Opinione

Topalli: Basha, dështak manipulues si Enver Hoxha, i ndërronin ministritë prej skandaleve që krijonte

Ish-kryetarja e Kuvendit në qeverisjen e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, e cilësoi sot kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, një dështak, manipulator si Enver Hoxha, ndërsa theksoi se Bashës pas një apo dy vitesh i ndërronin ministritë se ishte si minë me sahat prej skandaleve që krijonte.

Në një reagim, pas publikimit të një videoje nga ish-deputeti demokrat Endri Hasa, Topalli tha se “kështu manipulonte Enver Hoxha historinë, për të manipuluar mendjet e njerëzve. Fshinte dhe censuronte çdo fytyrë dhe emër personaliteti nga fotoja dhe historia, për të thënë se historia jam Unë. (Fotot më poshtë janë në ballkonin e bashkisë Shkodër. E. Hoxha heq pjesëmarrësit, duke filluar nga Gjergj Fishta). Në 2020, me video në facebook kunati në emër të Partisë që rrëzoi Partinë e Enver Hoxhës bën të njëjtën gjë”.

“Ky paska bërë NATO-n, liberalizimin e vizave, ky paska sjell Bushin në Shqipëri… Ky ka bërë TAP-in; Ky Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ky do ketë themelu edhe Partinë Demokratike; edhe në ’97 ky do e ketë ringritur nga hiri… Kryeministri i kohës paska qenë në gjumë gjithë kohën, kurse të tjerët paskemi qenë në planet tjetër… Ky i ka bërë të gjitha, siç bëri dhe tramin. Në fakt, me sa më kujtohet, pas një apo dy vitesh këtij i ndërronin ministritë se ishte si minë me sahat prej skandaleve që krijonte”, shprehet Topalli. /atsh

Topalli: Basha, dështak manipulues si Enver Hoxha, i ndërronin ministritë prej skandaleve që krijonte Read More »

“Periudhë e pritshme kalimtare pas rihapjes”/ Mjeku Simaku: Parashikohet trend në rënie i rasteve të reja

Mjeku epidemiolog, Artan Simaku duke folur për kurbën e infektimeve me COVID-19, ku javët e fundit është vënë re një trend në rritje i rasteve të reja dhe pacientëve që trajtohen në spital, u shpreh se në ditët në vijim pritet rënie e shifrave.

Në një intervistë televizive, Simaku u shpreh se në ditët në vijim parashikohet që numri i rasteve me COVID-19 do të marrë trajektore rënëse. Sipas tij, rastet e shtuara ishin të parashikuara për shkak të fazës së rihapjes ndërsa shtoi se kjo ka ardhur për shkak të lehtësimit të masave kufizuese dhe mosrespektimit të rregullave nga qytetarët.

“Situata duhet thënë që në fillim se nuk është shqetësuese dhe nuk ka vend për panik. Në ditët në vijim parashikohet një trend në rënie e këtyre rasteve. Kjo ishte një periudhë kalimtare, e cila ishte e pritshme. Kjo ka ndodhur se nuk janë respektuar masat. Ka patur një relaksim të nxituar të popullatës dhe moszbatim të këtyre rregullave, por jo vetëm nga popullata por edhe nga shumë biznese. Apeli për popullatën është zbatimi dhe respektimi këtyre masave, sepse do të bashkëjetojmë me COVID-in”, tha ai.

Specialisti i ISHP-së theksoi se “aktualisht janë katër spitale COVID, që janë në gjendje të presin një fluks më të madh se sa është ky që është tani. Janë edhe tre spitale të tjera që janë në pritje nëse do të këtë raste të shtuara, por nuk parashikojmë raste të tilla. Jo vetëm spitalet, por është edhe infrastruktura. Koronavirusi nuk parashikohet të zhduket shpejt, por do të bashkëjetojmë me të. Kjo është një fazë kalimtare dhe ishte pritshme dhe në ditët në vijim parashikohet një trend rënës i këtyre rasteve”, u shpreh ai.

Mjeku tha se aktualisht në Spitalin Infektiv, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe një tjetër i intubuar. Siç thekson mjeku Simaku, gjendja e pacientëve të shtruar është relativisht e mirë.

“Aktualisht vetëm 10 pacientë janë në terapi intensive, dhe vetëm 1 është i intubuar. Gjendja është relativisht e mirë. Pra, edhe këto personat që janë në terapi intensive nuk janë në gjendje të rëndë, dhe shpresojmë në ditët në vijim që të bjerë ky numër”, shtoi ai. /atsh

“Periudhë e pritshme kalimtare pas rihapjes”/ Mjeku Simaku: Parashikohet trend në rënie i rasteve të reja Read More »

Lleshaj: Besa Shahini, përpjekje për pak modernizim në një sistem të shkatërruar gjatë tri dekadave

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha sot se “janë bashkuar shumë “burra” kundër Besa Shahinit. Duket se këta i bashkon më shumë një zell i turpshëm kundër Besës, sesa ndonjë shqetësim i sinqertë për arsimin shqiptar, për gjendjen e të cilit ata janë përgjegjës shumë herë më tepër se Besa”.

Në një reagim, të cilin thotë se e bën në cilësinë e një qytetari dhe jo në atë të ministrit, Lleshaj thekson se “Besa sulmohet se është një rast ndryshe. Ajo nuk ka studiuar në ndonjë nga universitetet tona të shumta, nuk ka qenë studente apo shoqe e ndokujt që bërtet, nuk është nga Tirana, tingëllon pak gegnisht kur flet, vjen nga Kosova… Vetëm këto janë “mëkatet” e saj”.

“Ajo nuk ka pasur kohë për ta prishur cilësinë e shkollës tonë. Ajo nuk ka mundur ende as t’a rregullojë atë. Kush kupton sadopak nga arsimi, e di mirë se efekti i politikave të reja në arsim nuk mund të merret për një apo dy vjet. Të gjithë ata skizofrenë që shajnë Besën për provimin e Maturës Shtetërore, duhet ta dinë se atë nuk e ka formuluar ajo, por studentët që kanë dalë nga shkollat që Besa ka pasur fatin të mos i bëjë”, – nënvizoi Lleshaj, duke shtuar se ato teste i kanë bërë studentët e atyre që bërtasin dhe që janë gati të fajësojnë gjithë botën për cilësinë e produktit të tyre.

E vetmja gjë që ka arritur të bëjë Besa, tha Lleshaj, gjatë muajve të ushtrimit të detyrës së saj, është përpjekja për pak modernizim në një sistem të shkatërruar gjatë tri dekadave.

“Një sistem ku “profesorët” ulërijnë dhe shajnë pa kurrëfare etike, ndërkohë që kanë marrë paga nga universitetet kioska pasi kanë firmosur me mijëra diploma pa vlerë, të cilat ngjajnë më shumë me mandatet e pasurisë që lëshonte Sudja e piramidave sesa me diplomat normale të universitetit. Ata që kanë heshtur përpara gjëmës së bërë kundër arsimit me universitetet piramida, ata që i kanë kthyer universitetet ku punojnë në hane ku edhe analfabetet pretendojnë për notë maksimale dhe ku nuk mbetet askush, ata që e kanë katandisur universitetin në fund të listave të renditjes botërore nuk mund të gjejnë asnjë alibi tek Besa”, – theksoi Lleshaj.

Sipas tij, është fat që ajo është ndryshe edhe në formim edhe në nivel nga autorët e gjendjes së sotme të arsimit.

“Është fat që ajo po përpiqet për një impuls modernizues në një sistem të mbështetur tek indoktrinimi, ku studentët trajnohen vetëm për të përsëritur, por kurrë për të menduar. Besa kërkon një shkollë ku nxënësit dhe studentët mësojnë si të mendojnë dhe jo çfarë të mendojnë, një shkollë që frymëzon dhe jo një shkollë që indoktrinon. Ju, ithtarë, viktima dhe autorë të një sistemi të dështuar, heshtni! Mos e kërkoni tek Besa fajin për dështimin tuaj. Si kosovare, ajo është po aq, në mos edhe më shumë, shqiptare se ju; si e diplomuar në Europë, ajo është edhe më e mirarsimuar se ju. Dhe mbi të gjitha: si një grua që nuk ju shan, ajo ka më shumë dinjitet se ju. Bëhuni pra burra dhe heshtni”, – tha Lleshaj./atsh

Lleshaj: Besa Shahini, përpjekje për pak modernizim në një sistem të shkatërruar gjatë tri dekadave Read More »

“Koronavirusi ‘gjallon’ ende mes nesh”/ Kalo mesazh qytetarëve: Tregoni kujdes, është sfidë jo e lehtë për t’u fituar

Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo, iu drejtua sot qytetarëve me një mesazh të rëndësishëm duke theksuar se “kujdesi i vazhdueshëm ndaj vetes dhe të tjerëve kurrë nuk duhet nënvlerësuar. Mos harroni se Sars-Cov2/Covid-19 “gjallon” ende mes nesh”.

Përmes një mesazhi mjeku i njohur tregon ditën e tij të ngjeshur, që nis herët në mëngjes me hyrjen në oborrin e QSUT, e deri tek largimi nga spitali.

Ai shprehet se së bashku do ja dalim mbanë përballjes me këtë sfidë jo lehtë për t’u fituar.

“Kohë kovidiane… sensibilizimi ynë, vetëndërgjegjësimi, kujdesi për veten dhe të tjerët rreth nesh këto ditë e fundit kanë filluar të harrohen e nënvlerësohen për shumë e shumë prej jush. Mos harroni se Sars-Cov2/Covid-19 “gjallon” ende mes nesh… 22.06.2020… Dita e Ekuinoksit Pranveror… Dita dhe nata ndajnë 24 orët në mënyrë të barabartë mes tyre… Duke filluar nga nesër DITA, shpresa, optimizmi i NATYRËS por edhe i yni si SHOQËRI fillon drojtazi por e sigurt, të përftojë në kohë përkundrejt NATËS, ndrydhëses emocionale e kohëbjerrës”, – shprehet Kalo.

Ai thotë se “dita e sotme për mua rrodhi në të njëjtën rutinë sikundër kanë rrjedhur ditët prej shumë e shumë muajsh… Hyj herët në mëngjes në oborrin e QSUT-së dhe kaloj para kësaj pankarte inkurajuese dhe mirënjohëse për një EKIP të tërë mantelbardhësh, infermierësh, imazheristësh, farmacistësh, administratorësh dhe koordinatorësh, sanitarësh, barrelistësh, shoferësh, punonjës rendi në Covid-1, Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUT “Nënë Tereza”, ndërkohë që mbërrij në zyrën time të ndodhur në mes të pavijonit të parë. Infermieret tona janë aty të papërtuara për të ndihmuar të sëmurët në çdo sekondë”.

“Vijon më pas vizita e të sëmurëve i mbrojtur me pajisjet personale. Në fund të kësaj ditë-pune vjen largimi për në shtëpi dhe unë lë pas vetes degëzat e ullinjve në oborrin e spitalit, të mbushura këtë vit me frutet e shpresës, për mbarimin në një ditë jo shumë të largët të kësaj sfide jo të lehtë për të gjithë, sfidës me sëmundjeshkaktuesin e jetëmarrësin Sars-Cov2/Covid-19”,- shprehet Kalo.

Mjeku Kalo thekson se “ju rikujtoj se kujdesi i vazhdueshëm ndaj vetes dhe të tjerëve kurrë nuk duhet nënvlerësuar. Së bashku do ja dalim mbanë përballjes me këtë sfidë jo lehtë për t’u fituar”, – tha Kalo./atsh

“Koronavirusi ‘gjallon’ ende mes nesh”/ Kalo mesazh qytetarëve: Tregoni kujdes, është sfidë jo e lehtë për t’u fituar Read More »

Mjekja e Infektivit, apel qytetarëve: Respektoni rregullat që gjithçka të vazhdojë të jetë mirë si në fillim

Edhe pse numri i rasteve pozitivë me COVID-19 ditën e sotme ka shënuar rënie, ka numër të lartë shtrimesh në Spitalin Infektiv. Bluzat e bardha ripërsërisin thirrjen për kujdes dhe ruajtje të distancimit fizik nga njëri-tjetri.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar mesazhin e Nevila Gjermenit, mjeke pranë Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” e cila thotë se situata duhet të vazhdojë të mbahet nën kontroll e për këtë ajo kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve dhe ndërgjegësimin e tyre për t’u kujdesur në këtë fazë të pandemisë.

“Mjekët dhe infermierët e spitalit infektiv po përballen me një fluks të shtuar qytetarësh që kanë nevojë për trajtim mjekësor si pasojë e simptomave të rënda të COVID19. Nuk është asnjëherë e tepërt lutja e tyre për më shumë kujdes! Ju lutem dëgjoni apelin e dr. Nevila Gjermenit, e cila prej më shumë se 3 muajsh është çdo ditë në vijën e parë të përballjes me COVID19”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Do të nisja me një lutje për të gjithë popullatën pavarësisht se gjërat shkuan mirë, duam që gjithçka të vazhdojë mirë, ashtu sikurse e filluam mirë. Kështu që, ju lutem të gjithë popullatës të vazhdojnë të kujdesen për veten, të vazhdojnë të kujdesen për familjarët e tyre, të vazhdojnë të kujdesen për njerëzit e tyre të dashur duke zbatuar rregullat e higjienës dhe distancimit social”, tha Gjermeni në mesazhin e saj drejtuar qytetarëve. /atsh

Mjekja e Infektivit, apel qytetarëve: Respektoni rregullat që gjithçka të vazhdojë të jetë mirë si në fillim Read More »

Manastirliu: Më e keqja nuk do të vijë vetëm nëse tregojmë kujdes në përditshmëri

Më e keqja nuk do të vijë vetëm nëse secili prej nesh tregon kujdes në përditshmëri.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkoi vëmendjen e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë duke nënvlerësuar masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19 e për rrjedhojë numrat e të infektuarve janë në rritje, pasi edhe sot u regjistruan 71 raste të reja.

Ministrja Manastirliu kujton rëndësinë e zbatimin të këtyre masave, si dhe nënvizon se vetëm kështu nuk do të vijë më e keqja.

Nga COVID-19 në vendin tonë kanë humbur jetën 44 persona, raportoi sot Ministria e Shëndetësisë.

“Më e keqja nuk do të vijë vetëm nëse secili prej nesh tregon kujdes në përditshmëri! Respektoni Rregullat. Ruani distancën 1.5 metër. Mbani maskë/barriera mbrojtëse kur nuk është e mundur të ruhet distanca. Lani shpesh duart. Dezinfektoni ambientet. Mbroni veten dhe të afërmit tuaj! Vetëm duke treguar kujdes, mundemi ta mposhtim COVID-19!”,- theksoi Ministria e Shëndetësisë. /atsh

Manastirliu: Më e keqja nuk do të vijë vetëm nëse tregojmë kujdes në përditshmëri Read More »

Reforma Zgjedhore/Opozita kërkon gjithçka dhe nuk lë gjë pa thënë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend se opozita kërkon gjithçka nga reforma zgjedhore, por nga ana tjetër nuk lë gjë pa thënë.

“Shikoni ç’ndodh me reformën zgjedhore. E njëjta gjë. Domethënë nga një anë kërkojnë gjithçka dhe nga ana tjetër nuk lënë gjë pa thënë. Është habi e madhe. Nga një anë duan çdo gjë siç e duan ata dhe nga ana tjetër nuk lënë gjë pa thënë ndaj nesh. Dhe jo ndaj jush, po ndaj nesh. Se ndaj jush po e po. Juve jeni bijtë e mohuar të Partisë Demokratike. Dhe i meritoni në fakt ato që ju thonë me thënë të drejtën sepse ata ju kanë sjellë këtu dhe ju i keni dalë nga rreshti”, tha Rama.

“Po me ne çfarë kanë? Kanë atë që është pamundësia për të kapërcyer një kulturë komunikimi dhe një kulturë politike që është problemi i madh i këtij vendi së bashku me mënyrën sesi më pas pasqyrohet nëpër media. Dhe ne të gjithë themi që duam BE. Ne të gjithë jemi europianë, patjetër, nuk diskutohet. Ne të gjithë themi që ta integrojmë Shqipërinë sa më parë në Europë. Ne të gjithë predikojmë që jemi më të zotë se tjetri për ta bërë këtë. Dhe kur japim argumentat se pse jemi më të zot dominon ajo që s’ka lidhje fare me BE. Dominon kultura e akuzës, kultura e shpifjes, kultura e përçarjes, kultura e sakatimit psikologjik të një mileti të tërë që nga këtu merr shembullin më të keq”, u shpreh Rama.

“Unë nuk e di se çfarë mund t’ju kërkohet të tjerëve. Ju thashë dhe kur folëm për rastin e së miturës, kur nga këtu ju jepen shembujt më skandaloz. Dhe si ka mundësi që kur vini këtu ju ose ata që ishin këtu para jush silleni ekzaktësisht kundër të gjitha atyre që u kërkoni fëmijëve tuaj në shtëpi. Si ka mundësi? Si shpjegohet kjo? Sikur fëmijët tuaj të bënin atë që bëni ju këtu apo atë që bëjnë ata baballarët tuaj të partive që ju kanë lënë këtu jetim, secili prej jush, secili prej tyre si prind do ishte shumë i shqetësuar. Imagjino z. Valteri të të thërrasë mësuesja e djalit apo vajzës. Nuk e di nëse ke djalë apo vajzë apo akoma po kërkon një vajzë. Por sidoqoftë fjala që bie dhe t’ju thotë djali juaj ka thënë kështu, kështu, kështu për drejtorin e shkollës. As më shumë e as më pak ato që i thatë ju kaptërrit. Ju do skandalizoheshit. Do i kërkonit mësueses ndjesë. Do ju dhimbte koka. Do shkonit tek gruaja do thoshit nga na doli ky? Si do ja bëjmë këtij?”, tha Rama

“Ndërkohë që këtu ju i jepni shembuj të gjithë djemve, nxënësve të Shqipërisë që kjo është mënyra për t’u bërë njerëz të mëdhenj. Dil kap një mikrofon shaj, akuzo, trego përralla, gënje, mos u merr me fakte, mos respekto njerëzit që janë aty rreth e rrotull. Harroje fare që ka gra dhe vajza aty dhe jepi”, theksoi Rama.

“Kur ju thua njerëzve këtu kriminela, kriminela, i sheh gjithë këto gra që janë këtu? I sheh gjithë këto nëna që janë këtu? Parlamenti i kriminelave. Si ka ndodhur kjo. Natyrisht ne kemi pasur probleme. Të gjithë kanë pasur probleme, por ama ne kemi qenë ata që kemi bërë të mundur që edhe ato probleme të adresohen në një mënyrë apo një tjetër. Mirë apo keq”, tha Rama. /atsh

Reforma Zgjedhore/Opozita kërkon gjithçka dhe nuk lë gjë pa thënë Read More »

Robert Ndrenika pro Teatrit të ri: Gjej ngushëllim kur mendoj se do ngrihet një shtëpi bashkëkohore

Artisti i njohur Robert Ndrenika u shpreh sot se për prishjen e Teatrit Kombëtar ka ndjerë po atë dhimbje që ndjen qytetari kur i prishet shtëpia e vjetër e babai, por gjen ngushëllim kur mendon se në atë vend do ngrihet një shtëpi bashkëkohore.

Duke folur në një medie, Ndrenika tha se padiskutim që ndjeu dhimbje për shkak të nostalgjisë prej viteve që ka kaluar në atë godinë, por gjen ngushëllim kur mendon se në atë vend do ngrihet një shtëpi bashkëkohore pa hilera.

“Kam ndjerë po atë dhimbje që ndjen qytetari kur i prishet shtëpia e vjetër e babait, në të cilën ka kaluar fëmijërinë dhe është bërë burrë, por gjen ngushëllim kur mendon se në atë vend do ngrihet një shtëpi bashkëkohore pa hilera”, tha Ndrenika./atsh

Robert Ndrenika pro Teatrit të ri: Gjej ngushëllim kur mendoj se do ngrihet një shtëpi bashkëkohore Read More »