Aktualitet

Ferma blegtorale model në Fier rrit kapacitetet, prodhon 6,5 tonë qumësht në ditë

Ferma blegtorale “Tris Alb”, një nga fermat model në Shqipëri, falë mbështetjes nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural po rrit kapacitetet e saj prodhuese, duke arritur sot të prodhojë deri në 6,5 tonë qumësht në ditë. Ambientet e kësaj ferme u vizituan sot nga Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga drejtoresha e përgjithshme e AZHBR-së, Frida Krifca dhe nga kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi.

“Jemi në një nga fermat blegtorale më të mëdha në Shqipëri. Ka rreth 470 krerë. Kemi ndihmuar nëpërmjet skemës kombëtare me ndërtimin e stallës së tretë që i duhet fermës për shtimin e kapaciteteve”, tha Frida Krifca, drejtoreshë e AZHBR.

Kjo fermë, bashkëpunon me rreth 300 fermerë për bazën e ushqimit duke pasur kështu një impakt të madh në zonë. Investimet në këtë sipërmarrje synojnë rritjen e prodhimtarisë, standardeve dhe konkurrueshmërisë, duke u përgatitur për tregun e Bashkimit Europian, në vijim të procesit të integrimit.

“Siç thonë shqiptarët, oreksi vjen duke ngrënë. Ne kemi rreth 470 krerë. Rreth 230 i kemi në prodhimtari qumështi dhe shpresojmë të shkojmë tek 650-700 me stallën e re që po bëjmë”, u shpreh sipërmarrësja.

Kryeministri Rama u shpreh se “do bëjmë çmos që t’ju mbështesim se nuk është problemi vetëm tek mbështetja e individëve, apo e sipërmarrjeve që krijojnë këtë vlerën e shtuar dhe ciklin e mbyllur, por është tek shembulli, tek modelet që të tjerët të mësojnë që nuk mund të vazhdojë më bujqësia që rri tek kjo copa ime dhe pres nga qielli që të vijë qeveria të m’i bëjë të gjitha”.

“Duhen shtuar forcat, duke u bashkuar dhe duke ndërtuar një marrëdhënie tjetër. Nuk ka asnjë mundësi tjetër e prandaj ne jemi shumë të prirur të mbështesim këto modele. Ju keni bërë një model ekselent dhe ne ju jemi mirënjohës”, tha Kryeministri Rama.

Me rreth 25 punëtorë të përhershëm dhe disa dhjetëra të tjerët sezonalë, “Tris Alb” synon të modernizojë proceset e punës dhe ambientet e kompleksit blegtoral, duke rritur kështu edhe numrin e punonjësve të përhershëm. Kryeministri vlerësoi punën e bërë në këtë fermë dhe u shpreh se ky është modeli që duhet ndjekur nga fermerët në të gjithë vendin. /atsh

Ferma blegtorale model në Fier rrit kapacitetet, prodhon 6,5 tonë qumësht në ditë Read More »

Panairi i Ulqinit sjell botues nga hapësira mbarëshqiptare përgjatë pesë ditëve

Për 19 vite me radhë në Ulqin organizohet Panairi i Librit. Botues nga hapësira mbarëshqiptare do të jenë të pranishëm gjatë 5 ditëve të panairit.

Organizatorja e këtij eventi, drejtoresha e Përgjithshme e botimeve “Toena”, Irena Toçi gjatë konferencës për mediet në Bibliotekën e Muzeut Historik tha sot se si risi shënon ndarjen e dy çmimeve “Liburnia” dhe “Dega e ullirit”.

“Këto dy çmime letrare që kemi themeluar sivjet janë risi. Njërin e kemi pagëzuar ‘Liburnia’ dhe do të shkojë për prozatorin më të mirë. Liburnia është anija që ndodhet edhe në siglën e qytetit të Ulqinit, ndërsa çmimin që do të jepet për letërsinë për fëmijë e kemi pagëzuar me emrin “Dega e Ullirit”. Edhe dega e ullirit ndodhet në siglën e qytetit të Ulqinit dhe të dyja krijojnë një simbolikë të rëndësishme që e lidhin me panairin e librit të Ulqinit, me Ulqinin vetë, me botën e fëmijëve dhe me letërsinë”, tha Toçi.

Duke u konsideruar si aktivitetin më të rëndësishëm kulturor gjatë verës në Ulqin, Toçi tha se panairi merr rëndësi rajonale.

“Përveç botuesve tanë, ka edhe shumë botues që vijnë nga Maqedonia e Veriut, kryesisht shqiptarë. Ka nga Bosnja që prezantojnë librin e tyre në gjuhën e tyre, botues nga Kosova dhe Mali i Zi. Hapësira është një element i rëndësishëm pasi panairi bëhet një panair i rëndësishëm rajonal.

Krahas prezantimit të titujve të rinj të letërsisë shqipe dhe asaj të përkthyer e cila dominon stendat, nuk do të mungojnë edhe takimet me autorë. I ftuar special do të jetë shkrimtari Fatos Kongoli për të prezantuar romanin e tij të fundit “Gënjeshtarë të vegjël” si dhe për të komunikuar me publikun.
Panairi i Ulqinit 2019 mbahet nga data 26 deri në 31 korrik ku komuna e Ulqinit një vend të veçantë në sezonin turistik i kushton edhe ofrimit të turizmit kulturor. /atsh

Panairi i Ulqinit sjell botues nga hapësira mbarëshqiptare përgjatë pesë ditëve Read More »

30 qershori, Glover letër mirënjohjeje për bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme

Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko tha sot se ky dikaster ka marrë nga shefja e Misionit të ODHIR, ambasadorja Glover, letër mirënjohjeje për bashkëpunimin mes Ministrisë së Brendshme dhe ODIHR gjatë procesit zgjedhor të 30 qershorit.

“Së bashku me ekipin, e vlerësuar që në rolin e drejtueses së Task Forcës së Ministrisë së Brendshme për Zgjedhjet, morëm nga shefja e Misionit të ODHIR, Ambasadorja Glover, letrën ku shprehet mirënjohje e sinqertë për bashkëpunimin e shkëlqyer mes Ministrisë së Brendshme dhe ODIHR”, shprehet Kuko.

Po ashtu, Kuko falënderon Policinë e Shtetit për menaxhimin profesional të procesit zgjedhor.

“Falënderime ekipit në MB dhe Policisë së Shtetit për përkushtimin pa orar dhe menaxhimin profesional të gjithë procesit në gjithë kompleksitetin e tij”, shprehet ajo.

Gjithashtu, Kuko shpreh falënderime për ODIHR për bashkëpunimin në këtë proces.

“Falënderime ODIHR, për bashkëpunimin e shkëlqyer, korrektesës dhe paanësisë në kryerjen e misionit”, përfundon Kuko. /atsh

30 qershori, Glover letër mirënjohjeje për bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme Read More »

Vlorë, investime për furnizimin me ujë në fshatrat Kërkovë, Panaja dhe Bestrovë

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë po kryen një investim për përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë të fshatrave Kërkovë, Panaja dhe Bestrovë, të njësisë administrative Qendër.

Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Dorian Xhelili, theksoi se “jemi duke bërë një ndërhyrje në trungun kryesor të linjës së transmetimit për të gjithë fshatrat Panaja, Bestrovë dhe Kërkovë”.

“Kjo ishte një ndërhyrje e domosdoshme, do të bëjmë një zëvendësim, prej 10 metrash në një linjë transmetimi dhe presim një përmirësim të situatës për furnizimin me ujë për të tre fshatrat. Është një investim i rëndësishëm sa i përket linjës së transmetimit që ndikon në këto fshatrat dhe do të vazhdojë me investime të tjera përsa i përket kësaj zonë në sistemin e ujësjellësit kanalizimeve”, nënvizoi Xhelili duke shtuar se ky investim do të rrisë orët e furnizimit dhe do të përmirësojë atë.

Kreu i Ujësjellës Kanalizime i bëri apel banorëve të këtyre fshatrave të mos e shpërdorojnë ujin.

Po ashtu Xhelili u bëri apel edhe konsumatorëve familjarë dhe privatë në qytet./atsh

Vlorë, investime për furnizimin me ujë në fshatrat Kërkovë, Panaja dhe Bestrovë Read More »

Klosi: Shqipëria paketë të përbashkët turistike me 6 vende të rajonit

“Shqipëria është pjesë e një diskutimi të përbashkët mes 5 vendeve të rajonit, Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Serbi, Mali i Zi, që synon përfshirjen e saj në hartën e destinacioneve turistike të rajonit”, deklaroi sot, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në aktiviteti e organizuar nga RCC në Tiranë.

Klosi tha se për ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, megjithëse Shqipëria është pjesë e një projekti të përbashkët të financuar nga RCC (The Regional Cooperation Council), për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e saj si destinacion i qëndrueshëm në rajon dhe Europë, vendi ynë do të kishte sukses nëse do të futej në treg me një ofertë të përbashkët turistike.

“Mendoj që jo vetëm në rajonin e Mesdheut, por të gjithë rajonet kanë filluar të mendojnë si destinacione të përbashkëta pasi tregu i turizmit ka ndryshuar shumë, tregu i atyre që udhëtojnë ka ndryshuar shumë, tregu i atyre që përfitojnë nga turizmi ka ndryshuar shumë dhe gjithmonë e më shumë ofertat janë bërë komplekse. Prandaj unë do të doja shumë që t’ju nxisja të gjithëve ju që jeni këtu për të qenë pjesë e ideve të përbashkëta. NE kemi shumë nevojë për ide, për ta parë ndryshe mënyrën si është zhvilluar turizmi deri tani por natyrisht edhe turizmi së bashku me mbrojtjen e mjedisit”, tha ministri Klosi.

Më tej Ministri Klosi shtoi se për këtë arsye, ministri kërkoi asistencën e shoqërisë civile, për të ndihmuar me ide smart, projekte, që nxisin reflektimin e shoqërisë, veçanërisht të intelektualëve të fushës, për përfshirjen e tyre në gjetjen e një ekuilibri mes mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të turizmit.

Ne vijim Klosi shtoi se “Dua të jem mbase i pari që i bëj kritikës vetes dhe mënyrës së zgjedhur sesi ne akoma i menaxhojmë gjërat për sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe të pasurive tona natyrore. Ndaj në këtë kuadër nuk është vetëm ky projekt që është shumë i rëndësishëm, është një projekt që krijon dhe jep grande për shoqërinë civile, për NGO-të, për njerëzit, intelektualët e fushës, në vlera të caktuara financiare të cilat nuk do të doja t’i përmendja pasi nuk mendoj që paratë janë më e rëndësishmja pro janë idetë më të rëndësishme. Edhe ne si institucione shtetërore përpiqemi të jemi pjesë e rrjetit dhe në këtë konkurrencë gjithmonë e më agresive që po bëhet qoftë edhe në fushën e projektit, pasi duhet ta kuptojmë që konkurrojmë me intelektualë nga 6 vendet e rajonit”, tha ai.

“Jemi në konkurrencë të hapur, kush di të mbrojmë më mirë projektet, kush di të paraqesë projekte që influencojnë më shumë sesa një shtet, kush di të lobojë me partnerë e intelektualë të rajonit në përgjithësi për të pasur projekte sa më të ideuara”, tha ministri Klosi, i cili premtoi mbështetje 100% të institucioneve shtetërore dhe agjencive në varësi, që do të mund të shfrytëzohen si laboratorë për çdo projekt dhe ide, që mbrojnë mjedisin dhe nxisin zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.atsh

Klosi: Shqipëria paketë të përbashkët turistike me 6 vende të rajonit Read More »

Soreca: E rëndësishme që së shpejti të kemi një Gjykatë të Lartë funksionale

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka deklaruar se është e rëndësishme që së shpejti të kemi një Gjykatë të Lartë funksionale.

Ai ka zhvilluar sot një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, ku është njohur me punën e thellë të KLGJ, në veçanti për ngritjen e Gjykatës së Lartë, anëtarët e së cilës ngecën në Vetting.

“Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami, më njohu sot me punën e thellë të Këshillit, në veçanti për hapjen e vendeve të lira të punës për Gjykatën e Lartë, për të cilën aktet rregullatorë tani janë në fuqi. Është e rëndësishme që së shpejti të kemi një Gjykatë të Lartë funksionale, por edhe të balancuar në shpejtësinë dhe cilësinë e punës”, është shprehur Soreca./atsh

Soreca: E rëndësishme që së shpejti të kemi një Gjykatë të Lartë funksionale Read More »

Braçe-Bashës: Selenica 7 ditë pa ujë, ndërroni transformatorin

Zv/kryeministri Erion Braçe reagoi sot ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Selenicë, ndërsa e ftoi atë dhe kryetarin në detyrë të bashkisë Selenicë (PD), Përparim Shametin, që të punojnë realisht për interesin publik.

“Ti Lyrzim nuk po lufton për karrige? Ti Lyrzim po lufton për interesin publik? E ke seriozisht? Atëherë, merre për veshi atë Papin tënd, domethënë “kryetarin legjitim” të Selenicës, të dy bashkë ngrihuni nga karrigia partiake e tavolina po e tillë, shkoni e ndërroni transformatorin nga merr energji pompa e ujësjellësit, se meruat Selenicën. Ka 7 ditë pa ujë dhe Papi yt legjitim as që mendon për këtë”, tha Braçe.

Ujësjellësi, sipas Braçes, është në pronësi të bashkisë, por “pompa u dogj se e linte ditë-natë ndezur e pa kontroll dhe pompën e re ja blemë dhe ja vendosëm ne, qeveria”.

“Tani lërini dënglat dhe ndërroni transformatorin se edhe atë e keni djegur! Ky është interes publik! Bëjeni tani meqë qenkeni në Selenicë. Ndryshe e bëjmë ne, por ti e ju hani peshk pas kësaj”, tha Braçe./atsh

Braçe-Bashës: Selenica 7 ditë pa ujë, ndërroni transformatorin Read More »

Drejtuesi i Prokurorisë Vlorë, Ardian Ylli në “sitën” e Vetingut më 15 korrik

Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Ardian Ylli do të kalojë në procesin e Vetingut më 15 korrik.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përshpejtuar axhendën e “skanimit” të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin korrik.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se më 15 korrik do të zhvillohet seanca dëgjimore me drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Ardian Ylli.

Po ashtu, KPK ka shpallur dhe trupën gjykuese që përbëhet nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari, Olsi Komici.

Gjithashtu, KPK ka vendosur që seancën dëgjimore më gjyqtarin pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ilir Mustafaj, që ishte parashikuar në kalendar më 11 korrik ta shtyjë më datën 18 korrik.

Kështu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të zhvillojë një seancë dëgjimore me subjektin e rivlerësimit Ilir Mustafaj, më 18 korrik, ora 08:45.

Trupa gjykuese që do të dëgjojë gjyqtarin pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ilir Mustafaj, përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine.

Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Ardian Ylli dhe gjyqtari pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ilir Mustafaj, do të përballen me Vetingun për tre kriteret klasike të verifikimit: të pasurisë, kriterin etik dhe atë profesional. /atsh

Drejtuesi i Prokurorisë Vlorë, Ardian Ylli në “sitën” e Vetingut më 15 korrik Read More »