Lajmi i fundit

Konfirmohet në detyrë drejtori i policisë kriminale, Tonin Vocaj

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit konfirmoi sot në detyrë Tonin Vocaj, drejtor i Policisë Kriminale.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar më 11 dhjetor, Vocaj u përballë me gjetjet e komisionit, lidhur me vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figures si dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës, bazohet në parimin e ligjshmërisë, të barazisë përpara ligjit dhe të proporcionalitetit, duke garantuar të drejtën e punonjësve për një proces të rregullt ligjor./atsh

Konfirmohet në detyrë drejtori i policisë kriminale, Tonin Vocaj Read More »

Gazetarët në protestë para Kuvendit/ Shkelës të të drejtave të njeriut për të ndërtuar sipërmarrjen e tyre të lirë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ata që janë tek dera e parlamentit sot do të ishin me borxhe për të paguar pafundësinë e detyrimeve si rezultat i shkeljes së të drejtave të njeriut. Ata janë shkelës të të drejtave të njeriut, janë shkelës të të drejtës themelore të njeriut që të mos i cënohet në publik integriteti i tij”.

Duke iu referuar gazetarëve që po protestojnë para Kuvendit të Republikës kundër miratimit të paketës “anti-shpifje”, Kryeministri Rama theksoi se “ata janë shkelës të të drejtës dhe lirisë themelore të njeriut në demokraci për të ndërtuar sipërmarrjen e tij të lirë, janë shkelës të së drejtës së shoqërisë për të qenë e mbrojtur nga pasojat katastrofike të lajmeve të rreme apo shpifjeve”.

“Në 26 nëntor ka vdekur një njeri i pafajshëm si rezultat i veprimtarisë së atyre që janë tek dera e parlamentit, ka vdekur ka humbur jetën një baba, janë plagosur dhjetëra njerëz sepse dikush nga ata ka nxjerrë lajmin se spitali i Durrësit po shembet dhe dalja e atij lajmi e ka kthyer spitalin nga një vend pritës për të ndërhyrë dhe shpëtuar jetë dhe për të kuruar plagë të rënda në udhëkryqin e një kaosi me mjekë, infermierë, familjarë, të sëmurë që donin të dilnin një orë e më parë nga dera e spitalit”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “deri këtu mund të shkojë sepse shkoi efekti negativ i fjalëve të lëshuara pa asnjë përgjegjësi. Liria e shtypit, liria e fjalës për të thënë çfarë të duash është edhe përgjegjësi nuk është vetëm e drejtë. Po ata që janë atje kanë publikuar lajmin se qeveria fshihte 100 të vdekur në morgun e spitalit, duke krijuar një situatë kaotike me familjarë që për një arsye e tjetër kishin humbur kontaktet me anëtarë të familjes që ishin shëndoshë e mirë”.

“U jap raste shumë të freskëta nuk po u flas as për veten time, as për familjen time, as për nënën time, as per vajzën tonë, as për djalin tim, as për prindërit e Ditmir Bushatit, as për familjarët e atyre që janë këtu mbrapa meje, nuk po flas as për familjarët e Taulant Ballës dhe të askujt tjetër mes nesh. Po flas për ata që ndryshe nga ne nuk kanë një mikrofon për të thënë të vërtetën e tyre. Për ata që ndryshe nga ne nuk e kanë Facebook live me një milion ndjekës siç e kam unë për të treguar se çfarë bëj dhe nuk i kanë kushtet tona për të qenë sidoqoftë në mundësinë që tu themi atyre që lexojnë shpifjet dhe agresionet e përditshme ndaj nesh dhe familjeve tona se si është versioni në të vërtetë”-, tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje se “këtu e kam fjalën për dhjetëra sipërmarrës që janë detyruar të shkojnë ti paguajnë ata , të paguajnë nën dorë të heqin lajmin se qumështi është i helmuar, se frutat janë me hormone se specat sjellin deformime për bebet në barkun e nënave. Ata si mbrohen në çfarë forme në formën që duhet të presin siç pres unë me shumë durim gjyqet, ndërkohë që një lajmi tillë u shkatërron biznesin dhe deri kur të mbarojë gjyqi biznesi i tyre të ketë falimentuar, me djathin që është me miell apo bukën që është me niseshte. //atsh

Gazetarët në protestë para Kuvendit/ Shkelës të të drejtave të njeriut për të ndërtuar sipërmarrjen e tyre të lirë Read More »

Ligji për mediet 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare, e drejtë e gjithkujt që të mbrohet nga llumi i shpifjes

Kryeministri Edi Rama duke folur për paketën anti-shpifje që pritet të kalojë në Kuvend deklaroi sot gjatë seancës plenare se ligji për anti-shpifje është 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare dhe se do të miratohet sot.

“Nuk ka ligj të përsosur çdo ligj është i përmirësueshëm por ne nuk mund ta shtyjmë në pafundësi në kërkim të perfeksionit miratimin sot, ky ligj do miratohet sot si një e drejtë e gjithkujt që të mbrohet nga llumi i shpifjes. Ne do vazhdojmë punën për aspektet proceduriale dhe rregullatore siç kemi rënë dakort dhe nga fjalia e parë deri tek fjalia e fundit ligji është jo 99% por 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare”, deklaroi Rama.

Rama theksoi se, “këtë nuk e them unë së kështu them unë por e them të konfirmuar 100% me shkrim nga institucioni i përcaktuar për të ndjekur këtë proces që është OSBE-ja. Pasi u morën rekomandimet e BE-së u aplikuan 100% në tekst u lanë detyra që procesi të vazhdoj me OSBE-në, procesi vazhdoj me OSBE-në u bënë dhe disa saktësime të fundit dhe duan apo s’duan organizatat, duan apo nuk duan heronjtë që janë te dera, ky ligj do kaloj sot”.

Ky ligj sipas Ramës do t’i japi një instrument të thjeshtë çdo individi që mbasi kur del tek dera e shtëpisë ha një batare me llum dhe baltë syve të ketë një adresë ku të shkoj edhe të ankohet.

“Të shkoj të thotë këtë baltën ma hodhën po a ka mundësi të mos vazhdojnë të ma hedhin se kjo është shpifje, kaq dhe unë jam në krahun e këtij individi jo për veten time”, tha Rama.

“Të gjitha ndryshimet që janë bërë janë bërë ne konformitet të plotë me ekspertët e përcaktuar të OSBE-së . Drafti ynë është përmirësuar në çdo detaj deri në fund dhe thelbi është po ai qëkur kemi pranuar që nuk na lejohet të bëjmë një ligj si Gjermania ose si vendet e tjera të BE-së se ato i kanë shumë të ashpra. E kemi pranuar këtë do bëjmë një më të butë, ky ka qenë moment i tërheqjes sepse vendet e BE-së nuk i kanë siç duhet ligjet për shpifje i kanë shumë të ashpra”, vijoi Rama.

Rama gjithashtu deklaroi se, “në ligjin ekzistues rregullohet gjithë veprimtaria e ofruesve të këtyre shërbimeve jo veprimtaria e rrjeteve sociale. Këto vendet që janë anëtare të BE-së, këto vendet që kanë ligjet më të rënda kundër shpifjes kanë hyr tek rrjetet sociale. Këto vende ta këpusin në kryq profilin në sekond dhe profilet fallso nuk hapen dot atje, nëse ata nuk duan të hapen. Ne nuk kemi shkuar deri këtu, ne po synojmë të vendosim standarde për respektimin e dinjitetit të të drejtave themelore të njeriut”.

“Nuk janë njerëz vetëm këta që janë tek dera e parlamentit, njerëz janë dhe ata që hapin portalet e tyre dhe ata meritojnë të mbrohen në të drejtat e tyre. Ata nuk janë mish për tu shkelur nga këta sa herë që klikojnë dhe ju del përpara shkelmi i shpifjes edhe i gjithë bolorisë që prodhohet për të vënë nën presion shoqërinë dhe njerëzit dhe për të treguar forcë në raport me burimet e mundshme të financimit që unë të bëj gjëmën prandaj ti duhet të më paguash”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se, ” ky ligj siguron procedura të shpejta administrative për të trajtuar ankesat sepse e thashë nuk mundet dot që për një efekt imediat të dëmshëm ndaj personit, personi të presi 1 vit ndërkohë që efekti bëhet i plotë nëse ajo përmbajtje që është dëmtore nuk lëvizet. Sigurisht kush e ka publikuar atë përmbajtje ka të drejtën e dëgjesës të shkoj atje dhe të thotë që ankesa nuk qëndron sepse unë këtë përmbajtje e kam ekspozuar bazuar në këto fakte”.

“Krijohet gjithashtu një regjistër ku këto subjekte do regjistrohen se këto subjekte bëjnë biznes. Ne nuk kemi gjë me ligjin, s’duam ligj fare thonin ata jashtë pasi internet është liria jonë, domethënë ne në jemi pushtuesit këtu dhe të gjithë njerëzit që futen në internet o duhet të bashkëjetojnë me pushtuesin ose nuk duhet të futen në internet. Identifikimi i pronësisë mundësohet për të gjithë që të dish se me kë ke të bësh jo me prita me ferra pas të cilave dikush të gjuan dhe ti nuk di nga të erdhi dhe nuk di ku të shkosh për tu ankuar. Ndërkohë që ajo që gjuan ndaj teje nuk të ndot ty po e marrin të gjithë. Si mundet të bashkëjetohet me këtë , në emër të kujt lirie apo të drejte. Njeriu duhet të vendoset përpara një ekzekutimi për diçka që është komplet shpifje”, tha Rama.

Rama thekson se ky ligj nuk parashikon mbylljen e portaleve dhe kush e thotë këtë gënjen.

“Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk zëvendëson gjykatën, ajo është instanca ku konkludohet por gjykata dhe vetëm gjykata dhe jo AMA shqyrton çështjet kur ngrihet problem shpifës. Por kur nuk lexon ligjin ose kur thua ma kanë thënë miqtë atëherë flet kot sepse ligji e ka të qartë këtë”, tha Rama.

“Unë personalisht nuk merrem fare me AMA-në, unë me shpifësit do vazhdoj në gjykatë, më janë bërë deri tani 60 çështje mund të shkojnë dhe 600 varet sesa do rri këtu. Unë këtyre nuk i ndahem ose do vijnë të provojnë në gjykatë që ato që thonë janë të vërteta dhe nëse njëri do dali ta provoj unë do iki që këtu ose këta do dënohen në gjykatë si fajtor për përhapjen e shpifjeve”, përfundoi Rama. /atsh

Ligji për mediet 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare, e drejtë e gjithkujt që të mbrohet nga llumi i shpifjes Read More »

Ligji antishpifje merr dakordësinë e OSBE-së

“Ne kemi punuar me kryeministrin Edi Rama dhe me qeverinë e Shqipërisë deri në minutën e fundit për të përmirësuar draftin e ligjit të medies dhe për të sjellë në linjë me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së”, tha pasditen e sotme, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e Medies, Harlem Desir.

“Shumë përmirësime në versionin e fundit të botuar sot në krahasim me projektligjet e mëparshme: detyrimet e regjistrimit janë eliminuar; masa mbrojtëse të përgjithshme lidhur me standardet ndërkombëtare të prezantuara (neni 4); janë futur kufij të rreptë për marrjen e përmbajtjes (neni 132); (2/5)”, theksoi ai në një reagim në Twitter.

“Rregullimi i së drejtës së përgjigjes është përshtatur me nevojat e botimeve elektronike dhe është kufizuar për të shmangur keqpërdorimet (neni 53/1); atribuimi i ri i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) është eliminuar. (3/5)”, tha ai.

“Puna do të vazhdojë për të zvogëluar nivelin e gjobave, dhe për miratimin e një instrumenti nënligjor në të ardhmen, në mënyrë që të garantohet që asnjë gjobë joproporcionale nuk mund të vendoset për ofruesit e shërbimeve elektronike. (4/5)”, theksoi përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e Medies, Harlem Desir.

“Zyra ime do të monitorojë nga afër zbatimin e ligjit, i cili në asnjë mënyrë nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve. AMA duhet ta zbatojë ligjin në mënyrë vërtet të pavarur. (5/5)”, përfundon reagimin Desir./atsh

Ligji antishpifje merr dakordësinë e OSBE-së Read More »

Gara për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, KED publikon pikëzimin e kandidatëve

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi realizoi diskutimin mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Rezultati paraprak i pikëzimit për secilin kandidat të vlerësuar është si më poshtë:

Artur Metani 89.6 pikë

Eris Hysi 78.3 pikë

Joana Asimi Sorraj 82.5 pikë

Lindita Troja 63.4 pikë

Sokol Stojani 89 pikë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në mbledhjen e tij të datës 11.12.2019, ka vendosur fillimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe po në të njëjtën ditë ka realizuar edhe intervistat me kandidatët e lejuar për këtë vend vakant.

Në zbatim të nenit 239 pika 3 të ligjit nr.115/2016, duke vijuar të qëndrojë i mbledhur deri në përfundimin e procesit të vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve, pasi e përfundoi punën e tij për shqyrtimin e dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët dhe atij të siguruar nga Këshilli në komunikimin me institucionet e tjera lidhur me të dhënat e nevojshme për vlerësimin e kandidaturës dhe të të dhënave të nxjerra nga intervistat me kandidatët, ditën e sotme, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi realizoi diskutimin mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Krahas procesit të punës për zbardhjen e vendimeve të arsyetuara për vlerësimin dhe pikëzimin e secilit kandidat të lejuar, në zbatim të nenit 239 të ligjit nr.115/2016 dhe të pikave 67-74 të Vendimit nr.5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, do të shqyrtohen dhe miratohen: Lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë; Raporti i arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre akteve në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, do t’i dërgohen lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve dhe raporti i arsyetuar i Këshillit ku përmbahet analiza lidhur me plotësimin ose jo të kushteve ligjore të kandidimit nga secilit kandidat në vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedurën e ndjekur në vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar, si edhe aktet përkatëse të verifikimit dhe të vlerësimit e pikëzimit për secilin kandidat. /atsh

Gara për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, KED publikon pikëzimin e kandidatëve Read More »

Bashkia e Tiranës miraton heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve, Veliaj: Të mësojmë nga historia

Për shkak të konstruksionit mbajtës të tarracave, që lidhet drejtpërdrejtë me sigurinë e jetës dhe shëndetit të banorëve që jetojnë në këto objekte, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi heqjen e të gjithë depozitave të ujit nga tarracat.

Bashkia e Tiranës do të udhëzojë që depozitat e përbashkëta të ujit të vendosën në ambientet e bashkëpronësisë në katet e para, duke i hequr nga tarracat.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se Tirana duhet të mësojë nga ajo që ka ndodhur pas tërmetit.

“Ju propozojmë një vendim të Këshillit Bashkiak, ku Bashkia emeton për të gjithë administratorët e pallateve dhe banorët e Tiranës një udhëzim për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat. Një peshë e jashtëzakonshme mbi tarraca që është në mënyrë konstante rrezik për jetën, ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë, dhe nuk duam të jemi ata që nuk mësojmë nga historia, ne duhet të jemi ata që mësojnë nga historia. Lipset të bëjmë disa gjëra me këtë vendim të KB: Së pari, marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët per të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha Veliaj.

Vendosja e depozitave do të lejohet vetëm në rastet kur pas raportit që do të përgatitet me inxhinierë konstruktorë të licencuar, do të ketë miratohet nga shumica e asamblesë së bashkëpronarëve.

“Ne do të lejojmë depozita në tarracë vetëm nëse inxhinierët konstruktorë të liçencuar i japin aprovim administratorit të pallatit se tarraca e tyre është mjaftueshëm e fortë për të mbajtur atë peshë. Improvizime të tjera nuk do kemi. Kjo është edhe arsyeja pse do i kërkojmë çdo asambleje të pallatit që me administratorin e tyre të bëjë këtë verifikim, do i japim një leje të përshpejtuar kujtdo që do të bëjë depozitë të përbashkët të pallatit në katin përdhes ose në lulishten apo brezin që ka pallati rreth e qark, por kurrsesi nuk do vazhdojmë me këto rreziqe. Ka shumë qytetarë në Tiranë që më thonë: Po nuk jemi ne aq keq sa Laçi e Shijaku, ngaqë kishin parë skenat e kryeministrit që vizitonte disa nga këto ndërtime të tmerrshme. Do e marrim tani këtë vendim, që me shpresë VKB e Tiranës ta përsërisin edhe këto qytetet e tjera, se s’ka nevojë të degradojmë në atë fazë”, deklaroi Veliaj.

Një nga problematikat e hasura nga inxhinierët shqiptarë dhe të huaj në terren, ishte pikërisht vendosja e depozitave të ujit në tarracat e pallateve duke sjellë jo vetëm amortizimin e këtyre objekteve, por edhe rrezikuar jetën e qytetarëve./atsh

Bashkia e Tiranës miraton heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve, Veliaj: Të mësojmë nga historia Read More »

Të huajt shpenzuan 782 milionë euro në Shqipëri, në 3-mujorin e tretë 2019

Megjithëse në stinën e dimrit, jashtë ndikimit të sezonit turistik veror, turistët e huaj, që tashmë i gjen nga jugu në veri të vendit, po vijojnë të shpenzojnë gjithnjë e më shumë para në vendin tonë.

Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, bëjnë të ditur se, për tremujorin e tretë të vitit 2019, shpenzimet e të huajve në Shqipëri arritën në një nivel prej 782 milionë euro, me një rritje mbi 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kryesisht shpenzimet i adresohen më së shumti sektorit të turizmit por dhe atij të shërbime.

Ndërkohë që sezoni i mbarë turistik 2019, sipas INSTAT, reflektoi rritje me ritme më të larta të shitjeve në sektorin e hotelerisë, me 22,5% kundrejt tremujorit të tretë të vitit të kaluar. Ndërsa në sektorin tjetër të lidhur ngushtë me turizmin, atë të bar-restoranteve, rritja e shitjeve, rezultoi në nivelin me 5,4%.

Në këtë nëntëmujor, në Shqipëri hynë gjithsej 5.4 milionë të huaj, me një rritje të dallueshme krahasuar me vitin e kaluar./atsh

Të huajt shpenzuan 782 milionë euro në Shqipëri, në 3-mujorin e tretë 2019 Read More »

Deklarimi dhe pagesa e tatimit në burim/ DPT: 20 dhjetori afati i fundit

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, (PDT) bën të ditur se, data 20 dhjetor është afati i fundit i deklarimit dhe pagesës së tatimit në burim, për periudhën tatimore Nëntor 2019.

Në një njoftimi të saj DPT, i rikujton tatimpaguesve këtë afat, që përkon edhe me periudhën e fundvitit.

”Për çdo paqartësi në përmbushjen e këtij detyrimi ligjor, mos hezitoni të drejtoheni për informacion në sportelet tona të Shërbimit të Tatimpaguesve më afër jush, apo në Qendrën e thirrjeve përmes numrit të gjelbër 0800 00 02” citon DPT.atsh

Deklarimi dhe pagesa e tatimit në burim/ DPT: 20 dhjetori afati i fundit Read More »