Politike

Zbrazja e godinës së Teatrit/ Policia e Shtetit është sjellë si Polici europiane

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot ndërhyrjen profesionale të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve te Teatri Kombëtar, ndërsa theksoi se “nuk ka pasur dhunë”.

Në një intervistë televizive, Rama tha se “Policia nuk ka pasur absolutisht asnjë pajisje kur ka hyrë për të nxjerrë njerëzit, sepse është përgatitur për ta bërë ndërhyrjen në mënyrën më të butë të mundshme”.

“Opozita thotë shumë gjëra. Sigurisht që Policia e Shtetit ka përgjegjësinë dhe ka detyrën të zgjedhë metodën, kohën dhe të gjithë mënyrën se si operon, por logjika më e thjeshtë ta do që në 4:30 të mëngjesit ka më pak mundësi për t’u përplasur me njerëz të investuar për të krijuar përplasje, që aktrojnë si të dhunuar, të goditur e të shkelur në të drejtat e tyre”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “nuk e di se ku justifikohet uzurpimi nga një pakicë njerëzish në mënyrë antidemokratike i një godine publike për të bërë rezistencë ndaj ‘regjimit’”. “Pikërisht pse është sistem demokratik dhe nuk ka fytyrën e një regjimi por e tepron madje në durimin në kërkim të gjuhës së arsyes, për 2.5 vjet u bë ajo që nuk ndodh. Në cilin vend të botës tolerohet një gjë e tillë. Policia bëri veprimin që i takonte. Është shumë e shëmtuar dhe fyese për të gjithë ata njerëz nën uniformën e Policisë dhe tejet e padrejtë që Policia të vendoset nën goditje”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “Policia e Shtetit shqiptar edhe në këtë rast është sjellë si polici europiane”. “Nuk kam parë asnjë skemë, pamje apo provë për të kundërtën”, tha Rama.

“Në një vend ku protestuesit vriteshin me plumba luftarak, kryeministria ishte një kështjellë e mbushur me kallashnikov që qëllonin me plumba luftarakë, janë plagosur me plumba luftarak gazetarët. Policia ndërmori një operacion për të zbrazur një godinë të zaptuar në mënyrë të paligjshme. Policia e Shtetit është provokuar, sulmuar fizikisht dhe gjendur në pozitë shumë të vështirë aty, ku ishte në fakt një grupim politikisht i vendosur dhe barrikaduar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “prania e Policisë nuk është dhunë dhe bilanci i gjithë kësaj dhune janë 2 policë në spital, pasi nuk di të ketë pasur ndonjë protestues”.

“Sa jam unë këtu në këtë zyrë, nuk do të gjeni nëse ka një polic në tejkalim dhe e tepron diku”, tha Rama. /atsh

Zbrazja e godinës së Teatrit/ Policia e Shtetit është sjellë si Polici europiane Read More »

Meta: Kauza e Aleancës për Teatrin, tashmë është e të gjithëve ne

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish sot në lidhje me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, duke u shprehur se ajo që ndodhi në errësirën e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë.

Meta shprehet se do vendoset drejtësi mbi rrënojat e Teatrit Kombëtar.

“Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë. Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u shokua. Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s’do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet, derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia”, tha ai.

Më tej Meta shton se “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët e përgjumur për t’u zgjuar e bashkuar para se Tirania t’i shembë secilit shtëpinë e tij, si banorëve të Unazës së Re. Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndjenë të dhunuar pabesisht dhe poshtërsisht, pasi Teatri ishte tempulli i tyre i përbashkët. Të gjithë u ndjenë edhe në faj e borxh për heronjtë dhe heroinat që e mbrojtën atë për dy vjet e gjysmë me sakrifica të patreguara dhe nën presione të gjithanshme. Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e Tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë”.

“Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë. A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës në 17 maj?” – tha ai./atsh

Meta: Kauza e Aleancës për Teatrin, tashmë është e të gjithëve ne Read More »

Teatri Kombëtar, Basha: Do të rindërtohet ashtu siç ka qenë, aty ku ka qenë

“Zëra nga e gjithë Europa janë bashkuar për të dënuar në mënyrë të plotë dhe pa asnjë mëdyshje, pa asnjë ekuivok, krimin që ndodhi të dielën në mëngjes”, tha sot kryetari i PD-së Basha, i ftuar në një emision televiziv.

Basha shtoi se “krimi përbëhet me dy pjesë: përbëhet nga pjesa materiale e krimit, që është shkatërrimi i një ndërtese me vlera historike, kulturore të çmuara për Shqipërinë, por tani e dinë edhe për Europën, sepse ishte Europa Nostra ajo që e renditi ndër 7 monumentet që duhen mbrojtur në Europë dhe që madje filloi të siguronte dhe financimin për restaurimin e tij, kjo është pjesa materiale e krimit”.

“Është një pjesë tjetër që ka galvanizuar këtë lloj reagimi të cilin për fat të keq dhe këtu është pjesa e dytë ku bie dakord me Vincentin. Nuk e pamë kur u prishën shtëpitë e banorëve të unazës së re, të Shkozës apo në fund të bulevardit të ri. Nuk e pamë kur u dhunuan dhe u përgjakën aktivistë, gazetarë, kur u mbyllën media kritike apo televizione kritike me qeverinë”, tha ai.

“Nuk e pamë kur u rrënuan standardet zgjedhore, u kapën me presh në duar duke manipuluar votat e shqiptarëve, zgjedhjet e shqiptarëve në bashkëpunim me krimin e organizuar. Nuk e pamë kur Shqipëria u kthye në hambar droge për të financuar kapjen e pushtetit, për të financuar kapjen e ekonomisë. Në këtë kuptim, kjo është pika e kthesës, kjo është vija e kuqe dhe shkon shumë përtej simbolikës së ndërtesës, e cila dua ta theksoj edhe një herë, do të rindërtohet ashtu siç ka qenë, aty ku ka qenë. Dhe ata që morën pjesë në këtë krim në pjesën materiale të këtij krimi, nga i pari, tek i fundit do të përballen me drejtësinë. Ky është një zotim që unë e kam firmosur me shkrim me Aleancën për Teatrin në korrikun e vitit të kaluar dhe të cilit i qëndroj plotësisht me nderin tim, në emër të Partisë Demokratike dhe të opozitës së bashkuar, dhe që është diçka që do ta bëjmë realitet”, tha ai. /atsh

Teatri Kombëtar, Basha: Do të rindërtohet ashtu siç ka qenë, aty ku ka qenë Read More »

Rama: Kur e haje plumbin ballit ishte dikush tjetër kryeministër

Kryeministri Edi Rama deklaroi se sot gjithkush mund të protestojë dhe se nuk duhet kurajo për të dalë në shesh me mua Kryeministër.

“Nuk duhet asnjë kurajo për të dalë në shesh me mua Kryeministër, më beso. Dhe këta që bëjnë këtu kapedanin e dinë shumë mirë se këta si gjen gjë, sa të jem unë këtu. Këta që thonë se u arrestuan, u torturuan, këta i sajojnë këto sepse e dinë shumë mirë që këtu nuk torturohet njeri”, deklaroi Kryeministri.

“Se kur e haje plumbin ballit”, shtoi Rama, ”edhe shkoje në protestë e ktheheshe në arkivol ishte dikush tjetër kryeministër. Edhe këta ishin pula”.

Ndërkohë, tha Rama, që sot gjithkush mund të protestojë. Sipas tij, nuk ka patur asnjë të arrestuar.

“E drejta për të bërë “hajgare” me Policinë e Shtetit shqiptar nuk është një e drejtë e shoqërisë, në asnjë formë që ajo shfaqet, paramilitare ose civile”, deklaroi kryeministri./atsh

Rama: Kur e haje plumbin ballit ishte dikush tjetër kryeministër Read More »

Basha: Do të mbështesim protestat e “Aleancës për Teatrin”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se “opozita, Partia Demokratike do të mbështesë të gjitha protestat e ‘Aleancës për Teatrin’ këtu në Tiranë dhe në krah të qytetarëve kudo që do të ketë protesta. PD dhe opozita do të jetë në krah të tyre”.

Në një prononcim për mediet pas protestës së thirrur nga “Aleanca për Teatrin”, Basha theksoi se “siç e patë sot, siç e pa e gjithë Shqipëria, shpresa e Edi Ramës se përmes frikës dhe terrorit do të shuante energjinë dhe dëshirën e shqiptarëve për ndryshim mori fund”. Sipas tij, shkatërrimi i teatrit nuk është fundi i teatrit, kulturës e artit, por është fillimi i fundit të tiranisë.

Sipas tij, ky fund do të jetë i shpejtë, çlirimtar për shumicën dërrmuese të shqiptarëve.

“Përsëris edhe një herë vendosmërinë time, të PD-së dhe opozitës së bashkuar për t’i qëndruar kontratës së firmosur me “Aleancën për Teatrin” për rindërtimin e teatrit në vendin ku ishte, sipas të gjitha përcaktimeve siç ishte nga jashtë, të modernizuar nga brenda dhe për dërgimin para drejtësisë dhe prapa hekurave, të gjithsecilit prej personave të përfshirë në këtë krim”, – tha Basha./atsh

Basha: Do të mbështesim protestat e “Aleancës për Teatrin” Read More »

Basha në protestë me Aleancën, rindërtimi i Teatrit një zotim që do e bëj realitet

Partia Demokratike do ti bashkohet protestës së thirrur nga Aleanca Për Mbrojtjen e Teatrit që do të zhvillohet të hënën në ora 16:30 në Tiranë.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në përfundim të mbledhjes me kryesinë dhe ish-grupin parlamentar të Partisë Demokratike, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkohen në protestën e ditës së hënë në orën 16:30 që është thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka shpallur një protest për ditën e nesërme në orën 16:30 dhe ka kërkuar pjesëmarrjen sa më të madhe të qytetarëve dhe është vendim i lidershipit të PD për t’i bërë thirrje të gjithë demokratëve shqiptarë, të gjithë opozitarëve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë që të jemi në protest në mbështetje të aleancës, kundër këtij akti makabër në shkelje flagrante të kushtetutës dhe ligjit. Në një protest jo vetëm në mbrojtje të teatrit, por kundër shkeljes së ligjit, mjerimit ekonomik, që janë veprat e keqbërësit që është Edi Rama”,- tha Basha.

“Në mbledhjen e sotme janë ndarë detyrat për të siguruar pjesëmarrjen maksimale për tu angazhuar në këtë protest në orën 16:30 e cila ndonëse si shkak mbetet prishja e teatrit kombëtarë, ka për detyrë diçka shumë më të madhe që u takon të gjithë shqiptarëve, rikthimin tek vlerat elementare të Demokracisë të shtetit të së drejtësi dhe garancisë së sigurive të qytetarëve shqiptarë. Këto do të jenë të mundura kur Shqipëria ti kthehet qytetarëve të saj.”,- u shpreh Basha.

Kreu i Demokratëve garantoi se me të ardhur në qeveri do të rindërtoj Teatrin Kombëtar me arkitekturën e saj tradicionale, por me një mjedis të brendshëm të modernizuar.

“Gjej rastin të përsëris angazhimin zyrtarë të opozitës me firmën time për rindërtimin e Teatrit Kombëtar dhe jo thjesht restaurimin, por ndërtimin e plotë të Teatrit Kombëtar me parametrat e konceptuara, me modernizimin e nevojshëm brenda. Ky është një zotim, të cilin unë, personalisht dhe koalicioni opozitar, nesër në qeverisjen e vendit, do ta bëjmë realitet ”,-përfundoi Basha./atsh

Basha në protestë me Aleancën, rindërtimi i Teatrit një zotim që do e bëj realitet Read More »

Kryemadhi thirrje qytetarëve: Mos paguani dritat dhe ujin

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi u ka bëri thirrje qytetarëve që të mos paguajnë faturën e dritave dhe të ujit.

Gjatë protestës kundër shembjes së godinës së teatrit, në zonën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Kryemadhi tha se “ai teatër vërtet është rrënojë, ai teatër është përgjegjësi e të gjithë neve bashkë”.

“Jam këtu si qytetare, jo vetëm si drejtues se e LSI. Jam këtu pasi më mirë bëjë burg me dinjitet se pa dinjitet e mbyllur në shtëpi. Prandaj u bëjë thirrje qytetarëve të vijnë këtu. U bëjë thirrje shoqërisë civile të ngrejnë zërin. Qytetarët të mos paguajnë dritat dhe të mos paguajnë ujin e Lali Erit”,- tha Kryemadhi, teksa u kërkoi protestuesve të uleshin në rrugë dhe të bllokonin lëvizjen e automjeteve.

“Kam 48 orë pa gjumë, 12 orët e mia të shërbimit deri në 9 të darkës i bëra me dinjitet, do vazhdoj ta bëj me dinjitet qëndresën time. I bëj thirrje OJQ, Shoqërisë Civile që dalin e bëjnë fjalime për të drejtat e njeriut të vijnë këtu, të ishin atje në mëngjes, boll morën euro në zyrat e BE! Le të vijnë këtu edhe ata që s’kanë qenë ose le ta mbyllin gojën”,- tha Kryemadhi./atsh

Kryemadhi thirrje qytetarëve: Mos paguani dritat dhe ujin Read More »

Basha thirrje qytetarëve: Dilni protestoni

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu bashkua protestës në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në afërsi të Ministrisë së Brendshme.

Basha në daljen e tij për mediat ka theksuar se qytetarët e Tiranës duhet të ngrihen përballë këtij “regjimi”, ndërsa shtoi se grupi parlamentar i PD dhe organet drejtuese të PD do të jenë shumë shpejt në një takim për të marrë vendime të rëndësishme.

“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës që të njohin një të drejtë, të drejtën e tyre legjitime për t’u përballur me këtë regjim palaçosh e kriminelësh dhe të shpërfillin çdo gjë tjetër, që s’ka bandit si Edi Rama që t’jua heqë”,- theksoi Basha.

“Ka shumë pak banditë në dispozicion të regjimit për tu përballur me zemërimin e popullit që po fryhet çdo ditë me më shumë. Sot jemi këtu, për të dhënë një mesazh të qartë që PD e Lulzim Basha dhe opozita është këtu”,- shtoi Basha.

I pyetur nga një gazetarë se vendi po kalon një periudhë pandemia dhe lëvizja është e kufizuar, Basha theksoi se, “këtu po bllokohet demokracia, është mohuar buka e gojës. Ky regjim nuk njeh ligj, prandaj duhet vetëm përballje, kushdo tjetër që mendon ndryshe është vetëm një patericë e regjimit. Sa të jetë e nevojshme do të jem këtu. Prej 24-orësh non stop jemi në përballje me këtë regjim gangsterësh. Opozita e bashkuar ka dhe organet drejtuese të PD do vijojnë me një mbledhje të jashtëzakonshme të PD ku do merren vendime. Edhe një njeri të ngrihet përpara padrejtësisë është protestë kombëtare. Ramavirusi është virusi më i tmerrshëm se koronavirusi i ri”,- tha Basha.

“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, rinisë të derdhet në rrugët e Tiranës sonte, është nata për të treguar se Tirana nuk blihet, por ngrihet. Asgjë nuk është koronavirusi përpara Ramavirusit”,- tha Basha./atsh

Basha thirrje qytetarëve: Dilni protestoni Read More »