Politike

Meta uron Fitër Bajramin: Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë Gëzuar Fitër Bajramin!

“Sot besimtarët myslimanë kremtojnë përkushtimin dhe sakrificën e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, muajit të vetëpastrimit shpirtëror, të amnistisë hyjnore dhe solidaritetit njerëzor”, shprehet Meta.

“Agjërimi si rit abrahamik, për besimtarët risjell çdo vit nevojën e largimit nga ligësitë që janë pasojë e mospajtimit të arsyes me dëshirat”, tha Meta.

“Fitër Bajrami përcjell mesazhin e natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi, nëpërmjet vetëprivimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove abuzive”, është shprehur Meta.

“Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë, me dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, siç porosit Profeti Muhamed: “Nuk do të jeni besimtarë deri sa ta doni njëri-tjetrin”, ka theksuar Meta.

“Bashkoj lutjet e mia me ju, për jetimët, pensionistët, të sëmurët dhe të pamundurit, të cilët në këtë kohë pandemie e kanë patur më të vështirë. Zoti ua pranoftë agjërimin gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit! Gëzuar festën e Fitër Bajramit, me shëndet e mbarësi! Me lutjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ndodhen”, ka shtuar Meta./atsh

Meta uron Fitër Bajramin: Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë Read More »

Braçe: Reforma në Drejtësi, angazhimi më i madh i PS-së në 30 vite

Zëvendëskryeministri Erion Braçe duke përkujtuar sot 28 vjetorin e vrasjes së gjykatësit të njohur italian Giovanni Falcone, u shpreh se, “Reforma në Drejtësi është angazhimi më i madh i Partisë Socialiste në 30 vite”.

Në një reagim, zv/kryeministri Braçe thekson se, “Reforma në Drejtësi, frymëzimi i vetëm për t’u marrë ende me politikë”.

“Kam zgjedhur të them disa fjalë sot, në ditën kur mafia vrau barbarisht një gjykatës simbol të luftës kundër saj, një frymëzim Giovani Falcone dhe, në javën që më kujton hyrjen në politikë përmes barbarisë me të drejtën jetike për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, në fund maj 1996-26 maj; për Reformën në Drejtësi. Reforma në Drejtësi është angazhimi më i madh i Partisë Socialiste në 30 vite! E nisëm vetëm, falë kurajos se burrave e grave të votuar për të sanksionuar realisht drejtësinë e barabartë si palcën e një shoqërie ku pabarazia e padrejtësia, kanë krijuar statuse të turpshme duke ndarë qytetarët në të hetueshëm, gjykueshëm, dënueshëm dhe në të pahetueshëm, pagjykueshëm, padënueshëm-një pakicë politikanësh, qeveritarësh, biznesmenësh, kriminelësh, prokurorësh e gjykatësish, bërë bashkë në një sistem sa tallës, po aq të dhunshëm e kriminal”, tha ai.

Braçe shprehet se “kërkuam partnerë kombëtarë në politikë, duke besuar se çdo njeri prej tyre kish kuptuar se zullumi ishte trashur aq shume sa s’kishte. Bëmë përpjekje shpesh edhe qesharake për t’u nxjerrë frikën-atyre e jo vetëm, duke besuar se drejtësia e barabartë, e pastër e profesionale për të gjithë, është shumë më mirë se ajo e kontrolluara që nuk të heton, as gjykon, si shenjë e pushtetit tënd të fortë por që të mban varur e kurrë të qetë për një krim të kryer e te pa hetuar, gjykuar, dënuar. Nuk i patëm kurrë partnerë, nuk i kemi as sot! Përkundrazi, luftëtarë dje e luftëtarë sot kundër Reformës në Drejtësi! Lumturisht gjetëm partnerë SHBA e BE, ata asistuan, mbështetën, mbikëqyrën në çdo kohë reformën e plotë e po e bëjnë edhe tani gjatë zbatimit te saj! Në qershor 2017 në jemi votuar për reformën në drejtësi, atë që kishim bërë deri atëherë dhe atë që do vijonim të bënim për drejtësinë e barabartë! Nën mandat prej atyre votave, unë nuk e harroj kurrë këtë!”.

“Reforma në Drejtësi ka disa shtylla bazë; pastrimin e sistemit te drejtësisë nga prokurorë e gjyqtarë të varur e të korruptuar, ngritjen e institucioneve të qeverisjes së drejtësisë, jo nga politika- presidenti, qeveria, kuvendi/deputetët/mazhoranca, emërimin e prokuroreve nga institucionet e drejtësisë, jo nga politika-presidenti, qeveria,kuvendi, deputetët, mazhoranca, hetimin penal të çdo prokurori e gjykatësi të gjetur në shkelje të ligjit për pasurinë e jo vetëm”, tha Braçe./atsh

Braçe: Reforma në Drejtësi, angazhimi më i madh i PS-së në 30 vite Read More »

Ambasadorja e SHBA-së, Kim: Reforma në Drejtësi duhet të vazhdojë pa marrë parasysh pengesat

“Reforma në Drejtësi duhet të vazhdojë pa marrë parasysh pengesat”, deklaroi sot ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim.

Ambasadorja Kim publikoi sot foto të takimit me anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

“Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka një punë të vështirë, por Vettingu duhet të vazhdojë të tregojë përgjegjshmëri dhe të fitojë besimin e shqiptarëve. SHBA mbështet Reformën në Drejtësi. Le të vazhdojmë përpara, hap pas hapi, pa marrë parasysh pengesat”, tha ambasadorja.

Po ashtu, ambasadorja Kim publikoi një foto nga takimi me Komisionerët Publikë, në 21 maj.

“Ata janë të përkushtuar për të siguruar integritetin e Vettingut duke apeluar vendime. Le ta vazhdojmë Reformën në Drejtësi duke ecur përpara, hap pas hapi”, tha ajo./atsh

Ambasadorja e SHBA-së, Kim: Reforma në Drejtësi duhet të vazhdojë pa marrë parasysh pengesat Read More »

Jacques Attali, ish-këshilltari i presidentit francez: Shqipëria, gati për anëtarësim në Bashkimin Europian

Jacques Attali, ish-këshilltari i presidentit francez, i cilësuar njëherazi si një nga 100 mendjet më të ndritura në botë, deklaroi në një intervistë për një media shqiptare se Shqipëria është gati për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ai beson se procesi i negociatave do të përfundojë shpejt, sepse Shqipëria thotë ai, tashmë është gati.

“Për sa më takon, unë kam qenë gjithmonë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, e kam thënë dhe e diskutoj shpesh këtë me mikun tim kryeministrin Edi Rama, që e admiroj dhe përshëndes aksionin e tij kurajoz dhe efikas”, deklaroi Attali.

Sa i takon të ardhmes, theksoi Attali, besoj se kjo çështje është mbyllur.

“Të gjithë urojnë që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë të fillojë dhe unë shpresoj që do të ecë mirë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh Attali./atsh

Jacques Attali, ish-këshilltari i presidentit francez: Shqipëria, gati për anëtarësim në Bashkimin Europian Read More »

“Koha që mos të bëni lojëra e pazare”/ Ambasadorja Kim: Pa reformën në drejtësi dhe “Zgjedhoren”, s’mund të jeni pjesë e BE

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se duhet të përmbyllen reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore me të cilat s’mund të bëhet pazar.

Në një prononcim për mediet, Kim u shpreh se, “mesazhi im është shumë i qartë”. “SHBA-të duan të njëjtën gjë që populli shqiptar do. Ne duam që Shqipëria të jetë një aleat i fortë dhe i aftë i SHBA. Ne duam që ju të jeni pjesë e familjes europiane”, tha Ambasadorja Kim në një prononcim për gazetarët ndërsa i drejtohej Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Ambasadorja Kim theksoi se, “ju s’mund ta keni këtë pa reformë zgjedhore, nuk mund ta keni këtë pa reformë në drejtësi. Këto të dyja nuk janë për t’u bërë pazar. Janë domosdoshmëri. Ka ardhur koha të reshtet së bëri lojëra”.

“Është koha që të realizohet reforma në drejtësi. Është koha që të realizohet reforma zgjedhore, sikurse drejtuesit i kanë premtuar popullit shqiptar dhe njësoj si SHBA dhe populli shqiptar presin”, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim./atsh

“Koha që mos të bëni lojëra e pazare”/ Ambasadorja Kim: Pa reformën në drejtësi dhe “Zgjedhoren”, s’mund të jeni pjesë e BE Read More »

Meta: Këta policë do i çoj në burg nesër, nëse nxjerr dekret për shpërndarje parlamenti do e nxjerr edhe për qeverinë

“Nuk nxjerr më dekret si 13 tetori, që opozita thonë jo po nuk shkojmë ne se duam edhe këto edhe ato. Nëse nxjerr dekret për shpërndarjen e parlamentit, do nxjerr për shpërndarjen e qeverisë dhe do emëroj qeverinë dhe do shkoj do t’i çoj, jo me këta policët e Lleshit, që i kam identifikuar unë, por do i çoj me popullin shqiptar vetë, mbaje mend këtë që po them. Por nëse populli mendon që është mirë, që unë nuk jam normal dhe situata është shumë e mirë, kjo është diçka tjetër, se unë nuk jam aventurier”, tha sot presidenti Ilir Meta në një intervistë televizive.

Duke treguar fotot nga protesta për Teatrin, Meta tha se, “unë këta policë do i çoj në burg nesër, mbaje mend këtë që po them”.

“Unë dekretet do i zbatoj me popullin herën tjetër, nëse populli nuk është i gatshëm, është gjë tjetër. Të vish edhe ti me mua. Të çojmë kryeministrin e ri në zyrë atje nëse populli përkrah atë. Nëse populli përkrah një gangster kjo është një çështje tjetër, le të vazhdojë populli”, u shpreh Meta.

Presidenti Meta komentoi edhe ngjarjet e fundit lidhur me prishjen e Teatrit Kombëtar, duke e cilësuar si “një akt mafioz dhe të paligjshëm në të gjitha aspektet”.

“Në 13 prill 2000 u vendos si pjesë e ansamblit kulturor kompleksi i Teatrit Kombëtar dhe u vendos në mbrojtje. Është me firmën e qeverisë të kryeministrit Ilir Meta dhe ministrit Edi Rama. U vendos të merrej në mbrojtje se po shkatërrohej Tirana”, tha Meta.

Në lidhje me opozitën, Meta tha se, “unë nuk i bëj dot detyrat e të gjithëve”./atsh

Meta: Këta policë do i çoj në burg nesër, nëse nxjerr dekret për shpërndarje parlamenti do e nxjerr edhe për qeverinë Read More »

Shumë shpejt do të shikoni një lëvizje qytetare e cila do të bëhet partia politike e Presidentit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se shumë shpejt do të shikoni një lëvizje qytetare, e cila do të bëhet partia politike e Presidentit.

“Unë po ju them që shumë shpejt do të shikoni një lëvizje qytetare, që pak nga pak do të transformohet në një parti“, u shpreh gjatë një emisioni televiziv, Kryeministri Rama.

Rama tha se po bëhet e njëjta lëvizje siç bëri Grillo.

“Është e lidhur me gjithë këtë, me teatrin, u fol për kulturë me identitetin, me atdheun, për sovranitetin, Kushtetutën. Siç bëri ai, po ai është komedian real, Grillo, një karikaturë komike këtu do të ndodhë, sipas meje. Ajo që po ndodh dhe insistimi. Po ra Teatri, iku. Pse shkojnë atje? Hedhin firma”, u shpreh Kryeministri.

Sipas tij, “nëse kjo është një gjëmë e madhe popullore, ajo që duhet të bëjnë ato parti politike atje, është të thonë shkojmë në tryezë, bëjmë reformën zgjedhore dhe futemi në zgjedhje dhe populli do ta shporrë këtë tiran duke dëgjuar padren”.

Më tej, Kryeministri Rama bëri të ditur se situata lidhet përsëri me zgjedhjet dhe Reformën në Drejtësi.

“Po them kaq: zgjedhjet përsëri janë të lidhura. Sot Ambasada amerikane bëri një tweet. Gjysmë hermetik, po nuk është hermetik. Do ta shikoni që zgjedhjet në Shqipëri dhe ajo që quhet procesi konstruktiv në Shqipëri, procesi zgjedhor do të lidhet përsëri me dy faktorët; frika për zgjedhje, se mos humbasim se “Hamleti” ka frikë: të hysh në zgjedhje, apo të mos hysh në zgjedhje, dhe Reforma në Drejtësi përsëri”, tha Rama./atsh

Shumë shpejt do të shikoni një lëvizje qytetare e cila do të bëhet partia politike e Presidentit Read More »

Ambasadorja Kim: Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi të mos jenë të vërteta

“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta”, deklaroi sot ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.

Kim tha se, “Reforma në Drejtësi po bën përparim dhe duhet të vazhdojë”.

“Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim dhe duhet të vazhdojë”, tha Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë./atsh

Ambasadorja Kim: Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi të mos jenë të vërteta Read More »