasojë e mos përmbushjes siç duhet të detyrave nga ana e qeverisë shqiptar, sidomos në drejtim të luftës kundër krimit e korrupsionit.

“E para, nuk e them unë. E thotë vetë Bashkimi Europian, që, në rastin e Shqipërisë nuk pati konsensus, por, përkundrazi, kishte një numër të madh vendesh, jo vetëm Franca, që ishin kundër. Arsyet, po kështu, këto vende, i kanë bërë të qarta: luftë e pamjaftueshme kundër krimit dhe korrupsionit. Pra, krimi dhe korrupsioni mbeten shqetësim i madh, ndarja e pushteteve është cituar si problematikë”,. tha ai.

I pyetur në lidhje me zgjedhjet e parakohshme të artikuluara së fundmi nga ana e tij, Basha tha se, Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme shumë më shumë sesa Maqedonisë. “Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër. Kushti i vetëm i opozitës, për të cilën kemi bërë një betejë, është që shqiptarëve t’u garantohet liria e votës, Duke garantuar standardet minimale zgjedhore, për të cilat Partia Demokratike dhe aleatët kanë propozuar një sërë masash,” u shpreh Basha, duke shtuar se me Kryeministër Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Basha tha se ai nuk e ka përjashtuar asnjëherë dialogun, por, tha ai, jo siç ndodhi në 2017-ën, ku sipas tij u shfrytëzua vullneti i mirë i opozitës për të vënë interesin e Shqipërisë mbi interesa tona politike dhe u nënshkrua një marrëveshje, e cila nuk u zbatua.

“Ne e kemi bërë fare të qartë rrugën për të ecur përpara. Kushtet e Bundestagut janë të qarta, reforma zgjedhore duhet të jetë me pjesëmarrje të të gjithë forcave politike dhe kjo reformë zgjedhore nuk duhet të kalojë vetëm në letër por të zbatohet. Që do të thotë për ne, zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale,” deklaroi më tej Basha.

Basha tha se pas Berlinit do të niset në SHBA me qëllim dhënien fund të krizës politike në Shqipëri. /atsh

Basha: Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme, nuk e përjashtojmë dialogun Read More »

Nisma “Edhe një”, Rama: Faqe e re në qasjen ndaj grave dhe vajzave, hapa të pamendueshëm pak vite më parë

Kryeministri Rama foli sot për nismën më të re të Partisë Socialiste “Edhe një”, e cila ka në fokus gratë dhe vajzat dhe integrimin e tyre në politikë dhe jo vetëm.

Kryeministri, duke folur në lançimin e rrjetit, tha se gratë dhe vajzat duhet të jenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes. Sipas Ramës, ideja e Lindita Nikollës ishte që, “Paralelisht me gjithë procesin tradicional të punës, të hapte një faqe të re në qasjen ndaj gave dhe vajzave dhe t’i drejtohet grave dhe vajzave për të krijuar një rrjet të qëndrueshme në funksion të pasurimit të burimeve njerëzore të PS, më pas, erdhi nisma e anëtareve të kryesisë së PS, për të propozuar që kryesia, të vendosë të hedhë një hap të konsiderueshme përpara besoj unë, një hap ambicioz por njëkohësisht dhe të guximshëm sepse është e bukur të thuhet por nuk është e lehtë të bëhet që me të gjitha organizata socialiste, të kalojmë nga kryesimi, në bashkëkryesim. Nga kryesimi tradicional ku shumica dërrmuese janë burra ose djem, në bashkëkryesim mes një gruaje apo djali dhe një burri apo vajze. Pra, është një hap shumë kurajoz por që nuk duhet lënë në asnjë mënyrë me kaq”.

Rama tha se kjo përpjekje duhet materializuar si një përpjekje e të gjithë deputeteve, kryetareve të bashkive, këshilltareve, ministreve dhe lidershipit të grave të Partisë Socialiste në territor kundër fiktivitetit për të mos lejuar që materializimi i kësaj nisme të jetë fiktiv.

“Dje kemi diskuar këtë gjë në kryesi dhe ka qenë një diskutim interesant jo se kishte ndonjë që nuk e pëlqen, përkundrazi, të gjithëve ju pëlqen kjo nismë por kuptohet që djalli si gjithmonë fshihet në detaje e mbi të gjitha, me të drejtë, një pjesë e anëtarësisë së kryesisë shprehën se mos edhe kjo nuk na con më tutje se sa një respektim formal i një rregulli që përcaktuam të gjithë së bashku. Ne e dimë mirë që në organizimin tonë e kemi pasur dhe e kemi ende një sfidë të hapur e të pafituar sfidën ndaj formalizimit e fikitivitetit” – nënvizoi Kryeministri.

Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, thotë se, “gjëja më e rëndësishme për tu thënë dhe gjëja më shqetësuese mendoj unë për një familje politike si e jona, për një familje progresiste, për një familje politike që ka bërë hapa të jashtëzakonshëm e të pamendueshme disa vite më parë në funksion të promovimit të barazisë gjinore, është diferenca dramatike mes përfshirjes së grave dhe vajzave në territoret urbane dhe në territoret periferike. Nuk flas për territore rurale mirëfilli sepse në territore rurale përsëri skena është e larmishme, nuk është e njëtrajtshme. Në periferitë e Tiranës, që është bërthama e metropolit të shqiptarëve, situata është alarmante sepse jo vetëm që ne kemi struktura ku nuk ka asnjë grua por kemi burra që thonë nuk ka gra këtu ku jemi ne”.

Sipas Ramës, “ne kemi arritur të kemi një qeveri që në klasifikimin e Kombeve të Bashkuara është në 5 të parat në botë për barazinë gjinore. Kemi madje përqindjen më të lartë të grave se të burrave dhe nga ana tjetër jemi në një shoqëri shumë të mirë me vende që në gjithë aspektet e tjera janë shumë më përpara nesh. Në të gjitha klasifikimet botërore”.

Rama shton gjithashtu se “kemi 50% të këshillave bashkiak gra dhe vajza. Mbi 60% të drejtueseve në gjithë hierarkinë e administratës publike dhe që për definicion do të thotë se maksimalisht 60% e administratës sonë publike në drejtime ka një nivel korrupsioni shumë të ulët sepse gratë dhe vajzat janë shumë më pak të korruptueshme se sa burrat dhe djemtë. Kjo është fakt”.

Kryeministri Rama thotë se është shumë e rëndësishme të arrihet bashkë kryesimi në të gjitha organizatat socialiste mes grave dhe burrave. “Ajo që është e rëndësishme është çfarë duhet të bëjnë përtej përfaqësimit në këshillat bashkiak në seancat e komisioneve apo të mbledhjeve të këshillit gratë dhe vajzat shqiptare. Çfarë duhet të bëjmë përtej të gjithë punës voluminoze që bëjnë gratë deputetë, qoftë në parlament, qoftë në territor dhe çfarë duhet të bëjmë të gjithë së bashku. Duhet të bëjmë realitet atë që kemi dakordësuar dje. Duhet të realizojmë bashkë kryesimin në të gjithë organizata socialiste me gra dhe burrave e për këtë duhet një punë e veçantë. Nuk ka për të ndodhur nëse gratë që janë në drejtim, gratë që janë në këto shtresa të lidershipit nuk marrin përsipër ta udhëheqin këtë proces duke shkuar e duke prekur çdo plagë të territorit sepse është i mbushur me plagë territori në aspektin e diskriminimit dhe të refuzimit apo indiferencës ndaj faktorit grua”.

Kryeministri, në përfundim të fjalës së tij shtoi se, “ne kemi një potencial shumë të madh ende të paçliruar, jo thjesht në funksionin elektoral edhe pse funksioni elektoral është patjetërsueshëm sepse duhet të fitosh zgjedhjet që të bësh gjërat që merr përsipër të bësh, një potencial shumë të madh për t’i dhënë më shumë frymë, më shumë ajër të pastër, më shumë seriozitet, më shumë eficiencë të gjithë organizimeve tona në komunitet”. /atsh

Nisma “Edhe një”, Rama: Faqe e re në qasjen ndaj grave dhe vajzave, hapa të pamendueshëm pak vite më parë Read More »

Braçe: Liderët e BE në asnjë rresht nuk folën për gabim të Shqipërisë

Zëvendëskryeministri Braçe ka reaguar përsëri lidhur me bllokimin e hapjes sëe për anëtarësim në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në takimin e fundit të Këshillit Europian.

Braçe shprehu dhe një herë mirënjohjen për mbështetjen e Komisionit Europian dhe veçanërisht presidentit Tusk.

“Udhëheqësit zhvilluan një debat të vështirë për zgjerimin. Pas rekomandimit të qartë nga Komisioni, një shumicë dërrmuese e vendeve anëtare dëshironin të hapnin bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Përkundër kësaj, unanimiteti i kërkuar nuk ishte i mundur javën e kaluar. Sipas mendimit tim, ky ishte një gabim, të cilin ua kam thënë udhëheqësve (dhe unë kam qenë pak më i drejtpërdrejtë atëherë). Tani mund të shpresoj vetëm se liderët nxjerrin përfundimet e duhura, kur diskutojnë procesin e pranimit përpara samitit të Zagrebit në maj të vitit 2020”, – është shprehur sot presidenti Tusk.

Ndërkohë që zëvendëskryeministri shprehu dhe një herë mirënjohje për mbështetjen e presidentit dhe Komisionit Europian duke mos lënë pa thumbuar dhe opozitën shqiptare.

“Këta udhëhoqën procesin, këta negociuan, këta vunë kushtet, këta vlerësuan zbatimin e tyre, këta vlerësuan e gjykuan punën, këta thanë “tani jeni gati”, këta propozuan nisjen e negociatave! Ky, Presidenti i Komisionit Europian, luftuan për Shqipërinë, jo ju të zjarrit e bombave, jo ti! Ky, Presidenti i Bashkimit Europian, shquan si gabim të madh vendimin e Francës, të udhëheqësve; në asnjë rresht nuk folën për gabim të Shqipërisë. E thanë të premten, e thanë dhe sot mu në mes të Parlamentit Europian”, nënvizoi Braçe. /atsh

Braçe: Liderët e BE në asnjë rresht nuk folën për gabim të Shqipërisë Read More »

Soreca: I zhgënjyer, Shqipëria në BE sa më shpejt të jetë e mundur

Luigi Soreca, ambasadori i BE-së, në një intervistë për gazetarin Carlo Bolino foli për procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE duke thënë se ndihet i zhgënjyer.

“Më lejoni të them që në nivel personal edhe unë jam i zhgënjyer. Jam i zhgënjyer për arsye sepse kam punuar shumë, kam punuar fort për Shqipërinë, jo vetëm në të shkuarën, si p.sh. për liberalizimin e vizave dhe jam krenar që kam pasur mundësinë që ky hap i rëndësishëm të arrihej dhe të përfundoja edhe unë punën time në këtë aspekt”, – u shpreh Soreca.

Ambasadori vijon duke thënë se, “tani jemi në një moment të rëndësishëm, në një fazë të rëndësishme dhe më lejoni që me pak fjalë të shpjegoj pra, që kemi pasur liderët, udhëheqësit evropianë që kanë diskutuar për rreth 5 orë, në një ditë kur agjenda e tyre ishte plot me çështje të rëndësishme, si p.sh. Brexit-i, apo ndryshimet klimatike. Pra, për 5 orë ata kanë diskutuar çështjen e zgjerimit dhe çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo tregon qartë se sa e rëndësishme është kjo çështje për BE-në dhe natyrisht, edhe për këto dy shtete, të cilat janë shtete shumë të rëndësishme për BE-në dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla”.

Sipas tij, “ribashkimi i Shqipërisë me familjen evropiane është në interesin e përbashkët, si të Shqipërisë ashtu edhe të Bashkimit Evropian dhe kjo është përsëritur ngaherë nga udhëheqësit evropianë, që anëtarësimi i Shqipërisë në BE është në interes, në fakt, edhe të Bashkimit Evropian, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për arsye të stabilitetit, të sigurisë, por edhe për arsye gjeopolitike. Shqipëria i përket Bashkimit Evropian, i përket familjes evropiane dhe duhet të hyjë në shtëpinë e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi kjo gjë do të sjellë më shumë stabilitet, më shumë siguri, më shumë begati ekonomike, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për BE-në. Shqipëria është pjesë jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht e Evropës dhe duhet të bëhet shtet anëtar i BE-së” –thekson Soreca. /atsh

Soreca: I zhgënjyer, Shqipëria në BE sa më shpejt të jetë e mundur Read More »

Basha: Rama dështoi të na afrojë me Europën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sot ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili citoi Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, drejtuesit e BE, Donald Tusk dhe Jean Claude Juncker dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev mbi vendimin e vendeve të BE për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Basha ka publikuar citimet e Kancelares Angle Merkel, të Presidentit të Francës, Emanuel Macron, Kryeministrin e Holandës, Mark Rutte si dhe Tytti Tuppurainen, Ministre e Finlandës për Çështjet Europiane,.

Basha ka shtuar se, “megjithë lojërat e Ramës për t’u fshehur pas propagandës, të gjithë e shohin me sy të vërtetën. Ai dështoi të na afrojë me Europën. Shqiptarët meritojnë hapjen e negociatave. Një njeri e pengon këtë rrugë. Europa e refuzoi, tani është koha ta refuzojnë shqiptarët”./atsh

Basha: Rama dështoi të na afrojë me Europën Read More »

Negociatat, Balla: BE rrezikon kredibilitetin, 25 vende anëtare thanë “po”

Kreu i Grupit Parlamentarë të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një emisioni televiziv, u shpreh se vendimmarrja e Bashkimit Europian duke lënë pa një përgjigje të qartë vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut mbi çeljen e negociatave, vë në dyshim kredibilitetin e vetë BE-së.

Balla tha se kurrë më parë nuk ka pasur kurrë një numër kaq të madh të politikanëve brenda BE që janë gati rebeluar ndaj kësaj vendimmarrjeje të Këshillit Europian. “Teksa vija për këtu, më kishte shpëtuar dje por e lexoja tani një “Twitter”, të Wolfgang Ischinger, presidentit të konferencës së Munihut, i cili perifrazonte dy vendime të gabuara të marra pothuajse në të njëjtën kohë, Europës bashkë, përfshinte këtu dhe vendimin e SHBA-ve lidhur me tërheqjen e trupave nga Siria por rendiste po aq të rëndë dhe vendimin për të mos filluar bisedimet për anëtarësim me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Kurrë më parë në një rast të ngjashëm, edhe në historinë e re apo të vjetër të BE nuk kemi një numër kaq të madh qeverish, presidentë, kryeministra apo dhe përfaqësues të parlamenteve, kujtoj këtu deklaratën e djeshme të dy personaliteteve të nderuara të CDU/CSU që jo vetëm e rendisin si të gabuar por dhe një formë rebelimi teksa politikanë të shumtë të Europës janë rebeluar kundrejt kësaj vetoje të përdorur nga Franca e perifrazuar nga i nderuari zoti Macron, për të cilën nuk kam një argument të qëndrueshëm””-, tha Balla.

Lidhur me problemin e azilkërkuesve, Balla tha se numri shqiptarëve që përfitojnë azil në Francë është i papërfillshëm po të krahasohet me vendet e tjera. “Kjo është në shifrën 17% dhe këtu ha shumë diskutim. Shqiptarët destinacion primar kanë Gjermaninë, dhe Gjermania si vend praktikë ndryshojë legjislacionin për azil-kërkimin dhe atë që ka të bëjë me rezidencën e përkohshme për punësim të përkohshëm, duke demoralizuar këtë lëvizje”-, theksoi Balla.

“Sa i takon vendimmarrjes për negociatat, Këshilli Europian nuk mori asnjë vendim dhe s’kemi asnjë arsye që lidhet me Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut. Së dyti, kemi një element që është vënë në dukje edhe nga vetë drejtues të BE, ku që prej viteve 60’ s’ka ndryshuar struktura vendimmarrëse e BE, dhe vetë drejtues të BE deklarojnë se kemi 59 vjet pra që ruhet e njëjta histori që duhet të kemi vendime unanime në një union me 27 apo 28 vende”-, tha Balla.

“Prandaj, duhet theksuar se mos vendimmarrja nuk lidhet aspak me çfarë ka bërë Shqipëria. Unë isha në Bruksel si sot një javë. Kam ndjerë në korridoret e grupimeve të ndryshme politike, sidomos ato franceze njëlloj problematike që ndjehej nga refuzimi i kandidaturës së ish ministres së mbrojtjes franceze të Sylvie Goulard për Presidente të Komisionit Parlamentarë të BE. Arsyeja përse dhe partitë popullorë europiane kanë këtë qëndrim, ka lidhje edhe me kandidaturën për president të komisionit”-, theksoi Balla.

“Duhet pranuar se ishin 25 vende anëtare të BE që unanimisht mbështesnin rekomandimin e Komisionit Europian për nisjen e bisedimeve, Franca me veto, Holanda dhe Danimarka, të cilat nuk është se kanë nënvizuar çështje të veçanta, por që kanë qenë jo shumë mbështetëse ndaj anëtarësimeve të reja. Holanda sot mban peng aderimin në Schengen të Rumanisë dhe Bullgarisë”- , tha Balla.

“Dhe ajo që shoh sot ka një prirje brenda BE. Ne jemi sot në një moment që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, jo për çfarë kanë bërë, por për shkak të konteksteve të ndërlikuara nuk na u dha një përgjigje e qartë për negociatat, Por, përfaqësues të BE përpara se të na thonë ne thellohu, thellohu, thellohu, duhet të shohin kredibilitetin e tyre, pasi janë vënë në dyshim komisionet e Parlamentit Europian. Kam dëgjuar një ekspert si Lulzim Basha që thotë se Komisioni Europian bën raporte të gabuara”-, tha Balla.

Ai shtoi se për vendin tonë nuk ka plan B, por vetë plan A, BE-në. “Këshilli Europian vlerësonte Shqipërinë për reformën në drejtësi, kurse Maqedoninë e Veriut për ndryshimin e emrit. Edhe francezët nuk e dinë se çfarë kërkojnë, lidhur me zgjerimin. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Edhe Serbia ka mbetur në vend e nuk hapen më kapitujt, edhe për Malin e Zi nuk po hapet kapitull derisa të ndajnë mendjen. Shqipëria ka vetëm plan A, nuk ka plan B. Ne duhet vetëm të përmbushim standardet që na kërkohet dhe kemi bërë detyrat tona”, theksoi Balla. /atsh

Negociatat, Balla: BE rrezikon kredibilitetin, 25 vende anëtare thanë “po” Read More »

Rama: Komunikime me Macron dhe drejtuesit e vendeve të tjera, rruga jonë vazhdon pa asnjë ekuivok

“Mosmarrja e një vendimi të merituar për Shqipërinë për çeljen e negociatave është rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane, por rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë ekuivok për të bërë detyrat e shtëpisë që janë të qarta”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një prononcim për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste.

Natyrisht, tha ai, “kemi rënë të gjithë dakord për faktin se kjo nuk ndryshon asnjë gjë në trajektoren strategjike të vendit, të Partisë Socialiste dhe të qeverisë sonë”.

Ndërkohë, Rama tha se “në ditët në vijim ka një sërë komunikimesh të përcaktuara në axhendë me Presidentin e Francës dhe me një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit”.

“Nga ana tjetër, pa diskutim që në aspektin praktik ne jemi të qartë që duhet të vazhdojmë çdo ditë punën, sepse edhe nëse do të kishim marrë një ‘Po’ të shumëpritur dhe të merituar disa ditë më parë, detyrat janë po ato që janë edhe pa atë ‘Po’. Pra, ecim përpara me reformën zgjedhore dhe brenda vitit të ngjisim shkallën e parë të miratojë në parlament të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si pjesë e ligjit zgjedhor. Po ashtu të presim, se në këtë aspekt nuk kemi ne diçka më shumë për të bërë, plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me radhë të gjitha pikat e përcaktuara nga Bundestagu gjerman, që janë të rëndësishme për ne dhe jo të nevojshme për Gjermaninë dhe BE-në”, – tha Rama.

I pyetur lidhur me kërkesën e opozitës për dorëheqje, Rama tha se “nuk ka asnjë gjë të re, pasi ata kanë punuar shumë fort dhe nuk kanë lënë gur pa luajtur për të dështuar procesin”. “Nuk ia kanë dalë, sepse ne ia kemi arritur të kapërcejmë pengesën e ngritur artificialisht në 6 muajt e parë të vitit duke marrë mbështetjen e fuqishme të Kancelares Merkel dhe të Gjermanisë”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “faktikisht, qoftë Maqedonia e Veriut, qoftë Shqipëria, nuk ka arritur të marrë atë që u takonte jo si rezultat i një rezerve substanciale ndaj tyre, por si rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane, ku sot është materializuar ajo që kisha paralajmëruar prej disa kohësh me të gjitha fjalimet e mia në parlament, një konflikt mbi të ardhmen e BE-së”, – tha Rama.

Në këtë pikë, Rama u shpreh se “nuk besoj se ne këtu, apo ata në Maqedoninë e Veriut kanë më shumë në dorë sesa të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë dhe detyrat e shtëpisë janë shumë të qarta”.

“Dielli ka dalë përsëri, dita ka filluar përsëri dhe rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë ekuivok. Ne duam të bëjmë Shqipërinë europiane për shqiptarët, për fëmijët tanë dhe këtë do të bëjmë”, – tha Rama. /atsh

Rama: Komunikime me Macron dhe drejtuesit e vendeve të tjera, rruga jonë vazhdon pa asnjë ekuivok Read More »

Buzhala: “Më shumë ka mundësi që Shqipërinë ta godasë një tërmet 10 ballë, sesa Rama të japë dorëheqjen”

Gazetari dhe botuesi nga Kosova, Berat Buzhala shkruan në një postim në Facebook se, “ma shumë ka mundësi që Shqipërinë me e goditë një tërmet 10 ballë të rihterit se sa Edi me dhanë dorëheqje”.

Buzhala sjell në kujtesë verimet e liderëve të vendeve të Rajonit, të cilët kanë dhënë dorëheqjen për shkaqe të ndryshme kohët e fundit. Ai bën një paralelizëm me kryeministrin shqiptar Edi Rama, qeveria e të cilit edhe pse ka qenë në qendër të shumë skandaleve, nuk e ka ndërmarrë këtë akt.

“Ne momentin qe partia e Ciprasit i pat hupe zgjedhjet per Parlamentin Evropian ish kryeministri i Greqise ka pas dhane doreheqje. I humbi zgjedhjet por jo me rezultat te thelle.

Ne momentin qe Bashkimi Evropian nuk i hapi negociatat me Maqedonine Kryeministri Zaev dha doreheqje duke e çu vendin ne zgjedhje. Nuk dihet a do t’i humbe zgjedhjet.

Ne momentin qe e thirren ne Hage si te dyshimte per krime te luftes Kryeministri Haradinaj dhe doreheqje. I humbi zgjedhjet bindshem.

Qe 6-7 vjet Kryeminister i Shqiperise Edi Rames i ka ra gjithecka me pa me ata sy. Ministra me droge ne kerre, banda te pergjume duke vjedhe vota, tendere qe nje kilometer autostrade ta shesin me 15 milion euro, e tash se fundmi edhe deshtim per hapje te negociatave. Mirepo ma shume ka mundesi qe Shqiperine me e godite nje termet 10 balle te rihterit se sa Edi me dhane doreheqje. Garant Edi thote ‘me kete popull nuk mundesh me bo shtet’ por assesi me kete kryeminister nuk mundesh me bo shtet”, shkruan Buzhala në një postim në Facebook.

Buzhala: “Më shumë ka mundësi që Shqipërinë ta godasë një tërmet 10 ballë, sesa Rama të japë dorëheqjen” Read More »