Aktualitet

Polifonia shqiptare mirëpritet në Festivalin Ndërkombëtar “Lauksnos”, në Lituani

Grupi folklorik “Bilbili”i Vlorës u duartrokit gjatë në prezantimin e tyre në festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Lauksnos”, në qytetin bregdetar Klaipeda, rreth 300 km larg kryeqytetit Vilnus, Lituani, që po zhvillohet nga 11-14 korrik.

Në një nga sheshet kryesore të qytetit të Klaipedas në Lituani, nisi mbrëmjen e djeshme paraqitja e grupeve të ardhura nga dymbëdhjetë vende të Europës e Botës për të performuar me vlera të trashëgimisë shpirtërore, mbrojtur nga UNESCO.

Grupi foklorik “Bilbili” u prezantua me disa nga këngët më të njohura të Labërisë e Bregut të Detit.

Drejtori artistik i grupit “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “në koncertin e parë ku shënohet edhe prezantimi i të gjitha grupeve pjesëmarrëse e ku organizatorët kishin programuar një kohëzgjatje deri 10 minuta, “Bilbili” i Vlorës paraqiti një buqetë këngësh e melodish me instrumente popullorë, të cilat u përcollën me duartrokitje e ovacione nga të pranishmit e shumtë”.

Meloditë baritore me fyell e cylë dyjare, interpretuar me mjeshtëri nga Vendim Kapaj “Mjeshtër i Madh” dhe Sinan Gjoleka, u lanë vend këngëve polifonike kënduar nga Piro Latifaj, Tajre Bozhani e Valbona Nora.

“Spektatorët dhe dëgjuesit e shumtë duartrokitën këngën baladë të Ymer Agos, “Thëllëza që shkon mbi vesë”, “Bejkë e bardhë” si dhe meloditë baritore në fyell e culë dyjare, shoqëruar me avaze zilesh e këmborësh”, tha Gjokoli.

Polifonia e kënduar nga Grupi “Bilbili” u prezantua nga moderatorja e festivalit si kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit e shpallur nga UNESCO në vitin 2005 dhe kjo e shtoi edhe më shumë vëmendjen dhe kërshërinë për të gjithë.

Në festival, në Klaipeda të Lituanisë, në këtë qytet antik në breg të Balltikut, iso-polifonia shqiptare po shënon një tjetër performancë të jashtëzakonshme, si një kryevlerë e pa diskutueshme e kulturës dhe trashëgimisë tonë kulturore kombëtare.

Grupi folklorik “Bilbili” juridikisht është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare./atsh

Polifonia shqiptare mirëpritet në Festivalin Ndërkombëtar “Lauksnos”, në Lituani Read More »

Sazani dhe Karaburuni, tërhoqën 4963 turistë vetëm në qershor

Sazani dhe Karaburuni ishte destinacioni i 4963 turistëve vendas e të huaj gjatë muajit qershor të këtij viti, të cilët kanë kanë udhëtuar nga porti i Vlorës me anijet turistike.

Porti i Vlorës bën të ditur për ATSH-në se “në muajin qershor ka pasur një rritje të fluksit të turistëve si nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe të turistëve të huaj, të cilët kanë kuriozitet për të parë nga afër këta ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Karaburunit”.

Sipas portit, nga këta turistë, 1727 kanë qenë të huaj nga vende të ndryshme të botës si si Polonia, Italia, Amerika, Hungaria, Holanda, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja, etj.
gjatë sezonit turistik, anijet turistike operojnë me një grafik më të ngjeshur, duke udhëtuar pothuajse përditë.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës.

Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës. /atsh

Sazani dhe Karaburuni, tërhoqën 4963 turistë vetëm në qershor Read More »

Zbuloni çfarë kanë rezervuar yjet për ju

Dashi

Parashikohet një ditë mjaft pozitive, ku do të ketë ndjesi të bukura në sferën sentimentale. Përfitoni nga këto momente për të sqaruar çdo gjë, në rast se keni pasur keqkuptime me njeriun e zemrës.

Demi

Kjo e shtunë do të jetë perfekte për t’ia dedikuar dashurisë. Vetëm nëse historia juaj është e gabuar dhe nuk funksionon, mund të jetoni një periudhë të vështirë. Ndaj këshillohet që të përfitoni nga kjo fundjavë për të sqaruar çështjet e mbetura pezull.

Binjakët

Do të përballeni me një sërë diskutimesh dhe çështjesh që kanë nevojë për sqarim. Mundohuni që të mos jeni shumë agresiv, pasi ka disa persona që ju vihen kundër në sferën profesionale, duke u munduar që t’iu pengojnë. Ka ende një sërë shqetësimesh që ju shkaktojnë ankth.

Gaforrja

E shtuna parashikohet të jetë mjaft pozitive dhe interesante, gjatë së cilës do të përballeni me një sërë avantazhesh… Më në fund, pas një sërë vështirësish që keni kaluar. Do të ndjeni nevojën për t’u hapur me personat që keni përzemër.

Luani

Do të ketë një rikuperim të ndjeshëm në sferën sentimentale, duke qenë se yjet ju favorizojnë në këtë fundjavë. Përfitoni për t’iu dedikuar më shumë dashurisë dhe për të udhëtuar. Mund të keni një takim interesant me një person special. Nëse dikush do të ndihet i pakënaqur, kjo do të ndodhë pasi gjatë kësaj periudhe ka një sërë gjërash që dëshironi ti çoni deri në fund, por që për shkaqe të jashtme nuk arrini që ti realizoni.

Virgjëresha

Përfitoni nga kjo ditë për të sqaruar disa çështje si në dashuri edhe në sferën profesionale, pasi ditët në vijim do të jenë të mbushura me debate. Mundohuni të mos e ngrini zërin si dhe të jeni të kujdesshëm, duke mbrojtur raportin në çift.

Peshorja

Keni nevojë për diçka e cila t’iu shkëpusë nga problemet me të cilat duhet të përballeni. Me gjasë jeni përballur me një sërë ndryshimesh në raport me të kaluarën. Do të lini mënjanë stresin, veçanërisht nëse burimi i tij ka qenë prej punës.

Akrepi

Gjatë kësaj dite do bënit mirë të reduktonit shpenzimet e tepërta, ashtu sikundër edhe fjalët pa vend. Shmangni përplasjet dhe polemikat në dashuri. Në vendin e punës mund të hasni në probleme, por mundohuni që të mos bini pre e provokimeve.

Shigjetari

Bëhet fjalë për një ditë të bukur, gjatë së cilës do të ndiheni më mirë në raport me më parë dhe do të keni të drejtë, pasi planet tuaja do të jenë të favorizuara. Nëse jeni vetëm, takimet janë mjaft të favorshme gjatë kësaj fundjave.

Bricjapi

Do të ketë një rikuperim të mirë sa i takon formës fizike, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë sa i takon ndjenjave, në rast se keni kaluar një krizë. Këshillohet që të përqendroheni më shumë në veten tuaj dhe të vlerësoni më mirë atë që po ndodh.

Ujori

Këshillohet që të pushoni më shumë! Në momentin që ndiheni të lodhur bëheni nervoz dhe humbni kontrollin. Me gjasë do ju duhet që të sqaroni disa çështje të natyrës sentimentale.

Peshqit

Këshillohet që të mos i dramatizoni situatat dhe të mos shfryheni mbi të tjerët. Duhet të gjeni një kompromis dhe të zgjidhni një problem që po ju mundon. Parashikohet një ditë e mbushur me tensione sa i takon sferës sentimentale.

Zbuloni çfarë kanë rezervuar yjet për ju Read More »

Reagim – Faturat marramendëse në jug të vendit.”Kur të ha viçi ty dhe jo ti viçin”

Çmimet e ushqimeve në restorantet që ndodhen në jug të vendit, sa vijnë dhe rriten, veçanërisht në sezonin e verës.

Pavarësisht cilësisë së ushqimit, e cila në shumë raste lë për të dëshiruar, për të mos thënë që të bën të përfundosh edhe në spital, nëse vendos të hashë një drekë apo darkë në jug, patjetër që duhet të sigurohesh ta kesh xhepin plotë.

Avokati Altin Goxhaj ka publikuar një faturë të kripur, nga e cila i ka bërë përshtypje një prej çmimeve.

Teksa publikon faturën me listën përkatëse, të ngel syri në fund, ku thuhet se një fileto demi prodhim vendi kushton 25 mijë lekë të vjetra.

Sipas avokatit, ky është rasti kur të ha viçi ty dhe jo ti viçin.

Ai shkruan në rrjetet sociale:

KUR TË HA VIÇI TY DHE JO TI VIÇIN

25 mijë lekë një racion në pjatë me një fileto viçi në Sarandë!
Duket ata te restoranti po nxjerrin fitimin e munguar në kurriz të vikt.imave që u shkelin në lokalet bosh.
Ndaj habitemi ne se si turistët e huaj ndalojnë veç në ato restorante që kanë të publikuar jashtë Listën e Çmimeve. E dinë mirë se ç’duhet bërë që t’a hanë ata viçin dhe jo viçi ata.”

Reagim – Faturat marramendëse në jug të vendit.”Kur të ha viçi ty dhe jo ti viçin” Read More »

Lojërat e fatit/ Ushtronte aktivitet të paligjshëm, procedohet një shtetas në Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vazhdon kontrollet për të goditur paligjshmërinë e aktiviteteve të lojërave të fatit.

Policia e Tiranës ka dërguar për procedim penal 1 shtetas për veprën “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Po ashtu, Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 11 monitorë me tastiera të markave të ndryshme, një njësi kompjuteri dhe një pajisje interneti.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 4, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin: F. Z., 43 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin nën administrimin e shtetasit F. Z në rrugën “Dom Nikoll Marku”, u gjetën 11 monitorë me tastiera të markave të ndryshme, një njësi kompjuteri dhe një pajisje për shpërndarje interneti që shërbenin për të ushtruar veprimtarinë e lojërave të fatit të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, Policia Vendore e Tiranës garanton se kontrolle kundër aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, do të vijojnë në të gjithë qarkun e Tiranës,me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e këtij aktiviteti të kundërligjshëm, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të këtillë të kundërligjshme. /atsh

Lojërat e fatit/ Ushtronte aktivitet të paligjshëm, procedohet një shtetas në Tiranë Read More »

Investimet në turizëm, më pak masivitet dhe më shumë të ardhura

Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se “bashkë me AIDA-n, më në fund do të çojmë në port disa investime domethënëse në sektorin e turizmit që do të injektojnë sasira të konsiderueshme fondesh”.

Gjatë ceremonisë së organizuar në Fier për fillimin e punimeve për stabilimentin e “Yura Corporation”, për prodhimin e pjesëve të këmbimit për makinat, Rama tha se “këto investime në turizëm do të çelin hapësira të konsiderueshme për punësim”.

Po ashtu ai tha se “do të influencojnë në mënyrë të jashtëzakonshme edhe për zhvillimin e qëndrueshëm, bazuar në më pak masivitet dhe më shumë të ardhura nga turizmi, por edhe në drejtim të forcimit të domosdoshëm të imazhit të Shqipërisë turistike”.

Kryeministri theksoi po ashtu domosdoshmërinë e bashkëpunimit në nivel qendror dhe vendor.

Sa i takon investimit të kompanisë “Yura Corporation”, Rama shprehu kënaqësinë që ky investim ndodh në Fier, një zonë me profil industrial. “Ardhja e kësaj kompanie i jep mundësi për ta ridizenjuar këtë profil dhe hapur perspektivë për kompani të tjera të afrohen”, – tha ai. /atsh

Investimet në turizëm, më pak masivitet dhe më shumë të ardhura Read More »

Balla: Shpifjet që frymëzojnë dhunë janë fundi i asaj çfarë ka mbetur nga PD-ja

“Shpifjet, që më pas frymëzojnë dhunën dhe molotovët, janë fundi i asaj çfarë ka mbetur nga PD-ja”, ka deklaruar sot kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, pas gjyqit të fituar për shpifje ndaj Jamarbër Malltezit, shefit të Departamentit të Mjedisit në PD.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se të gjitha fonde që burojnë nga gjyqet me Bashën, Berishën dhe dhëndrin e tij, do të shkojnë për investime në kopshte dhe çerdhe.

“Fondi për Edukimin, përmes të cilit do investojmë në kopshte dhe çerdhe, me të ardhurat që burojnë nga gjyqet me Lerishët, lulëzimat dhe artistat e PD u shtua sot me një “kontribut” të vlefshëm nga dhëndri i Sali Berishës prej 3000 Euro. Berishët u vetëdorëzuan para Gjykatës italiane, duke vetëpranuar fajin dhe turpin e vet në një betejë juridike, ku isha i bindur për fitoren”, shprehet ai.

Siç kam dhënë fjalën, shton Balla duke vijuar se “e gjithë kjo shumë do të shkojë për një institucion parashkollor në Librazhd. Në ditët në vijim ky çek do t’i kalojë fëmijëve të komunitetit të nderuar rom në Librazhd. Vazhdoni të bëheni për turp në sytë e njerëzve, sepse ne kemi gjetur tashmë instrumentin si ta bëjmë të dobishëm Lulin, Saliun dhe artistët e PD”. /atsh

Balla: Shpifjet që frymëzojnë dhunë janë fundi i asaj çfarë ka mbetur nga PD-ja Read More »

Fasadat e unifikuara dhe kalldrëmet e rinj në Gjirokastër/ Margariti: Do ndryshojë dinamika e qytetit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është rikthyer në Gjirokastër për të inspektuar punimet në qytetin e gurtë.

“Gjirokastra na mblodhi sërish. U rikthyem të inspektojmë punimet në kalldrëme, që po i ribëjmë nga e para, për t’u ofruar bizneseve dhe banorëve, shërbimet e munguara. Nuk mungojnë skeptikët, por me mbarimin e punimeve, do të shijojnë lehtësirat. Fasadat e unifikuara dhe kalldrëmet e rinj, do të ndryshojnë dinamikën e qytetit”, theksoi ajo.

Projekti për rehabilitimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve të Gjirokastrës po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin”. Për këtë pjesë të ndërhyrjes FSHZH bashkëpunon ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Kulturës, specialistët e së cilës sigurohen që punimet për restaurimin e kalldrëmeve të kryhen sipas parametrave të duhur.

Kalldrëmi që po restaurohet është i viteve ’70-80. Në shumë vende ai ishte shumë i dëmtuar si në sipërfaqe, ashtu dhe në shtresat e tij. Gjatë punimeve inxhinierike u zbuluan edhe disa segmente kalldrëmi të vjetër që mendohet se është nga 200 deri në 400-vjeçar. atsh

Fasadat e unifikuara dhe kalldrëmet e rinj në Gjirokastër/ Margariti: Do ndryshojë dinamika e qytetit Read More »