Aktualitet

Sipërmarrjet e reja në agrobiznes, mundësi për investime dhe punësim

Agrobiznesi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e biznesit për sipërmarrje të reja.
Produktet e bimëve mjekësore e aromatike (BMA) dhe fruta-perimeve, së bashku po udhëheqin rritjen e eksporteve shqiptare, duke zënë rreth 42% të totalit të vlerës së eksportit, në kategorinë e ushqimit, pijeve dhe duhanit, si dhe me rritje në vëllime dhe vlerë, nga viti në vit.
Për vetë ritmet e rritjes dhe potencialin që bart, ky sektor po tërheq vëmendjen e sipërmarrjeve të reja që po shtojnë investimet dhe po shtojnë numrin e të punësuarve.
Në sektorin e grumbullimit të bimëve mjekësore dhe aromatike (BMA) janë të angazhuar rreth 100.000 familje rurale në shkallë vendi, të cilat sigurojnë të ardhurat nga vjelja dhe grumbullimi i BMA-ve.
Rreth 95% e prodhimit të përgjithshëm të BMA-ve eksportohet, duke përfaqësuar 20% të vlerës së eksporteve bujqësore të vendit
Ndërsa zinxhiri i vlerës së këtij sektori, përbëhet kryesisht nga: 35 shoqëri përpunuese dhe eksportuese në shkallë vendi, prej të cilëve 15 eksportues të mëdhenj; 150 grumbullues lokalë në shkallë vendi, prej të cilëve 10 grumbullues rajonalë.
Sektori i BMA-ve paraqet kështu mundësi të mëdha për zgjerim të investime dhe krah të ri pune.
Gjithashtu sektori i fruta-perimeve përbën një tjetër sektor strategjik për eksportet shqiptare.
Ky sektor përbën rreth 30% të vlerës së eksportit të kategorisë së ushqimit, pijeve dhe duhanit. Pritet që ecuria e sektorit të rritet më tej, pasi ka përpjekje nga eksportues që synojnë të hyjnë në tregjet me vlera më të larta në Europë. Aktualisht rreth 65% e të ardhurave nga eksporti i perimeve vjen nga eksporti drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjithsesi, për të pasur qasje në tregjet cilësore të BE-së, është e domosdoshme të sigurohet përputhshmëria me standardet dhe certifikimet përkatëse. Shumica e rrjeteve të mëdha të supermarketeve në Europë kanë si objektiv të kenë deri në 100% të produkteve të certifikuar në raftet e tyre. Në këtë kontekst, eksportuesit në Shqipëri kanë nisur procesin e certifikimit Global G.A.P në grup, në bashkëpunim me fermerët e tyre, për të realizuar një standard që rrit sigurinë e produktit, mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe mjedisit.
Ndërsa skemat IPARD dhe skema të tjera përbëjnë një mundësi për përballimin e këtyre investimeve. /atsh

Sipërmarrjet e reja në agrobiznes, mundësi për investime dhe punësim Read More »

Ndahet nga jeta aktorja e njohur Valentina Caci

Aktorja e mirënjohur shqiptare, “Artistja e Merituar” Valentina Caci u nda nga jeta ditën e sotme.

Si pjesë e trupës profesioniste të aktorëve të teatrit të Korçës, Caci ka pasur shumëllojshmëri shfaqjesh në drama dhe komedi, duke marrë edhe besimin e regjisorëve për role kryesore.

Presidenti Ilir Meta i shprehu sot ngushëllimet familjes për humbjen e artistes së madhe.

“Me trishtim mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të aktores sonë të mirënjohur, “Artistes së Merituar” Valentina Caci. Me rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, në skenë, dhe veçanërisht në film, Valentina Caci fitoi simpatinë dhe u duartrokit me meritë nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në teatër e kinematografi. Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e kësaj artisteje të madhe, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të saj, si edhe të gjithë artdashësve shqiptarë. E paharruar do të mbetesh e madhja Valentinë!”, shprehet Meta.

Valentina Caci lindi në qytetin e Korçës më 2 mars të vitit 1936. Në lëvizjen artistike që shpërtheu që në muajt e parë të Paraçlirimit u aktivizua në grupet teatrale amatore, ku dhe u dallua si aktore. Ajo ka interpretuar në shumë role si, Ollga në dramën “Makar Dubrava” e Korneiçukut, Kolkoziania në dramën “Rruga e madhe” e Fjodorovit, Gallupkova në komedinë “Kush e ka fajin” e Molinavit, Lumturia në dramën “Të rinjtë” e V. Vinçanit, Lumtua në komedinë “Vajza nga fshati” e F. Gjatës, Veroria në dramën “Këneta” e F. Gjatës, Nafia në dramën “Hijet e natës” e V. Kokonës, Meri në dramën “Rrethimi i bardhë” e N. Priftit, Helena në dramën “Engjejt e skëterrës” e Kantenit, Gruaja në dramën “Orteku i vjeshtës” e S. Andonit, Luçia në komedinë “Karnavalet e Korçës” e S. Çomorës etj.

Ndërsa për publikun e gjerë ajo njihet me filmat: “Vëllezër dhe shokë”, “Mësonjëtorja”, “Me hapin e shokëve”, “Rruga e madhe”, “Kur çel dashuria”, “Shoqja nga fshati” dhe “Zonja nga qyteti”, etj.

Për kontributin e saj në skenën korçare dhe jo vetëm, aktores Valentina Caci i është dhënë titulli, “Artiste e Merituar”. Homazhet për të do të zhvillohen ditën e nesërme në Teatrin e Korçës “Andon Zako Çajupi” nga ora 12:00-13:00./atsh

Ndahet nga jeta aktorja e njohur Valentina Caci Read More »

Aplikimet në polici/ Zv.ministrja Kuko: Kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve

Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko, bëri të ditur sot të gjitha proceset që do të ndiqen për pranimin e aplikantëve të rinj në Policinë e Shtetit.

Në një intervistë televizive zv.ministrja Kuko deklaroi se do të shqyrtohen të gjitha dosjet e kandidatëve, për të parë nëse ata i përmbushin kriteret bazë.

“Pas aplikimit do ketë shqyrtim të dosjeve, për të parë nëse aplikantët përmbushin kriteret bazë. Pastaj është testi me shkrim, ku pyetjet do bëhen me praninë e ndërkombëtarëve, një intervistë me të gjithë kandidatët dhe një filtër psikologjik të kandidatëve dhe në fund është testi fizik”, – nënvizoi Kuko.

Për testin fizik, tha ajo, kriter është gjatësia, te meshkujt 1.75 m e lart dhe për vajzat 1.65m. /atsh

Aplikimet në polici/ Zv.ministrja Kuko: Kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve Read More »

Moti i keq/ MIE: Situata drejt stabilizimit, grupet e punës në terren për të eliminuar pasojat

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe gjithë institucionet e saj të varësisë kanë qenë në gatishmëri të plotë për të përballuar dhe eliminuar pasojat e motit të keq që përshiu jugun e vendit në mbrëmjen e datës 10 korrik 2019.

Nga raportimet e institucioneve kryesore të infrastrukturës dhe energjisë rezulton se: Situata e akseve rrugore gjatë natës së mbrëmshme në aksin Elbasan-Qafë Thanë ka pasur rënie gurësh. Grupi i mirëmbajtjes ka qenë në gatishmëri gjatë gjithë kohës. Nuk ka pasur probleme me trafikun.

Në aksin Pogradec-Tushemisht një pemë ka bllokuar rrugën pas ndërhyrjes u bë pastrimi dhe hapja e rrugës për trafikun. Aksi Qafë Thanë – Doganë ka pas probleme me rënien e gurëve, ndërsa në Qafë Thanë – Qafë Plloçë ka pas probleme në Qafë Plloçë me rënien e një peme dhe prurje inertesh, por jo probleme serioze ne trafik.

Në rrugën Korçë – Bilisht ka pas rënie peme në Zëmblak, por edhe kjo nuk ka qenë serioze për trafikun. Menjëherë u morën masa për pastrimin dhe largimin e pemëve nga pjesa e rrugës. Bisht i Zhurit-Fier ka pasur dëme vetëm në sinjalistikën vertikale, janë marrë të gjitha masat nga ana jonë për riparimin e tabelave.

Në Vlorë ka pasur inerte në rrugë dhe degë pemësh të thyera. Në Gjirokastër ka pasur rënie të dy pemëve në rrugë dhe një tabelë e madhe informuese në Vanister, ndërsa në zonën e Sarandës një rrëshqitje në segmentin Ura e Kranesë – Qafë Muzinë dhe inerte në zona të ndryshme të bregut.

Grupet e punës të ARRSH vazhdojnë të jenë prezente dhe punojnë që nga nata e mbrëmshme.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike

Pasojat e motit sollën dëme të shumta në rrjetin elektrik shpërndarës të OSHEE, që pavarësisht masave tekniko-organizative të marra, e kishte të pamundur të ndërhynte gjatë natës dhe në kushte aspak të favorshme klimaterike. Paraditen e datës 10 korrik, raportohej për 46 fidera të stakuar për shkak të motit të keq dhe rajonet më të prekura ishin Shkodra (Lezha kryesisht), Burreli dhe Durrësi (zona e Fushë-Krujës) dhe kryesisht zonat rurale të vendit, që furnizohen me rrjet ajror 6kV, i ndjeshëm ndaj stuhive, sidomos me shkarkesa atmosferike.

Gjatë orëve në vijim të datës 10 korrik, me rregullimin e pjesshëm të kushteve të motit, u përmirësua situata e furnizimit me energji elektrike në masën 70%. Në veri të vendit pothuajse të gjithë fiderat ishin në punë, por me kalimin e orëve, në mbrëmje, gjendja e motit u përkeqësua duke vijuar deri në orët e para të datës 11. Tashmë rajonet më të prekura nga kufizimi i energjisë elektrike ishin në qendër dhe jug të vendit, si Elbasani, Berati, Fieri, Korça (Pogradeci) dhe Vlora.

Dëmet e shumta mbi rrjetin elektrik gjatë natës sollën ndërprerje të energjisë elektrike në 84 fidera, ku si rezultat i motit të keq me shtrëngata shiu dhe erë të fortë u prekën rajonet Elbasan, Berat, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, ndërsa situata në rajonet e veriut ka qene disi më e qetë natën, përveçse në zonën e Velipojës ku ka pasur stakime.

Aktualisht, sipas raportimit të fundit, ora 12:30 të datës 11 korrik, kemi një përmirësim me 65% të situatës më furnizim të energjisë elektrike, ndërsa rajonet më të prekura vijojnë të jenë Berati, Fieri, Vlora, Gjirokastra dhe tashmë është shtuar edhe Tirana (pjesërisht Kombinati, Shinat e Trenit, Zall Bastari dhe Yzberishti). Është e rëndësishme të theksohet se fiderat që furnizojnë me energji elektrike hidrovoret dhe institucioneve të rëndësisë së veçantë janë në punë. Gjithashtu, rrjeti i tensionit të lartë (TL) 35kv apo dhe Nënstacionet kanë qenë në funksion të plotë. Operatori i Sistemit të Transmetimit OST Për shkak të motit të keq, ka pasur stakime kalimtare linjash TL 110.

Kjo ka shkaktuar ndërprerje të përkohshme të tensionit nga 5 – 10 minuta, në nënstacionet Bulqizë 110, Peshkopi 110, Gjirokastër 110, Drenovë 110, Berat 110 dhe Uznovë 110.

Portet Detare – Nuk janë konstatuar probleme në portet detare të Durrësit dhe Vlorës. Trageti i linjës Vlorë – Brindisi – Vlorë, më datë 11.07.2019 është akostuar me 1 orë vonesë e shkaktuar nga kushtet e vështira meteorologjike në det./atsh

Moti i keq/ MIE: Situata drejt stabilizimit, grupet e punës në terren për të eliminuar pasojat Read More »

Parashikimi i motit

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet i kthjellët me vranësira të pakta kalimtare në mëngjes dhe mesditë.

Era do të fryjë me drejtim Verilindje-Veriperëndim deri në 15 m/sek dhe në bregdet deri në 25-30 m/sek.

Përgjatë orëve të mesditës dhe pasdites era përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore të vendit intensive dhe me rrahje.

Valëzimi në dete i forcës 3-4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 16/27 Diell
Kukës 14/25 Diell
Lezhë 16/29 Diell
Dibër 12/23 Diell
Durrës 19/28 Diell
Tiranë 19/28 Diell
Elbasan 19/29 Diell
Berat 16/30 Diell
Vlorë 20/28 Diell
Korcë 16/25 Diell
Gjirokastër 14/28 Diell
Sarandë 19/28 Diell/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Deri më 25 tetor të gjitha bizneset duhet të kenë të hapur llogari bankare

Deri në datën 25 tetor 2019, të gjitha bizneset e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit duhet të kenë të hapur një llogari bankare.

Botimi në Fletoren Zyrtare i ndryshimeve ligjore për procedurat tatimore, konsiston në reduktimin e ekonomisë informale dhe reduktimin e parasë cash.

Sipas relacionit që shoqëron këtë ligj, ndryshimet i adresohen rekomandimeve të Komitetit Moneyval, që parashtron detyrimin e të gjithë tatimpaguesve persona fizikë/juridikë, përfshirë edhe organizatat jofitimprurëse për të pasur llogari bankare biznesi.

Ndërkohë, parashikohet që mos të jenë subjekte të këtij detyrimi tatimpaguesit, persona fizikë tregtarë të cilët realizojnë qarkullim vjetor, rrjedhimisht edhe qarkullim të parasë fizike, në vlera të ulëta mbi 2 milion lekë./atsh

Deri më 25 tetor të gjitha bizneset duhet të kenë të hapur llogari bankare Read More »

Disa këshilla para se të laheni në pishina

Në këto ditë të nxehta të gjithë ëndërrojmë plazhin, por jo të gjithë kanë mundësi të shkojnë në bregdet. Prandaj zgjidhje për shumë njerëz janë pishinat. Përpara se të shkoni të laheni në pishina duhet të lexoni disa këshilla sesi të kujdeseni.

Sipas specialistëve, sëmundjet më të zakonshme që vijnë nga larja në pishina janë infeksionet e veshit dhe infeksionet e lëkurës. Kjo ndodh për shkak të pranisë së mikroorganizmave të padukshme që ndodhen në ujë.

– Mos u lani kurrë në pishinë, kur keni një plagë të hapur, pasi ndotet uji.

– Mos u lani në pishina kur keni temperaturë apo dhimbje fyti, qoftë edhe e thjeshtë. Këto raste, sipas specialistëve përbëjnë kushtet ideale të rritjes së stafilokokut. Për të reduktuar deri në minimum riskun e infeksioneve, bëni një dush para larjes në pishinë. Ndoshta nuk e dinit, por eliminon 80% të florës bakteriale tranzitore që kemi thithur pa e ditur as ne.

Klori që përdoret në pishina nuk mjafton për të siguruar higjienën totale. Dizifektuesit me bazë klorin formojnë kompozime organo-klorikale, të cilat nëse thithen në sasi të madhe nga personat që notojnë mund të shkaktojnë ekzema dhe skuqje të lëkurës. /atsh

Disa këshilla para se të laheni në pishina Read More »

Vlorë/Reshjet e dendura të shiut, kthehet në normalitet situata e rrugëve

Pas reshjeve të shiut me intensitet të lartë gjatë mbrëmjes së kaluar, situata në të gjitha rrugët e qytetit të Vlorës është rikthyer në normalitet.

Vlora është zgjuar sot në normalitet të plotë dhe kjo falë punës së punonjësve të Ujësjellës-Kanalizimeve Bashkia Vlorë, të cilët gjatë gjithë natës ishin në terren, në ndjekje të situatës.

Largimi në një kohë të shkurtër i ujit nga rrugët e qytetit, erdhi si pasojë e punës së vazhdueshme për normalizimin e situatës, por edhe e ndërhyrjeve të shpeshta në rrjetin e kanalizimeve.

Me mjete të specializuara, si dhe angazhimin e të gjitha strukturave u arrit normalizimi i plotë i situatës.

Falë angazhimit intensiv gjatë gjithë natës, ditën e sotme Vlora i është rikthyer normalitetit.

Fotot sjellin momente nga situata normale në qytet dhe punës gjatë reshjeve. /atsh

Vlorë/Reshjet e dendura të shiut, kthehet në normalitet situata e rrugëve Read More »