Art-Kulture

95-vjetori i lindjes së aktorit Kadri Roshi

Ministria e Kulturës, përkujtoi me respekt dhe nderim për 95-vjetorin e lindjes së aktorit Kadri Roshi, Artist i Popullit. Ezopi shqiptar, apo “Patriarku i fjalës së kënduar shqipe” siç e ka cilësuar poeti Dritero Agolli, e cilësonte fjala në gojën e tij sikur merrte tingullin e zileve të këmborëve të Malit të Nemërçkës, Malit të Gjerë, të këngës së bukur polifonike, te gurgullimës së lumenjve. Ai e cilësonte Kadri Rroshin jo vetëm si një aktor brilant, por edhe një njohës i shkëlqyer i historisë, politikës, gjeografisë dhe ekonomisë botërore. Besonte se për të qenë i suksesshëm duhej shumë punë e se mjaftonte pak talent. Sipas tij, Kadri Rroshi u nda nga jeta me dëshirën dhe ëndrrën për të jetuar me skenën.

“Të gjitha rolet që nuk i kam luajtur i kam pengje. Kështu e ka jeta e aktorit. Jetoi me skenën dhe kinemanë dhe na solli një jetë te tërë me qindra role dhe personazhe duke na dhuruar Artin e bukur te fjalës. Dhe mbeti i dashuruar me vendin e tij: “Unë jam shqiptar. Jam aktor shqiptar nga koka tek këmbët, nga këmbët tek koka dhe për këtë krenohem”, u shpreh ai./atsh

95-vjetori i lindjes së aktorit Kadri Roshi Read More »

Përfunduan punimet e projektit të restaurimit të Mureve të Aulonës Antike pranë Sheshit të Flamurit në Vlorë

Përfunduan punimet e projektit të restaurimit të Mureve të Aulonës Antike pranë Sheshit të Flamurit në Vlorë.

Për shkak se gropa e hapur nga gërmimet arkeologjike të viteve 1980, për nxjerrjen e mureve antike ndodhet nën nivelin e Sheshit të Flamurit, prej vitesh ishte kthyer në një basen ujëmbajtës.

Ndërhyrja e këtij projekti parashikon zgjidhjen e drenazhimit të ujërave nëpërmjet nivelimit të terrenit dhe orientimin e tyre drejt një pusete.

Vendet e trashëgimisë kulturore tashmë janë kthyer në destinacione turistike dhe institucionet përkatëse të tyre po kujdesen çdo ditë për mirëmbajtjen e tyre. /atsh

Përfunduan punimet e projektit të restaurimit të Mureve të Aulonës Antike pranë Sheshit të Flamurit në Vlorë Read More »

Zbulohet nje thesar i madh ne Gadishullin e Karaburunit!

“Gjendet një thesar në brigjet e detit Jon”, kështu shkruajnë mediat italiane.

Është fjala për gadishullin e Karaburunit, ku është zbuluar së fundmi në një anije antike e përmbytur. Imazhi është zbuluar nga RPM Nautical Foundation me seli në Florida.

Pamjet tregojnë një anije të përmbytur, që shtrihet në detin Jon pranë gadishullit të Karaburunit.

Anija mund të ketë objekte që datojnë që prej shekullit VIII para Krishtit deri në Luftën e Dytë Botërore dhe për pasojë cilësohet si një thesar pasi ka atraksione të mëdha turistike.

Zbulohet nje thesar i madh ne Gadishullin e Karaburunit! Read More »

Disa fakte interesante, për “Sheshin e Flamurit”

Sheshi i Flamurit ne Vlore eshte sheshi me Historik ne te gjitha trojet shqipfolese, ku perbehet nga Monumenti i Pavaresise , Obelisku i ngritjes se flamurit, varri i babait te kombit Ismail Qemalit (bej Vlora) , shatervani , muret e kalase se vlores dhe lulishtja e madhe.

2️⃣ Monumenti i Pavarësisë i ndërtuar nga Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe Shaban Hadëri në vitin 1972 dhe i mbuluar me bronz, është i lartë 17 metra. Ai simbolizon Shpalljen e pavarësisë së Vilajeteve shqiptare nga Perandoria Osmane. Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare.

3️⃣ Aty ku mendohet se ka qene shtepia ku u ngrit flamuri u ndertua shtiza e flamurit, në vitin 1937, kur poeti Ali Asllani ishte Kryetar i Bashkisë së Vlorës, i cili ngriti “Shtyllen e Flamurit Kombëtar” te gjate 12 metra e cila simbolizon vitin 1912.

4️⃣ Varri Monumental i Ismail Qemalit, vepër e skulptorit Odhise Paskali ai është një monument i trashëgimisë kulturore i ndertuar ne vitin 1932.

5️⃣ Ne mes te Sheshit ndodhet shatervani ose 4 topat sic quhet ndryshe ose 4 vilajetet qe ai perfaqeson. Shatervani eshte nje tjeter monument i ndertuar ne vitet 1934 ne kohen kur Ali Asllani ishte kryetar bashkie i cili perzgjodhi arkitekt Italian per ndertimin e saj.

6️⃣ Lulishtja e madhe , eshte ajo cka ka mbetur nga lulishtja e sarajeve te familjes Vlora e cila ju dhurua qytetit te Vlores duke e quajtur “Lulishtja popullore”.

7️⃣ Rrënojat e kalasë së Vlorës ndodhen në qendër të qytetit, në lulishten prapa Monumentit të Pavarësisë. Ato datojne në shek. IV të erës sonë dhe i riforcuar dhe më vonë (shek. VI – fillim shek. VII).Ato jane monument kulture.

8️⃣ Cdo pervjetor paria e shtetit shqiptar transferohet ne Vlore, ne shenje respekti per diten e Flamurit, dhe Vlora cdo 28 nentor eshte kryeqyteti i Shqiperise.

Disa fakte interesante, për “Sheshin e Flamurit” Read More »

Orkestra “Terra del Sole”, mbrëmje gala në Vlorë

“Meraviglioso”, ashtu si edhe titulli ishte koncerti simfonik për violinë dhe orkestër, mbrëmjen e së shtunës në teatrin “Petro Marko” në qytetin e Vlorës.

Koncerti u mbështet nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë mbështetur nga bizneset italiane që operojnë në qytetin bregdetar në bashkëpunim me bashkinë Vlorë.

Orkestra e ftuar “Terra del Sole” së bashku me “Virtuozët e Vlorës” nën drejtimin e Maestro Enrico Tricarico dhe solistët vokalistë, së bashku dhuruan një mbrëmje “Gala” në pragë të festave të fundvitit.

Salla si përherë mbushur plot me dashamirës shoqëroi me duartrokitje dhe me koreografi kryeveprat e muzikës italiane dhe botërore duke krijuar një atmosferë festash plot emocion. Caruso, Azzurro, Perdere L’amore, Con te partiro, La vita è bella, etj u shoqëruan me ritëm nga publiku vlonjat.

Në këtë mbrëmje u dorëzuan dy çmimet “ Vela Latina” 2018 dhënë nga Bashkia e Galipolit ( Itali ) për Kryetarin e Bashkisë Dritan Leli dhe kompozitorin Aulon Naci.

Çmimet u dhanë në eventin e Javës së Kulturës së Detit mbajtur në Galipoli nga bashkia e Galipolit dhe Regione Puglia, Itali.

Orkestra “Terra del Sole”, mbrëmje gala në Vlorë Read More »

“Lahuta trashëgimi e Serbisë në UNESCO”/ Reagon Ministria e Kulturës: Ja e vërteta

Ministria e Kulturës përgënjeshtron lajmin e përhapur në media një ditë më parë, se lahuta është njohur nga UNESCO si trashëgimi kulturore e Serbisë.
“Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se ‘lahuta nuk është shqiptare, por serbe’”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Kulturës.

“Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj. Të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin”, sqaron më tej ministria.

Reagimi i plotë

Ministria e Kulturës, në komunikim edhe me Misionin tonë të Përhershëm pranë UNESCO-s, sqaron se:

Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se “lahuta nuk është shqiptare por serbe”.

Në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale u bë regjistrimi i nominimit “Të kënduarit në shoqërimin e Gusle” (instrumenti që në shqip quhet lahuta) prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Ministria e Kulturës, ashtu sikurse u theksua edhe në këtë mbledhje nga delegacioni i Shqipërisë, vë sërish në dukje se:

Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.

Të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin.

Ministria e Kulturës së Shqipërisë është tashmë në kontakt zyrtar me Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi për të vijuar me vullnet të përbashkët procedurën për zgjerim të pjesëmarrjes në këtë regjistrim edhe të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Europës Juglindore, që kanë dëshirë t’i bashkohen këtij procesi për këtë aset kulturor specifik.

Çdo vend ndjek prioritete të ndryshme në punën përgatitore për regjistrimin e pasurive kulturore në listat e trashëgimisë botërore dhe aktualisht Shqipëria është në fazën përfundimtare të procesit të regjistrimit të dosjes së pasurisë kulturore dhe natyrore të pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndërkohë që ka në proces përgatitjen e propozimeve për regjistrim në listat përkatëse disa pasuri të tjera materiale dhe jo materiale, si për shembull, Parku Arkeologjik i Apolonisë.

Ndajmë gjithashtu me publikun lajmin e mirë se falë punës së mirëkoordinuar të Ministrisë së Kulturës dhe të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, në po të njëjtin takim, u miratua kërkesa e Shqipërisë për asistencë ndërkombëtare për projektin e krijimit të Inventarit Kombëtar të Pasurive Kulturore Jomateriale që do të krijojë një bazë të dhënash në nivel rajonal dhe kombëtar për këtë kategori.

“Lahuta trashëgimi e Serbisë në UNESCO”/ Reagon Ministria e Kulturës: Ja e vërteta Read More »

Gjirokastra ka një shpjegim mitik dhe dy të tjerë me natyrë më historike

Historia e hershme e qytetit është relativisht e panjohur. Për shkak të afërsisë me qendrat klasike dhe helenistike: Jerma (Antigonea) dhe qyteti romak Adrianopolis pranë fshatit Sofratikë, është menduar shpesh që vendbanimi më i hershëm në Gjirokastër është kalaja mesjetare.Për herë të parë burimet historike e përmendin qytetin me 1336, kur kronisti bizantin Johan Kantakuzeni shkruan për Argyrókastron…

Prejardhja e emrit të Gjirokastrës ka një shpjegim mitik dhe dy të tjerë me natyrë më historike. Sipas legjendës, gjatë rrethimit përfundimtar të qytetit nga turqit, Princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj për të mos rënë e gjallë në duart e armikut.

Që këtu rrodhi edhe emri “kalaja e Argjirosë”. (Por kjo duket e pamundur mbasi emri i qytetit përmendet që në kohën e Bizantit, pra para pushtimit osman). Sipas një shpjegimi tjetër më pak poetik, qyteti e ka marrë emrin sipas fjalës greke argjend, argyrokastron, që lidhet me ngjyrën e përhime të mureve, rrugëve dhe çative prej guri, të cilat vezullojnë si argjend kur lagen nga shiu. Një shpjegim tjetër lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët.

Qyteti i sotëm i Gjirokastrës përfshin Qytetin e Vjetër, me kalanë (bërthama e parë e vendbanimit) dhe lagjet e tipit osman, ndërtuar mbi kreshta, që vijnë duke u larguar nga kalaja deri në tabanin e luginës, ku ndodhen ndërtimet bashkëkohore dhe kompleksi universitar. Lagjet tradicionale shtrihen në formë rrezesh rreth kalasë me emrat: Cfakë, Dunavat, Manalat, Palorto, Varosh, Meçite, Hazmurat, Pazari i Vjetër.

Historia e hershme e qytetit është relativisht e panjohur. Për shkak të afërsisë me qendrat klasike dhe helenistike: Jerma (Antigonea) dhe qyteti romak Adrianopolis pranë fshatit Sofratikë, është menduar shpesh që vendbanimi më i hershëm në Gjirokastër është kalaja mesjetare. Por mbi këtë tezë janë hedhur dyshime pasi zbulimet brenda në kala kanë nxjerrë në dritë qeramikë në 4 faza të ndryshme banimi përpara periudhës osmane: në shekujt V – II p.e.s., shekujt V – VII e.j., shekujt IX-X dhe shekujt XII – XIII. Më e hershmja nga këto faza solli gjurmë të një muri të konsiderueshëm ndërtuar me blloqe, gjë që bën të mendosh që ka pasur një fortifikim të rëndësishëm të periudhës para romake në këtë anë të luginës së lumit Drino (para vitit 168 p.e.s).

Për herë të parë burimet historike e përmendin qytetin me 1336, kur kronisti bizantin Johan Kantakuzeni shkruan për Argyrókastron. Nën Despotatin e Epirit, qyteti dhe rrethinat ishin nën sundimin e familjes feudale Zenebishi. Ndërsa Perandoria Osmane zgjerohej në Europë në fundin e shekullit të XIV, Gjirokastra ra nën ndikimin e sulltanëve dhe sundimtarët e saj u bënë vasalë të tij.

Një nga Zenebishët përmendet se udhëhoqi një grup burrash nën komandën e Sulltan Bajazidit I (1389-1402), kur ky u mund nga Timurlengu i mongolëve në betejën e Ankarasë, më 1402. Më 1419 qyteti ra nën sundimin e plotë të Turqisë, ndërkohë që sipas regjistrave te taksave më 1431-32, ai kishte 163 shtëpi.

Kalaja ka pasur gjithnjë para së gjithash funksion ushtarak. Megjithëse kishte banesa brenda mureve, ato ishin të paracaktuara për garnizonin dhe dinjitarët e rëndësishëm. Ndërkohë gjatë Mesjetës, qyteti u zhvillua jashtë mureve të saj. Zbulime për banime të hershme në qytet nuk ka, megjithëse, në një rezidencë episkopale që ndodhej nën përkujtimoren e dikurshme, sot të zhdukur të Enver Hoxhës, është gjendur një kapitel i gdhendur bukur i shekullit të XIII. Në shekujt XVI dhe XVII qyteti, si qendër kryesore e Sanxhakut të Shqipërisë (Sanxhak quheshin njësitë kryesore administrative turke në periudhën e hershme të Perandorisë Osmane) qyteti lulëzoi dhe, si rezultat, lagjet e tij u zgjeruan me 434 shtëpi më 1583, që shënon pothuaj dyfishim brenda një shekulli.

Kjo ndodhi në radhë të parë për shkak të një lëvizje të përgjithshme të popullsisë nga fshati në qytet. Rritja vazhdoi edhe kur qendra rajonale administrative kaloi në Delvinë, në kohën e Sulltan Sulejmanit të Shkëlqyerit (1520-1566). Gjirokastra mbeti një qendër administrative si seli e kadiut (gjykatës) dhe shumë banesa e xhami që mbijetuan deri në ditët tona datojnë në këtë periudhë. Popullsia e qytetit duket të ketë mbetur e njëjtë në shekujt XVIII dhe XIX.

Më 1811, qyteti ra në duart e Ali Pashë Tepelenës. Ai u kujdes që të kryheshin punime të reja fortifikuese në kala, si dhe të ndërtohej një ujësjellës 12 km i gjatë, që merrte ujë në malin e Sopotit. Ujësjellësi prej guri u vizatua nga piktori i famshëm britanik Eduard Lear (shih foton), i cili udhëtoi mjaft nëpër këtë krahinë. Ujësjellësi u shemb më 1932, por mbi lagjen “Dunavat” ka mbetur ende një hark i tij, që njihet me emrin “Ura e Ali Pashës”.

Pasi Ali Pasha u vra nga forcat e Portës së Lartë (kështu quhej oborri i sulltanit në Stamboll), qyteti vazhdoi të funksiononte si qendër administrative, qendër tregtimi e bagëtive, leshit, shajakut, prodhimeve blegtorale, të mëndafshit dhe qëndistarisë.

Gjirokastra ka qenë gjithnjë vatër patriotizmi duke qëndruar në vijën e parë të përpjekjeve për identitet kombëtar shqiptar në shekullin XIX. Më 1880 Kuvendi i Gjirokastrës mbështeti aktivisht kauzën e vetëvendosjes dhe rezistencës ndaj sundimit otoman. Më 1908, u hap shkolla e parë shqipe në qytet me emrin “Iliria” dhe më pas u krijuan një sërë shoqatash e klubesh patriotike.

Në fillimet e shekullit XX Gjirokastra u bë një çështje e rëndësishme, ndërkohë që përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë së sotme. Për një periudhë që pasoi shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912, ajo ishte pjesë e “Republikës Autonome të Epirit” nën gjeneralin Zografos, i cili kërkonte bashkim me Greqinë, por, pas Luftës I Botërore, fuqitë e Antantës (Britania, Franca dhe Rusia) e bindën Greqinë që të tërhiqte pretendimet e saj nga kjo hapësirë me shumicë shqiptare. Kufiri i tanishëm u ratifikua më 1921.

prejardhja e emrit gjirokaster

Gjatë mbretërimit të mbretit Zog (1828-1939) Gjirokastra u bë një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe ekonomike të vendit. Në këtë periudhë u ndërtua edhe burgu i madh në Kala. Gjatë pushtimit fashist që pasoi, qyteti ishte qendër e rezistencës kundër forcave italiane dhe më pas atyre naziste. Krahinat rrotull Gjirokastrës u çliruan më 1944 nga forcat partizane, duke shërbyer si bazë për çlirimin e gjithë vendit më nëntor 1944.

Vitet e komunizmit shënuan përpjekje për një industrializim në shkallë të gjerë, por edhe përpjekje të mëdha për të mbrojtur trashëgiminë kulturore unikale të qytetit (për hollësi shihni seksionin e veçantë kushtuar periudhës komuniste).

Rënia e komunizmit në fund të vitit 1990, e gjeti ekonominë e Gjirokastrës tashmë në rënie të shpejtë. Për të mbajtur punësim të plotë të popullsisë, komunistët kishin mbingarkuar me forcë pune përtej nevojave komplekset industriale të vjetruara dhe jo efiçente. Kështu që rënia e sistemit komunizmit, shkaktoi humbjen katastrofike të mijëra vendeve të punës.

Me mijëra vetë emigruan ose u drejtuan në Tiranë në kërkim të punës. Trazirat që pasuan rënien e komunizmit shënuan edhe grabitje në Muzeun Kombëtar të Armëve. Statuja e madhe e Enver Hoxhës u rrëzua, duke ia lënë vendin parkimit të një bar restoranti.

Sapo nisi të dalë ngadalë nga kaosi fillestar pas rënies së komunizmit, Gjirokastra ra më 1997 në një kaos të ri pas rënies së skemave mashtruese piramidale, ku mijëra familje humbën kursimet e tyre.

Një pjesë e konsiderueshme e Pazarit u dogj ose u dëmtua gjatë kësaj kohe kur qyteti lëngonte në një gjendje rrethimi dhe njerëzit luftonin për mbijetesë në një mjedis të dhunshëm dhe në mungesë të ligjit. Kriza shkaktoi një tjetër emigracion masiv dhe braktisje të ndërtesave historike, që nisën të prishen dhe të rrëzohen. Ditët e Qytetit-muze dukeshin të largëta, në një kohë kur shteti ishte i pazoti të kryente detyrën e vet ligjore për të financuar mirëmbajtjen dhe ruajtjen e ndërtesave historike të Gjirokastrës.

Sot Gjirokastra është duke u ringjallur. Baza e ekonomisë është bujqësia, por në rajon po rritet dhe industria e përpunimit të ushqimit, duke shfrytëzuar mundësinë që jep prodhimi i frutave, perimeve dhe nënprodukteve blegtorale.

Qyteti ka universitet dhe është qendër administrative rajonale. Turizmi po tregon se është një nga shpresat më të mëdha për zhvillimin ekonomik të qytetit, duke u bazuar në trashëgiminë unikale kulturore, historike dhe arkitekturore

Gjirokastra ka një shpjegim mitik dhe dy të tjerë me natyrë më historike Read More »

A e dini historinë e Zonjës së Kaninës?Një histori interesante , lexojeni

Kanina, kjo trevë me një bukuri përrallore, kjo fortesë e luftrave të të gjitha kohëve, qëndresë e principatave shqiptare, ka pasur edhe një princeshë, Rexhinën (Rugjina). Ajo vjen deri në ditët e sotme përmes legjendave, këngëve që i ka thurrur populli, dhe emri i saj është skalitur në një krua, çezmë, mal, rrugë… Nga literatura e shfletuar, tregojne se Kanina iu dha fisit te Bashajve si prikë, bashke me qytetin e Vlorës dhe të Beratit.

Kjo familje e madhe ia dhuroi Rexhinës, princeshës së Kaninës e të Vlorës. Jo vetëm historianët, por edhe kalinjotët e sotëm tregojnë një histori shumë interesante, që lidhet me qëndresën e kësaj princeshe në vitin 1417, kur u pushtua Vlora dhe Kanina. Kronistët e kohës, turq dhe vendas, flasin për luftime të ashpra, që ajo nuk mundi t’i përballojë deri në fund. Por, nuk u dorëzua. Rexhina, sëbashku me 400 besnikë të saj, bëri qëndresën e fundit në kalanë e Gjon Pocarit dhe vendosi që të largohet.

Ajo urdhëroi besnikët që t’i mbushnin kuvertën e anijes me dhe nga Himara. Me atë dhe të tokës së saj, ajo la amanetin që ta mbulonin kur të vdiste. Dhe vërtet ashtu u bë.
Në bregun e djathtë të Lumit të Vlorës, atje ku vendi mban emrin e “Përtej Lume”, një copë e vogël fushe, kjo që i takon fshatit Gumenicë, gjendet “Rrapi i Rugjinës” (i thonë dhe i zonjës), Zonjës së Kaninës. Perimetri i trungut të këtij rrapi është 12 metra. Nën hijen e këtij rrapi legjendar, Rugjina Balsha thirri në kuvend krerët e Labërisë, për tu dalë në ballë osmanëve agresorë. Në afërsi të “Rrapit të Rugjinës”, kemi “Mullirin e Zonjës”, sot gërmadhë, ndërsa në Lungar- Shashicë kemi “Kroin e Zonjës”, i cili i rindërtuar në Lungar shërben dhe sot.

Po kështu në fshatin Radhimë ndeshemi ne dy mikrotoponime dhe një hydronim që mbajn ëdhe sot emrin e Rugjinës: ”Gryka e Rugjinës”, ”Shpella e Rugjinës” dhe “Përroi i Rugjinës”.
Në qafën e Llogarasë gjendet “Shkëmbi i Rugjinës”. Sipas gojëdhënës në këtë shkëmb të vetmuar qëndroi Rugjina Balsha për të shikuar dhe një herë atdheun e saj e të qajë me mallëngjim për të. Dhimbja e Rugjinës ka mbetur proverbiale. Në fshatin Dukat gjer më sot mbajnë shprehjen “Rënkoi si Rugjina”, për një që rënkon nga dhimbja e thellë.
Ka një legjendë për të ku tregohet aq me mjeshtëri dhimbja për vendin e humbur. Atje tek rrinte Rugjina, e mbante njërin sy pas, nga Oriku e Vlora, Kanina e pushtuar, kurse tjetrin e mbante të humbur tutje nga brigjet e detit. Dhe dëneste. Lotët i rridhnin çurg, i binin nga maja e mjekrës në grykën e shkëmbit..

Ata lot, të hidhur farmak, e gëryen dhe e tretën dalëngadalë sipërfaqen e shkëmbit. Atje mbi gurin e tretur, mori formë dhe u ngurtësua syri i saj. Syri i Rugjinës qëndron atje, mbi shkëmb, duke kujtuar një mall e një merak për tokën e dashur që do vuante për shekuj të tërë nën thundrën e pushtimit të egër…. Pas kësaj Rugjina rrugën e përtej detit dhe varrin i saj u hap atje, në Korfuzin e largët dhe të afërt, nën hijen e ullinjëve jetëgjatë.
Rexhina ishte e bija e Balshës II dhe e Komita Muzakës. Le të zgjatemi pak në historinë e Vlorës dhe të prindërve të saj. I ati Balsha II (vdekur në 18 Shtator 1385) ishte sundimtar i Zetës (Mali i Zi i sotshëm) dhe i Shkodrës. Ishte pinjoll i familjes së Balshajve që sundoi mbi Shkodër e Zetë nga 1356 deri më 1435. Balsha II ishte djali i vogël i Balshës I. Mori pushtetin pas vdekjes së vëllait Durad I, në 13 Janar 1378. Sundimi i tij fillimisht shtrihej në Krahinën e Shkodrës dhe në pjesën lindore të bregdetit të Zetës. Kundërshtar i tij ishte familja serbe Durasheviç-Cernojeviç, të përkrahur nga venecianët.

Në 1372 u martua me Komita Muzakën, vajza e Gjon Komneni Asen, si dhuratë martese iu dhanë qytetet e Beratit dhe Kaninës. Në 1382 filloi luftën për pushtimin e Durrësit, e mori pas katër përpjekjeve. Në 1385 Karl Topia (sundimtari i mëparshëm i Durrësit), thirri në ndihmë trupat osmane, komandant ishte Hajredin Pasha i cili shpartalloi forcat e Balshës II në Savër, buzë Vjosës, vetë Balsha II mbeti i vrarë dhe koka e tij ju çua si trofe Hajredin Pashës. E veja e Balshës II, Komita e më vonë e bija e tyre Rugjina, morën kontrollin mbi Arbërinë e jugut, që përfshinte Vlorën e Kaninën, Sazanin, Himarën, kullën e Pargës, për ta mbrojtur nga pushtuesit osmanë.
E mbetur vetëm me të bijën, Komita nuk ishte në gjendje të mbronte zotërimet e saj nga turqit, kështu që në 1386 ia kërkoi mbrojtje Venedikut duke i premtuar qytetin e Vlorës në këmbim. Këto bisedime u mbyllën pa ndonjë rezultat, e njëjta gjë u përsërit edhe në 1393, sërish pa ndonjë rezultat. Ndërkohë qe zhvilluar beteja e Fushë-Kosovës ( 1389) në të cilën aleanca ballkanike u shpartallua dhe Turqia u bë faktori më i rëndësishëm në Ballkan. Në 1395 Komita i kërkoi mbrojtje Venedikut për herë të tretë, duke i afruar krejt trojet nën sundimin e saj për tu bërë vasal i tij. I ngarkuari i saj ishte peshkopi i Arbërisë, ndërkohë që po zhvilloheshin bisedimet Komita vdiq.

Pushtetin e mori dhëndrri, burri i Rugjinës, Merksha Jarkoviç. Ishte martuar me Rugjinën në 1391, kështu pas vdekjes së vjehrrës vazhdoi bisedimet me Venedikun, të cilat sërish nuk sollën asnjë rezultat. Burri i Rugjinës vdiq në vitin 1415, duke e lënë vetëm përballë oqeanit Turk. Rezistoi edhe dy vjet të tjerë deri më 1417, turqit e rrethuan, pasi çau rrethimin u largua për në Korfuz. Që nga ai moment Vlora do mbetej nën pushtetin e Turqisë deri në 1912, gati 500 vjet pa ndërprerje.

Kënga në vazhdim i kushtohet kësaj ngjarjeje, është një këngë që është krijuar më vonë mbështetur në ndonjë këngë më të vjetër, është kujtimi që i bën populli asaj ngjarjeje. Nuk di ndonjë rast tjetër në botë ku i këndohet dikujt që ka jetuar 600 vjet më parë, edhe sot e kësaj dite.

Pllakosi turku në Vlorë
Ç’bën që rri Rugjinë e gjorë,
mblidh djemtë e bënia forrë,
se do të hedhin në dorë
Hamzai me tre taborë.
Del e ik, o moj Rugjinë,
se do të bënesh robinë.
Vendi të vithisetë’
bota të përmbysetë’
Rugjina nuk zihetë’,
tek turku nuk ipetë’,
nga murret do hidhetë,
poshtë në greminë,
gjaku të mbuloje,
nderin ta shpëtoje,
Arbrin ta nderoje!
Rugjinë, Zonja Rugjinë,
erdhën turqit në Kaninë,
të përpjetën e ngjinë,
dhe tani bëjnë rrethimnë.
Turqit me topa shumë,
Rugjina hebe me gurë,
turqit topa dhe trompeta,
Rugjina gurë e shigjeta,
Rugjina zemër shkëmbi
zgjodhi djemtë e këtij vendi,
me shigjeta e jataganë,
çau turqit dolli ndanë,
kaloi nëpër Lungarë,
përtej detit kaloi,
në Korfuz vate qëndroi.

A e dini historinë e Zonjës së Kaninës?Një histori interesante , lexojeni Read More »