Lajmi i fundit

Detaje të reja nga vdekja e 17-vjeçarit në Sarandë, personi që montoi ashensorin në lokal nuk ishte i licensuar

Një ngjarje tragjike ndodhi orët e para të mëngjesit të sotëm në “Orange Club” në Sarandë, ku kamarieri 17-vjeçar ndërroi jetë pasi e zuri poshtë ashensori, kavoja e të cilit u këput.

17-vjeçari punonte ndihmës kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja, ndërsa ashensori përdorej kryesisht për transport të mallrave.

Policia arrestoi 43-vjeçarin Lulëzim Allkushi, i cili ishte personi që kishte montuar ashensorin, teksa u shpall në kërkim pronari i lokalit, Spiro Iliadhi.

Ndërkohë, mësohet se 43 vjeçari nuk ishte i licencuar për montimin e ashensorëve dhe po ashtu pas montimin, nuk kishte shkuar më për t’i bërë shërbime ashensorit që shkaktoi vdekjen e të riut.

Detaje të reja nga vdekja e 17-vjeçarit në Sarandë, personi që montoi ashensorin në lokal nuk ishte i licensuar Read More »

Sot 113-vjetori i lindjes së Nënë Terezës

Sot shënohet 113-vjetori i lindjes së Shën Terezës.

Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – e njohur gjerësisht si Nënë Tereza e Kalkutës, por me prejardhje shqiptare, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, asokohe pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Në moshën 18-vjeçare, ajo u shpërngul nga Maqedonia e Veriut për në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Shenjtorja shqiptare është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes ndër vite, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe 1979 Çmimin “Nobel” për Paqe.

“Me gjak unë jam shqiptare. Me kombësi, indiane. Me besim jam një murgeshë katolike. Si thonë të gjithë, unë i përkas botës. Me zemër unë e ndiej që i përkas plotësisht zemrës së Jezusit”- këto janë disa nga fjalët e thëna nga Nënë Tereza në fjalimin e mbajtur gjatë marrjes së çmimit “Nobel”.

Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e Shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”- ishte porosia e Nënë Terezës.

Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. Shenjtorja shqiptare fliste rrjedhshëm pesë gjuhë – bengalisht, shqip, serbisht, anglisht dhe hindi. Ajo bëri udhëtime të rastit jashtë Indisë për arsye humanitare.

Në kulmin e Rrethimit të Beirutit në 1982, Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital të linjës së përparme duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm midis ushtrisë izraelite dhe guerileve palestinezë. E shoqëruar nga punëtorët e Kryqit të Kuq, ajo udhëtoi nëpër zonën e luftës për në spital për të evakuuar pacientët e rinj.

Kur Evropa Lindore përjetoi rritje të hapjes në fund të viteve 1980, Tereza i zgjeroi përpjekjet e saj drejt vendeve komuniste që kishin refuzuar Misionarët e Bamirësisë, mes tyre edhe Shqipwria. Përpjekjet e shenjtores shqiptare për të shtrirë misionin bamirësisë edhe në Shqipëri nëpërmjet letrave dhe dokumenteve, ishin të gjata. Por gjithçka u bë e mundur vetëm në vitin 1991.

Ajo filloi dhjetëra projekte, e pavendosur nga kritikat për qëndrimet e saj kundër abortit dhe divorcit: “Pavarësisht se kush thotë çfarë, duhet ta pranosh me një buzëqeshje dhe të bësh punën tënde”. Ajo vizitoi Armeninë pas tërmetit të vitit 1988 dhe u takua me Nikolai Ryzhkov, Kryetar i Këshillit të Ministrave.

Tereza udhëtoi për të ndihmuar të uriturit në Etiopi, viktima të rrezatimit në Chernernobil dhe viktimat e tërmetit në Armeni. Në vitin 1991 ajo u kthye në Shqipëri për herë të parë, duke hapur një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë. Deri në vitin 1996, Tereza ka operuar 517 misione në mbi 100 vende. Misionarët Bamirësisë së saj të u rritën nga dymbëdhjetë në mijëra, duke u shërbyer “më të varfërve të të varfërve” në 450 qendra në të gjithë botën. Misionarët e parë të shtëpisë së bamirësisë në Shtetet e Bashkuara u krijuan në rajonin e South Bronx të New York City dhe me 1984 kongregacioni operoi 19 institucione në të gjithë vendin.

Sot 113-vjetori i lindjes së Nënë Terezës Read More »

Motori i ‘Shqiponjave’ përplaset me makinën e turistit italian, plagoset polici

Një aksident me pasojë plagosjen e një polici ka ndodhur pas mesnate në Sarandë, në zonën e quajtur ‘Qafë Gjashë’. Motori i forcave “Shqiponja” të Tiranës, i ardhur për të asistuar policinë e Sarandës është përplasur me një mjet të drejtuar nga një shtetas italian.

Efektivi i policisë është transportuar me urgjencë në spitalin e Sarandës.

Gjatë pasdites deri në orët e para të mëngjesit efektivët e Task – Forcës të Qarkullimit Rrugor kanë kryer edhe disa arrestime në Sarandë, të personave që janë kapur duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në Ksamil dhe Sarandë.

Motori i ‘Shqiponjave’ përplaset me makinën e turistit italian, plagoset polici Read More »

Rama paralajmëron ndryshime në qeveri: Prisni edhe pak ditë!

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e zhvilluar me gazetarët ndërsa mohoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, nuk mbajti të njëtin qëndrim për mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar.

Sa i përket ndryshimeve në qeveri, kryeministri duke lënë të hapur si mundësi shtoi se duhet edhe pak ditë për të zbuluar me detaje nëse do të ketë apo jo një gjë të tillë.

Pyetje: A do të ketë ndryshime në qeveri?

Edi Rama: Prisni edhe pak ditë!

Rama paralajmëron ndryshime në qeveri: Prisni edhe pak ditë! Read More »

Konsumoi metadonin e dajës, ndërron jetë në spital e mitura nga Saranda

Ndërron jetë në spitalin e Tiranës, vajza 1 vjeç e gjysmë, e cila konsumoi metadon aksidentalisht dhe u dërgua nga Saranda në kryeqytet.

E mitura ndërroi jetë sot në orët e para të mëngjesit. Ajo u nis të dielën me helikopter nga Spitali i Sarandës, pasi kishte marrë ndihmën e parë.

Fëmija dyshohet se kishte konsumuar metadon në një banesë në Delvine. Metadoni ishte lënë mbi tavolinë nga daja i saj, i cili dyshohet se ishte përdorues lëndësh narkotike. Vajza e mitur ishte fëmija i një shtetasi italian dhe nënën e kishte nga Delvina.

Konsumoi metadonin e dajës, ndërron jetë në spital e mitura nga Saranda Read More »

Aksidenti me dy viktima, Rrumbullaku pezullon nga detyra shefin e Rrugores në Sarandë

Pas aksidentit me dy viktima, turistë italianë në rrugën Sarandë – Ksamil ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili ka pezulluar nga detyra shefin e Seksionit të Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Sarandë.

Po ashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti për Sigurinë Publike (Drejtoria e Policisë Rrugore) në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të analizuar rastin, për të nxjerrë përgjegjësitë në lidhje me shkakun e ndodhjes së këtij aksidenti, si dhe për menaxhimin në tërësi të qarkullimit rrugor në territorin e bashkisë Sarandë.

Aksidenti me dy viktima italianë, Muhamet Rrumbullaku pezullon nga detyra
Gjithashtu, ka nisur menjëherë hetimi administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës, në lidhje me marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë sezonit turistik.

Reagimi

Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për aksidentin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti për Sigurinë Publike (Drejtoria e Policisë Rrugore) në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të analizuar rastin, për të nxjerrë përgjegjësitë në lidhje me shkakun e ndodhjes së këtij aksidenti, si dhe për menaxhimin në tërësi të qarkullimit rrugor në territorin e bashkisë Sarandë.

Ndërkohë, është pezulluar menjëherë nga detyra Shefi i Seksionit të Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Sarandë, Nënkomisar A. Sh. Pezullimi i tij u bë në zbatim të nenit 209, të Rregullores së Policisë së Shtetit, për shkelje të rëndë të atributeve/kompetencave të Policisë, në lidhje me pasojat e aksidentit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”, ku humbën jetën 2 turistë italianë, konkretisht shtetasit D. D., 24 vjeç dhe V. T., 32 vjeç.

Gjithashtu, ka nisur menjëherë hetimi administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës, në lidhje me marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë sezonit turistik.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht, 24/7, në të gjithë territorin e vendit, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe për të parandaluar aksidentet rrugore. Në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe çdo paligjshmëri në tërësi, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe profesional.

Aksidenti me dy viktima, Rrumbullaku pezullon nga detyra shefin e Rrugores në Sarandë Read More »

Lajm i fundit/ Erdhën në Sarandë për pushime, shuhen në aksidentin tragjik dy turistët italianë 

Komisariati i Policisë së Sarandës ka dhënë një informacion paraprak lidhur me aksidentin e rënë me vdekjen e dy turistëve në aksin Sarandë – Ksamil. Sipas Policisë, motori me të cilin ata po udhëtonin, është përplasur nga një makinë Mercedez Benz, në të cilën ndodheshin dy adoleshentë që mbetën të plagosur.

Policia njoftoi se “rreth orës 3:00 të datës 24.08.2023, në aksin rrugor Sarandë-Ksamil, në vendin e quajtur “Hidrovor”, automjeti “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. R., 17 vjeç, është përplasur me një motomjet tip “Honda”.

Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën, shtetasi italian Domenico Gritto., 24 vjeç dhe Vicenzo Tizziano, që udhëtonin me motomjetin tip “Honda”. Drejtuesi i automjetit, shtetasi E. R. është dërguar në spital, bashkë me shtetasin M. R., pasagjer në automjet. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”

Lajm i fundit/ Erdhën në Sarandë për pushime, shuhen në aksidentin tragjik dy turistët italianë  Read More »

Shfaqet një Mihal tjetër në Sarandë, pronari i apartamentit mban peng 6 turistë italianë

Në Sarandë ka ndodhur një tjetër ngjarje e shëmtuar me turistët e huaj, që të kujton atë me Mihala Kokëdhimën dy vite më parë në Qeparo. Një shqiptar nga Kosova që iu kishte lëshuar me qira apartamentin 6 turistëve italianë i ka mbajtur peng për 1 një orë pasi pretendonte se i kishin dëmtuar disa pajisje në shtëpi. Më pas me të mbërritur policia ai është arrestuar. Më poshtë njoftimi për ngjarjen dhe pamjet e servirura nga policia.

Mbajti peng 6 italianë se i dëmtuan paisjet, prangoset kosovari.

Policia njofton se pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 1, një shtetas iu kishte hequr lirinë, në mënyrë të kundërligjshme, disa shtetasve, në një apartament, shërbimet e Komisariatit te Policisë Sarandë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e autorit.

Si rezultat i veprimeve të menjëhershme të shërbimeve të Policisë, është vënë në pranga shtetasi J. A., 59 vjeç, banues në Prishtinë, si dhe është bërë lirimi i shtetasve, nga apartamenti.

59-vjeçari, për rreth 1 orë, iu ka hequr lirinë 6 shtetasve italianë, në apartamentin që iu kishte dhënë me qira, pasi pretendonte se këta shtetas i kishin dëmtuar disa pajisje në këtë apartament.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Shfaqet një Mihal tjetër në Sarandë, pronari i apartamentit mban peng 6 turistë italianë Read More »