Art-Kulture

Ambasadorja Kim viziton Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim zhvilloi një vizitë në qytetin e Vlorës.

Gjatë vizitës së saj në Vlorë, ambasadorja Kim vizitoi Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, bën të ditur Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Duke mësuar mbi ngjarjet që sollën shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ambasadores i lanë mbresa veprimet e Ismail Qemalit, bashkimi i kombit dhe vendosmëria e tij për liri.

“Ndërsa vizitonte muzeun, ambasadorja Kim mësoi më shumë mbi ngjarjet që sollën shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Asaj i lanë mbresa veprimet e Ismail Qemalit, bashkimi i kombit dhe vendosmëria e tij për liri”, bën të ditur Ambasada e SHBA-së në Tiranë./atsh

Ambasadorja Kim viziton Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë Read More »

Berati 12 vjet në UNESCO/ Qyteti i “një mbi një dritareve”, tashmë destinacion turistik për vizitorët nga e gjithë bota

Vlerat historike, arkitektonike dhe kulturore e bëjnë Beratin një ndër qytetet më unike në Shqipëri dhe në botë.

Sot qyteti i një mbi një dritareve shënon 12-vjetorin e hyrjes në UNESCO. Më 8 korrik 2008 në sesionin e 32-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të mbajtur në Kanada, Berati u regjistrua si sit i Trashëgimisë Botërore.

Hyrja në UNESCO shënoi maksimumin e vlerësimit të vlerave duke i konfirmuar ato jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar.

Bërja pjesë në pasuritë botërore i dha mundësinë qytetit të promovohej si sit ndërkombëtar dhe të bëhej pjesë e guidave të ndryshme duke bëre që Berati të kthehet në destinacion turistik botëror.

“Plot 12 vjet më parë, qyteti i “Një mbi një dritareve” u pranua në listën e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Berati, një qytet-muze, ku çdo rrugicë me kalldrëm, çdo shtëpi, kishë, xhami mbart vlera të jashtëzakonshme, histori, kulturë, traditë.
Berati, një destinacion turistik e kulturor, që nuk duhet humbur”, – shprehet Margariti.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Beratiit, Ervin Demo, teksa shpreh mirënjohje për brezat që kanë ruajtur këtë trashëgimi të rrallë thekson se “bashkia e Beratit do vijojë me promovimin e turizmit në qytet dhe ruajtjen e objekteve me pëgjegjësinë e duhur siç e meriton Berati në UNESCO”.

Berati vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i shumë vizitorëve nga vendi dhe bota.

Një interes të madh turistët kanë treguar për kalanë, Muzeun Ikonografik Onufri, Muzeun Etnografik, si dhe lagjet e vjetra e të qytetit: Mangalem e Goricë, si dhe Urën e Goricës.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta./atsh

Berati 12 vjet në UNESCO/ Qyteti i “një mbi një dritareve”, tashmë destinacion turistik për vizitorët nga e gjithë bota Read More »

Vlera të jashtëzakonshme historike/ Zbulohet varreza tumulare e periudhës së Bronzit të Vonë në Himarë

/ “Lajm të bukur” e cilësoi sot Kryeministri Edi Rama, zbulimin e një varreze tumulare të periudhës së Bronzit të Vonë në Himarë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë, së bashku me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore kanë zbuluar një varrezë tumulare të periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII para Erës Sonë) në Himarë.

Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit jonian.

Në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik nga gërryerja e përroit, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së Bronzit të Vonë dhe disa varre ciste.

“Për një dokumentim më të plotë të varrezës, dy javët e fundit të muajit qershor të këtij viti, u realizua faza e dytë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, ku u zbulua një tumë e dytë, e cila konfirmoi ekzistencën e një varreze tumulare me vlera të jashtëzakonshme historike”, u shpreh kryeministri Rama./atsh

Vlera të jashtëzakonshme historike/ Zbulohet varreza tumulare e periudhës së Bronzit të Vonë në Himarë Read More »

Zbulohet varreza tumulare në Himarë, i përket periudhës së Bronzit të Vonë

Një tjetër tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) është zbuluar ditët e fundit në Himarë nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë, së bashku me Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi atë një zbulim të rëndësishëm për datimin e vendbanimit në qytetin e Himarës.

“Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit të Himarës. Varret e dala në sipërfaqe kërcënoheshin të dëmtoheshin nga rrjedha e përroit dhe nga ndërhyrjet klandestine, për këtë arsye, në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) dhe disa varre ciste”, tha Margariti.

Ministrja u shpreh se “për një dokumentim më të plotë të varrezës, dy javët e fundit të muajit qershor, të vitit 2020 u realizua faza e dytë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, ku u zbulua një tumë e dytë, e cila konfirmon ekzistencën e një varreze tumulare pranë qytetit të Himarës”.

Sipas saj, tashmë materiali arkeologjik është zhvendosur në hapësirat e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Vlorë.

“Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do të vendosë mbi hapat e mëtejshme, që do të ndërmerren. Tashmë është radha e studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, që ta çojnë më tej këtë zbulim të rëndësishëm”, tha Margariti./atsh

Zbulohet varreza tumulare në Himarë, i përket periudhës së Bronzit të Vonë Read More »

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti më i ri i Rilindjes Urbane në Vlorë

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti më i ri i rilindjes urbane në Vlorë.

Rama tha se Parku i Shtëpisë së Pavarësisë do të marrë jetë së shpejti në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës, deri tek porti.

Ai do të lidhë bulevardin e ri “Ismail Qemali” me Lungomaren.

“Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është projekti më i ri i Rilindjes Urbane të Vlorës, i cili do të marrë jetë së shpejti në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës deri tek porti, ku do të lidhë bulevardin e ri Ismail Qemali me Lungomaren. Vlora që duam”, tha Rama./atsh

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti më i ri i Rilindjes Urbane në Vlorë Read More »

Presidenti nderon dy këngëtarët e shquar të polifonisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Skraparin, ku vlerësoi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” këngëtarin e shquar Demir Zyko (pas vdekjes), me motivacionin: “Për vlerat e spikatura si këngëtar me zë të artë i polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje ndaj bartësit të shquar të vlerave të trashëgimisë muzikore dhe shpirtërore shqiptare, i cili ishte dhe mbeti një model i rrallë për ruajtjen dhe përcjelljen e tyre ndër breza”.

Meta çmoi gjithashtu edhe Dule Caushaj (Malindi) me titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Për kontributet e tij të shquara në përfaqësimin dinjitoz të polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje për interpretimet e rralla si këngëtar me vlera të veçanta në shpalosjen e kësaj trashëgimie të vyer, brenda dhe jashtë vendit tonë”.

“Malet dhe këngët e kanë shpëtuar kombin tonë! Malet, sepse gjithmonë kanë qenë fortesat e lirisë dhe të qëndresës, dhe këngët sepse përmes tyre u ruajt gjuha dhe u trashëgua brez pas brezi krenaria dhe identiteti kombëtar”, tha Presidenti Meta.

Ndaj, shtoi ai, “ishte kënaqësi e veçantë të vlerësoja sot në Skrapar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, një personalitet të shquar të artit e këngës popullore shqiptare, përfaqësues të denjë të polifonisë me iso të Toskërisë, Demir Zykon”.

“”Xha Demiri”, së bashku me bashkëpunëtorët e tij Medin Kushe, Shahit Gjinari, Neshat Ebibasi, Agim Cakrani, e shumë të tjerë u këndoi si askush tjetër halleve, vuajtjeve, kurbetit, sakrificave të shqiptarëve, por si rrallëkush i këndoi lirisë dhe maleve tona”, u shpreh Meta.

“Një vijues i çmuar i traditës më të mirë të isopolifonisë të Toskërisë i zonës së Skraparit është edhe Dule Malindi, i cili ka mbajtur gjallë këngët e Skraparit dhe ato kombëtare”, tha Meta.

“I lindur në fshatin Malind të poetit tonë të madh, Xhevahir Spahiu, edhe Dule Malindi është një këngëtar me vlera të veçanta në përçimin e kësaj trashëgimie të pasur brenda dhe jashtë vendit, të cilit sot kisha kënaqësinë ta vlerësoja me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’, u shpreh Meta./atsh

Presidenti nderon dy këngëtarët e shquar të polifonisë Read More »

Kthim në identitet për Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, Finiq

Kisha e Manastirit të Shën Kollit, në Mesopotam, Finiq, monument kulture i kategorisë së parë, i është nënshtruar procesit të restaurimit në dy faza të ndryshme.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë tha se “faza e parë konsistoi në përforcimin konstruktiv të strukturës së kishës, restaurimin e çatisë, konsolidimin e muraturës, si dhe restaurimin e ambienteve të brendshme të saj”.

Sipas saj, në fazën e dytë u krye restaurimi dhe konsolidimi i mureve rrethues të manastirit si dhe përforcimi konstruktiv i kambanares.

“Këto ndërhyrje restauruese kanë kthyer në identitet një nga monumentet më të rëndësishëm të besimit të krishterë në jug të Shqipërisë”, tha DRKK Vlorë.

Kisha e Shën Kollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Në fillim ka ekzistuar si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha e Shën Kollit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku.

Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues me një sipërfaqe rreth 100 m² dhe kontrollohen nga 9 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershme sesa kisha.

Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera origjinale.

Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive floreale e zoomorfe, gjithashtu dhe për dekoret e punuara me tulla në muraturën e jashtme si dhe në harqet e dritareve dhe hyrjeve.

Basorelievet e rivendosura ne muret e kishës në forma të ndryshme ku përmendim: një shqiponjë, dy dragonj dhe një luan në njërën anë ndërsa në anën tjetër ndodhen figura mitologjike.

Kisha përbëhet nga salla e madhe e lutjeve dhe nga dy ambiente më të vogla. Motivi qendror në mozaikun e sallës paraqet një dragua me krahë të hapura. Kisha ka pasur dy rindërtime në vitet 1793 dhe 1845. /atsh

Kthim në identitet për Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, Finiq Read More »

Histori dhe natyrë/ Kalaja e Bashtovës, destinacion për t’u vizituar këtë verë

Kalaja e Bashtovës, një monument kulture i ndërtuar në shekullin XV, me vlerat e saj historike dhe bukurinë natyrore është një tjetër destinacion për t’u vizituar këtë verë.

Në vijim të promovimit të destinacioneve të turizmit kulturor në vend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndau sot pamje nga Kalaja e Bashtovës.

“Ne shqiptarët mbajmë emrin e shqiponjës. Siç shkruan rilindasi i madh Naim Frashëri: ”Shpesi që i themi “shqipe” ishte sipas besës zogu i Hyjit dhe shenjë e trimërisë. Andaj e kishin në flamur shqiptarët e vjetër, pa nga shqipja u quajtën shqiptarë”. Me këto pamje nga Kalaja e Bashtovës, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Balla.

E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, nga muret e kalasë mund të vëzhgosh bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta.

Kalaja e Bashtovës ndodhet në njësinë administrative Gosë, pjesë e bashkisë Rrogozhinë, me ndarjen e re administrative. Këtu ndahet territori i qarkut të Tiranës me atë të Fierit.

Për herë të parë, kalaja haset në një hartë detare të vitit 1521.

Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.

Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që ju do ta gjeni vetëm disa kilometra jashtë Kavajës dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit.

Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve./atsh

Histori dhe natyrë/ Kalaja e Bashtovës, destinacion për t’u vizituar këtë verë Read More »