Lajmi i fundit

Policia zbulon një laborator të kultivimit të bimëve narkotike, arrestohen 2 persona, 2 në kërkim

Policia e Fierit zbulon një laborator, i cili ishte në funksion të kultivimit të bimëve narkotike.

Nga ana e Seksionit për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, pas informacioneve të marra më parë në rrugë operative, u finalizua operacioni antikanabis i koduar ”Laboratori”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë A.K., 22 vjeç dhe Q.K., 48 vjeçe, banues në Mbrostar, Fier.

U shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorë të tjerë, konkretisht shtetasit A.K., banues në Mbrostar, Fier dhe F.B., 33 vjeç, banues në Kosovë.

Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur ambientin e banesës së 53-vjeçarit A.K., me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike.

Gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 312 fidanë të dyshuar Kanabis, të kultivuara, pajisjet të cilat kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike si dhe një pajisje presimi, gërshërë etj.

Nga këqyrja në ambientet e jashtme të rrjetit elektrik, është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin e pajisjeve, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Në këtë kuadër u proceduan penalisht tre elektricistë, G.M., E.M. dhe B.Q., banues në Fier. Këta shtetas duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në banesën e shtetasit A.K.

Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”./atsh

Policia zbulon një laborator të kultivimit të bimëve narkotike, arrestohen 2 persona, 2 në kërkim Read More »

Manastirliu në Urgjencën Kombëtare: Mirënjohje për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor, lufta nuk ka mbaruar

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizitoi ekipin mjekësor që është në vijën e parë të përballjes me COVID-19, në Urgjencën Kombëtare, ku i falenderoi për punën e jashtëzakonshme gjatë situatës së emergjencës.

“Në ditën e Ndërkombëtare të Punëtorëve zgjodha Urgjencën Kombëtare për të bërë një falenderim dhe për të shprehur mirënjohjen për punën e madhe që ju keni bërë gjatë kësaj kohe. Puna në shëndetësi është si sahat, duhet të funksionojnë të gjitha pjesët e sahatit që çdo gjë të shkoi mirë. Urgjenca Kombëtare është një kollonë kyçe në të gjithë sistemin shëndetësor. Keni përballuar me sukses një sfidë të madhe siç ishte sfida e tërmetit ku së bashku me pjesët e tjera të sistemit është bërë një punë e jashtëzakonshme. Dhe keni përballuar dhe po vijoni të përballoni një sfidë akoma më të madhe siç është kjo që po kalojmë. Edhe në ketë situatë Urgjenca Kombëtare vijon të jetë në krye të detyrës”, tha Manastirliu.

Duke falenderuar të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor, Manastirliu u shpreh se mjekët dhe infermierët janë heronjtë e ditëve të sotme.

“Dua të shpreh mirënjohjen për punën e mjekëve dhe infermierëve. Ata janë heronjtë e ditëve të sotme, për atë çfarë ata bëjnë, për sakrificën, përkushtimin dhe solidariterin që ata tregojnë për ata që kanë më shumë nevojë, për pacientët. Por nuk dua të harroj të falenderoj ata që nuk dalin në kamera, janë i gjithë stafi i shoferëve të flotës kombëtare të autoambulancave, sanitaret dhe të gjithë punonjësit mbështetës që bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Sikundër nuk mund të harroj në këtë ditë punonjësit e qendrave tona sociale në të gjithë vendin” tha Manastirliu.

Manastirliu tha se situata po përballohet me sukses pasi i gjithë sistemi po funksionon si një organizëm i vetëm, port ha se lufta ende nuk ka mbaruar.

“Mua me vjen shumë mirë që kemi filluar të funksionojmë si një organizëm funksional, të udhëhequr nga disa ekspertë të Komitetit Teknik. Por duhet thënë se është momenti për vigjilencë maksimale sepse lufta nuk ka mbaruar dhe duhet gjurmuar me kujdes çdo vatër në mënyrë që të ndërpritet zinxhiri I transmetimit të infeksionit të COVID-19”, tha Manastirliu.

Drejtuesi i urgjencës kombëtare, dr. Skëndër Brataj u shpreh se ka rënie të thirrjeve për COVID19, por ende ka çdo ditë raste të reja.

“Organizimi ka qenë perfekt, kemi në dispozicion autombulanca të dedikuara për COVID19. Duhet thënë se aktualisht fluksi i thirrjeve është ulur”, tha Brataj.

Ministrja e Shëndetësisë u bëri një apel qytetarëve, sidomos të moshuarve, të vijojnë të tregohen shumë të kujdesshëm që të mos shkojnë menjëherë në spitale apo qendra shëndetësore, por nëse kanë pyetje mbi barna me rimbursim apo duhet të lidhen me mjekun e familjes, të vazhdojnë të telefonojnë në linjën e gjelbër 0800 40 40, ndërsa për çdo urgjencë të kontaktojnë numrin e urgjencës 127. /atsh

Manastirliu në Urgjencën Kombëtare: Mirënjohje për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor, lufta nuk ka mbaruar Read More »

Zbardhen dy ngjarje të rënda kriminale, të ndodhura dy muajt e fundit në Durrës

Policia e Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës arrestuan dy shtetas të akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, në 27 prill në segmentin rrugor Shën Vlash-Nishtulla, të cilët akuzohen edhe për një tjetër vrasje të ndodhur në mars të këtij viti.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në një konferencë për shtyp theksoi se “A. N., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe K. A., 22 vjeç, banues në Durrës u arrestuan si rezultat i punës profesionale të bërë nga grupi i posaçëm hetimor, u bë i mundur grumbullimi i provave që çuan në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes”.

“Në 27 prill të këtij viti në segmentin rrugor Shën Vlash-Nishtulla, ndodhi ngjarja e rëndë kriminale, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy vëllezër. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës”, – tha Veliu.

Ai u shpreh se “ Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës, mbi bazën e provave të grumbulluara nga puna hetimore, u finalizua operacioni policor i koduar “Shën Vlash ”, në kuadër të të cilit u bë zbulimi, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve”.

“Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas. Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 2 mars 2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar”, – tha Veliu.

Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për arsye hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera.

Zbardhja e këtyre ngjarjeve erdhi si rezultat i një bashkëpunimi, koordinimi dhe profesionalizmi mes disa strukturave, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Veliu falënderoi Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe në mënyrë të veçantë prokurorin Gëzim Veizi, për bashkëpunimin, mbështetjen dhe profesionalizmin e treguar dhe dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, si dhe ftoj qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë./atsh

Zbardhen dy ngjarje të rënda kriminale, të ndodhura dy muajt e fundit në Durrës Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 9 raste të reja, shkon në 782 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur sot se “gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 245 persona të dyshuar me COVID-19 nga veriu në jug dhe vetëm në dy bashki kemi të prekur, ku përkatësisht në Tiranë kemi 5 persona që kanë rezultuar pozitivë prekur dhe në Krujë kemi 4 të prekur”,

Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik tha se “që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 782 qytetarë. Prej tyre janë 488 të shëruar”.

“Duke parë të dhënat, momentalisht situata epidemiologjike në vendin tonë paraqitet e qëndrueshme. Harta e të shëruarve është zgjeruar në të gjithë vendin. Për këtë arsye, përveç zonave që kanë qenë të paprekura nga COVID-19, është zgjeruar harta e zonave të gjelbërta, edhe me ato bashki që momentalisht paraqesin risk më të ulët të transmetimit të infeksionit. Aktualisht në vendin tonë janë 263 pacientët aktivë me COVID-19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 33 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive”, tha Daja.

Ajo tha se ky është një tregues që masat e marra kanë bërë të mundur që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të përballojë me sukses rastet të cilat kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar në spitale.

Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive, është si vijon:

Bashkia – Raste Aktive

Tiranë 100

Shkodër 24

Krujë 93

Durrës 0

Fier 1

Kurbin 27

Korçë 1

Elbasan 2

Kukës 8

Lezhë 1

Has 0

Kavajë 0

Lushnje 1

Vlorë 0

Pukë 0

Mirditë 2

Rrogozhinë 0

Tropojë 0

Berat 2

Mallakastër 0

Mat 1 //atsh

Ministria e Shëndetësisë: 9 raste të reja, shkon në 782 numri i të prekurve Read More »

Manastirliu pret 30 mjekët dhe infermierët e rikthyer nga Italia: Shkruat një faqe të re në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë

Sapo kanë mbërritur në Shqipëri 30 mjekët dhe infermierët shqiptarë që para një muaji u nisën në Itali për të ndihmuar fqinjët tanë për përballimin e situatës së krijuar nga përhapja e COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka pritur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” 30 mjekët dhe infermierët duke u uruar atyre mirëseardhjen u shprehur se me vajtjen e tyre kanë shkruar një faqe të re në historinë e marrëdhënies mes Italisë dhe Shqipërisë.

“Jam shumë e emocionuar që jeni këtu pasi ishim në merak për ju pasi po shkonit në vendet më të prekura. Di që keni bërë një punë të lavdërueshme. Keni lënë mbresa tek stafi aty në spitalet në Breshia. Keni lënë mbresa tek pacientet. Ju keni shkruar një faqe të re në historinë e marrëdhënies mes Italisë dhe Shqipërisë”, tha Manastirliu.

Duke i falenderuar për kontributin e tyre, Manastirliu tha se lufta kundër COVID-19 nuk ka mbaruar dhe eksperienca e mjekëve dhe infermierëve në Itali do t’u shërbejë jo vetëm atyre por edhe sistemit shëndetësor shqiptar.

“Jam e sigurt që kjo eksperiencë do t’u shërbejë shumë ju, por edhe sistemit tonë shëndetësor. Ka nevojë për ju, ka nevojë për eksperiencën tuaj këtu. Ju jeni heronjtë modern të Shqipërisë. Dhe në këtë kohë të jesh hero dmth të tregosh solidaritet, sakrificë në një mision sublim në emër të jetës”, tha Manastirliu.

Ju do të vetëkarantinoheni brenda banesave tuaja sipas standardid dhe udhëzimit që kemi përcaktuar, më të gjitha mjetet e mbrojtjes personale. Për 14 ditë do të qëndroni brenda banesave tuaja, duke respektuar dhe standarded e sigurisë brenda familjeve tuaja.

Grupi i parë prej 30 mjekësh dhe infermierësh shërbeu për një muaj në spitalet e Breshiash, një akt solidarteti që u vlerësua nga Italia. Ata do të qëndrojnë për 14 ditë në vetëkarantimin, sipas protokolleve të përcaktuara, pavarësisht se të gjithë ata kanë rezultuar negativë për COVID-19 pas testimit të kryer para se të niseshin për Shqipëri. Aktualisht në Itali po shërbejnë dhe 60 infermierë shqiptarë, pjesë e grupit të dytë të dërguar nga vendi ynë në ndihmë të Italisë. /atsh

Manastirliu pret 30 mjekët dhe infermierët e rikthyer nga Italia: Shkruat një faqe të re në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë Read More »

Manastirliu prezanton planin e masave të reja: Nga e hëna në zonat e gjelbra përfshihen edhe 18 bashki

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu prezantoi planin e hapjes dhe lehtësimit të masave që do të hyjnë në fuqi që nga data 4 maj.

“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për vijimin e situatës epidemike në vend. Nga vlerësimi i vazhdueshëm i të dhënave epidemiologjike, konstatohen ende vatra aktive infeksioni në disa zona të vendit, ku po punohet intensivisht nëpërmjet testimit dhe gjurmimit agresiv të kontakteve për të kufizuar përhapjen e COVID-19”, tha Manastirliu.

Sipas saj, strategjia e rihapjes e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, parashikon disa faza të lehtësimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm të masave shtrënguese.

Ministrja e Shëndetësisë informoi se në “zonën e gjelbër” përfshihen edhe ato të 18 bashkive të tjera në vend që konsiderohen me risk të ulët për përhapjen e infeksionit.

“Nga data 4 maj do të përfshihen si zona të gjelbra bashkitë: Tropojë, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë, Vlorë, Selenicë”, bëri të ditur Manastirliu.

Duke theksuar se ky vendim është marrë në përputhje me ecurinë e kurbës epidemiologjike dhe indikatorëve të sistemit shëndetësor, si dhe duke u bazuar në nivelet e riskut, Manastirliu tha se “zonat e gjelbra” do të kenë të njëjtat rregulla të lëvizjes dhe fashave orare tashmë të përcaktuara për këto zona.

Sipas këtyre rregullave pensionistët në këto zona mund të lëvizin nga ora 6:00 deri në 8:30 të mëngjesit, ndërsa qytetarët e tjerë mund të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30 të shoqëruar me jo më shumë se një person. Përjashtim bëjnë qytetarët që kanë autorizim pune, të cilët nuk kufizohen nga këto orare.

Rregullat përfshijnë dhe mjetet private të transportit që do të lejohen të qarkullojnë me autorizim vetëm brenda qarkut ose bashkisë përkatëse nga ora 9:30 deri në 17:30 vetëm me një pasagjer. Përtej orarit të caktuar mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizim nga “e-Albania”. /atsh

Manastirliu prezanton planin e masave të reja: Nga e hëna në zonat e gjelbra përfshihen edhe 18 bashki Read More »

Masat e reja për fundjavën/ Rama: Dalin prindërit me fëmijë dhe pensionistët, të shtunën hapur vetëm ushqimoret e farmacitë

Kryeministri Edi Rama informoi sot mbi fashat orare të fundjavës kur do të lejohen të qarkullojnë pensionistët dhe kur do të lejohet të qarkullojnë prindërit me fëmijë deri në 14 veç.

“Të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, pensionistët do të lejohen të dalin lirisht deri në orën 10.00. Të gjithë të tjerët në shtëpi brenda kësaj fashe orare”, tha Rama.

Po ashtu, ai theksoi se “të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç do të lejohen të dalin lirisht nga ora 11.00 deri në orën 17.30”.

Kryeministri theksoi se “të shtunën, 2 maj, do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17.30”.

Ndërkohë, ai tha se “të dielën të gjitha do të jenë mbyllur”.

“Gjatë të shtunës 2 maj dhe të dielës 3 maj do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private )përjashtuar ata që punojnë me autorizimet përkatëse). Kujdes! Nga sjellja e duhur në distancimin social dhe zbatimi i rregullit bazë të mosgrumbullimit jashtë qelizës familjare gjatë fashës orare të lëvizjes këtë fundjavë, varet ecuria e mëtejshme pozitive e kësaj lufte deri këtu të zhvilluar shkëlqyeshëm, po edhe vendimmarrja jonë për më tej”, tha Rama.

Rama tha po ashtu se ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, do të informojë sot planin e hapjes së mëtejshme deri në 18 maj./atsh

Masat e reja për fundjavën/ Rama: Dalin prindërit me fëmijë dhe pensionistët, të shtunën hapur vetëm ushqimoret e farmacitë Read More »

“coronavirus.al”/ Shërohen të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Mallakastër, Tropojë, Kavajë , Rrogozhinë, Korçë dhe Lezhë

Deri tani janë shëruar 470 persona të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.

Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 470.

Nga puna e bërë e mjekëve, rezulton se Mallakastra, Tropoja, Kavaja, Rrogozhina, Korça dhe Lezha janë zonat ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoj sot se sa i përket të prekurve nga COVID-19 sot rezulton se numri i pacientëve të shëruar është dyfish më i lartë se i qytetarëve që janë prekur nga ky virus.

Po sipas shifrave të publikuar në coronavirus.al, aktualisht në vendin tonë janë 272 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.

Deri në këto momente janë testuar 8253 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 773 raste.

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 773 të infektuar me COVID-19, 272 raste aktive, 470 të shëruar, 31 të vdekur, ndërsa janë kryer 8253 teste gjithsej.

Përmes platformës coronavirus.al, qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19./atsh

“coronavirus.al”/ Shërohen të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Mallakastër, Tropojë, Kavajë , Rrogozhinë, Korçë dhe Lezhë Read More »