Opinione

Rritja e rasteve të reja me COVID-19, Brataj: Moment që pritej, qytetarët të respektojnë distancimin social

kënder Brataj, drejtori i Urgjencës Kombëtare u shpreh sot në një intervistë se qytetarët po gabojnë në sjelljen e tyre, çka sipas tij po çon në rritjen e numrit të rasteve të reja me COVID-19.

Edhe pse sipas tij, situata e krijuar pas lirimit të masave është ajo që pritej edhe më herët, qytetarët kanë nisur të relaksohen më shumë se duhet ndërsa po harrojnë që virusi është ende prezent. Brataj argumentoi se moshat e rritura dhe ato me patologji sëmundjesh të tjera, duhet të zgjedhin të izolohen për të mos rrezikuar prekjen nga virusi.

“Situata është ajo që prisnim. Ne e dinim që me lirimin e masave do të rritej numri i të infektuarve por ndofta u relaksuam aq shumë sa nuk duhet. Kjo do të çojë në rritjen e numrit të të infektuarve. Këto janë ato që kemi thënë që pas 2 javësh, 3 javësh nga lirimi masave do të dukej realiteti i vërtetë, kështu që nuk është çudi për ne rritja e numrit të të infektuarve”, u shpreh Brataj.

“Por ajo që duam të tërheqim përsëri vëmendje është që qytetarët ndoshta mendojnë se mbaroi COVID, mbaroi infeksioni dhe tani hajt të dalim në jetën normale. Nuk është ashtu. Ne do të bashkëjetojmë me virusin për disa kohë. E kemi thënë disa herë që është një virus i ri që nuk e njohim 100%, që ka një sjellje atipike në lidhje me sjelljen e viruseve në përgjithësi. Gjithsecili ka karakteristikat e veta edhe ky ka karakteristikat e veta dhe ka shumë studime dhe është një kohë shumë e shkurtër si mund të thuash që këto studime bien ndesh me njëra-tjetrën sa i përket shumë gjërave”, u shpreh ai.

“Ajo që po shohim realisht është fakti që përveç numrit të të infektuarve, të numrit të pacientëve që po rriten, është si mund të thuash simptomologjia më e lehtë e fazës së parë, apo agresivitetit të marsit dhe të prillit. Kalohet disi më lehtë por si çdo sëmundje tjetër ka një numër të kufizuar, që të mos çosh në kolaps një sistem. Numri i të sëmurëve sado lehtë të jenë, detyrimisht do të ketë nevojë për terapi intensive sepse nuk është thjesht një sëmundje por fakti që kur kap njerëz që kanë patologji të tjera, ekuilibri i tyre është shumë delikat, mjafton edhe një grip jo më SARS-COV2 që të përkeqësojë gjendjen dhe të kërkojë nevojën e këtyre reparteve intensive”, u shpreh Brataj.

“Kështu që, veçanërisht moshat e mëdha dhe pacientët me patologji, duhet të kenë më shumë kujdes se të tjerët në këtë moment. Besoj dhe mendoj se ata duhet të izolohen edhe vetë. Në të gjithë botën, fashat më në rrezik janë ato patologjitë e tjera dhe moshat e rritura. Kështu që, sado më e lehtë të jetë simptomologjia, ku ka sëmundshmëri mjafton një shtytje e vogël, një sëmundje tjetër që të përkeqësojë gjendjen”, tha Brataj.

Ai mohoi të gjitha hipotezat që virusi është një gënjeshtër. “E para, ka shumë gjithologë në rrjetet sociale që thonë se virusi është gënjeshtër, se ekonomia vjen para shëndetit etj. Gjithashtu, tubimet nuk duhet të ndodhin, pavarësisht se e kuptoj pakënaqësinë në rastin e të miturës. Bota i ka besuar qytetarit, duke i thënë që do të zbatosh disa rregulla të caktuara. Edhe në Shqipëri duhet të ndërgjegjësohet qytetari. Duhet të ruhesh, jo të marrësh në telefon për të pyetur se ku bëhet tamponi. Tamponi nuk do të thotë asgjë. Gjithashtu, përdorimi i maskës në ambiente të mbyllura është i detyrueshëm. Shoh nëpër institucione që futen njerëzit me maska në duar. Maska nuk duhet mbajtur në dorë. Përsa i përket dorezave, ato nuk mbahen në dorë gjithë ditën. Mbaron një porosi me ato doreza, duhet të vendosësh të tjerat. Ose duhet të përdorësh dezinfektantin nëse nuk ke doreza”, tha Brataj.

I pyetur mbi një riizolim të mundshëm, ai sqaroi se nuk flitet për këtë situatë. “Nuk flitet për rimbyllje. U shkelën rregullat e distancimit nga qytetarët dhe ky është rezultati. Ne jemi të përgatitur që nëse spitali Covid 1 do të mbushet, do të hapet Covid 2 sipas planifikimit. Njerëzit duhet të respektojnë rregullat, duhet të mësohen të bashkëjetojnë me këtë virus. Nëse nuk respektojmë virusin, nuk na respekton as ai ne”.

Brataj tha ndër të tjera se pushimet do të bëhen normalisht, por pa përqafime e puthje. “T’i lëmë përqafimet dhe puthjet, por jetën normale do ta vazhdojmë. Grumbullimi i njerëzve është pika kryesore e shpërndarjes së infeksionit”./atsh

Rritja e rasteve të reja me COVID-19, Brataj: Moment që pritej, qytetarët të respektojnë distancimin social Read More »

Rritja e rasteve me COVID-19, Brataj: Qytetarët nuk respektuan masat, grumbullimet luajtën rol në shtimin e tyre

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj deklaroi sot se nga heqja e kufizimeve për lëvizjen e qytetarëve pritej një shtim i rasteve të prekur me infeksionin COVID-19, por numri i lartë lidhet me mosrespektimin e masave nga qytetarët.

“E kemi thënë që do të kemi rritje, por sasia e numrit të tyre varet nga masat që do të respektoheshin nga qytetarët në radhë të parë. Njerëzit janë të lirë të lëvizin dhe është më i pamundur kontrolli”, tha Brataj gjatë një interviste në media.

Brataj komentoi se edhe grumbullimet dhe manifestimet kanë luajtur rol në shtimin e rasteve. Sipas tij, përgjegjësia personale është edhe kolektive, se grumbullimet dhe manifestimet nuk bëhen rastësisht.

“Masa më e efektshme ishte distancimi fizik”, u shpreh Brataj.

Sipas Brataj nëse vijon rritja e numrit të personave të përket me COVID-19 do të detyrohemi të rikthejmë kufizimet, pasi këta individë të prekur kthehen në pacientë dhe kolapsojnë sistemin.

“Virusi është këtu nuk ka ikur. Vërtet ka ulur virulencën, por nuk duhet të harrojmë se kemi 41 të shtruar në Infektiv, kur dy javë më parë kishim 14. Ky është një tregues jo i mirë”, deklaroi Brataj./atsh

Rritja e rasteve me COVID-19, Brataj: Qytetarët nuk respektuan masat, grumbullimet luajtën rol në shtimin e tyre Read More »

Pipero apel qytetarëve: Distancimi dhe higjiena, kushtet e vetme që ju ndihmojnë

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero u bëri sot apel qytetarëve që të zbatojnë me rigorozitet masat për distancimin social dhe higjienën personale, si kushtet e vetme që i ndihmojnë për të mos u prekur nga infeksioni COVID-19.

Gjatë një interviste në media, Pipero u shpreh se shtimi i rasteve të të prekurve në ditët e fundit ka ardhur pikërisht nga ulja e vigjilencës nga ana e qytetarëve, duke mos respektuar masat.

Ndërkohë, Pipero tha se nuk do ketë një valë të dytë të koronavirusit në vjeshtë ose dimër.

“Unë mendoj që nuk do ketë një rikthim të virusit në vjeshtë ose në dimër. Në rast se do ketë kthim, kurrë nuk do jetë më i egër dhe i fortë, por më i butë për disa arsye. Kjo pasi virusi vazhdon ta humbasë virulencën në mënyrë graduale,” tha ai.

Pipero u shpreh se situata do të jetë e përballueshme, pasi kapacitetet mjekësore në vend janë rritur, ndërsa ndërgjegjësimi i qytetarëve është shtuar.

Sipas Piperos, nëse ky virus kishte shumë të panjohura në fillim, tani ai është një virus i njohur për mjekët dhe shkencëtarët./atsh

Pipero apel qytetarëve: Distancimi dhe higjiena, kushtet e vetme që ju ndihmojnë Read More »

Basha: Ringritja ekonomike, fokusi ynë

Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot për mediet se “sfida më e madhe e çdo familje është kriza ekonomike e cila nuk mund të zgjidhet nga ata që e shkaktuan këtë krizë të thellë ekonomike duke e varfëruar, zhvatur dhe taksuar Shqipërinë në këto 7 vite”.

Ai tha se e gjithë vëmendja, fokus dhe i gjithë përqendrimi ynë tani është tek e ardhmja për një ekonomi e fortë dhe një Shqipëri e fortë.

“Ndaj, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar janë të vendosur të paraqesin platformën ekonomike, ta konsultojmë atë kudo nëpër Shqipëri. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet së bashku me shqiptarët, do t’i kthejmë qeverisjen vendit dhe do të kemi në fokusin tonë ringritjen ekonomike dhe ndërtimin e një ekonomie të fortë për shqiptarët që të prodhojë mirëqenie dhe vende pune”, tha Basha për gazetarët.

Ai shtoi se “ky do të jetë përqendrimi i të gjithë energjive tona, ne nuk do të humbasim asnjë sekondë me gropat dhe kurthet e një qeverie të dështuar në largim, por do të përqendrojmë të gjithë energjinë tonë, të aleatëve tanë të Opozitës së Bashkuar, tek fitorja e zgjedhjeve të ardhshme dhe zgjidhja e krizës së rëndë ekonomike duke ofruar planin tonë, masat tona shqiptarëve dhe duke ndërtuar bashkë me shqiptarët rrugën e daljes nga kjo krizë, për t’ua kthyer ekonominë dhe Shqipërinë, shqiptarëve”./atsh

Basha: Ringritja ekonomike, fokusi ynë Read More »

“Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim”/ Rëndësi ka që Basha do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën

Kryeministri Edi Rama përshëndeti arritjen e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore në takimin e mbrëmjes së sotme të Këshillit Politik, me praninë e ambasadorëve të SHBA, BE, OSBE dhe Britanisë së Madhe.

“Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: “Mirë e kishim ashtu siç e kishim”. Po mirë, unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë LBPD janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme, bujrum, si ta duan ata”, u shpreh Rama.

“Rëndësi ka që: LBPD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë. ODIHR është dakord që kjo nuk e cenon lirinë e zgjedhjeve. BE është e kënaqur, Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave. Ah po, mbaroi edhe revolucioni”, u shpreh Kryeministri Rama.

Pas takimit të mbrëmjes së sotme, bashkëkryetari për Reformën Zgjedhore, përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri tha se Partia Socialiste ka hequr dorë nga depolitizimi i administratës zgjedhore, që PD të mos mbetet sërish jashtë zgjedhjeve.

Në një prononcim për mediat pas përfundimit të takimit ku palët arritën marrëveshjen për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri tha se “ne nuk mund të linim sërish opozitën jashtë zgjedhjeve dhe t’i jepnim alibi asaj që të thotë se nuk e njoh ligjin zgjedhor”.

“Për ne është i rëndësishëm integrimi, aprovimi dhe pranimi i rregullave të lojës. Në fund të fundit mazhoranca është komode që me çfarëdolloj rregullash loje mjafton që palët politike të jenë komode, të shkojë në zgjedhje”, tha Gjiknuri.

“U dakordësuan për pikat që përgjithsësisht i ndanin palët, dhe një gjë dua të them pavarësisht se rekomandimi është që administrata të ishte e depolitizuar, dhe qëllimi i PS e qeverisë ishte që këtë rekomandim bazë ta çonte përpara, fatkeqësisht PD nuk ishte gati dhe e kundërshtoi”, tha më tej Gjiknuri.

Ajo çka fituam, nënvizoi ai, është se tashmë kemi rregulla të pranuara nga gjithsecili edhe me këtë adminsitratë që e kemi në fuqi.

“Sot që flasim, ajo çka u pranua nga palët është që administrata aktuale zgjedhore e balancuar politikisht do të funksionojë edhe në zgjedhjet e 2021. E rëndësishme është që PD hoqi dorë nga kërkesat absurde, nga qeveria teknike apo tranzitore për të administruar zgjedhjet. U pranua që administrimi zgjedhor nuk ka çaluar në Shqipëri. Përtej pretendimeve të ngritura dhe gjithë asaj lufte politike, më në fund u kthyen aty ku duhet të ishin te institucionet. E rëndësishme është që ne ta pranojmë dhe ta zbatojmë këtë sistem dhe në zgjedhjet e tjera, pasi në Kod do të parashikohen dispozita të fillojë depolitizimi”, u shpreh Gjiknuri.

“Ne do të përpiqemi që identifikimi biometrik të shtrihet në çdo qendër votimi, e rëndësishme është që nuk mund të mbahen zgjdhjet peng për shkak të teknologjisë dhe u pranua që administrata zgjedhore edhe kështu siç ka qene ka funksionuar”, u shpreh Gjiknuri.

Këshilli Politik, tha ai do të vijojë për çështjet e tjera ku përfshihet edhe sistemin zgjedhor.

“Këshilli Politik do të vazhdojë të miratojë draftet dhe të trajtojë edhe çështjet e tjera, si sistemi zgjedhor, ligji për referendumet, dhe për financimin e partive politike. Opozita dhe qeveria po dialogojnë, hoqën dorë nga alibitë dhe mbetet që të gjitha palët të përgatiten për zgjedhjet. Kodi do të mbyllet brenda këtij sesioni parlamentar. Nga buxheti i shtetit do të mundësohet identifikimi biometrik. Do të merrte një ekspert i huaj, nga BE për t’u konsultuar me KQZ”, deklaroi Gjiknuri./atsh

“Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim”/ Rëndësi ka që Basha do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën Read More »

Marrëveshja për Reformën Zgjedhore/ Basha: Hap përpara për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

“Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t’ua kthyer qeverisjen shqiptarëve”, deklaroi Basha pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Në emër të Opozitës së Bashkuar, Basha falënderoi aleatët dhe partnerët euroatlantikë për ndihmën dhe kontributin e tyre për gjetjen e dakordësisë për administrimin zgjedhor.

Bylykbashi: Identifikim biometrik për zgjedhjet e ardhshme

Pas takimit të sotëm, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi deklaroi se u arrit dakordësi sa i përket administratës zgjedhore.
“U arrit dakordesi për administrimin zgjedhor. Do të ketë identifikim biometrik për zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

“Depolitizimi i administratës zgjedhore do të kryhet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale”, tha ai.

Ndërsa përfaqësuesi i LSI, Petrit Vasili tha se, “për këto zgjedhje që vijnë dhe zgjedhjet e ardhshme lokale komsionet zgjedhore do mbetet ashtu siç janë. Depolitizimi i administratës zgjedhore do të bëhet vetëm më pas”.

Kryemadhi: Reformat bëhen pikësëpari për njerëzit

Kryetarja e Partisë Lëvizja Socialsite për Integrim, Monika Kryemadhi përshëndeti arritjen e marëveshjes për Reformën Zgjedhore, ndërsa kërkoi implementimin e saj pa humbur kohë.

“Rezultati i sotëm në Këshillin Politik, i arritur dhe me kontributin e partnerëve ndërkombëtarë është pozitiv dhe duhet implementuar pa humbur kohë, me integritet, ashtu siç e kërkon dhe kushti i radhës i BE, ashtu siç e meritojnë qytetarët shqiptarë”, deklaroi ajo.

Sipas Kryemadhit, reformat bëhen pikësëpari për njerëzit, të cilët presin ndryshimin dhe mundësinë e shprehjes së vullnetit të tyre lirisht në zgjedhje.

“Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme s’ka demokraci dhe pa demokraci s’ka ekonomi e mirëqenie për shqiptarët. LSI dhe Opozita e Bashkuar është e vendosur për realizim me sukses të angazhimeve të marra para popullit shqiptar përsa i përket forcimit e përmirësimit të themeleve të demokracisë në vendin tonë, si dhe përshpejtimit të rrugës së integrimit europian të Shqipërisë”, u shpreh Kryemadhi./atsh

Marrëveshja për Reformën Zgjedhore/ Basha: Hap përpara për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira Read More »

Meta përshëndet konsensusin për Reformën Zgjedhore

Presidenti i Republikës, Ilir Meta përgëzon Këshillin Politik për konsensusin e sapoarritur për Reformën Zgjedhore.

“Ky është një lajm pozitiv, por jo i mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”, tha zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi.

“Kultura e konsensusit duhet të vazhdojë edhe për kushtet e tjera për të përshpejtuar çeljen e negociatave”, u shpreh ai.

“Falenderime edhe partnerëve tanë europianë për durimin e tyre”, theksoi Blushi.

“Falenderim të veçantë edhe për SHBA dhe Britaninë e Madhe që mbështesin të ardhmen europiane të Shqipërisë”, theksoi ai./atsh

Meta përshëndet konsensusin për Reformën Zgjedhore Read More »

Reforma Zgjedhore/ Topalli: Basha hoqi dorë nga të gjitha kauzat e ngritura në 7 vite

Ish-kryetarja e Kuvendit në qeverinë e PD-së, Jozefina Topalli reagoi sot pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Topalli u shpreh se Basha hoqi dorë nga të gjitha kauzat e veta të ngritura në 7 vite.

“7 vite rresht tha se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Në funksion të kësaj bëri çadër, “revolucion”, dogji mandatet e demokratëve, nuk hyri në zgjedhje lokale, i dhuroi Ramës gjithë Parlamentin, pasi i dhuroi mandatin e dytë, i dhuroi të gjitha Këshillat Bashkiake, i dhuroi të gjitha bashkitë. Dhe ja sot po thotë me shkrim se “ashtu ishte loja”. Nuk kërkojnë më as qeveri tranzitore, as qeveri kujdestare, as qeveri kalimtare. Sipas Luli Bashës, Rama nuk qenka ai që thoshte se ishte”, deklaroi Topalli.

Sipas saj, këta janë dhe kanë qenë të gjithë bashkë.

“Sonte ishin “felici e contenti” me Kodin siç ishte. Kjo kastë politike e korruptuar duhet shkulur”, deklaroi ajo./atsh

Reforma Zgjedhore/ Topalli: Basha hoqi dorë nga të gjitha kauzat e ngritura në 7 vite Read More »