Lajmi i fundit

KPK konfirmon në detyrë prokurorin e Apelit në Vlorë, Kleanth Zekën

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin e Apelit në Vlorë, Kleanth Zekën.

Prokurori i Apelit të Vlorës, Kleanth Zeka u përball të mërkurën më 20 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK.

Trupa gjyqësore që kreu procesin e rivlerësimit për prokurorin Zeka përbëhej nga Etleda Çiftja, kryesuese, Firdes Shuli relatore dhe Roland Ilia anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Kleanth Zeka e ka nisur karrierën si oficer i policisë gjyqësore dhe më pas është emëruar si prokuror në Vlorë. Në qershor 2014 ai është promovuar në detyrë si prokuror i Apelit të Vlorës, detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht./atsh

KPK konfirmon në detyrë prokurorin e Apelit në Vlorë, Kleanth Zekën Read More »

Vazhdon procesi i riorganizimit të PS-së

Koordinatorja e Partisë Socialiste për Tiranën, Elisa Spiropali tha sot se vazhdon puna për procesin e riorganizimit të strukturave të PS-së.

Koordinatorja Elisa Spiropali dhe deputeti i PS-së Ervin Bushati kanë zhvilluar një takim me 24 kryetarët e Këshillave Socialiste në 24 njësitë e Tiranës.

Spiropali shprehet se “vazhdojmë me hapin e Riorganizimit të strukturave të PS-së. Sot me Ervinin dhe 24 kryetarët e Këshillave Socialiste në 24 njësitë e Tiranës”.

“Mbas zgjedhjeve fantastike, ku mbi 80% e anëtarësisë u angazhuan në mënyrë aktive në forcimin e demokracisë në familjen tonë progresiste, vazhdojmë procesin e rigjenerimit të strukturës organizative dhe digjitale në çdo qelizë të PS-së në Tiranë”, tha ajo./atsh

Vazhdon procesi i riorganizimit të PS-së Read More »

AKU paralajmëron tolerancë zero për bizneset që shkelin sigurinë ushqimore gjatë festave

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit paralajmëron tolerancë zero për të gjitha bizneset që shkelin sigurinë ushqimore, veçanërisht gjatë festave të fundvitit, periudhë në të cilën abuzimet rriten ndjeshëm.

Kreu i këtij institucioni, Robert Lili tha se AKU ka marrë masa për të garantuar sigurinë ushqimore të konsumatorëve.

“Kjo fushatë do të shtrihet në të gjithë vendin, tek të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, kryesisht atyre me shumicë dhe stabilimentet e përpunimit dhe prodhimit të produkteve ushqimore. Sektorët më problematikë janë importuesit e mëdhenj të ushqimeve dhe stabilimentet e përpunimit dhe prodhimit të produkteve bujqësore”, – deklaroi Lili.

Sa i përket shqetësimit të ngritur për përdorimin e vajit të palmës, kreu i AKU-së tha se produkti nuk është i ndaluar, por bizneset që e përdorin duhet ta bëjnë të ditur prezencën e tij në etiketë.

“Ajo qe ne kemi kërkuar është se të gjitha subjektet që e përdorin dhe e tregtojnë në industrinë përpunuese ushqimore duhet të bëjnë prezent përmbajtjen e tij në etiketat e prodhimit”, – vijoi Lili.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer rreth 82 mijë inspektime nga janari deri në tetor të këtij viti./atsh

AKU paralajmëron tolerancë zero për bizneset që shkelin sigurinë ushqimore gjatë festave Read More »

Vlorë/ Prezantohen traditat e Puglias

Mbrëmja e titulluar “Ngjyrat, shijet dhe harmonia e tokës”, organizuar në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, shënoi edhe çeljen e Javës së Kuzhinës Italiane nëpër Botë, në qytetin bregdetar.

Produktet lokale të certifikuara DOP, gatime e muzikë tradicionale nga rajoni i Puglias, ishin pjesë e kësaj mbrëmjeje, ku mësues, shefa dhe nxënës të Institutit “L’Istituto Alberghiero IIISS De Nora/Lorusso di Altamura”, e shndërruan atë në një spektakël të vërtetë.

Protagonistët e këtij aktiviteti, që sollën në Vlorë traditat më të mira të gatimit nga rajoni i jugut të vendit fqinj, krijuan një atmosferë festive, që u alternua me muzikën e zgjedhur dhe ritmike pulieze.

Pjesëmarrësit në këtë aktivitet, që zhvillohet prej katër vitesh në Vlorë, admiruan dhe shijuan artin tradicional të gatimit dhe tingujt muzikorë, që e kanë bërë Puglian një zonë të njohur në mbarë botën.

Kuzhina e Puglias, spikat për shumëllojshmërinë, ngjyrat, për origjinalitetin, shijen e pakrahasueshme, verërat e mrekullueshme “Primitivo”, me të cilat banorët e këtij rajoni krenohen.

Proshutat, ullinjtë, djathrat, makaronat artizanale dhe të freskëta, mes të cilave makaronat “Oriechiette” të përgatitura “live”, buka Altamura, janë disa nga këto gatime, që janë shndërruar në vlera të padiskutueshme dhe të njohura dhe që e përvijojnë këtë rajon, si një mjedis ku traditat ruhen, promovohen dhe konsolidohen më tej.

Duhet ta shijosh kuzhinën pulieze, për të perceptuar dimensionet e saj. Duhet ta dëgjosh live, muzikën e kësaj zone, për t’u përfshirë në një realitet hyjnor.

“Nuk e ke shijuar Italinë, nëse nuk shijon Puglian dhe kuzhinën e saj”, është një fjalë e urtë e popullit fqinj, çka u provua edhe një herë në çelje të Edicionit të Katërt të Javës së Kuzhinës Italiane nëpër Botë, në qytetin e Vlorës.

Në nisje të këtij aktiviteti, Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Luana Michelli, u ndal në rëndësinë e këtij aktiviteti që synon të përcjellë dhe të bëjë të njohura traditat. “Duke njohur traditat e njëri-tjetrit, ne njohim më shumë vetveten, njohim dhe respektojmë vlerat tonë, të cilat përbëjnë kolonat e miqësisë dhe bashkëpunimit mes nesh”, u shpreh Michelli.

Sipas saj, këto tradita na bëjnë të ndihemi krenarë. Prandaj dhe këto aktivitete, ndërtojnë urat e bashkëpunimit, për të cilat kemi aq shumë nevojë. Shqiptarët dhe italianët sot janë më pranë njëri-tjetrit se kurrë më parë.

Nga ana e tij, drejtori i Institutit “L’Istituto AlberghieroIISS De Nora”, prof. ing. Giusseppe Achille, u ndal tek disa nga të veçantat e kësaj mbrëmjeje, duke theksuar se, në këtë mbrëmje prezantohet tradita pulieze në inovacion.

“Të gjitha produktet e përfshira në këtë prezantim, janë të traditës sonë, të ripara në filozofinë e re të kuzhinës”, theksoi Achille.

Çdo produkt ishte shoqëruar me etiketa dhe kodet respektive, ku prezantoheshin karakteristikat teknike dhe gjithashtu edhe video që përcillnin procesin e gatimit.

Edicioni IV i Kuzhinës Italiane nëpër Botë, në qytetin e Vlorës, do të zhvillohet deri në 26 nëntor. Gjatë këtyre ditëve do të ketë aktivitete të shumta.

Spektakli i mbrëmjes së parë organizohej nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, në bashkëpunim me L’Istituto Alberghiero IIISS De Nora/Lorusso di Altamura” dhe GAL Terre di Murgia.

Ky event pason Javën e Gjuhës Italiane nëpër Botë, gjatë të cilës u zhvilluan veprimtari të shumta në të gjithë bashkitë që shtrihen në rajonin konsullor në jug të vendit, ku u përfshinë të gjitha kategoritë e popullsisë.

Ndër këto veprimtari, veçon premiera e shfaqjes teatrale “La Patente”, nën interpretimin e studentëve të Universitetit “Ismail Qemali”, me regji të Neritan Mehmetaj. Kjo shfaqje u mirëprit nga artdashësit e qytetit të Vlorës, Gjirokastrës etj.. /atsh

Vlorë/ Prezantohen traditat e Puglias Read More »

Tirana shpallet zyrtarisht Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022

Tirana ka triumfuar në Amiens të Francës, ku mes 5 qyteteve kandidate mundi të shpallej zyrtarisht si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022! Lajmin e bukur e ka dhënë mbrëmjen e sotme vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku Tirana u vlerësua për fokusin që ka pasur tek të rinjtë, duke filluar nga ata më të vegjlit me çerdhet, kopshtet, shkollat, këndet e lodrave e deri te studentët me rikonstruksionin e konvikteve, apo krijimin e një sërë lehtësirave që ofron tashmë karta e studentit e kthyer në një realitet.

“Tirana është zyrtarisht fituese e çmimit European Youth Capital 2022! Super lajm për qytetin e veçanërisht për të rinjtë që do jenë motori i vitit europian të rinisë 2022”, shkruan Veliaj.

Tirana ishte përzgjedhur si një nga pesë qytetet kandidate për t’u zgjedhur si Kryeqyteti Evropian për të rinjtë 2022. Nga dhjetëra qytete të Europës që aplikuan, mes pesë qyteteve finaliste ishte renditur edhe Tirana, krahas Kazanit (Rusi), Poznań (Poloni), Varaždin (Kroaci) dhe Baia Mare (Rumani). Qytetet finaliste për EYC 2022 u përzgjodhën nga një panel i pavarur si Parlamenti Evropian, Komiteti i Rajoneve, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, etj. Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve rinore si: Tirana Art Fest, Java Evropiane, Ditët e hapura të edukimit të BE, Ditët Rinore të Start Up-eve, Ditët e Rrjetëzimit të të Rinjve dhe Bizneseve etj./atsh

Tirana shpallet zyrtarisht Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022 Read More »

Kleanthi Zeka në sitën e Vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi sot një seancë dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Kleanthi Zeka, prokuror pranë prokurorisë së Apelit Vlorë.

Trupa gjykuese për subjektin e rivlerësimit përbëhej nga Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.

Subjekti Kleanthi Zeka do të përballet me procesin e Vetingut për tre kriteret e vlerësimit: ligjshmërinë e pasurisë, kriterin etik dhe atë profesional. /atsh

Kleanthi Zeka në sitën e Vetingut Read More »

Traget i ri modern në linjën Vlorë – Brindizi

Prej 23 nëntorit qytetarët do të udhëtojnë nga Vlora drejt Brindizit, me tragetin e ri “PRINCE”.

Trageti është 152 metra i gjatë, ka 150 dhoma me kushte shumë të mira, 2 restorante, 1 piano bar, 1 kafe bar, ambiente për fëmijë dhe një kapacitet prej 1000 pasagjerësh, 300 automjetesh dhe 30 kamionë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se nga hyrja në linjë e këtij trageti, parashikohet që qytetarët të përfitojnë çmime më ekonomike, deri në 30% me lirë, se sa çmimet e deri tanishme.

Trageti i ri lundron me një shpejtësi prej 17 nyje në orë dhe udhëtimi do të zgjasë 4 orë. “Kjo është një punë konkrete për të rritur shërbimet ndaj qytetarëve dhe për të ndërtuar”, bën të ditur MIE./atsh

Traget i ri modern në linjën Vlorë – Brindizi Read More »

Rikonstruktohet shkolla 9 vjeçare “Mustafa Kemal Atatürk”

Shkolla 9-vjeçare “Mustafa Kemal Atatürk” është rikonstruktuar me fondet që u mblodhën për bamirësi nga ‘Panairi Turk i Bamirësisë’ qe u organizua në maj 2019 nga Ambasada Turke.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Ahmet Yörük mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të kësaj shkolle.
“Ta gëzojnë mësueset dhe nxënësit e shkollës “Mustafa Kemal Atatürk” oborrin dhe fushën e volejbollit dhe të basketbollit, e cila është rikonstruktuar me fondet që u mblodhën për bamirësi nga ‘Panairi Turk i Bamirësisë’ që u organizua në maj 2019 nga Ambasada Turke”, u shpreh ai.

“Ndjejmë kënaqësi që të mbështesim këta fëmijë që janë e ardhmja e Shqipërisë”, theksoi ambasadori Yörük.

“Falënderojmë bashkëshortet e zyrtareve të Ambasadës, si dhe të gjithë ato që kontribuuan dhe morën pjesë. Gjithashtu Air Albanian e cila kontribuoi në mobilimin e ambienteve të shkollës si dhe zyrën e TIKA-s në Tiranë që bëri të mundur realizimin e këtij projekti”, u shpreh ambasadori turk. /a

Rikonstruktohet shkolla 9 vjeçare “Mustafa Kemal Atatürk” Read More »