Lajmi i fundit

15 të shëruar nga COVID-19, 197 në total

Në 24 orët e fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve nga COVID-19 duke e çuar numrin në 197.

Lajmi u bë i ditur nga zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli në një komunikim për mediet.

Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.

Rakacolli tha se “vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.//atsh

15 të shëruar nga COVID-19, 197 në total Read More »

Gjithçka e mbyllur nga sot në 13:00 deri të hënën në 05:00

Kjo fundjavë do të jetë e fundit ku gjithçka do të jetë e mbyllur dhe të gjithë në shtëpi nga sot ora 13.00 deri të hënën në 05.00.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se të hënën do të publikohen masat e reja lehtësuese ku fasha orare do të zgjatet deri 17.30 dhe autorizimet për leje-dalje për pazar do të jenë 90 minuta.

Gjithashtu, Rama ka bërë të ditur se në javën e ardhshme, gjithmonë nëse kurba do të ketë këtë trend rënie, do të shihet mundësia për të zgjeruar edhe lëvizjen me makina private të kompanive që lejohen të qëndrojnë të hapura.

“Në kushtet kur mund të shohim me optimizëm të arsyeshëm fundin e muajit maj si një dalje nga kjo fazë e parë përballjeje të gjithanshme me armikun e padukshëm, ku një pjesë e madhe e aktivitetin ekonomik mund të rikthehet në një normalitet të ri dhe shumë kush mund të rikthehet në punë, me rregulla të mirëpërcaktuara natyrisht”, ka theksuar Rama/atsh

Gjithçka e mbyllur nga sot në 13:00 deri të hënën në 05:00 Read More »

Shërohet nënë Nifja nga Hasi, plot 90 vjeç mposht sëmundjen

Kryeministri Edi Rama jep lajmin e mirë për shërimin sot të nënës 90-vjeçare nga Hasi që ishte e infektuar nga COVID-19.

Rama shprehet se: “Lajm i mirë: Nonë Nifja nga Hasi, plot 90 vjeç, u shërua tani edhe 120 të paktën o non, se 100 nuk bohet llaf”.

Nënë Nifja, 90-vjeçarja nga Hasi ka mundur COVID-19 pas 7 ditësh të vështira në Spitalin Infektiv dhe sot është kthyer në shtëpi e shëruar.

Deri më tani janë 182 pacientë dhe staf mjekësor që e kanë fituar betejën me COVID-19, e së bashku me nënën nga Hasi numri i të shëruarve shkon në 183./atsh

Shërohet nënë Nifja nga Hasi, plot 90 vjeç mposht sëmundjen Read More »

U plagos aksidentalisht gjatë aksionit të Policisë, Lleshaj viziton në spital qytetaren jashtë rrezikut për jetën

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka përgëzuar punonjësit e Policisë së Shteti të cilët bënë të mundur të neutralizojnë dhe të arrestojnë një person me rekorde kriminale, gjatë vizitës në spital të qytetares e cila mbeti e plagosur gjatë operacionit policor.

Lleshaj shprehet se “një kombinim rrethanash solli, që gjatë një përplasjeje të rrezikshme mes Policisë së Shtetit dhe një personi me shumë rekorde kriminale, ku u përdorën armët e zjarrit, të arrihej të neutralizohej në gjendje të plagosur dhe të arrestohej një ndër personat më të kërkuar në vend”.

Lleshaj shtoi se fatkeqësisht gjatë përplasjes mbeti e plagosur një kalimtare e rastit.

“Për t’i shprehur solidaritetin dhe për t’i kërkuar ndjesë qytetares së plagosur, bashkë me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe asaj të Tiranës, bëmë një vizitë në spitalin ku është shtruar qytetarja e plagosur, e cila është nën kujdesin e plotë të mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën”, u shpreh ministri Lleshaj.

“Gjithashtu, me respekt takova edhe punonjësit e skuadrës “Shqiponja”, të cilët sot dëshmuan ato cilësi që të gjithë kërkojmë tek Policia jonë: zgjuarsi, vigjilencë, përgjegjësi, profesionalizëm dhe trimëri. Pavarësisht pandemisë, Policia nuk e humbet fokusin tek detyrat e saj bazë”, shprehet ai. /atsh

U plagos aksidentalisht gjatë aksionit të Policisë, Lleshaj viziton në spital qytetaren jashtë rrezikut për jetën Read More »

Leja e qëndrimit në Itali, e vlefshme deri më 15 qershor

Ambasada e Shqipërisë në Itali Informon qytetarët shqiptarë që ndodhen të bllokuar në Itali, për shkak të emergjencës COVID-19 se dokumentet , certifikatat, vërtetimet, lejet e qëndrimit janë të vlefshme deri më 15 qershor

Ambasada shprehet se “çdo dokument, certifikatat, vërtetim, leje (përfshirë lejen e qëndrimit), koncesion dhe autorizim, me vlefshmëri nga 31 janari deri më 15 prill 2020, ruan vlefshmërinë e vet deri më 15 qershor 2020”.

“Për shkak të masave shtrënguese lidhur me emergjencën COVID-19, të huajt që gjenden në Itali për qëndrim afatshkurtër (me vizë apo të përjashtuar nga detyrimi për t’u pajisur me vizë) nuk duhet të përmbushin asnjë formalitet të mëtejshëm!”, shprehet ambasada

Ambasada thekson se “qëndrimi ne Itali përtej afateve të lejuara, nëse ka ndodhur për shkak të rrethanave objektive të forcës madhore (si mungesa e linjave lidhëse për transportin e njerëzve), nuk do të dëmtoje statusin e tyre juridik, duke pasur gjithsesi parasysh detyrimin ligjor për t’u larguar nga territori italian sapo pengesat aktuale të tejkalohen!”. /atsh

Leja e qëndrimit në Itali, e vlefshme deri më 15 qershor Read More »

Lajm i mirë: Edhe 17 të shëruar, 182 në total

Në 24 orët e fundit, 17 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 182.

Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, tha në komunikimin për mediet “lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit, 17 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 182”.

Sipas saj, betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.

Dervishi tha se “vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social./atsh

Lajm i mirë: Edhe 17 të shëruar, 182 në total Read More »

“Të hënën publikojmë planin”/ Hapje shumë graduale e rrugës së riatdhesimit me kushtin detyrues të karantinimit 14-ditor

Kryeministri Edi Rama informoi sot se “të hënën do të publikohet plani i një hapjeje shumë graduale të rrugës së riatdhesimit, me kushtet përkatëse detyruese të karantinimit 14-ditor, nën rregulla të forta sigurie”.

“Duke ju kërkuar 1000 herë ndjesë të gjithë atyre që janë rezidentë në Shqipëri dhe për arsyen madhore të mbrojtjes së popullit e të vendit tonë nga agresioni i armikut të padukshëm, kanë mbetur jashtë kufijve të mbyllur, si edhe duke u nisur nga mbajtja nën kontroll e kurbës së infeksionit deri tani, jemi gati të publikojmë të hënën planin e një hapjeje shumë graduale të rrugës së riatdhesimit, me kushtet përkatëse detyruese të karantinimit 14-ditor, nën rregulla të forta sigurie”, deklaroi Rama.

Ai tha se “duke i mirëkuptuar të gjitha ankesat e madje edhe sharjet e fyerjet, për mbylljen e plotë të kufijve dhe me bindjen se edhe ata, që nuk përmbahen fare në mallkimet që lëshojnë, e kuptojnë se masa ekstreme e ndalimit për t’u kthyer në këtë fazë, diktohet nga interesi jetik i mbrojtjes së shëndetit të popullit shqiptar, u lutem të gjithëve të bëjnë edhe pak durim”.

Kryeministri theksoi se “luftërat nuk vijnë për të sjellë as gëzime, as qetësi, as ekonomi, po sjellin plagë, dhimbje, stërmundim dhe nëse sot nuk kemi qindra të vdekur, mijëra të plagosur nëpër spitale e një re të zezë mbi kokat tona, si shumë vende më të mëdha e më të zhvilluara se Shqipëria, kjo nuk ka ardhur nga qielli, po falë pikërisht masave të forta që kemi marrë dhe sakrificës së përditshme të secilit prej nesh.

“Ne nuk mund ta humbim këtë luftë, e nuk do ta humbim këtë luftë, sepse ne nuk jemi pasardhësit e heronjve, dëshmorëve e luftëtarëve shqiptarë në shekuj, vetëm kur kemi festa e kur këndojmë këngë për ta, po edhe kur duhet të bëjmë detyrën tonë ndaj atdheut, popullit, njëri-tjetrit, sot më shumë se kurrë, si një atdhe, një familje”, tha Rama./atsh

“Të hënën publikojmë planin”/ Hapje shumë graduale e rrugës së riatdhesimit me kushtin detyrues të karantinimit 14-ditor Read More »

Anëtarët e KQZ-së japin një pjesë të pagës së tyre për përballimin e COVID-19

Anëtarët e KQZ-së, do të japin një pjesë të pagës së tyre, si kontribut për lehtësimin e përballimit të nevojave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot se i përgjigjet pozitivisht thirrjes së Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për kontributin financiar për lehtësimin e përballimin e situatës së pandemisë COVID-19.

Anëtarët e KQZ-së, kanë vendosur të japin një pjesë të pagës së tyre, si kontribut për lehtësimin e përballimit të nevojave për parandalimin e përhapjes se këtij virusi të rrezikshëm, thekson KQZ në njoftim.

Ditën e djeshme drejtuesit e institucioneve të pavarura njoftuan se kanë pranuar përgjysmimin e pages së tyre për tre muaj, duke iu përgjigjur thirrjes së kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ruçi, iu drejtua me një thirrje drejtuesve institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore, në shenjë solidariteti për përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19./atsh

Anëtarët e KQZ-së japin një pjesë të pagës së tyre për përballimin e COVID-19 Read More »