Lajmi i fundit

Vatër zjarri në ishullin e Sazanit, në terren efektivë të Forcës Detare

Ministria e Mbrojtjes, njofton se një vatër zjarri është konstatuar në ishullin e Sazanit.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes, “16 efektivë të Forcës Detare janë në terren e po punojnë për shuarjen e flakëve, ndërkohë që 17 efektivë të tjerë janë nisur nga baza detare e Pashalimanit. Anija e shërbimit e FD është në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme”./atsh

Vatër zjarri në ishullin e Sazanit, në terren efektivë të Forcës Detare Read More »

“Stop Informalitetit”/ 10 mijë shkarkime të aplikacionit, 982 denoncime në dhjetë ditët e para

Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje se numri i qytetarëve që kanë shkarkuar aplikacionin “STOP INFORMALITETIT” e kaloi numrin 10 mijë, duke inkurajuar bashkimin me luftën kundër informalitetit.

Kryeministri shprehet se “kalon në 10.458 numri i qytetarëve që kanë shkarkuar aplikacionin STOP INFORMALITETIT.

“Shumë faleminderit të gjithë atyre që kanë kontribuar me 982 denoncimet e tyre, në këto 10 ditë të para të aplikacionit dhe të gjithë të tjerëve, që duke e shkarkuar aplikacionin janë përfshirë në këtë luftë për të afruar të ardhmen”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Rama fton qytetarët t’i bashkohen kësaj lufte kundër informalitetit, duke i garantuar ata se denoncimi është i fshehtë dhe konfidencialiteti i të dhënave është 100% i sigurtë. /atsh

“Stop Informalitetit”/ 10 mijë shkarkime të aplikacionit, 982 denoncime në dhjetë ditët e para Read More »

Vijon vendosja e matësave të ujit në Vlorë, investime në rrjet

Në kuadër të reformës së ujit, në Vlorë vazhdon puna për vendosjen e matësave të ujit te abonentët familjarë si dhe privatë në qytet.

Inspektorë të Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë kanë kryer sot inspektime te bizneset në lagjet “28 Nëntori” dhe “Lef Sallata”.

UK Vlorë kreu po ashtu një ndërhyrje për eliminimin e një avarie në rrjetin e ujësjellësit në rrugën “Sadik Zotaj”, në lagjen “24 Maj”, pranë Qendrës Shëndetësore”.

Një tjetër ndërhyrje u krye edhe në Stacionin e Pompimit te “4-katëshet”, në “Kume”, ku përfundoi puna për vendosjen e pompës së re me kapacitet 50 litër/s.

Gjithçka për t’i paraprirë sezonit me reshje shiu, në kuadër të mirëfunksionimit të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha./atsh

Vijon vendosja e matësave të ujit në Vlorë, investime në rrjet Read More »

Air Albania, TTG ITALIA: Në vjeshtë, fluturime të reja për Romë, Milano dhe Bolonja

Tre destinacione të reja fluturimesh pritet të nisin nga Tirana drejt aeroporteve italiane me Air Albania. Sipas portalit TTG ITALIA, lidhjet e reja nga Tirana do të jenë me Romën, Milanon dhe Bolonjën nëpërmjet kompanisë së themeluar në vitin 2017, Air Albania një bashkëpunim me Turkish Airlines.

Fluturimet pritet të nisin në vjeshtë.

TTG ITALIA shkruan se destinacionet e reja u raportuan nga agjencia ANSA, e cila i referohet për këtë lajm pozitiv për ekonominë dhe pasagjerët, kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili madje publikoi çmimet e itinerareve nëpërmjet një postimi në Facebook.

Fluturimet drejt Italisë përfaqësojnë 54% të trafikut që niset nga aeroporti ndërkombëtar i Tiranës. Me fillimin e operacioneve drejt tre qyteteve italiane, do të arrijë në pesë, numri i kompanive që veprojnë midis dy vendeve. /atsh

Air Albania, TTG ITALIA: Në vjeshtë, fluturime të reja për Romë, Milano dhe Bolonja Read More »

Karaburun-Sazan, e para zonë e mbrojtur detare përgjatë bregdetit

Zona e Mbrojtur Detare e Karaburun Sazanit është e para zonë e mbrojtur detare e krijuar përgjatë bregdetit shqiptar. Kjo zonë njihet për vlerat e saj të larta dhe unike të biodiversitetit detar dhe rëndësi të madhe për sa i takon potencialit të zhvillimit të qëndrueshëm për rajonin e Vlorës.

Objektivat afatgjatë të ruajtjes së zonës së mbrojtur detare, kanë për qëllim të sigurojnë mbrojtje dhe mirëmbajtje të diversitetit biologjik, duke siguruar në të njëjtën kohë një rrjedhë të qëndrueshme të produkteve dhe shërbimeve natyrore, në mbështetje të zhvillimit të komuniteteve bregdetare.

Nëpërmjet projektit “Përmirësimi i Efektivitetit të Mbulimit dhe Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Detare dhe Bregdetare” të financuar nga GEF dhe qeveria italiane, janë financuar rritja e kapaciteteve dhe krijimi i ambienteve të nevojshme për punë.

Me qëllim lehtësimin e aksesit për të vizituar Parkun Detar, fal këtij projekti në bashkëpunim edhe me grupet e interesit në nivel kombëtar dhe lokal, janë zhvilluar disa ndërhyrje në zonë sipas Planit të Menaxhimit ndër të cilat kanë qenë: Pajisja e zonës me bova sinjalizuese të Parkut Detar; ristrukturimi i bankinës ankoruese Shën Vasil; vendosja e sistemit të tabelezimit me qellim informimin e vizitoreve; pajisja me mjet lundrues te administratës së Parkut; nisja e procesit për ndërtimin e një qendre informacioni në zonën e Radhimës për zonat e mbrojtura; zhvillimi i një platforme informimi për Mjedisin dhe Turizmin në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës, e cila ndihmon vizitorët të njihen me të gjitha informacionet e nevojshme për Zonat e Mbrojtura, Mjedisin dhe Turizmin në qytetin e Vlorës.

Rezultatet kryesore të projektit kanë të bëjnë me përmirësimin e përfaqësimit bio-gjeografik të zonave detare dhe bregdetare të mbrojtura dhe kuadrin e përmirësuar të menaxhimit të këtyre zonave, forcimin e strukturave institucionale dhe ngritjen e kapaciteteve. Partnerë të këtij projekti janë Agjencia e Zonave të Mbrojtura Vlore, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, autoritetet lokale, Shoqëria Civile etj.

Rëndësia dhe suksesi i ruajtjes së këtyre zonave është bashkëpunimi me komunitetin lokal dhe partnerët kombëtar dhe lokalë, por edhe mirëkuptimi i vizitoreve për të respektuar natyrën dhe shijuar atë që parku kombëtar detar ofron./atsh

Karaburun-Sazan, e para zonë e mbrojtur detare përgjatë bregdetit Read More »

95-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, rikonstruktohet shkolla që mban emrin e tij

95-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, simbolit të rezistencës kundër komunizmit, e gjen shkollën 9-vjeçare në Tiranë, që mban emrin e tij, duke u bërë gati për të mikpritur nxënësit për vitin e ri shkollor.

Bashkia e Tiranës po kryen rikonstruksionin e saj, i cili përfshin mjediset e brendshme, nyjet sanitare dhe ndriçimin. Punimet u inspektuan nga nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti, e cila gjithashtu mori pjesë edhe në një koncert të përgatitur nga nxënësit dhe stafi i shkollës për 95-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit, i cili konsiderohet si pasuri kulturore e njerëzore e vendit tonë.

“Sot është 95-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, një figurë e shquar e popullit shqiptar për sakrificën e madhe gjatë regjimit komunist, dhe mënyra më e mirë për ta kujtuar është ardhja në këtë shkollë, në një institucion të dijes, e cila është një nga shkollat më të mira të bashkisë së Tiranës dhe jemi krenarë që mban emrin e At Zef Pllumbit”, – tha nënkryetarja Anisa Ruseti.

Më tej, ajo theksoi se kjo është njëra nga shkollat ku bashkia e Tiranës po ndërhyn, duke u përgatitur për të pritur vitin e ri shkollor. “Sikundër gjatë gjithë periudhës së verës, e gjithë bashkia e Tiranës ka qenë e fokusuar në ndërtimin e shkollave të reja dhe rikonstruksionin e atyre ekzistuese, sot kemi ardhur të bëjmë inspektimin e punimeve që po zhvillohen tek shkolla “At Zef Pllumi”, duke qenë se është një rikonstruksion total i kësaj shkolle, për të mirëpritur të gjithë fëmijët”, tha Ruseti.

Në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtje e mirë e procesit të ri mësimor dhe për të shmangur mbipopullimin në klasa, Ruseti u bëri thirrje prindërve që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkolla afër banesës. “Ky është një moment për t’u bërë apel të gjithë prindërve që janë duke regjistruar fëmijët në shkolla, të fokusohen e t’i regjistrojnë ata në shkollat që i kanë sa më pranë vendbanimit. Kjo do të shmangë orët e gjata në trafik, por edhe do të sigurojë që të gjitha shkollat e Tiranës të kenë të njëjtin standard, duke qenë se bashkia e Tiranës investon me të njëjtën vëmendje në infrastrukturë”, tha ajo.

Shkolla “At Zef Pllumi” ka 29 klasa dhe një kapacitet prej rreth 830 nxënës, duke përfshirë edhe parashkollorin. /atsh

95-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, rikonstruktohet shkolla që mban emrin e tij Read More »

Vaji i ullirit/ Mbi 3 milionë lekë financim biznesit për linja dhe pajisje të përpunimit

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka financuar bizneset me rreth 326. 319. 719 lekë në total, për linja dhe pajisje në përpunimin e vajit të ullirit.

Prodhimi i ullinjve për tavolinë është mjaft i përqendruar në qarkun e Beratit i cili prodhon më shumë se 2/3 e totalit të prodhimit vendas.

Në Berat ndodhen edhe disa sipërmarrje që janë angazhuar në përpunimin e ullinjve për tavolinë p.sh ullinjtë e konservuara të tavolinës.

Prodhimi i vajit të ullirit në vendin tonë është rritur ndjeshëm vitet e fundit duke arritur në shifrën e 20 000 tonë vaj ulliri në vit.

Shumica e ullinjve përdoren për vaj ulliri, ndërsa rritja e prodhimit të vajit të ullirit është nxitur nga rritja e prodhimit të ullinjve të papërpunuar, përmes teknologjive të reja.

Rritja e prodhimit të vajit të ullirit ka ndikuar pozitivisht edhe në eksportet e këtij produkti.

Shqipëria e eksporton vajin e ullirit kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni por nuk mbeten pas edhe vende si Kenia, Shtetet e Bashkuara apo Britania. atsh

Vaji i ullirit/ Mbi 3 milionë lekë financim biznesit për linja dhe pajisje të përpunimit Read More »

Asgjësohet një shtimje topi nga viti 97’, rrezik real për banorët e Kaninës në Vlorë

Xhenierët e Forcave të Armatosura kanë eleminuar një rrezik real për banorët e Kaninës në Vlorë duke asgjësuar një shtimje topi 75 mm.

Ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka ka theksuar se shtimja e topit ishte aty që prej vitit të mbrapshtë 1997 dhe gjendej vetëm 10 m nga rruga kryesore.

Xhaçka ka shtuar se skuadrës së EOD iu desh ta asgjësonte në vend shtimjen pasi u vlerësua si e rrezikshme për t’u transportuar.

“Xhenierët e FA eliminuan një rrezik real për banorët e Kaninës në Vlorë. Një shtimje topi 75 mm prej vitit të mbrapshtë 1997, gjendej vetëm 10 m nga rruga kryesore. Skuadrës së EOD iu desh ta asgjësonte në vend shtimjen pasi u vlerësua si e rrezikshme për t’u transportuar. Krenari për EOD shqiptare”, tha Xhaçka./atsh

Asgjësohet një shtimje topi nga viti 97’, rrezik real për banorët e Kaninës në Vlorë Read More »