Lajmi i fundit

Akademia e Shkencave ngre njësinë e kërkim-studimit në fushën e gjeofizikës e sizmologjisë

Akademia e Shkencave vendosi ngritjen e njësisë së kërkim-studimit në fushën e gjeofizikës e sizmologjisë, e cila do të jetë objekt të punës përcaktimin e masave dhe hartimin e akteve që duhen ndërmarrë e miratuar për futjen e eurokodeve për sigurimin e standardeve në projektimin e strukturave ndërtimore të qëndrueshme ndaj tërmeteve, sipas klasifikimit të objekteve në fushën e ndërtimit.

Kjo njësi u ngrit në mbledhjen e kryesisë së ASH-së mbështetur në ligjin “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, me propozim të prof. Shyqyri Aliaj dhe pëlqimit të Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike.

Njësia përbëhet nga prof. Shyqyri Aliajm drejtues shkencor i njësisë Markel Baballëku, specialiste në fushën e inxhinierisë së tërmeteve e Skënder Allkja, drejtor teknik i kompanisë “Altea Geostadis 2020”, kompani gjeoteknike.

“Veprimtaria e njësisë do të kryhet në dy faza . Së pari përgjithësimi dhe evidentimi i akteve për bërjen efektive e detyruese ligjërisht të rezultateve të studimit të kryer nga prof. Shyqyri Aliaj, Eduard Sulstarova, Siai Koçiu e Betim Muço brenda një periudhe 2-3 mujore. Më tej njësia do të vazhdojë me hartimin e propozimeve konkrete për masat që duhen marrë nga Këshilli i Ministrave e institucionet përkatëse për të kryer zbatimin e plotë të eurokodeve për ndërtim në Shqipëri”, – thekson Akademia e Shkencave.

Sipas ASH-së, koha e veprimtarisë së njësisë është 6 muaj me mundësi rizgjatjeje 6 muaj të tjerë.

“Pranë njësisë do të ftohen si konsulentë specialistë ndër më të njohurit në fushën e ndërtimit e të sizmologjisë sipas propozimit të njësisë. Konkluzionet dhe propozimet e njësisë do të paraqiten në Këshillin e Ministrave dhe Komitetin Shtetëror të Rindërtimit”-, shprehet Akademia e Shkencave.

ASH jep mbështetjen logjistike e mbulon shpenzimet financiare për veprimtarinë e njësisë përfshirë ato për ribotimin e studimit në 200 kopje, ndërsa ky vendim hyn në fuqi menjëherë./atsh

Akademia e Shkencave ngre njësinë e kërkim-studimit në fushën e gjeofizikës e sizmologjisë Read More »

Automjetet që nuk përmbushin standardin euro 4, nuk do importohen më prej 1 janarit 2020

Nga 1 janari i vitit 2020 të gjitha automjetet e përdorura që nuk përmbushin standardin euro 4 nuk do të importohen më në Shqipëri. Në një intervistë televizive, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor Blendi Gonxhja saktësoi se pas datës 31 dhjetor 2019 importi do të lejohet për standardin Euro 4 por që vjetërsia e mjeteve duhet të jetë nga viti 2005 e në vijim çka përjashton automjetet e viteve 2004 e më poshtë.

“Të gjithë shitësit e automjeteve por edhe personat privatë që kanë eksportuar mjete të nivelit nën euro 4 para vitit 2019 pra deri në 31.12.2018 dhe këto janë një stok të paregjistruara në Shqipëri duhet patjetër që të nxitojnë të bëjnë regjistrimin dhe targimin e tyre brenda 31.12.2019 sepse pas kësaj date nuk do të lejohet më regjistrimi. Pra edhe në rast se i kanë futur makinat, në rast se e kanë importuar dhe makina ka paguar doganën dhe ka kryer detyrimet dhe është thjesht një objekt i paregjistruar do të humbi të drejtën për t’u regjistruar”, deklaroi ai.

“Ky vendim është marrë që në pranverën e vitit 2019 pra u dëgjua një shqetësim i komunitetit të tregtarëve të këtyre automjeteve të cilët me të drejtë thoshin që Ok politikat ndryshon për sa i përket kategorisë mjedisore por na lini që këto automjete t’i shesim normalisht në treg dhe të mos na detyroni ti regjistrojmë ato përpara se mos t’i kemi gjetur një blerës. Për këtë arsye ministria dhe DPSHTRR propozuan ndryshimin e VKM dhei lanë një afat 1-vjeçar që këto makina mund të regjistrohen brenda këtij viti deri në 31 dhjetor 2019”, u shpreh Gonxhja.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor në 11 muaj kanë hyrë në vendin tonë 5986 mjete euro 4 e lart ose 43% mjete më të reja çka sjell ulje të ndotjes së ambientit.

“Ndryshe nga viti 2018 brenda mjeteve që vijnë euro 4 në Shqipëri kemi 5986 mjete 43% më shumë mjete euro 4 e lart do të thotë kemi një flotë që rinovohet dhe si numër po pakësohet”, tha Blendi Gonxhja.

Ndërkohë, sa i takon makinave me kilometrazh zero ato duhet të përmbushin kategorinë mjedisore EURO 5 dhe EURO 6. Ndërsa për makinat euro 4 që janë në qarkullim nuk preken nga ky vendim. /atsh

Automjetet që nuk përmbushin standardin euro 4, nuk do importohen më prej 1 janarit 2020 Read More »

Ndahet nga jeta aktorja Marika Kallamata, “gjyshja e përrallave”

“Ndonëse ka luajtur dhjetëra role në teatër e kinema, ajo do të mbetet për ne, përherë, gjyshja e përrallave”. Kështu e nis lajmin e trishto të ndarjes nga jeta të aktores Marika Kallamata, ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Marika Kallamata, aktorja e mrekullueshme, gruaja me pamje të paqtë e zë të ngrohtë, u nda prej nesh, duke lënë pas jo vetëm një galeri të pasur rolesh, kujtimesh të dashura, për të gjithë ata që e njohën nga afër, por edhe timbrin e ngrohtë: Na ishte seç na ishte…!

U prehsh na paqe e dashura jonë, që na e përkunde fëmijërinë me mijëra fantazi!”, u shpreh Margariti

Homazhet për aktoren do të mbahen nesër, në ambientet e “arTurbinës”, nga ora 11:00-13:00. /atsh

Ndahet nga jeta aktorja Marika Kallamata, “gjyshja e përrallave” Read More »

Sulmi ndaj prokurorit Albert Kuliçit / KLP: Akt terrorist ndaj drejtësisë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar lidhur me ngjarjen të ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, kundër pronës të prokurorit Albert Kuliçi, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

Pas mbledhjes së jashtëzakonshme për të shqyrtuar reagimin ndaj ngjarjes, në një njoftim për shtyp, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bën të ditur se “pa dashur të paragjykojmë përfundimet e hetimit, të cilat i presim me padurim, ajo që ka ndodhur sot në Vlorë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cenojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën nr. 1 të Këshillit. Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.

Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen
e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen
e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndjekë me interes punën e grupit posaçëm hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji. Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon Kuliçi dhe të gjithë trupën e prokurorëve të vazhdojnë luftën pa kompromis kundër krimit. /atsh

Sulmi ndaj prokurorit Albert Kuliçit / KLP: Akt terrorist ndaj drejtësisë Read More »

“Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, koncert solidariteti për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti

Artistë të njohur të skenës shqiptare u bashkuan sot në një koncert solidariteti në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit.

I titulluar “Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, koncerti u zhvillua në Parkun Olimpik të Tiranës, me pjesëmarrjen e artistëve, orkestrës dhe korit të Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërsa të ardhurat e mbledhura nga shitja e biletave do të shkojnë për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti.

Në koncert janë të pranishëm Kryeministri Edi Rama, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të cilët ndodhen në Tiranë pasi do të marrin pjesë në takimin e liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së” që zhvillohet në datat 20-21 dhjetor 2019 në vendin tonë.

Në fjalën e saj ministrja e Kulturës, Elva Margariti, theksoi se “në një nga vizitat në kërkim të terreneve për ngritjen e banesave të reja pranë meje u afrua një vajzë e vogël dhe më pyeti: A jeni ju shqiptarë”. Më ka ngelur në mendje kjo vajzë pyetja e saj ka qenë një kohë kjo kur pohimi po ne jemi shqiptarë ka marrë një kumbim krejt të veçantë edhe falë gjesteve të solidaritetit dhe falë gjithë shpresës së mrekullueshme që keni dhënë në këtë kohë”.

“Nuk ka rëndësi sa jep, por ma sa dashuri e jep atë që mundesh ka thënë shenjtorja shqiptare Nënë Tereza. Këto fjalë janë një kornizë e artë për mijëra e mijëra gjeste kuptimplota të solidaritetit që ndriçuan të tatëpjetën e rimëkëmbjes sonë nga fatkeqësia”, – theksoi Margariti.

Ministrja u shpreh se “së bashku të bërë bashkë si rrallëherë ne thyem terrin e plotë dhe frenuam në kohë një rrjedhje hemoragjie dhe një plagë që thithi në zgavrën e vet mijëra e mijëra familje. Tani që ato mijëra mijëra familje janë sistemuar në sistemime të përkohshme plaga kërkon një shërim real dhe ne duam ta shërojmë shpejt , por edhe mënyrë shembullore, përmes një rindërtimi kuptimplotë dhe një rindërtimi të gjithanshëm . Duam ti kthejmë familjet e goditura në shtëpi më të mira se ato që kishin më parë, duam tu japim më shumë mjedise dhe duam tu japim mjedise më të mira se ato që fshiu tërmeti. Duam tu japim zonave të prekura një cilësi më të mirë urbane dhe sociale, duke krijuar komunitete që rrezatojnë ambicien tonë për Shqipërinë që duam”.

Sot, vijoi ajo, ne jemi sot këtu për fëmijët dhe nxënësit, për shkollat e të cilave duhet ti ringremë nga gërmadhat e 26 nëntorit me fuqinë e mesazhit “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”.

“Sonte kjo skenë arti është platformë solidariteti dhe këta artistë janë solidarë në prag të festave të fund vitit për të qenë së bashku për shkruar një histori të bukur shqiptare që na karakterizon”, – tha Margariti.

Ky koncert është një mundësi e mirë për t’u bashkuar në mbështetje të atyre që sot kanë nevojë jetike për gjithë./atsh

“Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, koncert solidariteti për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti Read More »

Erëra të forta në bregdet/ Drejtoria Detare apelon marrjen e masave nga mjetet lundruese

Drejtoria e Përgjithshme Detare i bëri apel sot subjekteve që operojnë në fushën e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte, pasi në datat 20-23 dhjetor moti do të përkeqësohet.

“Bregdeti ynë do të përfshihet nga era me drejtim jug me shpejtësi deri në 38 nyje dhe forca e detit do të jetë 7 shkalla bufort. Moti i përkeqësuar do të shtrihet në gjithë bregdetin tonë”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme Detare.

Pritet që deri në mesnatën e ditës së dielë era dhe deti të kenë të njëjtin intensitet duke përfshirë gjithë bregdetin shqiptar.

“Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese”, shprehet Drejtoria e Përgjithshme Detare. /atsh

Erëra të forta në bregdet/ Drejtoria Detare apelon marrjen e masave nga mjetet lundruese Read More »

Tërmeti i 26 nëntorit/ Certifikata mirënjohjeje për 70 inxhinierët vullnetarë të Kosovës

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, priti sot në një takim mbi 70 inxhinierë vullnetarë të Kosovës, të cilët dhanë një kontribut të pakursyer në konstatimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit në shkolla.

Gjatë takimit Shahini i falënderoi për profesionalizmin, shpejtësinë dhe organizimin në kohë rekord për ndihmën e dhënë në evidentimin e dëmeve në shkolla.

Ministrja Shahini u shpërndau 70 inxhinierëve certifikata mirënjohjeje për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme./atsh

Tërmeti i 26 nëntorit/ Certifikata mirënjohjeje për 70 inxhinierët vullnetarë të Kosovës Read More »

Vetingu/ Shkarkohet nga KPK prokurori i Apelit të Tiranës, Edmond Hyka

Prokurori i Apelit të Tiranës, Edmond Hyka u shkarkua sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas një seance dëgjimore ku u vunë në dukje probleme të pasurisë.

Hyka nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua në seancë nga avokati Jordan Daci. Ky i fundit pati kërkuar gjatë seancës dëgjimore shtyrjen e procesit për shkak të situatës së krijuar nga tërmeti, duke pretenduar se klienti i tij nuk mund të shkonte në shtëpi për të siguruar dokumentacionin.

Gjatë seancës dëgjimore të enjten më 19 dhjetor, KPK relatoi se kishte gjetur nga analiza financiare se Hykës i mungonin 18.2 milionë lekë për të justifikuar pasurinë. Nga relatimi rezultoi mungesë dokumentesh për 2.6 milionë lekë dhe 35 mijë euro të trashëguara nga babai.

Trupa gjykuese e KPK-së, e përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Brunilda Bekteshi anëtare dëgjoi më pas avokatin mbrojtës, Jordan Daci, i cili parashtroi se për shkak të situatës nga tërmeti Hyka nuk kishte mundur të shkonte në apartamentet në Durrës për të siguruar dokumentacion shtesë të kërkuar nga KPK. Ai po ashtu kërkoi shtyrje të seancës, kërkesë që u rrëzua nga Komisioni.

Edmond Hyka ka punuar si avokat nga viti 1998 deri në vitin 2005; kohë kur u emërua prokuror në Prokurorinë e Apelit të Durrësit. Në vitin 2006, Hyka u transferua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe vazhdon ta ushtrojë funksionin aty për 13 vjet./atsh

Vetingu/ Shkarkohet nga KPK prokurori i Apelit të Tiranës, Edmond Hyka Read More »