Politike

“Ferri është bosh dhe gjithë djajtë janë këtu”/ Rama dakord me deklaratat e ambasadores Kim për Reformën në Drejtësi

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratës së ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, e cila tha se “shpreson që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta”.

Kryeministri Edi Rama duke rënë dakord me deklaratat e ambasadores, citoi një thënie të Shekspirit: “Ferri është bosh dhe gjithë djajtë janë këtu”.

Ambasadorja Kim tha sot se “Reforma në Drejtësi është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim dhe duhet të vazhdojë”./atsh

“Ferri është bosh dhe gjithë djajtë janë këtu”/ Rama dakord me deklaratat e ambasadores Kim për Reformën në Drejtësi Read More »

Reforma në Drejtësi/ Basha: Çdo ndryshim kushtetues ose ligjor nga parlamenti aktual, i paligjshëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “çdo ndryshim kushtetues ose ligjor në lidhje me Reformën në Drejtësi nga parlamenti aktual është i paligjshëm”.

“Ndryshime të tilla u shërbejnë vetëm atyre që përdorin fuqinë e tyre për të përdredhur dhe minuar reformën dhe për të kontrolluar dhe kapur politikisht sistemin e drejtësisë”, u shpreh Basha.

Basha reagoi pas deklaratës së ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim e cila tha se “shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta”./atsh

Reforma në Drejtësi/ Basha: Çdo ndryshim kushtetues ose ligjor nga parlamenti aktual, i paligjshëm Read More »

47 vjet nga revolta e Spaçit/ Basha: Thirrja e parë, Shqipëria do të bëhet si Europa

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka kujtuar 47-vjetorin e revoltës në burgun e Spaçit, ku thirrja e parë e të burgosurve politik ishte Shqipëria do të bëhet si Europa.

Basha shprehet se “47 vjet më parë, kur diktatura komuniste e kishte zhytur Shqipërinë në izolimin e saj më të madh, një grup të burgosurish politikë ngritën në Spaç flamurin kuqezi, pa yllin komunist, dhe shpallën aty një zonë të lirë nga diktatura. Ato 3 ditë lirie e tronditën nga themelet Sigurimin e Shtetit, aty u thirr për herë të parë me zë të lartë se Shqipëria do të bëhej si Europa”.

“4 heronjtë martirë të Revoltës së Spaçit, Hajro Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, ishin lajmëtarët se shqiptarët asnjëherë s’do të pajtoheshin as me dhunën, as me diktaturën komuniste e as me çfarëdo regjimi që do synonte t’u hiqte atyre lirinë. Në dokumentet e Sigurimit të Shtetit, aty ku raportohet për dhunën çnjerëzore që diktatura përdori për ta shembur rezistencën e të burgosurve politike raportohet me tmerr paralajmërimi profetik që qëndrestarët i bënë zv/ministrit të Brendshëm të diktaturës: “Edhe ju do të përfundoni këtu, sepse është ngushtuar rrethi dhe diktatura po ha bijtë e vet”-tha ai.

Po ashtu, Basha kujton qëndresën 3 ditorë të të burgosurve politikë në revoltën e Spaçit e cila u shtyp me gjak.

“Revolta e Spaçit dhe qëndresa 3-ditore e të burgosurve të Spaçit pati një jehonë të gjerë në të gjithë vendin. Ideja e qëndresës e tmerroi regjimin diktatorial. Për të treguar këtë trashëgimi të qëndresës së shqiptarëve, të cilët nuk e pranuan asnjëherë diktaturën, fiks 11 vjet më vonë, në përvjetorin e Revoltës së Spaçit, ish-të burgosurit politikë u ngritën sërish në revoltë në burgun famëkeq të Qafë-Barit. Të burgosurit politikë po e mposhtnin makinën e regjimit, jo vetëm me qëndresë madhështore, shembull në të gjitha vendet ish-komuniste, por edhe me simbole”-tha ai.

Në vijim Basha kujton dhe revoltën e të burgosurve politik të Qafë-Bari që pasoi atë të Spaçit.

“Qafë-Bari ishte një përkujtim i denjë i revoltës së Spaçit, 11 vjet më pas, dhe që të dyja revoltat janë sot një trashëgimi politike që e gëzon çdo rezistencë qytetare kundër padrejtësisë dhe kundër çfarëdo regjimi që e gënjen mendja se mund t’ju marrë shqiptarëve të drejtat e fituara në Lëvizjen e Dhjetorit ’90. Burrat që kryen revoltat e Spaçit dhe të Qafë-Barit janë një frymëzim se kauzat fitojnë, edhe nëse ato kanë kundër falanga të armatosura. Nga Revolta e Spaçit vjen edhe paralajmërimi profetik se askush s’duhet të qëndrojë mënjanë, kur atdheu përballet me sfida të mëdha, sepse mekanizmi keqbërës i diktaturës herët a vonë do të mbërrijë edhe tek ata”, tha Basha.

Gjithashtu Basha shtoi se “nga revoltat e Spaçit dhe të Qafë-Barit ne trashëgojmë shembullin e atdhedashurisë. Duke nderuar kujtimin e martirëve të Spaçit dhe Qafë-Barit, shqiptarët nderojnë sot historinë e tyre të lavdishme të qëndresës ndaj diktaturës dhe rinovojnë angazhimin për të mos iu shmangur përgjegjësisë kombëtare që kanë, për ta shkëputur përfundimisht vendin nga kthetrat e diktaturës së hajdutëve dhe kriminelëve dhe për ta rikthyer atje ku i takon, në gjirin e Perëndimit”./atsh

47 vjet nga revolta e Spaçit/ Basha: Thirrja e parë, Shqipëria do të bëhet si Europa Read More »

Balla deputetit të opozitës në Parlament: Mos bëj teatër mbi Teatër, ndiq procedurat

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla i është përgjigjur deputetit të opozitës Ralf Gjoni në lidhje me kërkesën e tij për Komision Hetimorë për Teatrin.

Në përgjigje të kërkesës së deputetit Gjoni, Balla tha se “që duhet të bëjë letrat”.

“Do kërkoja mirëkuptimin e çdo kolegu që të vijnë në Kuvend dhe të luajnë Teatër mbi Teatër. Se sa të dhëmb ty shpirti për teatrin unë e di dhe e mirëkuptoj. Bëni propozimet, bëj letrat djalë. Mëso që procedura është e përcaktuar për çdo lloj nisme. Kam mbështetur kërkesën e ardhur nga opozita për interpelancë “, tha Balla./atsh

Balla deputetit të opozitës në Parlament: Mos bëj teatër mbi Teatër, ndiq procedurat Read More »

Opozita teatër absurd, gjen çdo rast dhe mundësi për të ikur nga tryeza e Reformës Zgjedhore

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se Lulzim Basha në krye të asaj partie dhe e gjithë opozita vetëm u ka ikur betejave elektorale.

“Më thoni ju, një parti opozitare në botë, e cila nuk do ta afrojë datën e zgjedhjeve, e cila nuk futet në zgjedhje me pasion për të fituar. Ikën në 2017, ikën në 2019. Tani ikën nga tryeza e reformës zgjedhore, pasi u prish Teatri Kombëtar”, tha Spiropali në fjalën e saj, në Kuvend.

Sipas Spiropalit, “nga një protestë me ndjeshmëri qytetarë të disave që janë në të drejtën e tyre për të qenë aty, ata e kanë kthyer atë në një skenë, ku Monika luan rolin e Penelopës, Luli të Odiseut që i ikën kësaj, dezhurnin nuk po dinë ta mbajnë, turnin nuk dinë ku e kanë “.

Spiropali theksoi se vendosin vija që nuk dinë ti mbajnë dhe më pas vendosin të braktisin një nga reformat më të rëndësishme për Shqipërinë e të ardhmen europiane.

Ata njerëz që janë aty, theksoi Spiropali, nuk kanë asnjë lidhje me artistët e mëdhenj që i kanë dhënë shpirtin atij teatri dhe janë për ndërtimin e një teatri dinjitoz kombëtar.

“Sepse është kombëtarizëm të duash këtë. Jo teatri ynë një furrik ndërsa teatri i Shkupit gjigand. Pse qenkeni ne të destinuar të mos kemi një teatër operash dinjitoz, një teatër kombëtar dinjitoz. Ato janë themele të shtetit, ato nuk kanë të bëjnë vetëm me artin, ato kanë të bëjnë me ardhmërinë tonë, me mënyrën se si fëmijët tanë shohin, e perceptojnë veten e tyre si shqiptar e qytetar“, deklaroi Spiropali.

Sipas Spiropalit, gjuha e përdorur nga disa deputetë të opozitës në Kuvend, është e ngjashme me gjuhën që vetëm me artin e qytetarinë nuk kanë të bëjnë.

“E pamë se si ju vërsulën me një egërsi të pashoqe aktorëve e regjisorëve që nuk mendojnë si këta por mendojnë se ne duhet të kemi një teatër tjetër kombëtar të ri, aty. Guxuan deri aty, këta të dashuruar me mendimin ndryshe, të sulmonin edhe Ismail Kadarenë, monumentin e gjallë të gjenialitetit, kombëtarizmit e europianizmit shqiptar, me gjuhë të fëlliqur e mendim të egër, duke i bërë gjyqe popullore. Protesta e tyre mund të quhet mirë edhe protesta makbethiane e kafshimit të veshit”, deklaroi Spiropali./atsh

Opozita teatër absurd, gjen çdo rast dhe mundësi për të ikur nga tryeza e Reformës Zgjedhore Read More »

Tejkalimi i qëndrimit në Greqi për shkak të COVID-19/ Rama: Në rast mosanulimi të gjobave për shqiptarët nga autoritetet greke, i rimbursojmë 100%

Autoritetet greke do të rishikojnë të gjitha gjobat e vendosura gjatë kohës së pandemisë COVID-19 në ngarkim të shqiptarëve që u penalizuan nga pamundësia për të lëvizur për shkak të mbylljes së kufirit.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot një lajm me rëndësi. “Zyra ime ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke, pas lajmit të bërë publik të gjobitjes së disa shtetasve shqiptarë që kanë tejkaluar afatin 90-ditor të qëndrimit në Greqi gjatë muajve të fundit. Autoritetet greke do të rishikojnë të gjitha gjobat e vendosura, ndërkohë kanë siguruar se në kohëzgjatjen e pandemisë vendosja e gjobave do të ndodhë vetëm në rastet flagrante, ku shkelja e afateve nuk ka lidhje me situatën e krijuar nga COVID-19”, – theksoi Rama.

“Unë i siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë të cilëve autoritetet greke nuk do t’ua anulojnë gjobën, se do të rimbursohen në masën 100% nga qeveria e Republikës së Shqipërisë”, – tha Rama. //atsh

Tejkalimi i qëndrimit në Greqi për shkak të COVID-19/ Rama: Në rast mosanulimi të gjobave për shqiptarët nga autoritetet greke, i rimbursojmë 100% Read More »

Meta: Të lirohen të arrestuarit e protestës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kërkuar sot që të lirohen të arrestuarit e protestës për prishjen e Teatrit Kombëtar.

“Të gjitha arrestimet, ndalimet dhe procedimet për mbrojtjen paqësore të teatrit kombëtar janë vetëm politike”, është shprehur presidenti Meta.

Kreu i Shtetit ka theksuar se, “vetë operacioni për shembjen e tij ishte kryevepra e asgjësimit përfundimtar të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”.

“Lironi të burgosurit politikë në Shqipërinë e 2020!”, ka theksuar presidenti Meta./atsh

Meta: Të lirohen të arrestuarit e protestës Read More »

Meta: Shembja e Teatrit Kombëtar, akt cubash dhe i paligjshëm

Presidenti Ilir Meta e cilësoi sot shembjen e Teatrit Kombëtar, “një akt të programuar shkombëtarizues”.

“Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, nuk ishte thjesht dhe vetëm një akt cubash, antikushtetues dhe i paligjshëm, por një akt i programuar shkombëtarizues”, tha Meta.

Më herët, Kreu i Shtetit ka deklaruar se “mbështet fuqimisht një hetim ndërkombëtar për shkatërrimin antikushtetues, të paligjshëm dhe në mënyrën më antieuropiane të Teatrit Kombëtar”.

Ai është shprehur i gatshëm të bashkëpunoj me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe me çdo institucion europian dhe ndërkombëtar për Kulturën./atsh

Meta: Shembja e Teatrit Kombëtar, akt cubash dhe i paligjshëm Read More »