Politike

Balla takime me strukturat e PS në jug të vendit: Në 2021 PS do të marrë besimin për mandatin e tretë me Edi Ramën Kryeministër

Partia Socialiste e Shqipërisë ka “ndezur motorët” për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2021.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori pjesë në takimet me ekipet drejtuese vendore të Partisë Socialiste në Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.

Balla deklaron se takimet kishin në fokus planin organizativ, në thellimin e barazisë gjinore brenda partisë më të madhe në vend si dhe në vendosjen e piketave strukturore për zgjedhjet e Prill-Majit 2021, ku sipas Ballës PS do të marrë besimin për mandatin e tretë me Edi Ramën Kryeministër.

“Qasja e PS-së ka qenë dhe mbetet e qartë: ne duhet të vazhdojmë të qeverisim me besnikëri të madhe ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, të cilët janë aleatët tanë të vetëm. Dobësia e thellë e kundërshtarit nuk duhet të na vetëkënaqë duke lënë pas dore për asnjë moment organizmin/përmirësimin e strukturës së Partisë sonë”-, theksoi Balla.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së u shpreh se “kur them duhet të qeverisim, nuk kam parasysh vetëm e thjesht qeverinë qendrore, qeverisjen vendore, por edhe grupin parlamentar dhe Partinë Socialiste si boshti i koalicionit të madh qeverisës me njerëzit e zakonshëm. Ky proces ka sukses vetëm nëse te gjitha pjesët bashkëjetojnë në harmoni me njëra-tjetrën dhe në funksion të njëra-tjetrës”.

“Me përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme, por duke respketuar një për një masat mbrotëse antiCovid, PS ka filluar në Fier, Vlorë dhe Gjirokastër takimet me ekipet drejtuese vendore me fokus në planin organizativ, në thellimin e barazisë gjinore brenda partisë më të madhe në vend si dhe në vendosjen e piketave tona strukturore për zgjedhjet e prill-majit 2021, ku ne do të marrim besimin për mandatin tonë të tretë me Edi Ramën kryeministër”, – tha Balla.

Duke respektuar në çdo detaj masat e domosdoshme të distancimit social, ne , shtoi Balla, duhet të vazhdojmë të jemi pranë komuniteteve.

“Operacioni humanitar i ndihmës për familjet në nevojë gjatë izolimit, por edhë më pas, ishte shprehje e diferencës së madhe të solidaritetit social, me ata që përqeshnin nga televizori punën e palodhur dhe masat e sukseshme që ndërmori Qeveria”, u shpreh Balla në fjalën e tij gjatë takimeve./atsh

Balla takime me strukturat e PS në jug të vendit: Në 2021 PS do të marrë besimin për mandatin e tretë me Edi Ramën Kryeministër Read More »

Beteja antiCOVID/ Ruçi: Pandemia bën urgjente proceset integruese të Europës Juglindore

“Pandemia që ka përfshirë rajonin, Europën dhe të gjithë globin, e bëjnë imediate dhe urgjente proceset integruese të vendeve tona”, deklaroi sot kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili mori pjesë në sesionin plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore.

Ruçi falënderoi Kuvendin e Kosovës për organizimin e shkëlqyer të kësaj mbledhjeje, edhe pse në kushte jo të zakonshme si edhe për përkushtimin që kanë treguar gjatë presidencës për forcimin e mëtejshëm të kësaj organizate, duke realizuar një Presidencë dhe sesion produktivë dhe të efektshëm.

Ruçi nënvizoi se është për të ardhur keq që sot nuk mundëm të ishim fizikisht në Prishtinë për të marrë pjesë në këtë sesion, por në kushtet e pandemisë COVID-19, me të cilën po përballemi të gjithë, është në të mirën e përbashkët të takohemi në formë virtuale.

“Tema për të cilën po diskutojmë sot është shumë aktuale dhe e rëndësishme për rajonin tonë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimi dhe mirëkuptimin në proceset integruese, në të cilat janë përfshirë vendet tona. Pandemia që ka përfshirë rajonin, Europën dhe të gjithë globin, e bëjnë imediate dhe urgjente proceset integruese të vendeve tona”, tha Ruçi.

“Tani më shumë se kurrë është e domosdoshme që vendet tona të ndajnë përvojat e tyre në luftimin e pandemisë Covid-19, në mënyrë që të jemi të gatshëm për sfida të tjera të mundshme në të ardhmen. Fatmirësisht vendet tona u goditën më pak sesa rajonet dhe vendet e tjera të botës, përsa i përket humbjeve njerëzore”, tha ai.

Por, shtoi Ruçi, “nga pikëpamja e ndikimit në rritjen ekonomike, mirëqënien e popullsisë dhe ritmet e zhvillimi, pasojat edhe në vendet tona ishin po kaq të rënda”.

“Bashkëpunimi ynë bëhet më emergjent, po të mbajmë parasysh se, edhe pse kishim humbje më të vogla jetësh njerëzore, për kthimin në normalitet të ekonomisë, zhvillimit, mirëqenies, shëndoshjes së sektorit privat, e shërbimeve publike ndaj qytetarëve, ne do të ndeshemi me më shumë vështirësi sesa vendet e zhvilluara”, theksoi Ruçi.

“Unë kam besim se, përveç mbështetjes që vendet tona do t’i japin njeri-tjetrit, në këtë aspekt nuk do të na mungojë as ndihma e BE-së, siç ndodhi edhe pas letrës që i dërguam Presidentit të Parlamentit Europian Sassoli, të cilin duhet ta falenderojmë për gadishmërinë dhe vullnetin për të ndihmuar rajonin tonë”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në fjalën e tij në sesionin plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore.

Në këtë sesion merrnin pjesë Kryetarë të parlamenteve dhe drejtues të delegacioneve parlamentare të Bosnje-Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Slovenisë dhe Turqisë.

Në sesion mori pjesë edhe Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Olivér Várhelyi. Ky sesion iu kushtua përshpejtimit të integrimit dhe rritjes së bashkëpunimit rajonal midis parlamenteve të Europës Juglindore, në kushtet e pas pandemisë.

Sesioni u drejtua nga Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, e cila ka kryesimin e radhës të kësaj organizate./atsh

Beteja antiCOVID/ Ruçi: Pandemia bën urgjente proceset integruese të Europës Juglindore Read More »

Topalli: Basha, dështak manipulues si Enver Hoxha, i ndërronin ministritë prej skandaleve që krijonte

Ish-kryetarja e Kuvendit në qeverisjen e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, e cilësoi sot kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, një dështak, manipulator si Enver Hoxha, ndërsa theksoi se Bashës pas një apo dy vitesh i ndërronin ministritë se ishte si minë me sahat prej skandaleve që krijonte.

Në një reagim, pas publikimit të një videoje nga ish-deputeti demokrat Endri Hasa, Topalli tha se “kështu manipulonte Enver Hoxha historinë, për të manipuluar mendjet e njerëzve. Fshinte dhe censuronte çdo fytyrë dhe emër personaliteti nga fotoja dhe historia, për të thënë se historia jam Unë. (Fotot më poshtë janë në ballkonin e bashkisë Shkodër. E. Hoxha heq pjesëmarrësit, duke filluar nga Gjergj Fishta). Në 2020, me video në facebook kunati në emër të Partisë që rrëzoi Partinë e Enver Hoxhës bën të njëjtën gjë”.

“Ky paska bërë NATO-n, liberalizimin e vizave, ky paska sjell Bushin në Shqipëri… Ky ka bërë TAP-in; Ky Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ky do ketë themelu edhe Partinë Demokratike; edhe në ’97 ky do e ketë ringritur nga hiri… Kryeministri i kohës paska qenë në gjumë gjithë kohën, kurse të tjerët paskemi qenë në planet tjetër… Ky i ka bërë të gjitha, siç bëri dhe tramin. Në fakt, me sa më kujtohet, pas një apo dy vitesh këtij i ndërronin ministritë se ishte si minë me sahat prej skandaleve që krijonte”, shprehet Topalli. /atsh

Topalli: Basha, dështak manipulues si Enver Hoxha, i ndërronin ministritë prej skandaleve që krijonte Read More »

Basha: Do ulim çmimin e naftës për fermerët

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka premtuar nga Zall-Bastari gjatë takimit me fermerët e zonës uljen e çmimit të naftës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në Zall-Bastar, një zonë me rreth 5000 banorë ku pjesa më e madhe e tyre merren me bujqësi. Fermerët që kultivojnë një nga varietetet më të njohura të domates në këtë zonë thonë se problemi kryesor i tyre është kostoja që ka vajtja në treg. “Prodhimet i çojmë në fund të Tiranës dhe transporti në mungesë të rrugës ka kosto”, – tha një nga fermerët.

Ndërsa një tjetër banor që gjithashtu merrej me kultivimin e domates së njohur të Zall-Bastarit tha se kostoja e punimit të tokës është shumë e madhe. “Plugimi është shumë i shtrenjtë. Naftë me akcizë zetoristi nuk i jep, helmet janë të pasigurta. Edhe fara nuk dihet si do të dali”, – tha ai, ndërsa tregoi se puna me tokën u shërben sa për të jetuar.

Basha u shpreh se, “qeverisja e PD do të fokusohet te fermerët dhe nevojat e tyre. Nën qeverisjen e Partisë Demokratike do të akordohen 50 milionë euro për ndërtimin apo rindërtimin e infrastrukturës rrugore. Partia Demokratike do të mundësojë 100 milionë euro subvencione në vit për fermerët shqiptarë, që prodhimi i tyre të rritet dhe fitimet të garantojnë mirëqenie dhe zhvillim. Taksa e naftës do të ulet dhe kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin e naftës, duke e ulur atë dhe duke i bërë më të përballueshme kostot e prodhimit”. //atsh

Basha: Do ulim çmimin e naftës për fermerët Read More »

“Nuk ka 15 kushte për Shqipërinë”/ Bushati: Parlamenti Europian nuk ka kompetencë të përcaktojë listë me detyra

Deputeti i PS, Ditmir Bushati u shpreh se “nuk ka 15 kushte për Shqipërinë për nisjen e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE”.

Gjatë një interviste televizive, Bushati theksoi se, “së pari duhet të kuptojmë radhën e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kemi pasur disa rekomandime në KE, një vendimmarrje nga ana e vendeve anëtare të BE të cilat kanë përcaktuar edhe një etapë që duhet të ndiqet nga ana e Shqipërisë”.

Fillimisht vijoi ai, do të përgatitet kuadri negociuese nga ana e Komisionit i cili do të miratohet nga vendet anëtare. Më pas i vjen radha konferencës ndërqeveritare që simbolizon nisjen e bisedimeve mes palëve, (BE –Shqipëri).

“BE në mars të këtij viti ka përcaktuar një listë me detyra, ndaj me gjithë respektin për Parlamentin Europian, ky parlament nuk ka kompetencë për të përcaktuar një listë me detyra apo kushte me një vend kandidat dhe në rastin në fjalë për Shqipërinë”- deklaroi Bushati.

Sipas tij, PE mund të shprehi një shqetësim por nuk mund të flitet për një listë me kushte nga ana e Parlamenti Europain. Procesi është në ato shina që përcakton traktati dhe për momentin është nga njëra anë Këshilli Europës dhe nga ana tjetër vendet anëtare të BE. “Lista e detyrave që duhet të përmbushi Shqipëria për anëtarësim është e qartë një pjesë e çështjeve janë identifikuar në rezolutën që ne i kemi miratuar në parlament, nevojitet bashkëpunim politik dhe institucional. Bëhet fjalë për Reformën Zgjedhore, për vijimin e reformës në drejtësi, Gjykatën Kushtetuese dhe të lartë”- tha Bushati./atsh

“Nuk ka 15 kushte për Shqipërinë”/ Bushati: Parlamenti Europian nuk ka kompetencë të përcaktojë listë me detyra Read More »

Vota e Diasporës në Reformën Zgjedhore/ Angazhim programor i PS-së, por duhen negociata mes tri palëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “vota e emigrantëve është një angazhim programor dhe publik i marrë prej nesh, por në kushtet specifike kur duhet negociuar mes tri palësh, vetvetiu optimizmi për realizmin e kësaj mundësie është shumë më i vogël se normalisht”.

Kryeministri Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim online me Këshillin Koordinues të Diasporës për të diskutuar “Votën e Diasporës në Reformën Zgjedhore”.

“Arsyeja e këtij takimi është diskutimi i mundësive praktike për votimin e shtetasve shqiptarë që janë me banim jashtë vendit dhe natyrisht një sqarim mbi procesin e deritanishëm dhe faktikisht edhe mbi rrethanat aktuale në një kontekst më të gjerë, sesa thjesht kjo çështje”, – tha Rama.

Ai theksoi se “së pari, vota e emigrantëve është një angazhim programor dhe publik i marrë prej nesh. Së dyti, ne kemi punuar në funksion të këtij angazhimi paralelisht me procesin politik, i cili për shumë arsye që nuk është nevoja t’i shtjellojmë, është një proces shumë i vonuar për Reformën Zgjedhore në funksion të zgjedhjeve të ardhshme”, – tha Rama.

Ai siguroi se “ne as na ka munguar, as na mungon vullneti politik për ta realizuar këtë objektiv, që në këndvështrimin tonë ka rëndësi të veçantë dhe është një prej objektivave strategjikë që lidhen me mjedisin dhe kornizën e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri”.

“Unë i kam ndjekur gjithë përpjekjet dhe diskutimet tuaja dhe më vjen mirë që kontakti me qeverinë drejtpërdrejt nuk ka munguar, si rezultat i angazhimit të drejtpërdrejtë të ministrit Majko. Më vjen keq që në njëfarë mënyre ju keni vënë në dyshim vullnetin tonë, kjo e kapërcyeshme dhe lehtësisht e shpjegueshme”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne jemi në proces të një Reforme Zgjedhore të pandodhur më parë, pasi sot nuk jemi dy palë por jemi tri palë, dhe në një farë mënyre skena e palëve politike që duhet të merren vesh për zgjedhjet është trepolare”.

“Kemi shumicën parlamentare nga njëra anë, një opozitë jashtëparlamentit dhe një opozitë brenda. E theksoj këtë, se nga pikëpamja aritmetike Kodi dhe Reforma Zgjedhore në tërësi kërkojnë një shumicë të cilësuar që ne nuk e disponojmë sot numerikisht në Kuvend. Nga pikëpamja e traditës po ashtu duam të respektojmë një vijimësi të një procesi gjithëpërfshirës. Ky proces në kontekstin ku jemi nënkupton mirëkuptim mes 3 palësh, nga ana jonë si shumicë me dy pole të tjera politike, që pavarësisht se janë produkt i të njëjtit bark apo burim përzgjedhjeje sot janë në divergjencë ekstreme njëri-tjetrin”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “na duhet një mirëkuptim me tolerancë reciproke nga të treja palët”.

“Kur vjen puna te vota e emigrantëve nuk ka divergjencë të shfaqur, por nuk është se kemi dakordësi në momentin që flasim pasi djalli është gjithmonë në detaje. Në parim nuk ka parti të thotë nuk duam që emigrantët të votojnë, por kur vjen puna si duhet të votojnë dhe mundësitë në dispozicion, mundësitë janë shumë të kufizuara. Procesi ka qenë goxha i ngatërrruar dhe konfliktual dhe ulja në tryezë për këtë reformë është bërë në një vonesë të jashtëzakonshme. Në kushte specifike kur duhet negociuar mes tri palësh, vetvetiu optimizmi për realizmin e kësaj mundësie është shumë më i vogël se normalisht”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne e kemi studiuar dhe analizën e metodave të realizimit të votimit nga jashtë por për arsye historike të konfliktit politik ne e kemi përjashtuar mundësinë e votimit në ambasada e konsullata, që do të ishte një arsye kontestimi dhe mosbesimi shumë të madh”.

“Edhe pse mund të ishte i realizueshëm pa asnjë problem nga pikëpamja e integritetit, është më i vështirë nga pikëpamja e lëvizshmërisë dhe afërsisë me ambasadat e konsullatat. Ne kemi lënë si alternativë të vetme votimin me postë, që ka një sërë ekzigjencash të domosdoshme që lidhen me regjistrimin, me adresën e emigrantit në vendin ku është. Ky është një proces që kërkon goxha kohë. Ne kemi ecur nga pikëpamja e kuadrit ligjor, nuk kemi humbur kohë në pikëpamje të infrastrukturës, por jemi në këto kushte sot”, – tha Rama.

Ai tha se opozita në parlament e ka këtë një kërkesë shumë insistuese, ne vetë e kemi objektiv dhe angazhim politik dhe programor dhe jemi duke punuar çdo ditë.

“Jemi duke punuar për një opsion elektronik të regjistrimit, një opsion përputhshmërie mes listës së votuesve dhe listës së personave të interesuar, por jemi ende herët sot të themi me siguri që jemi në kushtet kur kjo gjë mund të realizohet. Kam besim se në një mënyrë apo në një tjetër mund të hyjmë në këtë proces, qoftë edhe me një projekt pilot”, – tha ai. /atsh

Vota e Diasporës në Reformën Zgjedhore/ Angazhim programor i PS-së, por duhen negociata mes tri palëve Read More »

Basha: Të rinjtë, potencial i madh dhe garanci për qeverisjen e ardhshme

“Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm, që po bëhet gati të marrë në dorë fatet e vendit, dhe kjo është rinia e saj e jashtëzakonshme. Me ambicie të mëdha dhe përgatitje lidershipi, këta të rinj janë një potencial i madh dhe garanci për qeverisjen e ardhshme”.

Kështu u shpreh sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi me të rinjtë e programit LEAD Albania.

“Me një mendësi të re, me dëshirën dhe ambicien për të punuar në Shqipëri e për Shqipërinë, të rinjtë dhe të rejat kanë sot aftësinë dhe përgatitjen e duhur, por ajo që u mungon dhe do të bëjmë gjithçka t’ua japim, është mundësia”, – tha Basha.

Gjatë takimit Basha diskutoi me të rinjtë për platformën e PD-së.

“Mora ide të vyera prej tyre, për ta pasuruar atë dhe më tej, për të adresuar më mirë zgjidhjet rreth problematikave që kanë të rinjtë sot. Garantimi i mundësive për arsim, pavarësisht statusit të tyre social, krijimit të mundësive për të hapur biznese të reja, mbështetje për idetë inovative, krijimin e mundësive për punësimin e tyre, ishin disa prej çështjeve që ndava me ta”, – tha Basha.

Kreu i PD-së tha se “përtej situatës së vështirë që po kalojmë, të një krize shumëdimensionale politike, ekonomike e sociale, këta të rinj, me optimizmin e tyre, me idetë se si duhet të ecim përpara, se si do t’i shndërrojmë pasuritë e mëdha të këtij vendi në mundësi për një jetë më të mirë për çdo shqiptar, janë garancia e një ndryshimi që po vjen, ndryshim real që do të prekë çdo qytetar e veçanërisht të rinjtë, që sot shohin si mundësi vetëm emigrimin”.

“Programi LEAD Albania (Leadership Experience And Development) që zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) që nga viti 2013, ka qenë dhe mbetet një mundësi e mirë për të rinjtë e talentuar dhe të mirarsimuar, që me punën dhe angazhimin e tyre serioz, do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë”, – tha Basha./atsh

Basha: Të rinjtë, potencial i madh dhe garanci për qeverisjen e ardhshme Read More »

Thaçi: Bashkimi i shqiptarëve në Luginë dha rezultat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve në Serbi tha se bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës e dha frytin e tij.

Ai shtoi se tashmë do të ketë më shumë deputetë që do të ngrenë zërin për të drejtat e shqiptarëve në shtetin fqinj.

“Bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës e dha rezultatin e tij. Ata tashmë do të kenë më shumë deputetë që do ta ngrehin zërin për të drejtat e shqiptarëve atje. Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë”, tha Thaçi./KosovaPress/

Thaçi: Bashkimi i shqiptarëve në Luginë dha rezultat Read More »