Lajmi i fundit

Policia Kufitare shpëton 4 të rinj në Karaburun

Policia Kufitare u vjen në ndihmë 4 të rinjve nga Vlora, të cilët rrezikuan jetën në det, me një mjet lundrues.

Katër të rinjtë kishin dalë në Karaburun, me një mjet lundrues me qëllim për ta testuar nga ana mekanike, por gomonia ka pësuar defekt në motor, duke rrezikuar jetën e tyre. Dy prej tyre kanë mundur të dalin me not në breg të gadishullit dhe kanë kërkuar ndihmë për dy shokët e tjerë, që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë shkuar në kohë në drejtim të adresës së dhënë dhe pas kërkimeve në det, në vendin e quajtur “Gjiri i Varkave”, kanë gjetur mjetin lundrues tip gomone, së bashku me shtetasit, R.M. dhe E.A, të cilët ndodheshin në bordin e mjetit lundrues. Shërbimet e Policisë Kufitare kontaktuan edhe me dy shtetasit e tjerë K.M dhe A.M, të cilët telefonuan për ndihmën e shokëve.

Katër të rinjtë janë transportuar me mjetin lundrues të Policisë për në Triport, së bashku me mjetin e tyre lundrues. Katër shtetasit janë në gjendje të mirë shëndetësore. /atsh

Policia Kufitare shpëton 4 të rinj në Karaburun Read More »

Për herë të parë këtë vit, libra falas edhe për klasat e pesta

Shpërndarja e librave falas edhe për klasat e pesta që ka nisur sot, është një tjetër premtim i mbajtur. Kryeministri Edi Rama, pas shpërndarjes së librave falas për herë të parë vitin e kaluar, u zotua se këtë vit ato do të ishin edhe për klasat e pesta.

Kështu, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, njoftoi sot se nisi shpërndarja e librave falas, edhe për klasat e pesta.

“Filloi shpërndarja e librave FALAS, ku sipas premtimit këtë vit shkollor përfshihet edhe Klasa V. Sezoni shkollor 2019-2020 Libra FALAS për të gjithë fëmijët nga Klasa I – V si edhe deri në klasën XII, për të gjithë ata fëmijë që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike apo janë me nevoja të veçanta”, – tha Rama.

Ndërsa vitin e kaluar rreth 125 mijë nxënës nga klasat e para deri në klasat e katërta kanë përfituar libra falas, për vitin e ri shkollor 2019-2020 numri i përfituesve është rritur në 155 mijë, pasi kësaj skeme i janë shtuar edhe nxënësit e klasave të pesta.

Shpërndarja e librave shkollorë ka filluar sot./atsh

Për herë të parë këtë vit, libra falas edhe për klasat e pesta Read More »

Rriten eksportet e perimeve, 22% e totalit të prodhimit vjen nga serrat

Gjashtëqind e dyzet e tre projekte për rritjen e prodhimit në serra janë mbështetur nga qeveria, ku përmes modeleve biznesi të standardizuara investimi kap vlerën e 377 milionë lekëve.

Shifrat janë bërë publike nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural e cila thotë se kjo e fundit ka mbështetur 643 projekte ndër vite për rritjen e prodhimit në serra përmes subvencioneve shtetërore.

Përqendrimi më i lartë rajonal i serrave është në qarkun e Beratit, ku AZHBR ka financuar 240 projekte, ndjekur nga qarku i Fierit me 179 projekte të financuara.

Më tej në Durrës, Shkodër dhe Tiranë ku kultivohen sipërfaqe të konsiderueshme me domate dhe kastravec në serra. Projektet e financuara nga buxheti i shtetit kanë qenë të financuara kanë qenë serra me ngrohje teknike dhe qendrore për zëvendësimin e plastmasit termik, ndërtimin e serrave të reja me ngrohje diellore si dhe prodhimin e bastanorëve në tunele.

Sipas statistikave zyrtare, 22% e totalit të prodhimit të perimeve vjen nga serrat.

Sipas AZHBR-së, rritja e konsiderueshme e prodhimit në serra ka përafruar prodhimin me kërkesat e tregut, si dhe ka shtuar nivelin e eksporteve. Po kështu, masat mbështetëse në formë granti nga buxheti i shtetit ka orientuar fermerët që të investojnë dhe të mbjellin kultivarë që kërkon tregu, bazuar në kriterin minimal për sipërfaqe jo më pak se 0,2 hektarë.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural informon se ky sektor ka dhënë impakt në rritjen e ekonomisë familjare për zonat rurale, duke plotësuar nevojat e tregut të brendshëm dhe ka rritur konsiderueshëm eksportet./atsh

Rriten eksportet e perimeve, 22% e totalit të prodhimit vjen nga serrat Read More »

439 të punësuar në një javë nga Zyrat e Punës

439 persona janë punësuar nga 23-29 gusht në gjithë vendin vetëm përmes Zyrave të Punës.

Sipas statistikave të punësimeve për çdo qark, në Berat janë punësuar 28 persona, në Durrës janë punësuar 67 persona, në Fier 60 persona, në Korçë 24 persona.

Po ashtu, gjatë kësaj jave në Dibër janë regjistruar 9 të punësuar, në Elbasan 37 të punësuar, në Gjirokastër 28 të punësuar, në Kukës 22 të punësuar, në Lezhë 24 të punësuar, në Shkodër 54 të punësuar, në Tiranë 60 të punësuar dhe në Vlorë 26 të punësuar. /atsh

439 të punësuar në një javë nga Zyrat e Punës Read More »

Moti i nxehtë dhe i thatë/ 239 vatra zjarri gjatë gushtit

239 vatra zjarri janë shënuar vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti në qytete të ndryshme të vendit. Kushtet e pazakonta atmosferike me thatësira të tej-zgjatura, temperatura të larta dhe erëra të forta në zona të caktuara, por edhe veprimtaria e pakujdesshme njerëzore kanë shkaktuar vatra zjarresh në pyje, kullota e pemëtari.

Për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve ka patur nja angazhim maksimal të kapaciteteve të Forcave të Armatosura me mjete edhe me personel si dhe strukturave të tjera shtetërore. Rreth 180 mjete zjarrfikës nga strukturat vendore të shërbimit të MZSH-së si dhe 2000 forca (MZSH, AZM, ushtarë nga FA, vullnetarë, etj.) janë angazhuar për të shuar zjarret në këtë periudhë.

Në Delvinë dhe Finiq të enjten u riaktivizuan dje vatrat e zjarrit. Gjashtë mjete zjarrfikëse nga Delvina, Saranda dhe Gjirokastra dhe 70 punonjës të shërbimit zjarrfikës u angazhuan në operacionin për shuarjen e flakëve. Autoritet lokale raportuan për vetëm dy shtëpi të braktisura prej 15 vjetësh të dëmtuara nga zjarri. Situata është tërësisht nën kontroll, ndërsa efektivët e FA në Detashmentin e Mbrojtjes Rajonale të Gjirokastrës janë në gatishmëri për çdo situatë.

Zjarret e rëna kanë dëmtuar rreth 500 hektarë pyje, shkurre e disa mijëra rrënjë ullinj.
Në shumë raste është konstatuar së zjarret kanë qenë të qëllimshme, ndaj institucionet ligj zbatuese janë angazhuar për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve përgjegjës./atsh

Moti i nxehtë dhe i thatë/ 239 vatra zjarri gjatë gushtit Read More »

Gjirokastër/ Shpërdorim detyre, ndalohet ish-drejtori i Agjencisë së Mirëqenies dhe Kujdesit Social

Arrestohet në flagrancë ish-drejtori i Agjencisë së Mirëqenies dhe Kujdesit Social për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimin Ekonomik e Financiar në D.V.P. Gjirokastër u ndalua shtetasi A.M., 49 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Po ashtu sipas Policisë, u bë arrestimi në flagrancë, i shtetases L.B., 40 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprën penale “Vjedhje e energjisë elektrike”, parashikuar nga neni 137/2 i Kodit Penal.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetësia E.Zh., 53 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprën penale “Vjedhje e energjisë elektrike”, parashikuar nga neni 137/2 i Kodit Penal.

Arrestimi, ndalimi dhe shpallja në kërkim i shtetasve të mësipërm u bë pasi në depon e A.M.K.S. Gjirokastër është konstatuar një kabull elektrik i lidhur në mënyrë të paligjshme, i cili përcillte energji elektrike në një objekt dy katesh, ambient i përshtatur për aktivitet tregtar, në përdorim nga shtetësia L.B dhe E.Zh., veprim i cili është kryer me miratimin e ish drejtorit të A.M.K.S. Gjirokastër A.M, i cili i kishte të afërme shtetaset e mësipërme.

Veprimet hetimore janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për hetime të mëtejshme. /atsh

Gjirokastër/ Shpërdorim detyre, ndalohet ish-drejtori i Agjencisë së Mirëqenies dhe Kujdesit Social Read More »

Spiropali: Fushata e pastrimit e nevojshme, në disa bashki gjendja ishte alarmante

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe njëherësh Zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali deklaroi sot se fushata e pastrimit në të gjithë Shqipërinë ishte e nevojshme, pasi situata ishte alarmante në disa bashki.

Spiropali apelon, “mbaje pastër Shqipërinë, ashtu siç mban shtëpinë”.

“Fushata e pastrimit në të gjithë territorin e vendit ishte e nevojshme, sidomos në disa prej bashkive të vendit ku gjendja ishte alarmante, pasi kryetarët endeshin rrugëve me protesta e ngè për punë s’kishin”, tha ajo.

Po ashtu Spiropali tha se “kjo fushatë pastrimi ishte edhe fushatë ndërgjegjësimi, për ta mbajtur pastër ambientin përditë, jo një herë në vit!”?atsh

Spiropali: Fushata e pastrimit e nevojshme, në disa bashki gjendja ishte alarmante Read More »

Dëmtohet memoriali turk te parku i Liqenit

Një person ende i paidentifikuar ka dëmtuar memorialin turk te zona e Liqenit Artificial.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, teksa është ngritur një grup hetimor për të identifikuar autorin. “Në orët e para të mëngjesit, tek parku i Liqenit të Thatë, një person ende i paidentifikuar ka dëmtuar me sende të forta një pjesë të një memoriali. Grupi hetimor po kryen veprimet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit”, bën të ditur Policia e Shtetit.

Memoriali u vendos në Kodrat e Liqenit në datë 15 Korrik për viktimat e atij që u cilësua si grusht shteti i 15 korrikut 2016 në Turqi. /atsh

Dëmtohet memoriali turk te parku i Liqenit Read More »