Aktualitet

Interes i madh për të vizituar Shqipërinë nga turistët sllovenë

Interesi i turistëve sllovenë për të për të vizituar e kaluar pushimet verore në Shqipëri është rritur.

Këtij fluksi të shtuar, Ambasada e Shqipërisë në Slloveni i është përgjigjur pozitivisht duke ofruar kontakte me agjenci e operatorë turizmi në Shqipëri.

Gjatë periudhës së fundit katër mujore, Ambasada ka intensifikuar veprimtaritë promovuese të turizmit shqiptar.

Ndërkohë ka patur rritje të interesit të qytetarëve sllovenë, studentëve, njerëzve të thjeshtë, zyrtarëve, si dhe atyre të apasionuar për turizmin e aventurës, për të vizituar e kaluar pushimet verore në Shqipëri.

Përveç ofrimit të kontakteve me agjenci e operatorë turizmi në Shqipëri, Ambasada ka vënë në dispozicion materiale e informacion për turizmin e kulinarinë shqiptare, asetet kulturore e historike të vendit, etj.

Interes i madh për të vizituar Shqipërinë nga turistët sllovenë Read More »

Perlat e polifonisë shqiptare në Festivalin Ndërkombëtar “Lauksnos”, në Lituani

Promovimi i folklorit dhe polifonisë shqiptare jashtë kufijve të vendit ku shpalosen ngjyrat, ritmet dhe energjia e një vendi me identitet europian, po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Grupi folklorik “Bilbili”, i Vlorës do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Lauksnos”, në qytetin bregdetar Klaipeda, rreth 300 km larg kryeqytetit Vilnus, Lituani, nga 11-14 korrik.

Ky grup i njohur folklorik do të marrë pjesë në festivalin me emrin e Diellit, mes dymbëdhjetë shtetesh pjesëmarrëse.

Drejtori artistik i grupit “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “njëzet vite më parë, pikërisht në vitin 1999, Grupi “Bilbili” mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folkut ” Balltica-99″, pikërisht në kryeqytetin e vendit, Vilnus. Tani, njëzet vite më pas, do të udhëtojë përsëri drejt këtij shteti, por në një tjetër qytet e festival”.

“Mes flamujve kombëtarë të Lituanisë, Kroacisë, Serbisë, Irlandës, Polonisë, Italisë, Bosnjë-Hercegovinës, Ukrahinës, Armenisë, Argjentinës e Indisë do të valëvitet edhe flamuri kuq e zi i shqiptarëve”, – thekson Gjokoli.

Sipas tij, ky është festival krejt i veçantë në larminë e këtyre lloj eventeve në mbarë botën.
Festivali “Lauksnos” zhvillohet vetëm me produkte folklorike e artistike të mbrojtura nga UNESCO.

“Bilbili” shqiptar vete edhe më krenar e plot dinjitet mbasi “produktet” që mbart e do të shpalosë përfaqësojnë, as më pak e as më shumë, por Kryeveprën shpirtërore të njerëzimit, certifikuar nga UNESCO katërmbëdhjetë vite më parë”, nënvizon Gjokoli.

Në këtë festival, vijon Gjokoli, grupi folklorik shqiptar do të prezantojë një mozaik këngësh të zgjedhura nga repertori çerekshekullor i këtij grupi.

“Por pjesë e programit janë edhe disa nga perlat më përfaqësuese të fondit të artë të labërisë do të “derdhen” skenave dhe mjediseve folklorike të Klaipedias në katër ditët e festivalit, përmes pjesëmarrjes dhe mjeshtërisë interpretuese të disa prej mbartësve të polifonisë së Labërisë , anëtarë të Folk Grup “Bilbili”: Sinan Gjoleka, Vendim Kapaj (Mjeshtër i Madh), Piro Latifaj, Tajre Bozhani, Valbona Nora, Sadik Hodo, Adriatik Çenko, Trifon Malaj e Viktor Gjoka”.

Grupi folklorik “Bilbili” juridikisht është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare. Grupi folklorik “Bilbili” është fitues i çmimit të parë në Festivalin Ndërkombëtar zhvilluar në Moldavi, në vitin 1995. Në vitin 1996 është pjesëmarrës në Folkloriadën e Parë Botërore, organizuar në Brunssum (Holandë), në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Balltika” në vitin 1999 është titulluar laureat i Festivalit.

Gjithashtu është pjesëmarrës në Festivalin Folklorik “Këngë Jeho”, në Strugë, po në vitin 1999. Në vitin 2002 merr pjesë në Festivalin e Klinës (Kosovë) , ku dhe fiton çmimin e parë në këtë festival.Në Tetor të vitit 2009 është pjesëmarrës në Festivalin e pestë Ndërkombëtar të Izmirit-Turqi. Gjithashtu në takimin e shoqatave kulturore, organizuar në qytetin e Sarandës në vitin 1996, grupi “Bilbili” ka fituar çmimin e parë. Ka nxjerrë në tregun muzikor vendas mbi 20 CD-i, të cilat qarkullojnë, si dhe janë përpunuar e kanë zënë vend në muzikën moderne./atsh

Perlat e polifonisë shqiptare në Festivalin Ndërkombëtar “Lauksnos”, në Lituani Read More »

Vlorë, pastrohet kanali kullues në lagjen “Kushtrimi”

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë po vijon punën intensive për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve në qytet dhe jashtë tij.

Punonjësit e kësaj ndërmarrje sot kanë pastruar kanalin te ish-Fabrika e Tullave në rrugën e vjetër nacionale Vlorë-Fier, në lagjen “Kushtrimi”.

Gjatë pastrimit të kanalit janë nxjerrë shumë mbeturina të hedhura në rrjetin e kanalizimeve.

Ujësjellës Kanalizime Vlorë i bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos hedhin mbeturina në kanalizime për shkak se krijohen probleme në drejtim të funksionimit të rrjetit.

Gjatë ditës së sotme është realizuar pastrimi edhe i zgarave dhe pusetave në zonën nga “Aleksandria” në Skelë, deri te Palestra “Flamurtari”.

Pjesë e përditshme e kësaj ndërmarrje është edhe reforma e ujit, e cila po vijon me ritme të larta. Gjatë ditës së sotme punonjësit e Ujësjellës Kanalizimeve kanë kryer kontrolle në biznese, në lagjen “Lef Sallata” dhe “Uji i Ftohtë”./atsh

Vlorë, pastrohet kanali kullues në lagjen “Kushtrimi” Read More »

Bien temperaturat, parashikimi i ‘frikshëm’ i meteorologëve

Pas diteve perveluese, bien temperaturat.

Meteoalb parashikon sot nje mot te vranet ne te gjithe vendin gjate paradites, nderkohe qe reshje, madje stuhi breshëri ne pjesen tjeter te dites.

Parashikimi i Meteoalb

Moti sot do te jete i vranet ne te gjithe vendin gjate paradites, POR mesdita sjelle zhvillim te vranesirave dhe shira fillimisht ne veri dhe me pas do te perfshijne gradualisht te gjithe vendin, here pas-here shirat do te jene ne formen e shtrengatave me intesitet deri mesatar, gjithashtu priten stuhi lokale bresheri.

Gjithashtu problematike sot do te paraqitet Era, sidomos ne zonat bregdetare. Nata sjell permiresim te kushteve atmosferike.

Temperaturat e ajrit kane mbetur te larta ne mengjes, por mesdita sjelle renie me 2-3⁰C duke u luhatur nga 15⁰C deri ne 33⁰C.

Bien temperaturat, parashikimi i ‘frikshëm’ i meteorologëve Read More »

Pension shërbimi për punonjësit e Policisë që ndërpresin marrëdhëniet e punës

Ministria e Brendshme ka propozuar projektligjin “Për trajtimin financiar me pension shërbimi të punonjësve të Policisë së Shtetit që ndërpresin marrëdhëniet e punës”, i cili është i domosdoshëm për faktin se, detyrat institucionale që ligji i ngarkon Policisë së Shtetit, janë të një rrezikshmërie e vështirësie shumë të lartë në raport me detyrat institucionale që kanë strukturat e tjera shtetërore që aktualisht janë subjekte të ligjit për pensionet e ushtarakëve.

Në relacionin shpjegues për projektligjin, MB thekson se nga viti 1991 dhe në vazhdim kanë humbur jetën në krye të detyrës 223 punonjës policie dhe janë plagosur 248.

Gjatë këtyre viteve ka dhe punonjës policie të vrarë apo plagosur pas ndërprerjes së karrierës nga elementë kriminal, që janë vetëvrarë apo kanë pësuar trauma të rënda psikike/psikologjike për shkak të kryerjes së detyrave të vështira dhe specifike, duke sjellë paaftësinë e tyre për punë në Policinë e Shtetit në një moshë relativisht të re.

Punonjësi i policisë, për vetë natyrën e punës në këto struktura, e ka të limituar periudhën e ushtrimit të detyrave të cilat kërkojnë aftësi të larta fizike dhe rrjedhimisht do të largohen nga strukturat e policisë, para arritjes së moshës për pension pleqërie. Ndërkohë, që punësimi i tyre në shërbimet e tjera publike/private është thuajse i pamundur, pasi mosha dhe arsimimi i tyre ndikojnë ndjeshëm në një mundësi të tillë.

Disa punonjës policie për shkak të nevojave të veçanta të punës, si dhe kur ekziston një situatë reale dhe e rrezikshme ndaj jetës dhe familjes tyre, apo kur për qëllime të zbulimit të krimeve të rënda, infiltrohen në grupe të strukturuara apo organizata kriminale, mund të transferohen jashtë vendbanimit të tyre, gjë që detyron bashkëshortin/en të ndërpresë marrëdhënien e punës. Në këto kushte, me largimin e punonjësit nga policia, familja e tij do të mbetet pa mbështetje ekonomike dhe do të duhet të përballojë jetesën vetëm me pensionin e parakohshëm të tij.

Shkalla e vështirësisë në punë të punonjësve të Policisë së Shtetit është me e lartë se e punonjësve të institucioneve tjera që janë subjekte të ligjit për pensionin e ushtarakëve, pasi ata përballen çdo ditë me elementë kriminal, kryejnë veprime policore me rrezikshmëri të lartë për jetën e shëndetin e tyre si ndalime/arrestime, kapje të personave të kërkuar dhe operacione policore që kërkojnë jo vetëm përgatitje të lartë fizike, por edhe një moshë relativisht të re.

Sipas MB, nevoja e trajtimit financiar dinjitoz të punonjësit të policisë siç përcaktohet në këtë projektligj, pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës, buron edhe nga dispozitat e neneve 46 dhe 49 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, në të cilat përcaktohet se nëse punonjësi i policisë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndërpret marrëdhënien e punës dhe përfiton pension të parakohshëm suplementar apo pension shërbimi, nuk ka të drejtë të rikthehet në polici.

Në nenin 46, pika 3, përcaktohet se punonjësit, të cilit i shkurtohet funksioni organik në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë dhe nuk ka vend të lirë për gradën që mban, i ofrohet një funksion i një niveli më të ulët, duke ruajtur gradën për një periudhë deri në një vit.

Pas kalimit të këtij afati, në pamundësi sistemimi për gradën që ka, punonjësi lirohet nga policia dhe duhet të trajtohet sipas kritereve të përcaktuar në këtë projektligj.

Aktualisht, mosha mesatare e punonjësve të policisë është 45.6 vjeç. Me miratimin e këtij projektligji për një periudhë prej 3 vitesh mosha mesatare e punonjësve të policisë ulet në 44.1 vjeç.

Projektligji është një garanci për punonjësit e policisë që janë në marrëdhënie pune dhe një vazhdim logjik i statusit të tyre kur ndërpresin karrierën.

Miratimi i këtij projektligji do të ndikojë, në cilësinë e punës dhe të performancës së punonjësve të policisë në detyrë, në rezultatet në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti, në treguesit e luftës kundër korrupsionit si brenda dhe jashtë policisë, si dhe në objektivitetin e zbatimit të ligjit.

Nisur sa më sipër, projektligji është në harmoni të plotë me reformën e pensioneve të ndërmarrë nga qeveria, me skemat tjera të sigurimit suplementar për kategoritë e tjera të punonjësve të shtetit, me kontributin real të punonjësve të policisë së shtetit në skemën e sigurimit suplementar dhe në raport të drejtë me kontributin që ata japin për rendin e sigurinë publike dhe luftën kundër kriminalitetit.atsh

Pension shërbimi për punonjësit e Policisë që ndërpresin marrëdhëniet e punës Read More »

Boursorama: Ia vlen të zbuloni sharmet e Shqipërisë

Ia vlen të zbuloni sharmet e Shqipërisë, shkruan Camille Lemarchand e Boursorama, kompani e famshme bankare franceze, aktivitetet e së cilës shtrihen edhe në portalet e njohura të informimit.

Ajo vlerëson se Shqipëria është një destinacion tendencë e korrikut të këtij viti.

”Me një sipërfaqe sa Normandia, Shqipëria që ndodhet vetëm dy orë e gjysmë me avion nga Parisi, ështe një margaritar ende i panjohur nga turistët francezë. Është një vend frankofil, ku shpesh mund të flasësh edhe me banorët. Por, nuk është ky interesi kryesor i këtij destinacioni sekret…

Plazhe përrallore e pothuaj të zbrazura

Shqipëria mburret para së gjithash për autencitetin dhe mikpritjen a banorëve të saj. Ende e ruajtur nga turizmi i masës dhe nga globalizmi, ky vend duket i shkëputur nga koha… sidomos kur futesh brenda masiveve malore të saj që përbëjnë 70% të territorit.

Gjirokastra është një qytet për të cilin ia vlen të bësh ndalesë në mes të këtyre relieveve malore. Shtëpitë e gurta në rrëzë të malit dhe kështjella e saj kanë me të vërtetë vendin që u takon ne Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.

Për të gjithë ata që janë të dhënë pas rërës së bardhë, Riviera shqiptare është një parajsë. Aty nuk ka zona të mëdha të betonuara, por plazhe të mrekullueshme e pothuajse të zbrazura (gjë që të lejon të ecësh pak në këmbë).

Për të gjithë ata që kërkojnë komfortin e shezlonëve, të aktiviteteve ujore dhe restoranteve ne buzë të detit, Ksamili është i paevitueshëm. I ndodhur përballë ishullit grek të Korfuzit, ky fshat ka plazhet më të bukura të vendit. Popullariteti i tij në rritje po tërheq gjithnjë e më shumë turistë.

Nëse ju tundon një udhëtim në Shqipëri, mos vononi të rezervoni biletat, sepse shumë shpejt do të bëhet një destinacion i pashmangshëm për turistët europianë”, përfundon Camille Lemarchand e Boursorama-s, kompani e famshme bankare franceze./atsh

Boursorama: Ia vlen të zbuloni sharmet e Shqipërisë Read More »

Braçe: Largim nga administrata për nëpunësit e përfshirë në akte dhune

“Janë marrë masat për nisjen e procesit disiplinor, deri në largim nga administrata publike të nëpunësve që u përfshinë në akte të dhunshme gjatë fushatës zgjedhore”, deklaroi sot zv/kryeministri Erion Braçe.

Në një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të Ligjeve, zv/kryeministri Erion Braçe raportoi mbi sjelljen dhe veprimtarinë e administratës shtetërore gjatë zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ai tha se në zbatim të ligjit u krijua një taskforcë, e cila kishte si qëllim kryesor garantimin e mospërfshirjes në administratës publike në procesin zgjedhor.

Në zbatim të detyrimeve ligjore, Braçe tha se u monitorua përdorimi i burimeve njerëzore, financiare apo logjistike të administratës gjatë procesit zgjedhor.

“Gjatë orarit zyrtar të punës është e ndalur pjesëmarrja në veprimtari politike, në fushatë zgjedhore ose parti politike. U monitorua po ashtu veprimtaria e nxënësve gjatë orarit mësimor dhe nuk rezultoi asnjë rast i përfshirjes së tyre në fushatë elektorale”, tha Braçe.

Braçe tha se “jemi në fazën e mbledhjes së të dhënave për hartimin e raportit përfundimtar i cili do të përfshijë gjithë periudhën zgjedhore”.

“Mirëpresim raportimin e rasteve kur këta nëpunës të administratës civile janë përfshirë në akte gjatë procesit të administrimit zgjedhor të ndaluara nga ligji dhe pa asnjë diskutim do t’i largojmë nga shërbimi civil”, tha Braçe.

Lidhur me trajnimet e administratës publike, Braçe tha se “në të gjitha nivelet e administratës ASPA ka përballuar diversifikimin e trajnimeve të ofruara për nëpunësit civil me qëllim rritjen e performancës së tyre”.

“Në 2018 u organizuan 274 kurse trajnimi, ose 40% më tepër se 1 vit më parë”, tha Braçe./atsh

Braçe: Largim nga administrata për nëpunësit e përfshirë në akte dhune Read More »

Ushqimet të cilat mund t’i konsumoni në verë dhe kanë pak kalori

Marrja e kalorive të tepërta është një nga shqetësimet më të mëdha për të gjithë ata që kujdesen për format trupore, sidomos gjatë stinës së verës.

Mirëpo asnjëherë nuk arrini të kuptoni se cilat ushqime kanë më pak, apo më shumë kalori. Janë disa ushqime që kanë pak kalori dhe mund t’i konsumoni pa frikë gjatë verës:

Sallata jeshile
Sallata jeshile do të shtojë shumëllojshmërinë e ushqimit tuaj, por edhe vlerat ushqyese. Sallata jeshile ka kalori jashtëzakonisht të ulëta dhe përmbajtje të lartë të ujit, por është një burim i shkëlqyer i vitaminave A, K dhe C.

2. Luleshtrydhet

Luleshtrydhet shërbejnë për disa përfitime shëndetësore, ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit.
Ato kanë shumë pak kalori dhe janë një nga ushqimet më të mira për humbje peshe.

3. Turshitë

Turshitë janë të kripura, por shumë të shijshme. Gjithashtu janë një nga ushqimet e preferuara për të gjithë ata që duan të mbajnë dietë, pasi kanë zero kalori.

4. Kastravecat

Kastravecat kanë rreth 90% ujë në përbërje dhe si pasojë nuk kanë fare kalori.

5. Kajsitë

Të ëmbla, të lëngshme dhe perfekte për të gjithë ata që duhet të kujdesen për kaloritë e tepërta.

6. Kungulli

Kungulli është një nga perimet e verës më të shëndetshme dhe më me pak kalori që mund të gjeni.

7. Domatet

Domatet mund të zvogëlojnë rrezikun e kancerit dhe sëmundjeve të zemrës, sipas një studimi të publikuar në “Journal of Lifestyle of America”. Gjithashtu janë një nga perimet më të njohura të cilat ndihmojnë në humbjen e peshës.

8. Pjepri

I mbushur me antioksidantë, pjepri është ushqimi i përsosur, i ëmbël dhe freskues. Pjepri përmban shumë vitamina dhe minerale që mund të ndihmojnë në parandalimin e problemeve të syve. /atsh

Ushqimet të cilat mund t’i konsumoni në verë dhe kanë pak kalori Read More »