Lajmi i fundit

Albert Nikolla emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë

Këshilli i Ministrave miratoi emërimin e Albert Nikollës si zëvëndësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Albert Nikolla emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, thuhet në vendimin e firmosur nga kryeministri Rama, i cili hyn në fuqi menjëherë.

Më herët, Nikolla ka qenë drejtor kombëtar i “Caritas Albania” ndërsa së fundmi mbante postin e këshilltarit të Kryeministrit për Çështjet Sociale.

Emërimi vjen në një periudhë kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19./atsh

Albert Nikolla emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë Read More »

42 raste të reja, rritet edhe numri i të shtruarve në Spitalin Infektiv

Sot është shënuar dita me numrin më të lartë të rasteve të reja të prekur nga COVID-19. Në 24 orët e fundit janë kryer 311 testime nga të cilat janë konfirmuar 42 raste pozitive, përkatësisht, 21 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në Krujë, 2 në Lushnjë, dhe nga 1 rast në Pukë, Berat dhe Ura Vajgurore.

Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur sot se “rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shumë raste të reja që janë në hetim në Durrës, Berat, Pukë, Shkodër. Rastet e Krujës janë qytetarë të cilët kanë marrë pjesë në një ceremoni mortore, ndaj ju bëjmë thirrje edhe njëherë që të shmangni grumbullimet masive në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit”.

“Në 24 orët e fundit janë testuar dhe ritestuar 80 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të prekur 5 persona, ndërsa janë shëruar 8 mjekë dhe infermiere. Vetëm në 24 orët e fundit janë referuar në spitalet infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” 9 pacientë të dyshuar të cilët janë konfirmuar pozitivë dhe janë shtruar në Spitalin infektiv, ku vijon të rritet numri i të shtruarve, kryesisht nga Tirana”, – theksoi Dervishi.

Sipas saj, aktualisht janë 46 të shtruar pozitivë me Covid19.

“Është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive. 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive, njëri prej tyre në intubim. Ndërsa një pacient ka dalë nga intubimi falë punës së stafit mjekësor të spitalit infektiv”.

“Numri i rasteve të rritura në ditën e fundit e ka vendosur sistemin shëndetësor në gatishmëri të shtuar, por në të njëjtën kohë është edhe një apel për të gjithë qytetarët për të qenë bashkëpunëtorë në këtë betejë duke respektuar rregullat, duke ruajtur distancën nga njëri tjetri, duke mbajtur maskat në ambientet e mbyllura ku nuk është e mundur të ruhet distanca, duke ruajtur higjienën personale, duke ruajtur veten dhe të tjetër në mënyrë që të kufizojmë sa më shumë që të jetë e mundur përhapjen e COVID-19”, tha Dervishi.

Ajo beri apel qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes.

Në rast se ju apo një i afërm i juaji keni shenja klinike të Covid19, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127

COVID-19 – Statistika (10 Qershor 2020)
Testime totale 19271
Raste pozitive 1341
Raste të shëruara 980
Raste Aktive 327
Humbje jete 34 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 205
Shkodër 38
Krujë 27
Kamëz 19
Durrës 14
Mat 9
Lushnje 6
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Lezhë 1
Pukë 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1/atsh

42 raste të reja, rritet edhe numri i të shtruarve në Spitalin Infektiv Read More »

Regjistrimi fillestar i pronës/Procedura që ndiqet dhe fazat e aplikimit

Pas një pune përgatitore prej disa muajsh, Kadastra Shqiptare ka hapur zyrtarisht procesin e regjistrimit fillestar në 8 zonat kadastrale të bregdetit të jugut.

Ligji “Për Kadastrën” në nenin 30 të tij përcakton qartë mënyrën se si kryhet regjistrimi fillestar i pronës.

Sipas ligjit, regjistrimi fillestar bëhet për një zonë kadastrale të identifikuar nga drejtoria vendore.

Regjistrimi fillestar konsiston në pasqyrimin e çdo pasurie të paluajtshme shtetërore, publike dhe private të zonës kadastrale, në kartelën përkatëse të pasurisë dhe në hartën kadastrale të zonës.

Ky produkt i nënshtrohet afishimit publik 45-ditor, ku banorët dhe titullmbajtësit verifikojnë të dhënat e pasurive të tyre, si mbajtja e ankesave përkatëse. Pas përfundimit të afishimit publik trajtohen ankesat përkatëse dhe kthim përgjigje. Më pas vijohet me ngarkimin në sistemin digjital të pasurive të paluajtshme të produktit përfundimtar.

Drejtuesi i drejtorisë vendore, një person ose çdo grup i ngarkuar nga Drejtori i Përgjithshëm kërkojnë që pronësia, si dhe kufijtë e çdo pasurie që duhet regjistruar, të dokumentohen në bazë të akteve të fitimit të pronësisë, sipas nenit 193 të Kodit Civil.

Individët, familjet dhe personat juridikë privatë apo shtetërorë, që zotërojnë dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen, duhet t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me: dokumentin e pronësisë; dokumentacionin hartografik për pasurinë, i cili miratohet nga ASHK-ja; deklaratën noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet.

Nëse deklarata noteriale nuk mund të sigurohet, apo ka mosmarrëveshje për kufirin e pasurive, ai përcaktohet nga ASHK-ja. Palët e interesuara kanë të drejtën e ankimit gjyqësor ndaj aktit të ASHK-së që përcakton kufirin. Drejtoria vendore, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit. Kundër vendimit të drejtorisë vendore ose në mungesë të përgjigjes brenda afatit, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Në procesin gjyqësor gjykata thërret të gjithë pronarët, pronat e të cilëve janë kufitare me njëra-tjetrën e të cilët kanë interes të ligjshëm për gjykim.

Kur sipërfaqja që posedohet dhe ekziston efektivisht në terren, është më e vogël se ajo e përcaktuar në titullin e pronësisë, drejtoria vendore regjistron pronësinë vetëm për sipërfaqen që rezulton efektivisht.

Nëse nga pozicioni i pasurisë rezulton se sipërfaqja që do t’i takonte titullarit është zënë nga prona publike të ndërtuara pas krijimit të titullit të pronësisë private dhe subjekti nuk është shpërblyer sipas legjislacionit për shpronësimin për interes publik, ASHK-ja njofton organin shtetëror përgjegjës për procedurën e shpronësimit, që të kryejë procedurat përkatëse të kompensimit. Në çdo rast, procedura e regjistrimit nuk pezullohet.

Për pasqyrimin e saktë hartografik të pasurive, ASHK-ja shfrytëzon produktin e fotografimit ajror të Republikës së Shqipërisë. Për çdo pasuri të identifikuar nga verifikimi në terren dhe që gjendet në hartën e re kadastrale, krijohet praktika e pronësisë me dokumentacionin që parashikohet në këtë ligj.

Procedura e regjistrimit fillestar fillon me vendim të drejtuesit të zyrës vendore ose me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm.

Mbledhja dhe organizimi i të dhënave, në funksion të procedurave të regjistrimit fillestar dhe të përmirësimit, kryhet nga: vetë ASHK-ja nëpërmjet strukturave dhe personelit të saj; subjekte të treta, të kontraktuara nga ASHK-ja, në përputhje me rregullat e legjislacionit “Për prokurimin publik”; ose njësitë e vetëqeverisjes vendore mbi bazën e marrëveshjeve të miratuara nga këshilli drejtues i ASHK-së.

Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka sqaruar se ky proces do të trajtojë rreth 16.500 pasuri private, kryesisht toka të përfituara me AMTP (përmes ligjit 7501/1991), shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi, prona të vjetra, objekte të privatizuara, etj.
Gjithashtu, procesi do të trajtojë edhe rreth 5200 pasuri shtetërore, kryesisht prona të institucioneve publike, vepra infrastrukture, kullota, pyje, etj. Prej tij do të përfitojnë rreth 8000 banorë, rezidentë apo të emigruar të këtyre zonave.

Regjistrimi fillestar do të kryhet në 8 zonat kadastrale të bregdetit të Jugut dhe konkretisht:

ZK.2863 – Palasë,
ZK.1481 – Dhërmi,
ZK.3844 – Vuno,
ZK.2518 – Lukovë,
ZK.1739 – Gjilekë,
ZK.1982 – Ilias,
ZK.1952 – Himarë,
ZK.2806 – Nivicë./atsh

Regjistrimi fillestar i pronës/Procedura që ndiqet dhe fazat e aplikimit Read More »

Pajisja për herë të parë me tapi të rregullta pronësie për qytetarët në jug i jep fund konfliktit të pronave

Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame deklaroi sot se qytetarët në jug do pajisen për herë të parë me tapi të rregullta pronësie, proces ky i cili do t’i japë fund konfliktit për pronat.

Gjatë një interviste në media, Lame u shpreh se brenda pak muajsh do të përfundojnë matjet në terren dhe do të jetë gati edhe harta.

“Procesi në jug është pajisja për herë të parë me tapi të rregullta pronësie për pronat e tyre. Jemi në fazën që po mbledhim informacione nga qytetarët. Askush nuk duhet të dorëzojë dokumente origjinale, por fotokopje. Kemi hapur tri zyra në jug ku të kërkohen të dërgohen fotokopjet dhe jo origjinalet e dokumenteve. Kur të mbarojnë edhe matjet në terren, pas disa muajsh do të kemi një hartë në jug dhe të gjitha këto do të bëhen publike”, sqaroi Lame.

Lame bëri të ditur se “ajo që po bëjmë në jug është regjistrim fillestar, pasi nuk është bërë asnjëherë. Pra, pasi janë harxhuar rreth 120 milionë dollarë për të bërë regjistrimin”.

Sipas tij, mos regjistrimi i banesave është një problem shumë i madh në Shqipëri.

“Regjistrimi fillestar në Shqipëri është bërë me tendera, ne po i bëjmë me forcat tona. Duke qenë se bëheshin me tendera, paratë kalonin dorë më dorë dhe mbeteshin vetëm 40-30% e parave. Rregullimi i hartës bëhet me zona. Janë mbi 2 mijë zona të Kadastrave ku rreth 80 % e tyre duhen ribërë. Kjo merr me vite të tëra”, tha Lame./atsh

Pajisja për herë të parë me tapi të rregullta pronësie për qytetarët në jug i jep fund konfliktit të pronave Read More »

36 raste të reja, Bino: Shkak, grumbullimet masive dhe mosrespektimi i këshillave parandaluese

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se situata e COVID-19 është përkeqësuar dhe brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 36 raste të reja.

Shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP Silva Bino theksoi sot se “kjo situatë nuk ishte kaq e papritshme për shkak të grumbullimeve masive që kanë ndodhur ditët e fundit. Jo vetëm grumbullimet, por edhe mosrespektimi i këshillave, në lidhje me distancimin fizik, në lidhje me mbajtjen e maskave, në lidhje me shumë elementë të tjerë të kujdesit personal qoftë edhe të higjienës”.

“Të gjithë qytetarët, të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm që Covid19 nuk ka ikur nga vendi ynë. Deri më tani, deri në fillimin e hapjes së masave kishim një numër njëshifror, e cila erdhi si rezultat i masave drastike, i sakrificës së gjithsecilit. Por kjo nuk do të thotë që me hapjen e masave ne të shpërdorojmë çdo këshillë dhe të shpërdorojmë atë që ne vetë sakrifikuam”, u shpreh Bino.

Në 24 orët e fundit janë testuar 359 persona të cilët janë dyshuar për Covid19 dhe prej të cilëve kanë rezultuar 27 raste në Tiranë, 4 raste në Shkodër, 2 raste në Kamëz, 1 rast në Durrës, 1 në Lushnjë dhe 1 në Lezhë.

Duke sjellë këto të dhëna, Bino theksoi edhe njëherë se “të gjitha këto raste janë shfaqje e mosrespektimit të shumë rregullave të distancimit fizik apo të përgjegjshmërisë personale apo kolektive në lidhje me punëdhënësit apo punëmarrësit”.

Një pjesë e mirë e tyre janë kontakte të rasteve pozitive që tregon që gjurmimi në terren po kryhet në mënyrë të fuqishme, i cili do të vazhdojë dhe do të përforcohet në javët në vijim.

COVID-19 – Statistika (9 Qershor 2020)

Testime totale 18960

Testime molekulare 16716

Testime serologjike 2244

Raste pozitive 1299

Raste të shëruara 960

Raste Aktive 305

Humbje jete 34 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 204

Shkodër 29

Krujë 24

Kamëz 19

Durrës 10

Mat 9

Lushnje 4

Tropojë 2

Korçë 1

Librazhd 1

Mallakastër 1

Lezhë 1/atsh

36 raste të reja, Bino: Shkak, grumbullimet masive dhe mosrespektimi i këshillave parandaluese Read More »

“Dekorata e Artë e Shqiponjës” për kolonelin veteran Myfit Guxholli

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot kolonelin veteran Myfit Guxholli me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacion: “Për veprimtarinë e shquar si luftëtar i lirisë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe për kontributin e tij të veçantë në krijimin dhe konsolidimin e artit të luftës dhe shkencës topografike ushtarake shqiptare. Në vlerësim të mbrojtjes dhe mbajtjes gjallë të idealit atdhetar në drejtim të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të L.A.N.Ç.-it”.

Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, duke iu drejtuar të pranishmëve mes të cilëve ishin veteranë të LANÇ-it, drejtues dhe anëtarë të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve dhe pjesëtarë të familjes Guxholli, Presidenti Meta u shpreh se “Kolonel Guxholli, një ish-student i Liceut të Korçës, në momentet më të vështira dhe të errëta për vendin, i shtyrë nga atdhedashuria dha një kontribut patriotik, u bashkua me armë në dorë në Luftën e lavdishme Nacionalçlirimtare duke shërbyer edhe si kuadër i forumeve më të larta të Brigadës IV Sulmuese.

“Si një ndër pedagogët më të shquar dhe Shef Katedre në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve Tiranë, dhe tani si kryetar i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, kontributi dhe puna e kolonel Guxhollit në shërbim të vendit është e jashtëzakonshme dhe tejet e vyer”, theksoi Meta.

“Më lejoni të shpreh konsideratën time më të lartë edhe për kontributin tuaj në modernizimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Shqiptare. Është i njohur kontributi juaj si kryetopograf, shef seksioni dhe nënkryetar i degës së Topografisë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare; si bashkautor, së bashku me specialistët e huaj në projektimin e zbatimin në praktikë, në terren të triangulacionit shtetëror (arshiva IGU/ 1954); si pedagog, shef cikli dhe shef i katedrës së topografisë, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve”, tha Meta.

“Por sot, unë dua të vlerësoj edhe aktivitetin tuaj të pasur shkencor e pedagogjik, si autor i tekstit mësimor ‘Gjeodezia’ të përshtatur për studentët e specialitetit ‘topograf’ në Akademinë ‘Skënderbej’, por dhe për studentë të tjerë të specialiteteve të ndryshme që studiojnë gjeodezinë në këtë Akademi. Këto janë një trashëgimi e çmuar që zënë vend nderi në analet e historikut të Forcave tona të Armatosura”, nënvizoi Presidenti Meta.

Duke e falenderuar Presidentin Meta për vlerësimin, Kolonel Myfit Guxholli në fjalën e tij përshëndese theksoi ndër të tjera se, “kjo Dekoratë e lartë i takon të gjithë atij brezi që e nisi jetën nga lufta për të kontribuar për çlirimin e Atdheut dhe përparimin e tij”./atsh

“Dekorata e Artë e Shqiponjës” për kolonelin veteran Myfit Guxholli Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 17 raste të reja, shkon në 1263 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informoi se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar pozitivë më COVID-19, 17 raste të reja.

Shefja e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini u shpreh se “bazuar në të dhënat epidemiologjike, trendin e evidentimit të rasteve pozitive dhe të totalit të testimeve gjatë javës që lamë pas, kemi një paraqitje te qëndrueshme të situatës së epidemisë në vend. Kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me Covid19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve”.

“Në 24 orët e fundit janë kryer 102 testime nga të cilat janë konfirmuar 17 raste pozitive, përkatësisht, 8 raste në Tiranë, 6 raste në Shkodër, 3 në Kamëz.
Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive dhe disa raste të reja në Tiranë dhe Shkodër janë në proces hetimi. Janë testuar në 24 orët e fundit 19 personel shëndetësor, nga të cilët 3 kanë rezultuar pozitivë nga kontakte dhe 1 personel është shëruar në 24 orët e fundit”, u shpreh Tomini.

COVID-19 – Statistika (8 Qershor 2020)
Testime totale 18601
Testime molekulare 16357
Testime serologjike 2244
Raste pozitive 1263
Raste të shëruara 945
Raste Aktive 284
Humbje jete 34 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 188
Shkodër 25
Krujë 24
Kamëz 17
Durrës 10
Mat 9
Lushnje 6
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 17 raste të reja, shkon në 1263 numri i të prekurve Read More »

Meta dekreton ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot shpalljen e ligjit nr. 61/2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar”.

Ky ligj ka reflektuar rekomandimet e dhëna nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, për realizimin e plotë të autonomisë së OST-së, thekson Presidenca./atsh

Meta dekreton ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike” Read More »