Lajmi i fundit

Rritet numri i shtrimeve në Spitalin Infektiv/ 6 në terapi intensive dhe 2 të intubuar

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar sot se pavarësisht shërimeve ditore, vijon të ketë shtrime të reja në Spitalin Infektiv, ku aktualisht po trajtohen 34 të prekur, nga të cilët 6 janë në terapi intensive, 2 prej tyre janë të intubuar

Shefja e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini u shpreh se “gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar ne 945 numrin e të shëruarve nga fillimi epidemisë. Në vendin tonë janë 284 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë dhe Kamëz”.

“Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 18500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1263 raste. Në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT janë kryer 2244 testime serologjike në personel shëndetësor, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 7 %”, u shpreh Tomini.

Tomini ka ftuar qytetarët që të tregohen kujdesshëm duke respektuar distancën mes njëri-tjetrit.

“Ministria e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrengimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale.
Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19”, theksoi ajo. /atsh

Rritet numri i shtrimeve në Spitalin Infektiv/ 6 në terapi intensive dhe 2 të intubuar Read More »

Hapja e kufijve me Kosovën, ja se çfarë rregullash duhet të zbatojnë qytetarët

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti konfirmoi sot se në mbledhjen e qeverisë u vendos që të lejohet lëvizja e lirë për në Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit duke nisur nga nesër (8 Qershor 2020).

Ky vendim erdhi pas disa ditësh që protestohej për bllokimin e kufijve pasi lejoheshin të kalonin vetëm personat që kishin bërë testin e koronavirusit në katër ditët e fundit ose duhet ti nënshtroheshin karantinës një javore.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në faqen zyrtare në Facebook, ka dhënë detaje në lidhje me rregullat që duhet ti nënshtohen qytetarët në Pikat e Kalimit Kufitar.

Ky është vendimi:

Qeveria e Republikës së Kosovës shfuqizon pikën 6.1, 6.2 dhe 6.4 të Vendimit të Qeveris Nr.02/38 të datës 31 maj 2020 në të cilin është përcaktuar që:

6.1. Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës dhe posedojnë rezultate negative për testin #COVID19 RT PCR (𝐣𝐨 𝐦𝐞̈ 𝐢 𝐯𝐣𝐞𝐭𝐞̈𝐫 𝐬𝐞 𝟒 𝐝𝐢𝐭𝐞̈) nuk i nënshtrohen procedurave të vetë-izolimit;

6.2. Ata që nuk kanë testin sipas pikës 6.1. detyrohen të vetë-izolohen për 7 ditë.

6.3. Qytetarët që manifestojnë shenja klinike udhëzohen nga profesionistët shëndetësor në Pikat e Kalimit Kufitar;

6.4. Deri me datë, 20 qershor 2020 do të bëhet vlerësimi i situatës epidemiologjike dhe me këtë do reflektohen masat e reja lidhur me Pikat Kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën së Kosovës.

Pika 6. e Vendimit të Qeverisë Nr.02/38 te datës 31 maj 2020 me të cilën është caktuar që “Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të #QKMF-ve (𝐐𝐞𝐧𝐝𝐫𝐚𝐯𝐞 𝐊𝐫𝐲𝐞𝐬𝐨𝐫𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐌𝐣𝐞𝐤𝐞̈𝐬𝐢𝐬𝐞̈ 𝐅𝐚𝐦𝐢𝐥𝐣𝐚𝐫𝐞) në Pikat e Kalimeve Kufitare dhe t’i zbatojnë masat e mbrojtjes kundër COVID-19 mbetet e njëjtë./faxweb

Hapja e kufijve me Kosovën, ja se çfarë rregullash duhet të zbatojnë qytetarët Read More »

Nesër provimi i parë i Maturës Shtetërore/ Vrapi: Testi me 60 pyetje me alternativa, protokoll sigurie në klasa

32 mijë maturantë do u drejtohen të hënën bankave të shkollës për provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj. Por ndryshe nga një vit më parë, këtë vit testi do të jetë vetëm me pyetje alternative.

Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi në një intervistë në media thotë se janë 60 pyetje me alternativa, për 60 pikë.

“Nuk ndryshon numri i pikëve, por ndryshon lloji i pyetjeve. Në këtë maturë i gjithë testi do të jetë me pyetje me alternativa, pra janë 60 të tilla për 60 pikë. Është shkurtuar koha nga 2:30 në 2 orë. Nuk do të ketë pyetje ese e cila merrte rreth 45 minuta për t’u shtjelluar”, shprehet Vrapi.

Vrapi thotë kjo mënyrë testimi kryhet për shkak të pandemisë së Covid-19, për të mos grumbulluar më shumë mësues për korrigjimin e testeve dhe duke ia besuar atë teknologjisë.

“Për shkak të pandemisë dhe kushteve ku ndodhemi, që të mos mbledhim korrigjues, të cilët janë të detyruar që kur vlerësojnë një pyetje të hapur të komunikojnë me njëri-tjetrin për pikën finale të maturantit, është kaluar në këtë variant. Gjithçka do korrigjohet në mënyrë elektronike, duke shmangur korrigjimin njerëzor”, deklaroi ajo.

Pandemia ka bërë që të ketë ndryshime edhe në mjediset ku do të kryhet provimi. Maksimumi i nxënësve për klasë do të jetë 15 dhe do të mbikëqyren nga një koordinator.

Sezoni i provimeve të Maturës Shtetërore nis me lëndën e gjuhës së huaj këtë të hënë, për të vazhduar më datë 11 qershor me gjuhën shqipe, me matematikën më 15 qershor, për ta përmbyllur me lëndën me zgjedhje më datë 18 qershor./atsh

Nesër provimi i parë i Maturës Shtetërore/ Vrapi: Testi me 60 pyetje me alternativa, protokoll sigurie në klasa Read More »

“Gratë, Paqja dhe Siguria”/ Programi ndihmon bletërritëset të prodhojnë mjaltë bio

Sot në Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim (USAID) apelon se garantimi i sigurisë ushqimore është çështje e të gjithëve.
USAID solli në vëmendje se përmes programit të tij “Gratë, Paqja dhe Siguria” po ndihmon bletërritëset në Shqipëri të prodhojnë dhe të tregtojnë mjaltë të pastër dhe të shijshëm.
Projekti në baskëpunim me pushtetin lokal po punon me fermerët në Korçë, Pogradec, Vlorë, Durrës, Berat, Tiranë, Shkodër, Lezhë, Kukës, Elbasan që merren me prodhimin e mjaltit.
Në kuadër të këtij programi, është përgatitur një manual për Bletarinë, i pari në gjuhën shqipe, i cili u dhëzon bletërritësit se si të prodhojnë mjaltë bio, që është mjaft i mirë për shëndetin, i sigurt dhe shumë i kërkuar në tregjet e huaja.
Mjalti dhe i nënproduktet e tij po fillon të zërë terren çdo ditë e më shumë jo vetëm në konsumin vendas por edhe në eksport.
Sipas shifrave të INSTAT, prodhimi i mjaltit ka shënuar një rritje me 8,97%, gjatë 2019 krahasuar me 2018. Ndërsa aktorët e këtij sektori po përpiqen të rrisin standardet e prodhimit për zgjerimin e eksporteve. /atsh

“Gratë, Paqja dhe Siguria”/ Programi ndihmon bletërritëset të prodhojnë mjaltë bio Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 14 raste të reja dhe 13 të shëruar në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 14 raste të reja me COVID-19.

Genta Qirjako, ekspertë pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se “kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP për të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve.

Në 24 orët e fundit janë kryer 193 testime nga të cilat janë konfirmuar 14 raste pozitive, përkatësisht, 10 raste në Tiranë, 2 raste në Shkodër, 1 në Krujë, 1 në Durrës.

Rastet e konfirmuara në 24 orët e fundit janë kontakte familjare te rasteve pozitive dhe disa raste të reja në proces hetimi. Pjesa më e madhe e të prekurve në 24 orët e fundit janë simptomatikë, me shenja klinike të COVID-19.

Vijon të ketë shtrime të reja dhe rritje te rasteve në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 30 të prekur, nga të cilët 6 janë në terapi intensive, 2 prej tyre janë të intubuar”.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 13 qytetarë, duke e çuar në 938 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 274 persona aktivë me COVID-19, rreth 70% e të cilëve janë në Tiranë.

COVID-19 – Statistika (7 Qershor 2020)
Testime totale 18290
Testime molekulare 16255
Testime serologjike 2035
Raste pozitive 1246
Raste të shëruara 938
Raste Aktive 274
Humbje jete 34 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 187
Krujë 24
Shkodër 19
Kamëz 14
Durrës 10
Mat 9
Lushnje 6
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 14 raste të reja dhe 13 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

NATO flet me ATSH për bazën detare të Pashalimanit

Pas investimeve për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, NATO po studion edhe mundësinë për investime edhe në bazën detare të Pashalimanit.

Kërkesës zyrtare të dorëzuar në tetor të 2019-ës nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila ka parashtruar planin e qeverisë shqiptare për modernizimin e bazës detare të Pashalimanit, Aleanca e Atlantikut të Veriut deklaron se ka nisur punën në bashkëpunim me autoritet ushtarake shqiptare, për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si kjo bazë mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të Aleancës.

NATO iu përgjigj zyrtarisht interesit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare lidhur me kërkesën e autoriteteve shqiptare për investim në Pashaliman.

“Autoritetet ushtarake të NATO-s janë duke punuar ngushtë me autoritetet ushtarake shqiptare për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si baza detare e Pashalimanit mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të NATO-s”, konfirmoi për ATSH një zëdhënës i Aleancës.

NATO, tha për ATSH, se e mirëpret mbështetjen e Shqipërisë ndaj planeve dhe sigurisë detare të Aleancës.

“Ne mund të konfirmojmë se NATO ka marrë një letër nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes, ku shprehet mbështetja e qeverisë shqiptare për modernizimin e Bazës Detare të Pashalimanit. Ne mirëpresim mbështetjen e Shqipërisë ndaj planeve dhe sigurisë detare të NATO-s nëpërmjet dhënies së aftësive detare të saj për misionet dhe aktivitetet e drejtuara nga NATO”, deklaron për ATSH zyrtari i Aleancës.

Për NATO-n, nënvizon zëdhënësi për ATSH , kjo pasqyron solidaritetin, kohezionin dhe unitetin e përpjekjeve të Aleancës.

“Kjo është në të njëjtën linjë me qëndrimet operacionale të NATO-s dhe pasqyron solidaritetin, kohezionin dhe unitetin e përpjekjeve të Aleancës. Autoritetet Ushtarake të NATO-s janë duke punuar ngushtë me autoritetet ushtarake shqiptare për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si kjo bazë mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të NATO-s”, nënvizohet në reagimin zyrtar për ATSH-në.

Në tetor të vitit të shkuar, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka iu drejtua përmes një letre zyrtare komandantit të Komandës Supreme për Europën, gjeneralit amerikan Tod D.Wolters që Aleanca të konsiderojë Pashalimanin edhe për shkak të gjeografisë dhe avantazheve që ofron, për të investuar edhe aty një bazë detare.

Ministrja ka theksuar se Shqipëria është gati për zbatimin e një plani të përbashkët për zhvillimin e bazës detare për Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Ndërkaq baza ajrore e Kuçovës do të jetë gati së shpejti, sipas projektit të hartuar nga NATO, një investim ky që kap vlerën e 50 milionë eurove./atsh

NATO flet me ATSH për bazën detare të Pashalimanit Read More »

Kosova hap kufirin me Shqipërinë, nuk ka më vetizolim për 7 ditë dhe as test anti- COVID

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që duke nisur që nga dita e nesërme qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga cili do shtet të mos i nënshtrohen masës së vetizolimit për 7 ditë.

Kurse, në vend të testimit të obliguar për CODID-19, për ata që hyjnë, do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të QKMF-ve, të vendosura në pikat kufitare apo edhe në vet QKMF-të brenda komunave.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se situata epidemiologjike është e qëndrueshme, por me rritje të lehtë të rasteve gjatë javëve të fundit në disa komuna si rezultat i moszbatimit të rekomandimeve nga një numër i qytetarëve.

“Kontrollin e detajuar mjekësor për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, duke marrë shënime të sakta të vendqëndrimit në Kosovë, adresa dhe numri i telefonit për përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF-të e komunave përkatëse. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH-së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike, si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë me COVID-19. Bazuar në këto rekomandime që nga dita e hënë 8 qershor 2020 propozoj që qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit shtëpiak 7 ditor. Ndërsa, në vend të testimit të obliguar për COVID-19 për ata që hyjnë do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të vendosura në pikat kufitare apo edhe në QKMF-të nëpër komuna”, tha ai.

Zemaj tha se bazuar në situatën epidemiologjike, MSH do të mundësojë liri të plotë të lëvizjes e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave nga të gjitha pikat kufitare.

Po ashtu, ai bëri të ditur se qysh nga nesër do të hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit.

I pari i Shëndetësisë kërkoi që të zbatohen me përpikëri rekomandimet duke qenë se ende nuk ka kaluar rreziku dhe shfaqja e rasteve të reja si pasojë e moskujdesit, sipas tij mund ta mbingarkojë sistemin shëndetësor me pasoja të paparashikuara që do të çonin në rritje të numrit të rasteve dhe rrezik për jetën e qytetarëve.

Ai tha se kërkojnë nga qytetarët, bizneset, gastronomia dhe sektorët e tjerë që në mënyrë strikte të respektojnë masat me qëllim që të shkohet para me lehtësime të tjera.

Ndërkaq, ministri i Punës Skender Reçiça, ka kritikuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku tha se bashkëpunimi mes dy vendeve gjatë kësaj periudhe është për çdo kritikë.

Bashkëpunimi i këtyre muajve të fundit është për çdo kritikë, është diçka që nuk guxon të përsëritet edhe një herë të vetme, e as edhe një rrethanë të vetme. Tirana për Prishtinën është si Prizreni për Gjilanin, sikur që Prishtina për Tiranën duhet të jetë si Vlora dhe Shkodra. E kuptoj faktin që pandemia kërkon disiplinë, kërkon respektim të masave mbrojtëse dhe e kuptoj faktin që mund të karantinohet Ferizaj, Prishtina, Vlora, Korça, por assesi të mbyllen dhe të izolohen mes vete mes Prishtinës dhe Tiranës. Kujdes po, disiplinë po, por jo izolim dhe mos komunikim pa nevojë. Më e pakta që mund të bëjmë është që sot të miratojmë këtë vendim”, tha ai.

Ministri Zemaj tha se Inspektorati Sanitar i AUVK-së dhe Inspektoratet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Kryeministri Avdullah Hoti, ka kërkuar që deri më 12 qershor MSH të miratojë manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19 dhe të rekrutohen 200 specialistë shëndetësor që do të mbikëqyrin zbatimin e manualit.

“Deri më 12 qershor 2020 MSH të miratojë manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19, ku specifikohen të gjitha detajet për mënyrën e organizimit të punës në të gjitha bizneset private dhe ndërmarrjet publike, në institucionet publike dhe në çdo veprimtari tjetër publike. Pastaj pika katër të jetë, në përputhje me ligjet përkatëse MSH autorizohet që të nis procedurat për rekrutimin e 200 specialistëve shëndetësor që do të mbikëqyrin zbatimin e manualit sipas pikës paraprake gjatë gjithë periudhës sa jemi në këtë epidemi”, tha ai.

Kurse, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ka kërkuar që të ketë lehtësira për sektorin e gastronomisë.

“Me e pas një raport se si kishim mundur të veprojmë tutje edhe për kërkesat që i kemi nga sektori i gastronomisë për ngjarjet më të mëdha në këtë fushë, për shkak që mendoj që jeta praktike ka filluar të ndodh, unë sot isha në një prej qendrave tregtare dhe aty ishte plotë, jeta veç ka filluar të ec gjithmonë duke e pasur ndjeshmërinë për situatën, për shëndetin publik, por në të njëjtën kohë duke e pasur përgjegjësinë mbi detyrat që i kemi në raport me funksionimin në veçanti të sektorit privat dhe të sektorit të gastronomisë. Është mirë që në mbledhjen e ardhshme me pas një raport dhe nëse ka hapësirë me e marr një vendim për lehtësim të plotë”, ka deklaruar Tahiri.

Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi, ka kërkuar që të fillojë konsultimet për rifillim të transportit ajror.

“Me lejen e juaj unë kisha filluar konsultimet me Autoritetin Civil Ajror, me ministrinë e Shëndetësisë, gjithashtu kompanitë ajrore të shikojmë mundësitë e rifillimit të transportit ajror sa më shpejt në Kosovë, gjithsesi edhe gjithmonë duke i respektuar masat COVID-19. Kjo do të bëhet gjithashtu duke marrë parasysh edhe standardet e BE-së. Ajo çka kërkoj sot është të fillojmë këto negociata që t’i shohim edhe praktikat e aeroporteve tjera”, tha ai./KosovaPress/

Kosova hap kufirin me Shqipërinë, nuk ka më vetizolim për 7 ditë dhe as test anti- COVID Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 20 raste të reja, shkon në 1232 numri i të prekurve

Në 24 orët e fundit janë kryer 253 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitive, përkatësisht, 10 raste në Tiranë, 3 raste në Shkodër, 3 në Krujë, 2 në Durrës, 2 në Tropojë.

Dr. Flutra Beqo nga Ministria e Shëndetësisë tha sot në komunikimin e përditshëm se “rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte familjare dhe disa raste të reja në proces hetimi. Aktualisht kemi një personel shëndetësor të riinfektuar pas thuajse 3 muajsh, pra i infektuar për herë të dytë, si kontakt familjar. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar”.

“Gjatë 24 orëve të fundit një 85 vjeçare nga Tirana ka humbur jetën në Spitalin Infektiv, e konfirmuar me COVID-19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese. Deri më sot 34 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID-19 pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor”, -nënvizoi Beqo.

Sipas saj, vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 27 të prekur, nga të cilët 6 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar.

Në vendin tonë janë aktualisht 273 persona aktivë me COVID-19, rreth 70% e të cilëve janë në Tiranë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton edhe njëherë për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrëngimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës vetjake dhe shmangien e grumbullimeve.

Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19.

COVID-19 – Statistika (6 Qershor 2020)

Testime totale 18097
Testime molekulare 16062
Testime serologjike 2035
Raste pozitive 1232
Raste të shëruara 925
Raste Aktive 273
Humbje jete 34 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 187
Krujë 23
Shkodër 17
Kamëz 14
Durrës 10
Mat 9
Lushnje 6
Berat 2
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 20 raste të reja, shkon në 1232 numri i të prekurve Read More »