Lajmi i fundit

Papunësia në Ballkan, shkak arsimi i dobët

Sistemi arsimor në vend i ngjan pazarit në sezonet e skontove të mëdha, kur blerjet bëhen më shumë për hir të çmimit se sa të nevojës. Modeli arsimor që po ndjekim, po i shmanget gjithnjë e më shumë nevojave të tregut të punës, teksa bizneset në sektorë të veçantë si shërbimet teknologjike, bujqësia dhe turizmi po japin alarmin se mungesa e fuqisë së kualifikuar të punës po shndërrohet në një nga pengesat më serioze për zhvillimin e aktivitetit të tyre. Statistikat arsimore tregojnë tendencën alarmante drejt profesioneve për të cilat tregu i punës nuk ka nevojë. Mbi 50% e studentëve vitin e kaluar zgjodhën të studiojnë për shkencat humanitare dhe artet, teksa numri i studentëve në degët që lidhen me bujqësinë dhe turizmin ra përkatësisht me 24 dhe 57% në krahasim me pesë vite më parë.

Nisma e qeverisë “Rama” për të çuar në arsimin profesional të mesëm 40% të nxënësve nuk po funksionon, për shkak të transferimit të strukturës në tre ministri të ndryshme brenda pesë viteve, duke i demotivuar tërësisht për të vijuar më tej strukturat që menaxhojnë këtë.
Përtej modelit joeficient të arsimit dhe orientimit të gabuar, numri i të rinjve që studiojnë në shkolla ka pësuar rënie dramatike nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve. Në vitin akademik 2016-2017 ishin të regjistruar në arsimin e lartë 123 mijë studentë më pak se më 2012, me një rënie 17%. Ekspertët e sektorit janë të shqetësuar se sistemi arsimor në vend, përveçse nuk po u përgjigjet nevojave të tregut të punës, po krijon hendek edhe në nevojat që ka sektori publik.

Ndriçim Mehmeti, ekspert i politikave arsimore, thotë se, degët e mjedisit dhe administrimit të pyjeve kanë nevojë emergjente për specialistë, por në të vërtetë ata nuk gjenden. Së pari, qeverisë i duhet të ndërtojë një database për nevojat e veta, pasi i duhen psikologë të certifikuar, agronomë, inxhinierë pyjesh, edukatorë dhe mësues të aftë për të zëvendësuar brezat e shkolluar para viteve 1990.
Profesor Dhori Kule, ish-rektor i Universitetit të Tiranës, thotë se sistemin arsimor me tregun e punës e lidhin prioritetet zhvillimore. Nëse qeveria ka një plan afatgjatë dhe të detajuar për zhvillimin e dy-tre sektorëve si turizmi dhe energjia, atëherë edhe kërkesa për studime në këto degë do të orientohet vetvetiu.

Përtej zhvillimeve kaotike, mësuesit në shkolla lajmërojnë një rënie të madhe në nivelin arsimor të nxënësve. Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), një studim ndërkombëtar trevjeçar i cili synon të vlerësojë sistemet arsimore në mbarë botën, duke testuar aftësitë dhe njohuritë e nxënësve 15-vjeçarë, vlerësoi në vitin 2015, se të rinjtë shqiptarë janë analfabetë funksionalë në matematikë rreth 60%, nivel ky më i lartë se në rajon dhe padyshim edhe në vendet e tjera të BE-së.

Mësuesit në shkollat e mesme e pohojnë një situatë të tillë. Arta. K. jep prej 17 vitesh letërsinë në një nga gjimnazet e rajonit Tiranë-Durrës dhe duke bërë një krahasim me 10 vite më parë, ajo pohon se cilësia ka rënë në mënyrë dramatike. Në vitin 2006-2007, ajo nxori një nga maturat me rezultatet më të larta në vend. Nga 80 nxënës që dhanë provimin e maturës në vitin 2007, 13 rezultate ishin me notën 10, teksa u morën mbi 30 nënta. Vitin e kaluar, tha ajo, numri i maturantëve ishte mbi 100, por janë marrë vetëm 3 dhjeta dhe 13 nënta. Arta thotë se pas rezultateve të dobëta ka një dekurajim shumë të madh për vijuar studimet e larta. “Nga esetë dhe testimet që bëjmë, 90% e maturantëve kërkojnë të largohen nga vendi, shumë pak dëshirojnë të vijojnë studimet e larta.

Dëshira për t’u larguar nga vendi po e çon sistemin në kolaps, i cili është larg zgjidhjeve për të rikthyer shpresën. Profesor Zylyftar Bregu, i cili prej disa vitesh jep leksione në degën e gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, është i shqetësuar për tendencën në rritje të dëshirës për emigracion. Edhe pse gazetaria nuk është nga ato profesione që ushtrohen jashtë vendit, Bregu tha se 50% e studentëve të tij dëshirojnë të emigrojnë.

Gjysma e studentëve në arte dhe ekonomik, braktisen bujqësia dhe turizmi

Në vend që të orientohen në degë që përafrohen me nevojat e tregut të punës, studentët shqiptarë gjithnjë e më shumë zgjedhin të studiojnë në degë që tashmë ka mbingopje.

Në vitin 2016, numri i studentëve që u regjistruan për studimet e larta në shkencat humane dhe artet u rrit me 80%, ndërsa degë që kanë lidhje me sektorët në zhvillim, të tilla si bujqësia dhe shërbimet, pësuan rënie.

Sipas të dhënave të INSTAT, më shumë se 17 mijë të rinj në vitin 2016 zgjodhën artet dhe shkencat humanitare për studimet e larta në raport me 9 mijë studentë që ndoqën këto degë në vitin 2012. Nga ana tjetër, numri i studentëve në degët që kanë lidhje me bujqësinë ra me 25%, nga 5147 studentë në vitin 2012, më 2016 ishin vetëm 2250. Rënie të madhe, me rreth 53%, shënoi edhe numri i studentëve që zgjodhën degët që kanë lidhje me shërbimet.

Por, për shkak të perspektivës, qeveria shqiptare ka parë me prioritet zhvillimin e sektorëve të bujqësisë dhe turizmit, për shkak se hapësirat për rritjen e tyre janë ende të mëdha, ndërsa këto dy degë vuajnë mungesën e njerëzve të shkolluar. Ministria e Bujqësisë dha alarmin pak ditë më parë se profesioni i agronomit është në zhdukje, teksa miratoi një ligj të posaçëm për ta kategorizuar në listën e profesioneve.

Shqipëria numëron 14,200 bare dhe 3,965 bare- restorante, por personeli që punon në këto struktura nuk ka shkollimin përkatës. Eksperti Mehmeti mendon se cilësia e dobët e shërbimeve në hotelet dhe baret shqiptare është një nga arsyet kryesore që po mban peng zhvillimin e turizmit.
Në raport me totalin e studentëve në auditorë, ata që ndjekin shkencat humanitare, biznes dhe financë, përbëjnë mbi 50%, teksa të rinjtë që studiojnë në degët e inxhinierisë zënë vetëm 12.3% të totalit të studentëve. Nga ana tjetër, studentët që ndjekin degët që kanë lidhje me bujqësinë dhe turizmin përbëjnë vetëm 7.2% të totalit.

Oferta për punë 40% në fason, punëkërkuesit me arsim të lartë

Treguesit zyrtarë, edhe pse nuk përfaqësojnë zhvillimet reale në tregun e punës, tregojnë zhbalancimin e madh midis ofertës për punë në raport me kërkesat që kanë të papunët. Shërbimi Kombëtar i Punësimit raportoi se në vitin 2016 grumbulloi nga bizneset rreth 39 mijë oferta për punë.

Nga këto, mbi 40% ishin kërkesa të sektorit fason, 16% ishin për sektorin e telekomunikacionit, 9% për aktivitetet e shërbimit dhe pjesa tjetër përbëhej nga kërkesa në sektorët e energjisë, shërbimeve dhe aktiviteteve profesionale.

Punëkërkuesit e papunë, të regjistruar në zyrat e punësimit në vitin 2016, ishin 93 mijë, ose më shumë se dyfishi i vendeve të lira që kanë deklaruar bizneset në zyrat e punësimit. Mospërputhja e ofertës dhe kërkesës për punë është e gjithanshme. Nëse në kategoritë e zanatçinjve, teknikëve të mesëm dhe specialistëve me arsim të lartë, oferta mbulon 55% të punëkërkuesve, për profesionet elementare mbulohet vetëm 17%, ndërsa për punëkërkuesit pa profesion që janë rreth 10% e totalit të punëkërkuesve nuk ka asnjë ofertë për punë.

Por teksa oferta dhe kërkesa për punë bashkohet në disa pika në Qarkun e Tiranës dhe Durrësit, në qarqet e tjera, situata është dramatike. Kërkesës së lartë për punësim nuk i përgjigjet oferta për punë. Shifrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit tregojnë se në qarqet e Kukësit, Dibrës, oferta për punë nuk përmbush as 3% të kërkesës për punësim. Ky zhbalancim po zbraz qytetet shqiptare, popullsia e të cilave po ikin në emigracion ose po vijnë drejt qendrës së vendit. Eksperti Ndriçim Mehmeti e lidh kaosin në tregun e punës me mungesën e orientimit të qeverisë. Ai thotë se ka disa zanate që lidhen me politikat e zhvillimit të qeverisë.

Nëse qeveria vendos të zhvillojë industrinë e çimentos dhe materialeve të ndërtimit në një zonë të caktuar, i duhet më pak se një vit për të aftësuar forcën e punës. Kjo realizohet me intershipe, një model që zbatohet kudo në botë. Kompania mund të ofrojë kualifikime falas për punonjësit për një periudhë deri në vit, ndërsa qeveria duhet ta lehtësojë atë nëpërmjet subvencioneve dhe pagesës së sigurimeve për punonjësit në praktikë, thotë Mehmeti.

Kurset e kualifikimit të shpejtë zgjidhin kërkesën që ka në një moment tregu i punës. Por, sipas tij, problemi në Shqipëri qëndron te qeveria, e cila nuk e di se çfarë sektori do të zhvillojë me prioritet dhe që ka politika nxitëse për bizneset që ofrojnë trajnime dhe intershipe.

Ofertat për punonjës me arsim të lartë, 25% rënie në një vit

Orientimi i ekonomisë drejt sektorëve që nuk kërkojnë kualifikim të lartë (si fasoni dhe ndërtimi) kanë ulur ofertën për punë me kualifikim të lartë. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2016, kërkesa e bizneseve për të rekrutuar punonjës me arsim të lartë dhe teknikë të mesëm ra me 25% në raport me vitin 2015. Hendeku mësohet të jetë thelluar më 2017.

Në zyrat e punës janë regjistruar si punëkërkues 5336 persona me arsimin e lartë, por oferta për këtë kualifikim ishte vetëm 2517 persona. Eksperti Mehmeti thotë se, shumica e ofertave për punë me arsim të lartë janë për pozicione që i mbulon arsimi profesional. Bie fjala një punonjës kase në bankë nuk ka pse të jetë me shkollë të lartë, ashtu si dhe një llogaritar mund ta bëjë një person me arsim të mesëm. Instalimet elektrike në pallat mund t’i bëjë një teknik i mesëm, por në fakt biznesi kërkon arsimin e lartë që jo domosdoshmërisht vlen për të gjitha vendet e punës.
Disbalanca më e madhe ndërmjet kërkesës dhe ofertës për punë qëndron te profesionet elementare (punëtor krahu, për ndërtim, pastrim dhe bujqësi).

Për këtë lloj pune janë regjistruar 42 mijë kërkesa, kur bizneset ofrojnë vetëm 7000 mijë pozicione. Kërkesa dhe oferta përfarohen disi për zanatçinjtë, por disbalancimet gjeografike sjellin mospërputhje edhe në këtë grup. Mbi 9 mijë persona nuk kanë asnjë profesion dhe kërkojnë punë, por ndaj tyre ofrohen vetëm 41 pozicione pune. Tregu i punës duket se ka rënë në rreth vicioz, teksa bizneset ankohen se nuk kanë gjetur profesionistë, kurse punëkërkuesit pretendojnë se nuk ofrohen mundësitë. Përvojat tregojnë se një popull i mirarsimuar krijon një treg të aftë pune.

Por në Shqipëri, modeli ekonomik është i orientuar ndaj sektorëve me vlerë të ulët të aftësive, çka po dekurajon të rinjtë të thellojnë njohuritë e tyre në profesione me vlerë të lartë. Ndërsa biznese të veçanta pohojnë se, forca e kualifikuar e punës po i pengon ata të zgjerohen në linja që kërkojnë kualifikim.

Popullata që ndjek arsimin ra më 17% në pesë vite

Në vitin akademik 2016-2017, numri i nxënësve dhe në arsimin fillor, të mesëm dhe universitar ra me 17%. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017 ishin në proces arsimimi 596 mijë persona ose 20% e popullatës së përgjithshme.

Në vitin 2012 ishin në bankat e shkollës dhe universitete mbi 719 mijë persona, ose rreth 24% e popullatës së përgjithshme. Rënia më e madhe shihet në studimet e larta me rreth 20% dhe në arsimin e mesëm me mbi 17%.

Nivelet e larta të emigracionit të popullatës, ku në gjashtë vitet e fundit llogaritet të kenë ikur nga vendi më shumë se 350 mijë persona kanë dhënë ndikim kryesor. Kjo ecuri, e cila pritet të përkeqësohet për shkak të rënies së numrit të lindjeve, do të krijojë vështirësi të reja për tregun e punës.

Pjesa e fëmijëve nën moshën 15 vjeç nga mbi 29% në vitin 2001 ra në 18% në vitin 2017, ndërsa pjesa e personave që i përkisnin moshës 65 vjeç e sipër u rrit nga 7.5% në vitin 2001 në 13.8% në 2017. Pjesa e popullsisë në moshë pune parashikohet të rritet deri në vitin 2020, dhe më pas pritet rënie. Kështu, një numër më i vogël njerëzish do të duhet të mbulojnë grupe gjithnjë e më të mëdha të moshuarish, duke paraqitur një numër sfidash në arsim, tregun e punës dhe në politikat sociale.

Projeksionet arsimore tregojnë se numri i nxënësve që pritet të regjistrohen në arsimin e mesëm (Klasa 10) do të zbresë nga 60,139 (për grupin e personave të lindur në vitin 1998) në 39,612 (për ata të lindur në vitin 2005). Një dokument strategjik për arsimin profesional 2014-2020, referon se, për shkak të zhvillimeve demografike, shkollat profesionale do të përballen me rënie të numrit në masën 55% midis viteve 2013 dhe 2020. Në vitin arsimor 2016-2017 u regjistruan në shkollat profesionale 20,981 nxënës, me një rënie të lehtë nga viti 2015-2016.

Shpërbëhet formimi profesional

Në vitin 2014, Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mirëqenies Sociale në atë kohë, Erion Veliaj, shpallën fushatën për nxitjen e arsimit profesional. Gati gjyma e qeverisë mori pjesë në përurimin e Qendrës më të madhe të Formimit Profesional në Tiranë, përballë Ministrisë së Punës, godina e njohur ish-Lidhja e Shkrimtarëve. Qeveria Rama shpalli si target për të çuar deri në fund të mandatit në arsim profesional rreth 40% të nxënësve që ndjekin arsimin e mesëm.

Por që nga ajo ditë, zhvillimet kanë shkuar në të kundërt të objektivit. Arsimi profesional në pesë vite ka ndryshuar varësinë tre herë, duke u zhvendosur nga Ministria e Arsimit në atë të Punës dhe tani në atë të Financave. Në Qendrën e madhe të Formimit Profesional tani janë zyrat e ONM (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit) për vetting-un.
Pas pesë vitesh nxënësit që ndjekin arsimin profesional janë 24% e atyre që ndjekin, kundrejt objektivit 40% të qeverisë. Ndërsa nota mesatare në nivelin 6, sipas të dhënave zyrtare, nuk është shumë shpresëdhënëse për profesionet dhe zanatet TIK dhe mekanikës.

Ekspertët rekomandojnë: Modelet e kopjuara në arsim nuk vlejnë

Modeli që Shqipëria ndjek për arsimin është një kaos gati i organizuar me kopjime copa-copa dhe kurrikula që nuk mund të zbatohen dhe as nuk i vlejnë kushteve të zhvillimit të Shqipërisë. Eksperti Mehmeti thotë se aktualisht, modeli më i mirë i sistemit arsimor që përputhet me nevojat e tregut të punës është Gjermania. Por Shqipëria nuk e zbaton dot këtë model, për shkak të mungesës së infrastrukturës njerëzore dhe materiale. Një sistem i tilla kushton dhe Shqipëria nuk mundet ta zbatojë.

Nga ana tjetër, profesor Dhori Kule thotë se, një strategji e qartë për zhvillimin ekonomik është drejtimi më i mirë për të lidhur sistemin arsimor me nevojat e tregut të punës. Qeveria gjermane ka studiuar forcën e punës dhe perspektivat e zhvillimit në të gjitha vendet në zhvillim të Europës. Jo rastësisht kancelarja Merkel, në vizitën e saj në Shqipëri, përmendi si sektorë prioritarë, turizmin dhe energjinë, – tha ai.

Mehmeti thotë se ka disa sektorë në Shqipëri të cilët nuk kërkojnë kualifikim, por që në fakt vuajnë mungesën e thellë të njohurive. I tillë është turizmi. Formimi dhe edukimi profesional nuk garantojnë cilësi, teksa baret dhe restorantet janë një punëdhënës i madh në vendin tonë. Ai merr si shembull Shkollën e Hotelerisë dhe Turizmit “Antonio Athanas” në Sarandë. Një qytet që ka me qindra bare dhe restorante, por shumica e atyre që punojnë kamerierë dhe banakierë nuk e kanë mbaruar shkollën për këtë punë.

Një kamerier në këtë zonë duhet të zotërojë dy-tre gjuhë të huaja, teksa cilësia e dobët në shërbim largon edhe shqiptarët për pushime drejt Greqisë. Më shumë se ushqimi dhe çmimet e larta, njerëzit janë të pakënaqur me cilësinë e shërbimit thotë Mehmeti. Këtu ka një hendek të qartë që duhet përmbushur dhe mundësitë janë.

Sektori publik në Tiranë ka një hendek në edukimin e hershëm prej 2000 vetash kryesisht në personel në kopsht dhe çerdhe. Ky personel përgatitet për tre vite dhe është emergjencë për kryeqytetin. Kërkesat për shërbime të certifikuara në servise makinash janë shtuar. Gjithashtu, shërbimet e kujdestarisë për fëmijët e vegjël dhe moshat e treta. Personeli për këtë profesion përgatitet shpejt, teksa tregu po shfaq kërkesë në rritje për punë të tilla.

E vërteta është se sot, në Shqipëri nuk gjen servis për makinën të certifikuar, hidraulik të besueshëm. Po nuk plotësuam kërkesën që ka aktualisht tregu për profesionet e thjeshta e kemi shumë të vështirë të zhvillohemi në sektorët me njohuri të avancuara, – tha Mehmeti. Por profesor Dhori Kule thotë se, orientimi i modelit vjen nga strategjitë shumëvjeçare të zhvillimit dhe jo nga politikat e momentit.

Shkaku kryesor i papunësisë së madhe ndër të rinjtë e Ballkanit është cilësia e dobët e sistemeve të arsimit, të cilat nuk prodhojnë shkathtësi dhe njohuri që përputhen me kërkesën për punë. Në këtë kontekst, politikat për rritjen e konkurrencës së ekonomisë dhe tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte (FDI) janë të vështira për t’u arritur, analizon Banka Botërore në lidhje me sistemet arsimore në vendet e Ballkanit Perëndimor. Vrojtimet kanë gjetur se, cilësia e dobët e arsimit është gjithashtu pasojë e mungesës së marrëdhënieve formale ndërmjet shkollave dhe kompanive.

Megjithëse legjislacioni siguron një bazë dhe kërkesë që shkollat të komunikojnë dhe të koordinojnë hartimin e kurrikulave të tyre me bizneset dhe prindërit përmes këshillave trepalëshe, në praktikë kjo nuk ndodh. Është e vështirë të sigurohet praktika me cilësi të lartë për studentët, gjë që nganjëherë arrihet përmes vullnetit të mirë të stafit mësimdhënës dhe menaxherëve të kompanive.

Në anën tjetër, punëdhënësit shpesh nuk janë të interesuar të bashkëpunojnë me shkollat. Punonjësit i gjejnë në kanale joformale, siç janë lidhjet me miqtë dhe të afërmit, sesa nëpërmjet një procesi rigoroz përzgjedhjeje. Prandaj, shkollat nuk kanë informacion për avancimin e nxënësve në tregun e punës dhe në këtë mënyrë, nuk janë në gjendje të fusin kurrikula të reja shkollore në bazë të nevojave të tregut të punës. Në të njëjtën kohë, punëdhënësit nuk janë të gatshëm të përballojnë koston e trajnimit fillestar të stafit të ri, ndërsa qeveritë nuk kanë politika për nxitjen e punësimit.

Një pengesë e madhe me të cilën ballafaqohen studentët në tranzicionin e tyre nga arsimi i lartë në tregun e punës është mungesa e përvojës, e cila vlerësohet shumë nga punëdhënësit gjatë rekrutimit.
Sipas analizës së Bankës Botërore, në 100 studentë të rinj që hyjnë në sistemet e arsimit të lartë në një vit, vetëm 13 diplomohen dhe gjejnë një punë të përshtatshme.

Kjo tregon nivelin e ulët të efikasitetit të sistemeve të arsimit të lartë në Ballkan. Në mënyrë që sistemet e arsimit të lartë të japin një kontribut më të mirë në ndërtimin e kapitalit njerëzor dhe në rritjen e ekonomisë, nevojiten reforma domethënëse të sistemeve të arsimit të lartë dhe tregut të diplomuar të punës, dhe duhet të inkurajohet bashkëpunimi më i mirë ndërmjet punëdhënësve dhe shkollave.

Banka Botërore lajmëron se të gjitha llojet e boshllëqeve të aftësive pritet të rriten në të ardhmen. Rritja më e madhe e pritur në boshllëqet e aftësive është në aftësitë analitike dhe vendimmarrëse. Banka rekomandon reformë thelbësore në kurrikula dhe përmirësime të mëdha nën cilësinë e mësimdhënies. Qeveria duhet të nxisë programet e trajnimit për të stimuluar produktivitetin e edukatorëve dhe mbi një ndërlidhje shumë më të ngushtë midis institucioneve arsimore dhe sektorit të biznesit.

Papunësia në Ballkan, shkak arsimi i dobët Read More »

“Droga e kristaltë”, produkti i ri i shqiptarëve që po çmend policinë franceze

Trafiku i drogës nga grupet shqiptare në Francë, Belgjikë e Holandë është një çështje që ka tërhequr vëmendjen e televizionit francez TF1. Një investigim i televizionit rreth këtij fenomeni, flet për një metodë të re që ndjekin grupe kriminale shqiptare, por edhe ato turke.

Nga veriu i Francës nevojiten më pak se dy orë udhëtim në autostradë për të arritur në Holandë. Duke qenë se nuk ka as kontrolle kufitare, trafikantët bëjnë njëkohësisht transportin dhe “promovimin” e drogës.

“Ata (trafikantët) kërkojnë për turistë francezë që udhëtojnë drejt Amsterdamit. Metoda e tyre është kjo: Gjatë udhëtimit me makina me shpejtësi të lartë, dalin nga dritarja e mjetit dhe propozojnë një katalog të tërë të drogës. Këta janë ndihmësit e grupeve shumë të fuqishme mafioze shqiptare dhe turke”, thotë televizioni francez TF1.

Sipas investigimit, trafikantët udhëtojnë me makina të shpejta duke u dalë përpara udhëtarëve të tjerë, të cilëve u tregojnë në ecje e sipër llojet e drogërave që ata disponojnë. Nuk mungojnë as shpejtësitë e larta për t’u shpëtuar ndjekjeve nga policia.

Kjo metodë e re e grupeve kriminale që promovojnë drogën në autostradë, ka bërë që autoritetet franceze, holandeze dhe belge të vendosin patrulla të veçanta nëpër këto autostrada në kufijtë mes këtyre tre shteteve, ku dihet se ka një prezencë të madhe të trafikantëve shqiptarë.

Një hetim disa mujor i forcave speciale të këtyre vendeve zbuloi se është krijuar një lloj droge e re tepër e rrezikshme. Sipas hetimeve rezulton se këto grupe kanë ngritur një laborator për prodhimin e një droge të veçantë në një fshat të Holandës.Ky produkt është etiketuar si “droga e kristaltë”, një drogë sintetike jashtëzakonisht e dëmshme. Televizioni francez TF1 thotë se këto grupe kriminale janë frymëzuar nga seriali amerikan “Breaking Bad” për krijimin e kësaj droge sintetike. Sipas të dhënave të siguruara, kjo lloj droge ka hyrë në sasi të mëdha në Francë. 

“Droga e kristaltë”, produkti i ri i shqiptarëve që po çmend policinë franceze Read More »

“Prag lufte”, ministri grek i Mbrojtjes i jep mesazh të fortë Turqisë

“Aktualisht, Turqia po provokon, shkakton tensione dhe sillet me mendjemadhësi dhe nuk respekton të drejtën ndërkombëtare në rajon. Ne jemi të bashkuar për t’u përballur me sfidat me qetësi dhe me vendosmëri”, tha ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos, teksa ka folur per situaten me te fundit te krijuar ne Qipro.

Ai ka dhene mesazhe te qarta se Greqi nuk ben asnje leshim kur vjen fjala per te mbajtur te bashkuar popullin.

“Eshtu detyra e të gjithëve ne për të bashkuar popullin grek. Ne kemi aftësinë per ta bere, kur kombi është në rrezik të jemi me te bashkuar se kurre”- tha ai, duke kujtuar edhe ate qe e ka quajtur gabimi i madh me Qipron.

“Një nga premtimet e para që kam bërë kur kam marrë përsipër Ministrinë e Mbrojtjes eshte qe së bashku me ish homologun e Qipros, me të cilët kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, te bashkepinojme dhe unë jam i sigurt se kjo do të vazhdojë me ministrin aktual i Mbrojtjes. Ne do punojme per te rivendosur nderin dhe reputacionin e heronjve”-tha ai.

Ministri grek i Mbrojtjes ngre alarmin: Jemi në prag lufte me Turqinë

Greqia dhe Turqia prej disa muajsh janë në një luftë të ashpër me njëra-tjetër. Forcat ushtarake kanë pasur përplasje me njëra-tjetër disa herë, por lufta e madhe ende nuk ka nisur edhe pse është në prag.

Në një intervistë dhënë për francezen “Liberation”, ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, foli për tensionet mes dy vendeve, dukë thënë se Turqia po provokon me agresione ushtarake.

“Jemi shumë pranë një incidenti fatal me Greqinë. Ne jemi të detyruar të mbrojmë territorin tonë, që nuk është territor vetëm i Greqisë, por është territor i Bashkimit Europian.”, ka qenë kjo deklarata e fortë e Kamenos.

Pak javë pas vizitës së Erdogan në Athinë më 7 dhjetor, tensionet u ndezën edhe më shumë, për të kulmuar me disa përplasje të anijeve ushtarake në Egje dhe rastin e dy ushtarëve grekë që mbahen të burgosur nga Turqia.

“Prag lufte”, ministri grek i Mbrojtjes i jep mesazh të fortë Turqisë Read More »

Dollarët ruso-amerikan. Prokuroria, gati fletëthirrjen për Lulzim Bashën

Hetimet e Prokurorisë për akuzat e bëra nga PS dhe Edi Rama në lidhje me financimet ruse në drejtim të PD, për llogari amerikane, kanë filluar dhe ishte Arben Ristani sekretar i përgjithshëm i selisë blu që ka dëshmuar i pari.

Prokuroria ka sekuestruar edhe shkrimin e revistes amerikane “Mother Jones” dhe po heton  nëse  kishte pagesa të tjera?

Gjatë negociatave Lulzim Basha ishte  vetëm apo dikush tjetër negocioi në emër të tij? A ka të tjerë brenda Partisë Demokratike që janë në dijeni të këtij pazari?

A janë përdorur gjatë fushatës para të tjera me prejardhje ruse? Çfarë u premtoi Basha rusëve në këmbim?

Në këto drejtime janë përqëndruar hetimet e prokurorisë. Por burime nga ky organ thonë se është firmosur fletëthirrja për Lulzim Bashën i cili duhet të dëshmojë para prokurorëve. Nuk ka konfirmim nëse do të thërritet edhe kryeministri Rama.

Dollarët ruso-amerikan. Prokuroria, gati fletëthirrjen për Lulzim Bashën Read More »

Super aksion, goditet grupi kriminal; Policia: 9 të arrestuar

Goditet grupi kriminal me 16 anëtarë në disa qytete, në fushën e falsifikimit të dokumentave dhe favorizimit të migracionit të paligjshëm.

Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, Drejtoria Vendore e Policisë Fier në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, gjatë ditës së sotme kanë realizuar goditjen e një tjeter grupi kriminal me 16 anetarë në fushën e falsifikimit dhe favorizimit të emigracionit të paligjshëm.

Mbi bazën e materialeve të referuara nga Strukturat për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finanaciar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, regjistroi procedimin penal në vitin 2017, për veprat penale “Falsifikimit te dokumentave”, “Falsifikimi i monedhave”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” në ngarkim të disa personave të dyshuar për këto vepra penale.

Pas një hetimi disa mujor të kryer nga strukturat e Task Forcës në Drejtorinë Vendore të Policisë dhe Prokurorisë Fier, nëpërmjet përdorimit të metodave speciale të hetimit, në bashkëpunim dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u bë i mundur të finalizohet me sukses operacionin policor i koduar “PAGESA E FUNDIT”.

Të arrestuarit

Jetnor Hoxhaj, 42-vjeç, banues në Fier
Eris Koliçi, 28-vjeç, banues në Fier
Xhevahir Myrtaj, 53-vjeç, banues në Fier
Artan Haxhiu, 33-vjeç, banues në Fier
Kostaq Papa, 31-vjeç, banues në Sarandë
Enton Lahollari, 37-vjeç, banues Pogradec
Artan Hasani, 48-vjeç, banues në Tiranë
Barjam Hoxha, 57-vjeç, banues në Kuçovë

Po hetohen në gjendje të lirë

A.H, 62-vjeç, banues në Fier
A.N, banues në Fier
I.S, 48-vjeç, banues nëTiranë
D.S, 32-vjeç banues në Durrës
P.B, banues në Fier
I.G, banues në Fier

U shpallën në kërkim 

S.P, 41-vjeç, banues në Fier
V.Gj, 65-vjeç, banues në Korçë

Shtetasit S.P, Jetnor Hoxhaj, Eris Koliçi, A.H, Xhevair Myrtaj, Artan Haxhiu dhe A.N, të gjithë banues në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prej vitit 2017, ushtronin aktivitetin kriminal në fushën e falsifikimit të monedhave, falsifikimit të dokumentave shkollorë, dokumentave të gjendjes civile, të pasaportave, dokumentave të emigrimit dhe të qëndrimit në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, Kanada, Mbretëri e Bashkuar, Irlandë etj.

Keta shtetas u merrnin pororsi për pajisjen me dokumenta te falsifikuar, personave të ndryshëm me banim në Fier, Lushnje, Mallkastër, nga Qarku i Beratit, Korçës, Vlorës, kundrejt pagesave që varionin nga 600 Euro deri 12,000 Paund.

Porositë mereshin për të nxjerrë dokumente shkollor, pasaporta, leje qendrimi, leje drejtimi, qarkullim të monedhave të falsifikuara, dokumente të falsifikuara për në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.

Shtetasi S.P. dhe Jetnor Hoxhaj pasi i merrnin këto porosi, nëpërmjet shtetasve Eris Kolici dhe A.H, i dërgonin me automjete të ndryshme të transportit të udhëtarëve si furgona, taksi, autobuza për në Tirane te shtetasi Artan Hasani, i cili merrej me prodhimin e tyre.

Dy-tre ditë pasi prodhoheshin këto dokumenta në Tiranë, shtetasi Artan Hasani i niste në të njejtën rrugë për në Fier, ku dilnin dhe i prisnin shtetasit Eris Kolici dhe A.H, të cilët sipas porosive të shtetasit S.P. dhe Jetnorit ua shpërndanin personave që kishin porositur.

Në lidhje me këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Fier, në datën 10 mars 2018 ka dhënë masën e sigurimit “Arrest me burg” dhe “Detyrim paraqitje” pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin dyshohet se kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumentave” , “Falsifikimi i monedhave”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” të parashikuar nga nenet 186/2, 183/2 dhe 189/2 të Kodit Penal.

Për të gjithë shtetasit e mësipërm ka filluar hetimi pasuror në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. Po gjatë operacionit janë sekuestruar prova të shumta materiale, të cilat për arsye hetimi nuk i bëjmë me dije. Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij grupi.

 

Super aksion, goditet grupi kriminal; Policia: 9 të arrestuar Read More »

Agjentë gjermanë dhe zvicerianë të antidrogës zbarkojnë në Tiranë?

Kanë mbërritur prej më shumë se një jave në Tiranë dy grupe të anti-drogës zvicerane dhe gjermane.

Lëvizja e tyre është bërë pas sinjaleve se kokaina e kapur në Durrës kishte pikë fundore dy shtetet. Pritet që këto ditë të zhvillohet një maksioperacion në disa vende për të kapur pronarët realë të kokainës.

Siç mësohet, operacioni kryesor do të zhvillohet në Shqipëri dhe në Kosovë, ku ka dyshime për bosët se kanë bazat e tyre dhe “punishtet” ku droga e rëndë ndahet dhe përpunohet për t’u dërguar në Perëndim.

Operacioni nuk do të zhvillohet vetëm në Tiranë por edhe në 12 qytete të tjera në veri dhe në jug të vendit. Njëkohësisht policia e Kosovës do të kryejë operacione në Prizren, si dhe në pjesën e Rrafshit të Dukagjinit, nga ku mendohet se fshihen pronarët e tjerë të kokainës.

Sepse bëhet fjalë për grupe që jo vetëm bëjnë eksportin e importin e kokainës, por dhe tregun e shpërndarjes në disa vende të Bashkimit Europian, si edhe në Zvicër.

Në kohën e heroinës grupet shqiptare me ata kosovare janë përplasur shumë dhe shpeshherë, por hyrja e kokainës në lojë që kishte fitime të mëdha ka krijuar aleanca të mëdha dhe të reja mes aktorësh të rinj, raporton “Tesheshi”.

Është kryer ajo që Saviano e paralajmëroi si “bashkimi kombëtar i krimit”, nga “togerët” që kanë qenë ushtarë të thjeshtë; por duke punuar si shpërndarës e njohën mirë tregun, klientelën dhe nevojën për të qenë së bashku. Pikërisht qënia e tyre të rinj dhe të panjohur ka penguar policitë europiane që t’i njohnin më mirë.

Kështu që kohët e fundit, edhe agjencitë ligjzbatuese kanë vendosur që të marrin masa që t’u kundërpërgjigjen këtyre zhvillimeve të reja në gjirin e krimit të organizuar.

Europol, që është zyra qendrore e policive të BE-së për të koordinuar luftën ndaj drogës, ka emëruar si kreun e saj një oficere belge, e cila është marrë gjatë dhe e njeh mirë mafian shqiptare që vepron kryesisht në qytetin e Andverpen-it, Brukselit dhe Liezhit.

Catherine De Bolle, u emërua nga ministrat e Brendshëm të 27 shteteve të BE-së, një ditë pas Festës së Gruas, më 9 mars. De Bolle u emërua si drejtoreshë e Europolit pasi qëndroi 6 vjet në krye të policisë së Belgjikës.

Në këtë detyrë ajo ka drejtuar disa nga operacionet për kapjen e dy prej grupeve shqiptare të trafikut që ishin të lidhur me të ashtuquajturin “Escobar të Ballkanit”, Klemend Balilit.

Agjentë gjermanë dhe zvicerianë të antidrogës zbarkojnë në Tiranë? Read More »

Transporti i parave, zbardhet udhëzimi i ri nga Ministri Xhafaj

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, nxjerr udhëzim të ri se si do të bëhet trasnporti i parave nga bankat e nivelit të dytë nëpërmjet Shoqërive Private të Sigurisë Fizike. Ligji ndalon për herë të parë që mbajtjen e aparatave celularë gjatë trasportit të parave, si dhe cakton si moshë maksimale 55-vjeç qëndrimin në detyrë.

Nisur nga numri i lartë i grabitjeve të autoblindave që shoqërojë vlerat monetare të bankave të nivelit të dytë, gjatë viteve të fundit, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka nxjerrë një udhëzim të ri se si do të bëhet transporti parave nga Shërbimi Privat i Sigurisë Fizike.

Ligji është i detyrueshëm për të gjithë subjektet private dhe prej së premtes është publikuar edhe në Fletoren Zyrtare. Për herë të parë udhëzimi, ndalon në mënyrë kategorike mbajtjen e aparateve celularë të punonjësve të policisë private.

”Përgjegjësi i eskortës së shoqërimit, para lëvizjes së eskortës për transportimin e vlerave monetare, ndalon mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve të komunikimit privat (celular) të punonjësve të SHPSF-së, përveç atyre të miratuara për transportimin e këtyre vlerave”.

Gjithashtu, është përcaktuar moshës maksimale të qëndrimit në punë të një efektivi privat si, edhe numrin e automjeteve të blinduara që mund të ketë një subjet për të fituar licencën e transportit të vlerave monetare.

“Punonjësit e shërbimit të SHPSF-së që ruajnë dhe sigurojnë objekte të sektorit bankar, të jenë deri në moshën 55-vjeç. Numri i mjeteve të blinduara që duhet të ketë një subjekt i SHPSF-së i pajisur me licencë të nënkategorisë 1.3.B, që merret me transportin e vlerave monetare të bankave të nivelit te dytë për të ushtruar veprimtarinë, duhet të jetë jo më pak 6 (gjashtë) mjete”.

Ky ligj klasifikon dhe llojin e blindave që duhet të përdoren për transportin e parave ku janë 7 modele nga kategoria A në F.

Siguri maksimale ligji ka parashikuar kur transportohen para me vlerë mbi 4 milion euro. Sipas udhëzimit të ri, duhet që eskorta të përbëhet nga 3 autoblinda dhe sistem bllokimi motorik. Gjithashtu duhet të jenë jo më pak se 7 punonjës shoqërimi të policisë private, të cilët janë të pajisur me armatim, por kanë edhe të drejtë të hapin zjarr nëpërmjet frëngjive të përshtatura në blind.

Këto masa vijnë pas ngjarjeve të bujshme të viteve 2015-2017, ku nga blindat që trasportonin para u grabiten rreth 12 milion euro.

Transporti i parave, zbardhet udhëzimi i ri nga Ministri Xhafaj Read More »

Thirrje e Bashkise se Vlores per cdo qytetar Vlonjate …

Të festojmë sëbashku Ditën e Verës më 14 Mars në Pedonale, eshte kjo thirrja qe Bashkia Vlore i ka drejtuar cdo qytetari vlonjate, por jo vetem, cdo kush mund te festoj diten e veres ne qytetin e Vlores, duke shijuar atmosferen festive qe do te krijoj Bashkia Vlore ne sheshin Pedonale.

Fotografia e ONETV VLORA

Sipas burimeve nga Bashkia Vlore pritet qe ne kuader te kesaj feste te kete nje axhende me aktivitete te shumta plot ngjyra me personazhe,argëtim dhe lojëra…

 

Thirrje e Bashkise se Vlores per cdo qytetar Vlonjate … Read More »