Aktualitet

Spiropali: Meta planifikoi atentat ndaj të ardhmes europiane të Shqipërisë, me zbatues Bashën e Kryemadhin

Zëdhënësja e Qeverisë, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në Kuvend në seancën për ngritjen e Komisionit Hetimor që do shqyrtojë kërkesën e parlamentit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, tha se “ky komision duhet të ngrihet sa më shpejt për të shpëtuar institucionin e presidentit nga ky turp që e ka prekur”.

“Ilir Meta nuk ka shkelur rëndë vetëm kushtetutën e Shqipërisë, siç ka renditur qartë rezoluta e Kuvendit dhe raporti i Komisionit të Ligjeve, por më zi akoma, ka shkelur brutalisht mbi republikën tonë parlamentare dhe vijon marshon komikisht mbi kodet e komunikimit publik, duke cenuar rëndë bashkëjetesën politike”, tha Spiropali.

“Vendi ynë kaloi gjashtë muaj tentativa antikombëtare për destabilitet, duke shkatërruar zgjedhjet e 30 qershorit. Molotovët e flakadanët vërtet i mbante në dorë opozita, por urat e flakës i mbante ndezur Ilir Meta nga zyra e presidentit”, shtoi Ministrja Spiropali.

“Për muaj të tërë, Shqipëria përjetoi kërcënimet e urrejtjes politike, llumit mediatik dhe kaosit shoqëror. Në asnjë moment presidenti nuk doli mbi këtë turp kombëtar. Ai ushqeu për ditë me lugën zbrazët të një dekreti nul shpresat e çartura të opozitës së rrugës, për ta kthyer 30 qershorin në ditën e përplasjes së madhe, ku shteti shqiptar do të merrte goditje fatale, nga e cila nuk do ta merrte veten për shumë dekada në kalendarin europian të integrimit”, vijoi Spiropali.

“Shqipëria mund të kthehej në makthin e shqiptarëve dhe ëndrrat më të bukura të armiqve tanë. Një vend që nuk bashkëjeton dot paqësisht, që nuk bën dot shtet e nuk organizon dot zgjedhje. Duke nxitur instinktet më të ulta të luftës pa fre për pushtet, presidenti u kthye në simbolin kombëtarë të paligjshmërisë, pandëshkueshmërisë, dhunës, harbutërisë, padrejtësisë, kërcënimit, duke cenuar rëndë bashkëjetesën demokratike dhe imazhin e vendit”, theksoi Spiropali.

“Presidenti jo vetëm thjesht zhdekretoi dhe dekretoi një datë zgjedhjesh, duke shpikur një praktikë të padëgjuar e provuar në botë, por planifikoi kthimin pas të orës së Shqipërisë. Kumtet e tij ishin të qarta, qameti u bëftë, Shqipëria kurrë mos e bëftë. Atentati ndaj të ardhmes europiane të Shqipërisë i planifikuar me Berishën, kishte si zbatues Bashën e Kryemadhin. Atentati dështoi jo vetëm prej vendosmërisë së kësaj shumice, por dhe falë mbështetjes pa kushte të miqve tanë SHBA e BE”, sqaroi Spiropali

“Të gjendur në këtë udhëkryq, këta miq historik u gjendën më fortë se kurrë në krah të shqiptarëve, duke dëshmuar me provë se për ne dielli lind andej nga perëndon”, nënvizoi ministrja Spiropali.

“Në kërkesën për shkarkimin e Presidentit kemi argumentuar se ai ka shkelur rëndë Kushtetutën, duke marrë tagra të sovranit dhe kuvendit, pariminin e sovranitetin, është sjell arbitrarisht me pushtetin, anuloi arbitrarisht datën e zgjedhjeve, cenoi periodicitetin, ka cenuar të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Ai po cenon besimin e qytetarëve të institucioni i Presidentit, po përgojojnë partnerët tanë, po cenon unitetin e kombit, po tall një komb të tërë. Të ngremë këtë komision sa më parë. jo për të shpëtuar Ilir Metën nga vuajtjet e kafazit të presidencës e ti japim mundësi ta kthejmë te livadhi i LSI, por për të shpëtuar institucionin e republikës së presidentit nga ky turp. Sa për zagarët dhe qenushët që ka hedhur në sulm partia e tij(LSI), përgjigje kam me vargjet e Poradecit, shpirt katran që më qortojnë, janë qenë që s’më kafshojnë”, përfundoi Spiropali./atsh

Spiropali: Meta planifikoi atentat ndaj të ardhmes europiane të Shqipërisë, me zbatues Bashën e Kryemadhin Read More »

Pjesëmarrja dhe rezultati në zgjedhjet e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri

“Pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën dhe ne kemi marrë një përqindje më të lartë votash se koalicioni fitues që qeverisi Shqipërinë në 2017”, – deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama.

Gjatë debatit parlamentar për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Rama tha se “politikisht Ilir Meta na e bën shumë më të lehtë pozicionin tonë në sytë e popullit, sepse e shohin krejt lakuriq të vërtetën e armiqësisë së egër të Ilir Metës ndaj shumicës sonë qeverisëse”.

Kjo, sipas Ramës, e ushqyer nga dëshpërimi i disfatës së planit antikombëtar të hedhjes në erë të zgjedhjeve që synonte pengmarrjen e Reformës në Drejtësi dhe pengimin në pafundësi të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian.

“I kam ndjekur me një ndjenjë mëshire budallallëqet e fallxhores Monikë dhe të Lulit, që nga shfajësimet e hatashme për disfatën e tyre deri te fajësimet në adresën tonë lidhur me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje dhe komentet për raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it. Lufta e tyre për të prishur zgjedhjet me dhunë do të rezultonte një vrimë në ujë, por kjo nuk do t’i pengonte ata të shpallnin fitoren e radhës, duke numëruar shqiptarët jashtë shtetit, shqiptarët në shtëpi dhe në plazh. Por do të numëronin gabim. S’ka më keq për humbësit se sa të sillen si fitimtarë dhe s’ka më mirë për fitimtarët nëse humbësit nuk e kuptojnë pse kanë humbur. Ata thonë 85 % e popullit refuzoi Ramën, dhe janë po këta që thonë se gjithë shqiptarët kanë ikur nga Shqipëria, por kjo nuk i pengon t’i llogarisin që nga të ikurit e ambasadave”, – shtoi Rama.

Rama tha se pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën, dhe po ashtu kemi marrë një numër shumë të madh votash për kandidatët se sa pritshmëria jonë më optimiste.

“Krahasuar me 4 vjet më parë kur ishim me kandidatë të përbashkët, ky numër është vetëm 4% më pak. Po të kishim qenë në garë normale me kundërshtarë në çdo bashki dhe pa presionin e lartë kriminal me muaj të tërë dhe deri natën e fundit mbi zgjedhësit, pa diskutim që kjo përqindje do të ishte dukshëm më e lartë se e vitit 2015”, – tha Rama.

Por sipas tij, “ta lexosh si refuzim popullor përqindjen krejt normale të pjesëmarrjes në zgjedhje të bombarduara me kërcënime dhe ta shohësh rezultatin e PS-së si tkurrje elektorale, do të thotë të mos kuptosh se çfarë vjen më mbrapa”.

“Nga analfabetizmi politik dhe verbëria e udhëheqjes opozitare, ajo opozitë nuk ka asnjë shans rikthimi te fitorja, zero, në vitin 2021. Është e pangushëllueshme gjendja e përçartjes së tyre”, – tha Rama. /atsh

Pjesëmarrja dhe rezultati në zgjedhjet e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri Read More »

Kuvendi voton me 101 vota ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës

Kuvendi ka votuar sot me 102 vota pro raportin e Komisionit të Ligjeve për shkarkimin e Presidentit Meta, ndërsa me 101 vota pro ngritjen e Komisionit Hetimor.

Kreu i Kuvendit tha se Komisioni duhet të ngrihet brenda dy ditësh dhe do ketë në përbërje të tij 9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita.

Kryetar i Komisionit do të jetë Ulsi Manja nga PS, ndërsa zv/kryetar Alban Zeneli nga opzita. Anëtarë do të jenë Vasilika Hysi, Klotilda Bushka, Bashkim Fino, Alekt Hyseni, Adriatik Alimadhi, Halit Valteri, Krenar Ryçi. Anëtarë zëvendësues do të jenë Adnor Shameti, Spartak Braho nga PS dhe Arlind Cacani dhe Zef Shtjefni nga opozita.

Duke vlerësuar se me anulimin e datës së zgjedhjeve Presidenti ka kryer një shkelje të rëndë kushtetuese, një grup prej 55 deputetësh ka paraqitur një kërkesë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, bazuar në nenin 90/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 112 të Rregullores se Kuvendit, që normon procedurën që ndjek Kuvendi për shkarkimin e Presidentit. Këta deputetë çmojnë se dekreti i Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore, është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një Republike Parlamentare, të funksioneve të Presidentit të parashikuara nga Kushtetuta dhe të funksionimit e të ushtrimit normal të sovranitetit të popullit./atsh

Kuvendi voton me 101 vota ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës Read More »

Meta: Mirënjohje qytetarëve që bojkotuan zgjedhjet, vazhdoni protestoni

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përshëndetur qytetarët që bojkotuan zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat i quan një proces “fake”.

Ai i ka ftuar qytetarët që të vazhdojnë të protestojnë vetëm paqësisht.

“Të dashur qytetarë! Ndërsa drejtuesit e Opozitës së Bashkuar ju kanë ftuar sot në një protestë kombëtare kundër votimeve socialiste të 30 qershorit, dua të përshëndes mbi 85% të qytetarëve, të cilët bojkotuan një proces “fake”, më të shëmtuarin që mund të ndodhte në kontinentin tonë të civilizuar, pas 3 dekadash që kur vendi ynë u nda nga regjimi më shtypës i të drejtave të njeriut që njohu e gjithë Europa ish-komuniste”, thekson Meta.

Ndaj, shton ai, “një mirënjohje të gjithë shqiptarëve, të cilët bojkotuan farsën më të turpshme që mund të bënte vendi në këto momente kur klasa politike duhet të tregonte përgjegjësi dhe vizion europian”.

Për këtë, tha Meta, “ka meritë dhe distancimi i prerë dhe i qartë i lidershipit tuaj, nga çdo akt dhune në dy javët e fundit që ndihmoi shumicën dërmuese të shoqërisë tonë për të identifikuar armikun e betuar të dialogut në këto 6 vite në vendin tonë, i cili ka mbijetuar vetëm përmes diversionit, përçarjes së opozitës, blerjes së zgjedhjeve përmes aktivizimit të “çunave problematikë” dhe lobingjeve të shfrenuara për t’i mbyllur sytë gjithë botës për të mos parë një maskaradë të gjithanshme, që kulmoi me të Dielën e Fitorjeve, plot tejkalime të shfrenuara”.

Ndaj ai i fton ata të vazhdojnë të protestojnë vetëm paqësisht, “për ta bërë kauzën tuaj edhe kauzën e shumicës së atyre që u detyruan të merrnin pjesë në farsën e 30 qershorit”.

“Nga ky test shumë i rëndë ku u provokua demokracia jonë dhe bashkëjetesa qytetare, kjo kauzë i ka të gjitha mundësitë për të dalë shumë më e fortë vetëm përmes rezistencës qytetare dhe paqësore”, nënvizon Meta.

“Ju lutem dhe për sa më pak zhurmë sot, në respekt të organizatës socialiste në KQZ, që po punon ditë e natë të përputhë rezultatet, me tejkalimet e shfrenuara që vazhdojnë çdo moment”, shton Meta./atsh

Meta: Mirënjohje qytetarëve që bojkotuan zgjedhjet, vazhdoni protestoni Read More »

Lista e re e barnave të rimbursueshme, përfitojnë rreth 499 mijë qytetarë

Zgjerohet mbulimi me barna të kushtueshme për sëmundjet tumorale, Hepatitin C dhe sëmundje të tjera të rënda, që kishin barrë të madhe financiare për qytetarët.

Ministria e Shëndetësisë sqaron se lista e barnave të rimbursueshme, siguron mbi 1150 alternativa mjekimi falas nga të cilat, përfitojnë rreth 499 mijë qytetarë.

Pensionistë, grupe në nevojë, të siguruar ose jo, e përfitojnë alternativën e barnave falas.

Në listën e re të barnave të timbursueshme janë shtuar 14 barna të reja, prej të cilave, 9 janë principe aktive të reja, për barna mjaft të shtrenjta dhe të vështira për t’u përballuar nga qytetarët, që mbulojnë sëmundje si Hepatiti C, trajtimi i limfomave, artridi rheumatoid, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet autoimmune, etj.

Risia e kësaj liste është përfshirja e barnave me marrëveshje të posaçme, duke ulur çmimin e barit me proces negocimi me kompanitë më të mëdha multinacionale dhe për rrjedhojë, duke zgjeruar numrin e qytetarëve përfitues. /atsh

Lista e re e barnave të rimbursueshme, përfitojnë rreth 499 mijë qytetarë Read More »

Meta: Zgjedhjet e 30 qershorit nuk ekzistojnë ligjërisht, 13 tetori mundësi për zgjidhjen e krizës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka publikuar qëndrimin e tij, për situatën ligjore pas zgjedhjeve të 30 qershorit dhe zgjidhjen e krizës politike.

Meta tha se dekreti për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, deri në ditën e sotme nuk është kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jo politik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor. Kreu i shtetit edhe një herë theksoi faktin se dekreti i datës 10 qershor, 2019 është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

Ndër të tjera, Presidenti shton se sipas Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Presidenti Ilir Meta është shprehur në lidhje me situatën ligjore mbas 30 qershorit dhe zgjidhjen e krizës. Nëpërmjet një deklarate për mediet, Meta tha se dekreti për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, deri në ditën e sotme nuk është kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jo politik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor.

Ndër të tjera, Presidenti shton se sipas Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

“Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të duhej të shqyrtonte çdo pretendim mbi kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës, Partia Socialiste dhe KQZ, duke përdorur Partinë e Unitetit Kombëtar (PUK, aleat i Partisë Socialiste në këto zgjedhje) inskenuan një veprim procedural për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit me qëllim për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda e jashtë vendit, që të dezinformonin se Dekreti i Presidentit u shfuqizua nga Kolegji Zgjedhor”, tha Meta.

Qëndrimi i Presidentit Meta për situatën ligjore mbas 30 qershorit dhe zgjidhjen e krizës.

Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 vendosi, “Shfuqizimin e Dekretit të Presidentit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke anuluar kështu datën 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.

Presidenti e ndërmori këtë akt i mbështetur tërësisht në dispozitat e Kushtetutës dhe bazuar në argumente plotësisht Kushtetues.

Ky Dekret u botua në Fletoren Zyrtare nr.84, ditë e martë datë 11 qershor 2019.

Dekreti i Presidentit të Republikës, referuar;

dispozitave kushtetuese mbi të cilat është mbështetur nxjerrja e tij;
veprimtarisë tërësisht kushtetuese të Kreut të Shtetit;
parimeve kushtetuese, të drejtave dhe lirive themelore për mbrojtjen e të cilave ky akt është nxjerrë;
marrëdhënieve juridiko-shoqërore që ky akt rregullon;
si dhe referuar argumenteve tërësisht kushtetues mbi bazën e të cilëve është marrë,
është një akt me natyrë krejtësisht të veçantë juridiko-kushtetuese dhe si i tillë askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nuk mundet të shqyrtojë vlefshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Tij.

Ky Dekret për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, deri në ditën e sotme nuk është kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jo politik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor.

Dekreti i Presidentit të Republikës me nr.11199, datë 10.06.2019, deri në ditën e sotme,

nuk është ndryshuar
nuk është anuluar ;
dhe nuk është shfuqizuar;
nga Kolegji Zgjedhor, apo nga ndonjë Gjykatë tjetër në Republikën e Shqipërisë.

Dekreti nr.11199, datë 10.06.2019 është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

Neni 145 i Kodit Zgjedhor, përcakton se Kolegji Zgjedhor në Shqipëri shqyrton këto lloj ankimesh:

Ankimet e çdo subjekti zgjedhor kundër vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm;
Ankimet e individëve ose partive politike, të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor;
Ankimet e subjekteve zgjedhore për mos marrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja;
Ankimet e çdo partie politike, koalicioni, kandidatit, organizate joqeveritare shqiptare ose e huaj, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilëve u është refuzuar kërkesa për akreditimin e vëzhguesve në zgjedhje.
Pra sipas Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të duhej të shqyrtonte çdo pretendim mbi kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës, Partia Socialiste dhe KQZ, duke përdorur Partinë e Unitetit Kombëtar (PUK, aleat i Partisë Socialiste në këto zgjedhje) inskenuan një veprim procedural për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit me qëllim për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda e jashtë vendit, që të dezinformonin se Dekreti i Presidentit u shfuqizua nga Kolegji Zgjedhor.

Ndërmarrja e një procesi në Kolegjin Zgjedhor nga partia PUK është vetëm një përpjekje e Partisë Socialiste për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së anëtarëve të saj në KQZ.

Kjo veprimtari e koordinuar e KQZ, Partisë Socialiste dhe Kolegjit Zgjedhor, ishte e pritshme që të dështonte, sepse nuk kishte asnjë mundësi ligjore që të ndodhte ndryshe.

Kolegji Zgjedhor me Vendimin 12, datë 24.06.2019, ka vendosur:

Rrëzimin e padisë së palës paditëse Partia e Unitetit Kombëtar.
Objekt i kërkimit të kësaj partie përpara Kolegjit ishte: “Kundërshtimi i Vendimit nr.836 dt. 13.06.2019 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me të cilin ishte vendosur rrëzimi i kërkesës së kësaj partie për tu çregjistruar nga zgjedhjet imagjinare të 30 Qershorit 2019”.

Ky vendim i Kolegjit, nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës.

Në këtë proces gjyqësor Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga Kolegji Zgjedhor, për të qenë palë në proces.

Në këtë vendim 3-anëtarë të Kolegjit Zgjedhor në disa rreshta të pjesës arsyetuese kanë dhënë interpretimin e tyre për veprimtarinë e KQZ-së lidhur me Dekretin e Presidentit. Ky arsyetim është një përpjekje e shëmtuar, një truk procedurial për të krijuar publikisht një imazh të ndryshëm nga fakti, pasi vendimi që Kolegji Zgjedhori mori, nuk cenoi aspak Dekretin e Presidentit nr. 11199, datë 10.06.2019.

Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor, nuk ka urdhëruar në dispozitivin e tij asnjë detyrim që të krijojë pasoja juridike mbi Dekretin dhe Institucionin e Presidentit të Republikës, e rrjedhimisht edhe mbi faktin e anulimit të datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve.

Në zbatim të nenit 145, 155, 156, 158 të Kodit Zgjedhor dhe rregullave të Kodit të Procedurës Civile, vendimet e Kolegjit Zgjedhor, kanë efekt vetëm përkundrejt palëve në proces dhe vetëm për atë çka është vendosur midis këtyre dy palëve: pra midis Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe aleatit të Partisë Socialiste, Partisë së Unitetit Kombëtar (PUK).

Dekreti i Presidentit nr.11199, datë 10.06.2019 për anulimin e datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, është marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën dhe parimet themelore të mbrojtura prej saj. Për pasojë vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës.

Edhe Ambasadorja Audrey Glover, drejtuese e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në Zgjedhjet Lokale 2019, në raportin e gjetjeve paraprake të publikuar prej saj në datë 01 korrik 2019, ajo evidenton se :

“Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para (Gjykata Kushtetuese) është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit”.

Sa më sipër, referuar dispozitave Kushtetuese që përcaktojnë se Presidenti i Republikës është autoriteti i vetëm kushtetues që cakton datën e zgjedhjeve, si dhe faktit që, Dekreti i Presidentit nr.11199, datë 10.06.2019 për anulimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor të datës 30 qershor, nuk është prekur dhe nuk është cenuar deri në ditët e sotme nga asnjë Gjykatë vendase dhe ndërkombëtare, rikonfirmohet dhe një herë fakti se, ky akt i Presidentit të Republikës i bazuar tërësisht në argumente Kushtetues është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

Për pasojë e gjithë veprimtaria zgjedhore e organizuar dhe zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019 është një proces votimesh tërësisht i paligjshëm, antikushtetues dhe që nuk krijon asnjë pasojë juridike, pasi veç të tjerave data 30 qershor 2019, nuk ekziston ligjërisht si një datë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.

Pas anulimit të datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, Presidenti i Republikës, për të garantuar që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të votojnë në mënyrë të ndershme, të fshehtë, të lirë dhe demokratike, në një situatë të qetë dhe jo konfliktuale dhe jashtë çdo rreziku të mundshëm të konfliktit social, në mbështetje të neneve: 1/3, 3, 4, 5, 15, 45/1 e 4, 86/1, 92 shkronja “gj”, 93, 109 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, më datë 27.06.2019, Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11 211, datë 27.06.2019, ka vendosur se:

“Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore caktohen për t’u zhvilluar ditën e diel, në datën 13 tetor 2019”. Pra ligjërisht zgjedhjet duhet të mbahen në këtë datë.

Ky akt i është njoftuar menjëherë për zbatim KQZ-së dhe është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

Po kështu lidhur me krahasimin e pavend që bëhet mes Kolegjit Zgjedhor Shqiptar me Kolegjin Zgjedhor Amerikan është tërësisht i qëllimshëm për të krijuar konfuzion ligjor, për të minuar sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për të çoroditur opinionin ndërkombëtar.

Në sistemin Amerikan kandidati për President apo vet Presidenti kur ai rikandidon, është subjekt konkurrent në zgjedhje, pra konsiderohet një subjekt zgjedhor garues.

Në këtë mënyrë ai mund të ngrejë pretendime përpara Kolegjit Zgjedhor për rezultatet e zgjedhjeve/votimeve të zhvilluara, apo për çështjet e tjera zgjedhore (procedurale dhe materiale).

Ndërkohë, sipas sistemit tonë Presidenti i Republikës nuk është subjekt konkurrent në zgjedhje, pra nuk është subjekt zgjedhor.

Sipas Kushtetutës Presidenti i Republikës është autoriteti i vetëm kushtetues që ka kompetencë kushtetuese për të vendosur datën e zgjedhjeve që zhvillohen për Kuvendin, Pushtetin vendor dhe Referendumet. (neni 92/gj i Kushtetutës). Kjo kompetencë e Presidentit është e parashikuar edhe në Kodin Zgjedhor.

Po kështu ka një dallim të madh edhe për sa i takon përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të dy Kolegjeve Zgjedhore, atij Amerikan dhe atij Shqiptar.

Kolegji Zgjedhor në Shqipëri përbëhet nga 8 (tetë) gjyqtarë të përzgjedhur me short nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe që funksionon pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë.

Kolegji Zgjedhor në Shqipëri përbëhet nga gjyqtarë dhe nuk ka për kompetencë të shqyrtojë as pretendimet e Presidentit të Republikës dhe as Dekretet e nxjerra prej tij.

Në këtë mënyrë krahasimi që i bëhet dy Kolegjeve Zgjedhore (Amerikan dhe Shqiptar) nuk qëndron dhe është tërësisht i gabuar.

Në përfundim, sjellim në vëmendje se;

Presidenti i Republikës, pasi anuloi datën 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve, për të garantuar që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të votojnë në mënyrë të ndershme, të fshehtë, të lirë dhe demokratike, në një situatë të qetë dhe jo konfiktuale dhe jashtë çdo rreziku të mundshëm të konfliktit social, në mbështetje të neneve: 1/3, 3, 4, 5, 15, 45/1 e 4, 86/1, 92 shkronja “gj”, 93, 109 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, më datë 27.06.2019, me Dekretin nr. 11 211, datë 27.06.2019 ka vendosur që:

“Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë caktohen për t’u zhvilluar ditën e diel, në datën 13 tetor 2019” dhe do të mbahen ligjërisht në këtë datë.

Ky akt ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Ky akt i është përcjellë menjëherë për zbatim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Duke vënë në dukje këtë situatë të qartë ligjore se nuk ekzistojnë ligjërisht zgjedhjet e 30 qershorit dhe duke ritheksuar se dekreti i 13 tetorit është një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, Presidenti i Republikës i fton të gjithë të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit .

Po kështu, duke vlerësuar krizën e rëndë të përfaqësimit në vend, Presidenti i Republikës u bën thirrje të gjithë aktorëve t’i bashkohen propozimit të tij që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe për Presidentin e Republikës.

Është koha për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve të Shqipërisë!/atsh

Meta: Zgjedhjet e 30 qershorit nuk ekzistojnë ligjërisht, 13 tetori mundësi për zgjidhjen e krizës Read More »

Historia frymëzuese e Entelës dhe Erionit

Dashuria për fëmijët i ka ndryshuar jetën Erion dhe Entela Sylari nga Lushnja, të cilët prej 8 vitesh drejtojnë një kopsht që e kanë krijuar vetë, ndërsa zemra e tyre është tashmë plotë pas birësimit të vajzës së tyre.

“Ne jemi njohur në adoleshencë në 93-94 kur ishim pjesë e aktiviteteve të ndryshme që organizoheshin në kishën tonë nga disa misionarë nga Suedia dhe ishim bashkë në të njëjtin grup të rinjsh.

Atë vit rrugët tona u ndanë unë emigrova me familjen në Athinë dhe Erioni vazhdoi mjekësinë në Tiranë.

U takuam pas disa vitesh përsëri së bashku. Ajo që na bashkoi më tepër ishte qëllimi i përbashkët për jetën, një jetë për komunitetin, këtë e kemi pasur që në fillim, dhe qëllimi mund të shkaktojë një martesë”, shprehet Entela për rubrikën “Njerëz të panjohur” në ERTV.

Erioni pasi mbaroi shkollën e latrtë punoi për 13 vjet mjek në një komunë të Lushnjës dhe më pas drejtor i Qendrës Shëndetësore”.

Ndërsa Entela vazhdoi studimet për informatikë në Shkencat Informatike dhe punoi disa vite tek një bankë në Lushnjë.

Por, thekson ajo, nuk isha e plotësuar më pëlqente shumë puna me fëmijët dhe edukimin.

“Duke përfshirë edhe njerëz të tjerë që ndikuan jetën tonë ne morëm një hap guximi dhe pse të mos provojmë të hapim një kopsht. Para 8 viteve kjo punë ka filluar vetëm me 7 fëmijë duke pasur një program dhe pesë karrige asgjë më shumë. Sot pas 8 viteve është ndërtuar gjithë kjo punë edhe stafi është pjesë e këtij suksesi”, – nënvizon Entela.

Erioni rrëfen se kanë bashkëpunime të ndryshme me disa shkolla të ndryshme nga Kavaja , Rrogozhina dhe Grabiani.

“Çdo ditë ne japim 40 -50 fëmijëve një vakt pas shkolle, marrim fëmijët që nuk kanë mundësi të shkollohen, duke u blerë materialet shkollore, por duke gatuar edhe një vakt që të vijnë pas shkolle aty. Përmes këtij projekti ne u mësojmë fëmijëve si të bëjnë detyrat e shtëpisë dhe të jenë të përgatitur për ditën tjetër në mënyrë që ata të mos kenë të njëjtin fat që prindërit e tyre nuk patën mundësi të shkollohen, po duam ti japim një tjetër mentalitet këtyre fëmijëve. Ne mundohemi të mos jemi të dukshëm për t’u mburrur që ja çfarë po bëjmë ne”, – shprehet Erioni.

Sipas tij, nuk duhen njerëz të mëdhenj për të ndryshuar botën, duhen njerëz të zakonshëm që bëjnë gjëra të zakonshme për të ndryshuar botën.

Entela tregon për një moment të rëndësishëm në jetën e tyre.

“Para 6 vitesh Erioni u përpoq për 30 vjetorin të bënte një surprizë dhe shkuam tek komiteti i birësimeve dhe e morëm listën me dokumentet që duhet të plotësonim dhe lista priti 6 vjet tek frigoriferi. Deri sa në viti 2018 ne pritëm që ashtu si një fëmijë ngjizet nga bashkëpunimi i dy personave, besojmë shumë se edhe birësimi duhet të ngjizet nga bashkëpunimi i dy zemrave dhe duhet të vijë koha e të dy personave”,- thekon Entela.

Ajo shprehet se aplikuan vjet në maj. “Hodhëm një hap, prapë guxuam dhe thamë do të ndjekim atë që ligji thotë për këtë gjë dhe guxuam. Duke qenë se më thërrasin miss Eni këtu në shkollë, filluan fëmijët të flisnin me njëri tjetrin e thoshin Miss Eni ka vajzë, por ajo nuk e kishte vajzën tek barku e duke parë që ata ishin konfuzë për këtë pjesë mu desh ti ulja dhe të ndaja një orë mësimi për ti treguar atyre realitete të ndryshme që ne kemi në shoqërinë tonë, që ka fëmijë në botë që nuk e kanë mamin e babin, por ne mund të jemi prindërit e tyre”.

Do të doja, vijon ajo, që ti ekspozoja ndaj një shtëpie të foshnjës që mund të kuptojnë që në komunitet ka aspekte të tjera të jetës.

Duke treguar emocionin kur pane vajzën e tyre për herë të parë, Erioni thotë se “kur vajza futet në dhomë pata një emocion të fortë më iku zëri, nuk pata mundësi të flisja, sepse emocioni ishte përtej pritshmërisë. Mora vajzën, e cila po më shikonte dhe normalisht humba fare kush ishte rreth e përqark”.

“Më bëri shumë përshtypje që një fëmijë 11 muajsh la lodrat dhe me butësinë e saj u afrua tek ne . Duke vënë re etjen që ajo kish për dashuri, kjo ma rrëmbeu zemrën. Kur ti shikon një fëmijë që ka nevojë për ty e gjithë bota jote humbet dhe shikimi i saj më mbeti në mendje për shumë orë dhe atë natë nuk mund të flija dot. Ndoshta jeta nuk fillon ashtu si të gjithë do të donim të fillonim, por nuk do të thotë se nuk ka shpresë në çdo situatë që ne të gjendemi në jetën tonë”, tregon Entela.

Ndërsa Erioni thekson se “shpresojmë të ndryshojmë mentalitetin e njerëzve, por edhe kjo nuk ka shumë rëndësi se ne duam ta jetojmë jetën sipas zgjedhjeve që ne bëjmë dhe zgjedhjet tona janë liria jonë, pastaj kur ne zgjedhim nuk jemi më të lirë, por jemi pjesë e zgjedhjes sonë”.

Të dy prindërit e rinj thonë se do të shkëputen për disa javë , të tre, për të shkuar në Sarandë për pushime, për të vazhduar e themeluar këtë familje të re, që sipas tyre, sapo ka filluar.

“Jemi të plotësuar zemra jonë është plotë”, thonë ata./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/984056955265811/?t=0

Historia frymëzuese e Entelës dhe Erionit Read More »

Regata Brindisi-Vlorë, përafrim kulturash e manifestim miqësie e bashkëpunimi mes Italisë e Shqipërisë

24 barka vela, duke përfshirë edhe dy mjete ushtarake të këtij lloji, respektivisht të “Guardia di Finanza” dhe Forcës Detare Ushtarake Italiane, u bënë pjesë e manifestimit sportiv-kulturor “Regata del Grande Salento Bridisi-Valona”, që kulmoi në qytetin jugor bregdetar me tre ditë të mbushura me veprimtari të shumta.

Ky aktivitet, i organizuar nga Lidhja Detare Italiane e Brindisit, Konsullata e Përgjithshme e Italise në Vlorë, Bashkia Vlorë, Kooperacioni Italia dhe Guardi di Finanza, përkonte me edicionin e 9-të, çka e ka shndërruar atë tashmë në një traditë që përsëritet çdo verë.

Mjetet lundruese turistike sportive, ishin nisur nga porti i Brindisit për të mbërritur në Vlorë, ku u zhvillua edhe faza e pasardhëse e këtij manifestimi të përbashkët, edicioni i dytë i Regatës së gjirit të Vlorës.

Edicioni IX i “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, vlerësohet si një nga aktivitetet më të mëdha mes dy brigjeve të Adriatikut dhe përbën një moment kulmor në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve që lagen nga i njëjti det.

Pikërisht, tek ky element e shohin simbolikën e këtij manifestimi, organizatorët, duke përcjellë mesazhin se, Adriatiku nuk ndan por afron më tepër dy popujt dhe vendet tona.

Prandaj dhe, jo rastësisht, “Regata…..”, emërtohet ndryshe, “Trofeu i mikpritjes” dhe cilësohet nga organizatorët edhe si një manifestim i vlerave më të mira mes dy popujve.

“Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, lindi 9 vjet më parë, në 2011-ën, në përvjetorin e 20-të të zbarkimit të emigrantëve shqiptarë në Brindisi, si një moment dhe si një mënyrë domethënëse për të kujtuar dhe përshkuar të njëjtin itinerar të shpresës për një ditë të re dhe të ardhme ndryshe.

Ky mesazh, kjo simbolikë, përcillen çdo vit në fillim korriku në atë pikënisje me kahje të kundërt që starton nga Brindisi për të mbërritur në Vlorë dhe anasjelltas, si dëshmi e ndryshimit dhe rrugës së vlerave të përbashkëta.

Por, ky edicion kishte të veçantat e veta, që e bënë atë më të pasur dhe më atraktiv në përmbushjen e qëllimit për të përafruar kultura dhe ide.

Edicioni i Dytë i Regatës së Gjirit të Vlorës, trofeu “Mirko Gallone”, u shndërrua edhe në një garë, në një manifestim sportiv që u ndoq nga qindra qytetarë vlonjatë, turistë të huaj e pushues vendas, të cilët shëtisnin përgjatë Lungomares, apo kishin mbushur plazhet përgjatë saj. Ndërkohë, një tjetër dimension, e pasuroi edhe më tej këtë manifestim. Regatës ju bashkangjit një nismë tjetër domethënëse, kursi për të mësuar lundrimin me barkat me vela, për fëmijët e moshës nga 8 në 12 vjeç.

Lidhja Detare Italiane e Brindizit do të zhvillojë për 6 ditë rresht, një kurs falas për fëmijët e kësaj moshe, si një mënyrë për të promovuar dhe nxitur përhapjen e këtij sporti detar mes të rinjve të qytetit të Vlorës, duke futur kështu një kulturë të re, si pjesë e një të ardhmeje ndryshe në turizmin lokal.

Barkat me vela, që mbushën gjirin detar të Vlorës, duke e pasuruar atë me një dekor dhe atmosferë festive, u shoqëruan edhe me aktivitete të tjera kulturore. Mes tyre, spikati koncerti i sopranos së njohur, Ramona Tullumani dhe baritonit, Solen Alla, shoqëruar në piano nga Ardita Bufaj, që u ndoq nga dhjetra artdashës, në sallën e eventeve të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë.

Ndërkohë, në sheshin e Lungomares, qindra qytetarë vlonjatë, ndoqën koncertin e grupit të njohur nga Puglia, RIONE JUNNO, që mbylli edhe aktivitetet e planifikuara gjatë tre ditëve.

Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Luana Micheli, e cilësoi “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit me Bashkinë Vlorë. “Mes Italisë dhe Shqipërisë, nuk ka një det, por një autostradë bashkëpunimi dhe miqësie”, u shpreh ajo.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, që falënderoi organizatorët dhe protagonistët e këtij manifestimi, evidentoi dimensionet e aktivitetit, si dëshmi e forcimit të bashkëpunimit dhe miqësisë, ndërkohë që, e vuri theksin tek risitë që sjell çelja e një shkolle për mësimin e sportit të velave dhe mundësitë që krijohen për të ardhmen, për këtë sport, për të zhvilluar regata në kahjen e kundërt, në atë Vlorë-Brindisi.

Duke falenderuar miqtë nga Italia për kurset falas të ofruara për fëmijët e qytetit në sportin e velave, Leli nënvizoi se, Vlora turistike e 4 vjeçarit të ardhshëm, do të ofrojë për herë të parë turizëm elitar për një kategori të caktuar, varkat me vela. “Një shkollë e veçantë do të ofrojë për gjithë shqiptarët dhe vendet e rajonit, shërbime të certifikuara në det për varkat me vela”, u shpreh kryebashkiaku vlonjat, në përfundim të edicionit të dytë të garës së barkave me vela, që u zhvillua në gjirin detar të Vlorës, si pjesë e “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë” dhe duke prezantuar kështu një nga projektet e tij të këtij mandati.

Ai vuri në dukje kontributin e Konsulles së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, Luana Micheli, të cilën e cilëson një mike të madhe të Vlorës dhe të Shqipërisë.

Manifestimi kulturor-sportiv, “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, u përshëndet edhe nga Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, i cili e vuri theksin tek domosdoshmëria e hartimit dhe zbatimit në të ardhmen të politikave dhe një strategjie të re për të zhvilluar ekonominë e detit.

Në mjediset e hotel “Vlora International”, u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të këtij manifestimi dhe gare sportive, që përcolli edhe mesazhin e mbrojtjes së mjedisit ujor detar, si një pasuri e çmuar./atsh

Regata Brindisi-Vlorë, përafrim kulturash e manifestim miqësie e bashkëpunimi mes Italisë e Shqipërisë Read More »