Lajmi i fundit

Kosovë/ 40 të shëruar dhe 216 raste të reja me COVID-19

Më 12 korrik 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 493 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 216 raste pozitive.

Numri total i rasteve pozitive është 4.931 raste nga 28.216 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 102 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Më 12 korrik 2020, janë shëruar 40 pacientë ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më 12 korrik është gjithsej 2.267 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.562.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 115 raste, komuna Drenas 16 raste, komuna Fushë Kosovë 16 raste, komuna Lipjan 14 raste, komuna Podujevë 12 raste, komuna Mitrovicë 10 raste, komuna Skenderaj 6 raste, komuna Obiliq 4 raste, komuna Vushtrri 4 raste, komuna Shtime 3 raste, komuna Kaçanik 3 raste, komuna Suharekë 3 raste, komuna Prizren 2 raste, komuna Deçan 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Ferizaj, Klinë, Malishevë, Pejë, Rahovec dhe Viti./atsh

Kosovë/ 40 të shëruar dhe 216 raste të reja me COVID-19 Read More »

Pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë për terapinë intensive në spitalin rajonal të Vlorës

Pas spitaleve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, edhe në spitalin rajonal të Vlorës janë forcuar kapacitetet me pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë për terapinë intensive.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se personeli mjekësor është në shërbim të pacientëve 24 orë në ditë, në shtatë ditë të jetës.

“Pas spitaleve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, edhe në spitalin rajonal të Vlorës janë forcuar kapacitetet me pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë për terapinë intensive. Ekipet tona janë në shërbim të pacientëve, 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës. T’i ndihmojmë duke treguar kujdes individual:Distancim fizik, zbatim i rregullave të higjenës dhe mbajtja e maskës”, thote Manastirliu./atsh

Pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë për terapinë intensive në spitalin rajonal të Vlorës Read More »

Publikohen datat e provimeve të vjeshtës për Maturën Shtetërore

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka caktuar datat e provimeve për maturatët të cilët nuk arritën të sigurojnë notë kaluese duke iu dhënë mundësi të pajisen me diplomën, si kusht për t’u regjistruar në Universitete.

Provimi i gjuhës së huaj do të jepet më 24 gusht, tre ditë më vonë provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, më pas i matematikës më 31 gusht dhe për t’u përmbyllur në datën 3 shtator me provimin me zgjedhje.

Në këto provime do t’u jepet mundësia edhe atyre që e kanë mbaruar shkollën para vitit 2019, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore. Sakaq, pyetjet do të jenë të ndërtuara vetëm me alternativa. /atsh

Publikohen datat e provimeve të vjeshtës për Maturën Shtetërore Read More »

Finalizohet operacioni “Tragjasi”/ Sekuestrohen 53 kg kanabis, 2 të arrestuar, 1 në kërkim. Procedohen…

Policia e Vlorës ka sekuestruar 53 kg kanabis si dhe ka asgjësuar disa bimë të mbjella në kuadër të operacionit të koduar “Tragjasi”.

Dy persona kanë përfunduar në pranga 2 shtetas dhe 1 shpallet në kërkim, ndërkohë që është proceduar penalisht në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Tragjas si dhe elektriçisti i zonës.

Në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë finalizuar me sukses operacionin “Tragjasi”, si rezultat i të cilit janë arrestuar dhe proceduar penalisht autorët e përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, konkretisht:

Janë arrestuar shtetasit P. S., 37 vjeç, banues në fshatin Drashovicë dhe G. B., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Janë proceduar penalisht shtetasit M. R., 43 vjeç, banues në fshatin Tragjas, me detyrë kryeplak i fshatit Tragjas dhe shtetasi A. R., 37 vjeç, banues në fshatin Tragjas, me detyrë elektricist i zonës në fshatin Tragjas.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. T., 53 vjeç, banues në Tiranë.

Nga kontrolli dhe hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar fidanë të dyshuar canabis sativa në territorin e banesës së shtetasit G. B., në fshatin Tragjas.

Po ashtu, në banesën e shtetasit G. B është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 53 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit T. T. u gjetën disa fidanë narkotikë të kultivuar në një ambient të banesës, 1 armë zjarri automatike, 3 armë gjahu teke, 2 thika dhe 1 shpatë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Finalizohet operacioni “Tragjasi”/ Sekuestrohen 53 kg kanabis, 2 të arrestuar, 1 në kërkim. Procedohen… Read More »

500 efektivë të rinj i shtohen strukturës së Policisë së Shtetit

500 efektivë të rinj do t’i shktohen strukturës së Policisë së Shtetit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka miratuar ndryshime në buxhetin e vitit 2020. Sipas projektligjit të dërguar për shqyrtim në komisionet parlamentare të Kuvendit, parashikohet rritje e strukturës organike të Policisë së Shtetit me 500 efektivë të rinj, pa kosto shtesë në buxhet.

Buxheti i vitit 2020 për Policinë e Shtetit llogaritet 21 miliardë lekë, me një rritje prej 1.4% në raport me atë të 2019.//atsh

500 efektivë të rinj i shtohen strukturës së Policisë së Shtetit Read More »

Miratohet në parim nisma e opozitës parlamentare për ndryshime kushtetuese/ Manja: Shkon në favor të qytetarëve

/ Nisma e 28 deputetëve të opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese në hapjen e listave dhe eliminimin e koalicioneve parazgjedhore u miratua sot në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit.

16 deputetë votuan pro në parim kësaj nisme, asnjë abstenim, kurse kundër ishte vetëm deputeti Adriatik Alimadhi.

Relatorët e mazhorancës e quajtën nismën në favor të qytetarëve, pasi, sipas tyre, votuesit mund të zgjedhin kandidatin që dëshirojnë dhe partitë e vogla nuk do të kenë më mundësi të vegjetojnë në listat e partive të mëdha për aq kohë sa hiqet koalicioni.

Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ylli Manja u shpreh se “duhet të fokusohemi te thelbi i nismës, sepse sot jemi në diskutimin e nismës në parim dhe jo në formalizimin e nismës”.

“Nuk duhet të spostohet vëmendja nga thelbi i kësaj nisme shumë të rëndësishme që kanë depozituar 28 deputetë të opozitës. Duhet të fokusohemi te nisma, jemi në diskutimin në parim të një nisme që në fakt sot ka gjithë vëmendjen e opinionit publi”, tha ai.

Manja tha se “nëse dikush kërkon koalicionet parazgjedhore, sepse do të vegjetojë 30 vjet nën ombrellën e një partie të madhe natyrisht që është i lirë ta kërkojë koalicionin parazgjedhor ose jo”.

“Kush ka interesa të tjera për të konkurruar i vetëm sigurisht që mund të kërkoj heqjen e koalicioneve parazgjedhore, por thelbi i kësaj nisme është liria dhe barazia e votës së qytetarëve shqiptarë, ashtu siç e kam kuptuar unë”, tha Manja.

Ai u shpreh se “qytetarët shqiptarë kërkojnë të dinë kë subjekt do votojnë dhe kë deputet do të çojnë në Kuvendin e Shqipërisë”.

“Elementët e tjera të orekseve politike, të vogla apo të mëdha janë pjesë e kësaj nisme në diskutimin në parim”, tha ai.

Nga e hëna do të nisin diskutimet nen për nen dhe deputetët e mazhorancës do të paraqesin edhe propozimet e tyre, ndërsa më 14 korrik do të dilet me një relacion që do t’i dërgohet seancës plenare nëse do të votohen ose jo ndryshimet kushtetuese. Votimi final është në datën 30 korrik, kur do të votohet pro ose kundër nismës së opozitës parlamentare. /atsh

Miratohet në parim nisma e opozitës parlamentare për ndryshime kushtetuese/ Manja: Shkon në favor të qytetarëve Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 82 raste të reja, rritet numri i pacientëve në terapi intensive

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 82 raste pozitivë me COVID-19

Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u shpreh se “ kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me Covid19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve.

Situata në spitalin infektiv paraqitet serioze. Është rritur numri i të shtruarve dhe rëndohet situata shëndetësore e pacientëve në terapi intensive.

Aktualisht janë të shtruar 84 pacientë në spital, 11 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 6 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 401 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 82 raste pozitive”.

Cami informoi se “shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 30 raste në Tiranë, 11 në Shkodër, 6 në Kukës, 5 në Elbasan, nga 4 raste në Bulqizë, Krujë, Berat, Malësi e Madhe, nga 3 raste Kavajë, Përmet, 2 në Korçë, nga 1 rast në Pukë, Mirditë, Kamëz, Gjirokastër, Tepelenë, Dibër.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 41 qytetarë, duke e çuar në 1832 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 1273 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës’. Ndërkaq, ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka rekomanduar çdo qytetari të tregojë kujdes për respektimin e rregullave.

“Ruani distancën nga të tjerët të paktën 1.5 metër. Mbani maskë në ambiente të mbyllura dhe kudo ku nuk mund të ruani distancën. Ruani higjienën personale dhe kolektive. Nëse keni shenja të sëmundjes izolohuni dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19’.

COVID-19 – Statistika (9 Korrik 2020)
Testime totale (molekulare dhe serologjike) 31,093
Raste pozitive 3188
Raste të shëruara 1832
Raste Aktive 1273
Humbje jete 83 (Qarku Tiranë 46, Durrës 13, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 12, Kukës 1, Elbasan 2, Lezhë 1, Berat 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 509
Durrës 215
Shkodër 173
Vlorë 116
Lezhë 64
Fier 41
Elbasan 33
Korçë 32
Kukës 32
Berat 24
Gjirokastër 17
Dibër 17/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 82 raste të reja, rritet numri i pacientëve në terapi intensive Read More »

Ndahet nga jeta prof. Grigor Zoraqi, “mjeshtri” i analizave të ADN

Profesor Grigor Zoraqi, bashkëpunëtor dhe anëtar i “Njësisë së Bioteknologjisë dhe Gjenetikës” pranë Akademisë së Shkencave, “mjeshtri” i analizave të ADN u nda sot papritur nga jeta.

Lajmi u bë i ditur nga Akademia e Shkencave, e cila thekson se “ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe jo vetëm për njerëzit e dashur të familjes, për Akademinë e Shkencave dhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe shkencën shqiptare”.

Grigor Zoraqi lindi dhe u rrit në Tiranë në një familje me tradita dhe vlera të veçanta kulturore. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” duke u dalluar si një nga nxënësit më të shkëlqyer që ka patur historikisht kjo shkollë.

Studimet universitare i kreu në Universitetin “LA Sapienza” në Romë Itali në vitet 1979-1985 ku u dallua për rezultatet e larta në përgatitjen e tij shkencore. Pas kthimit në Shqipëri punoi si pedagog i Gjenetikës pranë Fakultetit të Veterinarisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, ku mbrojti me sukses me 1991 titullin “Kandidat i Shkencave” njohur më vonë Doktor i Shkencave.

Në fillim të viteve ’90 largohet përsëri në Itali ku punon si kërkues shkencor në disa institucione të rëndësishme hkencore si Departamenti i Mjekësisë Eksperimentale dhe Patologjisë së Përgjithshme të Universitetit “La Sapienza” të Romës, Instituti i Teknologjisë Biomjekesore, në disa laboratorë të Qendrës Kombëtare të Sëmundjeve Gjenetike në Itali etj duke fituar një përvojë të çmuar në kërkimin shkencor.

Me kthimin në Shqipëri duke filluar nga viti 2004 Grigori punoi si drejtues i Qendrës së Diagnostikës Molekulare dhe Kërkimeve Gjenetike pranë spitalit “Mbretëresha Geraldinë”.

Ndërkohë, Grigori ka dhënë një kontribut të shquar edhe si pedagog i jashtëm prane Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Me formimin e tij shkencor ai është ndër gjenetistët me kontribut të veçantë në Shqiperi, si autor i një numri të madh artikujsh dhe punimesh shkencore të botuara në revistat më të mira shkencore, pjesëmarrës i përhershëm në shume kongrese dhe konferenca shkencore Kombëtare dhe Ndërkombëtare.

Nga viti 2007, Grigori bëhet anëtar i bordit botues të revistës shkencore “Balcan Journal of Medical Genetics”.

Hartues i shumë projekteve kërkimore me vlerë Kombëtare për parandalimin e disa sëmundjeve të trashëgueshme në vendin tonë, disa prej të cilëve ende në përpunim e sipër. Me përvojën e fituar, me cilësinë e punës së tij kërkimore dhe saktësinë e rezultateve të tij pa dyshim Grigori quhej “mjeshtri” i analizave të ADN-së në nivelin molekular.

Këtë e kanë provuar nga afër të gjithe studentët që kanë përgatitur punimet e tyre në nivelin “Master” si dhe ata të cilët Grigori i ka udhëhequr për fitimin e gradës shkencore “Doktor i Shkencave”. Veprimtaria e tij intensive shkencore e ndërprerë pa pritur do të mbetet gjithnjë si shembull për të gjithë./atsh

Ndahet nga jeta prof. Grigor Zoraqi, “mjeshtri” i analizave të ADN Read More »