Politike

Opinioni i Venecias mbi “Antishpifjen”/ Pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit sot të opinionit nga Komisioni i Venecias në lidhje me “Antishpifjen”.

Rama shpreh mirënjohje Komisionit të Venecias për Opinionin, dhe thekson se “pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera”.

“Mirënjohje Komisionit të Venecias për Opinionin mbi “Antishpifjen”! Tani pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera dhe të garantojmë me ligj të drejtën e çdo njeriu për t’u mbrojtur nga Shpifja, si dhe detyrimin e çdo portali për t’u identifikuar si subjekt i ligjit”, thekson Rama.

Pasi Presidenti Ilir Meta dekretoi kthimin e ligjit, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, mazhoranca kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias për këtë çështje./atsh

Opinioni i Venecias mbi “Antishpifjen”/ Pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera Read More »

29 vite më parë Shqipëria iu bashkua OSBE, sot e udhëheq

Sot 29 vite më parë Shqipëria iu bashkua Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Kryesia shqiptare e OSBE-së duke ndarë etapat më të rëndësishme të këtij rrugëtimi, shprehet krenare që tashmë Shqipëria e udhëheq organizatën.

“Është privilegj t’i kthehemi një Organizate që ka bërë kaq shumë për të na transformuar”, shprehet kryesia shqiptare e OSBE-së.

Ndërkaq, edhe zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko duke ndarë këtë rrugëtim u shpreh se OSBE-ja ka qenë themelore gjatë rrugës së Shqipërisë drejt një demokracie funksionale.

“Krenar që kemi qenë me organizatën për gati një dekadë! Zbatimi i angazhimeve tona së bashku”, theksoi ajo. /atsh

29 vite më parë Shqipëria iu bashkua OSBE, sot e udhëheq Read More »

Reforma Zgjedhore/Opozita kërkon gjithçka dhe nuk lë gjë pa thënë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend se opozita kërkon gjithçka nga reforma zgjedhore, por nga ana tjetër nuk lë gjë pa thënë.

“Shikoni ç’ndodh me reformën zgjedhore. E njëjta gjë. Domethënë nga një anë kërkojnë gjithçka dhe nga ana tjetër nuk lënë gjë pa thënë. Është habi e madhe. Nga një anë duan çdo gjë siç e duan ata dhe nga ana tjetër nuk lënë gjë pa thënë ndaj nesh. Dhe jo ndaj jush, po ndaj nesh. Se ndaj jush po e po. Juve jeni bijtë e mohuar të Partisë Demokratike. Dhe i meritoni në fakt ato që ju thonë me thënë të drejtën sepse ata ju kanë sjellë këtu dhe ju i keni dalë nga rreshti”, tha Rama.

“Po me ne çfarë kanë? Kanë atë që është pamundësia për të kapërcyer një kulturë komunikimi dhe një kulturë politike që është problemi i madh i këtij vendi së bashku me mënyrën sesi më pas pasqyrohet nëpër media. Dhe ne të gjithë themi që duam BE. Ne të gjithë jemi europianë, patjetër, nuk diskutohet. Ne të gjithë themi që ta integrojmë Shqipërinë sa më parë në Europë. Ne të gjithë predikojmë që jemi më të zotë se tjetri për ta bërë këtë. Dhe kur japim argumentat se pse jemi më të zot dominon ajo që s’ka lidhje fare me BE. Dominon kultura e akuzës, kultura e shpifjes, kultura e përçarjes, kultura e sakatimit psikologjik të një mileti të tërë që nga këtu merr shembullin më të keq”, u shpreh Rama.

“Unë nuk e di se çfarë mund t’ju kërkohet të tjerëve. Ju thashë dhe kur folëm për rastin e së miturës, kur nga këtu ju jepen shembujt më skandaloz. Dhe si ka mundësi që kur vini këtu ju ose ata që ishin këtu para jush silleni ekzaktësisht kundër të gjitha atyre që u kërkoni fëmijëve tuaj në shtëpi. Si ka mundësi? Si shpjegohet kjo? Sikur fëmijët tuaj të bënin atë që bëni ju këtu apo atë që bëjnë ata baballarët tuaj të partive që ju kanë lënë këtu jetim, secili prej jush, secili prej tyre si prind do ishte shumë i shqetësuar. Imagjino z. Valteri të të thërrasë mësuesja e djalit apo vajzës. Nuk e di nëse ke djalë apo vajzë apo akoma po kërkon një vajzë. Por sidoqoftë fjala që bie dhe t’ju thotë djali juaj ka thënë kështu, kështu, kështu për drejtorin e shkollës. As më shumë e as më pak ato që i thatë ju kaptërrit. Ju do skandalizoheshit. Do i kërkonit mësueses ndjesë. Do ju dhimbte koka. Do shkonit tek gruaja do thoshit nga na doli ky? Si do ja bëjmë këtij?”, tha Rama

“Ndërkohë që këtu ju i jepni shembuj të gjithë djemve, nxënësve të Shqipërisë që kjo është mënyra për t’u bërë njerëz të mëdhenj. Dil kap një mikrofon shaj, akuzo, trego përralla, gënje, mos u merr me fakte, mos respekto njerëzit që janë aty rreth e rrotull. Harroje fare që ka gra dhe vajza aty dhe jepi”, theksoi Rama.

“Kur ju thua njerëzve këtu kriminela, kriminela, i sheh gjithë këto gra që janë këtu? I sheh gjithë këto nëna që janë këtu? Parlamenti i kriminelave. Si ka ndodhur kjo. Natyrisht ne kemi pasur probleme. Të gjithë kanë pasur probleme, por ama ne kemi qenë ata që kemi bërë të mundur që edhe ato probleme të adresohen në një mënyrë apo një tjetër. Mirë apo keq”, tha Rama. /atsh

Reforma Zgjedhore/Opozita kërkon gjithçka dhe nuk lë gjë pa thënë Read More »

Situata e kriminalitetit në vend/ Kuvendi interpelancë me ministrin e Brendshëm

Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot Seancën Plenare ku do të ketë një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkuar nga një grup deputetësh lidhur me kriminalitetin në vend.

Në Kuvend do të shqyrtohet edhe raporti i Këshillit të Ministrave për ecurinë e procesit të integrimit për vitin 2019.

Sot në Kuvend do të shqyrtohet edhe raporti vjetor i Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2019.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe raportin e veprimtarisë vjetore i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit për vitin 2019.

Në rend të ditës sot është edhe shqyrtimi i Aktit Normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.

Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe Dekretin e Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit dhe “Për aktivitetet e turizmit detar”.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe Dekretin e Presidentit të Republikës “Për kthimin në Kuvend dhe “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe Dekretin e Presidentit të Republikës “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”.

Në Kuvend do të shqyrtohet edhe Projektrezoluta “Për vlerësimin e punës së grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve” për vitin 2019 dhe për Planin e Veprimit për vitin 2020”.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për miratimin e strukturës dhe numrit të punonjësve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.

Kuvendi pritet të shqyrtojë sot edhe projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore”, të ndryshuar”./atsh

Situata e kriminalitetit në vend/ Kuvendi interpelancë me ministrin e Brendshëm Read More »

“Me policë e ushtarë kontrollon mbylljen, por nuk mund të disiplinosh hapjen”/ Fati i luftës vendoset nga vetë qytetarët

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “numrat e të infektuarve me COVID-19 në Shqipëri janë shqetësues, por ende nën kontroll”, ndërsa u bëri thirrje bizneseve dhe qytetarëve të respektojnë protokollet e sigurisë së shëndetit.

Rama tha se “testimet janë rritur dhe përpjekja në frontin e shëndetësisë vazhdon njësoj me përkushtim, angazhim total e heroik të mjekëve dhe infermierëve”.

Ai theksoi se “gatishmëria jonë rritet me shtimin e investimeve dhe mjeteve, por ama fati i kësaj lufte vendoset nga qytetarët jo nga bluzat e bardha, por si dhe sa i bën detyrat e thjeshta çdo individ, respekti për protokollet e çdo biznesi dhe distancimi social në kushtet e këtij normaliteti”.

“Shumë prej jush thanë se kjo është lojë politike, konspiracion ndërkombëtar, thanë se këtë e bëja unë se jam diktator, autokrat, se kisha frikë nga protesta e ku di unë për sa të tjera. Por nuk i vë faj asnjërit prej jush që u mërzit e u nervozua nga ajo mbyllje e madhe; kujtdo që donte të shkonte në punë, të kthehej në normalitet, e as atyre prej jush që gjithnjë e më shumë me kalimin e javëve kujtuan gabimisht se rezultati fantastik që arritëm në fazën e parë nuk lidhej as me masat që morëm dhe as me sakrificën që gjithë shqiptarët bënë. Nuk u vë faj as atyre që në politikën e tyre ‘hip se të vrava, zbrit se të vrava’ dhanë mesazhe dhe shembuj skandalozë me fjalët dhe tubimet rrugëve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kur vendosëm javë pas jave të heqim masat dhe ta lirojmë përfundimisht lëvizjen, punën, ndërveprimin ishim të qartë se hapja do të sillte me vete rrezikun e harresës”.

Por, vijoi ai, “bëmë gjënë e duhur dhe, do ta ribënim përsëri sikur të ktheheshin aty ku ishim. E bëmë në kohën e duhur, duke bërë edhe protokollet e duhura për të gjithë”.

Kryeministri tha se “isha dhe jam dakord me shumëkënd që kërkonte gjithnjë e më shumë, ditë pas dite, javë pas jave, kthimin në normalitet, duke thënë përditë e më shumë se shëndeti i ekonomisë familjare nuk mund të dobësohej përtej një pike të caktuar”.

“Kemi zgjedhur me vetëdije rrugën e këshillimit dhe mirëkuptimit, jo të ndëshkimit dhe as të mbylljes së bizneseve që nuk respektojnë një për një protokollet e sigurisë. Kemi dashur të jemi mirëkuptues dhe t’ia lehtësojmë hallin. E kemi ditur dhe e kemi thënë se numrat do të rriteshin, pasoja më e natyrshme pas hapjes në të gjitha vendet, ku më shumë e ku më pak”, tha Rama.

Duke iu drejtuar qytetarëve, Rama tha se “kemi kërkuar vijimësisht të mirëkuptoni nevojën për një solidaritet të ri në respektimin e rregullave”.

“Me policë e ushtarë kontrollon mbylljen, por nuk mund të disiplinosh hapjen, nëse qytetarët nuk bëjnë detyrën e tyre të thjeshtë. Unë nuk kam ndryshuar mendim: ekonomia bie dhe ngrihet, të vdekurit nuk ringjallen. Për bukën e gojës në Shqipëri nuk ka vdekur askush, por është po kaq e vërtetë edhe tjetra, një mbyllje tjetër do të ishte dërrmuese për Shqipërinë, çdo familje dhe për burimet e energjisë së rimëkëmbjes”, tha Rama.

Por, Kryeministri theksoi se “nëse do të vazhdojmë kështu fatkeqësisht do të na duhet të rimbyllemi dhe do të na duhet të përballojmë me shumëfish sëkëlldinë që provuam dhe pasojat e plagëve që morëm nga mbyllja e parë”.

“Nuk dua ta zgjas me atë që do heqim po u rimbyllëm. Kam bindjen se ne jemi në kohë, e kemi vetë në dorë ta kontrollojmë rikthimin e armikut të padukshëm që nuk ka ikur asnjë ditë dhe është aty kudo”, tha Rama. /atsh

“Me policë e ushtarë kontrollon mbylljen, por nuk mund të disiplinosh hapjen”/ Fati i luftës vendoset nga vetë qytetarët Read More »

Hajdari largohet nga mbledhja e Këshillit Politik: E trishtë të humbasim kohë me gjëra që s’kanë rëndësi

Përfaqësuesja e opozitës parlamentare në tryezën e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari u largua pa përfunduar takimi i sotëm, duke theksuar për mediet se “sa kohë të flitet për tendera, unë nuk marr pjesë në këtë tryezë”.

“Kemi gati dy orë që shpenzojmë kohë për tenderin e identifikimit biometrik. Nuk kam ardhur të merrem me tendera, por për të përfaqësuar atë frymë për të ndryshuar sistemin zgjedhor që duan sot shqiptarët”, – tha Hajdari.

“Është e trishtë që të ulem orë pas ore dhe të flasim për gjëra që s’kanë rëndësi. Qytetarët presim më shumë nga ne dhe nuk presin që të diskutohet se kush do të marrë tenderin për mjetet e identifikimit”, – tha ajo.

Sipas Hajdarit, beteja do të jetë në Parlament. /atsh

Hajdari largohet nga mbledhja e Këshillit Politik: E trishtë të humbasim kohë me gjëra që s’kanë rëndësi Read More »

Tabaku: Ligji për amnistinë fiskale i dëmshëm për ekonominë

Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaron se “ligji për amnistinë fiskale është ideuar jo për t’i shërbyen shqiptarëve që kanë emigruar dhe u duhet të deklarojnë pasurinë”.

Në një deklaratë për mediet, Tabaku tha se “synimi parësor i ligjit është që të ndihmojë të inkriminuarit dhe organizatat kriminale që të pastrojnë pasuritë dhe paratë e tyre në mënyrë të paligjshme”.

“Këmbëngulja e qeverisë për amnistinë fiskale, tregon se prioriteti i Ramës nuk është shërbimi për qytetarët, por pasurimi i oligarkëve pastrimi i parave siç ka bërë gjithmonë në këto 7 vjet”, tha ajo.

Gjithashtu, Tabaku tha se “në nenin 5 pika 1 ligji evidenton se përfitues të këtij ligji janë edhe individë “rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre”.

“Pra, me pak fjalë, nëse në Shqipëri është rezident një individ, i cili nuk deklaron pasurinë e tij në një shtet të BE-së apo SHBA-së, ky qytetar përfiton nga kjo amnisti dhe, gjithashtu, mund t’i shpëtojë hetimit të kësaj pasurie nga qeveria shqiptare. Kjo në fakt është një tentativë e radhës e qeverisë Rama e cila disa muaj më parë iu drejtua Londrës në një konferencë për të shitur pasaportën shqiptare tek kushdo i ashtuquajtur “investitor” i huaj”, tha Tabaku.

Sipas saj, draftligji parashikon jo vetëm ruajtjen e konfidencialitetit, por edhe mos hetim për ata individë të huaj apo vendas që do të përfitojë nga amnistia. “Ky ligj është i dëmshëm për ekonominë, është nxitës për paranë e krimit dhe të korrupsionit”, tha Tabaku./atsh

Tabaku: Ligji për amnistinë fiskale i dëmshëm për ekonominë Read More »

Basha takime me biznese e qytetarë në Vlorë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me biznese e qyteatrë në Vlorë nga ku u shpreh se situata e rëndë ekonomike e ka gjunjëzuar Vlorën ashtu si gjithë Shqipërinë.

“Edhe ata pak që kanë mundur të përfitojnë nga dëmshpërblimi, shumicën e kanë çuar për pagesa faturash. Shumë prej tyre ende s’kanë paguar as një pjesë të qirasë të grumbulluar prej 3 muajsh tashmë sepse nuk kanë xhiro, nuk kanë të ardhura”, tha Basha.

Sipas tij, konsumi ka rënë, pamundësia është rritur dhe njerëzit po këmbejnë orenditë shtëpiake për të siguruar bukën e përditshme.

“Ne do t’u japim shqiptarëve një qeverisje normale, ku prioritet do të jetë hapja e vendeve të punës, rritja e pagave dhe pensioneve, lehtësira fiskale për biznesin dhe thithje e investimeve të huaja”, deklaroi Basha.

Ne kemi gati planin, tha Basha më tej, dhe bashkë me qytetarët e Vlorës dhe gjithë Shqipërisë do t’ia dalim t’i rikthejmë njerëzve mundësinë për të punuar dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë në vendin e tyre./atsh

Basha takime me biznese e qytetarë në Vlorë Read More »