Lajmi i fundit

Çelet panairi i librit “Tirana 2019”, 60 tituj të rinj e 200 takime me autorë

Panairi i librit “Tirana 2019” çel sot dyert e edicionit të tij të 22-të në Pallatin e Kongreseve.

Ky është një nga evenimentet kryesore të promovimit të leximit. Qytetarët do të kenë mundësi të vizitojnë rreth 100 stenda ekspozuese të të gjitha trevave shqipfolëse që i janë bashkuar aktivitetit.

Ajo që e bën gjithmonë të veçantë panairin është se lexuesit kanë mundësi të takojnë nga afër disa prej autorëve të tyre të preferuar si dhe të njihen me botimet e reja.

Rreth 60 tituj të rinj do të promovohen në panair dhe rreth 200 shkrimtarë, krijues, përkthyes do të jenë pjesë e 100 veprimtarive, të cilat do të organizohen në stendat e shtëpive botuese.

Panairi do të zgjasë nga data 13 deri në datë 17 nëntor. /atsh

Çelet panairi i librit “Tirana 2019”, 60 tituj të rinj e 200 takime me autorë Read More »

P/buxheti 2020: 35 mijë vende pune të reja në vitin e ardhshëm

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë prezantimit të p/buxhetit për vitin 2020 në Komisionin e Ekonomisë bëri të ditur se pritet të krijohen rreth 35 mijë vende pune në vitin që vjen.

Realizimi e një rritjeje ekonomike, e cila parashikohet të jetë në nivelin 4.1% në vitin 2020, një rritje e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet, sipas Denajt do të përkthehet në më shumë punësim.

Për vitin 2020, rritja ekonomike mbështet krijimin e rreth 35 mijë vendeve të reja pune, si dhe uljen e mëtejshme e shkallës së papunësisë poshtë nivelit 11%.

Tregu i punës ka shfaqur një ulje tё mëtejshme tё shkallës së papunësisë nën nivelin prej 12% në tremujorin e dytë, niveli më i ulët i regjistruar gjatë dy dekadave e fundit.

Punësimi, sipas ministres Denaj, u rrit me 3.3%, e ushqyer kjo kryesisht nga rritja e shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës.

“Rritja e punësimit është kyçe për gjenerimin e të ardhurave të disponueshme të familjeve, e për rrjedhojë për të nxitur konsumin, kursimet e investimet, dhe rritjen e mëtejshme të ekonomisë”, deklaroi Denaj./atsh

P/buxheti 2020: 35 mijë vende pune të reja në vitin e ardhshëm Read More »

Moti i keq/ Rrëzohen pishat në qafën e Llogorasë, prefekti Mamaj për ATSH: Rruga po pastrohet

Qyteti bregdetar i Vlorës është përfshirë sot nga moti i keq me erëra të forta, ku si pasojë në qafën e Llogorasë janë rrëzuar disa pisha duke penguar qarkullimin e automjeteve.

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha për ATSH-në se “si pasojë e erës së fortës në qafën e Llogorasë kanë rënë disa pisha në rrugë, që kanë pezulluar qarkullimin. Po merren te gjitha masat në bashkëpunim me Policinë që në të dy krahët e rrugës të mos ngjiten automjetet”

“Ndërkohë policia rrugore po punon për heqjen e pishave nga rruga”, – theksoi Mamaj.

Ndërkohë që në portin e Vlorës është pezulluar puna, për shkak të motit të keq.

Drejtori i portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “për shkak të erës 7-8 ballë në det të hapur trageti “St.Damian, që u nis dje nga porti i Vlorës nuk ka ardhur nga Brindizi”.

Ndërsa kapiteneria e Vlorës ka urdhëruar ndalimin e lundrimeve të gjitha mjeteve të peshkimit.

OSHEE Vlorë njofton se si pasojë e erërave të forta janë dëmtuar disa shtylla elektrike duke nxjerrë jashtë funksioni fidrin R1 në nënstacionin Radhimë. Për pasojë kanë mbetur pa energji zonat si me poshtë: Dukat, Tagjas, Llogara. OSHEE Vlorë ka ngritur grupin e punës dhe në kushte të pafavorshme po punojnë për të rikthyer energjinë. /atsh

Moti i keq/ Rrëzohen pishat në qafën e Llogorasë, prefekti Mamaj për ATSH: Rruga po pastrohet Read More »

Historia frymëzuese e tre gjimnazisteve shqiptare – Fituan çmimin e parë në garën ndërkombëtare të tekonologjisë

“Njerëz të Padukshëm” solli sot historinë frymëzuese të tre vajzave gjimnaziste që me aplikacionin e tyre GjejZâ, që u vjen në ndihmë grave dhe vajzave të dhunuara, përfaqësuan Shqipërinë në konkursin Technovation Challenge në Silicon Valley, San Francisco ku u u shpallën edhe fituese.

Dea Rrozhani, Jonada Shukarasi dhe Arla Hoxha, pjesë e grupit ” D3c0ders” krijuan GjejZâ, një aplikacion që ndihmon gratë shqiptare me qasje në burimet e nevojshme për t’i ndihmuar ato të kapërcejnë pasojat e dhunës me bazë gjinore.

“Në divizionin tonë ishin 6 skuadra nga 173 që ishin në gjysmë finale dhe për ne ishte diçka e madhe të ishim atje dhe sidomos për Shqipërinë, e cila ka katër vjet që merr pjesë në Technovation Challenge dhe kjo ishte hera e parë që një skuadër kalonte në finale”, shprehet Dea Rrozhani.

Jonada Shukarasi tregon se “kur tha emrin decorders që ne kishim fituar çmimin e parë nuk na besohej dhe pastaj pamë njëra tjetrën dhe filluam të qanim”.

“Shumë e madhe, por që vjen edhe me shumë përgjegjësi se në fund të fundit ne nuk përfaqësonim vetëm veten, projektin tonë , por jemi duke përfaqësuar një vend. Duke parë lajmet dhe sesa prezent ishte problemi i dhunës me bazë gjinore, zgjodhëm që gjithë këtë kohë, që ne harxhojmë para kompjuterit, në celularët tanë ta kanalizonim në diçka që është në të mirë të komunitetit dhe ndërtuam GjejZâ”, thekson Rrozhani.

Sipas saj, ky është i pari aplikacion i llojit në Shqipëri, ai ndërthur organizata joqeveritare shërbimet që ofron qeveria dhe specialistët, të gjithë në një aplikacion, vetëm një prekje larg.

“Ka mbi 30 organizata joqeveritare në Shqipëri që ofrojnë shërbime per gra në situata të tilla si dhe 31 koordinatorë bashkie. Por arsyeja pse gratë nuk i përdorin këto shërbime që u ofrohen sepse u mungon informimi”, shprehet Jonada duke shtuar se GjejZâ e ka një domethënie gjej zë, gjej zërin tënd.

Së shpejti, shton ajo, GjejZâ do të jetë i disponueshëm në google playstore dhe në apple appstore.

“Sidomos ne në këtë moshë në adoleshencë kemi një perspektivë shumë të ndryshme të problemeve të sotme nga çfarë kanë të rriturit , ndaj është shumë e rëndësishme që ne të angazhohemi për ti zgjidhur problemet që shohim në komunitet”, thotë Dea.

Jonada sqaron se “nuk është kurrë herët për të filluar , madje pavarësisht se ne jemi shumë të vogla , pjesa më e madhe e problemeve me të cilat përballet shoqëria janë shumë të prekshme dhe shumë të afërt për ne prandaj nuk mund të qëndrojmë indiferent”.

D3C0ders janë një ekip i dedikuar për nxitjen e ndryshimeve pozitive sociale përmes zhvillimit teknologjik dhe programimit. Përmes seminareve të zhvillimit të aftësive, burimeve të bollshme dhe stafit të angazhuar të siguruar nga Këndi Amerikan në Tiranë, D3C0ders ishin në gjendje të vinin dijet e tyre së bashku dhe të hynin në Sfidën Technovation të këtij viti./atsh

Historia frymëzuese e tre gjimnazisteve shqiptare – Fituan çmimin e parë në garën ndërkombëtare të tekonologjisë Read More »

Meta me arbëreshët në Pulja: Identitetin dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë e ka përcaktuar Skënderbeu

“Shqipëria ka vetëm një të ardhme, Europën, identitetin e së cilës ia ka përcaktuar Skënderbeu”, është shprehur Presidenti Ilir Meta gjatë takimit me arbëreshët e rajonit të Puljas në Itali.

Në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij “U’ jam Arbëresh”, Presidenti Ilir Meta vizitoi Komunën e Kazalvekios në rajonin e Puljas, ku u prit nga përfaqësues të shumtë të komunitetit arbëresh dhe autoritetet lokale, të cilat kishin organizuar edhe një aktivitet kulturor për t’i uruar mirëseardhjen Kreut të Shtetit shqiptar.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Komunës së Kazalvekios, Noe Andreano e falenderoi Presidentin Meta për vëmendjen dhe kujdesin e përhershëm të treguar ndaj komunitetit arbëresh, veçanërisht të rajonit të Puglia-s, si dhe vlerësoi nismën “U’ jam Arbëresh”.

Pas takimeve me banorët e shumtë që kishin dalë për ta pritur, Kreu i Shtetit mori pjesë në konferencën me temë “Zhvillimi i raporteve social-ekonomike midis komuniteteve arbëreshe dhe Shqipërisë”.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm personalitete të shumta të pushtetit vendor, Kryetari i Komunës së Casalvecchio, Noe Andreano, Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe i dërguar i Presidentit të Rajonit të Pulias, Domenico Laforgia, Zv/Prefekti i Foxhias z.Ernesto Liguori, si dhe Kuestori i Foxhias, Paulo Sirna.

Në fjalën e tij Meta tha se “Ne u jemi shumë mirënjohës arbëreshëve, sepse jo vetëm kanë ruajtur për shekuj identitetin, historinë, traditën e ritet e tyre, por mbi të gjitha e mbrojtën si të shenjtë figurën e Skënderbeut dhe e rikthyen atë në kohën e duhur për të nxitur rilindjen dhe pavarësinë e Shqipërisë. Ne nuk e harrojmë investimin e jashtëzakonshëm që bënë personalitetet e mëdha të botës arbëreshe si Jeronim De Rada, Zef Serembe e Gavril Dara, për të frymëzuar popullin shqiptar, të shtypur për disa shekuj nën Perandorinë Osmane, për t’u ringritur për pavarësinë e Shqipërisë. E them me bindje dhe ndërgjegje të plotë institucionale, politike e kulturore që ne e kemi shtetin tonë në radhë të parë edhe falë atij kontributi historik të arbëreshëve të Italisë.

“Dua t’i falënderoj përfaqësuesit e shtetit Italian për kujdesin dhe angazhimin e tyre për ta zbatuar sa më mirë në praktikë legjislacionin shumë të avancuar sa i takon mbrojtjes dhe ruajtjes së gjuhës e kulturës së minorancave. Nëse në 5 shekuj arbëreshët ruajtën identitetin, kjo është meritë jo vetëm e karakterit të tyre, por një meritë të jashtëzakonshme ka edhe populli italian. Nga nivelet më të larta deri në ato lokale në Itali kam konstatuar se ka vullnet dhe ndërgjegjësim që trashëgimia kulturore arbëreshe është një pasuri e përbashkët e Italisë dhe e Shqipërisë”, tha ai. /atsh

Meta me arbëreshët në Pulja: Identitetin dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë e ka përcaktuar Skënderbeu Read More »

Spiropali: Qëllimi i PS transformimi i jetës së njerëzve, Shqipërinë askush nuk mund ta marrë peng

Partia Socialiste organizoi sot në Tiranë takimin “Ti Zgjedh” me kandidatët për delegatë të Kongresit që do të zgjidhen më 16 nëntor.

Fjalën e hapjes e mbajti ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali duke deklaruar se “ne zgjodhëm rrugën e përballjes me të vërtetën, zgjodhëm rrugës e transformimit të drejtësisë, rrugën e punës, luftës kundër informalitetit, kthimin e financave në binarë, ne zgjodhëm të jemi një qeveri e përgjegjshëm jo për brezin që shkoi, por për brezat e rinj, për të gjithë ata që duan një Shqipëri Europiane”.

Spiropali tha se “në qeverisjen socialiste prej gjashtë vitesh, nuk e kemi pasur të lehtë. Mund të kishim zgjedhur dhe ne rrugën e konformimit, rrugën e lehtë të të thënit nuk mbajmë përgjegjësi, bëni ç’të doni, ndërtoni ku të doni, financat le të shkojnë në gropë, le të bëjmë fushata dhe të presim shirit, le ta lëmë drejtësinë në gjenden e mjeruar ku është. Punë e madhe, ne jemi politikanë dhe politikanët nuk kanë nevojë të kalojnë përpara procesit të ndëshkueshmërisë, as të mbajmë përgjegjësi për atë që bëjnë. Ashtu siç e bënte ai plaku që vazhdon e flet në forumet dixhitale”.

Spiropali theksoi se e zgjodhëm rrugën e përballjes me të vërtetën. “E zgjodhëm këtë se Partia Socialite nuk e ka qëllim në vetvete pushtetin, por mjet për të transformuar jetët e njerëzve, për të ndryshuar mendësitë, për të transformuar qytetet tona. Mjafton të hedhësh sytë në Tiranë dhe shikon ndryshimin e madh, transformimin e jashtëzakonshëm që i ka ndodhur këtij qyteti, që nuk dallon nga qytete të tjera europiane, madje është qyteti më i mirë në rajon. Rilindja urbane transformoi shumë nga qendrat urbane, jo vetëm Tiranën por dhe Kavajën, së shpejti dhe Kamzën e cila ishte kthyer një vatër informaliteti por abuzimi me pushtetin kur njerëzit nxirreshin si turma për të ardhur në Tiranë për të bllokuar rrugët dhe djegur Kryeministrinë”, tha ministrja.

Spiropali tha se “me 30 qershor ne nuk votuam për të zgjedhur kryebashkiakët, por ne votuam për të thënë se Shqipëria është shtet dhe askush nuk mund ta marri peng dhe këtë e bënë socialistët”.

“Janë këto arsyet që ne prej shtatorit kemi nisur procesin e riorganizimit e rivitalizimit të PS-së në çdo qelizë. Është bërë një punë e jashtëzakonshme nga drejtuesit e PS-së, pasi vetëm në Tiranë janë bërë 2230 mbledhje, takime dhe organizime dhe ristrukturime. Janë mbledhur të gjithë asambletë, kemi ripërtërirë organizatat janë bërë zgjedhjet në më shumë 90% të organizatave, dhe lajmi i mirë është se në 168 prej tyre, nga 674 kemi një bashkëkryetare grua dhe vazhdojmë të zgjedhim gra në drejtim. Dua të falënderoj kryetarin e PS-së Edi Rama i cili nuk është ndalur të promovuarit të grave. Sot kemi më shumë se 50% gra në qeveri, duke e bërë Shqipërinë një nga 5 vendet me barazinë gjinore në qeverisje”, tha ajo.

Duke folur në këtë takim, deputeti Ervin Bushati nënvizoi se përpara tyre qëndron një mal me punë. “Ne jemi në rrugën e duhur sepse në shpirtin tonë ne besojmë në barazinë sociale ndaj qeveria ka ndërmarrë reformën në drejtësi që të gjithë të jemi të barabartë para ligjit. Çdo punë e nisur na ne është e bazuar në vlerat tona që na mbajnë bashkë si familje”, – tha Bushati.

Bushati tha se fokusi i tyre është tek organizimi sepse sipas tij, vetëm organizimi mund të sjellë fitoren në 2021.

Duke folur edhe për opozitën, Bushati u shpreh se “që nga 2013 opozita kërkon çdo ditë zgjedhje të parakohshme dhe vazhdon thotë është krizë. Opozita atë punë ka. Do vazhdojë ti kërkojë deri në 2021, puna jonë është përveç se të bëjmë pjesën e zhvillimit të reformave, punëve që i janë ngarkuar qeverisë dhe bashkive, është të përcjellim pozitivitetin dhe të kujtojmë që e vetmja forcë që mund të bëjë Shqipërinë është Partia Socialiste”.

Sipas Bushatit, Partia Socialiste do fitojë një mandat të tretë në 2021, një rekord për politikën shqiptare./atsh

Spiropali: Qëllimi i PS transformimi i jetës së njerëzve, Shqipërinë askush nuk mund ta marrë peng Read More »

Brenda nëntorit fillon furtuna mbi foletë e krimit dhe korbat e KÇK-së

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “brenda nëntorit fillon furtuna mbi foletë e krimit dhe korbat e KÇK-së”.

Rama informoi se sot e ka nisur ditën me grupin e punës për Ligjin Special kundër krimit të organizuar dhe masat kundër KÇK që po finalizohen në letër.

“Kur dal përditë, pse del përditë, pse del përditë, kur s’dal ca ditë çfarë ka që s’del përditë, historia e vjetër hip se të vrava, zbrit se të vrava”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë informoi gjithashtu se po udhëton drejt Ohrit, ku nisin sot takimet për marrëveshjet e bashkëpunimit rajonal dhe nesër bëhet mbledhja e radhës ku janë ftuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët europianë të nismave rajonale”./atsh

Brenda nëntorit fillon furtuna mbi foletë e krimit dhe korbat e KÇK-së Read More »

Nis sezoni i nxjerrjes së vajit/ AZHBR, mbështetje fabrikave të përpunimit të ullinjve

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, vizitoi sot fabrikën “Tre miqtë”, pranë fshatit Ndroq, e cila prodhon çdo vit mijëra litra vaj.

“Falë mbështetjes që ne i kemi dhënë me rreth 20 milionë lekë përmes AZHBR, sot kjo fabrikë ka një linjë moderne përpunimi të ullinjve dhe kapacitete më të mëdha për të përballuar kërkesat e zonës përreth Tiranës”, tha Çuçi.

Ndërkohë në hyrje të fabrikës, ruhet me fanatizëm si relike edhe mulliri i vjetër i trashëguar qindra vjet më parë. Nëse shkon tek “Tre miqtë”, Vladimiri kujdeset që vizita në fabrikën e tij të nisë së pari nga mulliri i vjetër.

“Kënaqësi të takohesha rastësisht në fabrikë edhe me disa studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, që ishin aty në kuadër të orëve praktike mësimore. Në Skemën Kombëtare të këtij viti ne kishim parashikuar një fond të veçantë për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, si dhe përmirësimin e mekanizmit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit”, – theksoi Çuçi.

Ministri Çuçi shprehet se “nëse doni të provoni vajin fantastik të kësaj fabrike, që në treg shitet nën markën “Ndroqi”, panairi “Shqipëria Punon Tokën” është një mundësi më vete. Më 16 dhe 17 nëntor, Vladimiri do të jetë në sheshin “Skënderbej” bashkë me qindra fermerë të tjerë”./atsh

Nis sezoni i nxjerrjes së vajit/ AZHBR, mbështetje fabrikave të përpunimit të ullinjve Read More »