Lajmi i fundit

Efektivë të Policisë Ushtarake do shërbejnë në misionin Resolute Support në Herat

Policia Ushtarake është struktura e radhës e Forcave të Armatosura që do shërbejë në misionin Resolute Support në Herat.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bëri të ditur se efektivët, të cilët së shpejti do të nisen drejt Afganistanit, kanë rinisur stërvitjen paradislokuese.

“Policia Ushtarake është struktura e radhës e Forcave të Armatosura që do shërbejë në misionin Resolute Support në Herat. Efektivët, që së shpejti do të nisen drejt Afganistanit, kanë rinisur stërvitjen paradislokuese për t’iu përgjigjur detyrave dhe përgjegjësive që do t’u ngarkohen”, deklaroi ministrja Xhaçka./atsh

Efektivë të Policisë Ushtarake do shërbejnë në misionin Resolute Support në Herat Read More »

Mbyllet sot afati për pagën e luftës/ Ibrahimaj: Nga të dyja paketat numri i përfituesve do të jetë mbi 250 mijë

Bizneset kanë afat të aplikojnë deri sot më datë 5 qershor në orën 12 të natës, për përfitim të ndihmës financiare për punonjësit e tyre.

Në rast se bizneset nuk aplikojnë brenda kësaj date, është e parashikuar një masë administrative, sipas të cilës “Moskryerja e aplikimit nga ana e subjektit të të punësuarit apo ish-të punësuarit që plotëson kushtet për të përfituar ndihmën financiare, gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, në një intervistë për median tha se, gjoba parashikohet të vihet për çdo punonjës për të cilin nuk është aplikuar.

Lidhur ecurinë e deri tanishme të procesit të ndihmës financiare, Ibrahimaj tha se, “kemi ecur me ritme të shpejta, duke qenë se numri i aplikimeve ka qenë i lartë. Me përfundimin e afatit të aplikimit, gjithsesi administrata tatimore do të vazhdojë të trajtojë të gjitha ankesat që vijnë nga tatimpaguesit dhe përfundimi i procesit do të jetë atëherë kur nuk do të ketë më asnjë ankesë apo ata që e meritojnë do të marrin pagën e luftës”.

Për sa i përket penaliteteve, tha ajo “ne pas përfundimit të afatit do të marrim në shqyrtim të gjithë listën e bizneseve dhe do të vendosim penalitetet aty ku gjykojmë që nuk ka pasur aplikime pa një arsye të fortë. Megjithatë dhe këto gjoba pas të gjithë procedurave të legjislacionit në fuqi tatimpaguesit do të kenë të drejtë të ankohen për një afat 30 ditor”.

Numri i individëve që kanë aplikuar deri tani është 183 mijë për kërkesa, numri i punonjësve të refuzuar është 26 mijë e 951. Ndërkohë që numri i punonjësve të miratuar për pagesë është 144, 238.

“Ne kemi gjykuar që nga të dyja paketat numri i përfituesve do të jetë mbi 250 mijë punonjës”- tha Ibrahimaj.

Lidhur me bizneset që ankohen se nuk arrijnë të aplikojnë se nuk hapin dot sistemin, drejtoresha e Tatimeve, tha se, “problematika që bizneset nuk mund të aplikojnë lidhet me problematikën e kodit ekonomik në të cilin operojnë”.

“Për këtë arsye ne e kemi hapur mundësinë për aplikim për një numër të madh biznesesh nga të cilat kanë aplikuar 5735 biznese deri më tani dhe janë duke u shqyrtuar. Pra është një potencial me rreth 30 mijë individë të cilët po shqyrtohen nga të cilët, në bazë të ankesave ne do të shohim rast pas rasti se sa do të jetë numri total i përfituesve i këtyre 30 mijë individëve të cilët kanë aplikuar nëpërmjet ankesës”- tha Ibrahimaj.

Ajo theksoj se, “bizneset që kanë aplikuar nëpërmjet ankesës nuk do të ngarkohen me gjoba. Do të ngarkohen me gjoba ato biznese të cilët janë të pastër, që punonjësit e tyre përfitojnë 100% nga kushtet e vendosura nga paketat dhe nuk po aplikojnë. Këto janë ato biznese që do të penalizohen”. /atsh

Mbyllet sot afati për pagën e luftës/ Ibrahimaj: Nga të dyja paketat numri i përfituesve do të jetë mbi 250 mijë Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 15 raste të reja me COVID-19, 910 të shëruar

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar me COVID-19, 15 raste pozitivë.

Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini u shpreh se “kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP për të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve. Në 24 orët e fundit janë kryer 162 testime nga të cilat janë konfirmuar 15 raste pozitive, përkatësisht, 10 raste në Tiranë, 3 raste në Shkodër dhe 2 në Kamëz, kontakte familjare dhe disa raste të reja në proces hetimi. Dy rastet pozitive në bashkinë Kamëz janë identifikuar gjatë një ceremonie mortore, ndaj edhe një herë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u rikujton qytetarëve se funeralet përtej rretheve familjare të ngushta, nuk janë të lejuara, pasi janë rrezik për shpërndarjen e infeksionit”.

Sipas Tominit, “vijojnë të jenë të ndaluara çdo lloj aktiviteti me grumbullime masive njerëzish, ndaj lutemi për respektim të masave që janë në fuqi”.

“Informojmë se në spitalin Infektiv aktualisht po trajtohen 24 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Më pak se 10% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 12 qytetarë, duke e çuar numrin total të tyre që nga fillimi epidemisë në 910. Në vendin tonë janë 269 persona aktivë me COVID-19, ku në Tiranë janë rreth 69 % e të prekurve, kurse pjesa tjetër janë kryesisht në Durrës, Shkodër, Kamëz, Krujë”, tha Tomini.

Shefja e Epidemiologjise shtoi se “nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 17 500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1212 raste, ndërsa rreth 75% e të prekurve janë tashmë të shëruar. Në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT janë kryer 2035 testime serologjike në personel shëndetësor, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 7 %”.

“Duke ju ftuar edhe njëherë për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrëngimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës vetjake, ju kujtojmë dy linjat falas që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion:Urgjenca Kombëtare me numrin 127 nëse keni shenja të sëmundjes dhe linja e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19”, përfundoi Tomini.

COVID-19 – Statistika (5 Qershor 2020)
Testime totale 17844
Testime molekulare 15809
Testime serologjike 2035
Raste pozitive 1212
Raste të shëruara 910
Raste Aktive 269
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 185
Krujë 22
Kamëz 14
Shkodër 14
Durrës 12
Mat 9
Lushnjë 6
Berat 2
Fier 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 15 raste të reja me COVID-19, 910 të shëruar Read More »

Prodhimi i bollshëm i sezonit ul me 20% çmimet e produkteve bujqësore

Prodhimi i bollshëm bujqësor vendas që ka mbushur tregjet ka sjellë ulje të ndjeshme të çmimeve të shitjes në javën e parë të muajit qershor.

Nga një vëzhgim në tregjet e shitjes me shumicës të produkteve bujqësore, në kryeqytet shihet se çmimet e artikujve kryesorë bujqësor të serrave dhe të fushës, janë ulur krahasuar me javët e fundit të muajit maj.

Kështu çmimet e domates, specit, sallatës, kastravecit etj., janë ulur me rreth 30 deri 50 lekë/kg. Kështu domatet shiten me 100 lekë/kg deri 80 lekë/kg, nga 150 lekë/kg një javë më parë. Specat tregtohen me 110 lekë/kg nga 170 lekë/kg një javë më parë dhe kastravecat janë ulur në 70 lekë/kg.

Ndërsa me rritje të çmimit rezultojnë prodhimet që janë në fillim të sezonit dhe një pjesë e prodhimeve të importit, ku kryesojnë frutat me një rritje prej 20 lekë/kg më shtrenjtë. /atsh

Prodhimi i bollshëm i sezonit ul me 20% çmimet e produkteve bujqësore Read More »

Nënshkruhet kontrata 3-vjeçare kolektive e punës me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë

Ministria e Kulturës, nënshkroi me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, kontratën 3-vjeçare kolektive të punës e cila ka për qëllim garantimin e të drejtave dhe detyrimeve të institucioneve publike të artit dhe kulturës, në cilësinë e “punëdhënësit” dhe “punëmarrësve” artistë.

Ministria e Kulturës, njoftoi sot se, “në përmbushje të misionit të saj për hartimin dhe zhvillimin e politikave në fushën e artit dhe kulturës si dhe në respektim të Kodit të Punës, nënshkroi me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, kontratën 3-vjeçare kolektive të punës, e cila ka për qëllim garantimin e të drejtave dhe detyrimeve të institucioneve publike të artit dhe kulturës, në cilësinë e “punëdhënësit” dhe “punëmarrësve” artistë”.

“Kjo kontratë garanton mundësi punësimi për të rinjtë, rregullim të marrëdhënieve në punë, liri krijuese e sindakale”, thekson Ministria e Kulturës.

“Për asnjë moment nuk do të reshtë dialogu me artistët për gjetjen e zgjidhjes së problemeve dhe ngritjen e cilësisë artistike”, ka shtuar Ministria e Kulturës./atsh

Nënshkruhet kontrata 3-vjeçare kolektive e punës me Sindikatën e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë Read More »

Forcat Ajrore të SHBA-së, misione stërvitore në Shqipëri

Njësia e 352-të e operacioneve speciale të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara ka kryer javën e kaluar misione stërvitore të rëndësishme në qiellin e Shqipërisë.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, ndau sot momente nga ky mision i rëndësishëm stërvitor në kuadër të NATO-s.

“Forcat ushtarake të NATO-s stërviten krah për krah me aleatët për të perfeksionuar ndërveprueshmërinë dhe për të mbetur gjithnjë të gatshëm për të parandaluar dhe mbrojtur”, thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane në Tiranë./atsh

Forcat Ajrore të SHBA-së, misione stërvitore në Shqipëri Read More »

Matura Shtetërore, Vrapi: Protokoll strikt, distancë prej 2 metrash nga njëri-tjetri

Data 5 qershor është dhe dita e fundit e të gjithë maturantëve në ambientet e shkollave.

Pas tre javëve mësim dhe konsultim, të rinjtë nesër i japin fund ciklit të shkollës së mesme. Në datën 8 qershor, mijëra maturantë do t’i nënshtrohen provimit të parë, që është gjuha e huaj.

Rezana Vrapi, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore në një nga mediet e vendit u shpreh se testet janë gati.

“I kemi marrë parasysh të tëra. Tashmë ka një lehtësim të programit mbi të cilin bazohet testi i Maturës Shtetërore. Janë hequr tema të cilat ne gjykuam në kushtet e shtëpisë nuk do të ishin të realizuara ashtu siç do të realizoheshin në kushtet e klasës pavarësisht se në këto tema që duhet të punohen nga maturantët sidomos nga ata që synojnë degë ku të mësuarit ndikon shumë si: inxhinieria, mjekësia etj dhe unë gjykoj që maturantë shumë të mirë që investojnë në dijen e tyre, nuk besoj se i kanë lënë jashtë vëmendjes gjithçka që kanë mësuar edhe në kushtet e shtëpisë”, u shpreh Vrapi.

Për shkak të pandemisë, janë vendosur rregulla edhe më strikte të zhvillimit të testimeve të maturantëve, që nga mënyra e hyrjes në ambientet ku ata do të kryejnë provimet, qëndrimin në klasa, mbikqyrjen nga ana e administratorëve gjatë zhvillimit të testimit.

Vrapi sqaroi se “ka një protokoll shumë strikt, ashtu siç është respektuar edhe në periudhën 3-javore në klasa”.

“Ka një distancë që nuk do të preket mes njëri-tjetrit. Ata do të futen me fasha orare, ata do të jenë në një distancë prej 2 metrash, janë llogaritur deri në një distancë ekstreme në këto 2 metra. Pra nuk është toleruar 1.5 metra. Nëse më parë ka pasur 11, 12 veta, tani do të ketë 9 veta. Në rastet kur një shkollë, për shembull ka 500 maturantë dhe nuk u dalin klasat, do të shfryëzohen ambientet e një shkolle shumë pranë saj”, tha Vrapi./atsh

Matura Shtetërore, Vrapi: Protokoll strikt, distancë prej 2 metrash nga njëri-tjetri Read More »

Meta propozon për kreun e KLSH-së, Arben Shehun

Presidenti Ilir Meta i ka propozuar sot Kuvendit kandidaturën e Arben Shehu për t’u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Presidenca thekson se “Dr. Arben Shehu plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë të gjatë në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë. Gjatë eksperiencës mbi 16 vjeçare në jetën akademike, Dr. Arben Shehu është një ndër njohësit më të mirë të drejtësisë penale. Z.Shehu është diplomuar gjithashtu edhe në fushën e e ekonomisë dega “Administrim Biznesi”, me një eksperiencë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore, por edhe përvojë të spikatur në zbatimin e ligjit, si ushtrues aktiv i profesionit të avokatisë”.

“Dr. Arben Shehu, si njohës shumë i mirë i legjislacionit, me njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvojën akademike e profesionale mbi 16 vjeçare, vlerësohet kandidat i përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të re në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to”, thuhet në njoftim.

“Presidenti i Republikës, pavarësisht se ka lexuar me shumë vëmendje e në mënyrë të përsëritur sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri më tani është vënë para pozitës së rrëzimit të propozimeve për tre kandidaturave radhazi, pavarësisht përmbushjes së kritereve ligjore dhe përvojës së gjerë profesionale të secilës prej kandidaturave”, thekson Presidenca.

“Mos plotësimi i pozicionit të Drejtuesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezikon të çojë në cenim të ekuilibrit institucional të këtij organi kushtetues me përgjegjësi jetësore për financat publike. Veçanërisht kur bëhet fjalë për institucionin kushtetues më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar, secili institucion që ka atributet e tij në procesin e zgjedhjes së drejtuesit të këtij institucioni, ka përgjegjësinë që të përmbushë detyrën në respektim të Kushtetutës. Ndaj dhe Dekreti i Presidentit të Republikës dhe dokumentacioni shoqërues i kësaj kandidature iu përcoll sipas ligjit Kuvendit të Shqipërisë për miratim, me kërkesën specifike që këtë herë që kjo kandidaturë të vlerësohet nën frymën e parimit të luajalitetit kushtetues dhe jashtë interesit politik”, përfundon njoftimi i Presidencës.

Meta letër Ruçit dhe Kuvendit: Deri tani jam vënë para faktit të kryer të rrëzimit të propozimeve për tre kandidatura radhazi për në KLSH

Presidenti i Republikes Ilir Meta i ka drejtuar një letër Kryetarit te Kuvendit, Gramoz Ruçi mbi propozimin e Arben Shehu për t`u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Presidenti i Republikës, pavarësisht se i ka lexuar me vëmendje e në mënyrë të përsëritur sugjerimet dhe mendimet e shprehura në mënyrë publike nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri më tani është vënë para faktit të kryer të rrëzimit të propozimeve për tre kandidatura radhazi, pavarësisht se të tre këto kandidatura përmbushnin kriteret ligjore dhe gëzonin përvojë të gjerë profesionale”, ka theksuar Meta.

“Presidenti i Republikës u njoh gjithashtu edhe me letrën nr. 1358 prot, datë 26 maj 2020 të Kryetarit të Kuvendit, përmes së cilës i kërkohet Presidentit të propozojë kandidaturën e re për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Është për t’u evidentuar se letra e Kryetarit të Kuvendit është shoqëruar me një fushatë publiciteti në media nga Kuvendi mbi nismën ligjore që ky i fundit do të ndërmarrë për miratimin e një projektligji, përmes të cilit do të bëhet i mundur emërimi me ligj i një Zëvendëskryetari të KLSH-së, duke e justifikuar këtë si zhbllokim të situatës”, ka shtuar Meta.

“Është e qartë se e gjithë kjo veprimtari, e shoqëruar me këtë fushatë publiciteti, ka për qëllim ushtrimin e presionit politik ndaj Presidentit të Republikës me qëllim që të propozojë për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit një kandidaturë nga ato që kërkon prej kohësh mazhoranca. Ky veprim i Kuvendit tregon mungesë vullneti për bashkëpunim me Presidentin e Republikës dhe reflekton të njëjtën qasje të legjislativit të shfaqur përgjatë procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku përmes miratimit të ligjit antikushtetues nr. 14/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”, u synua që t’i rrëmbehej kompetenca kushtetuese Presidentit për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetues, drejtpërdrejtë me ligj me efekt prapaveprues”, ka nënvizuar Meta.

“Ky ligj u kthye për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës dhe gjithashtu është kritikuar në të gjitha draft-opinionet që Komisioni i Venecias ka hartuar për trajtimin e kësaj çështje të kërkuar nga vetë Kuvendi i Shqipërisë më 30 dhjetor 2019. Presidenti i Republikës sjell në vëmendje se Kuvendi i Shqipërisë, si organi më i lartë që monitoron punën, veprimtarinë e organeve kushtetuese dhe ecurinë e zbatimit të ligjeve të miratuara prej tij, ka përgjegjësinë kryesore për gjendjen ku ndodhet vendi, ku Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale prej më shumë se dy vitesh, Gjykata e Lartë nuk është funksionale, si dhe e gjithë ecuria e zbatimit të reformës në sistemin e drejtësisë është në shkelje të të gjitha afateve kushtetuese”, ka vijuar Meta.

“Ndaj çdo veprimtari e mëtejshme nën këtë drejtim me paraqitje nismash legjislative, me qëllim kapjen e institucioneve të pavarura apo ushtrimin e presionit politik ndaj institucioneve të tjera, nuk bën gjë tjetër veçse provon faktin që tre kandidaturat e mëparshme të propozuara nga Presidenti i Republikës, janë rrëzuar pa të drejtë nga Kuvendi, me qëllim që të propozohet një kandidaturë që gëzon mbështetjen e mazhorancës në mënyrë që mazhoranca të kontrollojë po veten e saj?!”, ka shtuar Meta.

“Presidenti i Republikës ka detyrimin kushtetues që përgjatë veprimtarisë dhe ushtrimit të funksioneve të tij, të sigurojë që mekanizmat kushtetues të funksionojnë dhe institucionet kushtetuese të këtij niveli të vazhdojnë veprimtarinë në mënyrë të pavarur dhe në respekt të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parime këto që qëndrojnë në themel të shtetit të së drejtës. Në këtë mënyrë, Presidenti i Republikës vlerëson me shumë kujdes integritetin e kandidaturës së propozuar, në mënyrë që Kontrolli i Lartë i Shtetit të funksionojë në mënyrë të pavarur e të pandikuar politikisht”, ka theksuar Meta.

“Për këtë arsye, është me rëndësi si përmbushja e kërkesave ligjore për zgjedhjen në këtë pozicion kushtetues, por dhe përzgjedhja e një kandidature që ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin e këtij funksioni shumë të rëndësishëm në mënyrë të pavarur”, tha Meta./atsh

Meta propozon për kreun e KLSH-së, Arben Shehun Read More »