Lajmi i fundit

116 vajza dhe djem u betuan në Bunavi si ushtarët më të rinj të Forcave të Armatosura të Shqipërisë

116 vajza dhe djem u betuan në Bunavi si ushtarët më të rinj të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se sot në Bunavi u betuan 116 vajza dhe djem, si ushtarët më të rinj të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

“Ripërtëritja e trupave është një cikël i zakonshëm në FA, por kësaj radhe dua t’i përgëzoj posaçërisht ushtarët e rinj për vullnetin dhe sakrificën e jashtëzakonshme në këto kohë pandemie”, – thekson Xhaçka.

“Stërvitja në Shkollën e Trupës nuk ishte aspak si herët e tjera dhe për këtë përgëzoj edhe instruktorët, të cilëve iu desh të përshtateshin me kufizimet e COVID-19”, – tha Xhaçka./atsh

116 vajza dhe djem u betuan në Bunavi si ushtarët më të rinj të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Read More »

Policimi vullnetar, hapen aplikimet për vitin 2020

Policia e Shtetit ka hapur procesin e aplikimeve për zbatimin e projektit pilot të shërbimit të Policimit Vullnetar për vitin 2020.

Sipas njoftimit të publikuar të hënën, Policia e Shtetit, në zbatim të prioriteteve të saj dhe me qëllim thellimin e gjetjen e formave të reja për Policimin në Komunitet, si dhe për ndërtimin e një ure më të fortë mirëkuptimi dhe komunikimi mes Policisë dhe Komunitetit, nëpërmjet përfshirjes së komunitetit në realizimin e përgjegjësive dhe detyrave në fushën e sigurisë publike, në zbatim të akteve ligjore, nënligjore dhe atyre administrative, ka hapur procesin e aplikimeve për zbatimin e projektit pilot të shërbimit të Policimit Vullnetar për vitin 2020.

Në njoftim saktësohet se ky projekt për vitin 2020 do të implementohet në disa struktura të Policisë së Shtetit, konkretisht: Në DVP Tiranë 77 kuota; Në DVP Elbasan 15 kuota, për Komisariatin e Policisë Elbasan; Në DVP Kukës 5 kuota, për Komisariatin e Policisë Tropojë.

Procesi i aplikimit për shërbimin e policimit vullnetar do të jetë i hapur deri në datën 20 gusht 2020, periudhë në të cilën shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij shërbimi, duhet të paraqesin dokumentet pranë DVP Tiranë, DVP Elbasan dhe DVP Kukës.

Kriteret e pranimit në shërbimin e Policimit Vullnetar: të jetë shtetas shqiptar; Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar; Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo i larguar nga administrata publike; Të ketë përfunduar arsimin e mesëm; Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; të jetë i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.

Aplikantët për shërbimin e Policimit Vullnetar duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Vendore të Policisë ku kanë vendbanimin, dokumentacionin e mëposhtëm: Formularin e aplikimit;Fotokopje të kartës së identitetit; Dokument që vërteton përfundimin e arsimit të kryer;Vërtetim nga Gjykata dhe Prokuroria; Raport mjeko–ligjor.

Pas përfundimit të afatit të aplikimit dhe dorëzimit të dokumenteve në DVP, ka në dispozicion një afat 10 ditor për të verifikuar aplikimet dhe t’u kthyer përgjigje aplikantëve. Ankesat mund të depozitohen pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan ose Kukës për shqyrtim. Më pas aplikantët i nënshtrohen një procesi testimi, trajnimi dhe certifikimi në Akademinë e Sigurisë.

Pas përzgjedhjes, kandidati duhet të përfundojë trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë dhe të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë. Aplikantët që marrin vlerësim pozitiv në Akademinë e Sigurisë, vihen në dispozicion të Drejtorisë Vendore të Policisë ku kanë aplikuar dhe nënshkruajnë kontratën individuale.

Shërbimi i Policimit Vullnetar nuk është praktikë e panjohur në Policitë homologe të Europës apo atyre të rajonit. Shumë nga këto organizata policore kanë aktivizuar programe të vullnetarëve në shërbimin policor, të cilat janë zhvilluar si një rezultat logjik i trendit në rritje të nismave të policimit në komunitet në këto vende.

Programet e policimit të orientuara nga komuniteti ose nga zgjidhja e problemeve të tyre kanë krijuar ura të forta midis agjencive ligj-zbatuese dhe qytetarëve që u shërbejnë. Një zgjerim logjik i këtij bashkëpunimi është dhe lejimi i qytetarëve që të angazhohen në policimin vullnetar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë vendore, për të përmirësuar shërbimet e Policisë ndaj komunitetit.

Policimi vullnetar kërkon kontributin e qytetarëve të përgjegjshëm dhe të devotshëm që janë gati të japin kohën e tyre për të kryer një sërë detyrash në fushën e parandalimit, këshillimit dhe të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike. Policët vullnetarë janë individë, të cilët kanë dhe zërin e tyre personal dhe qytetar për t’u angazhuar në këto çështje të komunitetit, si ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, emergjencat civile, fatkeqësitë natyrore etj. /atsh

Policimi vullnetar, hapen aplikimet për vitin 2020 Read More »

Mbyllen e klubet e natës/Gjobë 3 milionë lekë dhe pezullim të aktivitetit për një vit për shkelësit

Me vendim të qeverisë shqiptare nga sot do të ndalohen klubet e natës, diskot, lounge bar dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre.

Njoftimi është dhënë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu duke theksuar se prioritet nr.1 për qeverinë shqiptare është mbrojtja e jetës së qytetarëve.

“Me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 milionë lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare. Sipas këtij akti, ndalohet muzika pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 milionë lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore”, bëri të ditur Manastirliu.

Ky vendim, sipas Manastirliut, vjen pasi është konstatuar që në këtë periudhë, klubet e natës janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet dhe sfidohet totalisht zbatimi i masave të domosdoshme, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke i shndërruar në vatra potenciale infeksioni.

Manastirliu në komunikimin e saj ka bërë apel qytetarëve që të zbatojnë masat e vendosura dhe të përshtaten me normalitetin e ri si e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten dhe të afërmit tanë.

“Prioriteti ynë nr.1 është mbrojtja e jetës së qytetarëve. Me vetëm këtë prioritet në mendje, do të marrim të gjitha masat e nevojshme”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Manastirliu ka apeluar për zbatimin rigoroz të masave të distancimit social, higjienës vetiake, përdorimit të maskës, dhe çdo lloj mase tjetër që autoritetet shëndetësore rekomandojnë për mbrojtjen e shëndetit./atsh

Mbyllen e klubet e natës/Gjobë 3 milionë lekë dhe pezullim të aktivitetit për një vit për shkelësit Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 82 raste të reja dhe 1 humbje jete në 24 orët e fundit

82 raste të reja me COVID-19 dhe 1 humbje jete në janë konfirmuar në 24 orët e fundit.

Rovena Daja, mjeke pranë Institutit të Shëndetit Publik, gjatë një deklarate për mediet sqaroi se gjatë 24 orëve të fundit ka humbur jetën një 69-vjeçare nga Shkodra. “I drejtohemi me një lutje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, por të respektojnë masat e vendosura. Të ruajnë distancimin fizik, të vendosin maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distance. Bizneset duhet të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.”,- tha Daja.

“Në 24 orët e fundit, nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen një 69-vjeçare nga Shkodra, e shtruar në gjendje të rëndë, megjithë trajtimin dhe përpjekjet e mëdha të stafit mjekësor.”,- sqaroi ajo.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve. Vijon të ketë shtrime të reja në të dy spitalet dhe situata paraqitet serioze. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 123 pacientë, 17 në terapi intensive dhe 1 pacient është i intubuar.”,- shton Daja.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 331 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 82 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 32 raste në Tiranë, nga 7 raste në Kavajë, Fier, 5 në Korçë, nga 4 raste Shkodër, Durrës, Elbasan, nga 3 raste në Krujë, Kurbin, nga 2 raste në Lezhë, Vlorë, Mirditë, Dibër, dhe nga 1 rast në Has, Lushnjë, Mallakastër, Kukës, Ura Vajgurore.”,- bënë me dije Daja.

“Ministria e Shëndetësisë ju drejtohet të gjithë qytetarëve të konfirmuar pozitivë me COVID-19 por që janë në kushte shtëpie, të respektojnë karantinimin e detyrueshëm, si dhe kushdo që është i dyshuar, duhet të qëndrojë i izoluar dhe të telefonojë 127 nëse ka shenja të sëmundjes.”,- shton Daja.

Ajo njofton dhe strategjinë e kontrollit të epidemisë përmes testimeve serologjike.

“Bazuar në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, e cila parashikon edhe përfshirjen e institucioneve jo-publike për rritjen e kapaciteteve për përballimin e situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet për fillimin e testimeve serologjike edhe në strukturat jo publike, me kushtin që të jenë të validuara.”,- tha Daja.

“Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren dhe të vlerësohen përsa i takon validimit dhe performancës nga Instituti i Shëndetit Publik.”,- shton Daja.

“Ndërkohë do te vijojë kryerja e testeve serologjike për personelin shëndetësor, dhe një kampionim i popullatës do të kryhet nga Instituti i Shëndetit Publik.”,- tha Daja.

COVID-19 – Statistika (19 Korrik 2020)
Testime totale 35438
Raste pozitive 4090
Raste të shëruara 2311
Raste Aktive 1667
Humbje jete 112 (Qarku Tiranë 57, Shkodër 19, Durrës 17, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 3, Kukës 2, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1, Korçë 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 787
Durrës 210
Shkodër 196
Vlorë 104
Lezhë 91
Korçë 58
Kukës 50
Elbasan 47
Fier 40
Berat 38
Dibër 26
Gjirokastër 20/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 82 raste të reja dhe 1 humbje jete në 24 orët e fundit Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 102 raste të reja, 4 humbje jete në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në përditësimin e pasdites së sotme për situatën epidemiologjike të 24 orëve të fundit në vendin tonë, informoi për 102 raste të reja të prekur me COVID-19 dhe 4 humbje jete.

Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik apeloi që në nisje të komunikimit që qytetarët të zbatojnë detyrimin për vendosjen e maskës në ambientet e mbyllura, me qëllim frenimin e përhapjes së COVID19. “I drejtohemi çdo qytetari, të vendosë maskën në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, përdorimi i maskave/barrierave mbrojtëse është detyrim për çdo individ”, theksoi ajo.

Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 4 qytetarë, midis tyre një 43-vjeçar nga Kamza, pa sëmundje të tjera, i intubuar dhe në gjendje të rëndë prej disa ditësh nuk ka mundur të mbijetojë megjithë perpjekjet e mëdha të stafit mjekësor. E kanë humbur betejën me virusin e rrezikshëm edhe një 60-vjeçar nga Shkodra, një 64-vjeçar nga Durrësi në Spitalin Infektiv dhe një 61-vjeçar nga Tirana në Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, me sëmundje bashkëshoqëruese.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.
Vijon të ketë shtrime të reja në të dy spitalet dhe situata paraqitet serioze. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 110 pacientë, 14 në terapi intensive dhe 1 i intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 501 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 102 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 67 raste në Tiranë, 5 në Shkodër, nga 4 raste në Krujë, nga 2 raste në Berat, Kavajë, Peqin, nga 1 rast në Durrës, Has, Korçë, Lezhë, Lushnjë, Vlorë, Sarandë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 50 qytetarë, duke e çuar në 2264 numrin e të shëruarve nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore.

“Rikujtojmë qytetarët se: Vendosja e maskës në ambientet e mbyllura është e detyrueshme.
Çdo barrierë mbrojtëse, e bërë edhe në kushte shtëpie, ndihmon në kufizimin e përhapjes së infeksionit.
Maska prej tekstili duhet të mbulojë plotësisht hundën dhe gojën gjatë gjithë kohës.
Moszbatimi i kësaj mase është e dënueshme sipas aktit normativ, me masë administrative në shumën 2 mijë lekë të reja për çdo qytetar.
Ministria e Shëndetësisë ju bën thirrje të respektoni vetëizolimin kur jeni të prekur nga COVID19.
Edhe në rast se dyshoni se jeni i prekur apo keni patur kontakte me persona të prekur, duhet te izoloheni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID19”, theksoi Qirjako.

COVID-19 – Statistika (18 Korrik 2020)
Testime totale 35107
Raste pozitive 4008
Raste të shëruara 2264
Raste Aktive 1631
Humbje jete 111 (Qarku Tiranë 57, Shkodër 18, Durrës 17, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 3, Kukës 2, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1, Korçë 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 774
Durrës 207
Shkodër 193
Vlorë 102
Lezhë 85
Kukës 50
Korçë 53
Berat 38
Elbasan 46
Fier 38
Gjirokastër 21
Dibër 24/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 102 raste të reja, 4 humbje jete në 24 orët e fundit Read More »

ADISA nis punën në Elbasan me 19 sportele, dhjetëra shërbime në një zyrë të vetme

ADISA ka filluar punën në Elbasan me 19 sportele që ofrojnë dhjetëra shërbime në një zyrë të vetme.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deputetja e PS-së, Evis Kushi si dhe kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, inspektuan sot nga afër ambientet e ADISA-s, ku qytetarët tani marrin shërbimet në kushte bashkëkohore të infrastrukturës, por mbi të gjitha një shërbim të qytetëruar dhe korrekt.

Zyrat e shërbimeve me një ndalesë i kanë dhënë fund ecejakeve të qytetarëve nga një zyrë në tjetrën, shpenzimeve të panevojshme dhe kanë minimizuar mundësitë për korrupsion në zyrat e shtetit.

Në kushtet e pandemisë një vëmendje e veçantë i është kushtuar ruajtjes së protokollit të sigurisë së qytetarëve dhe punonjësve.

“Jam shumë e impresionuar nga numri i madh i shërbimeve që ofrohen dhe nag cilësia e shërbimeve, sistemi elektronik, menaxhimi i radhës dhe shumë elementë të tjerë që minimizojnë kohën e pritjes së qytetarëve që të mos sorollaten më në zyra të ndryshme. Ne e kemi mbështetur shumë këtë projekt gjigant në gjithë Shqipërinë dhe një nga drejtimet që kemi punuar më shumë ka qenë dixhitalizimi i shërbimeve publike për qytetarët”, tha Kushi.

Ndërsa Balla vlerësoi se “kjo zyrë me standardet më të mira europiane përmbledh pothuajse të gjitha shërbimet publike që qytetarët kanë nevojë të marrin”. “Qytetarët janë të lutur të mos vijnë më vërdallë nëpër zyra, por t’i drejtohet zyrës së ADISA-s që është në pozicion qendror në Elbasan. Janë të lutur të vijnë në këtë zyrë, ku 19 operatorë ofrojnë shërbim. Në kushtet e pandemisë të COVID-19, në hyrjen e çdo zyre shtetërore ka një person që kërkon mbajtjen e maskës, matet dhe temperatura. Gjithashtu dua t’u them edhe punonjësve të ADISA-s që halli i çdo qytetari duhet zgjidhur. Edhe në rast se nuk zgjidhet dot duhet dëgjuar me vëmendje, pasi unë kam bindjen se çdo hall e ka një zgjidhje, por veshi i punonjësit të administratës duhet të jetë i dëgjueshëm”, tha Balla. /atsh

ADISA nis punën në Elbasan me 19 sportele, dhjetëra shërbime në një zyrë të vetme Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 55 raste të reja, 77 të shëruar dhe 3 humbje në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 55 raste të reja pozitivë me COVID.

Flutura Beqo, ekspertë pranë ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se ‘ gjate 24 orëve të fundit në vendin tonë vazhdon të jetë i lartë numri i rasteve te reja te prekur nga COVID-19 në Tiranë, ndërsa ka dhe raste të reja në bashkitë e tjera të vendit. Që në fillim të këtij komunikimi, ju rikujtojmë detyrimin për vendosjen e maskës në ambientet e mbyllura për çdo qytetar, me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19. Situata paraqitet serioze në spitalin infektiv, ku në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 3 qytetarë, të cilët po trajtoheshin në terapi intensive, të intubuar.

Një 52 vjeçar nga Tirana, një 57 vjeçar nga Kukësi dhe një 59 vjeçar nga Korça, nuk e kanë fituar dot betejën me COVID-19, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve’.

Beqo tha po ashtu se “aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 106 pacientë, 9 pacientë janë në terapi intensive dhe 1 prej tyre është i intubuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 431 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 55 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 39 raste në Tiranë, 4 në Vlorë, 3 në Kukës, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Kavajë, nga 1 rast në Shkodër, Elbasan, Kamëz. Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është më i lartë se numri i të identifikuarve pozitive me COVID-19′

‘Janë shëruar 77 qytetarë, duke e çuar në 2214 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1585 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura, në transportin publik dhe kudo ku nuk ruhet dot distancimi fizik. Higjiena dhe zbatimi i protokolleve është detyrim ligjor për çdo biznes, për të mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve nga përhapja e COVID-19.
Edhe në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Coronavirusi, duhet të izoloheni, dhe të telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19’, shtoi ajo.

COVID-19 – Statistika (17 Korrik 2020)
Testime totale 34,606
Raste pozitive 3,906
Raste të shëruara 2,214
Raste Aktive 1,585
Humbje jete 107 (Qarku Tiranë 55, Shkodër 17, Durrës 16, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 3, Kukës 2, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1, Korçë 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 737
Durrës 206
Shkodër 187
Vlorë 105
Lezhë 84
Kukës 54
Korçë 49
Elbasan 42
Fier 39
Berat 37
Dibër 24
Gjirokastër 21/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 55 raste të reja, 77 të shëruar dhe 3 humbje në 24 orët e fundit Read More »

Ambasadorja Kim viziton Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim zhvilloi një vizitë në qytetin e Vlorës.

Gjatë vizitës së saj në Vlorë, ambasadorja Kim vizitoi Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, bën të ditur Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Duke mësuar mbi ngjarjet që sollën shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ambasadores i lanë mbresa veprimet e Ismail Qemalit, bashkimi i kombit dhe vendosmëria e tij për liri.

“Ndërsa vizitonte muzeun, ambasadorja Kim mësoi më shumë mbi ngjarjet që sollën shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Asaj i lanë mbresa veprimet e Ismail Qemalit, bashkimi i kombit dhe vendosmëria e tij për liri”, bën të ditur Ambasada e SHBA-së në Tiranë./atsh

Ambasadorja Kim viziton Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë Read More »