Lajmi i fundit

‘coronavirus.al’/ 3 877 teste, 446 të infektuar, 217 të shëruar dhe 23 viktima

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 446 të infektuar me COVID-19, 206 raste aktive, 217 të shëruar, 23 të vdekur, ndërsa janë kryer 3 644 teste gjithsej. Po ashtu në total janë 3 877 teste të realizuara.

Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.

Përmes kësaj platforme qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19.

Duke iu referuar grafikut sot është dita e parë kur numri të infektuarve aktiv është më i vogël se ai i të shëruarve, 206 kundrejt 217 të shëruarve. /atsh

‘coronavirus.al’/ 3 877 teste, 446 të infektuar, 217 të shëruar dhe 23 viktima Read More »

Nga sot zgjatet fasha orarit deri në 17:30 dhe 90 minuta për pazar, në fundjavë ndalim qarkullimi nga e premtja në të hënë

Duke nisur nga sot deri në një urdhër të dytë është zgjatur fasha e orarit për mbajtjen hapur të bizneseve të lejuar gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga koronavirusi.

Në urdhërin e sotëm të firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksohet se bizneset e lejuara do të qëndrojnë të hapura nga ora 05:00 deri me 17:30, ndërsa orari i lejuar për të lëvizur me lejedalje vetëm një person brenda familjes për 90 minuta, do të jetë brenda kësaj fashe orari nga 05:00 deri në 17:30.

“Lejohen të kryejnë aktivitetin e tyre vetëm në fashën orare 05:00-17:30, duke filluar nga dita e hënë 13.04.2020, pikat e shitjes së produkteve ushqimore, me pakicë dhe shumicë, pikat e tregtisë së barnave, produkteve mjekësore dhe institucionet financiare. Hyrja në aktivitete e përcaktuara lejohen vetëm për një person të autorizuar, për çdo familje për kryerjen e shpenzimeve familjare ditore. Autorizimi do të jetë vetëm një herë në ditë dhe do të ketë një afat prej 90 minutash gjatë fashës orare 05:00 deri në 17:30”, theksohet në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjithashtu, në urdhër e publikuar sot është vendosur zgjatja e ndalim qarkullimit të qytetarëve dhe çdo lloj mjeti në fundjavë duke filluar nga e premtja, 17 prill në orën 17:30 deri të hënë e 20 prillit në orën 05:00 deri në një urdhër të dytë.

Gjatë kësaj fashe orari në fundjavë nuk do të lejohet asnjë lloj biznesi hapur, as farmacitë, marketet apo bizneset e tjera që lejohen të hapura gjatë javës nga ora 05:00-17:30. Përjashtim nga urdhri bëjnë vetëm transporti i mallrave, policia, urgjenca, mediet dhe shërbimet delivery.

“Kufizim lëvizje në të gjitha qendrat urbane në Shqipëri për të gjitha kategoritë, këmbësor, biçikleta, ciklomotor, motomjete dhe mjete dhe ndalim ofrimi të shërbimeve për qytetarët nga aktivitete e lejuara, çdo fundjavë duke filluar nga e premtja, 17 prill, nga ora 17:30 deri të hënën në orën 05:00. Përjashtohen nga ky rregull të gjitha mjetet e transportit të mallrave, policia e shtetit, forcat e armatosura, njësitë kritike të shërbimeve shtetërore dhe kompanitë mediatike dhe shërbimet delivery”, thuhet në urdhërin e firmosur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. /atsh

Nga sot zgjatet fasha orarit deri në 17:30 dhe 90 minuta për pazar, në fundjavë ndalim qarkullimi nga e premtja në të hënë Read More »

Thyejnë karantinimin dhe luajnë futboll, ndëshkohen 10 persona në Vlorë, mes tyre shefi i policisë

Dhjete persona jane kapur nga policia pasi kane thyer karantinen dhe kane luajtur futboll ne zonen e Pyllit te Sodes ne Vlore. Njeri prej pjesemarresve ne kete loje mesohet se ka qene edhe shefi i qarkullimit ne kete qytet.

Policia e Shtetit
Thyen orarin e karantinimit duke luajtur futboll në një fushë futbolli në pyllin e Sodës, Vlorë, ndëshkohen me masë administrative 10 persona.

Karantinohen për 14 ditë, të 10 personat që u kapën duke luajtur futboll, të cilët do të mbahen nën mbikëqyrje nga ana e Policisë.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullohet nga detyra Shefi i Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Komisar R. P., njëri nga pjesëmarrësit që luante futboll.

Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimi disiplinor për shkelje të rëndë, si dhe u bë pezullimi nga detyra i punonjësit të Policisë G. F., për mospërmbushje apo dështim në përmbushjen e detyrave ose përgjegjësive të caktuara, pasi konstatoi personat dhe nuk mori masë administrative ndaj këtyre shtetasve.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe apelon edhe njëherë për qëndrim në banesë dhe respektim të masave kufizuese, duke bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19

Thyejnë karantinimin dhe luajnë futboll, ndëshkohen 10 persona në Vlorë, mes tyre shefi i policisë Read More »

Në dy spitalet COVID po marrin shërbim 49 pacientë, 7 janë të intubuar

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, 20 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve , duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 217.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 41 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 prej tyre janë të intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 5 prej tyre pacientë janë të intubaur.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 49 pacientë. Ndërkaq, betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor. /atsh

Në dy spitalet COVID po marrin shërbim 49 pacientë, 7 janë të intubuar Read More »

Manastirliu: Në këtë ditë mendimet tona shkojnë për ata që sakrifikojnë e sakrifikohen në spitalet tona

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka cituar fjalët e Papa Françeskut për festën e Pashkës së Shenjtë.

“Siç thotë Papa Françesku: “Fjala e fundit nuk do t’i mbetet as errësirës dhe as vdekjes”, tha Manastirliu.

“Në këtë ditë simbol të triumfit të jetës mbi vdekjen, mendimet tona shkojnë për ata që sakrifikojnë e sakrifikohen në spitalet tona, në këto ditë të vështira në përballjen me COVID-19. Ky gjest domethënës në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” na jep shpresë dhe forcë, se do t’ja dalim bashkë që jeta të triumfojë kudo dhe kurdoherë”, shprehet Manastirliu. /atsh

Manastirliu: Në këtë ditë mendimet tona shkojnë për ata që sakrifikojnë e sakrifikohen në spitalet tona Read More »

Edhe 2 mjekë mposhtin COVID-19/ Shkon në 32 numri i personelit mjekësor të shëruar

Shërimi i plotë edhe i 2 mjekëve në Tiranë të prekur nga COVID-19 e ka çuar numrin e personelit mjekësor të shëruar në 32.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Shërimi i plotë edhe i 2 mjekëve në Tiranë të prekur nga COVID-19 është një lajm shpresëdhënës në këtë ditë simbol të triumfit të jetës. Shkon në 32 numri i personelit mjekësor të shëruar nga COVID-19. Deri tani janë 217 pacientë dhe staf mjekësor që e kanë fituar betejën me COVID -19”, tha Manastirliu. /atsh

Edhe 2 mjekë mposhtin COVID-19/ Shkon në 32 numri i personelit mjekësor të shëruar Read More »

Pandemia/ E-group: Shqipëria mbyll një javë sipas pritshmërive dhe parashikimeve

E-group-i që funksionon pranë Akademisë së Shkencave pasqyron situatën e gjendja e pandemisë në Europë dhe në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, ku thekson se Shqipëria mbyll një javë sipas pritshmërive dhe parashikimeve, forcon vazhdimin e sheshimit të kurbës dhe fillimin e uljes së të sëmurëve faktikë.

E-group shprehet se “një javë më parë, në deklaratën e saj publike, Akademia e Shkencave (nëpërmjet komisioneve të saj të përhershme: komisioni i mjekësisë dhe ai i matematikë-informatikës), paralajmëroi, duke vlerësuar dhe sintetizuar të dhënat, “rolin përcaktues të kësaj periudhe për ecurinë e mëtejshme te pandemisë”.

“Shtimi me 17 të prekur të rinj i numrit tërësor të të sëmurëve gjatë ditës së fundme përbën një rritje prej 4 për qind. Kjo rritje është në vijimësi të logjikës së ecurisë gjatë javës që po mbyllim, me një mesatare rritjeje ditore prej 3.8 për qind. Këto janë ritme karakteristike të fazës se sheshimit të kurbës së rritjes” shprehet E-group.

Po ashtu për situatën në Itali, E-group shprehet se “dje, në Itali dhe specifikisht në Lombardi, Milano e Bergamo, u shënjuan gjegjësisht rritjet prej 2.7 për qind, 2.27 për qind, 2 për qind dhe 1 për qind. Por, në dallim nga Italia, deri tani ritmi i shërimeve në vendin tonë është shumë më i lartë. Shifrat gjegjëse janë 45 për qind dhe 22 për qind. Kjo dinamikë e treguesve ka bërë që Shqipëria të hyjë më shpejt në fazën e daljes nga pandemia. Gjatë javës që po mbyllim treguesit e pandemisë tek ne kanë ecur sipas pritshmërive dhe parashikimeve që janë bërë edhe prej Akademisë së Shkencave, komisionit të përhershëm të mjekësisë, të atij të matematikë-informatikës dhe të anëtarëve të E-group-it tonë “Në ndjekje të pandemisë”.

E-group shprehet se “gjatë javës në vazhdim kërkohet vazhdimi i të njëjtave masa kryesore dhe i së njëjtës përkujdesje, me qëllim që rritja të mbahet nën 3 për qind.Në shkallë botërore dje u shënjua një rritje prej 5.8 për qind, nga 5.6 për qind që u raportua një ditë më parë. Kjo për shkak të gati dyfishimit të numrit të të prekurve të rinj në Britaninë e Madhe (8.680 të infektuar të rinj, kundrejt 4.200 të infektuarve një ditë më parë). Britania e Madhe dhe Rusia janë në fazën e zgjerimit të pandemisë, me 9 për qind deri në 18 për qind rritje në ditë.

Për sa i përket situatës në SHBA, E-group shton se “në SHBA dje u shënjua indeksi më i ulët i rritjes: 7.1 për qind, nga 7.7 për qind një ditë më parë. Por ndërkohë, për fat të keq, humbja e jetëve njerëzore ishte përsëri në nivelet më të larta, me 2.035 veta. Treguesit e lartë të vdekshmërisë mbeten shqetësues edhe per vendet kryesore europiane, ndonëse këta tregues, përveç Belgjikës, dje shënjuan ulje. Kjo u vërtetua në Francë, Spanjë, Itali, Holandë dhe Gjermani. Pritet që kjo tendencë të theksohet në ditët e ardhshme”.

Po ashtu E-group shton se “Europa në tërësi ka shënjuar një rritje të të prekurve të rinj në kufijtë nën 5 për qind. Konkretisht, në Spanjë, Gjermani, Zvicër dhe Austri ky tregues u dëshmua gjegjësisht në nivelet 3.3 për qind, 3.3 për qind, 2 për qind dhe 2.4 për qind. Shmangie të kuptueshme përbëjnë treguesit e Francës dhe Holandës, me 6 për qind. Ndërsa Belgjika, me 6.7 për qind rritje gjatë ditës së djeshme, po njeh një tendencë jostabilizimi”.

“Shërimet në vendet europiane, ku dhe përhapja e pandemisë është më e gjerë, ndonëse me ulje gjatë ditës së djeshme, si trend janë në nivele të kënaqshme. Arritja e shërimeve në nivelet 46 për qind në Zvicër, 44 për qind në Gjermani, 35 për qind në Spanjë dhe mbi 22 për qind në Francë, përbën një tregues pozitiv, çka përshpejton daljen e Europës nga faza e pikut”, shprehet E-group. /atsh

Pandemia/ E-group: Shqipëria mbyll një javë sipas pritshmërive dhe parashikimeve Read More »

Leli: Bashkia e Vlorës solidaritet të pakushtëzuar për të ndihmuar grupet dhe shtresat në nevojë

Bashkia e Vlorës po bën një punë të jashtëzakonshme për identifikimin e grupeve dhe shtresave në nevojë për t’i ndihmuar me ndihma ushqimore dhe ilaçe, në kuadër të luftës kundër përhapjes së COVID-19.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, thekson se “në një situatë të vështirë të pazakontë bashkisë së Vlorës i ka dalë përballë sfida e identifikimit të grupeve dhe shtresave në nevojë, për të cilën bashkia ka organizuar një strukturë strukture hierarkie, ku për çdo rajon dhe njësi administrative ekziston një grup i i përbërë nga kryetari i rajonit, punonjës social, punonjës policie bashkiake punonjës poste dhe vullnetarë”.

Sipas tij, ky grup luan rolin kryesor në identifikimin e shtresave në nevojë.

“Gjithashtu një pjesë e kërkesave vijnë edhe nëpërmjet rrugëve elektronike si whatsapp duke nisur nga numri im personal, çdo administrator, si dhe 4 numra telefoni që janë vendosur në dispozicion, facebook i bashkisë Vlorë dhe ai i imi personal , portali ‘Shqipëria që duam,” apo dhe numrat jeshil. Çdo kërkesë i shpërndahet kryetarit të rajonit përkatës, i cili merr masat e nevojshme për verifikimin e situatës dhe më tej ndjekjen sipas rasteve”, – sqaron Leli.

Përsa i përket shtresave në nevojë të identifikuara në bashkinë e Vlorës, Leli tha se “janë personat me aftësi të kufizuara, pensionistë të cilët jetojnë vetëm në familje apo individë në nevojë, komuniteti rom dhe egjiptian familje me më shume se 5 anëtarë përfitues të ndihmës ekonomike”,

Kryebashkiaku Leli shprehet se “përveç strukturës së organizimit, e cila krijon gjithëpërfshirje ndërsektoriale në bashkinë e Vlorës, ne nuk kemi patur sfidë të veçantë identifikimin e pjesës informale sepse skema kapilare e shtrirë në çdo qelizë të institucionit të bashkisë na ka lejuar hapësira dhe lehtësira për të shkuar deri te pjesët më të vështira të shoqërisë”.

“Kjo do të thotë që janë marrë në konsideratë dhe janë vlerësuar të gjitha informacionet, kërkesat dhe nevojat e çdo qytetari që ka arritur të aksesojë në kohë reale të gjitha mjetet e vëna në dispozicion, komunikative të vendosura nga bashkia si më lart përmendur”, – tha Leli.

Ai u shpreh se “menaxhimi është realizuar në një frymë profesionale, solidariteti e disponibiliteti të pakushtëzuar nën drejtimin tim si kryetar i bashkisë dhe si kryetar i komisionit qendror në skemën e ngritur të grupit të punës”.

“Jemi në luftë dhe të gjithë duhet të kontribuojmë. Jemi duke diskutuar me të gjitha bashkitë e tjera dhe qeverinë qendrore për marrjen e masave sa më të mira, për këto grupe, të cilët për momentin kanë kaluar si të papunë”, – tha Leli./atsh

Leli: Bashkia e Vlorës solidaritet të pakushtëzuar për të ndihmuar grupet dhe shtresat në nevojë Read More »