Gallata që ka shpërthyer me avionin “Rama”, na kujtoi historinë e autobusit të fshatit Kuç në Vlorë, jo për historinë, që gjithë banorët e fshatit, u përleshën kush e kush të ulej në vend të parë të autbusit dhe mbeti shprehje popullore: “U bërë, si autobusi Kuçit”, por si një episod tjetër, po me këtë autobus.
Cila është historia? Pas luftës, banorët e Kuçit, i kërkuan Hysni Kapos, t’u jepte një autobus, vetëm për fshatin e tyre, që të mos shkonin me gomerë e mushka në Vlorë, por të kapardiseshin, mbasi sipas tyre, “kishin derdhur gjak për luftën dhe e meritonin”.
Pas bisedës me Enver Hoxhën, Hysniu, djalë dhe deputet i nderuar i zonës, pas 3 muajsh u çoi në mes të fshatit, një autobus “Skoda”, me banerolën “Dhuratë për Kuçin Heroik”.
Bashkë me autobusin, shkoi dhe Hysni Kapo, që t’ua dorëzonte vetë banorëve të Kuçit, me ceremoni, këngë, valle, mish, raki e muhabet labërie, ku ishin ftuar dhe ish-partizanë e kuadro nga Vlora e fshtarat rrotull.
Në muhabet e sipër, Hysni Kapo, u tha kuçiotëve: – Autobusi është vetëm për Kuçin, por që të mos u mbetet qejfi të tjerëve, shoku Enver më porositi t’ju them, që fillimisht, t’u bëjmë nga një xhiro deri në Vlorë edhe banorëve të 10 fshatrave të tjerë të zonës.
Deshën s’deshën, banorët e Kuçit “s’e bënë dy” fjalën e komandantit dhe 10 ditët e para, autobusi filloi çonte për shëtitje në Vlorë, banorët e 10 fshatrave, të cilët i caktonte sekretari i partisë, që të ishin njerëz të lidhur me partinë dhe pushtetin popullor.
Tamam, si me autobusin e Kuçit që u çoi Hysni Kapo, po vepron dhe Edi Rama, me avionin që i solli Sinani nga Vlora. Para se t’a përfshijë në linjat e shërbimit ndaj qytetarëve, po u bën shëtitje studentëve, artistëve, gazetarëve, pensionistëve e të tjerëve, që janë “bijë e bija të partisë”, duke ia lënë ti bëjë listat e eskursionistëve, jo sekretarit të partisë, po Endri Fugës së 99-ave./Pamfleti