Lajmi i fundit

15-vjeçarja me sëmundjen e rrallë, skuadër mjekësh specialistë enkas për të në spitalin turk

Kryeministri Edi Rama dha sot lajmin e mirë për të gjithë miqtë e interesuar për Elonën, 15-vjeçaren e prekur nga një sëmundje shumë e rrallë dhe e rëndë.

Kryeministri informoi se vajza po transferohet në këto momente në një spital të specializuar publik në Stamboll, nën kujdesin maksimal të autoriteteve dhe të një skuadre mjekësh specialistë, të ngritur enkas për të.

“Uroj megjithë zemër që Elona të kthehet shëndosh e mirë në Tiranë”, tha Rama.

Në 19 gusht, 15-vjeçarja që po lufton me një sëmundje shumë të rrallë e të rrezikshme u nis për kurim të specializuar në Turqi.

Të gjitha shpenzimet për kurimin e saj, do t’i mbulojë Qeveria shqiptare./atsh

15-vjeçarja me sëmundjen e rrallë, skuadër mjekësh specialistë enkas për të në spitalin turk Read More »

Fatura elektronike, si do të veprohet në rastet kur nuk ka internet

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpjeguar detaje teknike që lidhen me procesin e ri të faturës elektronike, ndërsa paketa e re ligjore për jetësimin e këtij sistemi, ka nisur të konsultohet me grupet e interesit.

Ka raste kur fiskalizimi i faturës nuk do të jetë i mundur në momentin e lëshimit të faturës, për shkak të mungesës së internetit.

Sipas tatimeve në këto situata emetuesi do të lëshojë faturë të blerësit, së bashku me të gjitha karakteristikat e tij, por në vetvete fiskalizimi nuk do të bëhet në momentin e lëshimit të faturës. Emetuesit do të ruajnë faturat që lëshuan në pajisjen që përdorën (arkën ose të ngjashme). Çdo mesazh do të futet në dosjen e vet të cilësuar “RegisterInvoiceRequest___.xml”. Pasi emetuesi të lidhet me internetin do të bëjë fiskalizimin e faturave të tij përmes portalit.

Çdo faturë duhet të regjistrohet në shërbimin e fiskalizimit dhe pas regjistrimit të suksesshëm faturës i caktohet FIC, e cila shtypet në faturë. /atsh

Fatura elektronike, si do të veprohet në rastet kur nuk ka internet Read More »

Mbrojtja e malit të Tomorit, mision i panegociueshëm

“Mbrojtja e malit të Tomorit është misioni ynë i përbashkët dhe i panegociueshëm”, tha sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama iu referua dëgjesës publike që zhvilloi dje ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi me ekspertë të mjedisit për malin e Tomorit.

“Mbrojtja e malit të Tomorit (kafshuar me vite e vite nga guroret e babëzisë) dhe e shumë pjesëve të bukura të trupit të Shqipërisë, të kërcënuara nga lekistë grabitqarë, pseudobiznesmenë e pseudogjykatës që po mbledhin lekët e fundit, para se të shporren nga Vetingu, është misioni ynë i përbashkët dhe i panegociueshëm”, tha sot Rama.

Gjatë dëgjesës së djeshme me ekspertë mjedisorë, edhe ministri Klosi u zotua se mali i Tomorit do të mbrohet dhe do të apelohet vendimi i gjykatës që “rrëzoi” VKM-në për shpalljen e Malit të Tomorit, Zonë të Mbrojtur. /atsh

Mbrojtja e malit të Tomorit, mision i panegociueshëm Read More »

121 milionë lekë investim / Dy laboratorë modernë për kontrollin e barnave

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore po rehabilitohet dhe zgjerohet, duke mundësuar ngritjen e dy laboratorëve modernë për kontrollin e sigurisë dhe cilësisë së barnave që prodhohen dhe qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi punimet e rindërtimit të Agjencisë së Barnave, një investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me vlerë 121.4 milionë lekë.

“Ky është një investim shumë i rëndësishëm që kemi ndërmarrë sa i takon garantimit të sigurisë së barnave dhe materialeve mjekësore, ku përveç rehabilitimit të godinës, po investojmë në ngritjen e dy laboratorëve modernë, që do të jenë të certifikuar për kryerjen e një seri analizash që garantojnë cilësinë dhe sigurinë e barnave në vend”,- tha Manastirliu.

Investimi në institucionin e vetëm kombëtar që ka në qendër të punës së tij kontrollin mbi sigurinë dhe cilësinë e barnave, ruajtjen dhe regjistrimin e tyre, pritet të përfundojë brenda vitit dhe në 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm do të pajiset me aparatura moderne laboratorike.

“Dy laboratorët e rinj që do të pajisen me aparatura bashkëkohore për analizimin e barnave që regjistrohen për herë të parë në vendin tonë si dhe të barnave që janë në qarkullim, do të akreditohen, për të përmbushur standardet europiane të cilësisë”, tha Manastirliu.

Investimi parashikon ngritjen e laboratorit fiziko–kimik dhe atij mikrobiologjik, duke bërë të mundur garancinë e certifikimit të sigurisë dhe cilësisë së barnave, me analizimin e të gjithë gamës së barnave që tregtohen në vendin tonë dhe me kapacitete analizuese të përmirësuara.

Godina do të përfshijë një sportel të dedikuar me 2 poste ku bizneset do të kryejnë regjistrimin për barnat dhe pajisjet mjekësore. Do të ketë ambiente të posaçme (dhoma frigoriferike) per ruajtjen e mostrave dhe acideve. Si dhe dy laboratorë modernë për testimin e barnave dhe materialeve mjekësore.

Ky është një investim i rëndësishëm edhe për vetë volumin e punës së Agjencisë, e cila vetëm vitin e kaluar ka lëshuar mbi 53 milion pulla për barnat e prodhuara dhe ato që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë.

Kontrolli mbi cilësinë dhe sigurinë e barnave që tregtohen në vend është në fokus të politikave të Ministrisë së Shëndetësisë. Me përfundimin së shpejti të depos qendrore të barnave në QSUT dhe investimin në Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të rritet në një standard të ri kontrolli mbi sigurinë e barnave që qarkullojnë në vendin tonë. /atsh

121 milionë lekë investim / Dy laboratorë modernë për kontrollin e barnave Read More »

Ngjarja me turistët spanjollë/ Gjykata e Vlorës, “arrest me burg” për Kokëdhimën

Gjykata e Vlorës dha sot masën e sigurisë “Arrest me burg”, për Mihal Kokëdhimën, i cili dhunoi disa ditë më parë një grup turistësh spanjollë.

Sipas vendimit të dhënë nga gjyqtarja Esmeralda Habilaj, 51-vjeçari do të qëndrojë në burg të paktën gjatë periudhës së hetimeve, nën akuzë për “kanosje”, “dëmtime të tjera me dashje” dhe “shkatërrim të pronës”.

Avokatët e tij kërkuan masë më të lehtë se “Arrest me burg”, siç kërkoi prokurori Saimir Smaka. Mbrojtja ngriti pretendimet se nuk qëndron asnjë nga akuzat e ngritura, prandaj ai nuk duhet mbajtur në burg.

Avokatët kërkuan që Mihal Kokëdhima të lirohet me garanci pasurore deri në 3 mijë euro, ose një vlerë tjetër që ta përcaktojë gjykata.

Mihal Kokëdhima u arrestua tre ditë më parë nga policia, pasi sulmoi dhe rrezikoi jetën e një grupi turistësh spanjollë./atsh

Ngjarja me turistët spanjollë/ Gjykata e Vlorës, “arrest me burg” për Kokëdhimën Read More »

Rama: Vijojnë kontrollet intensive ndaj abuzuesve

Kryeministri Edi Rama publikoi pasditen e së shtunës disa foto nga Saranda, ku shihet se disa subjekteve u është bllokuar aktiviteti, pasi janë konstatuar në shkelje të ligjit.

Rama shprehet se vazhdon të shtohet goditja ndaj informalitetit. Ai nënvizon se goditje janë dhënë sidomos në zona bregdetare dhe me rëndësi për Shqipërinë, për të pasur zero tolerancë ndaj abuzuesve.

“Përshkallëzohet goditja ndaj informalitetit në zonën e Sarandës, ku një numër i konsiderueshëm subjektesh janë regjistruar, duke paguar detyrimet përkatëse ndaj shtetit dhe një numëri jo të vogël abuzuesish përsëritës, u është bllokuar aktiviteti.

Kontrollet vijojnë intensivisht me fokus mbi zonën bregdetare, sektorin e naftës dhe mallrat e tjera të akcizës me zero tolerancë ndaj abuzuesve”, shprehet Rama./atsh

Rama: Vijojnë kontrollet intensive ndaj abuzuesve Read More »

Portali “Mësues për Shqipërinë”, testohen 3600 kandidatë

Testimit të informatizuar për punësimin e mësuesve deri tani i janë nënshtruar rreth 3600 kandidatë ndërkohë që procesi do të vijojë deri më datë 22 gusht.

Ky testim, i cili është përgjithësisht i organizuar në 4 seanca provimi gjatë një dite, zhvillohet pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore sipas një kalendari i cili gjendet i publikuar në faqen e QSHA.

Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini thotë se përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, mësuesit emërohen në bazë meritokracie dhe sigurohet që pjesë e sistemit të jenë më të mirët. Sipas saj, garantohet transparenca.

“Vijon procesi i testimit të informatizuar pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore, si fazë e dytë e punësimit nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”. Deri sot, rreth 3,600 kandidatë kanë zhvilluar testimin; Procesi do të jetë deri më datë 22 Gusht. Testimi organizohet sipas profileve të ndryshme të punësimit”, -thotë Shahini.

Nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë” rreth 1,300 – 1,400 mësues priten të punësohen gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Ministrja thotë se përmes portalit, mësuesit emërohen në bazë meritokracie dhe sigurohet që pjesë e sistemit të jenë më të mirët.

Portali “Mësues për Shqipërinë” është një sistem që aplikohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) që prej 5 vitesh, i cili tashmë që në korrik të 2018-ës është bërë pjesë e ligjit të arsimit parauniversitar, që do të thotë se kush nuk zbaton portalin “Mësues për Shqipërinë” ka shkelur ligjin.

Ky mekanizëm është ngritur në funksion të emërimit të mësuesve në bazë meritokracie duke u siguruar që pjesë e sistemit të jenë më të mirët. Ai siguron: transparencë, efikasitet, vetëmenaxhim, portabilitet dhe cilësi të dhënash.

Gjatë vitit 2018-të, janë punësuar rreth 1700 mësues nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Në 4 vite të zhvillimit të portalit janë punësuar rreth 6104 mësues, shifër e cila është në ndryshim të vazhdueshëm sepse punësime ndodhin gjatë gjithë vitit shkollor, të punësuar me kontratë të përhershme dhe përkohshme si mësues zëvendësues.

Çdo vit janë rreth 600-700 pensionistë që lirojnë vendet e punës (me kontrata afatgjata). Ndërkohë janë edhe 600-700 të tjerë me kontrata të përkohshme që lirojnë vendet e punës (ato me leje lindjeje ose pushim mjekësor). Pra, janë rreth 1300-1400 mësues që pritet të punësohen nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”./atsh

Portali “Mësues për Shqipërinë”, testohen 3600 kandidatë Read More »

Valdrin Pjetri jep dorëheqjen nga marrja e detyrës së kryetarit të bashkisë Shkodër

Valdrin Pjetri dha sot dorëheqjen nga marrja e detyrës së kryetarit të bashkisë Shkodër.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Pjetri, i cili thekson se “ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës. Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor”.

“Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajësinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qenë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem. Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, – nënvizon Pjetri.

Pjetri sqaron se “i ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së kryetarit të bashkisë Shkodër”.

Duke shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen që qytetarët i dhanë në fushatë, Pjetri thekson se “ishte një ëndërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai”.

“Së fundi, ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre që më kanë mbështetur apo dërguar mesazhe solidariteti në këto ditë të vështira për mua”, tha Pjetri./atsh

Valdrin Pjetri jep dorëheqjen nga marrja e detyrës së kryetarit të bashkisë Shkodër Read More »