Aktualitet

Himarë/Gjiknuri: Vota e 30 qershorit, votë për zhvillimin dhe stabilitetin

Drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri, deklaroi sot se vota e 30 qershorit është votë për stabilitetin e vendit.

Duke folur nga Himara, ku u zhvillua takimi elektoral për të prezantuar kandidatin e PS, Jorgo Goro në këtë bashki, Gjiknuri u shpreh se, “e kemi parë vetë se ç’ka bërë qeveria e PS për këtë zonë dhe jemi dëshmitarë të ndryshimit”.

“Kjo zonë këto vite është transofrmuar tërësisht. Ka parë një transformim rrënjësor, duke e transformuar bregdetin e Jonit dhe duke e kthyer atë në një atraksion turistik mjaft të kërkuar”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri u shpreh se, “dëshira jonë ishte që të kishim një garë që himarjotët të zgjidhnin mes kandidatëve tonë dhe atyre të opozitës. Por qorrsokaku dhe paaftësia e kësaj force për të nxjerrë një kandidat serioz në Himarë bëri që të jemi vetëm. Prandaj vota në 30 qershor është votë për zhvillimin dhe për stabilitetin”.

Gjiknuri theksoi se, “priten investime të tjera shumë serioze në Himarë. Pritet rruga e lumit të Vlorës. Rruga Qeparo- Ura e Laskos do ta bëjë këtë bashki që të lidhet edhe me pjesën tjetër. Shumë shpejt fillon dhe projekti me kooperacionin italian. Është investimi i rëndësishëm për rrjetin energjitik”, .

Së fundmi, shtoi Gjiknuri, “i ftojmë të gjithë të rinjtë dhe të rejat të bëhen pjesë e bashkisë, të bëhen pjesë e ideve të reja”.

“Në 30 qershor me votën pro stabiliteit, pro qeverisë do të bëjmë të mundur rikthimin e të rinjve dhe të rejave dhe zhvillimin e Himarës”, tha Gjiknuri. /atsh

Himarë/Gjiknuri: Vota e 30 qershorit, votë për zhvillimin dhe stabilitetin Read More »

Shkarkohet kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës/ Rama: Do ndiqet penalisht

Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj djegies me molotov të godinës së KZAZ-së së Bushatit në Shkodër dhe materialeve zgjedhore duke theksuar se ” kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës Zef Hila, jo vetëm u shkarkua, por do të ndiqet penalisht”.

Kreu i qeverisë tha se kush do ta ndjekë shembullin e tij do të përballet me drejtësinë.

“Zef Hila, haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, jo vetëm u shkarkua po do të ndiqet penalisht, për aktin barbar të djegies së shkollës dhe djegies së materialeve zgjedhore! Kush do ta ndjekë shembullin e tij, do të ketë të njëjtin fat dhe do të përballet me drejtësinë”, tha Rama./atsh

Shkarkohet kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës/ Rama: Do ndiqet penalisht Read More »

Vlora emblemë e transformimeve, perandoresha e turizmit shqiptar

Vlora është një emblemë e transformimeve që kanë ndodhur për gjatë këtij mandati, shprehet kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili kandidatin për një tjetër mandat në qytetin bregdetar.

Në një intervistë për ERTV, ku ka folur për transformimin e bërë në këto 4 vite dhe projektet për mandatin e ardhshëm, Leli e cilësoi Lungomaren një projekt që ka bërë krenar, jo vetëm atë por edhe Vlorën dhe vlonjatët.

“Jam shumë i lumtur dhe ne të gjithë së bashku me gjithë faktorët, por në veçanti njeriu i cili ishte pranë meje dhe dua ta përmend është Edi Rama që pa të cilin do ishte e pamundur që të bënim këto transformime në Vlorë. Sot në fund të 4 viteve kemi ç’tu themi shqiptarëve dhe vlonjatëve mbi çfarë kemi bërë”, – tha Leli.

Ai bëri të ditur se “shumë shpejt hapim në 95% projektin e bulevardit Ismail Qemali. Projekti që ndryshoi pjesën e qytetit me ndriçim dhe gjelbërim gjithëpalësh, pra një pyll të vogël brenda qytetit me korsi të dedikuar biçikletash me parkime në 2 anët e rrugëve që i ndryshoi pamjen Vlorës”.

“4 vitet e ardhshme turizmi modern do jetë objektiv. Do vazhdojmë me të njëjtin ritëm në ndryshimin e zonës rreth Muzeut të Pavarsisë, do përfundojmë projektin e rëndësishëm të zonës historike. Do rikonstruktojmë sahatin e Vlorës, markatën e vjetër, rrugën e hebrenjve. Kemi akoma rrugë për të bërë dhe ne bashkë me vlonjatët po bëjmë shumë. Kompanitë e turizmit po ofrojnë shërbime në kulinari dhe restorantet e Vlorës janë perla të zones. Karaburuni dhe Sazani janë shndërruar në perla të turizmit shqiptar dhe pas investimeve te tjera Vlora do jetë perandoresha e turizmit shqiptar. Para 4 viteve premtova rritjen e vlerës së pronave dhe sot pronat dhe vlera është 2 fishuar dhe 3 fishuar”-, nënvizoi Leli.

Ai premtoi se “do zhvillojmë projektet tona në njësitë administrative te cilat nuk e kanë prekur impaktin qe ka prekur Vlora. Infrastruktura dhe uji i pijshëm gjatë këtyre 4 viteve do të jetë objektiv bashkë me donacionin e bankës gjermane”.

“Vlora është shembulli pozitiv i transformimit të qytetit dhe Rilindja Urbane në Vlorë është shembulli më i mirë i kësaj. Vlora pësoi transformimin më te madh me këtë projekt. Njerëzit duan punë dhe premtime të mbajtura në fund të ditës dhe ata vlerësojnë punën e provuar në vite dhe rezultatin e prekur dhe kjo është arsyeja që do i bëjë qytetarët të dalin të votojnë në 30 qershor. Vlorën do ta bëjmë perlën e mesdheut”, tha Leli./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/631102570726239/?t=0

Vlora emblemë e transformimeve, perandoresha e turizmit shqiptar Read More »

Parashikimi i motit

Vendi do të ndikohet nga masa ajrore të nxehta.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti sot parashikohet me alternime vranësirash në pjesën e parë të ditës dhe më pas kthjellime në të gjithë territorin.

Era do të fryjë me drejtim Verilindje-Veriperëndim e lehtë e përkohësisht mesatare në bregdet deri në 15 m/sek.

Valëzimi në dete i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 26/37 Re diell
Kukës 23/34 Re diell
Lezhë 28/37 Re diell
Dibër 20/32 Re diell
Durrës 25/36 Re diell
Tiranë 26/38 Re diell
Elbasan 24/37 Re diell
Berat 24/37 Re diell
Vlorë 26/35 Re diell
Korçë 17/28 Re diell
Gjirokastër 19/36 Re diell
Sarandë 23/36 Re diell/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Sulmi mbi KZAZ-në/ Shfaqje e egër e dëshpërimit të Bashës, Kryemadhit, Metës e Berishës

“Sulmi mbi KZAZ-në e Vaut të Dejës është shfaqja e egër e dëshpërimit të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Ilir Metës dhe Sali Berishës, nga fundi i sigurtë me turp ditën e dielë i aventurës së tyre antikombëtare, për të marrë peng zgjedhjet që të marrin peng Shqipërinë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Duke dënuar këtë ngjarje, Rama siguroi se “ndëshkimi do të jetë shembullor”.

Militantë të PD-së në Shkodër kanë protestuar këtë mbrëmje duke sulmuar KZAZ-në numër 6 e cila është vendosur në Bushat, në palestrën e shkollës së mesme profesionale “Ndre Mjeda”.

Sipas Policisë, gjatë protestës ata kanë sulmuar KZAZ duke përdorur bomba molotov dhe mjete të tjera të forta dhe për pasojë janë plagosur 3 punonjës policie të Komisariatit Vau i Dejës, që ishin në shërbim./atsh

Sulmi mbi KZAZ-në/ Shfaqje e egër e dëshpërimit të Bashës, Kryemadhit, Metës e Berishës Read More »

Meta: 13 tetori, data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje

“Data 13 tetor 2019 e dekretuar për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, u vendos sepse kjo është data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe për të garantuar përfshirjen në procesin e administrimit të zgjedhjeve”, iu drejtua sot Presidenti Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama.

Në një shënim të hapur publik, Kreu i Shtetit u shpreh se kërkesa e tij për t’u takuar me Kryeministrin Rama, ishte pikërisht për të vendosur bashkë datën e re të zgjedhjeve vendore.

“Ti më ke privuar padrejtësisht, si në planin institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, nga mundësia për t’u takuar bashkë. Jam thellësisht i indinjuar dhe njëkohësisht i brengosur që pritjes sime sot, nga ora 05:00 e mëngjesit, ti iu përgjigje me një të larë në pishinë vetëm 200 metra larg Presidencës. Doja ta vendosnim bashkë datën e zgjedhjeve dhe kam që nga data 8 qershor 2019 që të pres e të pres, me shpresë”, tha Meta.

Ai tha se “nuk mund ta linte Shqipërinë pa një datë të zgjedhjeve vendore dhe t’u mohonte shqiptarëve të drejtën për të votuar në mënyrë të qetë, në paqe dhe me alternativa”.

“Ne të dy e dimë mirë, nga ata që vendosin për të ardhmen europiane të Shqipërisë, se nuk ka çelje të negociatave me Bashkimin Europian me zgjedhje monopartiake, siç ia ke marrë vrapit t’i bësh ti, përkundrazi”, tha Meta.

Ai kujtoi se “në 17-18 tetor 2019 ne presim mbledhjen e Këshillit Europian, që do të mund të vendosë për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Ti thua se data e dekretuar nga unë është dhuratë me rastin e ditëlindjes së Doktorit më 15 tetor. Ti e di që unë nuk ta kam fshehur asnjëherë, as ty dhe as publikut, dobësinë që kam për Doktorin. Njerëz jemi, kemi edhe pika të dobëta. Por edhe ti nuk është se e “urren” aq shumë, sa aktron para kamerave dhe militantëve të tu. Aq më tepër që marrëveshjet më të mëdha në këtë vend i keni bërë ti dhe Doktori, siç ishte edhe ajo brenda natës që ndryshoi themelet e Kushtetutës, që ishte votuar me referendum nga i gjithë populli, dhe pasojat e të cilës i vuajmë edhe sot”, tha ai.

Natyrisht, vijoi Meta, “që nuk ka lidhje as me 18 tetorin, ditën e lindjes së udhëheqësit të fundit komunist, Ramiz Alia, i cili, pavarësisht formimit të tij komunist, nuk besoj se e ke harruar, tregoi përgjegjshmëri të lartë me shtyrjen e zgjedhjeve në vitin 1991, duke i krijuar hapësirat e duhura opozitës për të marrë pjesë në to, për të mirën e vendit”.

“Ndaj të lutem Edi tregohu vizionar, reflekto dhe mos na zhgënje”, thotë në fund Presidenti. /atsh

Meta: 13 tetori, data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje Read More »

Te gropa që duan të fundosin Shqipërinë, do të bien vetë një nga një

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi elektoral në Fier, u shpreh se, opozita do rrëzohet vetë te gropa që ka hapur për të rrëzuar Shqipërinë.

“Lajmi i mirë është që filxhani plasi dhe ofensiva dështoi. Lajmi i mirë është që gropa që kanë bërë thuajse gati për të fundosur Shqipërinë, është gropa ku do të bien vetë një nga një”, – tha Rama.

“Ne ndahemi sa të doni tek shumë gjëra, që na bëjnë ne socialistë e ata demokratë. Por, ne nuk mund të ndahemi kurrë me shqiptarët dhe shqiptarët s’duhet të ndahen kurrë me ne për drejtësinë e drejtë”, – tha Rama.

“Unë e thashë se çmenduria e parë do pasonte të dytën. U bë 13 tetor. Thashë 21, po 21 del e hënë, ndërhyri dhe fallxhorja dhe u bë 13. Në fakt kjo është e dhimbshme, por me këta karagjozë ne duhet edhe të qeshim, sepse historia e këtij karagjozllëku do mbahet mend gjatë, ndërsa është vërtetë e dhimbshme, pasi përmes kësaj u bë nami këtu, se do plaste ’97-ta. Por kjo nuk lidhet me zgjedhjet. Zgjedhjet janë pengu, për të marrë peng Shqipërinë, për të mos lejuar Shqipërinë për të marrë negociatat me BE”, – tha Rama.

“Haxhiu i parë i kishte tmerr Perëndimorët, Haxhiu i dytë, ka tmerr OMN. Njësoj janë dhe në këtë pikë. Pse e gjitha kjo? Si ka mundësi që e gjithë kjo valë protestash u shoqërua me një furi balte mbi fytyrën e Shqipërisë jashtë kufijve?” – tha Rama.

“Si ka mundësi që këta gëzoheshin, kur fotografitë me molotovë, të atyre protestave të popullit imagjinar të bashkive, të një partie rrugëhumbur, me disa të rinj po rrugëhumbur, të paguar për t’i vënë zjarrin godinave, për të treguar se do bëhej nami, dilnin jashtë vendit. Jo për të më larguar mua, se e dinin mirë, si Saliu, si Meta, si fallxhorja, ashtu edhe Xhuljeta, se qeveria nuk ikën me protesta. Një qeveri e zgjedhur që ka shumicën në parlament, nuk hidhet me protesta. Le të marrin buldozer e të shkatërrojnë godinat, apo t’i hedhin në erë, nuk ikën qeveria”, – tha Rama.

“Ata s’e kanë me qeverinë dhe kokën time. Këto i përdorin për ata rrugëhumburit e tjerë që do sjellin në bulevard. Hajdeni sot se do e rrëzojmë, hajdeni të shtunën se do e rrëzojmë, dhe pasi këndohej himni, të nesërmen vijonte jeta normalisht. Këto thirrje u realizonin me tendencën për t’i thënë atyre jashtë, që duan të ulen për të hapur negociatat me ne, se si mund të uleni në tryezë me këtë vend që është rrëmujë, me narkoshtetin”.

“Miqtë tanë me të drejtë mund të dekurajohen me skena të tilla, ku askund në historinë e demokracive europiane, si askund dhe në Ballkan, ikën opozita nga parlamenti dhe marrin molotovin, çmenden komplet. Ato që kanë pikëpamje tjetër për Europën fërkojnë duart nga këto skena”, – tha Rama.

“Këta karagjozë janë të gatshëm të provojnë gjithë marrëzitë e tyre dhe po i bëjnë Shqipërisë atë që armiqtë tanë nuk ia kanë bërë. Pse e kanë tmerr momentin e uljes në tryezë e BE? Sepse ulja është njësoj sikur të dërgosh fjalë për të kërkuar dorën për martesë, dhe ajo familja e madhe thotë hajde na provoni se jeni të besueshëm për t’u bërë pjesë e jona, na tregoni se jeni besnikë ndaj vlerave dhe parimeve tona. Na tregoni se jeni si ne, që kjo ka sukses për të dyja palët. Dhe këtu është lepuri që fle, ose më saktë rri zgjuar në barkun e katër aventurierëve”, – nënvizoi Rama.

“Ato s’të thonë më bëj Vetingun, por thonë më provo, ti Shqipëria, se ti ke një sistem drejtësie që sado i gjatë apo i shkurtër të jesh, nëse ke probleme për t’iu përgjigjur drejtësisë, duhet të dalësh përpara drejtësisë. Sado i fortë të jesh, nuk i shmangesh dot drejtësisë qoftë president, kryeministër, ish-president, ish-kryeministër apo ish-ministër qofsh. Nëse Shqipëria e provon këtë, atëherë është e gatshme për hapin e radhës”, – tha Rama.

“Pra, rritet presioni ndaj sistemit të drejtësisë dhe ja kjo është pika që lidh Partinë Socialiste me interesat e mëdha të vendit dhe këtë e kam me demokratët. Cila parti nuk është lëkundur në asnjë hap për Reformën në Drejtësi? Kërkoni sa të doni, por vetëm Partia Socialiste do t’ju dalë”, – tha Rama.

“Një demokrati që në mëngjes hap dyqanin, sipërmarrjen, punon arën, pyetja që i bëj unë është, ti je njeri i zakonshëm që shikon se si partia jote është armikja e Reformës në Drejtësi, PD që lindi si shpresa jote e madhe, që i fale zemrën e mendjen, mbështetjen e votat, është katandisur sot, si grupet komuniste që nuk e kishin marrë vesh se kishte rënë regjimi dhe i dilnin në shtigje dallgës popullore, sepse janë kundër teje, janë kundër që këtu të ketë një drejtësi të barabartë për të gjithë”, – tha Rama.

“Sot kjo PD, që merr peng njerëzit e zakonshëm, duke futur ankthin e sëkëlldinë, i godet drejtpërdrejtë pjesën më të rëndësishme ekonomike të vitit, kjo opozitë arrin në pikën që të pretendojë që zgjedhjet nuk u bëkan në momentin që kush hidhet përpjetë dhe çmendet kërkon të mos bëhen zgjedhjet. Që po ta pranonim këtë, s’do kishim zgjedhje kurrë”, – tha Rama.

“Kjo është fatura që ne duhet të përballojmë, kjo është dhimbja që duhet të kapërcejmë, se kemi marrë përsipër të tronditim themelet e një sistemi, pasi kemi marrë përsipër të bëjmë një shtet për të gjithë. Prandaj është e rëndësishme që më 30 qershor edhe pse nuk e do Subashin dhe s’ke kë të votosh, pasi nuk ta sollën Dacin, ti duhet të shkosh të votosh e t’i vësh vizën Armandos (Subashit), ama, konfirmo që Shqipëria është e jotja, nuk është e katër aventurierëve, që janë tallur me ty duke thënë Rama ik ik ik, se unë do iki në Vlorë”, – tha Rama.

Në fund, Rama tha se opozita që bërtet ka frikë dhe do tretet nga frika që ka. “Ata bërtasin shumë, kërcënojnë shumë. Janë të parët në histori që vinin në parlament, jo për të folur, po për të gjuajtur, të parët në histori që kur futeshin në parlament udhëheqjen e kishin ato pa tru, por që tregonin krahët”.

“E kthyen Kuvendin në një mejhane që gjuanin vezë, shishe uji, merr letrat e hidhi përpjetë e vër ulërimën. E mbani mend kush ishte? Fallxhorja, që del e ngre sytë nga Zoti. O Zot, shpëtoi shqiptarët nga shitblerja e votës. O vdeksha unë për ty, sikur Zoti të merrej me fushatë elektorale, Zoti do ta fuste në shtëpi të mos shikonte asnjë zgjedhës. Ata kanë frikë, kanë shumë frikë. E keni parë filmin “Beni ecën vetë”, që Beni vogël flet me zë të lartë, jo për të trembur ujkun, por për të trembur frikën e vet. Nga frika e tyre do treten”, – përfundoi Rama. /atsh

Te gropa që duan të fundosin Shqipërinë, do të bien vetë një nga një Read More »

Lleshaj: Përsëri sulmohet me molotov një shkollë në Shkodër, ligji do të veprojë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj reagoi ndaj ngjarjes në Bushat të Shkodrës, ku sipas tij, ka pasur sërish një bombë molotov në drejtim të një shkolle. Lleshaj tha se ligji duhet të veprojë.

“Përsëri sulmohet me molotov një shkollë në Shkodër, si shenjë skizofrenie politike e PD për të penguar zgjedhjet. Kryetarët pa mandat nuk mund të mbajnë peng bashkitë me molotov. Ligji do të veprojë!” – thekson Lleshaj.

Mbështetës të PD-së në Vaun e Dejës mbrëmjen e sotme pasi u mblodhën për të protestuar para ambienteve ku është vendosur KZAZ-ja nr. 6 në një shkollë profesionale i kanë vendosur zjarrin. /atsh

Lleshaj: Përsëri sulmohet me molotov një shkollë në Shkodër, ligji do të veprojë Read More »