Lajmi i fundit

Zgjedhjet në PS, voton Rama: Garantohet barazi mes burrave dhe grave

Kryeministri Edi Rama votoi sot në zgjedhjet për delegatët e Kongresit, në qendrën e votimit elektronik në selinë e PS-së.

Në një prononcim për mediet pas votimit, Rama e vlerësoi si të rëndësishëm këtë proces, duke shtuar se ai garanton barazi mes grave dhe burrave në PS.

“Zgjedhjet zhvillohen sot pas një procesi tërësor. Unë doja te fokusohesha te fakti që është një ditë e rëndësishme për konfirmimin e vullnetit tonë për të pasur një parti ku gratë dhe vajzat nga njëra anë dhe burrat e djemtë nga ana tjetër, janë tërësisht të barabartë në mundësinë për t’u zgjedhur, por edhe në hapësirën e zgjedhjes”, tha Rama.

Rama vlerësoi faktin se edhe vendimi më i fundit për të bashkëdrejtuar çdo organizatë me barazi të plotë gjinore është pritur pozitivisht dhe po jep rezultate.

“Natyrisht do të duhet edhe pak kohë që kudo ne të kemi barazi në drejtim dhe si rezultat i kësaj të kemi një proces ku do të kemi barazi në pjesëmarrje. Sot i falënderoj të gjitha gratë dhe vajzat që janë përfshirë në afirmimin e këtij vullneti. I nxis që të bëjnë betejën e tyre në çdo organizatë për të mos lejuar asnjë dominimin burrëror dhe për të shtuar më shumë gra dhe vajza”, tha Rama.

Lidhur me votimin elektronik, Rama tha se “ne kemi përgatitur një proces të tërë përpara zgjedhjeve që kaluan”.

“Në zgjedhjet vendore ne kemi qenë të gatshëm për t’iu përgjigjur me konstruktivitet një kërkese të shumë përsëritur për votimin elektronik, që na ka rezultuar i mundshëm për ta shtrirë në gjithë Shqipërinë. Duhet ta kishim pilotuar në zgjedhjet e shkuara, por ju e dini historinë. Ky është votim elektronik, nuk është online është offline, dhe i papenetrueshëm nga forcat e errëta”, tha Rama. /atsh

Zgjedhjet në PS, voton Rama: Garantohet barazi mes burrave dhe grave Read More »

Zgjedhja e delegatëve të Kongresit, Spiropali: Votimi elektronik e online, risi e këtij procesi

“Votimi elektronik e online, janë risitë e këtij procesi avantgardë, shembull në qasjen e plotë perëndimore që ka PS”, tha sot koordinatorja e Partisë Socialiste për Tiranën, Elisa Spiropali ndërsa ka votuar për delegatët e kongresit të PS-së.

Spiropali shprehet se: “Për ne, progresistët, demokracia e brendshme është më se e rëndësishme, formë dhe thelb për të forcuar themelet, për rritjen e mëtejshme, e padyshim për standardin që ofrojmë si Partia më e madhe në vend që po konsolidon reformat transformuese”.

Spiropali theksoi se votimi elektronik e online, janë risitë e këtij procesi.

“Barazia gjinore në bashkëdrejtim si dhe votimi elektronik e online, janë risitë e këtij procesi avantgardë, shembull në qasjen e plotë perëndimore që ka Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia më e madhë në vend që nuk ndal së punuari për Shqipërinëqëduam”, shprehet Spiropali”, duke theksuar se votova është elektronikisht për delegatëte e kongresit të PS-së”, tha ajo. /atsh

Zgjedhja e delegatëve të Kongresit, Spiropali: Votimi elektronik e online, risi e këtij procesi Read More »

Klosi: Shqipëria vendi i parë europian pa qese plastike më 1 Qershor 2020

Plastika është një kërcënim për mjedisin dhe planetin. Shqipëria do jetë i pari vend europian pa qese plastike më 1 qershor 2020 duke e vendosur kështu në hartën e vendeve lider për veprimet konkrete kundër plastikës dakordësuar kjo edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi përmes një video sensibilizuese për dëmet që sjell plastika në planet shprehet se, “plastika nuk lë vend për jetë”.

“Nëse nuk i themi jo plastikës shumë shpejt situata në planetin tonë do të bëhet kaotike. Sipërfaqet e oqeaneve dhe deteve do të mbushen me mbetje duke rrezikuar jetën e florës dhe faunës në planet. Në oqeane do të këtë më shumë plastikë sesa peshq. Një qese plastike do rreth 500 vjet të dekompozohet duke shkaktuar dëme të pariparueshme në mjedis. Duhet t’i themi jo plastikës së bashku për të shpëtuar planetin”, thuhet në videon sensibilizuese.

Gjithashtu, ministri Klosi zhvilloi një takim edhe me një grup studentësh të cilët i janë bashkuar “Shqipëria vendi i parë europian pa qese plastike, më 1 Qershor 2020”. Një bashkëbisedim i hapur midis stafit të ministrisë së Mjedisit dhe studentëve mbi politikat në mbrojtje të mjedisit dhe rëndësinë e përfshirjes të të rinjve në fushatën mjedisore për një Shqipëri të pastër dhe të gjelbër”, shprehet ministri Klosi. /atsh

Klosi: Shqipëria vendi i parë europian pa qese plastike më 1 Qershor 2020 Read More »

IPARD II/ Tepelenë, fabrika e parë moderne e përpunimit të mishit

Një qendër grumbullimi dhe përpunimi për mishin me kapacitet përpunues tepër të lartë, ku përllogaritet 600 – 700 krerë për një ditë ka nisur të ndërtohet në Tepelenë.

Lajmi u bë i ditur nga bashkia e Tepelenës, e cila thekson se “ky projekt kap vlerën e rreth dy milion euro dha ka një afat kohor maksimal 24 muaj. Ai do të bëhet i mundur falë iniciativës private dhe mbështetjes maksimale nga ana institucionale nëpërmjet fondeve të IPARD II dhe Qeverisë Shqiptare”.

“Duket e pabesueshme që një investim i standardeve europiane ti shkoj Tepelenës në një kohë kur gjithë tregu blegtoral, të paktën në qarkun e Gjirokastrës megjithëse është baza e ekonomisë për banorët e zonave rurale, vijon me problemet e qëndrueshmërisë së tregut, pa diskutuar këtu për trajtimin dhe standardet që duhet të ketë ky produkt, për të qenë pjesë e një tregu europian”, – shprehet bashkia.

Sipas bashkisë, vlen të theksohet fakti që impianti përpunues i mbetjeve nga aktiviteti është fjala e fundit e teknologjisë, ç’ka do të thotë 0 aktivitet ndotës.

Vendndodhja e objektit është mjaft potenciale për Tepelenën, pasi kap në distancë thuajse të barabartë të treja Njësitë Administrative, e vendosur pranë ish-SMT (Ura e Bënçës).

“Ky lajm i thënë shpesh në takimet elektorale me banorët dhe kryesisht blegtorët, ka qenë një nga detyrimet kryesore të kryetarit të bashkisë Peçi, i cili ka bërë gjithë përpjekjet maksimale, për realizimin e këtij investimi tepër të rëndësishëm që kontribuon mjaft për ekonominë familjare në fshatra, duke krijuar edhe vende të reja pune”, – shprehet bashkia e Tepelenës.

Tepelena është një zonë ku blegtoria mund t’i shërbejë tryezave të mikpritjes përmes bujtinave dhe hoteleve të vegjël të agroturizmit. /atsh

IPARD II/ Tepelenë, fabrika e parë moderne e përpunimit të mishit Read More »

Presidenca: Betohen sot pasdite 3 anëtaret e Gjykatës Kushtetuese

Institucioni i Presidentit të Republikës ka njoftuar sot organizimin e ceremonisë për betimin e tre anëtareve të Gjykatës Kushtetuese.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, ka vendosur të thërrasë sot për betim, përpara Presidentit të Republikës, anëtarët e rinj të zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

“Zonja Elsa Toska e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 133/2019 datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:00”.

Zonja Marsida Xhaferllari, e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11350, datë 13.11.2019, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:30.

Zonja Fiona Papajorgji e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 134/2019, datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot më datë 14.11.2019, ora 20:00”, thekson Presidenca.

Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, përfundon njoftimi./atsh

Presidenca: Betohen sot pasdite 3 anëtaret e Gjykatës Kushtetuese Read More »

Shtëpi e re për nënën e 2 fëmijëve që lufton me sëmundjen e rëndë

Vitore Vokrri, nëna e vetme e dy fëmijëve e cila po lufton me një sëmundje të rëndë ndërkohë që po trajtohet jashtë vendit për një ndërhyrje të vështirë, i është mundësuar një shtëpi krejt e re e rindërtuar nga e para.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka thënë se ndihet e kënaqur për ndihmën që iu dha Vitore Vokrrit, nënë e vetme e dy fëmijëve që lufton me një sëmundje të rëndë.

“Vitorja po trajtohet jashtë vendit për një ndërhyrje të vështirë, ndërsa Gerta dhe Endri e presin tashmë në një shtëpi krejt të re të rindërtuar nga e para. Me shpresën që çdo gjë do shkojë mirë për Vitoren dhe bashkë me fëmijët e saj, t’ia nisin nga e para”, theksoi Manastirliu.

Rindërtimi i shtëpisë është mundësuar nga një emision televiziv në një nga mediet në vend, ndihmë që u jepet familjeve në vështirësi ekonomike. /atsh

Shtëpi e re për nënën e 2 fëmijëve që lufton me sëmundjen e rëndë Read More »

Kryebashkiaku Leli fton Kuvajtin të bëhet pjesë e projekteve zhvillimore të Vlorës

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ftoi sot Kuvajtin të bëhet pjesë e projekteve zhvillimore të këtij qyteti.

Gjatë një takimi që zhvilloi të mërkurën me Ambasadorin e Kuvajtit në Tiranë, Fayez Mishari Al Jassim, Leli prezantoi disa nga projektet e bashkisë së Vlorës, të cilat sipas tij, po e transformojnë qytetin në standarde bashkëkohore.

Pasi foli për investimet e realizuara gjatë viteve të fundit, kryebashkiaku Leli u ndal konkretisht tek disa nga projektet më të rëndësishme që janë finalizuar, apo që janë në proces realizimi e përgatitjeje, mes të cilave në atë të transformimit të Sheshit të Flamurit, që pritet të nisë në një afat optimal.

“Ne jemi duke bërë përpjekje së bashku me Qeverinë Shqiptare, me Kryeministrin Edi Rama, për t’i dhënë Sheshit të Flamurit, sheshit të të gjithë shqiptarëve, një dimension tjetër”, nënvizoi Leli, duke shtuar se, të gjitha nismat bashkëpunuese të miqve të Shqipërisë në këtë drejtim, do të jenë të mirëpritura.

“Nismat bashkëpunuese të miqve të vendit tim janë absolutisht të mirëpritura dhe unë do ta vlerësoja shumë”, u shpreh Leli, ndërkohë që vlerësoi se, një binjakëzim i Vlorës me një qytet në Kuvajt, do të nxiste më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.

Leli i dorëzoi një kërkesë zyrtare ambasadorit, Fayez Mishari Al Jassim, duke i kërkuar ndërmjetësimin e tij në konkretizimin e kësaj ideje.

“Do të doja që ky takim të shënonte një hap më tepër në bashkëpunimin mes dy vendeve tona”, theksoi kryebashkiaku vlonjat, duke shprehur mirënjohje për çdo punë të përbashkët me Kuvajtin.

Nga ana e tij, Ambasadori Fayez Mishari Al Jassim, tha se vendi i tij është në krah dhe në mbështetje të Shqipërisë.

Ai përmendi me këtë rast, mbështetjen e financimit të projektit të rrugës së Lumit të Vlorës, ndërkohë që shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen me bashkinë e Vlorës.

Në këtë drejtim, Fayez Mishari Al Jassim, vlerësoi se do të ishte më efektiv binjakëzimi i Vlorës me një njësi më të gjerë vendore në Kuvajt, në nivel prefekture, çka do t’i jepte shtysë më tej punëve të përbashkëta.

“Kam katër vite në Shqipëri dhe kam ardhur herë pas here në Vlorë, në këtë qytet që më pëlqen shumë”, tha Ambasadori i Kuvajtit në Tiranë. Ai shtoi se, ka mjaft ide për Vlorën për të cilat do të vazhdonte t’i diskutonte me kryebashkiakun Leli, në një takim të dytë e në vijim.

Nga ky takim, ai u bëri thirrje sipërmarrësve nga vendi i tij për të investuar në Vlorë, ndërkohë që ftoi bashkështetasit e vet të vijnë për turizëm në këtë qytet të bukur, që i ka lënë aq shumë mbresa.

Më tej, takimi mes Kryebashkiakut Dritan Leli dhe Ambasadorit të Kuvajtit në Tiranë, Fayez Mishari Al Jassim, vijoi me diskutimin e projekteve konkrete, të cilat janë hartuar nga studio të huaja dhe që janë në proces së gjetjes së donatorëve, mes të cilave, projekti i transformimit të Portit të Vlorës.

Gjatë një vizite në mjediset e Vlorës së Vjetër, ku është në proces projekti i restaurimit dhe rijetëzimit, përmes një financimi të Fondit Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit, AADF dhe Qeverisë Shqiptare, me një fond prej rreth 15 milionë euro,u vlerësua konkretisht puna që po bëhet për modernizimin e Vlorës në përputhje me standardet më të përparuara.

Aktualisht, Kuvajti është mbështetës i projektit të ndërtimit të rrugës së Lumit të Vlorës, një nga investimet më të rëndësishme të realizuara në këtë qark, që është në një fazë të avancuar të punimeve.

Vetëm pak ditë më parë, Leli zhvilloi një takim të ngjashëm me Ambasadorin e Bullgarisë në Tiranë. /atsh

Kryebashkiaku Leli fton Kuvajtin të bëhet pjesë e projekteve zhvillimore të Vlorës Read More »

48 gjyqtarët dhe prokurorët që do kalojnë në veting, KPK publikon emrat

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka publikuar sot listën me emrat e 48 gjyqtarë dhe prokurorë, që do t’i nënshtrohen vettingut, në muajt në vijim.

Sipas njoftimit për shtyp, bëhet e ditur se shorti është hedhur një ditë më parë pranë KPK, ndërsa lista me 48 emra kryesohet nga Dritan Gina, që ushtron aktualisht detyrën pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

“Në zbatim të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të pikës 8 të nenit 3 të rregullores “Për procedurat e zhvillimit të shortit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit”, pas miratimit të listës me vendim nr. 59 të datës 07.11.2019 të Komisionit, më 12 nëntor 2019 janë shortuar dhe kanë filluar procedurat e rivlerësimit për subjektet e rivlerësimit”, deklaron KPK duke publikuar edhe emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Dritan Gina Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Bledar Maksuti Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Agron Gjana Prokuroria e e Rrethit Gjyqësor Durrës

Bledar Bejko Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës

Drini Pali Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës

Rabiana Halili (Shehu) Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës

Saimir Smaka Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë

Dritan Marku Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë

Natasha Shallapi (Prifti) Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë

Artan Hazbi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë

Binas Nina Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan

Elmira Tafani (Çabej) Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan

Alfred Shehu Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan

Sali Hasa Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë

Lorenc Mërkuri Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë

Julian Çafka Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër

Spartak Çoçoli Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër

Tasim Puci Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat

Silvana Pani Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Përmet

Bujar Memia Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë

Ketra Bajrami Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë

Nevrie Duka (Halo) Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë

Enkeleda Doda Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë

Arben Dosti Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër

Mirela Iliopulli (Kore) Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër

Pëllumb Vehbi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër

Kostika Çobanaqi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat

Matilda Llangozi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat

Durim Hasa Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat

Saemira Hila Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë

Ali Koleci Gjykata e Rrethit Gjyësor Mat

Rexhep Karaj Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat

Enkeleda Qorri (Kapidani) Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan

Tomorr Kullolli Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan

Bujar Musta Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan

Atalanta Zeqiraj Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë

Albert Spiro Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë

Igerta Hysi (Bengu) Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier

Rezarta Balliu (Vigani) Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Niko Rapi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Ahmet Metaliaj Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Marinela Osmani (Nuni) Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Besjana Garxenaj Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës

Dhurata Bilo Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës

Petraq Dhimitri (Koço) Gjykata e Apelit Durrës

Elidon Papazisi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër

Ken Dhima Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë

Arbena Ahmeti Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë/atsh

48 gjyqtarët dhe prokurorët që do kalojnë në veting, KPK publikon emrat Read More »