Qyteti mesjetar Sarda, sot kalaja e Shurdhahut ndodhet një ishull të liqenit Vau-Dejës afërsisht 10 milje nga qyteza e Vau-Dejësit dhe 4 milje nga fshati Rragam i cili ndodhet 9 km nga qyteti i Shkodrës. Zona përreth kësaj qendre kulturore është një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike dhe historike. Këtu ndodhet vendbanimi i hershëm i Gajtanit (Shpella e Gajtanit), vendbanimi i Jubanit (Shpella e Jubanit), Qyteza e Gajtanit, kalaja e Danjës, kalaja e Dalmacës.
Qyteza e Sardës deri në fund të shek. XV ka qënë një qendër e rëndësishme kulturore dhe pikë takimi i tre kulturave kryesore të gjithë trevës së veriut, kulturës së Malësisë, të kulturës së Mirditës dhe të Zadrimës të cilat me karakteristikat e veçanta që i dallojnë nga njëra tjetra u kanë rezistuar kohës dhe rrymave kulturore të huazuara nga pushtues të ndryshëm
Për këtë qytezë kanë shkruar shumë studiues të huaj si Ippen, De Grandi, J. G. Hahn dhe studiues arkeologë shqiptarë, të cilët e kanë vlerësuar si një mbartës të kulturës Ilire. Vetë emri i saj i transformuar në Shurdhah ka origjinë Ilire nga qyteti i Sardis, këtu janë gjetur rrënojat e një kalaje romake të shek 6 – 8 p.e.s. Sarda ka qenë një stacion pushimi në rrugën e vjetër të Dardanisë. Në vitin 877 ka qenë qendër e krahinës së Polatit që përfshinte malësitë në të anët e Drinit nga Liqeni i Shkodrës deri në Kukës. Sarda dikur një qytezë përbri Drinit, si një gadishull strategjik dhe si një pikë ndërlidhëse me rrugën e vjetër Gjakovë-Shkodër-Ulqin, ishte vendbanim i familjes të madhe feudale të Dukagjinëve ku ata ndërtuan pallatin mbretëror; sot një qytezë e pabanuar e rrethuar me kurorën e bukur të ujit të kristaltë të Drinit, është kthyer në një ishull interesant dhe në një pikë të rëndësishme turistike; çfarë ka mbetur sot: përbëhet nga hyrja kryesore e pallatit dhe një kishë e arkitekturës Romake. Nga pika më veriore deri tek skaji jugor gjatësia është ~393m. Uji i liqenit, malet dhe kodrat përreth me gjelbërimin e tyre, krijojnë një Peizazh me bukuri të rrallë, duke i dhënë këtij ishulli vlera të mëdha ekoturistike.
Kur flitet për Shurdhahun si një pikëmbërritje turistike është e pamundur që ta ndash nga liqeni artificial i Vaut të Dejës dhe brigjet e tij piktoreske. Ndërtimi i Liqenit të Vaut të Dejës (sip. 24,7 km²) gjatë regjimit komunist më 1971, për ishullin e Shurdhahut patjetër që ja qënë dhe është një mundësi me vlera që i tejkalojnë dëmet që ka sjellë në trashëgiminë e tij historike. Liqeni me ujin e tij të pastër krijon mundësi për një udhëtim të veçantë dhe mjaft të këndshëm. Ai ka mbuluar murin rrethues të kalasë së Shurdhahut. Megjithatë, përsëri muret e mbetura të kishave dhe të kalasë janë mjaft domethënës dhe që bien lehtë në syrin e vizitorit.
Liqeni i Vaut të Dejës që rrethon Shurdhahun me ujërat e tij, shtrihet thellë nëpër lugina dhe udhëtimi gjatë brigjeve të tij të ofron pamje piktoreske dhe të veçanta ku ndërthuren uji i liqenit, bimësia përreth dhe kafshë t’egra që rriten aty dhe shkëmbintë gëlqeror që janë herë të thepisur herë jo. Udhëtimi në liqen mund të fillohet nga diga e H/C të Vaut të Dejës ose nga diga e Rragamit. Gjatë rrugës mund të shihet dhe mësohet për Kalanë e Danjës në të cilën gjendet Kapela e Zonjës së Dejës e ndërtuar nga Gjergj Kastrioti pas një fitoreje mbi ushtrinë venedikase në malin e Shën Markut, në majë të të cilit është kjo kala e vogël. Më pas vazhdohet të shihet fshat i Sheldisë i famshëm për duhanin e tij, por që ka dge një kishë të ndërtuar mbi një kodër.
Nga Shurdhahu mund të shkohet tek Shpella e Pëllumbave në veri që ofron një pamje të bukur si në vendndodhje ashtu dhe gjatë udhëtimit. Shurdhahut përbën një potencial të rëndësishëm të zhvillimit të turizmit në këtë zonë. Ky destinacion i ofron turistëve të huaj dhe vendas shumë mundësi argëtimi: peshkim, kanotazh, piknik, shëtitje me lundra në itinerare të tilla si V. Dejës-Lisna-Shurdhah-Shpella e Pëllumbave, etj. WIKIPEDIA
Gjatë muajit qershor të kësaj vere pata një kënaqësi të veçantë; së bashku me kolegun e vjetër, mjeshtrin e monumenteve Novrus Bajrami, vizituam disa stacione paleolitike të reja dhe u njohëm me gjetjet, veglat e strallit, të zbuluara në këto site.
UJI I FTOHTË
Vizitën e parë, në të cilën na u bashkua edhe prof. Aleks Trushaj, njohësi e studiuesi i vlerave historiko-arkeologjike të Kaonisë, e bëmë në zonën e Ujit të Ftohtë, pikërisht në gjirin e vogël e të bukur që gjendet menjëherë pas tunelit, ku shumë vite më parë kisha zbuluar rastësisht disa vegla stralli të periudhës së paleolitit të mesëm. Duke vazhduar gjurmimin rreth 200-300 m në jug, në një xhep të vogël, që formon përsëri deti, e ku sot punohet për ngritjen e një resorti të ri, në shtresën e dheut me ngjyrë të kuqe (Terra rosa), u gjet një nukleus (bërthamë) stralli me ngjyrë gri me gjurmë të qarta përdorimi, i cili tipologjikisht i takon epokës së gurit të vjetër. Kjo gjetje, së bashku me një vegël tjetër të përgatitur nga strall ngjyrë mjalti, me retush anësor, me gjurmë përdorimi, e cilësisë shumë të mirë, janë vegël tipike për kohën e paleolitit të mesëm. Këto vegla stralli, ndonëse të pakta në numër, por tipologjikisht të përcaktuara qartë, d.m.th. të bëra e të përdorura rreth 30.000-40.000 vjet më parë e të depozituara në një shtresë gjeologjike të përcaktuar kohësisht, provojnë se në këtë buzë deti, me kushte të shkëlqyera gjeoklimatike, ka ekzistuar një stacion paleolitik i rëndësishëm për kohën e gurit të vjetër, e që ruan vlera parësore për të gjitha kohët.
GJORM
Në fshatin Gjorm, në vendin e quajtur Fusha e Frengut, e cila ndodhet rreth 3 km larg qendrës së fshatit, në krahun e majtë të lumit të Shushicës, në një sipërfaqe rreth 400 m2, gjurmimi i kujdesshëm i “gjuetarit të strallave” (N.Bajrami), zbuloi gjurmët e një siti paleolitik të dëshmuar nga gjetja këtu e 10-12 veglave të dallueshme tipologjikisht. Stralli i përdorur për bërjen e veglave është ngjyrë gri, mjalti, krem etj., i cilësisë së mirë. Veçohen për cilësinë e punimit një ashkël tipike e teknikës musteriane, një majë mprehte me retush të thellë anësor, një kruese me retush të thellë e gjurmë të shumta përdorimi. Të gjitha veglat e gjetura në Gjorm i takojnë tipologjikisht periudhës musteriane (paleolitit të mesëm). Me interes të veçantë janë gjithashtu edhe dy vegla stralli që kanë karakteristika të kulturës salutre, kulturë e cila kohësisht i takon paleolitit të lartë.
VAJZË
Në fshatin Vajzë, në vendin e quajtur Brus, rreth 700-800 m larg vendit ku në vitin 1954-1956 janë zbuluar tumat e Vajzës, janë gjetur disa dhjetëra vegla stralli të cilësisë së mirë e që tipologjikisht i takojnë kohës së neolitit dhe kohës së bronzit. Vegla të tilla janë gjetur edhe në varret kur u zbuluan tumat e Vajzës. Me shumë gjasë kemi të bëjmë me të njëjtin rit të varrimit të përdorur edhe në tumat e tjera të vendit tonë, ku në vendvarrim sillej dhé e mbetje të tjera nga vendbanimi. Rit që nënkupton vazhdimësinë e jetës edhe në botën tjetër.
DRASHOVICË
Në Palohor (Drashovicë), dëshmia e aktivitetit të njeriut të gurit të vjetër provohet nga dy vegla masive të bëra nga strall që ruan gjurmë të mellës (shtresa e hollë që mbështjell bërthamën), të cilat kanë retush anësor e të thellë, tipare teknike karakteristike për paleolitin e mesëm.
TRAGJAS
Në vendin e quajtur Kodra e Çure, që ndodhet në periferi të kalasë mesjetare të Gjon Boçarit, gjetjet e mbledhura nga “gjuetari i stralleve” përfaqësohet, nga një ashkël masive me pjesë mëlle, me gjurmë të thella përdorimi, e bërë nga strall ngjyrë gri e cilësor, që provon se në këtë kodër ka pasur veprimtari të njeriut që ka jetuar në epokën e musties (rreth 40.000 vjet më parë).
AMANTIE
Në akropolin e qytetit antik gjetja në sipërfaqe e disa veglave stralli si kruese, shpuese etj., të bëra me strall ngjyrë gri, teknikë cilësore retushimi, janë dëshmi e jetës paraurbane në akropolin e Amanties.
ZVËRNEC
Vendbanimi më i madh e me përfaqësi për epokën e gurit të vjetër, jo vetëm në gjirin e Vlorës, por edhe për territorin e vendit tonë, i zbuluar vitet e fundit në sajë të përkushtimit, vëmendjes e kujdesit të vazhdueshëm të Novrus Bajramit është vendbanimi i Zvërnecit. Ai shtrihet përgjatë bregut, aty ku vija e ujit puqet me tokën saktësisht në mikrotoponimet Dalan i Parë, Porto Nuova e Putanjë, në një brez më shumë se një kilometër të gjatë. Batica vepron çdo ditë mbi rripin e tokës ku shtrihet stacioni dhe pas zbaticës, në rërën e pastër shndrisin veglat e strallit dhe “gjuetari i stralleve” çdo ditë shëtitjen e tij e bën buzë detit ku shtrihet vendbanimi. Dhe koleksioni i stralleve të mbledhura është i jashtëzakonshëm për nga numri (mbi 2000 copë), dhe sidomos për treguesit cilësorë të industrisë litike, prandaj vendbanimi i Zvërnecit, mund të krahasohet e barazohet me kulturat me të zhvilluara paleolitike të Evropës (Musteriane e Salutriane). Studimi e publikimi i gjetjeve të vendbanimit paleolitik të Zvërnecit do të zgjerojë e do të plotësojë ndjeshëm njohjen tonë për epokën e gurit të vjetër jo vetëm për jugun e Shqipërisë, por për tërë trevën e Ballkanit Perëndimor.
Zbulimet e bëra në shpellën e Velçës dhe gjetjet e rastit të bëra në vitet ‘30 të shekullit të kaluar në stacionin mezolitik të Rrëzës së Kanalit (Dukat) dhe të zgjeruara e plotësuar me gërmimet e viteve të fundit nga prof. I. Gjipali; të dhënat arkeologjike për epokën e bronzit e të epokës së hekurit të nxjerra në dritë nga gërmimet e tumave të Vajzës, në vitet ‘50 të shekullit XX, zbulimi dhe interpretimi historik i pikturës shkëmbore prehistorike të Lepenicës, së bashku me shumësinë e siteve paleolitike të zbuluara së fundi në Ujë të Ftohtë, në Gjorm, në Vajzë, në Drashovicë, në Tragjas, në Amantie dhe në kryeqendrën paleolitike të Zvërnecit, dëshmojnë se Gjiri i Vlorës e prapatoka e tij, kanë pasur një zhvillim parësor në prehistori e protohistori, që parapriu zhvillimin cilësor e kulturor të kësaj treve në epokën historike me ngritjen e katër qyteteve antike, Thronionin (Kaninën), Orikumin, Triportin dhe më pas Aulonën.
P.s. Në shkrim të vendoset edhe një vlerësim i shkurtër për N.Bajramin: “Novrus Bajrami, me veprimtari mbi 35-vjeçare si specialist në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, me kujdes të vazhdueshëm e përkushtim ka dhënë një kontribut të veçantë në ruajtjen, zbulimin dhe hulumtimin e vlerave historike, arkitektonike, arkeologjike dhe etnografike. Bashkautor në ngritjen e Muzeut Historik të Vlorës dhe Muzeut të Pavarësisë; zbulues i sitit paleolitik të Zvërnecit”.
Ky nderim për Kaninën përmbledh brenda vetes ngjarje e personazhe historike, kulturore e fetare, që kanë lënë gjurmë të thella në jetën shqiptare e më tej. Rrënjët dhe emri i kësaj kryeqendre zëmadhe vijnë prej kohëve nëpërmjet dëshmive e dokumenteve të ndryshme nga autorët antikë, të mesjetës e të kohëve të reja, si një qendër e rëndësishme e Kaonisë prej nga mendohet se rrjedh dhe emri Kaninë. Mirëpo, autorë të ndryshëm; në ecurinë e kohës, kanë hamendësuar emrat: Oenea (M. Frashëri te Historia e Shqipërisë), Thronion (Pauzania), Kioninë (Prokopi i Cezaresë). Mirëpo, sipas të dhënave të Prof. Pullumb Xhufit, mendimi më i saktë duket se është ai që shtron Zigizmondo Alberghetti në studimin e gjerë e të thelluar, që ai ia dërgoi Senatit të Venedikut në vitin 1691, ku mendon se emri Kaninë rrjedh nga emri Kaoni. “Kanina, sipas Alberghettit, shtrihej nga Gjiri i Vlorës deri në Butrint”. “Madje autorë të tjerë – vijonte ai – e njësonin Kaninën me gjithë Epirin”. Në këto rrethana, ka të ngjarë që te emri Kaoni, në rrjedhën e kohës, ka rënë shkronja “o” dhe është shtuar shkronja “në” e shquar. Pra, emri Kaoni ka mundësi që të jetë ndryshuar në Kaninë. Ky emër shfaqet për herë të parë te shkrimet e disa bizantinologëve të shekullit të X-të. Sa për kohën e krijimit të kështjellës, ajo ka të ngjarë që të jetë e përiudhës së pellazgëve. Kjo mbështetet nga prania në themelet e saj të gurëve pellazgjikë dhe nga ngulimet trojane në rrethinat e maleve Keraune (Oriku, Amantia dhe Thronioni). Këta, sipas Medi Frashërit, ka mundësi që të kenë vënë emrat Oenea, dhe Sinus Oenea, për Kaninën dhe gjirin e Vlorës. Po këtë le t’ua lëmë studjuesve të fushës.
Nga të dhënat e historisë duket qartë se Kanina ka qënë, në rrjedhën e shekujve, kryeqendra administrative, ekonomike, kulturore, politike, ushtarake e fetare më e hershme e trevës labërore e më gjerë. Ajo falë pamjes mahnitëse dhe pozicionit gjeo-strategjik të saj ka qënë syri, veshi, parzmi dhe shtylla kurrizore e luftrave për liri e Pavarësi, si dhe burim i pashtershëm urtimi e frymëzimi atdhedashës për bashkimin e trojeve të kombit Shqiptar në një shtet të vetëm.
Kanina ishte pjesë e Peshkopatës Justiniana Prima të Horit, qysh nga viti 1019, që kishte në varësi 17 peshkopata, me nga 40 klerikë e 30 patrikë. Madje, peshkopi i Kaninës emërtohej edhe i Ilirisë. Në Kaninë përmenden edhe sot emrat e kishave të rrënuara, si kisha e Shën Marisë, e Shën Netjasë, e Shën Onufrit, e Shën Parashqevisë e të tjera, si dhe Manastiri i Kallogjerit, ku përgatiteshin priftërinj për trevat e ndryshme të Arbërisë.
***
Neki Dredha
Kanina, pararoja e Labërisë, ka hequr të zitë e ullirit. Mbi të kanë vërshuar legjionet romake, bizantine, hunët e Atilës, normanët, anzhuinët, sllavët, osmanët, venecianët, italianë dhe gjermanët. Ata plaçkitën, dogjën, shfarosën e bënë të domosdoshëm emigrimin e popullatës, në radhë të parë, të banorëve rrufepritës të Kaninës. Ky është, ndoshta shkaku që në Kaninë një pjesë e fiseve janë të ardhur nga gjiri i Labërisë e trevat e tjera Arbërore. Por popullata e saj, ashtu si feniksi mitik, rilindte përsëri. Kjo rimëkëmbje ndikoi, për fat të mirë, që Kanina të qëndrojë gjithmonë në këmbë, se merrte përherë krahë e forcë, si Anteu, nga toka mëmë, Arbëria.
Në Kaninë, në vitin 1368 lindi dhe mori hov djepi i fuqisë kastriote, kapedani i kështjellës, Pal Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut, simbolit të krenarisë së kombit shqiptar.
Tek kjo zjarrishte liridashëse e gjithë kohërave, përzihet lashtësia e lavdishme e qytetit të Kaninës me besnikërinë e dhemshurinë e princeshës Rugjina (Rrexhina) Balshës, e cila luftoi me trimëri kundër osmanëve dhe u mbulua me dheun shpirtëror të Himarës në manastirin e Pondikonizit, në ujëdhesën e Korfuzit, ku prehet e malluar të kthehet në gjirin e Kaninës labërore.
Prej këtej Gjergj Araniti i Madhërishëm organizoi dhe udhëhoqi me trimëri herkuliane kryengritjet legjendare antiosmane të viteve 1431 e 1435. Fitorja e tyre e ngritën lavdinë burrërore të këtij gjigandi të lirisë gjerë në zenit.
Në këtë djep lavdiplotë lindi, u përkund dhe u mëkua me zgjuarësi e qëndrueshmëri të palëkundur Donika Kastrioti, mbretëresha zulmëmadhe e Shqipërisë, eshtrat e të cilës prehen ende në Valence të Spanjës.
Po këtu u lind, u rrit, u edukua dhe u arsimua me ndjenjën e dashurisë, dhemshurisë, urtësisë. bujarisë e përkushtimit fisnikëror kaninjot, Shënjtorja e Arbërisë ose më saktë e Kaninës, Angjelina Aranit Komneni (1440-1520), vajza e gjashtë e Gjergj Aranitit të madhërishëm dhe e konteshës Maria Muzaka. Eshtrat e saj prehen në manastirin e Krushedolit, në Vojvodin, afër qytetit të Sremit.
***
Te kjo brerore vezulluese u frymëzua edhe diplomati mendjendritur, largpamës e urtiplotë, Ismail Qemal bej Vlora, i cili punoi me përkushtim atëror për ngritjen e Flamurit, Shpalljen e Pavarësisë dhe themelimin e Shtetit Demokratik të Parë Shqiptar.
Kanina ka qenë vatra e luftërave për liri e pavarësi. Qysh në vitin 1821 Seit Dalan Kanina luftoi me trimëri të pashembullt në krah të Not e Marko Boçarit kundër hordhive osmane, në afërsi të Artës.
Ishte Ismail bej Vlora i Parë, citon shpluhuruesi i historisë së Vlorës e më gjerë, Prof. Bardhosh Gaçe, që në nëntor të vitit 1828 krijoi “Besëlidhjen Shqiptare” në Berat. “Ka ardhur koha – theksonte Ismail bej Vlora – të punojmë për Shqipërinë”. Në atë kohë shqiptarët e kuptuan se çfarë duhet të bënin për vatanin, që ai të ishte i lirë, si gjithë shtetet e tjera të Evropës. Kjo shkëndijë liridashëse e ndezi më shumë gjakun e mëmëdhetarëve, që vlonte në dejet e Shahin Delvinës, Mahmut bej Vlorës e atdhetarëve të tjerë.
Në sheshin historik të Teqesë, aty te kubeja madhështore, ku prehen eshtrat e kryeministrave kaninjotë, nisën kryengritjet e viteve 1428, 1434, 1447 të kryesuara nga Mahmut bej Vlora, Hadër Sulo, Beqir Velo Kanina i Parë, Dalan Seiti e Mustafa Bimo kundër reformave tinëzare osmane. Këta bashkë me djemtë syshqiponjë të Lumit të Vlorës, Dukatit e të Mallakastrës, me në krye Rrapo Hekalin, Zenel Gjolekën, Cane Miftarin e Dervish Aliun e të tjerë shpartalluan hordhitë osmane në Sinjë e në Greshicë. Në këtë kryengritje të përgjakshme dhanë jetën e tyre edhe 6 kaninjot fisnikë.
Idet e Mahmut bej Vlorës dhe zëri liridashës i kaninjotëve të tjerë ushtoi edhe në Lidhjen e Prizrenit (10 qershor 1878). Atje Mustafa Pashë Vlrora u zgjodh zëvendës kryetar për Toskërinë. Në vazhdën e luftrave për liri dhe pavarësi gojëtari i shquar Abaz Nuri (Hamzarai) dhe Arshi Selfua krijuan “Shoqatën e Gjuhës Shqipe”, më 14 janar 1902. Vehbi Nuri (Hamzarai), Xhevit Aliu, Hamdi Dervishi, Mahmut Myftiu, Beqir Velo, Elmaz Xhaferi, Halil Cano, Neim Bimo e të tjerë përhapën mësimin e gjuhës shqipe edhe te foletë e shqiponjave, në Labëri e gjetiu. Më 1908 ata hapën shkollën e parë të gjuhës shqipe në Kaninë me 40 djem e vajza. Mësuesi i saj ishte atdhetari mendjendritur Jani Minga.
Kanina dhe Vlora, mbështetur te Labëria syshqiponjë, ishte djepi i luftës për shpalljen e Pavarësisë dhe ngritjen e Flamurit të Gjergj Kastriot Skënderbeut më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemal bej Vlora, Isa Boletini e të tjerë.
Arshi Selfua ishte ndër të parët që priti Ismail Qemalin, kur zbriti nga lundra në Novoselë. Ditën e Shpalljes së Pavarësisë, midis gazit dhe haresë së papërshkrueshme, që shpërtheu te Sheshi, ku u shpalos Flamuri nga Ismail Qemal bej Vlora, Sali Hyseni, mëmëdhetari sypatrembur kanininjot, veshur gjithë nur me rroba kombtare hoqi mirë e bukurë vallen, shoqëruar me vargjet e këngës, që thuri aty për aty:
O Smail beu me halle,
Jeshe djalë, e kur m’u zbardhe,?
Dyzet vjet nëpër krale,
Bëre një punë të madhe,
Në Vlorë lirinë e shpalle,
te osmanlliu s’u fale.
Këto vargje fjalëzjarrtë e ndezën më shumë këngën dhe harenë në “Sheshin e Flamurit”.
Pas shpalljes së Pavarësisë Elmas Xhaferi u emrua prefekt i Vlorës, kurse Muhamet Beshua komandant i policisë së Vlorës. Ismail Qemali e krijoi gardën e shtetit në shtëpinë e Hamzarajve me djelmoshat e Kaninës dhe me malësorët e Isa Boletinit, të cilët u strehuan e u mirëmbajtën me veshje e ushqime në vatrat bujare kaniniote.
Më 19 dhjetor 1912 Çeta e Kaninës, me në krye Beqir Velon e Idris Sadirin, bashkë me krerët e Dukatit, shpartalluan andartët grekë në Llogora. Në këto luftime u shquan: Muhamet Bedini, Jaho Veliu, Mehmet Halili, Halil Canua, Mustafa Luzi, Sali Hyseni e të tjerë. Në rrjedhën e punimeve të Kongresit të Lushnjes Myqerem Hamzarai u zgjodh senator.
Kanina, që vallëzonte në gojën e ujkut, luajti një rol të rëndësishëm edhe në Luftën për Çlirimin e Vlorës, më 1920. Në kuvendin e Barçallas e të Beunit Myqerem Hamzarai u zgjedh antar i Komitetit Drejtues të saj. Më 1 qershor 1920 u krijua Çeta e Kaninës me mbi 50 luftëtarë syshkëndijë, si Idris Sadiri, Adem Latifi, Muhamet Besho, Muhamet Bedini, Musa Osmani e të tjerë. Kryetar i çetës u zgjodh Beqir Velo. Çeta e Kaninës kreu një sërë aksionesh. Në të gdhirë të 22 korrikut 1920 nëntë kaninjotë trima (Isa Kocaqi, Zeqir Rakipi, Musa Osmani, Salo Sadedini, Idris Sadiri, Muhamet Bedini, Sheme Hoxha, Mustafa Lamçe dhe Ramo Shaho [nga Berati]), dogjën 10 ballonë në Fushën e Aviacionit, në Ujin e Ftohtë. Çeta e Kaninës, me në krye heroin e luftrave për liri, Beqir Velon, mori pjesë në rrethimi e kështjellës së Kaninës dhe luftoi trimërisht krah për krah me Çetën e Sali Muratit (Vranishtit) për çlirimi e saj nga italianët. Kurse në vitin 1923, nën ndikimin e Shoqatë atdhetaro-kulturoro-politike “Bashkimi”, paria kaninjote krijoi “Shoqatën e Djelmoshave të Kaninës”, me kryetar Mustafa Bega. Kjo Shoqatë ka kryer e kryen veprimtari atdhetaro-kulturore të mirëfilltë edhe nën drejtimin e shkëlqyer të oficerit urtiplotë, Sezai Osmani, mësuesit Agaçe Yzeiri dhe të artistit me fatazi krijuese, Fate Velaj.
Disa nga figurat e shquara kaniniote kanë qënë firmëtarë të Pavarësisë, si Zini Abaz Kanina dhe deputetë në Parlamentin e Shqipërisë, si Ibrahim Xhindi (dhe senator), Arshi Halili, Elmaz Xhaferi, Eqerem bej Vlora, Ibrahim Dervishi, Manush Myftiu e Aranit Çela. Kryetarë të Bashkisë së Vlorës kanë qënë Xhemil bej Vlora, Nuredin bej Vlora, Arshi Halili si dhe autori i këtij shkrimi.
***
Më 6 prill 1939 mbi 150 bijë të Kaninës, nën drejtimin e Muhamet Bedinit, zbritën në Vlorë, për të luftuar kundër italisë fashiste.
Kanina ka qenë ndër zjarrishtet e para të epopesë së lavdishme të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Qysh në fillim të luftës u rreshtuan mbi 100 të rinj e të reja kaninjotë në Çetën e Kaninës, drejtuar nga oficeri i talentuar, Tasim Bonjaku. Më vonë vendin e tij e zuri Faslli Jaho. Çeta e Kaninës ishte gur themeli në krijimin e Çetës Plak në Gjorm. Faslli Jahua ishte antar i shtabit drejtues të Zonës Operative Vlorë-Gjirokastër. Kurse Mynyr Xhindi, inxhinieri, u zgjodh Sekretar Organizativ i Qarkut të Vlorës, Manush Myftiu ish zv. komisar i Brigadës së V dhe Ibrahim Dervishi përgjegjës për sektorin e shëndetësisë. Në këtë luftë u shquan shumë bijë e bija kaninjote. Mbi 20 luftëtarë kaninjotë trima dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë, të cilët prehen në alltarin e ndritur të dëshmorëve të atdheut.
Kanina ka nxjerrë përherë figura të shquara historike e kulturore, siç ishte edhe ajo e gjeniut të letrave shqipe, filozofit, poetit e historianit erudit Prof. dr. Isuf Luzaj, “Nderi i Kombit”. Ai ishte i lidhur, si mishi me kockën, me Kaninë, vendlindjen e tij të dashur, ku kërkoi me ngulm të prehet përjetësisht trupi i tij. Këtë dëshirë e kanë shfaqur qysh herë edhe kaninjotët e mëdhenj, si Ismail Qemal bej Vlora, Nermin Vlora Falaschi, bashkë me të shoqin, diplomatin e shquar italian, Renzo Falaschin.
***
Kaninjotët janë të penës, të punës, të dyfekut, të këngës e të valles. Kënga kaninjote safi feks si gur xhevahiri në gjerdanin llamburitës të këngëve dhe të valleve vendçe labërore. Kaninjotët japin edhe sot ndihmesë të pareshtur në rindërtimin e përparimin e shoqërisë demokratike Shqiptare. Historia e Kaninës është aq e lashtë dhe e lavdishme sa do ta kishte zili çdo qytet europjan. Në këtë shkrim të thjeshtë paraqita vetëm disa copëza të madhështisë së saj. Kjo na bënë të jemi jo vetëm krenar, por na nxit të kryejmë me nder dhe rigorozitet detyrat që na ngarkon shoqëria demokratike shqiptare, si dhe të vlerësojmë e t’u jemi mirënjohës kujtdo, që bën diçka të mirë për Kaninën. Në festa e në takime të gëzueshme kemi dëgjuar me endje fjalën dritëdhënëse të hulumtuesit dhe shpluhuruesit të historisë së Vlorës e të figurave të ndritura të Kaninës e më gjerë, Prof. dr. Bardhosh Gaçes. Po ashtu, Dr. Bujar Leskaj, frymëzuar nga historia e lavdishme e Kaninës dhe nga ndjenja e lartë e atdhedashurisë, ka dhënë një ndihmesë morale e financiare të çmuar për përgatitjen dhe vendosjen në Kaninë të bustit të themeluesit të Shtetit Demokratik Shqiptar, Ismail Qemalit. Ai, me bujarinë e zjarrtë që e karakterizon i dhuroi Muzeut Kombëtar të Pavarësisë bustin e birit rrënjëthellë të Kaninës, Ismail Qemalit. Në këtë vepër mjeshtërore, “Skulptori i Popullit”, Muntaz Dhrami, e shfaq babain e kombit shqiptar, Ismail Qemal bej Vlorën, ulur në tavolinën e tij të punës, duke firmosur Aktin lavdiplotë të Pavarësisë. Kjo vepër artistike, me kuptim të madhe atdhetar, u porosit dhe u mbulua me shpenzime vetiake nga biri atdhedashës i Vlorës, Bujar Leskaj. Ky dashamirës dhe admirues i historisë së lavdishme të Kaninës labërore ishte nxitës i flaktë edhe për dekorimin e qytetit famëmadh dhe të birit të saj urtiplotë, Isuf Luzit, me dekoratën e lartë: “Nderi i Kombit”. Ne kaninjotët u jemi mirënjohës kujtdo që e ka për zemër Kaninën, po në mënyrë të veçantë i shprehim mirënjohjen Prof. Dr. Bardhosh Gaçes dhe Dr. Bujar Leskajt, për të gjitha këto virtyte të larta njerëzore, që vlojnë në zemrën fisnike të tyre.
***
Në këtë të shënuar, tashmë tradicionale, të qytetit zulmëmadh të Kaninës, u shpreh edhe një dëshirë e veçantë ë bashkëqytetarëve e, padyshim, të gjithë mëmëdhetarëve të kombit tonë faqendritur, të cilët kërkojnë mirëkuptimin e pushtetit e të shtetit Shqiptar, për vendosjen e përmendores së Ismail Qemal bej Vlorës në një nga sheshet kryesore të Tiranës. Po ashtu, është në nderin Tuaj dhe detyrë e pushtetit dhe e shtetit amë, si dhe kënaqësi e veçantë për ne dhe mbarë vendin të sjell në vendlindjen e tyre eshtrat e bijave të tij zemërzhuritur nga malli për atdheun, që prehen në dhe të huaj, sikurse janë eshtrat e princeshës së Kaninës, Rugjina Balsha, mbretëreshës së Shqipërisë, Donika Kastriotit dhe të shënjtores së Arbërisë, Angjelina Aranitit. Kjo përkujdesje atërore do ta lartësonte nderin e shtetit tonë dhe do ta kthente Kaninën në një vend pelegrinazhi, siç është Jeruzalemi dhe Meka.
Kaninjotët vlerësojmë pamasë urtësinë, largpamësinë dhe përçapjet e matura të qeverisë Rama për zgjidhjen e çështjeve madhore të shtetit e të kombit tonë. Ato pasqyrohen mirë e bukur kudo në Shqipëri, veçanërisht në Vlorën e kthesave të mëdha të kombit shqiptar. Po midis halleve dhe plagëve të shumta që ka vendi ynë, të cilat kërkojmë shërim të shpejtë, ne duam të investohet, me ngut edhe për qytetin e Kaninës, që basenet ujore të malit të Lungarit, mos të humbasin në zhavorret e skutat shkëmbore të Gjirit të Vlorës, por të futen në rrjetin ujësjellës të Kaninës, që të shuajnë etjen shekullore të banorëve fisnikë të këtij qyteti princëror, që rrezon si brerore mbi kryet e Vlorës.
Anëtarët e “Akademisë 100 fshatrat” u ndalën në Ardenicë dhe Krutje, dy fshatrat e zgjedhura në Bashkinë e Lushnjes në kuadër të programit “100 fshatrat”.
Evidentimi i potencialeve që ofrojnë këto fshatra dhe hartimi i projekteve konkrete zhvillimore për nxitjen e këtyre potencialeve ishte në fokus të vëmendjen se anëtarëve të Akademisë “100 fshatrat”.
Ata zhvilluan një takim me Kryetarin e Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe, i cili nënvizoi rëndësinë e hartimit të projekteve për dy fshatrat e përzgjedhur në Lushnje.
Gjatë takimit u koordinuan punët për realizimin e këtij plani ambicioz në përputhje me standardet e kohës, duke promovuar vizionin e ri për fshatin që duam.
Qeveria shqiptare ka shpallur nismën e saj “Programi i Integruar për Zhvillimin Rural-Programi i 100 fshatrave”, i cili do të jetësohet në periudhën 2018-2020.
Ky program synon të kordinojë ndërhyrjet në hapësirën rurale me një qasje ndërsektoriale, duke alternuar investimet publike me donatorët dhe investimet private.
Në Bashkinë Lushnje, investimet dhe mbështetja e programit 4-vjeçar do të shtrihet në fshatrat Ardenicë dhe Krutje.
Ardenica
Fshati Ardenicë shtrihet në brezin kodrinor me të njëjtin emër dhe ka potencial për të qenë zona agro-turistike më e rëndësishme e Bashkisë Lushnje, ku krahas panoramës shlodhëse, i shtohen dhe elemente të trashëgimisë kulturore si “Manastiri i SHën Mërisë” Ardenicë, monumenti i natyrës “Dushkaja e Ardenicës” dhe “Selvitë e Manastirit të Ardenicës”.
Zona është e njohur për vreshtat dhe traditën e kulinarisë, ndërsa ekzistenca e ndërtesave shtetërore mund të shërbejë për qendra komunitare, shërbime hotelerie apo prodhimin e produkteve artistike.
Krutje
Njësia administrative Krutje shtrihet në një reliev fushor dhe ka një popullsi prej 10333 banorë.
Ka dalje në dy arterie kryesore në autostradën Lushnje-Fier dhe Lushnje-Berat. Zona është e njohur për prodhimin e perimeve të fushës dhe serrave, vreshtarinë, agrumet etj.
Në fshatin Krutje e Sipërme ngrihet “Kisha e Shën Kollit”, njohur si monument kulture i kategorisë së I. Kjo zonë njihet dhe për traditën sportive në sportin e volejbollit për femra, trashëguar ndër vite./atsh
Akademia e ”100 fshatrave” zbret në Vlorë, Leli takim me grupin e punës.Grupi i punes, i perzgjedhur ne akademine e “100 fshatrave” per Vloren ka mberritur ne Bashkine e qytetit,ku eshte pritur nga Kryetari i Bashkise Dritan Leli.
Grupi i arkitekteve te rinj profesioniste do te jene 10 dite ne terren,ku do te vizitojne tri fshatrat e percaktuara ne liste:Kanina,Tragjasi dhe Zverneci per te komunikuar me banoret dhe per te hartuar me pas nje projekt konkret, ndersa ka bashkebiseduar me arkitektet e rinj kreu i Bashkise Dritan Leli ka percielle nje mesazh per banoret e fshatrave,duke ju kerkuar te jene mikeprites dhe bashkepunues me vizitoret e tyre ne funksion kjo te nje turizmi elitar.
Ne bashkebisedim me te rinjte Leli i ka njohur ata edhe me nje iniciative tjeter te ndermare nga Bashkia Vlore ne kuader te projektit 100 fshatra,ku krahes tri fshatrave te perfshira tashme ne projekt eshte perzgjedhur edhe Dukati,nje fshat ku do investohet nga vete Bashkia,ne funksion kjo te turizmit. Dorina Papa e cila kryeson grupin e punes te “100 fshatrave”,ne lotin 20 eshte shprehur se per 10 dite te rinjte do te jene ne kontakt me banoret e 5 fshatrave per ti kthyer me pas idete ne projekte konkrete. Akademia 100 Fshatra zhvillohet ne kuader të Programit te Rilindjes Rurale, Akademia KA MBLEDHUR se bashku studente masteri te arkitetktures e planifikimit, projektimit te peisazhit e mjedisit, te sapodiplomuar te ketyre fushave, si edhe pedagogë të tyre. Akademia 100 Fshatrat do te bazohet ne 20 atelier projektimi te veçanta, por te lidhura me njera-tjetren dhe nen udheheqjen e Agjensise kombetare te planifikimit te territorit .
Një gisht toke që del në det, gadishulli i Karaburunit nuk është asgjë tjetër veçse shkëmbor.
Për aq sa shqiptarët mbajnë mend, ai është përdorur si një kullotë dimërore për dele dhe dhi; plazhet e vogla të bukura, më së shumti në anën perëndimore, dalin në lajme më së shumti si baza të fshehta për trafikantët e kanabisit ndërsa shumica e tyre janë të aksesueshme vetëm me varkë ose përmes një ecjeje të gjatë e të lodhshme.
Ato kanë emra që ngjallin ndjenjën e misterit – njëri quhet Gramata, ose Gjiri i Shkrimeve, një tjetër është i njohur si Gjiri i Raguzës, një qytezë në Sicili dhe emri me të cilin njihej më parë qyteza e Dubrovnikut kur ishte një qytet-shtet.
Një pllajë mbart emrin Ravena, emër i një qyteti tjetër italian.
Pak rrugë të paasfaltuara të hapura nga ushtria shqiptare ecin përgjatë anës lindore të gadishullit, por ato janë ende të paaksesueshme për civilët për shkak se baza e Pasha Limanit e flotës detare shqiptare gjendet në krye të rrugës.
Mënyra e vetme për të mbërritur në plazhet e virgjëra të Karaburunit është përmes gomoneve. Këto janë foto nga dy udhëtime të vitit të kaluar.
Udhëtimi i parë u nis nga gjiri i Vlorës me një kosto prej 2,500 lekësh për person, udhëtim që na çoi në Shpellën e Haxhi Aliut dhe në një nga të paktat plazhe në anën lindore të gadishullit, ku një restorant i vogël shërben mish ose peshk zgare, sallatë, djathtë të fortë të bardhë të zonës dhe patate të skuqura.
Në cepin verior të gadishillit, rreth 15 kilometra nga Vlora, shpella e Haxhi Aliut është kaq e madhe sa mund të mbajë një anije të vogël se disa gomone njëherësh. Zakonisht nevojiten 30 minuta për të mbërritur atje, në varësi se sa shpejt është i gatshëm të ecë kapiteni.
Ky është një vend i mbushur me mite mbi piratë dhe tregime më moderne për trafikantë droge apo trafikantë qeniesh njerëzore që e përdorën atë për t’u fshehur si nga moti i keq ashtu edhe nga policia.
Ka disa gomone që nisen çdo ditë gjatë verës; vizitorët mund të notojnë në ujërat me salinitet të lartë ndërsa dritat vallëzojnë në tavanin e stërlartë të shpellës.
Udhëtimi i dytë na dërgoi nga fshati Dhërmi në anën tjetër të gadishullit të Vlorës te Shpella Blu dhe te Gjiri i Gramatës, ose i Gramës, ndoshta vendi më i bukur në bregdetin shqiptar.
Varkat drejt Gramatës janë më të rralla dhe më të shtrenjta; në kontrast me ujërat e qeta të Gjirit të Vlorës, Deti Jon dhe Kanali i Otrantos është shpesh i egër. Udhëtimi mund të kushtojë rreth 150 euro për deri në gjashtë apo shtatë vetë.
Mënyra tjetër e mundshme për të mbërritur është një marshim i gjatë përmes një shtegu të ngushtë nga plazhi i Rrugëve të Bardha por kjo mund të zgjasë deri në gjashtë orë dhe duhet të kujdesesh të marrësh ujë me vete.
Gjiri i Gramatës është e vetmja zonë e mbrojtur nga stuhitë në një segment brigjesh shkëmbore dhe e ka marrë emrin nga mijëra shkrime dhe simbole të gdhendura në gurë nga marinarët që kanë falënderuar zotat e tyre prej mijëra vitesh.
Studiuesit kanë identifikuar gjuhë të ndryshme në shkëmb, përfshirë greqiste të lashtë dhe të mesjetës si dhe latinisht. Studiuesit në fillim të shekullit të 20 menduan se disa prej shkrimeve i përkasin civilizimit etrusk në Italinë e lashtë.
Disa nga mbishkrimet janë shuar me kalimin e kohës ose janë vjedhur, ndërsa të tjera janë vandalizuar nga vizitorë të mëvonë, përfshirë rekrutë të ushtrisë shqiptare që shërbyen aty kur Shqipëria ishte një vend komunist.
Përveç fjalëve, shkëmbi mbart edhe shenja heraldike, duke i dërguar udhëtarët e kohës sonë shekuj më pas. Ata bëhen dëshmitarë të një fakti tashmë shpesh të harruar – se udhëtimi me det është i rrezikshëm. /BIRN/
Kisha e Sergit dhe Bakut në Himarë u vizitua nga nxënësit e shkollës së mesme të cilët po shfaqin përherë e më shumë interes për monumentet e trashëgimisë kulturore.
Në kuadër të aktiviteteve për “Ditët Evropiane të Trashëgimisë” dhe “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, nxënësit vizituan qendrën historike në kalanë e Himarës, ku u njohën nga afër me vlerat monumentale të kësaj kalaje .
Gjithashtu ata në mënyrë të veçantë u njohën dhe me risitë në kishën e Sergit dhe Bakut tashmë e restauruar nga projekti i sapo përfunduar i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës me vullnetarë nga 15 shtete të ndryshëm nga gjithë bota.
Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut e shpallur monument kulture i kategorisë së parë është atraksioni turistik në bregdetin e Himarës, ku përveç bukurive të bregdetit jonian, turistët mund të prekin nga afër kulturën dhe trashëgiminë.
Kisha është ndërtuar brenda mureve rrethues të kështjellës së Himarës në kuotën më të lartë të saj, në zonën e Barbakasë. Ajo ka shërbyer si selia e peshkopit të Himarës, e cila bëhet qendër Peshkopale në vitin 1020, nën varësin e Patriarkanës së Ohrit siç dëshmohet nga një diplomë e lëshuar nga perandori i Bizantit Vasili II. Në këndin verilindor të kishës ndodhet një pllakë guri e murosur, ku shkruhej viti 786.
Kisha ka dy faza kryesore ndërtimi, por muret e kishës ruajnë gjurmë të rindërtimeve të shumta. Ndërtimi fillestar i përket naosit me pjesët e poshtme të mureve, sepse pjesët e sipërme janë ndërtuar disa herë. Një mjedis ndihmës në anën perëndimore është ndërtuar më vonë. Ndërtimi fillestar ndahet në mjedisin e altarit dhe mjedisin e naosit me një ikonostas muri. Kornizat e ikonostasit janë zbukuruar me motive floreale./atsh
Në kuadër të aktiviteteve për “Ditët Evropiane të Trashëgimisë” dhe “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, nxënësit e shkollës së mesme Himarë, vizituan qendrën historike në kalanë e Himarës, ku u njohën nga afër me vlerat monumentale të kësaj kalaje dhe në mënyrë të vecantë me risitë në kishën e Sergit dhe Bakut tashmë e restauruar nga projekti i sapopërfunduar i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës me vullnetarë nga 15 shtete të ndryshëm nga gjithë bota.