Art-Kulture

Parku i Orikut, thesar i çmuar i zbulimeve arkeologjike atraksion për brezin e ri/Foto

Qyteti antik i Orikut, i ndodhur pranë qytetit të sotëm të Orikumit, në Vlorë, i themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., vijon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve për shkak të vlerës historike dhe thesareve arkeologjike që fsheh.

Nxënësit e shkollës së mesme “Hasan Pulo”, Orikum, vizituan ditën e sotme parkun arkeologjik të Orikut, ku u njohën nga afër me zbulimet më të fundit arkeologjike nga projekti shqiptaro-zviceran. Prezantimi i të dhënave më të reja arkeologjike u krye nga vetë arkeologët e këtij projekti të cilët janë në përfundim të kësaj fushate gërmimi.

Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të aktiviteteve për “Ditët Europiane të Trashëgimisë” dhe “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”.

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r., si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore./atsh

Parku i Orikut, thesar i çmuar i zbulimeve arkeologjike atraksion për brezin e ri/Foto Read More »

Shpërthen aktori i njohur: Shumë shfaqje janë ordinere, produkti teatror është mediokër

Një konstatim i frikshëm vjen nga artisti i njohur, aktori Ndriçim Xhepa lidhur e produktin teatror që po vihen në skenë. Ai padyshim është një nga emrat më të njohur të skenës dhe ekranit, teksa në karrierën e tij numëron 40 role në teatër dhe 30 në kinema. Aktualisht është kryetar i jurisë së festivalit mbarëkombëtar të Teatrit. Ai ngre alarmin se produktet artistike shqiptare janë në nivelet e mediokritetit, afro 70% e produksioneve. “Që të jem i sinqertë 20-30 % e produktit që prodhohet mund të jenë shfaqje që ia vlen të shikohen, me regji të mirë, të arriturra, 70% janë mëse mesatare, mëse mediokre që po të kishte ca këshilla artistike vendimarrëse duhet t’i bllokonin. Ka shumë shfaqje që janë ordinere”.

Nga ana tjetër ai thotë se realizmi i festivaleve është i rëndësishëm për të rritur cilësinë. “Është e natyrshme që në harkun e dy vjetëve nëqoftëse kryeqendrat mund të kenë 12-13 premiera të kryera dhe nga këto të nxjerrin dy produkte të mira aq më tepër që mbas kaq kohe ne të përfaqësohemi në festival me këtë. Po këtë gjë diouhet ta bëjnë edhe qytetet më të vogla dhe trupat më të vogja. Kjo do të rrisë cilësinë e shfaqjeve dhe të festivalit”.

Si kryetar i jurisë e artist debati për shfaqjet është shumë i rëndësishëm dhe shumë artistë refuzojnë të shohin shfaqjet e njëri tjetrit. “Problemi është që ke individë të çuditshëm që vijnë luajnë vetë dhe ikin nuk i sheh në dutët e aktivitetve, nuk shohin pjesët e të tjerëve dhe fillojnë gjykojnë jurinë. Bëjnë humore nëpër facebook. “Juria hahhha”- bënte njëri që nuk e di në ç’raport është me atë të trupës tjetër. Dhe këtu fillojnë ato gjarpërinjtë në barqet e njerëzve të skenës që ju me të drejtë i thoni xhelozi. Se të gjithë duan të marrin vendin e parë.”

Por nga na tjetër është kundër miskimit të dramës shqipe edhe asaj të huaj. “Mbas një dyvjeçari të vijnë radha e veprave kombëtare atëherë të gjitha trupat teatrore duhet të mendojnë më tepër për të orientuar për të shkuar drejt një vepre cilësore. Konkurse bëhen të dramës shqipe çdo vit dhe duhet të jenë të intereuasr regjisorët dhe të zgjasin dorën drejt një vepre cilësore. Më parë veprat kombëtare kështu prezantoheshin”. Në këto ditë të festivalit deri më 30 shtator do të prezantohen 14 trupa mbarëshqiptare ku shfaqjet nisin në 18:00 në Universitetin e Arteve dhe në orën 21:00 në skenën e Art Turbinës.

Shpërthen aktori i njohur: Shumë shfaqje janë ordinere, produkti teatror është mediokër Read More »

HISTORIANI TURK: SKËNDERBEU, TRIM I PAZAKONTË

Historianët bashkëkohorë turq vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për Skënderbeun dhe epokën e tij. Derisa një numër i tyre pëlqen të përmend Skënderbeun kalimthi si pengesë e përkohshme e fushatave pushtuese osmane, të tjerë si Halil Inallçik shprehin konsiderata ndaj rezistencës së tij.

Halil Inallçik, që ndërroi jetë vitin e kaluar, konsiderohet si një prej historianëve më të mirë turq që njihen edhe ndërkombëtarisht, shkruan Konica.al.

Si ligjërues edhe në Universitetin e Çikagos, ai është autor i një varg punimesh serioze për fazat e hershme të pushtimeve osmane në Ballkan.

Në fokus të interesimit të tij kanë qenë edhe zotërimet e para osmane në Shqipëri, përfshirë sistemi i timarit dhe regjistrat e ndryshëm kadastralë.

Portali Konica.al sjell një fragment nga zëri «ARNAWUTLUK» në Enciklopedinë e Islamit, një botim i vitit 1960.

Inallçik, i cili është autor i këtij zëri enciklopedik për Shqipërinë dhe shqiptarët, jep një shpjegim të thuktë për historinë dhe gjeografinë e vendit.

Hyrjen e nis duke pranuar prejardhjen ilire të shqiptarëve, meqë sipas tij «ilirishtja dhe epirotishja e moçme, në bazë të emrave vetjakë dhe atyre të vendeve, mbahen si prototipa të shqipes gegë dhe toskë».

Duke qenë se Skënderbeu dhe bota e tij po ngjallin debate të vijueshme në publicistikën shqiptare, ja disa disa shënime të historianit turk mbi Skënderbeun:

«Nga viti 847/1443 e tutje Skënderbeu dhëndri i Aranitit, mori drejtimin e kryengritjes; energjia dhe trimëria e tij e pazakontë dhe gjendja ndërkombëtare që përftoi në këtë kohë, i dha lëvizjes një karakter të rëndësishëm ndërkombëtar. Duke lënë anash legjendën që është harlisur rreth personit të tij, duhet të theksohet se zanafilla dhe motivet e kryengritjes së tij nuk ishin të ndryshme prej atyre të zotërve të tjerë shqiptarë.

I caktuar si subash i Krujës (Akcahisar), rreth vitit 842/1438, ai u hoq me 1440. Ai dëshironte të kthente Krujën dhe zotërimet e të atit në tërësinë e tyre dhe t’i zotëronte si zot feudal, dhe jo si timar-mbajtës. Është e vërtetë se ai bëri aleancë me familjet e tjera feudale si Topiajt, Balashajt, Dukagjinët, Dushmanët, Lekë Zaharinë dhe Aranitin (mbledhja e Lezhës, më 1 mars 1444), por ideja e një Shqipërie të bashkuar nga një prijës kombëtar është larg prej realitetit.

Ai kontrollonte vetëm Shqipërinë veriore derisa Shqipëria qendrore dhe ajo jugore mbetën nën kontrollin osman. Subashët dhe sanxhakbejtë, nga Gjirokastra, Ohri dhe Berati bënë përpjekje për ta shtypur atë me forca lokale. Ai zhvilloi luftime guerile gjatë tërë kohës.

Shumë prej betejave të përshkruara nga Marin Barleti me figura fantastike nuk ishin veçse përplasje lokale. Forcat vetjake të Skënderbeut duket se asnjëherë nuk kalonin më shumë se 3 mijë.

Me marrëveshjen e 26 marsit të vitit 1451 ai u bë vasal i Alfonsit V të Napolit dhe i dorëzoi Krujën njerëzve të tij. Araniti, që kishte zotërime në Shqipërinë jugore (Vageneti, Vlorë dhe Kaninë) e ndoqi shembullin e tij. Araniti ishte autorizuar nga mbreti për të pranuar në emër të tij besatimin e zotërve të tjerë shqiptarë. Kështu Zenebishi dhe të tjerët u bënë vasalë të Alfonsit. Në këmbim, mbreti u pajtua t’u jipte një pension vjetor që shkonte prej 300 deri në 1400 dukatë për secilin nga këta vasalë dhe t’u jepte strehim në raste të rrezikut.

Ky ndryshim i thjeshtë i zotërve ishte qartësisht i kushtëzuar nga fakti se sistemi aragonez dukej më i favorshëm sesa regjimi osman i zotërve shqiptarë. Por siç provohet nga një dokument aragonez ‘njerëzit e rëndomtë nuk kishin ndonjë ankesë ndaj administratës osmane’ (shih C. Marinesco, Alphonse VIII., Mél. de l’école Roum. en France, Paris 1923, 104). Një regjistrim i timareve i bërë më 871/1466-67 përfshiu Dibrën, Gollobërdën, Rekën, Matin dhe Çermenikën (Bašbakalik Archives, Istanbul, Maliye no. 508).

Prandaj pas shpeditave të Mehmetit II në 870/1466, sistemi i timarit u shtri edhe në këto treva. Cilado të kenë qenë motivet e tij të njëmendëta, Skënderbeu që u rebelua në male kundër Muratit II (më 852/1448 dhe 854/1450) dhe Mehmetit II (më 870/1466 dhe 871/1467) u glorifikua në të gjallë të tij si ‘Kampion i Krishtit’ nga Papa dhe si Hero Kombëtar Shqiptar nga nacionalistët në shekullin e nëntëmbëdhjetë».

/Konica

HISTORIANI TURK: SKËNDERBEU, TRIM I PAZAKONTË Read More »

Historia e Vlorës nuk nis me 1912, është tepër e lashtë dhe me vlera ndërkombëtare (Video)

Historia e Vlorës nuk fillon me vitin 1912, të shpalljes së pavarësisë. Daton kohë dhe shekuj më parë dhe ka vlera historike të shkallës ndërkombëtare.Nis me varreza tumulare e Dukatit në rrethin e Vlorës që provojnë ngjizjen e popullsisë ilire nga fundi i kohës së bronzit, fillimi i kohës së hekurit, 3200 vjet më përpara.Arkeologu i njohur Neritan Ceka në një intervistë për Arena” nga Dritan Hila në Ora News shpjegon me dokumente dhe histori prejardhjen që nga Ilirët e deri tek shqiptarët, dhe tregon vlerat e mëdha që kanë zonat arkeologjike.“Kudo po të gërmohet është pasuri arkeologjike. Janë thesare ende të pazbuluara të kulturës shqiptare” na tregon  me pasion arkeologu Ceka ndërsa shkelim me këmbë disa nga këto pasuri.Intervista ishte pjesë e emisionit të parë të sezonit të tretë të “Arena” në Ora News.Arkeologu ndalet dhe tek fondet të cilat janë të mëdha por nuk dihet se ku përfundojnë.

Neritan Ceka: “Para ka sa dhe të teprojnë. Paratë janë në Butrint. Janë 1 milionë euro në vit që nxirren nga Butrinti dhe është djersa, jeta e arkeologëve. 100 vjet gërmime, dhe njerëz që janë sakrifikuar por këto para nuk dimë ku shkojnë. Duhet të krijohet një fondacion shtetëror, jam kundra partneritetit me privatin, nuk ka pse private të shfrytëzojë paaftësinë e shtetit për të qeverisur.

Pra, të krijohet një fondacion, që i merr këto para për t’i përdorur për Kaninën,  për ta vënë në funksion,  për Orikumin, të bashkohet me Apolloninë, me Finiqin, me Antigonenë me Shkodrën e Lezhën. Të krijohet një netëork. Kemi modelin në Britaninë e Madhe, Është një fondacion shtetëror, drejtori emërohet nga ministria e Kulturës, ndërsa bordi nuk përbëhet nga njerëz të politikës, por nga njerëz që kanë kontribuuar në krijimin e kësaj pasurie”.

Historia e Vlorës nuk nis me 1912, është tepër e lashtë dhe me vlera ndërkombëtare (Video) Read More »

Parku i Orikut, një thesar i çmuar i zbulimeve arkeologjike/Foto

Qyteti antik i Orikut, i ndodhur pranë qytetit të sotëm të Orikumit, në Vlorë, i themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., vijon të tërheqë vëmendjen e arkeologëve për kërkime dhe zbulimin e historisë nën rrënoja.

Së fundmi, arkeologët e palodhur po sjellin fakte interesante rreth zbulimeve të bëra në fontanën Monumentale, kishën Paleokristiane, portën hyrëse në anën lindore ku janë zbuluar teknika të reja dhe periudha ndërtimi të pahasura më parë.

Rezultatet shkencore të këtij sezoni gërmimesh priten të dalin ku publiku dhe specialistët po i presin me padurim.

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r., si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar, për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore. /atsh

Parku i Orikut, një thesar i çmuar i zbulimeve arkeologjike/Foto Read More »

“Stambolli i vogël” i Tepelenës në sytë e historisë

E ndodhur mes qytetit të Përmetit dhe Tepelenës, me një urë të varur të dhuruar nga Pashai i saj Ali Tepelena, aq afër  me lumin e Vjosës dhe me një klimë shumë të favorshme për rritjen e agrumeve dhe bimëve të tjera, e bëjnë këtë fshat të vogël shumë të preferuar.

Në zonën përreth e thërrasin ndryshe edhe “Stambolli i vogël”.

Po flasim pikërisht për Dragotin, vend i cili njihet shumë mirë nga të gjithë jugorët për arsye se është e vetmja urë e cila bën të mundur lidhjen e pjesës juperëndimore me atë juglindore të vendit.

Ura e Dragotit ka qenë një dhuratë nga Ali Pashë Tepelena që vazhdon edhe sot e kësaj dite të qëndrojë në këmbë, sigurisht e rikonstruktuar.

Mendohet se emri “Dragot” vjen nga fjala “Dragoi” qenie mitologjike e fortë, mbrojtëse, për shkak të pozicionit të favorshëm për të jetuar dhe klimës së butë që më të drejtë udhëtarët e kanë quajtur “Stambolli i vogël”.

Rruga kryesore vjen paralel me shtratin e lumit dhe Janina e Konica e kishin si rrugën e tyre kryesore që i lidhte me pjesën tjetër. Këtë rrugë ka ndjekur edhe Edith Durham, diku nga fillimi i shek. XX.

Është thënë se ishte shoqëruar nga një djalë me emrin Sadik e që udhëtarja paska qëndruar në shtëpinë e tij në Dragot.

Edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet po aq mahnitës si për vendasit edhe për të huajt, por fakti që i tërheq më shumë turistët është se aty afër, në Beçisht ka lindur edhe Ali Pashai, por Dragoti ka edhe një simbolikë tjetër, ka një urë që ka marrë emrin e tij.

Është një urë shumë elegante e që silueta e saj e harkuar duket që larg e harmonia e strukturës së saj të befason.

Është plot 100 metra e gjatë e nuk ka këmbë në mes. Bashkon malin e Golikut me Shëndëllinë dhe është një urë me një peshë të madhe strategjike. Kështu është quajtur në kohë lufte dhe paqeje.

Është ruajtur me rojë në kohën e socializmit. Dhe në historinë e saj të luftërave është bombarduar disa herë, por pozicioni strategjik e ka bërë të pamundur shkatërrimin e saj.

Një pllakë çeliku, e vedosur në një nga harqet e saj lexohet “Asaldo. Genova 1936-XIV”. Asaldo duhet të jetë firma ndërtuese e urës, ndërsa “XIV” është viti i 14-të i “erës fashiste”.

Ndërsa në hyrje të urës, në faqen shkëmbore djathtas, ndodhet një gur i cili nuk është i të njëjtës strukture të shkëmbit mbi të cilin ai rri. Ka ngjyrën e betonit dhe një legjendë se kjo urë do të jetojë sa të jetojë edhe ky gur.

Dikush thotë se ai gur është pikë orientimi për ndonjë thesar të fshehur të Ali Pashës. Këto dhe të tjera histori e gojëdhëna, bëjnë kurioz shumë udhëtarë e vizitorë të ngiten në këto anë e të shikojnë nga afër fshatin dhe historinë e tij.

Dragoti është edhe vendlindja e aktorit të madh hollivudian Stan Dragoti.

Është një vend shumë i bukur për tu vizituar dhe sigurisht për të njohur dhe pak mikpritjen e vendasve e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë tipike e kohëve të vjetra.

Fshati vizitohet sipas intenerarit Tepelenë- Dragot- Përmet

“Stambolli i vogël” i Tepelenës në sytë e historisë Read More »

Gramshi me mbi 14 mijë turistë, “thesaret” që fsheh

Në 6 muaj, Gramshi ishte destinacioni i preferuar i 14 e 500 turistëve vendas e të huaj.

Ky informacion jepet për ATSH nga strukturat e Bashkisë Gramsh që mbulojnë lëvizjet turistike në këtë Bashki.

Ergita Kaso, punonjëse në këtë bashki tha për ATSH se “këtë vit, Gramshi ka pasur numrin më të lartë të turistëve ndër vite. Pasi rakorduam të dhënat në të gjitha atraksionet turistike të Gramshit, konstatuam se gjatë 6 mujorit të parë të 2018 ka pasur rreth 14500 turistë deri tani, të cilët kanë vizituar pikat më atraktive turistike të zonës si Kanioni i Holtës me 3000 turistë. Kjo natyrë e veçantë e zonës, vazhdon të vizitohet gati çdo ditë nga turistë shqiptarë dhe të huaj”.

Liqeni i Zi, theksoi ajo, është një tjetër pikë e vizitueshme edhe për efektet e ujit kurativ që ka. “Deri tani janë numëruar nga strukturat tona deri 5000 vizitorë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë gjatë muajit gusht, pasi vijnë për kurimin e sëmundjeve reumatizmale”, thotë për ATSH, përfqësuesja e kësaj Bashkie, Ergita Kaso.

Gramshi i ka të gjitha mundësitë dhe resurset turistike që  mund të shfrytëzohet për turizëm ditor nga banoret e disa qyteteve si, Elbasani, Lushnja, Berati etj.

Me një rrugë automobilistike që ke dëshirë të udhëtosh, me një peizazh natyror që të befason me gjelbërimin dhe bukuritë natyrore që kur kalon Cërrikun, fillon vërtet ajo që ju kërkoni.

Përballe të shfaqet diga e madhe e hidrocentralit të Banjës me liqenin madhështor me ujërat e pastër mes dy faqeve malore.

Nga diga deri në qytetin e Gramshit, ka mjaft pika çlodhjeje mes një natyre të veçantë.

Ka lokale, kampingje të ngritur nga turistë endacake që preferojnë ta kalojnë natën në natyrë, por mbi të gjitha, ndesh dhe me derdhje lumenjsh që zbresin nga mallet lindore të liqenit dhe derdhen në të.

“Ujëvarën  e Sotirës këtë verë e vizituan 2000 turistë vendas e të huaj, kryesisht gjatë muajit Maj-Qershor, por vazhdon të vizitohet edhe në këtë periudhë”, shton më tej Kaso.

Ajo radhit edhe disa pika të tjera turistike të Gramshit që janë vizituar deri tani si Liqeni i Banjës me 3000 turistë, ku  disa operatorë turistik sjellin dhe kajak apo mjete te tjera lundruese, të cilat e bëjnë më tërheqës këtë liqen  për t’u vizituar. Një tjetër destinacion, ka qenë dhe fshati Grabovë, një zonë e thellë e Gramshit, por me një histori të pasur, e vizituar nga 700 turistë të historisë dhe të kulturës.

Dy kishat ortodokse, tri urat me harqe, pyjet dhe lëndinat e pafundme i japin fshatit një pamje përrallore. Pika të tjera të vizitueshme në rrethin e Gramshit kanë qenë dhe Liqeni i Dushkut, Shpella e Kabashit  e disa pika të tjera me peizazhe natyrore të veçanta që gjenden në këtë zonë. /atsh

          

Gramshi me mbi 14 mijë turistë, “thesaret” që fsheh Read More »

“Sofra e Zotit” në Vranisht ura lidhëse mes tokës dhe qiellit, njeriut dhe jashtëtokësorit

Mitologjia, antikiteti dhe historia duket se janë duke na dhënë disa detaje të pakundërshtueshme që jo vetëm provojnë vjetërsinë e tokës sonë, po edhe jetën që ka qenë në to dhe zhvillimin që ka pasur.

Shumë qytetërime humbën në mjegullnajën e kohës e një prej tyre ishte edhe Horea, një qytet që përmendet nga historiani më i rëndësishëm romak i antikitetit, Titlivi, që e cilëson si një zonë të fortifikuar në zonën e Epirit.

Pavarësisht dyzimit historik, fati i Horeas duket i lidhur me këtë një marshim shkatërrimtar romak. Sot toponimet të çojnë vetëm në një vend, në zonën e lumit të Vlorës, pranë fshatit Vranisht, atje ku të gjithë e dinë se ku ndodhet qyteti i Horës.

Ky emër identifikues është mbartur brez pas brezi. Pikërisht në Hora ndodhej edhe “Sofra e Zotit”, shkëmbi gjigand që i jep një identitet tjetër këtij qytetërimi.

A thua natyra ta ketë shkëputur këtë shkëmb gjigant nga diku sipërmi për ta vendosur më pas si një tryezë mbi dy shkëmbinj më të vegjël? Si mundet të ketë qëndruar në një precizion të tillë që do të sfidonte edhe gjeometrinë e sotme?

Çfarë është ky monument që banorët e kanë pagëzuar si “Sofra e Zotit” apo “Guri me Qiell”? Këtë mund ta zbulojmë vetëm nëpërmjet këtyre të dhënave që na jepen nga studiues të ndryshëm.

Edhe pse mund të duket e pabesueshme, ky monument që ngrihet në majën e malit të Lipes mbi fshatin Vranisht, rreth 50 kilometra larg qytetit të Vlorës, nga arkeologu dhe studiuesi Moikom Zeqo është identifikuar si i realizuar nga njerëzit.

Është një gur në formën e një pllake  tepër të madhe ciklopike, që rri varur  mbi dy gure të tjerë mbajtës dhe merr formën e një sofre, që akoma edhe kësaj dite, nuk ka marr një përgjigje të saktë se kush e ka vendosur ashtu.

Në fakt, shkenca monumente të tilla i njeh me emrin dolmenë, thënë ndryshe tipe varresh megalitikë të ndërtuar me gurë të punuar ose jo. Në disa raste ato ishin vend-prehje, në të tjera vend-sakrifikime apo edhe tempuj të shenjtë ku njerëzit u faleshin perëndive.

Teoria më e çmendur është ajo që dolmenët shërbenin si pika kontakti me jashtëtokësorët, kjo sepse ndërtimi i tyre në shumë vende të botës është i lidhur me diellin, dritën dhe energjinë e tij, çka sipas studiuesve është hasur edhe në piramidat e Egjiptit.

Në Evropë janë zbuluar shumë të tillë, më së shumti në Itali, Britaninë e Madhe, Francë, Irlandë , Gjermani, Spanjë etj., por ka shumë të tilla edhe përtej kontinentit si në Indi, Madagaskar, Afrikë të Veriut e më tej.

Monumentet kanë forma dhe madhësi të ndryshme, ashtu si zonat ku ngrihen. Në Shqipëri, “Sofra e Zotit” ndodhet relativisht larg, rreth 1 orë e 30 minuta në këmbë nga qendra e fundit e banuar që është Vranishti. Të gjithë në këtë fshat e njohin shtegun që të çon drejt këtij vendi mitik dhe nuk ngurojnë të të shoqërojnë.

Por si mund ta kenë zhvendosur njerëzit një gur të tillë që peshon rreth 10 tonë? A kanë pasur mjete të tilla me të cilat ta ngrinin në ato kohë të hershme? Mjafton të thuhet se monumente të tilla datojnë nga 4 deri 9 mijë vite më parë, por për shumë kërkues edhe më hershëm, deri 15 mijë vite më parë.

Nuk mund të mos bëhesh disi mosbesues. Megjithatë, askush deri më sot nuk i ka dhënë dot një përgjigje të prerë as mënyrës se si janë ngritur blloqet e gurëve të piramidave të Egjiptit. Edhe për to nuk mungojnë tezat, nga ato më të pranueshmet tek ato në dukje më absurdet. Ndaj nuk ka pse e njëjta mënyrë të mos jetë përdorur edhe këtu.

Historianë dhe arkeologë si Moriz Hoernes apo danezi Zinck kanë dhënë tezën se dolmenët duhen ndarë në grupe, duke qenë se vijnë si origjinë ndërtimore nga pjesë të ndryshme të planetit.

Megjithatë, shumica e ekspertëve të tjerë mendojnë se këto monumente prehistorike kanë origjinën nga e njëjta zonë. Tezat e tyre i kanë dhënë shumë ekspertë të njohur, si britaniku Glyn Daniel, historianet Janet Ross dhe Jean Arnal, arkeologët Jean Albert Bakker dhe Meyerhoff Janusz, këshilltari i UNESCO-s për periudhën megalitike Roger Joussaume e një pafundësi autorësh të tjerë, të cilët janë aq shumë sa është e pamundur t’i rendisësh të gjithë.

Askush nuk mund të thotë diçka të saktë apo 100 % të vërtetë. Por elementi i padiskutueshëm nga të gjithë mbetet se këto monumente janë vepër e njeriut.

Historia e dolmenëve endet mes fakteve të sjella nga historianët dhe mitologjisë së vendit ku ato ngrihen.

Në Irlandë legjendat theksojnë se ato mund të jenë ngritur  nga një popull prehistorik, Túatha Dé Danann, një tjetër se janë krijuar nga qytetërimi i humbur dhe kurrë i zbuluar i Atlantidës,  një tjetër se janë egjiptianët që e nisën me këto ndërtime për të arritur më pas te piramidat, ndërsa në Shqipëri nga pellazgët, sikurse tregojnë banorët.

Sipas tyre, fakt mbetet se përreth gjithçka lidhet për sa kohë poshtmi ndodhet guri i qytetit, ku ende mund të gjesh edhe pa gërmuar gjurmë civilizimesh të hershme. Më tej, “Lëmi i Lejlereve” apo i emërtuar ndryshe si “Pjella e bardhë” e po ashtu thellë në prehistori hidhen edhe shpella e banuar e Lipes, ajo e shkruar e Lepenicës apo ajo e Velçës.

Banorët e sotëm jetojnë mes këtyre legjendave që, sado të çuditshme të duken, janë pjesë e traditës e gojëdhënave të ruajtura brez pas brezi.

Sigurisht si për shumëçka në Shqipëri mungon një studim në tërësi i të gjithë këtyre emërtimeve dhe trashëgimisë që ato fshehin. “Sofra e Perëndisë” apo “Guri me Qiell” është jashtë vëmendjes, për të mos thënë se është e vështirë të mendosh nëse ekziston diku në regjistrat e pluhurosura të institucioneve përkatëse. E po kështu, mënjanë janë lënë edhe rrënojat e Kalasë së Horës, që ndodhet shumë afër fshatit Vranisht.

Marrë me shkurtime nga emisioni “Gjurmë Shqiptare” i gazetarit Marin Mema

“Sofra e Zotit” në Vranisht ura lidhëse mes tokës dhe qiellit, njeriut dhe jashtëtokësorit Read More »