Lajmi i fundit

Siguria ushqimore/ 1850 kontrolle në stabilimentet e operatorëve dhe në pikat e inspektimit kufitar në një javë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë kësaj jave kreu 1 850 kontrolle në stabilimentet e operatorëve të biznesit ushqimor dhe në pikat e inspektimit kufitar.

AKU bën të ditur se në terren janë kryer 357 inspektime të programuara dhe 158 inspektime të pa programuara si dhe janë marrë në total 151 mostra zyrtare duke realizuar analiza laboratorike për 253 tregues analitikë, nga të cilat 1 ka rezultuar jo konform.

Sipas AKU-së, në pikat e inspektimit kufitar janë kontrolluar 1 305 ngarkesa me produkte ushqimore, duke marrë 58 mostra për analiza laboratorike të cilat kanë rezultuar konform.

Janë vendosur 151 masa administrative “paralajmërim”, 8 masa administrative “gjobë” me vlerë 1 260 000 lekë, masë administrative “bllokim produkti” për 2,63 tonë mish si dhe produkte të ndryshme ushqimore.

Po ashtu, vendosi masë administrative dhe “asgjësim produkti” për 169 106 tonë pije freskuese, pije alkoolike, mish, nënprodukte mishi, nënprodukte qumështi dhe produkte të tjera ushqimore, etj.

“Janë adresuar 10 kërkesa për notifikimin e 154 etiketave, pas shqyrtimin për përputhshmëri me kërkesat ligjore janë miratuar 134 etiketa, ndërsa 20 etiketa janë kthyer për korrigjim dhe saktësim”, – thuhet në njoftimin e AKU-së.

AK njoftoi se gjatë kësaj jave, përmes kanaleve të saj të komunikimit me publikun, e-mail, numri jeshil dhe rrjete sociale, ka marrë 4 raste denoncimi nga qytetarët./atsh

Siguria ushqimore/ 1850 kontrolle në stabilimentet e operatorëve dhe në pikat e inspektimit kufitar në një javë Read More »

Ngritja e SPAK/ Nga 19 dhjetori “shkrihet” Prokuroria e Krimeve të Rënda

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk do të ekzistojë më pas datës 19 dhjetor 2019 kur nis edhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur sot në orën 12:00, ku vendosi për transferimin në rrethe të një pjesë të prokurorëve të Krimeve të Rënda, pas mbylljes së saj dhe krijimit të SPAK-ut.
Transferimi i prokurorëve që aktualisht janë të emëruar në Prokurorinë e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda, si rezultat i mbylljes së këtyre prokurorive, në prokurori të tjera të juridiksionit të përgjithshëm:

Arens Çela, Blerim Tominaj, Besim Hajdarmataj, Doloreza Musabelliu, Elisabeta Imeraj, Manjola Kajana, Vladimir Mara ,Sonila Muhametaj , Pranvera Pustina do të transferohen në Prokurorinë e Shkallës së Parë Tiranë.

Prokurori Artan Bajrami do transferohet në Prokurorinë e Apelit Tiranë. Përparim Kulluri transferohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë Shkodër.

Eugen Beci transferohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë Korçë. Të gjitha emërimet janë votuar me 11 vota pro.

Ndërsa për ndërprerjet e caktimeve të përkohshme për prokurorët që ushtrojnë detyrën pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të krijimit të Prokurorisë së Posaçme,dhe caktimet e reja të përkohshme të tyre si më poshtë:

Me 11 vota pro, Anton Martini caktohet përkohësisht në Prokurorinë e Shkallës së parë Tiranë. Emërimin e ka në Prokurorinë e Shkallës së Parë Shkodër.

Ndërprerjet e caktimeve të përkohshme për prokurorët që ushtrojnë detyrën pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të krijimit të Prokurorisë së Posaçme,dhe caktimet e reja të përkohshme të tyre si më poshtë:

Me 10 vota pro, 1 kundër (Alfred Balla) Donika Prela caktohet përkohësisht në Prokurorinë e Shkallës së parë Tiranë.

Caktimet të përkohshme nga data 19.12.2019 deri 18.03.2020.

Po ashtu, me 11 vota pro, Ditan Prençi dhe Isa Jata caktohen përkohësisht në Prokurorinë e Shkallës së Parë Tiranë.

Me 11 vota pro, ndërprihet caktimi i përkohshëm i prokurores Enkeleda Millonai si Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për shkak të emërimit të saj si prokurore në Prokurorinë e Posaçme.

Po me 11 vota pro, u miratua projekt-akti pёr caktimin e përkohshёm tё prokurores Arta Marku si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Vendimi hyn ne fuqi me dt.1 Janar 2020. Prokurorja Arta Marku gjithashtu është edhe anëtare e KED për 2019.

Miratohet me 11 vota pro projekt-akti vlerësimit, në kuadër të rivlerёsimit kalimtar për prokurorin Pelivan Malaj. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, akti i vlerësimit i paraqitet KPK.

Me 11 vota pro, ndërpritet caktimi të përkohshëm të prokurores Alketa Zifla si Drejtoreshë Kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kthimin e saj si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Miratohet me 11 vota pro veprimtaria jashtë funksionit (mësimdhënie) pranë fakultetit të Drejtësisë, Universitetit i Tiranës, për magjistratin prokuror z.Kreshnik Ajazi.

Miratohet me 11 vota pro veprimtaria jashtë funksionit, konkretisht si eksperte, pranë Qendrës së Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore, për magjistraten, prokurore znj. Enkeleda Millonai deri më 30.12.2019.

Miratohet me 11 vota pro veprimtaria jashtë funksionit për prokuroren Ermira Tafani, si eksperte pranë Qendrës për Iniciativa Ligjore Tiranë, për periudhën deri në fund të muajit shkurt 2020 në masën jo më shumë se 2 (dy) orë në javë gjatë dhe jashtë orarit të punës si dhe pranë Universitetit Aleksandër Xhuvani Elbasan, për periudhën mars-qershor 2020./atsh

Ngritja e SPAK/ Nga 19 dhjetori “shkrihet” Prokuroria e Krimeve të Rënda Read More »

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme/ Komisioni i Ekonomisë diskuton projektligjin

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut gjatë mbledhjes së ditës së sotme shqyrtoi projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.

Nismëtari i këtij projektligji, Arben Ahmetaj u shpreh se, “thelbi i këtij projektligji është t’u japë një mundësi qytetarëve për të rivlerësuar pasuritë e patundshme, pronën e tyre me vlerën historike prej 3%. Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka propozuar që kjo vlerë të ulet në 2%”.

Ahmetaj theksoi se, “ky projektligj do t’u japë mundësinë rreth 60 mijë familjeve të përfitojnë dhe gjithashtu është edhe një përfitim për buxhetin e shtetit. Mendojmë që për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve tanë por edhe grupeve të interesit, shtrirja e periudhës së rivlerësimit të jetë 30 gusht 2020 po edhe mundësia e zgjatjes së kësaj periudhe deri më 30 shtator 2020 është një tjetër propozim në mënyrë që të përfitojnë edhe emigrantët të cilët gjatë kësaj periudhe kthehen në shtëpitë e tyre. Mendoj që ky projektligj duhet të prekë edhe qytetarët që janë në proces legalizimi por kjo i takon ligjvënësit të vendosë.”

Relatori i këtij projektligji, Bashkim Fino, duke falënderuar Ahmetaj për këtë propozim tha se, “ky propozim është një risi pozitive për shtimin e të ardhurave duke pasur parasysh faktin se edhe në të shkuarën ky projektligj ka pasur një interes të madh së pari nga qytetarët por edhe për buxhetin e shtetit. Ky projektligj është i domosdoshëm e duhet të realizohet”

Pas diskutimeve anëtarët e komisionit miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” e vendosën t’ia përcjellin atë komisionit përgjegjës dhe seancës plenare.

Më pas, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2018 për projektin “Programi për infrastrukturën komunale V””./atsh

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme/ Komisioni i Ekonomisë diskuton projektligjin Read More »

“Laj…Thaj”, premiera më e re e humorit në “Petro Marko” – Një shfaqe që s’duhet humbur!

NJË SHFAQIE QË S’DUHET HUMBUR…

-“Laj…Thaj”, premiera më e re e humorit në “P. Marko”-

Ka njëmijë e një arësye pse duhet parë shfaqia me e re e Trupës së Varietesë së Vlorës, dhënë sonte si premierë në Teatrin “P. Marko” të qytetit.
Për humorin, për parodinë, për monologun, për pantonimën, për këngën popullore qytetare e këngën e lehtë, për trupën e baletit, për….dhe mund të vazhdoj edhe me të tjera argumente si regjia, dekori mjaft funksional, muzika etj. etj….
Por një prej këtyre arësyeve dua ta veçoj, madje ta theksoj fort, një fakt që lidhet me një gjest të madh por edhe me një guxim e profesionalizëm të lartë, për një mënçuri regjisoriale e krijuese që si me komandë mbërtheu një sallë të tërë nën një peshë të madhe emocioni.
Është fjala për nderimin artistik që i bënë shokët e kolegët e skenës e jetës, aktorit të madh të humorit vlonjat e shqiptar, të pa harruarit “Mjeshtrit të Madh”, Muhamet Liko.
Me një gjetje mjeshtërore po edhe tejet të guximshme, regjisorët Agalliu e Demiraj, na bëjnë përsëri bashkë Katërshen famëmadhe të humorit e ku më pas kënga dedikuar si vëllait të tyre, Met Likos, kënduar nga Afrim Agalliu e Agron Hamo me muzikë të Artur Dhamos, sikur i vinin vulën një shfaqie që me siguri do të mbahet mend gjatë.

Kemi të bëjmë, pa mëdyshje, me një këngë Himn për njërin prej ikonave më të mëdha të humorit shqiptar, Himn që vetëm këta artistë mund ta realizojnë.

Kjo shfaqie, veç të tjerash do të mbahet mend edhe si shfaqia e parë që u bë edhe me Metin por, pa Metin, dhe që tregoi se artistët e mëdhenj rrojnë e kujtohen përmes artit dhe veprës artistike që kanë lënë pas…
Urime të gjithë aktorëve, një për një, këngëtarëve e organizatorëve të premierës më të re të cilët edhe në kohë të vështira, përmes fuqisë së artit të tyre, dinë të dhurojnë buzëqeshje dhe të përcjellin optimizëm jete./Sejmen Gjokoli

“Laj…Thaj”, premiera më e re e humorit në “Petro Marko” – Një shfaqe që s’duhet humbur! Read More »

Italia, angazhim konstant për të shtyrë para procesin e integrimit europian të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot impenjimin konstant të Italisë për të shtyrë para procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor dhe të Shqipërisë në veçanti.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, i cili zhvilli sot një vizitë zyrtare në vendin tonë, kryeministri Rama tha se “ka shumë e shumë gjëra për të cilat Italia meriton të falënderohet”.

“Falënderoj nga zemra ministrin Di Maio. Mund ta them me plot gojën, edhe pse është vizita e tij e parë në Shqipëri, ai është një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve që pavarësisht gjithë ngarkesës së punëve të përditshme gjeti kohën për të ardhur në Shqipëri, për të shprehur solidaritetin e Italisë me Shqipërinë dhe shqiptarët, në këto momente të vështira pas katastrofës së 26 nëntorit. Dua ta përsëris edhe njëherë publikisht sepse pavarësisht se e kam thënë nuk do jetë asnjëherë mjaft për ta përsëritur, shprehjen e mirënjohjes më të thellë ndaj Italisë”, tha Rama.

Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen edhe për angazhimin e emergjencave civile italiane në operacionet e kërkim-shpëtimit. “Ata ishin të parët që zbarkuan në Shqipëri dhe vunë realisht jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë njerëzish të këtij vendi”, tha Rama.

Rama e konsideroi të shkëlqyer marrëdhënien me Italinë, ndërsa theksoi se “më vjen shumë mirë që edhe me qeverinë e re italiane ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer në vazhdën e një tradite të krijuar.

Kryeministri theksoi se në takim u diskutua edhe për aspektet e partneritetit tonë strategjik me Italinë.

Ai tha se “Italia ka qenë dhe mbetet partneri ynë kryesor, i pari në marrëdhëniet ekonomike tregtare dhe pa diskutim vendi që nuk është kursyer asnjëherë në mbështetje të transformimit të Shqipërisë nga një diktaturë në demokraci funksionale”.

“Me ministrin diskutuam edhe për reformën në drejtësi dhe legjislacionin kundër KÇK-së, pra krimit të organizuar, si dhe mbi njësinë speciale kundër korrupsionit. Ministri më ka konfirmuar atë që kemi dëgjuar dhe më parë, gatishmërinë e Italisë për të mbështetur jo thjesht në mënyrë tradicionale me asistencë teknike, por me njerëz në terren e bashkëpunim konkret”, tha Rama.

Ai theksoi se “duam të thellojmë më tepër partneritetin strategjik Itali-Shqipëri, duke vazhduar të afrohemi në të gjitha fushat e interesit të përbashkët. “Faktikisht interesi i përbashkët është gjithmonë e më evident në një kohë e botë ku jetojmë që bëhet gjithmonë e më komplekse. E falënderoj ministrin edhe për mbështetjen e Italisë për marrjen e kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria dhe dua ta siguroj se në këtë funksion ne do të bëjmë më të mirën dhe do të jetë një vlerë e shtuar në bashkëpunimin tonë”, tha Rama. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/820381691748146/?t=0

Italia, angazhim konstant për të shtyrë para procesin e integrimit europian të Shqipërisë Read More »

Raporti i PNUD, Shqipëria renditet në kategorinë me zhvillim të lartë njerëzor

Shqipëria renditet në kategorinë me zhvillim të lartë njerëzor.

Programi për Zhvillimin i Kombeve të Bashkuara, PNUD, prezantoi sot raportin për Zhvillimin Njerëzor, “Përtej të ardhurave, përtej mesatareve, përtej të sotmes. Pabarazitë në zhvillimin njerëzor në shekullin e 21-të”, sipas të cilit Shqipëria renditet e 69-ta mes 187 vendeve të botës për vitin 2019.

Raporti i Zhvillimit Njerëzor për vitin 2019 (HDR) studion pabarazitë në zhvillimin njerëzor përtej të ardhurave, përtej mesatareve dhe përtej të sotmes.

Aktualisht Shqipëria kualifikohet si një vend me zhvillim të lartë njerëzor. Nga viti 1990 deri në vitin 2018, vlera e Indeksit të Zhvillimit Njerëzor (HDI) në vend është rritur nga 0,644 në 0,791, një rritje prej 23,0 %. Jetëgjatësia e pritshme në lindje është rritur me 6,6 vjet, vitet mesatare të shkollimit janë rritur me 2,2 vjet dhe vitet e pritshme të shkollimit janë rritur me 3,6 vjet. Të ardhurat kombëtare bruto (AKB) janë rritur me rreth 178,6 % nga viti 1990 deri në vitin 2018. Kur vlera ulet për shkak të pabarazisë, HDI-ja e Shqipërisë bie në 0,705, që do thotë një ulje prej 10,9 %.

Sipas raportit më të fundit global të Zhvillimit Njerëzor të UNDP-së, ndërsa vendet me të ardhura mesatare të Evropës dhe Azisë Qendrore kanë arritur standarde më të larta jetese se kurrë më parë, ndryshimet klimatike dhe problemet teknologjike mund të ngadalësojnë në mënyrë drastike përpjekjet e tyre për reduktimin e pabarazive.

“Kjo është forma e re e barazisë dhe siç përcaktohet në këtë Raport të Zhvillimit Njerëzor, pabarazia nuk është e pazgjidhshme,” thotë Administratori i UNDP, Achim Steiner.

Raporti bën një studim më të thellë të pabarazive social-ekonomike duke i analizuar ato në tre dimensione – përtej të ardhurave, përtej mesatareve dhe përtej të sotmes — dhe propozon një grup alternativash politike për adresimin e tyre.

Ndonëse rajoni në tërësi regjistron pabarazinë më të ulët mes burrave dhe grave në Indeksin e Pabarazisë Gjinore, gratë mbeten vulnerabël ndaj përjashtimit nga tregu i punës.

Një “indeks i ri i normave sociale” në raport tregon se vitet e fundit ka pasur rritje të anësisë gjinore në më shumë se gjysmën e vendeve të vlerësuara në mbarë botën.

Po ashtu, të rrezikuar janë edhe punëtorët e rinj, migrantët, të papunët afatgjatë, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet që kanë qenë historikisht të margjinalizuar dhe banorët e zonave rurale dhe të izoluara.

Për rrjedhojë, politikat që trajtojnë anësitë themelore, normat sociale dhe strukturat vendimmarrëse janë thelbësore, argumentohet në raport. Për shembull, politikat për balancimin e shpërndarjes së kujdesit, veçanërisht për fëmijët, janë thelbësore, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e diferencës në të ardhurat mes burrave dhe grave gjatë gjithë jetës gjenerohet përpara moshës 40-vjeçare.

Përtej të ardhurave përtej mesatares, përtej të sotmes

Raporti rekomandon që politikat të shohin përtej të ardhurave, duke u fokusuar në ndërhyrjet gjatë gjithë jetës që fillojnë që përpara lindjes, duke përfshirë përmes investimeve në tregun përpara punës në të nxënit, shëndetin dhe ushqyerjen e të fëmijëve. Këto investime duhet të vazhdojnë gjatë gjithë jetës së një personi, qoftë kur ata fitojnë të ardhura në tregun e punës, edhe më pas.

Raporti argumenton gjithashtu se taksimi duhet të vlerësohet si pjesë e një sistemi politikash, duke përfshirë shpenzimet publike në shëndetësi, arsim dhe alternativa ndaj stileve të jetesës me intensitet karboni. Vlerat mesatare fshehin pabarazi të rëndësishme, citohet në raport, dhe ndërsa ato mund të jenë të dobishme në rrëfimin e një historie më të gjerë, nevojitet informacion shumë i hollësishëm për të krijuar politika që të adresojnë pabarazinë në mënyrë efikase.

Në vështrimin përtej të sotmes, në raport ngrihet pyetja se si mund të ndryshojë pabarazia në të ardhmen, veçanërisht në optikën e ndryshimeve klimatike dhe informacionit teknologjik – dy forca që duket se do të riformësojnë rezultatet e zhvillimit njerëzor gjatë shekullit të ardhshëm.

“Me ndryshimin e botës, ndryshojnë edhe pabarazitë” thotë Pedro Conceição, Drejtor i HDRO. “Lajmi i mirë është që ato nuk janë të paevitueshme. Çdo shoqëri ka një mundësi zgjedhje në lidhje me nivelin dhe llojin e pabarazive që është përgatitur të tolerojë”, tha ai.”/atsh

Raporti i PNUD, Shqipëria renditet në kategorinë me zhvillim të lartë njerëzor Read More »

Vijojnë riatdhesimet dhe kthimet vullnetare nga Franca/ Policia: S’ka azil për shqiptarët, jemi vend i sigurt

Policia e Shtetit bën të ditur se vijojnë operacionet e riatdhesimit dhe të kthimit vullnetar të shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.

Në njoftim bëhet e ditur se sot në Rinas u riatdhesuan në dy operacione të ndryshme 173 shtetas shqiptarë, me qëndrim të paligjshëm në Francë dhe në zonën Shengen.

“Operacionet e riatdhesimit u realizuan në bashkëpunim me Frontex-in dhe Zyrën Franceze për Emigracionin (OFII). Në operacionin e parë u riatdhesuan 38 shtetas gjithsej, 5 prej të cilëve nga Belgjika dhe 33 nga Franca. Në operacionin e dytë, që nis nga Lioni i Francës, u kthyen vullnetarisht në total 135 shtetas”, sqaron Policia.

Policia e Shtetit apelon edhe një herë për të gjithë ata shtetas që udhëtojnë në hapësirën Shengen që “të mos bëjnë asnjë përpjekje për të aplikuar për azil në Francë apo në çdo shtet tjetër të BE-së dhe të mos bëjnë asnjë shpenzim duke paguar ata që duan të përfitojnë duke i mashtruar se do t’u sigurojnë azil, pasi rezultati në të dyja rastet do të jetë negativ. Shqipëria është një vend i sigurt dhe shanset për të marrë azil janë zero”. /atsh

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/445369089746186/?t=0

Vijojnë riatdhesimet dhe kthimet vullnetare nga Franca/ Policia: S’ka azil për shqiptarët, jemi vend i sigurt Read More »

Zbardhet Dardha – Dimri “zbret” në Korçë

Fshati malor i Dardhës në Korçës është ‘zgjuar’ i mbuluar nga dëbora mëngjesin e sotëm.

Rreshjet e borës kanë nisur që në orët e mbrëmjes dhe kanë vijuar përgjatë gjithë natës duke mbuluar të gjithë zonëm.

Ndërkaq, sinoptikanët kanë parashikuar ulje të mëdha të temperaturave duke favorizuar kështu rreshjet e borës edhe në zona të tjera malore në Shqipëri.

Zbardhet Dardha – Dimri “zbret” në Korçë Read More »