Lajmi i fundit

Ministria e Shëndetësisë: 104 raste të reja, 5 humbje jete nga koronavirusi në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se ka pasur 5 humbje jete si pasojë e COVID-19 në 24 orët e fundit.

Ministria thekson se kanë rezultuar 104 raste të reja me COVID-19 dhe janë 85 të shëruar në 24 orët e fundit.

Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik, u shpreh se, “krahas rasteve të reja të identifikuara nga epidemiologët në terren, vijon të ketë shtrime të reja në dy spitalet Covid dhe humbje jete.
Ndaj i drejtohemi qytetarëve me një lutje, të vendosin detyrimisht maskën në ambiente të mbyllura për të minimizuar përhapjen e infeksionit, për të shmangur shtrimet në spital dhe për rrjedhojë edhe humbjet e jetës”.

“Fatkeqësisht 5 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin Shefqet Ndroqi dhe në spitalin Infektiv: Nuk e kanë fituar dot betejën në spitalin COVID1 një 45-vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera, një 64-vjeçar nga Tirana dhe një 68-vjeçare nga Pogradeci. Një 45-vjeçare nga Kruja pa sëmundje të tjera dhe një 77-vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese nuk kanë mundur të mbijetojnë në spitalin COVID 2. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve”, tha ajo.

“Megjithë rastet e shëruara në 24 orët e fundit, aktualisht në Spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 124 pacientë, 21 janë në terapi intensive dhe 11 pacientë janë të intubuar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 564 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 104 raste pozitive”, u shpreh ajo.

Qirko shtoi se, “shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 60 raste në Tiranë, 9 në Fier, 8 në Krujë, 7 në Elbasan, nga 4 raste në Berat, Kukës, nga 2 raste në Korçë, Lezhë, Pogradec, Përmet, nga 1 rast në Shkodër, Ura Vajgurore, Malësi e Madhe, Klos”.

“Ministria e Shëndetësisë i drejtohet qytetarëve të respektojnë rregullat dhe të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes. Në rast se ju apo një i afërm i juaji keni shenja klinike të Covid19, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19”, tha Qirko.

COVID-19 – Statistika (24 korrik 2020)

Testime totale 37875
Raste pozitive 4570
Raste të shëruara 2608
Raste aktive 1834
Humbje jete 128 (qarku Tiranë 67, Shkodër 20, Durrës 18, Fier 6, Elbasan 5, Vlorë 4, Kukës 3, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1, Korçë 2).

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 962
Durrës 209
Shkodër 196
Vlorë 97
Lezhë 83
Korçë 66
Fier 58
Elbasan 49
Kukës 43
Berat 31
Gjirokastër 20
Dibër 20/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 104 raste të reja, 5 humbje jete nga koronavirusi në Shqipëri Read More »

Rëndohet situata, 3 humbje jete dhe rritje e ndjeshme e rasteve të reja me Covid-19 në Shqipëri

Vd esin 3 pacientë nga koronavirusi dhe regjistrohen 108 raste të reja në 24 orët e fundit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve të vendosin detyrimisht maskën në ambiente të mbyllura, sepse është një masë tejet efikase për të frenuar përhapjen e infeksionit dhe rrjedhimisht, uljen e të shtruarve në spital dhe fatalitetet nga COVID19.

u informojmë për situatën epidemiologjike në vend në 24 orët e fundit.

Tre qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen, një 77 vjeçare dhe një 83 vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese dhe një 68 vjeçar nga Hasi pa sëmundje të tjera.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve.

Vijon të ketë rritje të të shtruarve në spital, megjithë të shëruarit që kanë lënë dy spitalet COVID në 24 orët e fundit.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 126 pacientë, 22 janë në terapi intensive dhe 12 pacientë janë të intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 477 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 108 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 49 raste në Tiranë, nga 11 raste në Durrës, Kavajë, 9 në Fier, 7 në Shkodër, nga 3 raste në Krujë, Kurbin, Tropojë, Berat, Mallakastër, 2 në Peqin, nga 1 rast në Korçë, Vlorë, Tepelenë, Shijak.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 60 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve në 2523 që nga fillimi i epidemisë.

Rëndohet situata, 3 humbje jete dhe rritje e ndjeshme e rasteve të reja me Covid-19 në Shqipëri Read More »

Dy spitalet COVID po mbushen/Manastirliu apel për të vendosur të gjithë maskën për të ulur numrin e të prekurve

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot në Kuvend se “do të bëjmë detyrën tonë, do të forcojmë kapacitetet spitalore”, ndërsa bëri thirrje që secili të marrë përgjegjësinë individuale për vendosjen e maskës me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë prezantimit të aktit normativ “Për një shtesë në aktin normativ, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar”, Manastirliu theksoi se “në dy spitalet COVID-19, të cilat aktualisht janë funksionale kemi mbi 120 të shtruar të konfirmuar me këtë diagnozë dhe me dhjetëra të tjerë, të cilët janë të dyshuar dhe janë të shtruar në këto spitale”.

“Shumë shpejt do të ezaurojmë kapacitetet e dy spitaleve të dedikuara, më pas do të shtrihemi në planin tonë për të hapur spitalin e tretë dhe të katërt. Ne do të bëjmë detyrën tonë do të forcojmë kapacitetet spitalore, por a është më e mira kjo? Është më e mira që ne të vijojmë të hapim spitale pa fund se na rriten të prekurit me COVID-19 apo është më e mira që secili të marrë përgjegjësinë individuale të vendosi barrierën mbrojtëse prej tekstili, të vendosë maskën dhe të ulim të gjithë së bashku rriskun për infeksionin , po kështu edhe të infektuarit. Sepse është shumë e thjeshtë ulja e numri të të infektuarve çon në më pak persona të prekur nga COVID, më pak të shtruar në spital dhe rrjedhimisht më pak humbje jete”, – nënvizoi Manastirliu.

Kjo, vijoi ajo, kërkon një mobilizim të qytetarëve dhe ne nuk duhet ta bëjmë vetëm për veten tonë, por për të afërmit tanë dhe për të gjithë ata mjekë dhe infermierë që kanë 140 ditë që janë në krye të detyrës në vijën e parë të luftës me COVID-19 dhe që po punojnë 24/7 për të shpëtuar jetë”.

“Le ta bëjmë për ata, të cilët po sakrifikojnë për ne, për prindërit dhe fëmëjët tanë sepse sa më herët ne të zbatojmë masat, të cilat janë thjesht masa mbrojtëse nuk është sakrificë vendosja e maskës . Ajo duhet të kthehet në një rutinë për gjithësecilin prej nesh. Duhet të vazhdojmë jetën me normalitetin e ri, ashtu siç ishim nuk do të jemi derisa vaksina të a garantojë që do të kthehemi në atë normalitet”, – tha Manastirliu.

Sipas saj, ndërkohë që edhe kur vaksina të dalë bota do ketë ndryshuar dhe nuk ne nuk do të jemi më të njëjtët.

Ministrja u shpreh se “ftoj që të votojmë bashkë këtë akt normativ dhe të gjithë të japim shembullin e mirë dhe të drejtojmë me shembullin personal”.

Manastirliu i bëri apel edhe deputetëve në Kuvend që të mbajnë maskën. “Nëse ju nuk e mbani maskën dhe refuzoni të mbani barrierën mbrojtëse që mbron ju, kolegët tuaj, familjarët tuaj nga ky infeksion, sigurisht që nuk mund të jeni shembulli më i mirë për t’u marrë përsa i përket masave që të gjithë së bashku duhet të zbatojmë pikërisht për luftën ndaj këtij infeksioni”./atsh

Dy spitalet COVID po mbushen/Manastirliu apel për të vendosur të gjithë maskën për të ulur numrin e të prekurve Read More »

Ministri shqiptar rezulton pozitiv me koronavirusi/ E konfirmoi vetë ai

Ministri shqiptar i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshinik Bekteshi është infektuar me koronavirus.

Lajmi e ka bërë me dije vetë Bekteshi me anë të një postimi në rrjetet sociale. Ai shkruan se nuk ka asnjë simptomë dhe se ndihet mirë, ndërsa familjarët e tij kanë rezultuar negativ.

Sakaq, ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë rregullat e vendosura për parandalimin e Covid-19.

Postimi i Bekteshit:

Të nderuar miq,familjarë

Dua t’ju njoftoj që edhe përkundër përpjekjeve maksimale dhe respektimit të protokoleve sapo më informuan se kam rezultuar pozitiv me COVID-19, nga testimi i bërë sot paradite.

Fatmirësisht nuk kam asnjë simptomë dhe familjarët në testimin e sotshëm që të gjithë janë negativ.

Duke ju bërë thirrje që të respektojmë protokolet, dëshiroj çdo të mirë për ju dhe familjet tuaja!

Bashkë, edhe me mbështetjen tuaj, do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë!

Shëndet e mbarësi për të gjithë!

Ministri shqiptar rezulton pozitiv me koronavirusi/ E konfirmoi vetë ai Read More »

Ja sa raste të reja me Covid-19 u konfirmuan pozitiv gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 496 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 68 raste pozitive.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik në komunikimin e përditshëm lidhur me situatën epidemiologjike të 24 orëve të fundit në vendin tonë tha se “shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 34 raste në Tiranë, 10 në Krujë, 5 në Durrës, 3 në Shkodër, nga 2 raste në Dibër, Shijak, nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Elbasan Kukës, Lezhë, Vlorë, Tropojë, Kamëz, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Përrenjas, Klos”.

Ministria e Shëndetësisë i bën thirrje thirrje qytetarëve të vendosin detyrimisht maskën në ambientet e mbyllura, të shmangin grumbullimet masive, ceremonitë e çdo lloji, pasi janë burim të përhapjes së infeksionit.

“Situata paraqitet serioze ku vijon të ketë raste të reja të idenfikuara nga gjurmimi dhe hetimi epidemiologjik në terren si dhe qytetarë të që kanë nevoje për trajtim në dy spitalet Covid. Ndaj kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve për të respektuar masat e vendosura, për të mbajtur maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura, për të ruajtur distancimin fizik dhe higjienën personale. Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 3 qytetarë: Një 57-vjeçare dhe një 80-vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese dhe një 62-vjeçar nga Fieri pa sëmundje të tjera.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve”, – theksoi Tomini.

Sipas saj, aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 124 pacientë, 20 në terapi intensive dhe 7 pacientë janë të intubuar.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 66 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve në 2463 që nga fillimi i epidemisë”, – bëri të ditur Tomini.

Ministria e Shëndetësisë ju rikujton edhe njëherë të gjithë qytetarëve mbajtjen e detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe kudo nuk është e mundur të ruhet distanca fizike. Ju lutemi, tregoni kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike.

Respektimi i distancës, vendosja e maskës, higjiena vetjake dhe kolektive janë mënyrat e vetme për të frenuar përhapjen e COVID19.

Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19.

COVID-19 – Statistika (22 korrik 2020)
Testime totale 36834
Raste pozitive 4358
Raste të shëruara 2463
Raste aktive 1775
Humbje jete 120 (qarku Tiranë 62, Shkodër 20, Durrës 17, Fier 6, Elbasan 5, Vlorë 4, Kukës 2, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1, Korçë 1).

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 903
Durrës 215
Shkodër 204
Vlorë 98
Lezhë 82
Korçë 64
Elbasan 48
Kukës 47
Fier 40
Berat 32
Gjirokastër 22
Dibër 20/atsh

Ja sa raste të reja me Covid-19 u konfirmuan pozitiv gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri Read More »

Hapen aplikimet për pranimin e të rinjve në Akademinë e Sigurisë, ja kriteret

Shpallen aplikimet për pranimin në Akademinë e Sigurisë për studentë që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë me mesatare të notave mbi 8, për disa degë të caktuara.

Policia njoftoi të martën se, me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike dhe përzgjedhjen me barazi, paanshmëri dhe transparencë të kandidatëve më të mirë, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës e mosdiskriminimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Aplikimet bëhen pranë Drejtorisë Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm dhe përfundojnë më datë 20 gusht 2020. Dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit janë për të rinj që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkenca juridike, ekonomike dhe kompjuterike.

Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë: të jenë shtetas shqiptarë; të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil; të kenë zotësi të plotë për të vepruar; të mos kenë shenja të dukshme (tatuazh) në pjesët që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë; të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën; të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje; të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie; të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;

Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë: të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë): të jenë nën moshën 30 vjeç; të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”; të jenë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat; të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë: vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga llogaritja e mesatares së dy cikleve në të njëjtën fushë studimi; vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT; intervistimi i aplikantëve; kontrolli shëndetësor; marrja e shenjave të gishtave; verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Ky është kursi i tretë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ftojnë dhe nxitin të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. /atsh

Hapen aplikimet për pranimin e të rinjve në Akademinë e Sigurisë, ja kriteret Read More »

Ndahet nga jeta ikona e Estradës së Fierit, aktori Fuat Boçi

Aktori i njohur, Fuat Boçi është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Rrugën e artit Boçi e nisi që në moshë të re dhe është një nga themeluesit e Estradës së Fierit më 1957.

Ai ka lindur në Voshtinë në vitin 1931, por në vitin 1938 familja e tij do të shpërngulej në Fier, qytet në të cilin Boçi do të niste rrugën e artit që në moshë të re.

Nga një artist amator, Boçi do të shënonte sukseset në karrierën e tij në skenë në teatrin “Bylis” të Fierit.

Pjesëmarrës në rreth 160 premiera dhe duke u ngjitur në skenë me mbi 600 role, aktori Boçi është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Qytetar Nderi” i qytetit të Fierit.

Ndër rolet e tij më të spikatura dhe që kanë mbetur edhe në mendjen e artëdashësve shqiptarë janë Lipe Shtogu, Belul Gjeraqina dhe Llazi.

Boçi mbetet i dashur për publikun edhe në rolet e “Zenelit” te komedia “Pas vdekjes” e Çajupit, dajos te komedia “Shi në plazh”, Sotiri te komedia “Një budalla e gjysmë” etj.

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit të spikatur të humorit shqiptar, njërit prej artistëve më të dashur të Fierit, Fuat Boci, i cili do të mbahet mend përherë për rolet gazmore, skeçet dhe paroditë, nëpërmjet të cilave stigmatizoi me mençuri e talent të rrallë plagët sociale të shoqërisë shqiptare.

“Me mbi 600 role në skenë, Fuat Boci u bë proverbial dhe shumë i dashur për publikun veçanërisht me monologun tek skeçi “Doni më për Belulin?”, si dhe falë intepretimeve mjeshtërore për të cilat meritoi respektin dhe duartrokitjet e shumë gjeneratave.
Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë, veçanërisht qytetarëve të Fierit e të mbarë trevës së Myzeqesë që aq shumë e donte”, shprehet Meta.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit Boçi.
“U nda prej nesh një nga aktorët më të dashur të humorit, që la vulën e vet jo vetëm në Estradën dhe Teatrin e qytetit të Fierit, por në artin kombëtar të së qeshurës. Me aftësinë për të kapur edhe ngjyrimet më të holla të karakterit, Fuat Boçi hyri natyrshëm në çdo shtëpi shqiptare. Arti i tij do të mbetet i pavdekshëm, duke na dhuruar përherë gëzim.
Lamtumirë! U prehsh në paqe”, shprehet Margariti. /atsh

Ndahet nga jeta ikona e Estradës së Fierit, aktori Fuat Boçi Read More »

Protestuan për mbylljen e lokaleve të natës, policia procedon 12 persona

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 12 shtetas pasi organizuan një ditë më parë grumbullim dhe manifestim të paligjshëm.

Në njoftimin për shtyp, policia bën të ditur se 12 të ndaluarit, persona të identifikuar si organizatorë të këtij manifestimi të paligjshëm akuzohen për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tij.

Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 12 persona, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente.

Ata protestuan lidhur me vendimin e qeverisë për mbylljen e lokaleve të natës në kuadër të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Policia sqaron se materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 12 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të respektojnë distancimin social dhe të përdorin mjetet mbrojtëse në vendet publike, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa problematikën apo shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente. /atsh

Protestuan për mbylljen e lokaleve të natës, policia procedon 12 persona Read More »