Ditët e fundit të Tetorit në Craiova të Rumanisë pas një pune gati 4 mujore u finalizuan “Ditët e Vlorës” ideuar dhe organizuar nga deputeti Fate Velaj dhe me mbështetjen e Bashkisë së Craiovës dhe Qeverisë Rumune.
Një tur shkëmbimesh kulturore që nisi me inagurimin e bustit te heroit tonë Kombëtar Skënderbeut të skulptorit Sali Koko i vendosur pranë Bulevardit “Nicolae Iorga”!Një cermoni emocionuese dhe mbreslënëse me pjesëmarrjen e deputetëve të Parlamentit Shqiptarë dhe Rumunë si dhe Kryetarit të Bashkisë Vlorë Dritan Leli,Prefektit dhe kryetarit të qarkut Vlorë Flamur Mamaj dhe Ervis Mocka.
Një nga sheshet e qytetit te Craiovës do te mbaj emrin e Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut, busti i të cilit është realizuar nga skulptori Sali Koko.Nën një atmosferë feste inagurimi u bë nga deputeti Fate Velaj, deputeti Rumun Bogdan Stoica,Kryetari i Bashkisë së Craiovës si dhe Kryetari i Bashkisv Vlorë z.Leli.
Pas fjalimeve të rastit ishte Ansambli Polifonik “Cipini” që përshëndeti aktitetit me një minikoncert me këngë të repertorit të tyre !
Dita do te vazhdonte më tej me të tjera aktivitete në Universitetin e Craiovës në një konferencë dhe nënshkrimin e një Memorandumi bashkëpunimi midis dy Universiteteve si dhe celja e ekspozitës fotografike me pejsazhe nga Vlora e mjeshtrit të fotografisë Ahmet Axhushi.
Mbyllet kështu turi i vizitave në Universitet për të kaluar në Bashkinë e qytetit me nënshkrimin e binjakëzimit të Bashkisë së Craiovës dhe Bashkisë së Vlorës nga kryetarët respektivë.
Aktivitetet vijuan dhe në ditë në vazhdim me koncertin e Aulon Nacit në Art Museum Craiova mbrëmje muzikore me vepra nga poetë Shqiptarë si Dritero Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Visar Zhiti, Fate Velaj,etj interpretuar në rumanisht nga aktori rumun Angel Rababoc me muzikë shqiptare, Piano-Aulon Naci, Violinë-Vilson Guri dhe Dejon Bendaj .
Gjithashtu u zhvilluan bisedime me administratorin e turizmit të qytetit 350.000 banorësh si dhe me atë të krahinës 1milion banorësh për hartimin e programeve turistike. Ata u shprehën të entuziazmuar për aeroportin e Vlorës dhe deshirojnë që me ndërtimin e tij, të ketë lidhje direkte, Vlore-Craiova.
“Ditët e Vlorës” vijojnë me komedinë “Njeriu që pa vdekjen me sy ” të Viktor Eftimiut luajtur mjeshtërishtë nga aktorët e trupës së Teatrit “Petro Marko” me regji të Elma doresit,skenografi të Drini Shehut dhe muzik të Artur Dhamos.Shfaqja u prit me duartrokitje dhe emocione nga publiku në Univeritetin e Arteve të Craiovës
Kështu u përmbyllën me sukses “Ditët e kultures Vlonjate ” në Craiova të Rumanisë ideuar dhe organizuar nga deputeti Fate velaj .
Ky ishte manifestimi disa ditor i vlerave kulturore , artistike dhe historike shqiptare dhe në vecanti vlonjate në Rumani !
TV Kombëtar i Rumanisë, i kushtoi kronika të përditshme aktiviteteve që u realizuan në kuadër të “Ditët e Vlorës” në Craiova./labërianews/
Ne kuadrin e muajit Tetor si muaji i poezise italiane, konsullata Italiane ne bashkepunim me mesuesen e gjuhes italiane prane shkolles 9 vjecare “Balil Pelari” Almeta Shehaj organizoi nje aktivitet letraro-artistik ne Orikun e Vjeter.
Te ftuar ishin nxenes dhe mesues te kesaj shkolle, perfaqesues te konsullates italiane te cilet ndoqen nga afer programin artistik ne qendren e vjeter arkeologjike.
Ne sheshin “Tre racat” perballe Teatrit “Petro Marko” eshte zhvilluar sot aktiviteti ‘Miqte e Trashegimnise’. Ky eshte nje aktivitet i organizuar nga senati i shkolles ‘Lef Sallata’ ne bashkpunim me qendren e komunitetit!
Fjalen e rastit e mbajti Kryetari i bashkise i cili ndau edhe certifikata vlersimi per nxenesit e shkolles.
Ta trasmetojme trashegimnine ne breza – ishte motoja dhe qellimi i ketij aktiviteti.
Xhamia e Allajbegisë, Dibër monument kulture i kategorisë së I është një tjetër destinacion i turizmit religjioz i cili po merr vëmendjen e instituteve dhe specialistëve përkatës për të qenë një atraksion i denjë dhe mikpritës për turistët e huaj dhe vendas.
Specialistët e DRKK-së, Shkodër kanë kryer punime konservuese dhe mirëmbajtjeje në Xhaminë e Allajbegisë, Dibër. Nisur nga teknika e ndërtimit dhe burimeve historike, ky objekt kulti i përket shek.XVI.
Xhamia e Allajbegisë ndodhet në një fushë të hapur pranë fshatit Burim në rajonin e Dibrës. Ajo është ndërtuar në vitin 1578 dhe i takon tipologjisë së xhamive të vogla monumentale me kupolë, minare dhe hajat. Teknika e përdorur e klauzonazhit është një veçori e rrallë për rajonet verilindore të Shqipërisë.
Xhamija e Allajbegisë përbëhet nga salla e lutjeve në formë kubike e mbyllur me një kuve, minare dhe themelet e një portiku të shembur si pasojë e një tërmeti. Dera në anën veriore shërbente për të hyrë në sallën e lutjeve. Mihrabi dhe gjurmë të mimbar janë gjetur në murin jugor të dhomës të ndërtuar me dru.
Salla e lutjeve është mbuluar nga një kupolë në formë sferike. Në muret perëndimore, jugore dhe lindore janë vendosur nga tre dritare në dy rreshta, ndërsa në murin verior ndodhen vetëm në një rresht. Xhamija e Allajbegisë përfaqëson një monument me rëndësi kombëtare i shpallur në vitn 1970 monument kulture i kategorisë së parë./atsh
Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” mbetet i vizitueshëm në çdo fundjavë. Kryesisht janë të rinjtë ata që preferojnë të ngjiten në këtë park, qoftë edhe për shkak të terrenit të thyer. Këtë fundjavë me të rinjtë e ardhur nga Elbasani e Tirana, u bashkuan dhe nxënësit e shkollës së bashkuar “Shefqet Dosku” Dorëz. Kur kjo moshë e kalon kohën e lirë në aktivitete sportive, apo në vëzhgim të natyrës, do të thotë të qëndrosh më pak pranë teknologjisë dhe rrjeteve sociale.
Kjo është stina kur ky park kthehet në një destinacion turistik për vizitorët e natyrës dhe të aventurës. Bimësia fillon të ndërrojë ngjyrë, gjethet vizatojnë në tokën ku bien tapetet e verdhë dhe reshjet nuk kanë filluar akoma.
Rreth 10 mijë turistë, kryesisht të rinj, vendas e të huaj e kanë vizituar vitin e kaluar Parkun Kombëtar në Qarkun e Elbasanit. Një pasuri turistike e pakonkurrueshme, që pret vizitorë të apasionuar pas aventurës, natyrës, traditës dhe historisë.
Është një vend i thyer me kontraste të forta gjeografike, ku mund të gjesh që nga fushat e blerta, lumenj, shpella deri te lartësitë e maleve me borë.
Janë dy lumenj dhe disa burime të vogla ujore që rrjedhin përmes zonës së Parkut, përfshirë në veri lumin e Qarrishtës që bashkohet me lumin Rrapun dhe në jug lumin e Bushtricës, që bashkohet me lumin Shkumbin. Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vogla me bukuri madhështore, të cilat ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit.
Pothuajse i panjohur për pjesën më të madhe të vendit, vitet e fundit, Parku Kombëtar i Shebenikut ka nisur të promovohet dhe të nxisë tërheqjen e turistëve.
Drejtoria e Zonave të Mbrojtura të Qarkut Elbasan është kujdesur që të vendosë në të gjithë parkun tabela orientuese për vizitorët, por edhe të shoqërojë çdokënd që ka dëshirë të shijojë mrekullitë e tij.
Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.
Me interes është Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë me figura e mbishkrime që nga shek. II para erës sonë, që duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës nëse doni të vizitoni Parkun Kombëtar të Shebenikut.
Kjo shpellë-kishë është e vendosur në një shkëmb në lartësi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës, ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.
Shumë i rëndësishëm fakti që ngjyrat në këto piktura nuk janë zhdukur dhe qëndrojnë ende të gjalla.
Do të gjeni në Shebenik liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.
Moratoriumi i gjuetisë bëri që edhe kafshët e egra të shtohen, për t’i dhënë më tepër gjallëri kësaj zone.
Gjatë monitorimeve të saj me kamera kurth, Drejtoria Rajonale e Zonave të Mbrojtura ka arritur të fotografojë një sërë kafshësh të egra si, derri i egër, ariu, kaprolli, ujku etj.
Shoqata të ndryshme që kanë në fokus aktivitet sportive kohët e fundit po i organizojnë ato në këtë park.
Gara të çiklizmit malor, alpinizëm apo ski e kanë bërë tashmë këtë park më të njohur dhe me siguri një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit të natyrës shqiptare. /j.p/
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit inauguroi shtegun e Çezarit, që lidh Parkun Kombëtar Llogara dhe Monumentin e Natyrës Delta e Përroit të Palasës.
Ceremonia u zhvillua pranë Green Coast Resort, i cilësuar nga ministri si një investim supermodern i standardeve europiane, në Palasë, që bashkon natyrën dhe investimin duke ruajtur një raport të drejtë mes zhvillimit të turizmit, ruajtjes dhe promovimit të zonës së mbrojtur të Llogarasë dhe Gadishullit të Karaburunit.
“Do të kemi një hotel me 5 yje për të cilat ne po flasim përditë, një nga investimet më të mira të të gjithë zonës së Mesdheut përsa i përket hotelit në cilësinë e tij por po ashtu kemi një bashkërendim ndërmjet këtij investimi dhe sponsorizimit që kompania po bën që së bashku me zonat e mbrojtura të shenjojnë në mënyrë të plotë të gjithë shtegun e Çezarit i cili vjen nga një histori mjëravjeçare ku Çezari ka arritur që të kalojë nëpërmjet këtij shtegu për të bërë betejat e tij të famshme me Pompein në Orikum dhe pastaj në zonën e Durrësit. Ne do të vazhdojmë të promovojmë gjithë këto ngjarje historike të cilat dëshmojnë se traditat, vlerat kulturore, vlerat turistike të kësaj zone janë të paimagjinueshme, por janë edhe pashfrytëzuara”, tha ministri Klosi.
Ai ngjiti shtegun bashkë me përfaqësues të Green Coast, projekti më i rëndësishëm i Grupit Balfin në fushën e turizmit, me përfaqësues të zonave të mbrojtura dhe një grup alpinistesh.
Menaxherja e projektit Green Coast, Jonida Buda tha se një nga përgjegjësitë kryesore të Projektit Green Coast është mbështetja e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të zonës, si edhe ngritja e platformës së turizmit të qëndrueshëm duke përmiresuar ndjeshëm aspektin turistik të zonës së Palasës, me synimin për ta shndërruar nga një destinacion veror në një destinacion të frekuentuar gjatë gjithë vitit.
“Viti që po mbyllim sezonin turistik ka qenë i mrekullueshëm , kemi arritur që të kemi rreth 20% më shumë turistë se një vit më parë por përsëri shifrat nuk mjaftojnë pasi ne na duhet që të shtrijmë edhe me shumë sezonin turistik. Sic shohim edhe sot jemi në mes të tetorit dhe këtu ka një bukuri të madhe, ka një ngrohtësi të konsiderueshme dhe pse jo ky të ishte një vend edhe sot i mbushur me turistë të cilët e adhurojnë natyrën, bukurinë por edhe komoditetin, prandaj kombinimi që na vjen nga kompania Green Coast , të cilen do të doja shumë ta përshëndesja për investimin që po bën për shtegun e Çezarit, është ajo çfarë ne do të kërkojmë në të gjithë zonën bregdetare”, tha ministri Klosi.
Shtegu i Çezarit do të kthehet shumë shpejt në një zonë ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, me pjesëmarrjen e alpinistëve dhe të apasionuarve pas natyrës, qofshin këta shqiptarë apo edhe ndërkombëtarë./atsh
Shqipëria feston sot 60 vjetorin e anëtarësimit në UNESCO. Nga Parku i Butrintit deri tek Liqeni i Pogradecit, 7 pasuri të trashëgimisë botërore dhe në pritje të regjistrojmë të shtatin vendi ynë është një thesar i çmuar i bukurive natyrore dhe historike.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi me anë të disa pamjeve ka ndarë bukuritë dhe veçantinë e pasurive natyrore, kulturore dhe shpirtërore shqiptare të përfshira në listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s.
Ai shprehet se ”Shqipëria ka natyrë të mrekullueshme, histori të pasur dhe kulturë autentike, çfarë e bëjnë atë një vend të admiruar nga turistët. Berati, Gjirokastra, Butrinti, Kodiku i Purpurt i Beratit, Isopolifonia, pyjet e Ahut në Rrajcë dhe Lumin e Gashit, liqeni i Prespës, janë një pjesë e thesareve të identitetit tonë që përfaqësohet në Trashëgiminë Botërore ku në qershor të vitit 2019 pritet të shtohet edhe Liqeni i Ohrit, si një trashëgimi mikse natyrore e kulturore. Këto vlera duhen ruajtur dhe përdorur bazuar në ekuilibrat e zhvillimit të qëndrueshëm”.
Pak mbi këto pasuri…
Berati
Ndërsa Berati dhe Gjirokastra janë të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si një sit i vetëm, për shkak të ngjashmërive që këto qytete paraqesin jo vetëm nga ana arkitekturore, por sidomos nga ana kulturore e historike. Ato kanë të njëjtat vlera të jashtëzakonshme universale dhe si të tilla janë konsideruar si një. Gjirokastra, qyteti i gurtë, është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, ndërsa Berati i është bashkuar kësaj liste në vitin 2008, gjatë Sesionit të Kebekut të Komitetit të Trashëgimisë Botërore.
Butrinti
Parku kombëtar i Butrintit u shpall Monument Kulture në vitin 1948, ndërsa në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur u përfshi në listën e pasurive Botërore të UNESCO-s.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarë dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit.
Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit dhe ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit dhe nga kanali i Vivarit.
Brenda parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit (amfiteatri), si dhe ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa – kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj.
Specialistë të arkeologjisë kanë theksuar se “Butrinti është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë” dhe se “çelësi është zhvillimi i ekuilibruar dhe turizmi i padëmshëm”.
Butrinti mbushur me turiste në vitin 1992 gërmimet e ndërmarra në qendrën e qytetit antik të Butrintit nxorën në dritë forumin romak të qytetit. Ndërtesa me tre dhoma ndodhet në pjesën jugore të akropolit në perëndim të ndërtesës me peristil dhe në lindje të dyqaneve romake. Mbishkrimi,i cili daton në shekullin I, pas Krishtit, flet për një tempull kushtuar perëndeshës Minerva.
Shpella e Butrintit ndodhet pranë rrugës automobilistike Sarandë-Butrint, rreth 3 kilometra larg nga qyteza e Ksamilit. Shpella vlerësohet e veçantë për nga natyra dhe për pozicioni i saj dhe ka një sipërfaqe 110 metra katrorë. Sipas arkeologëve, shpella e Butrintit ka vlera të shumta shkencore.
Ndërsa Ujësjellësi i Butrintit ka një gjatësi prej 3.5 kilometra, lartësi të kanalit 6 metra dhe gjerësi 3.5 metra. Teknikisht është një ndërtim i arritur ku gjatë trasesë së tij janë ndërtuar shumë vepra arti si, ura e kanale të përforcuara me mure mbajtëse, si dhe puseta dekantimi e kontrolli. Sipas specialistëve, ujësjellësi i Butrintit ka funksionuar deri nga fundi i shekulli IV pas Krishtit.
Gjirokastra
Një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shek 14-19, në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.
Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.
Kalaja, e ndërtuar në shek. 13, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa pazari (shek. 17) i vendosur në qendër të qytetit ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional me ndërtesa të njëpasnjëshme të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj.
Ndërtimet e kultit, që përfaqësohen nga një xhami, një tyrbe dhe dy kisha brenda ambientit të banesave, nuk luajnë rol në profilin e qytetit.
Berati
I konsideruar si qyteti i “Një mbi një dritareve”, qyteti 2400 vjeçar i Beratit është dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike të rajonit të Evropës Juglindore.Qendra e tij urbane reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.
Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë Kështjella, e ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke.
Ura me 7 harqe e Goricës, nga një urë druri, në vitin 1780 u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo është 129,3 m e gjatë, 5,3 m e gjerë dhe ngrihet 10 m mbi lumin Osum.
Ndërtesat e kultit përfshijnë disa kapitole dhe kolonada dhe dëshmojnë se në Berat kanë ekzistuar kisha paleokristiane të shekujve IV–VI (Shën Todri). Ndër kishat më të bukura të ndërtuara në shekujt XIII-XIV janë : Shën Mari Vllaherna, Shën Triadha dhe Shën Mëhilli. Në Berat ka edhe një numër ndërtesash të fesë islame, me vlera të shquara arkitektonike e artistike. Këto kisha, xhami dhe ndërtesa të tjera urbane, sidomos ansamblet e lagjeve Mangalem, Kalaja dhe Gorica, janë perla të arkitekturës mesjetare.
Kishat e Beratit janë të zbukuruara me piktura të stilit bizantin e pas-bizantin, të krijuara nga artistë të ndryshëm të shekujve XII-XIV dhe nga mjeshtrat e shekullit XVI: Onufri dhe biri i tij Nikolla.
Katedralja e Shën Marisë shquhet për ikonostasin e saj, të gdhendur në dru të larzuar me ar, një vepër artistike e cilësisë së parë.
Në Berat është gjetur një vepër e rrallë, epitafi i Glavinicës, një krijim i vitit 1373, i qëndisur në ar, argjend e mëndafsh, që tregon Krishtin e vdekur të kurorëzuar, të rrethuar me shkrime greke.
Kodiku i Purpurt i Beratit (Memoria e botës)
I klasifikuar nga UNESCO te “Memoria e botës”, Kodiku i Purpurt i Beratit daton në shekullin VI dhe është i shkruajtur në pergamen të purpurt. Ai është një nga katër kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruajtur në pergamen me shkronja ari. Që të dy këta kodikë përmbajnë pjesë nga ungjijtë të shkruajtura në greqishten e vjetër. Këta kodikë u rizbuluan në kështjellë në 1972 dhe ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Kodiku i Purpurt i Beratit ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Markut dhe sipas Matheut. Është shkruar me gërma të derdhura prej argjendi, sipas vlerësimit të ekspertëve, “në fletë të ngjashme me letrën e zakonshme, që ka të ngjarë të jetë prodhuar nga ngjeshja e shumë elementeve petëzorë me natyrë bimore, siç janë fletët e papirusit”. Por bizantologët mendojnë se lënda e dorëshkrimit është pergamenë.
Teksti i “Codex Purpureus Beratinus” është shkruar në stilin antik scripta-continuae, domethënë pa ndarje të fjalëve nga njëra-tjetra, pa thekse dhe shenja të tjera të veçimit të fjalëve.
Isopolifonia (Trashëgimia shpirtërore)
Iso polifonia shqiptare është realisht një ndër super vlerat e folklorit muzikor shqiptar por edhe të traditës folklorike botërore në përgjithësi. Struktura e ndërtimit të shumëzërëshit polifonik, lab apo tosk, është shprehje e drejtpërdrejtë e unitetit gjenetik të llojit.
Prej praktikës qindra shekullore janë ndërtuar formulat e mësipërme të cilat shprehin në thelb strukturën e iso polifonisë popullore, ajo e cila ngërthen në një të vetëm tiparet e veçanta të zërave të tjerë, përbërës të shumëzërëshit.
Iso polifonia shqiptare u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Shpirtërore të UNESCO-s më 25 nëntor 2005.
Rezerva ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë
Rezerva Ndërkufitare e Biosferes Ohër-Prespe është prej 4 vjetësh pjesë e Rrjetit Botëror të Biosferës, pas miratimit si e tillë nga Këshilli Ndërkombëtar Koordinues i Programit Njeriu dhe Biosfera të UNESKO-s, në sesionin e tij të 26-të në Jönkoping (Suedi) .
Me një sipërfaqe prej 446,244 hektarësh, RNB përfshin një pjesë të Liqenit të Ohrit dhe rrethinat e saj në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, të cilat janë të listuara në Listën e Trashëgimisë Botërore, si dhe një pjesë e liqenit të Ohrit në Shqipëri.
E gjithë zona e RNB është e pasur me biodiversitet me specie të rralla dhe të rrezikuara në mbarë botën. Për shkak të gjenezës historike të dy liqeneve, lloje të shumta endemike të cilat janë unike janë të pranishme vetëm në këto ekosisteme ujore dhe ato tokësore përreth.
Pyjet e ahut të lashtë
Dy vendet e para natyrore shqiptare kanë marrë mbrojtjen e UNESCO-s si zona të Trashëgimisë Botërore të pyjeve të ahut primar, në korrik 2017.
Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESKO-s ka miratuar zonën e pyjeve të ahut të lumit të Gashit të Shqipërisë dhe Rrajcës, dy zona të mbrojtura në nivel lokal, në Listën e Trashëgimisë Botërore si një zgjerim i zones se Trashëgimisë Botërore të pyjeve të ahut primar të Karpatet dhe Pyjeve të Ahut të Gjermanisë.
Vendimi u mor në sesionin e 41-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Krakov, Poloni.
Ekspertët shqiptarë që kanë punuar në aplikimin e UNESCO-s, kanë përshkruar zonat e miratuara si ishujt e fundit të pyjeve të virgjër që mbeten në Shqipëri.
Rrajca ndodhet në luginën e sipërme të Bushtricës brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Shebenik Jabllanicës në pjesën verilindore të Librazhdit në rajonin e Elbasanit.
Zona është gjithashtu një habitat i rëndësishëm për rrëqebullin e Ballkanit, një lloj i mbrojtur në Shqipëri.
Këto zona natyrore të Shqipërisë, tashmë zona të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, gjithashtu shërbejnë në zhvillimin e turizmit dhe përpjekjet për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Rajoni liqenit të Ohrit
Shqipëria ka dorëzuar pranë UNESCO-s dosjen dhe aplikimin për të përfshirë pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit, si zgjerim i zonës ekzistuese të Trashëgimisë Botërore të FYROM-së fqinj, si një zonë mikse natyrore dhe kulturore e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Që nga viti 2014, Shqipëria ka qenë pjesë e një projekti të financuar nga BE me Maqedoninë që ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe efektivitetit të menaxhimit për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në Liqenin e Ohrit.
Shtrirja e propozuar përfshin të gjithë pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit, Gadishullin e Linit, bregdetin bregdetar në veri të kufirit maqedonas, dhe burimet e Drilonit me rrjedhat që lidhin ato me Liqenin e Ohrit, duke mbuluar gjithsej 11,378.6 ha.
Natyra shpesh fsheh brenda vetes çudira të rralla. Krahas bukurive, ku të çlodhet syri ajo krijon për njerëzit edhe ato gjëra, që një mjek nuk mundet t’i krijojë asnjëherë. Nga të njohurit e mi kisha dëgjuar për Burimin e Lenies, në një nga zonat më të thella të Gramshit, të përdorur prej shekujsh, duke e konsideruar ndër ujërat e ftohta kuruese në Shqipëri dhe jo vetëm aty..! Burimi ndodhet në lartësinë 1684 m mbi nivelin e detit, në shtrirjen e një akullnaje të vjetër kuaternare, ku ndodhen liqene të vegjël e ku ka me shumicë pisha malore qindravjeçare.
Nga Pëllumb Gorica
Një mëngjes të bukur u nisëm drejt Lenies, që ndodhet 50 kilometra larg Gramshit. Por, për të shkuar deri atje, duhet të ecësh në një rrugë të “mundimshme’’, me zigzage të shumta e shpesh të “pasigurta’’. Nuk ke arsye të ankohesh për rrugën e “keqe’’, nëse do të shijosh të mirat e natyrës, freskinë dhe magjinë e pyjeve të pishave, si një spital natyror, e më kryesorja ujin çudibërës, ku mund të bëhesh mjek i vetvetes që të shërohesh prej sëmundjeve pa ngurruar në kohën e duhur, por edhe të qetësohesh ca ditë larg zhurmës së trevave urbane. Kur e sheh pak me gjakftohtësi këtë guxim sfidues, për të bërë “celebrimin” e ligjshëm ajo ndjenja e furishme përbrenda vetes, të bën të mos ndjesh lodhje. Makina jonë ndoqi rrugën në të majtë të rrjedhës së lumit Devoll, që gjarpëron si një vijë e hollë dhe e kaltër grykave, pyjeve e kurrizeve shkëmbore.
Të kthyer në drejtim të xhamave të dritareve vështronim Bërsnikun, Kodovjatin, Bulçarin dhe Tragjinin, fshatra të vendosur rrëzë kodrave, që shfaqen si njolla shkëndijore në atë qilim të gjelbër të pyjeve. Edhe këtu erozioni ka bërë punën e vet së bashku me dorën lakmitare të njeriut, me pasojë shkatërrimin e ekuilibrit të natyrës, duke masakruar pyjet. Ndërkohë pushtohesh nga një ndjenjë zhgënjimi e arratisë së dhimbshme të fshatrave, si një kambanë alarmi, që do sjellë boshatisjen e tyre nga mungesa e kushteve për të jetuar, më kryesorja rrugës së pashtruar gjithë gropa, pluhur dhe lodhje, e cila prej vitesh nuk ka pasur përkujdesjen e duhur. Në Qafën e Dushkut, si portë natyrore të shfaqet në pëllëmbë të dorës, Kurata, Grabova e Poshtme dhe Shënepremte, me shtëpitë grupe-grupe sa një dorë, të fshehura mes gjelbërimit, si gjithë fshatrat e Gramshit. Më lart Shënepremtes është Grabova e Sipërme e banuar nga vllehët, të vendosur këtu pas djegies dhe shkatërrimit të parë të Voskopojës, që për të siguruar vetëqenien e tyre shkuan drejt vendeve të mbrojtura, me ujë, toka, livadhe e pyje. Qafa e Dushkut ka shërbyer si vijë fronti lufte sa herë janë dyndur ushtritë pushtuese. Historitë tregojnë se në Luftën e dytë Botërore u kthye në arenë luftimesh midis ushtrive italiane dhe greke, ku secila palë me kacafytje dhëmb për dhëmb për jetë a vdekje, të kapnin lartësitë e malit të Lenies. Një histori lufte ”me veten e tyre”, me shumë elementë strategjikë, por deri më sot është “enigmë”.
– Pas përfundimit të luftës, – tregon Bajram Haxhillari nga Grabova e Poshtme, ushtarët italianë nuk kishin bukë për të ngrënë. Ata vinin në shtëpitë tona dhe kërkonin nga prindërit tanë t’u jepnin atyre bukë. I trajtuan si vëllezër se nuk ka faj ushtari, por ata që drejtojnë luftën. Shënepremte e mbledhur në lugun e kodrave, me lagje të shpërndara rrëzë tyre s’kishte se si të mos rrëmbente vështrimin tonë. Masat shkëmbore, i kanë dhënë forma të veçanta peizazhit të saj. Aty kalon një urë metalike, me dy gurë si gardianë besnikë të mureve të kalasë antike, ku gjurmët humbasin mes arave dhe ndërtimeve. Më lart shfaqet një e çarë pingule me dy shkëmbinj të njëjtë rreth 1.5 km ( Shkëmbi i Kopaçit), me mbi 500 metra lartësi shquhet, si një monument që e ka krijuar natyra me aq madhështi. Thuhet se shekuj më parë Shënepremte ishte tepër e populluar, me një kulturë të zhvilluar për kohën, ku endeshin zhurmat, duke jetuar me të mirat dhe të këqijat e saj. E vështirë jeta, por e kapërcyeshme pranë ajrit të pastër, pyjeve dhe maleve përreth. Nga shfletimet e dokumenteve dhe historive të dëgjuara, kanë lënë gjurmë ngjarje të rëndësishme të ndikuara nga faktorë historikë, trashëgimie, ekonomikë e social. Figurat e saj në kohë ishin liridashëse pro kombëtare, të qëndresës ndaj çdo shkelësi të huaj, sepse shpirti i tyre, si vetë natyra, kishte forcuar tek ata tiparet e termit “burrë”, të këngës e muhabetit, besnikërisë, guximit, zemërgjerësisë e sakrificave ndaj vetvetes. Këto vlera të skalitura në shekuj shikoheshin nga partiakët në dy këndvështrime, si në pozitiven dhe negativen e situatave. Të vijnë në mëndje histori rrëqethëse, kur kuadrot partiakë nga Gramshi shtroheshin në darka të mëdha aty dhe të nesërmen e dënonin mikpritësin me burg. Sigurisht janë kohë të tjera dhe ndryshimi në Shqipëri në fillim të viteve ’90, të kalimit nga centralizimi në kapitalizëm edhe këtu krijoi probleme. Pas kësaj gjërat morën dhe një kah të kundërt, sa pati stërmundim për kapërcimin e vështirësive të panjohura. Por zgjidhja erdhi nga lëvizja e pakontrolluar e emigrimit jashtë shtetit dhe drejt qyteteve më shumë se gjysmës së banorëve për një të ardhme më të mirë. Të pamundurit, që nuk janë larguar nga vendlindja kanë investuar aty, duke shfrytëzuar mundësitë që u ka dhuruar natyra.
Mali i Lenies
Rruga kalonte mes për mes shtëpive, të rrethuara nga kopshtije me lloj- lloj frutash, që tregonte se banorët i kanë trajtuar paqësisht e mjeshtërisht ato, me tradita që burojnë nga thellësitë e shekujve. Të mësuar me lëvizjet në këtë periudhë, por të zënë me punët e tyre në arat dhe stanet, me ballafaqimin e vështirësive ata janë të çlirët nga kureshtja e mysafirëve që shkelin aty. Ne, duke u ngjitur nëpër një varg kodrash që ngrenë shpinën në malin e Lenies, në një të përpjetë që sa vinte e bëhej më e vështirë, na bënte të shijonim bukuri të tjera. Emrin mali sipas një legjende e ka marrë nga mbretëresha Lenje, që mbretëronte viset rreth e qark. Me pyjet, gurët, kullotat, bimët medicinale dhe ujin e jashtëzakonshëm ai shfrytëzohet në interes të mirëqenies së banorëve dhe u jep një avantazh të madh për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm, duke mos u mjaftuar me një muaj. Por nëse do të investohet, së pari rruga me asfalt, duke e lidhur me Gramshin vizitorët do të vinin ndoshta me mijëra e s’do të ishin thjeshtë frekuentues të ujit çudibërës. Por, këtu ato mungojnë dhe shteti nëpërmjet projekteve për një fshat turistik mund ta ringrejë nga gjendja ku ndodhet.
Të njohësh sfidat kuruese të natyrës
Me këto mendime përgjatë rrugës gjarpëronjëse, që sa vinte e bëhej e përpjetë dhe me hendeqe të thella, ku në të rrallë kalonte ndonjë makinë, i afrohemi lartësive të Lenies, që kufizohen me fshatrat malorë të Pogradecit dhe të Korçës. Të binin në sy lëndinat, ku bari kishte marrë ngjyrë okrri e mizëronin tufa delesh, të cilat përtypnin e ripërtypnin atë. Tringëllimat e zile-këmborëve, melodia e fyellit dhe kënga e zogjve të sillnin një kënaqësi shpirtërore. Ndalesën tjetër e bëjmë pranë një pylli me dru gjithfarësh deri edhe pemë frutore, identike, si në lartësitë e tjera rreth e rrotull, aty- këtu stane e lera uji të cilat lehtësonin punën e barinjve dhe përmirësonin regjimin kullosor të bagëtive. Diku mbrapa malit dëgjohen ca shpërthime. Janë punimet për Hidocentralin e Moglicës, që po konturon digën e tij në rrjedhën e Devollit, pothuajse një orë rrugë më këmbë larg që këtej. Ecim dhe pak derisa derisa mbërrijmë në një shesh të gjerë, të thatë e të mbrojtur nga erërat, në mes dy përrenjve që gurgullonin ujërat drejt Shënepremtes. Ajri dridhej nga zhurmat e makinave, hingëllimat e kuajve dhe zërave njerëzorë, që ashtu siç thuhet s’ke ku të hedhësh kokrrën e mollës. Ne arrijmë, por të tjerë nxitojnë të ikin prej andej, me plot lëvizje e gjallëri. Në mes të tij shfaqej në guackën e vet një godinë e gurtë hijerëndë e të vetmit hotel këtu, me një arkitekturë kubike, të cilën po ta kundroje, të ngjante si një kapanon ushtrie, rrethuar nga dy tre baraka dhe qindra çadra në mënyrë kaotike, të ngritura këtu për një muaj rresht çdo vit. Nuk pret komoditete, por në thjeshtësinë e pajisjeve, ato sigurojnë kushte, ku mund të kalohet nata e freskët. Kjo periudhë aktiviteti ka shpërthime dhe pushime të përkohshme, që nuk zgjat më shumë se, nga fillimi i gushtit deri në mes të shtatorit.
-Ky numër të ardhurish në këtë kohë, nga anë e anës është shumë i madh për Lenien – thotë Bledi Bici, që shkon në më shumë se 300 në ditë, me shpresën për t’u kuruar u lehtëson dhimbjet, largon stresin, kënaq sytë dhe qetëson shpirtin. Me ardhjen e tyre duket se edhe natyra këtu merr pamje tjetër dhe gjithçka gjallërohet. Bledi na sistemon diku në mesin e hapësirës së çadrave. Qemë lodhur pas asaj ngjitje dhe një kafe e shoqëruar me një gotë ujë do e zhbënte atë, por kureshtja të bën t’i afrohesh burimit që gurgullonte nga një lëfyt i vogël.
Pak më poshtë në gjendje natyrale uji i burimit kishte formuar një gropë të rrethuar me gurë, me diametër 3 metra, i cili qarkullonte vazhdueshëm e derdhej në një liqen me sipërfaqe ujore 2.5 ha, si një sy i kaltër. Rrezet e diellit e bënin më shkëlqyese pamjen e tij dhe gjithashtu edhe atë vend me gurë e drurë. Ndërkohë që aty ziente gjallëria, pamja e natyrës ishte aq romantike dhe e thyer sa s’mund ta përshkruash dot, nga shkëmbinjtë me forma interesante dhe pyll i veshur me pisha që krihen e tunden nga era.
Në qiell ndonjë re e bardhë, të ngjante si një dele e shkëputur nga tufa. Mjekë dhe studiues vendas e kanë vëzhguar me përkushtim se ç’fshihet në përbërjen e vetive të këtij burimi që shëron. Ndalesat e tyre në studime shkencore përcaktuan fuqinë kuruese të burimit të freskët të Lenies, i cili shkon në temperaturën 3 gradë gjatë verës së nxehtë.
Përmbajtja e disa kripërave të pasuara me kalcium, magnez, sulfate të natriumit me pH neutral, jo vetëm për t’u pirë, por edhe me banjën ndihmojnë për reumatizmin, sëmundjet bllokuese të gjunjëve, krahëve, tendinëve, paralizave, edhe për ato me anemi, anoreksi, astmë, bronshit, ftohje, edema, gastrit, të sindromës së zorrës së irrituar, hemorroideve, sinozitit, teshtitjeve, por jo për ata me sëmundje të rënda të zemrës dhe mushkërive për të cilat është i domosdoshëm miratimi i mjekut.
Mos ta zemërojmë Natyrën, ajo ka ligjet e veta ndëshkuese!
Por, megjithë frekuentimin e jashtëzakonshëm këtu nuk ka shërbim mjeksor për kontrollin e tyre para hyrjes në ujin e ftohtë e cila mund të jetë fatale. Dhe rastet nuk kanë munguar. Banjat në pus për çdo njeri zgjasin rreth 15 minuta, njëherë në ditë. Çdo frekuentues zhyt trupin në ujë dhe mundohet të durojë temperaturën e ulët. Larja e përditshme në pus e qindra njerëzve kërkonte edhe respektimin e higjienës me sa lejonin kushtet. Edhe pse ishte investuar për grumbullimin e mbetjeve atje përsëri ndotej Natyra. Në një vëzhgim të shkurtër të bënin përshtypje kasapët që thernin qengja dhe mbetjet i hidhnin në grykëderdhjen e burimit, gra të cilat hidhnin mbetjet e tyre higjienike në ujë me besëtytni se do u largoheshin sëmundjet, apo te veprimet e pijanecëve ordinerë, që pasi mbaronin së piri i thyenin shishet me birra ku të mundnin. Natyra ka ligjet e veta të miratuara qysh me krijimin e saj. Ajo mund të na ndëshkojë siç ka bërë me burime të tjera, duke i tharë ose zhdukur ato, ndaj të mos e keqtrajtojmë këtë dhuratë të Natyrës, për t`ua lënë trashëgim brezave të ardhshëm. Pas banjës, sipas rregullave, kuruesi nuk duhet të qëndrojë në vend, por për disa minuta duhet të bëjë ushtrime dhe ecje për të mos e ndjerë të ftohtin. Ai duhet të shtrihet më pas e të mbulohet me batanije e ndoshta edhe të flejë një orë sa të djersijë. Rregulla të tjera thonë se kuruesit nuk duhet të konsumojnë as mish dhe as alkol. Megjithëse të panjohur shumë shpejt miqësohesh me ata që janë pranë pusit. Bisedat vërtiten rreth vetive kuruese, ku secili tregon diçka të dëgjuar për mrekullitë e ujit, ndonjëherë të ekzagjeruara nga fantazia e shfrenuar e tyre. Tregimet shpesh ishin të veshura me cilësi të veçanta për njerëz që janë shëruar, e s’është e udhës të përmendim grimca dëshmish të përfitimit nga uji çudibërës.
– Që ka vlerë kurues ky ujë është e padiskutueshme – thotë Tahiri nga Dumrea, se ndryshe nuk do të tërhiqnin njerëz të panumërt. Neimi, një banor vendas tregtonte djathë. E pyesim për toponiminë e Ujit të Ftohtë.
-Këtu shuanin etjen barinjtë dhe udhëtarët që kalonin. Dikur një çoban i këtyre anëve kthehet nga meraja dimërore dhe meqë kishte shumë ujë, bashkë me delet qëndronte pranë këtij burimi. Mushkën e tij e pickoi miza dhe vrapin e ndali te pusi, ku u mbyt. Ndaj e quajnë burimi i mushkës. Ai e tregoi aq rrjedhshëm dhe me aq pasion, sa të krijonte përshtypjen sikur kishte qenë dëshmitar i kësaj ngjarje. Është quajtur edhe pusi i grave. Kështu thoshin pleqtë e moçëm. Me energjinë e zhurmshme orët në kampingun pranë burimit të Lenies kalojnë në çaste të këndshme, të vogla në përmbajtje të tyre, por të mëdha nga kuptimi i kënaqësisë. Për të pasur një syshikim të gjerë, të apasionuarit e eksplorimit të natyrës u bien kryq e tërthor pyjeve, livadheve pa mbarim të malit të Valamares aq të dashura për qetësinë dhe freskinë, duke kapërcyer, shkëmbinjtë e trungjet e rrëzuara të pishave, gropa dhe brigje, gurë të copëtuar që thurin e thyejnë peizazhin këtu. Pa dyshim që në rrethana të tilla romantikën e shijon tej mase, rreth zjarreve, ku freskinë nuk e ndjen, por zhurmat ngjajnë me një zgjua blete që s’pushon as natën vonë, me këngët që çiltërsojnë gjendjen, si në një festë të bukur. Bota krijon aty ku s’ka, kurse banorëve të Lenies Natyra ua dhuroi me bujari burimin e ftohtë të Lenies, që është rrallë ta gjesh, si një bekim i saj, ndaj duhet ta njohim, ruajmë e të rritim më tej vlerat kurative e turistike. Sa më shumë që largohemi nga ky burim i ftohtë kurativ aq më shumë e ndjejmë veten të lidhur me ujin e tij të kristaltë.