Lajmi i fundit

Deputetë të opozitës kthehen në shenjë demonstrative në parlament

Disa deputetë të opozitës janë rikthyer në shenjë demonstrative në punë, në Westminster, megjithë pezullimin e parlamentit britanik, pas vendimit të gjyqtarëve skocezë që e konsideruan si të paligjshëm vendimin e qeverisë së Boris Johnson për mbyllje të përkohshme të parlamentit deri më 14 tetor.

Protesta filloi me një tubim deputetësh përpara në hyrje të ndërtesës parlamentare.

Midis tyre ndodheshin edhe dy presidentë komisionesh laburistë, Hilary Benn dhe Meg Hillier si dhe udhëheqësi demokrat-liberal, Jo Swinson, të gjithë anti-Brexit.

Për më tepër, qeveria ka përsëritur gatishmërinë e saj për të mos bërë hapa pas dhe të mos mbledhë Dhomat, para vendimit përfundimtar të Gjykatës Supreme për ankesën kundër akt-vendimit skocez./atsh

Deputetë të opozitës kthehen në shenjë demonstrative në parlament Read More »

Vakanca në Gjykatën e Lartë/ KLGJ kalon 8 juristë në fazën e parë të verifikimit

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit është mbledhur sot për të shqyrtuar dhe verifikuar 14 kandidatët për gjyqtarë në Gjykatën e Larët nga radhët e juristëve më të spikatur.

Në rendin e ditës janë shtatë pika. Pika e parë është, shqyrtimi i projektvendimeve për gjendjen e faktit dhe ligjin e zbatueshëm në lidhje me verifikimin e kushteve dhe kritereve për 14 kandidatë për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, përgatitur nga relatorët përkatës.

Mësohet se nga 22 kandidatë që aplikuan, 13 nuk janë kualifikuar, njëri është tërhequr dhe vetëm 8 kanë mundur që të kalojnë këtë fazë për të vijuar garën. Gjyqtarët e kualifikuar janë, Jetmira Rragami, Ervin Pupe, Rezarta Melo, Theodhori Sollaku, Kestrin Katro, Sokol Sadushaj, Ilir Panda dhe Ardita Alsula.

Kandidatët e skualifikuar janë: Sergjio Mazreku, Ndue Pjetra, Ergys Misha, Aldona Sulaj, Jordan Daci, Lindita Troja, Alma Loci, Hermina Albunesa, Agron Lamaj, Vjosa Bodo Mujo, Shaqir Hasanaj, Anton Lleshaj dhe Altin Binaj.

Pika e dytë është Shqyrtimi i projektvendimit “Për shpalljen e procedurës së emërimit në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur” (në fushën e të drejtës civile), i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës.

Më tej është pika e tretë e rendit të ditës, shqyrtimi i projektvendimit “Për përjashtimin e gjyqtarëve Margarita Buhali dhe Fatri Islamaj nga procedura e ndarjes së çështjeve me short”, i përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale. Shqyrtimi i opinioneve për kandidatët nga radhët e gjyqtarëve që kanë shprehur interes për komandimin pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës. Shqyrtimi i projektvendimit “Për përsëritjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit Gentian Marku në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër”, i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës.

Shqyrtimi i projektvendimit “Për ndërprerjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit Besmir Stroka në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë dhe kthimin e tij në pozicionin e mëparshëm”, i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës

Dhe në fund, do KLGJ do të vendos caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme, i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës. /atsh

Vakanca në Gjykatën e Lartë/ KLGJ kalon 8 juristë në fazën e parë të verifikimit Read More »

Ndryshon pamja e kartëmonedhave shqiptare

Pas më shumë se 20 vitesh, dizenjoja e kartëmonedhave në qarkullim vjen e rifreskuar dhe me elementë sigurie të përmirësuar, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë.

Banka e Shqipërisë do të prezantojë së shpejti hedhjen në qarkullim të serisë së re të kartëmonedhave që përbën një ngjarje shumë të rëndësishme, një moment të veçantë, jo vetëm për Bankën e Shqipërisë, por për të gjithë shtetin shqiptar./atsh

Ndryshon pamja e kartëmonedhave shqiptare Read More »

Përafrimi i legjislacionit me BE, miratohet pr/ligji “Për ndryshimet klimatike”

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot pr/ligjin “Për ndryshimet klimatike”.

Relatorja e këtij projektligji Elona Gjebrea, u shpreh se, “qëllimi i këtij projektligji është krijimi i bazës ligjore për integrimin e politikave dhe për masa efektive që mundësojnë plotësimin e detyrimeve të Republikës së Shqipërisë ndaj Konventës, për arritjen e objektivit final të saj, përmes nxitjes së reduktimit të shkarkimeve GES dhe ruajtjes dhe rritjes së përthithësve e rezervuarëve të vendit; përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në nivel kombëtar dhe/ose lokal dhe evidentimin e arritjeve të vendit në këto drejtime, duke përdorur metodologji sipas modeleve të Konventës dhe të BE-së”.

Për të folur rreth projektligjit e ftuar ishte Ornela Çuçi, zëvendësministre në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si dhe specialistë të tjerë të kësaj ministrie.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve në komision, anëtarët e pranishëm miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë./atsh

Përafrimi i legjislacionit me BE, miratohet pr/ligji “Për ndryshimet klimatike” Read More »

Investimet e huaja u rritën në 535 milionë euro në 6-mujorin e parë 2019

Investimet e huaja direkte u rritën në tremujorin e dytë të vitit.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në tre muaj sipërmarrësit e huaj investuan 226 milionë euro, ose 8 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për gjysmën e e parë të vitit, vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 535 milionë euro, apo 10,1% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Investimi më i madh i viteve të fundit, është gazsjellësi Trans-Adriatik. Rreth 1.5 miliardë euro është investimi për ndërtimin e seksionit tokësor të tubacionit në Shqipëri, përfshirë këtu koston e tubave, kompresorëve dhe pajisjeve dhe makinerive të tjera të nevojshme për ndërtimin e tubacionit.

Ndërsa investimi tjetër i madh, është ai i hidrocentraleve që po ndërtohen mbi lumin Devoll nga kompania “Statkraft”. Për të vijuar me investimet e rëndësishme në industrinë e naftës dhe atë minerare.

Fitimet e riinvestuara nga investitorët e huaj për gjysmën e parë të këtij viti arritën në 183 milionë euro, 68% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Sipas origjinës së kapitalit, në vitet e fundit investimet e huaja janë dominuar nga Zvicra dhe Holanda.

Në Zvicër është e regjistruar ndërmarrja që po ndërton gazsjellësin TAP, ndërsa në Holandë është e regjistruar “Statkraft Markets”, kompania përmes të cilës norvegjezët e “Statkraft” zotërojnë “Devoll Hydropower”.atsh

Investimet e huaja u rritën në 535 milionë euro në 6-mujorin e parë 2019 Read More »

Ish-ambasadori austriak, Johan Sattler “Qytetar nderi” i Vlorës

Ambasadori austriak në largim Johan Sattler, nga dita e sotme është “Qytetar Nderi” i Vlorës. Lajmi është bërë i ditur nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli i cili i ka dorëzuar edhe titullin ambasadorit Sattler.

“Një mik i veçantë, Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johan Sattler, që nga sot është “Qytetar Nderi i Vlorës”. Pata kënaqësinë që ti dorëzoja titullin më të lartë vendor, këtij njeriu me vlera që duke filluar nga sot, do të jetë në grupin e njerëzve më të nderuar të këtij qyteti”, tha Leli.

Kryebashkiaku vlerësoi se Sattler dha kontributin e tij personal dhe të shtetit austriak për investimin për qendrën e fshatit Dukat.

“Vëmendja e mikut tone Sattler ndaj Vlorës, u mishërua edhe në hapjen e Konsullatës së Nderit të Austrisë në qytetin tonë, mbas 104 vitesh, duke treguar miqësinë dhe lidhjen tonë të hershme me shtetin austriak”, tha Leli.

Ambasadori premtoi që edhe pse këtë herë larg Vlorës, në një detyrë tjetër, do t’i ketë të forta lidhjet me qytetin, duke qenë “kumbari” i binjakëzimit të Vlorës me një nga qytetet më të zhvilluara të Austrisë. /atsh

Ish-ambasadori austriak, Johan Sattler “Qytetar nderi” i Vlorës Read More »

Rendi dhe siguria/ 70 të proceduar në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 2 janë ndalur dhe 52 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Fier dhe 2 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lire.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 në Tiranë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 9 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë. Në të gjithë territorin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën. Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në Korçë. Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 4 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Durrës. /atsh

Rendi dhe siguria/ 70 të proceduar në 24 orët e fundit Read More »

Shqipëria me shkallën më të lartë të punësimit në rajon, rritje me 3.4 % në tremujorin e dytë 2019

Rritja e numrit të të punësuarve po ndjek trendin pozitiv të qëndrueshëm nga muaji në muaj.

Sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, publikuar sot nga INSTAT, shkalla e papunësisë në vend arrin në nivelet më të ulta historike në shifrat 11.5%. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,9 pikë përqindje ndërsa me tremujorin e parë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,6 pikë përqindje.

Në tremujorin e dytë 2019, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,4 %, nga më të lartat në rajon vlerësuar në vazhdimësi edhe nga institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN, Komisioni Europian, etj.

Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2018, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 3,4% dhe krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, ky tregues u rrit me 2,1%.

Vlen për t’u përmendur se shkalla zyrtare e papunësisë tek të rinjtë shfaq tendencë në rënie e cila, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, është 1,7 pikë përqindje më e ulët, ndërsa me tremujorin e parë 2019 ka pësuar një rënie prej 1,3 pikë përqindje.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u shpreh se ky është një lajm i mire për ekonominë.

“Anketa tremujore e forcave të punës, publikuar sot nga INSTAT, konfirmon efektivitetin e politikave nxitëse për punësimin. Në tremujorin e dytë 2019, papunësia vazhdoi rënien duke kapur nivelin historik prej 11.5%, ndërsa numri i të punësuarve gjithsej krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, u rrit me 3.4 %, duke konsoliduar shkallën e punësimit në 61.4% nga më të lartat në rajon. Ndërkohë shkalla e papunësisë tek të rinjtë shfaq tendencë në rënie e cila krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, është 1,7 pikë përqindje më e ulët” – tha Denaj.

Rritje të punësimit kanë patur sektorët bujqësi, tregti, shërbimet mbështetëse, aktiviteti informatik dhe telekomunikacioni.

Raporti i publikuar sot nga INSTAT tregoi sërish efektivitetin e politikave të ndërmarra nga qeveria që shkon në favor të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe nxitjes së punësimit.atsh

Shqipëria me shkallën më të lartë të punësimit në rajon, rritje me 3.4 % në tremujorin e dytë 2019 Read More »