Lajmi i fundit

Task Forca u rikthen qytetarëve mbi 14 plazhe publike

Taskforca për Turizmin e Prefektures së Qarkut Durrës ka vijuar aksionin e saj në plazhin pranë Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit për të liruar plazhet publike të zaptuara nga sipërmarrësit privat. Aksion ky që është vlerësuar edhe nga pushuesit dhe banorët e zonës.

Aksioni Taskforcës i mbështetur dhe nga Policia e Shtetit, u fokusua në dy zona: te Shkëmbi i Kavajës dhe zona e Golemit, ku u liruan katër hapësira publike të zaptuara, ndërsa më herët aksioni është shtrirë në të gjithë vijën bregdetare nën jurisprudencën e Prefekturës së Durrësit, duke nisur nga Gjiri i Lalëzit e duke vijuar deri në kufi me Kavajën.

Gjatë vëzhgimit të bërë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, qytetarët u shprehën pozitivë ndaj nismës së kësaj Taskforce. “Kam 15 vite që bëj plazh në këtë zonë dhe në fillim kemi pasur një rrip plazh publik, por tani ishte zhdukur”, tha ajo. “Sot bashkia erdhi dhe e hapi. Ne kemi shtëpinë këtu. Pse duhet të paguaj shtratin e plazhit, pse duhet të paguaj. Kur kam shtëpinë këtu, duhet të kem dhe vendin tim këtu në rërë”, tha një zotëri tjetër.

Përfaqësuesit e Bashkisë së Durrësit gjatë aksionit, teksa u përballnin me sipërmarrësit që kishin zaptuar plazhet publike, garantuan qytetarët se do respektohet ligji për hapësirën publike që u takon. Qytetarët dhe banorët e zonës pranuan se Bashkia edhe vitin e shkuar kishte reaguar në lidhje me të njëjtin fenomen. “Edhe vjet dhe sivjet jam i detyruar në bazë të ligjit të hap hapësirën e nevojshme për plazhin publik. Plazhi publik është pa pagesë, e ofron Bashkia, që ja jep banorëve”, garantoi nëndrejtori i Policisë Bashkiake i pranishëm në aksion.

“Unë kam shumë vite që vi këtu te Shkëmbi Kavajës. Sivjet paska bërë shumë ndryshime kryebashkiaku i Durrësit. Policia Bashkiake është prezentë dhe na qëndron pranë për çdo problematikë”, tha një zotëri që po ndiqte nga pranë aksionin e Taks-Forcës për bregdetin.

Ndërsa për ATSH, punonjësit e Policisë Bashkiake u shprehën se “jemi duke mbajtur në kontroll plazhet publike që ka liruar bashkia. Jemi këtu dhe ruajmë të gjitha këto plazhet dhe vrojtojmë dhe fenomenit e tjera”.

Qytetarët u shprehën mirënjohës për punën e bërë. “Ne e vlerësojmë punën e Policisë Bashkiake. Kjo Bashki ka ardhur edhe vitin e shkuar. Kemi qenë të shtrirë mbi njëri-tjetrin, kemi pasur konflikte mes nesh”, tha një zonjë tjetër aty pranë.

“Erdhi polica bashkiake liroi vendin. Mua më pëlqen veprimi”, thotë zotëria tjetër. Kam shtëpinë këtu dhe ndryshimet janë të mira”, vijon ai.

Oltsen Gripshi Koordinator i Taskforcës për Turizmin, Prefektura e Qarkut Durrës u shpreh se puna e bërë deri më tani do të vijoi deri në fund të sezonit veror. “Ky është një bashkëpunim i ndërsjellët mes institucioneve vendore dhe atyre qendrore bashkë me Task Forcën e kryesuar nga Prefekti i Qarkut. Jemi munduar të vendosim në veprim ligjin, duke krijuar dhe hapur plazhet publike. Kemi nisur që në mëngjes këtu në zonën e Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës për të krijuar hapësirat e mundshme për pushuesit vendas e të huaj. Sot u liruan 3-4 plazhe deri më tani. Në total janë mbi 13-14 plazhe publike të rikthyera te qytetarët. Pas një aksioni të ndërmarrë nga prefekti i Durrësit ka nisur një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike duke nisur nga Gjiri Lalëzit, duke vijuar te Plazhi i madh i Durrësit dhe tashmë në Shkëmbin e Kavajës dhe Golem”, tha Gripshi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare./atsh

Task Forca u rikthen qytetarëve mbi 14 plazhe publike Read More »

Meta: I gatshëm të shikoj 13 tetorin, por duhen zgjedhje përpara vendimit të BE për negociatat

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se, se është i gatshëm të shohë 13 tetorin si datë, por përpara datës 17-18 tetor kur merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave nga Këshilli i BE.

Duke folur për mediet nga Xhafzotaj në Durrës, Meta theksoi se, “Kryeministri e percepton ndoshta si datë tersi 13 tetorin dhe doja ta siguroja atë dhe të gjithë se e vetmja datë ndaj së cilës nuk kam asnjë mundësi të ndikoj dhe që është shumë e rëndësishme për shqiptarët, është 17-18 tetori, që do të vendoset për çeljen ose jo të negociatave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”.

Të gjithë ne”, theksoi Meta, “e kemi të qartë tani se me mik shumë të fortë vendimin për në qershor e shtymë për në tetor, për në vjeshtë, dhe është e domosdoshme të jemi të përgjegjshëm dhe të sinqertë para shqiptarëve, të paktën unë si president, por edhe zoti Rama si kryetar i qeverisë, natyrisht edhe zoti Basha si kryetar i opozitës. Se nëse përpara 17-18 tetorit, nuk do të arrijmë të organizojmë zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore, dhe të gjejmë formulë për kapërcimin e kësaj krize, provimi i vjeshtës është i pakalueshëm”.

“Në vend ta kishim gjetur këtë zgjidhje që në momentin e parë kur shfuqizova 30 qershorin, të paktën të mos humbasin asnjë sekondë nga sot e në vazhdim sepse 17-18 do iki e do vi 19 tetori, dhe shqiptarët në 19 tetor nuk duan të dëgjojnë justifikimet askujt për të zhvilluar ping-pongun e radhës së fajit. Është e qartë se e vetmja datë ku nuk ndikoj dot është 17-18 tetori. Jam fleksibël, meqenëse zotit Rama mund t’i ketë dalë ters në filxhan 13 tetori, që ta shikoj 13 tetorin, por përpara 17-18 tetorit. Unë po e pres me shumë durim, por edhe me shpresë për të dhënë një zgjidhje të përgjegjshme se përndryshe kjo krizë do të vazhdojë të përshkallëzohet dhe askush nuk duhet të mendojë se do të dalë me kosto zero, veçanërisht ata që kanë punuar me përkushtim për të gatuar këtë rrëmujë në Shqipëri”, tha Meta.

“Para 20 vjetësh Shqipëria ishte para Kroacisë. Ku është Kroacia sot? Ku është Shqipëria? Shqiptarët po ikin sikur të ishte viti ’90. Kush do mbajë përgjegjësi?! Jam shumë fleksibël për të ndryshuar datën 13 tetor, me që është perceptuar si ditë tersi. Por nuk kam në dorë të ndryshoj dot 18 tetorin. Kemi fut mik të fortë për të shtyrë provimin në vjeshtë, por s’çelen negociatat me qoka ndërkombëtarë”, deklaroi Meta.

Në lidhje me vendimet e gjykatave Meta tha se “çdo proces gjyqësor që vazhdon të zhvillohet është demonstrim i rrëmujëhanës që zhvillohet. Mungesë e respektit për Kushtetutën, keq zbatimi i qëllimshëm dhe i njëanshëm i ndryshimeve kushtetuese që u realizuan tri vete më parë. Me një qarkore u shpall inekzistent dekreti i Presidenti dhe u mblodh organizata socialiste në KQZ dhe u bë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor, dhe u bë rrëzimi i kërkesës së zotit Idajet si rrëzimi i dekretit të Presidentit. Por siguroj shqiptarët që nuk ka pasur zgjedhje të qytetareve, as zgjedhje kushtetuese në 30 qershor. Çdo ndërkombëtar që thotë që gomari fluturon, kjo mund të ndodhë në art dhe pikturë, por në Shqipëri e dimë që gomari nuk fluturon. Nuk është shqiponjë”, u shpreh Meta.

Meta komentoi edhe komisionin hetimor parlamentar të ngritur nga maxhoranca për shkarkimin e tij.

“S’kam asnjë shqetësim për asnjë komision hetimor, asnjë gjykatë, në Shqipëri apo në çdo institucion tjetër që ka juridiksion në Shqipëri. I vetmi shqetësim i imi është data 19 tetor. Çfarë do u themi shqiptarëve? Çfarë do u themi që e kishte fajin Edi apo fajin Luli dhe Mona. Çfarë do u themi që na gënjyen disa europian apo kështu na thënë disa amerikanë”, u shpreh Meta./atsh

Meta: I gatshëm të shikoj 13 tetorin, por duhen zgjedhje përpara vendimit të BE për negociatat Read More »

Gjykata e Vlorës i njeh mandatin e kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro

Gjykata e Vlorës i ka njohur mandatin kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, i cili zgjidhet për herë të tretë.

Vendimi u dha nga gjyqtari Skender Haluca, i cili mban dhe postin e kryetarit të Gjykatës së Vlorës.

Jorgo Goro kandidonte si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe i Aleancës për Shqipërinë Europiane në zgjedhjet e 30 qershorit, nga ku mundi të siguronte 4209 vota./atsh

Gjykata e Vlorës i njeh mandatin e kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro Read More »

Rama: Stop avazit të vjetër të shmangies së detyrimeve ndaj shtetit

Kryeministri Edi Rama shprehu sot keqardhjen për gjithë ata që vazhdojnë t’i shmangen detyrimeve ndaj shtetit, duke u përballur me pasojat, ndërsa ka nisur zbatimin plani operacional kundër informalitetit.

“Stop informalitetit. Keqardhje për këta njerëz që vazhdojnë avazin e vjetër të shmangies së detyrimeve ndaj shtetit dhe e paguajnë kaq shtrenjtë pasojën e shkeljes së ligjit”, theksoi Kryeministri Rama, duke sjellë në vëmendje bllokimin e atyre që i janë shmangur detyrimeve.

Në kuadër të operacionit kundër informalitetit janë bllokuar një hotel luksoz dhe një biznes tjetër, të cilët deklaronin një xhiro fiktive të të ardhurave dhe nuk lëshonin kupon tatimor. /atsh

Rama: Stop avazit të vjetër të shmangies së detyrimeve ndaj shtetit Read More »

Skadimi i kartave të identitetit, Lleshaj: Të gjithë të nxitojnë sot, që të mos befasohen nesër

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj njoftoi sot se nga tetori kartat e identitetit që skadojnë këtë vit nuk do të mund të përdoren më. Lleshaj inkurajoi qytetarët që të nxitojnë për të rinovuar mjetet e identifikimit, në mënyrë që të mos befasohen nesër.

“Kartat e identitetit dhe pasaportat janë në prag të skadimit për shumë qytetarë. Nga fillimi i tetorit ato që skadojnë këtë vit nuk do të mund të përdoren më, nëse nuk shoqërohen me dokumentin e aplikimit”, theksoi ministri Lleshaj.

“Të gjithë duhet të nxitojnë sot, që të mos befasohen nesër, kur të ndalohen për të udhëtuar jashtë vendit, apo kur të mos mund të marrin një shërbim tjetër brenda tij”, theksoi Lleshaj./atsh

Skadimi i kartave të identitetit, Lleshaj: Të gjithë të nxitojnë sot, që të mos befasohen nesër Read More »

Memorial për Dëshmorët e atdheut major Klodian Tanushi dhe nëntetar Zarife Hasanaj në Letoni

“Dëshmorët e atdheut, major Klodian Tanushi dhe nëntetar Zarife Hasanaj do të jenë përgjithmonë pjesë e grup-batalionit të NATO-s në Letoni”, deklaroi sot ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, pas zbulimit sot të memoralit në nderim të dëshmorëve nga kolegët në mision.

Ministrja Olta Xhaçka shprehet se Dëshmorët e atdheut major Klodian Tanushi dhe nëntetar Zarife Hasanaj do të jenë përgjithmonë pjesë e grup-batalionit të NATO-s në Letoni.

“Kolegët e tyre, aktualisht në mision, zbuluan memorialin kushtuar dy rënëve në Camp Adazi, ku ata shërbyen dhe dhanë jetën. Lavdi përjetë dëshmorëve!”, shprehet ajo./atsh

Memorial për Dëshmorët e atdheut major Klodian Tanushi dhe nëntetar Zarife Hasanaj në Letoni Read More »

Imshta dhe Divjaka, dy prodhueset më të mëdha të shalqirit në Shqipëri

Imshta dhe Divjaka janë dy prodhueset më të mëdha të shalqirit në Shqipëri.

Zv/kryeministri Erion Braçe ndalet te investimet që janë kryer dhe masat fiskale që u kanë ardhur në ndihmë fermerëve të kësaj zone për të rritur eksportet.

“Këtu jemi në Imshtë. Turi është një bujk i mirë, i apasionuar pas punës me tokën. Çmimi mesatar që Imshta mori për shalqirin këtë vit është 23 lekë për kilogramë. Eksporti u zgjerua dhe nga Imshta këtë herë çuam shalqi edhe në Suedi. Infrastruktura, rruga për Imshtë tashmë e bërë dhe rrugët e tjera në ndërtim në fazën e fundit ndihmuan shumë”, tha Braçe.

Po ashtu heqja e TVSH-së për inputet bujqësore, farërat, fidanët e plehrat kimike dha efekt maksimalisht, uli kostot, rriti rendimentin, dhe solli më shumë të ardhura.

“Aq kundërshtarë pati heqja e TVSH-së, sa e mbani mend, ika nga komisioni. Vijojnë ta kundërshtojnë akoma të gjithë ata që kurrë nuk shkuan në fshat, kurrë nuk hynë një herë të vetme në ara me bujqit, tek produkti. Do të bëjmë edhe më shumë; do të çojmë ujin për vaditje përmes rrjetit të ri të degës së Çukasit në Imshtë. Do ulim edhe më kostot! Kush do të punojë, punën e ka pranë”, tha Braçe./atsh

Imshta dhe Divjaka, dy prodhueset më të mëdha të shalqirit në Shqipëri Read More »

Qendra historike e Vlorës zgjeron mushkëritë e qytetit

Rikualifikimi i qendrës historike të Vlorës po e bën qytetin bregdetar jo vetëm destinacion për detin dhe plazhin, por edhe për historinë dhe kulturën e pasur.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke sjellë pamje të qendrës historike që po merr formë, tha se kjo po ndodh “sepse Vlora nuk është vetëm det, por edhe histori, edhe kulturë”.

“Do të duhej të kalonin shumë vite që të ndërmerrej një hap i vështirë dhe i rëndësishëm, ai i rikualifikimit të Qendrës Historike. Një kthim në identitet, që do të zgjerojë mushkëritë e qytetit”, theksoi Margariti.

Qendra historike e Vlorës është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të.

Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mbart: rruga “Justin Godard”.

Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare.

Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.

Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “Lagja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga.

Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin XIX, si një sahat (kullë) dhe Postën e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919.

Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar edhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni./ atsh

Qendra historike e Vlorës zgjeron mushkëritë e qytetit Read More »