Opinione

Rritja e rasteve me COVID-19/Mjekja Çomo apel qytetarëve: Virusi nuk ka më përzgjedhje moshe, kujdesuni për veten dhe tjetrin

Shefja e Infektivit në Qendrën Spitalore Universitare, Najada Çomo i ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat pasi rritja e rasteve ditët e fundit është tepër shqetësuese.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar apelin e mjekes Çomo e cila thekson se në betejën me këtë virus, maska është arma e vetme dhe më e mirë.

“Numri i pacientëve të shtruar në shërbim ka ardhur duke u shtuar. Dua të tërheq vëmendjen që personat e shtruar në spitalin Infektiv, një pjesë e madhe janë në gjendje të rënduar, një pjesë e madhe në terapi intensive. Ajo që dua të theksoj është se qytetarë të nderuar është situatë për t’u shqetësuar nga ana shëndetësore për shëndetin tuaj. Natyrisht që ne jemi në krye të detyrës për t’ju shërbyer, por keni një detyrim madhor të qëndroni sa më larg personave të sëmurë dhe ulni në maksimum qëndrimin në vende publike dhe mos harroni që maska është e vetmja armë mbrojtëse që keni”, thekson Çomo.

Mjekja thekson se “virusi është midis jush, ju bëni hapin për t’u mbrojtur sa më shumë në të kundërt në Shqipëri do të kemi një numër të shtuar personash”.

“Natyrisht virusi nuk ka më përzgjedhje, mund të kapi çdo lloj moshe dhe nuk është vetëm mosha e tretë që preket nga ky virus, por janë moshat e reja që preken dhe që e dërgojnë tek moshat e tjera duke cenuar shëndetin e tyre. Ju lutem kini në vëmendje se ky virus është shumë tepër midis jush tani që janë hequr edhe barrierat, pra vendi është i hapur”, apelon mjekja Çomo./atsh

Rritja e rasteve me COVID-19/Mjekja Çomo apel qytetarëve: Virusi nuk ka më përzgjedhje moshe, kujdesuni për veten dhe tjetrin Read More »

“Shtimi i rasteve, faji i të gjithëve”, Bino: Nuk ka një shifër tavan, tejkalimi i së cilës do të rikthente karantinën

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino deklaroi sot se shtimi i rasteve me koronavirus është faji i të gjithëve dhe se të vetmet masa mbrojtëse që kemi janë distancimin fizik, higjiena personale dhe vendosja e maskave.

Në një intervistë në media, Bino u shpreh se gjithçka e ka fillesën te moszbatimi i distancimit fizik.

Bino vuri në dukje se protokollet e sigurisë për bizneset dhe restorantet janë për të minimizuar përhapjen e virusit dhe në momentin që nuk zbatohen, infeksioni përhapet më lehtë.

“Unë kam vënë re që protokolli nuk zbatohet. Ai protokoll nuk është kot, duhet zbatuar”, tha Bino.

Sipas saj, nuk ka një shifër tavan, tejkalimi i së cilës do të rikthente karantinën, por ajo theksoi se e rëndësishme është që të mos ketë mbingarkesë në spitale dhe fatalitete.

Lidhur me vaksinimin Bino u shpreh se një vaksinë nuk mund të futet në vendin tonë nëse nuk aprovohet nga Agjencia Europiane e Barnave.

“Vaksinat kanë luajtur rol kyç në mirëqënien e njerëzimit ndër vite. Ne i kemi harruar shpërfytyrimet e njerëzve nga sëmundje si poliomeliti dhe i kemi harruar falë vaksinave. Kjo është arsyeja që kemi një procedurë indirekte për vaksinat e kalendarit që nuk pranojmë fëmijët në shkollë”, tha ajo./atsh

“Shtimi i rasteve, faji i të gjithëve”, Bino: Nuk ka një shifër tavan, tejkalimi i së cilës do të rikthente karantinën Read More »

Brataj: Faza e hapjes, numri i testimeve rritet pasi dhe kontaktet e të prekurve janë më të shumta

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, dr. Skënder Brataj u shpreh sot se qytetarët nuk duhet të ulin vigjilencën, pasi virusi është aty dhe po vijon përhapjen biologjike.

Brataj, gjatë një interviste televizive, u shpreh se numri i telefonatave në Urgjencë është në rritje, por kjo, sipas tij, ka shumë dimensione.

“Rritja e telefonatave është tregues i ankthit dhe stresit. Pati një rënie telefonatash përpara rihapjes dhe qytetarët nisën të ndihen të sigurtë. Por tani kur kemi një numër në rritje të të infektuarve, njerëzit më të afërt me ato të infektuar, u shqetësuan dhe nisën sërish të kemi fluks telefonatash. Kemi po ashtu dhe 30-40 telefonata nga i njëjti person, kur ai pret t’i shkojë urgjenca për tampon, por nuk i ka shkuar brenda 24 orëve dhe ai insiston me telefonata. Kemi po ashtu persona që telefonojnë dhe kërkojnë të bëjnë tamponin për të udhëtuar jashtë vendit, pasi ua kërkojnë atje”, – tha Brataj.

“Ky relaksim i gjithë popullatës shkaktoi një relaksim dhe të personelit shëndetësor. Unë s’duhet të pres të vijë ISHP, AKU, apo institucione të tjera për të më kontrolluar mua a po zbatoj apo jo rregullat. Po ashtu dhe inspektorët që duhet të kryejnë monitorimin e kanë bërë këtë papushim që prej 8 marsit, por tani që janë hapur qindra e mijëra biznese nuk mund të presim që të jenë të pranishëm tek të gjitha bizneset, por duhet vetë sipërmarrësi të jetë i vetësensibilizuar”, – tha Brataj.

Lidhur me infektimet tek “Francezi”, Brataj tha se ka pasur relaksim të personelit. “Në QSUT janë 53 shërbime, janë tre të tilla që janë prekur. Tek “Francezi”, që është një shërbim që ka qenë i mbyllur, por tani me rihapjen u prek nga ky virus ka patur relaksim. Atje bëhen kontrollet e syve dhe kontakti është i afërt dhe duhet me patjetër të kesh masat e sigurisë ti si personel. Në Itali janë 26 000 personel mjekësor të infektuar. Por këtu ka relaksim të popullatës. Po të shkosh në market kur i thua ruaj distancat, të shohin shtrembër e të thonë akoma e beson këtë, pasi lajmet e shumta me filozofi të ndryshme sjellin problematikë”, – tha Brataj më tej.

“Testimet janë punë e epidemiologut. Rritja e e infektimeve realizohet sipas kontakteve që ka pasur i prekuri. Kur je i izoluar numri testimeve ulet, pasi kontaktet janë të pakta, tani që jemi të hapur numri i testimeve rritet pasi dhe kontaktet rriten dhe kështu me radhë”, – tha Brataj. /atsh

Brataj: Faza e hapjes, numri i testimeve rritet pasi dhe kontaktet e të prekurve janë më të shumta Read More »

Rritje e rasteve me COVID-19/Kuko: Nuk duhet të shpërdorojmë këtë liri të fituar pas tre muajsh, të respektohen masat

“Numrat na tregojnë se rreziku i pandemisë nuk ka kaluar, madje ka një shqetësim në rritje. Ndaj masat duhen forcuar dhe vigjilenca duhet shtuar”, apeloi zot zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko.

E shoqëruar edhe drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj, Kuko inspektoi nga afër respektimin e masave të kushtëzuara të hapjes, në një qendër tregtare në Tiranë.

ZV.ministrja apeloi që qytetarët dhe bizneset duhet të bëjnë kujdes dhe të respektojnë protokollet pasi nuk duhet të shpërdorojmë këtë liri të fituar pas tre muajsh.

“Së bashku me Drejtorin e Rendit dhe kolegët nga Ministria e Shëndetësisë kryem një kontroll të masave në kuadër të distancimit sociale dhe masave të hapjes. Me keqardhje konstatojmë se ditët e fundit kemi patur rritje të rasteve të cilat lidhen automatikisht me mosrespektimin e masave”, deklaroi Kuko.

Ajo nënvizoi se rihapja është e kushtëzuar, nuk do të thotë përfundimin e pandemisë apo ulje e rasteve.

“Ditët e fundit na tregojnë që neglizhimi i masave qoftë në distancimin social apo respektimin e protokolleve ka rezultuar në rritje të rasteve. Policia do të jetë në mbështetje të inspektoriateve që do të kryejnë inspektime sipas një grafiku të mirëpërcaktuar, askush nuk do të mbetet pa u inspektuar dhe pa marrë masat e duhura në respektimin e protokolleve sepse bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve”, tha Kuko.

Ajo nënvizoi sërish se “masat e hapjes janë të kushtëzuara, ç’ka do të thotë se të gjithë ne duhet të shijojmë me përgjegjshmëri këtë liri që sa e kemi fituar pas në sakrifice të madhe prej tre muajsh”.

Drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit Albert Dervishaj tha se policia është në gatishmëri të plotë për të dhënë kontributin e saj në respektimin e masave.

“Policia e Shtetit po vazhdon të kryejë me përgjithësi të gjithë detyrat që ka kryer që prej fillimit të pandemisë. Gjatë ditëve të fundit janë konstatuar disa problematika, për të cilat Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë. Unë do t’u bëja thirrje qytetarëve që të jenë ekzigjentë dhe të përgjegjshëm në të gjithë këtë liri që ne kemi fituar”, apeloi Dervishaj duke shtuar se përgjegjësia është personale për të mos krijuar vatër të re nga COVID-19./atsh

Rritje e rasteve me COVID-19/Kuko: Nuk duhet të shpërdorojmë këtë liri të fituar pas tre muajsh, të respektohen masat Read More »

Tabaku: Ligji për amnistinë fiskale i dëmshëm për ekonominë

Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaron se “ligji për amnistinë fiskale është ideuar jo për t’i shërbyen shqiptarëve që kanë emigruar dhe u duhet të deklarojnë pasurinë”.

Në një deklaratë për mediet, Tabaku tha se “synimi parësor i ligjit është që të ndihmojë të inkriminuarit dhe organizatat kriminale që të pastrojnë pasuritë dhe paratë e tyre në mënyrë të paligjshme”.

“Këmbëngulja e qeverisë për amnistinë fiskale, tregon se prioriteti i Ramës nuk është shërbimi për qytetarët, por pasurimi i oligarkëve pastrimi i parave siç ka bërë gjithmonë në këto 7 vjet”, tha ajo.

Gjithashtu, Tabaku tha se “në nenin 5 pika 1 ligji evidenton se përfitues të këtij ligji janë edhe individë “rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre”.

“Pra, me pak fjalë, nëse në Shqipëri është rezident një individ, i cili nuk deklaron pasurinë e tij në një shtet të BE-së apo SHBA-së, ky qytetar përfiton nga kjo amnisti dhe, gjithashtu, mund t’i shpëtojë hetimit të kësaj pasurie nga qeveria shqiptare. Kjo në fakt është një tentativë e radhës e qeverisë Rama e cila disa muaj më parë iu drejtua Londrës në një konferencë për të shitur pasaportën shqiptare tek kushdo i ashtuquajtur “investitor” i huaj”, tha Tabaku.

Sipas saj, draftligji parashikon jo vetëm ruajtjen e konfidencialitetit, por edhe mos hetim për ata individë të huaj apo vendas që do të përfitojë nga amnistia. “Ky ligj është i dëmshëm për ekonominë, është nxitës për paranë e krimit dhe të korrupsionit”, tha Tabaku./atsh

Tabaku: Ligji për amnistinë fiskale i dëmshëm për ekonominë Read More »

Shtimi i rasteve të reja, flet ish Ministri i Shëndetësisë: Mos guxojë njeri të rimbyllë shqiptarët

I ftuar në “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, ish ministri i shëndetësisë, mjeku Tritan Shehu komentoi shtimin e rasteve me Koronavirus ditët e fundit.

Sipas tij, e gjithë kjo se karantina e vendosur mbi dy muaj ishte vetëm për të frikësuar qytetarët e për të shkatërruar ekonominë e demokracinë në vend pasi nuk ka dhënë asnjë rezultat.

“Ngjarja e sotme është rrjedhim i këtij dështimi. Karantinën e bëri për të frikësuar njerëzit, për të dëmtuar ekonominë dhe demokracinë. Kjo tregoi se ajo çfarë bëri ishte një fluskë sapuni. Askush nuk mund të guxojë të thotë se Shqipëria duhet të mbyllet sërish”, tha Tritan Shehu.

“Gjithë mbyllja ka qenë thjesht abuziv për të arsye të tjera”, shtoi ish ministri.
Kujtojmë se vetëm ditën e sotme, referuar shifrave zyrtare, Shqipëria regjistroi 44 raste të reja me Covid-19, shifra më e lartë përgjatë gjithë pandemisë.

Shtimi i rasteve të reja, flet ish Ministri i Shëndetësisë: Mos guxojë njeri të rimbyllë shqiptarët Read More »

‘Duhen testime’/ Rritja e ndjeshme e rasteve, ‘befason’ mjeku epidemiolog: Karantina nuk dha rezultat

I ftuar në “Çim Peka LIVE”, mjeku epidemiolog Erion Dasho ka komentuar shtimin e rasteve me Covid-19 ditët e fundit në Shqipëri.

I pyetur nga gazetari Çim Peka se, a janë shtuar testimet apo shqiptarët nuk po ruhen më, mjeku u shpreh se prej dy muajsh e ka humbur besimin ndaj kolegëve të tij në Komitetitn e Ekspertëve.

“Kam të paktën dy muaj që e kam humbur besimin te kolegët tanë dhe nuk do të çuditesha. Nuk ka informacionet që keni ju të medias, por nuk më çudit në asgjë pasi kam parë kolegët e mi të Komitetit kanë një sjellje të çuditshme. Ne dëgjonim në 9, 10 dhe 11 maj kemi patur 4 raste të raportuara, por nëse kanë qenë 80 justifikohej ajo mbyllje.

Çkuptim ka karantina nga prilli e këtej kur shifrat ishin ato?! Kaluam në një situatë të pakuptimtë nga prilli e këtej kur rastet nuk kalonin 20.
Rastet e ditëve të fundit, referuar shifrave zyrtare, rastet me 36, 42 dhe 44 janë shqetësuese. Tregoi se karantina nuk dha rezultat. Nëse ka qenë vetëm një ditë 81, kam një bindje se po të shkosh në popullatë e të testosh 10 herë më shumë do të kemi 10 herë më shumë raste. OBSH thoshte testoni, testoni e ne nuk testonim. Të mbyllim ekonominë dhe të mos testojmë? Në prill u hap e gjithë Europa.

‘Duhen testime’/ Rritja e ndjeshme e rasteve, ‘befason’ mjeku epidemiolog: Karantina nuk dha rezultat Read More »

“Mos i gëlltisni kurrë pa përtypur produktet e LBPD”/ Mjafton të nxjerrësh gjysmën e një fraze të vërtetë për të përhapur një gënjeshtër të madhe

Janë afro çerek milion punonjës që do të marrin deri në mesin e këtij muaji ndihmën financiare të akorduar nga qeveria, pasi u prekën në punën e tyre për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19.

Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike për paketën e tretë të ndihmës ndaj bizneseve deklaroi se “në fund të majit Shqipëria u rihap dhe u rikthye në normalitet. Pagesat vazhdojnë dhe do të mbyllen 100% për afro çerek milion punonjës”.

Kreu i qeverisë publikoi sot një video të nxjerrë nga PD-ja, për të cilën shprehet se gjysmë të vërtetat janë gënjeshtra të mëdha dhe që të ruheni prej tyre mos i gëlltisni kurrë pa përtypur produktet e LBPD&Co.

Rama thekson se qeveria do të jetë gati për paketën e tretë, duke parë dinamikën e situatës, si dhe do iu gjendet pranë atyre në nevojë.

“Mjafton të nxjerrësh gjysmën e një fraze të vërtetë nga goja e tjetrit, për të përhapur një gënjeshtër të madhe ndaj tij. Gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha”, theksoi Rama.

PD publikoi videon ku kryeministri Rama është shprehur në 13 prill të këtij viti se “në të gjitha rastet ne jemi gati dhe do të jemi gati për paketën e tretë mes datave 20 dhe 25 maj”.

Në përgjigje, pasi ndau videon e shpërndarë nga PD, kryeministri Rama publikoi të plotë fjalën e mbajtur në 13 prill ku ka theksuar se “paketa e parë i ndihmoi të goditurve të valës së parë të biznesit të vogël. U akordua një ndihmë që vazhdon lëvrohet çdo ditë, pasi verifikimit nga tatimet. Sot pasi e kemi ndjekur me vëmendje çdo ditë dinamikën në të dyja frontet është momenti ta zgjerojmë paketën. Kjo paketë e zgjeruar do të mbështesë përveç atyre të parëve plot 176 mijë të tjerë. Por, në të gjitha rastet ne jemi gati dhe do të jemi gati për paketën e tretë mes datave 20 dhe 25 maj duke parë gjithmonë dinamikën në të dyja frontet dhe përsëri do të jemi në gjendje t’i gjendemi pranë të gjithë atyre që nuk do të kenë të ardhura nga puna në atë moment për shkak të pamundësisë së daljes nga perimetri i rrethimit mbrojtës”.

Rreth 250 mijë persona kanë përfituar nga të dy paketat ekonomike të qeverisë në mbështetje të qytetarëve për shkak të COVID-19./atsh

“Mos i gëlltisni kurrë pa përtypur produktet e LBPD”/ Mjafton të nxjerrësh gjysmën e një fraze të vërtetë për të përhapur një gënjeshtër të madhe Read More »