Lajmi i fundit

Mbi 51 mijë adresime në platformën e bashkëqeverisjes, hapet rubrikë e re për biznesin

Platforma e bashkëqeverisjes shqiperiqeduam.al ka kapërcyer numrin e 51 mijë adresimeve, ndërsa së fundi është hapur edhe rubrika e veçantë për biznesin, që i vjen në ndihmë biznesi të ndershëm.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Kryeministri Edi Rama tha se “adresimet janë të natyrave të ndryshme”.

“Ankesat më së shumti janë për nivelin vendor dhe qendror, por edhe nga studentët që janë interesuar për Paktin për Universitetin. Janë jo vetëm pyetje por dhe sugjerime dhe ide”, tha Rama.

Duke folur për rubrikën e posaçme për biznesin, Kryeministri theksoi se “kjo do të krijojë një akses të shpejtë në qeveri për çdo problem që biznesi has në qasje me administratën dhe për çdo çështje që mbetet pezull në punën e tyre”.

“Dua t’i ftoj të gjithë ata që merren me biznesin që të shkarkojnë aplikacionin shqiperiaqeduam.al dhe të mos humbasin kohë fare duke pritur që një zgjidhje e vonuar t’u vijë përmes rrugësh të vjetra, fatkeqësisht tradicionale, përmes rryshfetit, mikut e me radhë, por të harxhojnë ato 2-3 minuta dhe menjëherë do të kenë në krah ministrin përkatës, autoritetin përkatës dhe do të gjendet zgjidhje në kohë reale”, tha Rama.

Por sipas tij, “duke iu drejtuar platformës ata japin një kontribut të madh pasi në këtë mënyrë do të evidentohen jo vetëm aspekte problematike të funksionimit të administratës, por edhe individë problematikë që bëhen bashkë për vonesa të pajustifikuara dhe të pazgjidhura”.

Rama shprehu besimin se përfshirja e rubrikës së posaçme për biznesin në platformën e bashkëqeverisjes është një dritare e re e rëndësishme për të fuqizuar partneritetin mes qeverisë dhe çdo biznesi të ndershëm.

“Sidomos në këtë fazë ku jemi në një përpjekje të madhe kundër informalitetit dhe kur biznesi i ndershëm që është edhe shumica e biznesit, kërcënohet vijimësisht edhe nga konkurrenca e pandershme e atyre që u shmangen ligjit dhe bëjnë evazion”, tha Rama. /atsh

Mbi 51 mijë adresime në platformën e bashkëqeverisjes, hapet rubrikë e re për biznesin Read More »

Hapen 74 vende pune në Agjencinë e Kadastrës, Lame: Jo ndërhyrje, vlerësoj vetëm profesionistët

Artan Lame, Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, gjatë një deklarate për media ka njoftuar një reformë thellë në administratë për rritjen e profesionalizmit.

Ai ka njoftuar se janë hapur 74 vende pune për inxhinierë e arkitektë…etj, ndërsa ftoi të gjithë të rinjtë e të rejat që duan të aplikojnë, të besojnë se profesionalizmi i tyre do vlerësohet.

“Kadastra ka përmbyllur fazën e parë të riorganizimit, duke prodhuar një strukturë të ri dhe efikase. Ky riorganizim ka sjell një uljen drastike të numrit të ankesave, nga rreth 1000 e disa ankesa të gjetura përpara se të ngrihej kjo agjenci, në vetëm rreth 200 të tilla”, tha Lame.

“Mbyllja e këtij procesi të riorganizimit, hap dyert për procesin e radhës. Sfidat kryesore e Kadastrës sot janë dy, rishikimi i hartografisë në të gjithë vendin dhe ngritja e nivelit profesional”, tha ai.

Sot, shtoi Lame, kemi 400 jurist të të gjitha shkollimeve, nga ato jashtë vendit dhe ato brenda vendit dhe si rezultat kemi qindra gjyqe e halle për trualli në të gjithë vendin”.

“Nuk po i hy analizës se si është arritur te ky deformim profesional në 20 vitet e fundit, por reforma për profesionalizmin do të vijoj. Thithja e inxhinierëve është nevojshme dhe do hapet gara për punësimin e 74 specialistëve në strukturën e Kadastrës. Kërkesat janë për Arkitekturë, Gjeodezi, Inxhinierë, të cilët nuk do kenë kontratë të përkohshme, por do të jenë punonjës në strukturë të Agjencisë”, tha Lame më tej.

“Këto 74 vende ndahen në të gjithë Republikën e Shqipërisë, ku Vlora dhe Tirana mbajnë numrin më të lartë. Djemve dhe vajzave që kanë vullnet për punë të kenë besim te unë dhe të aplikojnë për punë pasi do vlerësohet profesionalizmi i tyre. I bëjë thirrje të gjithë familjarëve të mi, ministrave, deputetëve dhe të gjithë zyrtarëve të mos vijnë te unë për punë, pasi unë kërkoj profesionist dhe do vlerësoj vetëm profesionistët”, tha Lame më tej.

“Në Kadastër ka me qindra profesionistë kokëulur, ka me dhjetra shefa e drejtorë që janë bërë të tillë pa futur mik, por thjesht me forcat, krahët dhe mendjen e tyre. Të gjithë kërkojmë të zgjidhim nyje e pronës dhe nyja e pronës zgjidhet vetëm me profesionalizëm; dhe pastaj, të njëjtët njerëz që ankohen për çfarë kanë hequr, më kërkojnë me aman e me derman të fus në punë njërin a tjetrin jashtë profilit. O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat e miqtë, të dyja nuk bëhen dot! Së bashku po e nisim edhe këtë reformë dhe vetëm së bashku mund ta çojmë atë përpara”, deklaroi Lame./atsh

Hapen 74 vende pune në Agjencinë e Kadastrës, Lame: Jo ndërhyrje, vlerësoj vetëm profesionistët Read More »

“Mësues për Shqipërinë”/Publikohen rezultatet, Shahini: Të ofrojmë shërbimin më të mirë në arsimin parauniversitar

Në ditën e publikimit të rezultateve të portalit “Mësues për Shqipërinë” dhe në prag të fillimit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), Besa Shahini ka mbledhur të gjithë përgjegjësit e zyrave arsimore vendore dhe rajonale të arsimit parauniversitar.

Teksa rezultatet provizore janë publikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe ato përfundimtare do të jenë gati më 16 shtator, ministrja Shahini ka nënvizuar faktin se vetëm nëpërmjet këtij portali tashmë po sigurohet një proces shumë transparent dhe i bazuar në meritë ku mësuesit më të mirë fitojnë të drejtën e punësimit.

“Një prej objektivave madhore të MASR është të kemi mësuesit më të mirë nëpër shkollat tona. Reforma në mësuesi është në rrugën e duhur dhe do të vazhdojë pa u ndalur në mënyrë që shërbimi që ofrohet në arsimin parauniversitar për nxënësit, prindërit dhe mësuesit të jetë më i miri i mundshëm dhe të përmirësohet çdo ditë e më tepër”, u shpreh Shahini.

Gjatë takimit, ministrja Shahini ka përcjellë edhe mesazhet kryesore në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

“Secili prej jush duhet të realizojë me përgjegjshmërinë maksimale detyrat që keni përpara dhe bashkërisht të konsolidojmë edhe prioritetet kryesore që ka MASR si: reforma në mësuesi, gjithëpërfshirja dhe integriteti në arsim”, tha ajo teksa nënvizoi faktin ky është viti i parë që do të punohet plotësisht me kurrikulat dhe tekstet e reja shkollore në të gjitha shkollat.

“Në 5 vitet e fundit, është bërë një ndryshim shumë i madh në kurrikulat dhe tekstet shkollore. Me këto kurrikula do të punojmë për disa vite në vijim. Kurrikula e re synon forcimin e kompetencave të nxënësit dhe ka ndryshuar edhe mënyrën se si mësuesit punojnë në klasë. Ndryshimi i frymës së punës tek mësuesit ka ndryshuar pozitivisht edhe rezultatet e nxënësve”, tha ndër të tjera ministrja Shahini. /atsh

“Mësues për Shqipërinë”/Publikohen rezultatet, Shahini: Të ofrojmë shërbimin më të mirë në arsimin parauniversitar Read More »

Fuqia e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, e pamatshme dhe e pathyeshme

Ministria e Mbrojtjes i ka dorëzuar të martën Medaljen e Mirënjohjes, Zyrës së Atasheut Ushtarak të SHBA në Tiranë dhe Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak në Tiranë.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Tiranë, e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ka theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve është i shkëlqyer dhe Forcat e Armatosura Shqiptare kanë aftësinë dhe profesionalizmin e duhur për të qenë në krah të Forcave ushtarake amerikane në të gjitha situatat që kërkohet.

“SHBA mbështesin Forcat e Armatosura Shqiptare. FA-të shqiptare janë të gatshme dhe të afta të luftojnë krah për krah me trupat amerikane dhe Nato në çdo kohë dhe në çdo moment. Kjo dekoratë është e një vlerë e padiskutueshme dhe një kujtim i rëndësishëm dhe përballë ushtarakëve që kemi humbur në misionet paqeruajtëse”, tha Moses-Ones.

Ajo tha se “çdo ditë të vitit ka forca amerikane këtu për të forcuar lidhjet tona të forta. Forcat shqiptare janë ndër më profesionalet. Forcat shqiptare kanë treguar se janë të përgatitura, të gatshme për të luftuar, në çdo kusht”.

Leyla Moses-One tha vlerësoi se Shqipëria ka respektuar zotimin e Samitit të Uellsit për arritjen në 2% të PBB. “SHBA e përgëzon Shqipërinë dhe mbështet përpjekjet e saj të vazhdueshme deri në vitin 2024. Fuqia e marrëdhënieve tona është e pamatshme dhe e pathyeshme. Për stafin amerikan të atasheut, puna juaj me zell sjell rritje të angazhimit”, tha ajo.

“Për personelin shqiptar, ju jeni zemra e bashkëpunimit, asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur. Pa punën tuaj të madhe asgjë nuk do të ishte e mundur” tha e ngarkuara me punë e SHBA-së, Leyla Moses-Ones.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se, pa mbështetjen e SHBA-së, Shqipëria nuk do të ishte sot kështu.

“Kjo certifikatë është shumë pak, është një gjest simbolik për të shprehur falënderimin e sinqertë për punën e bërë. Sepse të gjithë, unë e para e kam parë që ka qenë një punë e jashtëzakonshme. Nëse sot bashkëpunimi ushtarak mes vendeve tona janë më të forta dhe konsoliduara se kurrë kjo i dedikohet dhe punës së palodhshme dhe të këtyre dy miqve. Faleminderit nga zemra. Nuk mund të rri pa falenderuar përfaqësuesen e SHBA, miken time, Leylan Moses-Ones”, tha Xhaçka.

Ministrja Mbrojtjes tha se i kemi një borxh të madh SHBA. “SHBA na është gjetur në momentet më të vështira të historisë, i kemi një borxh mirënjohje shumë të madh, që nga momentet e themelimit. Pa këtë mbështetje historia e Shqipërisë do të kishte ndjekur një trajektore tjetër. Falë mbështetjes së SHBA, Shqipëria po hyn në fazën jetike të zbatimit të reformës në drejtësi” tha ministrja .

Ajo duke folur për bashkëpunimin me SHBA, nënvizoi investimin për bazën ushtarake të Kuçovës apo tri helikopterët “Cougar”, ndërsa kujtoi dhe stërvitjet e përbashkëta.

“Padyshim që forcimi në logjistik dhe kthimi i vendit tonë në një eksportues të sigurisë është meritë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së pakursyer të SHBA. Duke nisur nga logjistika me armë dhe municione moderne, duke vijuar te helikopterët “Cougar” si dhe investimin madhorë në bazën ushtarake të Kuçovës. Po ashtu në stërvitje të përbashkëta, të cilat kanë rritur profesionalizmin e trupave shqiptare të cilat radhiten pranë aleatëve të NATO-s në misionet paqeruajtëse në të gjithë botën, duke e kthyer vendin tonë në një eksportues të sigurisë”, tha ndër të tjera ministrja Xhaçka. /atsh

Fuqia e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, e pamatshme dhe e pathyeshme Read More »

Zjarrvënia e qëllimshme, Xhaçka: Ligji do veprojë ashpër mbi autorët

Muajt korrik dhe gusht kanë shënuar një numër të pazakontë zjarresh, 324 vatra zjarri ka pasur në mbarë territorin e vendit, ku si pasojë janë djegur 1900 ha pyje, toka bujqësore, dhe kullota.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha sot se nga këto zjarre, 99% të rasteve kanë ardhur jo nga temperaturat e larta, por nga zjarrvënia e qëllimshme.

Xhaçka shprehu vendosmërinë se “ne do të vazhdojmë të jemi në krye të detyrës për të mbrojtur pronën publike e private, e mbi të gjitha jetën e qytetarëve”. “Ligji do të veprojë me ashpërsinë më të madhe ndaj autorëve të këtyre akteve që rrezikojnë të mirën tonë të përbashkët”, tha ajo.

Ministrja gjithashtu vlerësoi punën e jashtëzakonshme të Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, zjarrfikësve dhe ndihmën e qytetarëve të shumtë që u bashkuan si vullnetarë. /atsh

Zjarrvënia e qëllimshme, Xhaçka: Ligji do veprojë ashpër mbi autorët Read More »

Ndëshkohen 256 drejtues të çiklomotorëve për qarkullim në korsitë e biçikletave

256 drejtues të mjeteve me dy rrota janë ndëshkuar nga policia e Tiranës kryesisht, për qarkullim në korsitë e rezervuara për biçikleta dhe pa vendosur kaskën mbrojtëse.

Policia e Shtetit njofton se duke e vlerësuar si burim rreziku për ngjarje rrugore, sjelljen e çiklomotorëve dhe motomjeteve që qarkullojnë në korsitë e rezervuara për biçikleta, policia rrugore e Tiranës ka organizuar kontrolle dhe monitorime në disa rrugë kryesore, siç janë rruga e Kavajës, bulevardi “Zogu i Parë”, rruga e Dibrës, rruga “Ibrahim Rugova” etj.

Përgjatë kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar 256 drejtues të mjeteve me dy rrota, kryesisht për qarkullim në korsitë e rezervuara për biçikleta dhe pa vendosur kaskën mbrojtëse, si dhe janë verifikuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 11 shtetas, pasi janë konstatuar duke drejtuar çiklomotorët dhe motomjetet në kundërshtim me sinjalizimin rrugor dhe të papajisur me leje drejtimi. /atsh

Ndëshkohen 256 drejtues të çiklomotorëve për qarkullim në korsitë e biçikletave Read More »

Ndërhyrje rrënjësore për pastrimin e lumit Gjanica

Lumi Gjanica në Fier po pastrohet në të gjithë gjatësinë e tij për të shmangur rrezikun e përmbytjeve gjatë muajve të dimrit, kur shtohen ndjeshëm prurjet.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, bën të ditur detaje nga ndërhyrja që po bëhet në gjithë gjatësinë e shtratit të lumit, që në stinën e dimrit kthehet në një rrezik serioz për banorët e Fierit.

Sipas tij, paralel me investimin në qendër të qytetit po vijohet me pastrimin e lumit Gjanica.

“Paralel me investimin në qendër të qytetit nisëm punën për pastrimin e lumit Gjanica dhe mirëmbajtjen e tij. Një punë e përvitshme që i rikthehemi sa herë është e nevojshme për të eleminuar çdo rrezik të mundshëm të vërshimit të lumit gjatë stinës së dimrit”, -thotë Subashi.

Ndërhyrja e bashkisë synon të shmangë rrezikun e përmbytjeve në Fier, fenomen problematik ndër vite. Është një sasi e konsiderueshme mbetjesh dhe mbeturinash që hiqet çdo vit për të evituar rastet e përmbytjeve.

Po ashtu, vëmendje e veçantë i kushtohet pastrimit poshtë urave ku grumbullohen mbetjet, por edhe pikave ku lumi ka tendencë të ngushtojë shtratin e tij./atsh

Ndërhyrje rrënjësore për pastrimin e lumit Gjanica Read More »

Qendra e re komunitare në Palasë, fëmijët ende me pushime

Fëmijët e qendrave të përkujdesit social po pushojnë pranë detit këtë sezon turistik, një risi kjo që vjen për herë të parë pas shumë vitesh.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se pushimet ende nuk kanë mbaruar për fëmijët e institucioneve të kujdesit social, të cilët sipas saj, po kalojnë ditë argëtimi në plazhin e Palasës.

Ministrja ka thënë po ashtu se edhe të moshuarit e vetmuar të qendrave sociale kanë kaluar kohë pushimi në qendrën e re komunitare që hapi dyert për herë të parë këtë vit në Palasë.

“Pushimet nuk kanë mbaruar ende për fëmijët e institucioneve tona të kujdesit social që po kalojnë disa ditë argëtimi në plazhin Palasës Të moshuarit e vetmuar, fëmijë e gra të qendrave sociale kanë kaluar pushimet verore në qendrën e re komunitare që hapi dyert për herë të parë këtë vit në Palasë”, -thotë Manastirliu.

Me mbështetjen e qeverisë u rijetësua edhe Shtëpia e Pushimit në Velipojë. Fëmijët e qendrave të përkujdesit social kanë pasur mundësinë të pushojnë pranë detit, nën kujdesin maksimal të edukatoreve. /atsh

Qendra e re komunitare në Palasë, fëmijët ende me pushime Read More »