Lajmi i fundit

”Shqipëria jo Duhanit”, zero tolerancë për subjektet që nuk respektojnë ligjin

“Nuk do të ketë tolerancë për shkelësit e ligjit për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, por edhe për ju dhe çdo inspektor në terren që mbyll sytë përballë shkeljeve të ligjit”. Paralajmërimi u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë takimit me kryeinspektorët rajonalë të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, në analizën 6-mujore të këtij institucioni.

Manastirliu kërkoi angazhim maksimal nga Inspektoriati gjatë gjithë kohës, jo vetëm me inspektime periodike.

“Ka një intensifikim të kontrolleve por ende nuk jemi aty ku duhet, ndaj me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, kërkoj impenjimin maksimal për të monitoruar zbatimin e tij në terren dhe marrjen e masave për këdo që shkel ligjin”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkoi gjithashtu nga Inspektoriati kryerjen e një fushate intensive informuese për qytetarët dhe subjektet, që të njihen me ndryshimet ligjore, para fillimit të marrjes së masave.

Amendimet në ligjin “Për mbrojtjen e shëndetit nga produketet e duhanit” parashikojnë që njëlloj si për duhanin, do të ndalohet konsumimi në ambientet e brendshme edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike dhe shisha/nargjile, që janë të dëmshme për shëndetin e popullatës.
Në ligjin e ri, janë vendosur limite për përqëndrimin e nikotinës dhe sasinë e lëngut me përmbajtje nikotine, me qëllim mbrojtjen e mëtejshme të konsumatorit nga kjo substancë që krijon varësi. Dy vite pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të ndalohet shitja e produkteve të duhanit me shije karakteristike si dhe shitja e paketave të duhanit me numër të reduktuar cigaresh – si masë për të dekujaruar duhanpirjen, sidomos tek të rinjtë, gratë dhe vajzat.

Një ndryshim shumë i rëndësishëm që bëhet efektiv menjëherë me hyrjen në fuqi të ligjit antiduhan është forcimi i masave ndëshkuese në rast të shkeljes së ligjit.

Më konkretisht, nëse një subjekt shkel 2 herë rresht brenda dy muajve nenin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme.

Në 6 muajt e parë 2019 janë kryer 4513 inspektime dhe monitorime nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor për zbatimin e ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” dhe janë vendosur 296 gjoba për shkelësit e ligjit. z.tosku/atsh

”Shqipëria jo Duhanit”, zero tolerancë për subjektet që nuk respektojnë ligjin Read More »

Protesta për Teatrin, Basha: E mbështesim me të gjitha format për të ndaluar këtë grabitje

Disa artisë dhe aktivistë kanë protestuar sot para Teatrit Kombëtar në kryeqytet duke kundërshtuar shembjen e godinës.

Që në orët e para të mëngjesit, aktivistë dhe artistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të mbështetur edhe nga ish-deputetë të opozitës kanë kundërshtuar ndërhyrjen e policisë dhe kanë kërkuar largimin e tyre nga hapësira e teatrit të cilët kishin rrethuar godinën për të nxjerrë jashtë objektet që ndodhen brenda.

Në mbështetje të protestës kanë shkuar dhe ish-deputete të opozitës dhe vetë kreu i PD, Basha.

“Jemi në mbështetje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit me të gjitha format dhe mjetet”, deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili iu bashkua protestës. Ai tha se “Teatrin e kanë mbrojtur me kurajo të pashoqe artistët dhe Aleanca për Teatrin, ne jemi dhe do jemi në mbështetje të tyre me të gjitha format dhe mjetet për të ndalur këta grabitje kriminale”.

“Opozita ka qenë dhe do jetë këtu. Çështja është më në fund para çdo shqiptarëve duket qartë se nuk kemi qeveri por kemi një bandë dhe tani është koha ta kuptojë se kjo që po ndodh te teatri po ndodh te shtëpitë e tyre, siç po ndodh tek unaza në Shkozë dhe në Himarë dhe të bëhemi gati t’i japim një përgjigje totale siç ia bëmë me 30 qershor për ta larguar këtë bandë”, tha ai.

Basha tha se Aleanca për Teatrin është ajo që ka përcaktuar aksionin këtu, ne jemi në mbështetje të tyre me të gjitha format dhe mjetet.

Pas përplasjeve me efektivët e policisë, protestuesit të mbështetur edhe nga kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe ish-deputetët e opozitës kanë hyrë brenda ambienteve të godinës së Teatri Kombëtar./atsh

Protesta për Teatrin, Basha: E mbështesim me të gjitha format për të ndaluar këtë grabitje Read More »

Teatri Kombëtar, Meta: Policia të respektoj artistët që po ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar

Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se “rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme”.

Ai i bëri thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare”.

“As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90! Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp”, u shpreh Presidenti./atsh

Teatri Kombëtar, Meta: Policia të respektoj artistët që po ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar Read More »

Porti i Vlorës/ Terminali i ri me kapacitet të plotë, 2500 pasagjerë në ditë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot terminalin e ri të Portit të Vlorës, i cili ka nisur funksionimin me kapacitet të plotë.

Ministrja e Transporteve Belinda Balluku, e cilësoi këtë investim cilësor dhe mundësi për evitim radhësh të pasagjerëve në kohë fluksi.

“Me standardet më të larta terminali ofron shërbim cilësor për qytetarët dhe redukton kohën e pritjes.

I mundësuar me kapacitetet financiare të vetë shoqërisë portuale, e bën një shembull të mirëmenaxhimit të fondeve shtetërore.

Sot ai bën të mundur përpunimin e mbi 2500 pasagjerëve në ditë, duke e kthyer këtë port pa dyshim në pikën më të rëndësishme të turizmit në jug të vendit”, – tha Balluku./atsh

Porti i Vlorës/ Terminali i ri me kapacitet të plotë, 2500 pasagjerë në ditë Read More »

AZHBR trajnon fermerët që të përfitojnë grantet e Pyjeve

Përmirësimi i ekosistemeve malore po shihet me prioritet nga Agjencia për Zhvillim Rural Bujqësor veçanërisht në zonën e Malësisë së Madhe.

Punonjësit e Agjencisë për Zhvillim Rural Bujqësor kanë zhvilluar një trajnim në Malësi të Madhe me grupet e interesit të Shoqatave të Pyjeve, për mënyrën e blerjes, shmangien e gabimeve në faturimin e shpenzimeve të lejuara, si dhe zgjerimin e njohurive për dokumentacionin e nevojshëm në blerje.

Sipas AZHBR-së, grantet e Pyjeve kanë objektiv kryesor rivendosjen, ruajtjen dhe përmirësimin e ekosistemeve malore, përmirësimi e bujqësisë, pylltarisë, mbështetje në zgjerimin dhe përmirësimin e burimeve pyjore, si dhe parandalimin e zjarreve në pyje.

Grantet për mbrojtjen e pyjeve, pasojnë serinë e financimeve që qeveria në bashkëpunim me donatorët po adresojnë në mbështetje të fermerëve dhe grupeve të interesit për zhvillimin e bujqësisë dhe mjedisit në vendin tonë./atsh

AZHBR trajnon fermerët që të përfitojnë grantet e Pyjeve Read More »

Shqipëri-Itali, projekte të përbashkëta në fushën e Doganave

Rritja e bashkëpunimit midis administratave doganore shqiptare dhe italiane është theksuar gjatë takimit të dy drejtoreve të përgjithshëm të dy vendeve.

Drejtori i Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve të Italisë, Benedetto Mineo, priti në Romë, në selinë e Agjencisë në Piazza Masai, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Shqiptare, Arlind Gjokuta.

Gjatë takimit u diskutuan tema me interes të përbashkët në fushën e asistencës së ndërsjelltë administrative duke analizuar rezultatet e arritura në luftën kundër trafiqeve të paligjshëm në dy anët e Adriatikut. Të dy drejtuesit theksuan domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve të ngushta të bashkëpunimit si në nivel qendror, ashtu dhe në nivel lokal midis porteve me fluks të madh tregtar.

Gjithashtu u vlerësua rëndësia e pjesëmarrjes së përbashkët në projektet rajonale si SEED dhe INTERREG, që kanë si objektiv thjeshtësimin dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave, dhe në veçanti ndërmjet Porteve të Barit dhe Brindizit me portin shqiptar të Durrësit në optikën e zhvillimit të rrugës detare të Adriatikut Jugor, si një aks i rëndësishëm për lëvizjen e mallrave midis Azisë dhe Europës.

Ky takim i drejtorëve të përgjithshëm u organizua në kuadër të raporteve shumë të mira që karakterizojnë marrëdhëniet midis dy Administratave Doganore, të cilat vetëm gjatë 6 viteve të fundit kanë bashkëpunuar në tre Projekte Binjakëzimi, të financuara me 5 milionë euro nga fondet e Bashkimit Europian, ku u përfshinë ekspertët e dy administratave doganore në një tërësi prej 3550 ditë pune./atsh

Shqipëri-Itali, projekte të përbashkëta në fushën e Doganave Read More »

Task Forca e Turizmit në Vlorë, Klosi: Nga 139 subjekte, vetëm 11 prej tyre kanë kontrata me bashkitë

Nga qyteti bregdetar i Vlorës, ku ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi mblodhi Task Forcën e Turizmit dhe ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm, ministrja e Shëndetësisë dhe zëvendësministrja e Financave, të deleguarit e Këshillit të Ministrave për drejtimin e grupit ndërinsitucional për menaxhimin e sezonit turistik 2019, u raportuan problematikat dhe u lanë afate për zgjidhjen e menjëhershme të tyre, në shërbim të një sezoni turistik të miradministruar dhe në funksion të sigurisë së pushuesve.

“Nga 139 subjekte të kontrolluara në zonën e bregdetit në të gjithë qarkun e Vlorës vetëm 11 prej tyre kanë kontrata me bashkitë, ndërkohë që vetëm këtu ku jemi ka më shumë se 11 që e ushtrojnë këtë aktivitet, madje një numër i konsiderueshëm i këtyre aktiviteteve nuk ka nipt financiar”, tha ministri Klosi.

Ai foli edhe për sigurinë në plazhe, detyrimin që kanë subjektet për tu pajisur me kulla vrojtimi dhe ruajtës plazhesh të certifikuar, që sipas ministrit lë për të dëshiruar.

“Ne patëm 0 jetë të humbura në plazhet e Vlorës vitin e kaluar, ndërkohë që sivjet nuk është po i njëjti rezultat, sepse edhe shifrat flasin që kemi më pak roje plazhi sesa vitin e kaluar. Vrojtues të certifikuar kemi vetëm 84 ndërkohë që duhet të kishim më shumë. Kemi më shumë pika të ngritura për kulla vrojtimi krahasuar me vjet, por që nuk janë funksionale. Edhe pse është mesi i korrikut akoma nuk kemi realizuar në të gjithë zonën e vijës bregdetare, vijëzimet e detit; ku lejohet notimi dhe ku lejohet lëvizja e mjeteve të shpejtësisë. Vjet patëm përsëri një arritje të madhe në të gjithë zonën e bregdetit me 0 aksidente me jetë të humbura. Ndërkohë që parvjet mungesa e këtyre vijëzimeve na bëri që vetë në Vlorë të kishim 3 aksidente disa edhe me jetë të humbura të turistëve të huaj në qarkun e Vlorës”, – tha ministri Klosi.

Ministri tha se në Vlora i ka të gjitha mundësitë që deti të shfrytëzohet gjithmonë e më shumë, e megjithatë kontrolli mbi mjetet që shfrytëzojnë gadishullin e Karaburunit dhe Sazanin është pothuajse minimal.

“Nëse vjet kanë qenë 2, sivjet janë 27 mjete që ofrojnë shërbimin në zonën e mbrojtur të Karaburunit që është një arritje për zonat e mbrojtura, por përgjegjësia duhet të jetë gjithmonë e më e madhe. Meqë është dita e parë pas miratimit të Kodit Penal ku disa nga shkeljet e krimet mjedisore tashmë janë krime penale, i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse të ushtrojnë më shumë kontrolle, për të evidentuar dhe ndëshkuar krimin mjedisor, tanimë me ligj”, – tha ministri Klosi.

Për zëvendës ministren e Financave, turizmi është një nga sektorët prioritarë dhe strategjikë që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Shumë incentiva janë bërë edhe në fushën e akomodimit dhe shërbimeve në funksion të agrobiznesit, duke nxitur edhe agroturizmin. Por, të gjitha këto lehtësi, duhen shoqëruar edhe me masa ndëshkuese për subjektet që shkelin ligjin dhe ministria e Financës është padyshim pjesë integrale e Task Forcave për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe strukturat e saj kanë nisur kontrollet në terren për të identifikuar subjektet turistike, që veprojnë në shkelje të ligjit, duke cenuar mbarëvajtjen e sezonit turistik”, tha Ikonomi. /atsh

Task Forca e Turizmit në Vlorë, Klosi: Nga 139 subjekte, vetëm 11 prej tyre kanë kontrata me bashkitë Read More »

Ramush Haradinaj jep dorëheqjen

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha sot dorëheqjen e parevokueshme nga detyra. Haradinaj mblodhi sot anëtarët e kabinetit qeveritar dhe paraqiti dorëheqjen e tij, me arsyen se sipas tij, ka marrë thirrje nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar.

“Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua t’iu falënderoj për besimin dhe për përkrahjen. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marr thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga dhomat e specializuara në Hagë si i dyshuar”, tha Haradinaj.

“Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme. Jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, iu dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime edhe e luftës së UÇK-së është e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjë herë. Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme me një multietnicitet, me shumëgjuhësi, me territor e kufij, Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo Dodik Republika”, tha Haradinaj.

Kjo është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit si i dyshuar për krime lufte. Në vitin 2005 ai dha dorëheqjen nga pozita e kryeministrit pasi i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. /atsh

Ramush Haradinaj jep dorëheqjen Read More »