Aktualitet

Vëllezërit she.rr në emision, ndërhyn Ardit Gjebrea

Këtë të diel në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të “E Diela Shqiptare” ishin dy vëllezër, në konflikt prej 10 vitesh për një apartament, të cilin asnjëri prej tyre nuk e gëzon.

Në një seancë të tensionuar që shumë herë shkoi në përplasje fizike mes dy vëllezërve para publikut, Fatmiri tha se në vitin 2009 kishte blerë një apartament me paratë e Petros, i cili prej më shumë se dy dekadash jeton dhe punon në Greqi. Apartamentin Fatmiri e kishte bërë në emër të vet gjatë marrëveshjes me firmën ndërtuese, por thotë se nuk e pretendon dhe se ai apartament do të bëhej në emrin e Petros në momentin që do të legalizohej. Problemi është se ata janë mashtruar nga firma ndërtuese dhe sot në atë apartament banon një person me emrin Ilir, i cili edhe ai nga ana e tij i ka hapur gjyq firmës ndërtuese me argumentimin se nuk ka blerë atë hyrje, por një tjetër në të njëjtin pallat.

Ardit Gjebrea: Sot kemi dy vëllezër, kemi Petron dhe Fatmirin. Janë dy vëllezër që kanë një konflikt goxha të nxehtë sepse i dëgjova gjatë publicitetit dhe do të dëshiroja të ishin pak të qetë. Sa herë që një vëlla i thotë vëllait më bëj këtë favor, p.sh. më blej këtë apartament, unë nuk e kuptoj pse vëllai për të ndihmuar vëllain e blen apartamentin dhe i bën dokumentet, por jo në emër të tij, por në emër të vet, pse?

Fatmiri: Nuk kam dashur të vija, biles vetëm nga ju (Zonja Eni) e përtypa këtë që erdha këtu.

Zonja Eni: Faleminderit shumë, por të ka thirrur vëllai nuk të ka thirrur Eni.

Petro: Arsyeja pse kam ardhur sot këtu është ai vëllai im që nuk mund t’i thuash vëlla. Sepse këtu e 10 vite përpara, në vitin 2009 kemi blerë një apartament në qytetin e Fierit.

Fatmiri: Po nuk të vjen rëndë o palaço? Nuk të vjen rëndë?

Petro: Zonja Eni…

Fatmiri: Nuk të vjen rëndë që thua nuk mund t’i thuash vëlla? Je prej një nëne ore.

Petro: Jemi prej një nëne, por atë që më ke bërë ti nuk ma bënte as hasmi, more vesh?

Fatmiri: Ça të kam bërë more, ça të kam bërë?

Petro: Ulu aty zotëri. Ulu se do t’i sqarojmë.

Fatmiri: Çfarë do të sqarojmë? Ta dija se ke ardhur ti këtu…

Petro: Fatmiri, në vitin 2009, kur unë kam qenë në Greqi. Zotëria më merr në telefon dhe më thotë në Fier, sipas miqve dhe shokëve, po ndërtohet një pallat në lagjen 8 Shkurti dhe është një pallat shumë i mirë, me metra katror shumë të mira dhe në një vend shumë të qetë dhe të mirë. Më merr me mijëra herë dhe më thotë, ke mundësi ekonomike të marrësh një apartament në Fier. I them ta mendoj. Këmbëngulte të merrja unë një apartament derisa i thashë po.

Fatmiri: Ku do dalësh, të kam ngrënë lekët unë ty? Çfarë të kam bërë? O palaço?

Petro: Çfarë më ke bërë ti? Më ke bërë një dëm shuam të madh zotëri, si ekonomik ashtu edhe psikologjik.

Fatmiri: Ore unë të respektova ty?

Petro: Jo nuk më respektove, nëse do të kisha unë sot çelësat në xhep, atëherë do ta dija për faleminderit. Ke 10 vite që merresh në gjykata. Nga 2009 dhe jemi në vitin 2019.

Fatmiri: Po jam vëllai i madh ore, nuk të vjen rëndë ty?

Petro: Le të jesh ça të duash. Këtë që ma ke bërë vëllai i madh mua nuk ma ka bërë as hasmi, as perëndia.

Fatmiri: Po tani hasëm je me mua ti se të më sjellësh këtu mua ti në mes të tyre, dhe që të bilbilosësh si bilbil…

Petro: Jo si bilbil këndon ti se unë kam ardhur për hallin tim. Kam ardhur për të drejtën time. (Fatmiri i afrohet Petros) Zotëri…më ke marrë edhe lekët edhe do edhe të më godasësh këtu ë? Zonja Eni e shikoni?

Fatmiri: Ça të shikojë ore palaço?

Petro: Turp të të vijë ty, që ka kaq vite dhe…

Fatmiri: Po s’të kam ngrënë lekët unë ty ore…Zonja Eni e di si ka qenë historia? Lekët ia kam marrë, por ia kam marrë me mirëkuptim, edhe që të mos linte ditën e punës. Unë i thashë pronarit që vëllai nuk i ka lekët të gjitha, nuk ka problem më tha pronari i firmës, Eqerem Mehmetaj, ke vëllain këtu tha ai. Pasi diskutova me këta, i pyeta, po emri prish punë? Nuk ka problem më thanë, se emri kur të kalohet në hipotekë do të kalohet në emër të atij. Po sekreti është se ajo nuk kaloi në hipotekë, prandaj bilbilon ai, po unë nuk i kam ngrënë as lekët e asgjë. /tvklan.al

Vëllezërit she.rr në emision, ndërhyn Ardit Gjebrea Read More »

Margariti: Trashëgimia kulturore, vlerë e shtuar në zhvillimin e agroturizmit

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, u shpreh të shtunën gjatë një takimi me banorë të Linit se, kishte ardhur në fshatin Lin një vit më parë kur mori detyrën si koordinatore e programit “100 Fshatrat”, program i cili, siç tha ajo, e befasoi më shumë ndërthurja e trashëgimisë kulturore, natyrës dhe resurseve agroturistike.

“Që atëherë kemi diskutuar shumë për këto mbështetje të ndërthurura dhe sot që vij pas disa kohësh, shoh që jo vetëm kjo bujtinë, por edhe të tjera investime, kanë marrë formë dhe i përgjigjen misionit për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit”, – tha ajo.

Margariti tregoi historinë e takimit me një gurgdhendës, i cili po ndërton një hotel që pritet të hapet këto ditë. Ai më tha, citoi ajo, “që mund ta ndërtoja shumë më shpejt hotelin me tulla e beton, por besoj që kjo shtëpi ka nevojë për këto gurë”.

Ka ardhur koha që investimet kanë nevojë për këto mjeshtra, theksoi Margariti. Ndaj, vijoi ajo, lajmi i mirë është që edhe liqeni i Ohrit, pjesa shqiptare, iu bashkua UNESCO-s dhe kjo nuk është vetëm një vlerësim, por edhe përgjegjësi për t’u menaxhur kjo pasuri botërore.

“Ju jeni pjesë e ruajtjes së trashëgiminë kulture”, tha ajo. /atsh

Margariti: Trashëgimia kulturore, vlerë e shtuar në zhvillimin e agroturizmit Read More »

Ky vend nuk do udhëhiqet nga kompanitë, por nga kontratat

Zv.kryeministri Erion Braçe ka reaguar lidhur me mungesën e korrektësisë së një kompanie që ka ndërtuar kanalet e rrjetit vaditës në zonën e Divjakës. Sipas Braçes, kompania ka shkatërruar rrugët në zonën në fjalë dhe duhet të mbajë përgjegjësi sipas kontratës që ka me institucionet shtetërore.

“Ky vend, nuk do udhëhiqet nga kompanitë por nga kontratat!”, garantoi Braçe.

“Kjo është rruga e fshatit Korie në njësinë Gradisht të bashkisë Divjakë. Siç e shihni ka qenë e shtruar me asfalt! Kompania që po ndërton kanalet e rrjetit vaditës në drejtim të Zharnecit dhe Adriatikut, e ka shkatërruar! Detyrimi në kontratë thotë që kompania duhet të ktheje në gjendjen e mëparshme çdo rrugë që dëmton. Në fakt, e ka shkatërruar!”, deklaroi Braçe

“Bashkë me ministrinë e Bujqësise, bashkinë Divjakë kemi 3 muaj që i kërkojmë kompanisë të rindërtojë këtë rrugë dhe çdo rrugë parcelash që ka shkatërruar me mjetet e rënda. Për turp, jo vetëm që është vonuar përtej çdo caku por dhe nuk përmbush kontratën në pikën e rindërtimit të çdo gjëje që ka shkatërruar; këtu në Korie ka hedhur çakull mbi gropa të thella e ka ikur! Ndërkohë rruga është shembur e shkatërruar plotësisht!”, sqaron zv. kryeministri.

“Kam dy thirrje: e para për kompaninë kineze dhe çdo kontraktor shqiptar të saj: kthehuni dhe rindërtoni rrugët që keni shkatërruar! Kontrata juaj do quhet e përfunduar kur ju të keni rindërtuar çdo rrugë fshati e rrugë parcelash që keni shkatërruar! Ndryshe, unë i pari do ju kallëzoj penalisht!”, paralajmëroi Braçe.

“E dyta për çdo institucion që miraton pagesat dhe merr në dorëzim veprën sipas kontratës: Mos pranoni e mos paguani situacione të rreme! Verifikoni në vend në përputhje me kontratën çdo faturë! Ju që do merrni në dorëzim veprën; Mos e bëni pa verifikuar në terren detyrimet kontraktuale, funksionalitetin e veprës por edhe përmbushjen e çdo detyrimi sipas kontratës për rindërtimin e çdo rruge të shkatërruar! Ndryshe përgjegjësia ligjore do të jetë shumë e rëndë mbi ju!”, përfundon reagimi i zv.kryeministrit Erion Braçe./atsh

Ky vend nuk do udhëhiqet nga kompanitë, por nga kontratat Read More »

Pasion e mjeshtëri, u rrit si emigrant po tashmë punëson 40 të rinj nga zona e Surrelit

Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot pasionin dhe mjeshtërinë e derdhur tek “Cereni”, një nga restorantet më të mirë në Shqipëri.

“Ne katunarët e Surrelit jemi shumë krenarë për “Cerenin”, një nga restorantet më të mirë në Shqipëri, ku Ismeti ka derdhur tërë pasionin e mjeshtërinë e tij, pasi u rrit si emigrant e kreu studimet e larta në Londër për gastronomi e turizëm dhe bashkë me familjen, i’u përkushtua kësaj sipërmarrjeje shembullore me 40 të rinj të punësuar nga zona”, tha kryeministri Rama.

Sipërmarrjet që rrisin turizmin dhe punësimin në vendin tonë, janë në fokus të politikave mbështetëse të qeverisë, si mënyrë për të gjeneruar ekonomi familjare, por edhe për të zhvilluar potencialin e zonave me bukuri natyrore. /atsh

Pasion e mjeshtëri, u rrit si emigrant po tashmë punëson 40 të rinj nga zona e Surrelit Read More »

Meta nuk dekretoi Gjinushin/ Reagon Akademia e Shkencave: Akt i pavlefshëm

Një ditë pasi Presidenti Ilir Meta refuzoi emërimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave, ka reaguar sot Akademia e Shkencave duke bërë të ditur se do të mbledhë asamblenë e saj për t’i kërkuar Kreut të Shtetit të shqyrtojë edhe njëherë këtë vendim.

Akademia e Shkencave e quan të pavlefshëm aktin e Presidentit, të konsideruar në kundërshtim me ligjin ndërsa hedh poshtë pretendimet e ngritura se Gjinushi nuk ka bërë publike tërheqjen nga drejtimi i Partisë Social Demokrate gjatë kohës që kandidonte për postin e kreut të Akademisë së Shkencave.

“Këshilli Ekzekutiv pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11223 datë 11.07.209 konstatoi: Pavlefshmërinë absolute të këtij dekreti si akt i dalë në kundërshtim flagrant me ligjin; mungesën e çdo mjeti ligjor me ligjin e ASH për të vepruar pas një refuzim emërimi; ngërçin juridik të krijuar midis faktit se kemi një Kryetar të zgjedhur nga Asambleja e ASH me një vendim të formës së prerë, pra të pacenueshëm e ndërkohë të paemëruar; faktin se pengesa e vetme për emërimin e kryetarit të zgjedhur, sipas arsyetimit të dekretit është mos bërja efektive e dorëheqjes para kandidimit më datë 24.05.2019 çka nuk është e vërtetë”, theksohet në njoftimin për shtyp.

Gjithashtu, në njoftim sqarohet se Akademia e Shkencave vendosi të mbledhë Asamblenë për të shqyrtuar e miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv për t’i kërkuar Presidentit të Republikës rikonsiderimin e emërimit të Kryetarit të zgjedhur nga ajo Asamble më datë 24/05/2019.

“Këshilli Ekzekutiv i ASH u mblodh sot më datë 13 korrik 2019 dhe vendosi që më datë 19 korrik 2019, ditën e premte, në orën 11.00 të bëhet mbledhja e jashtëzakonshme e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me këtë rend dite: – Njohja me Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11223, datë 11.07.2019, dhe shqyrtimi i propozimit të Këshillit Ekzekutiv drejtuar Asamblesë për të kërkuar rikonsiderimin e emërimit të Kryetarit të zgjedhur nga kjo Asamble”.

Skënder Gjinushi u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave me 35 vota pro dhe 6 kundër. Ai garoi i vetëm në këto zgjedhje. /atsh

Meta nuk dekretoi Gjinushin/ Reagon Akademia e Shkencave: Akt i pavlefshëm Read More »

“New York Times” për pasuritë nënujore shqiptare: Zbulohen 22 amfora antike

Në detin Jon, në afërsi të brigjeve shqiptare, janë gjetur amfora antike, të paktën 2500-vjeçare që mund të dëshmojnë për mbetjet e një anijeje të lashtë, sipas një projekt i përbashkët shqiptaro-amerikan të arkeologjisë nënujore, shkruan prestigjiozja amerikane “New York Times” (NYT).

Sipas ekspertëve të anijes kërkimore “Hercules” e “Fondacionit Detar RPM” janë gjetur 22 amfora, një vazo me dy mbajtëse me një qafë të ngushtë që përdoret për verë ose vaj, në një thellësi prej 40-60 metrash të shpërndara rreth shtratit të detit pranë një bregu shkëmbor në afërsi të gadishullit të Karaburunit.

Arkeologu Mateusz Polakowski tha se ata besojnë se amforat e llojit korintas datojnë në mes të shekullit VII dhe shekullit V para Krishtit.

“Nëse mund të gjenden mbetjet e një anije, kjo do të mundësonte të zbulohej anija më e hershme që ka lundruar përgjatë bregdetit shqiptar”, tha Polakowski.

Kryetari i RPM-së, James Goold, e konsideroi këtë zonë si “një nga më të rëndësishmet e të gjitha zbulimeve tona… do të jetë shumë e rëndësishme nga një perspektivë historike dhe arkeologjike nëse vërtetohet”.

Megjithatë janë të nevojshme kërkime të mëtejshme në zonë.

Arkeologu shqiptar Neritan Ceka u shpreh se “amfora të ngjashme vere me origjinë korinthase dhe kerkirase janë gjetur në Durrës dhe Apoloni dhe në zona të tjera në brendësi të Shqipërisë, gjë që tregon për tregtinë intensive gjatë gjysmës së dytë të shekullit VII para Krishtit, përgjatë bregdetit shqiptar”.

Që prej viti 2004, RPM-ja ka analizuar shtratin e detit në Shqipëri për anije të vjetra dhe moderne, me plane të vazhdueshme për hapjen e një muzeu nënujor në Shqipërinë perëndimore.

“Kjo sigurisht do të ishte një pikënisje e mrekullueshme për një program kombëtar rreth të cilit të krijohej një muze dhe do të tregonte rolin kryesor të Shqipërisë në antikitet”, tha Goold.

“Autoritetet shqiptare janë duke planifikuar një projekt të ri katër-pesëvjeçar me RPM-në dhe Institutin e Arkeologjisë Detare, me bazë në Teksas, për të eksploruar mundësitë e gërmimit të mbetjeve, një proces financiarisht i shtrenjtë dhe shkencërisht delikat”, shtoi Ceka.

Kërkimet në Shqipëri deri më tani kanë zbuluar 28 zona me anije të mbytura, si dhe disa grumbuj amforash dhe gjetjesh të tjera nga Saranda dhe Butrinti në jug e deri në Durrës dhe më pas synohet të shkohet në veri të Durrësit.

“Prania e RPM-së në 12 vitet e fundit ka qenë një “hap i madh” për studiuesit shqiptare të arkeologjisë nënujore”, sipas Auron Tares, kreu i UNESCO-s për Komitetin Shkencor dhe Teknik për Trashëgiminë Botërore Nënujore.

“Nëse konfirmohet, kjo mbetje e anijes mund të shoqërohet me themelimin e dy qyteteve kryesore në bregdetin shqiptar, Dyrrachium (Durrësi modern) dhe Apolonia, dy portat e rrugës Egnatia, rruga e lashtë drejt tregtisë lindore”, theksoi Tare.

“Ne kemi zbuluar jo vetëm anije të lashta, por edhe një numër të mirë të mbetjeve të anijeve të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore që hedh dritë mbi një kapitull të panjohur të historisë sonë”, vazhdoi ai.

Shqipëria po përpiqet të mbrojë dhe të përfitojë nga trashëgimia e saj e pasur nënujore, me fonde të pakta për ruajtjen e saj nga qeveria e një prej vendeve më të varfra të Europës. /atsh

“New York Times” për pasuritë nënujore shqiptare: Zbulohen 22 amfora antike Read More »

Hapja e negociatave me Shqipërinë, diplomati polak: Në tetor presim vendim pozitiv, pa asnjë vonesë

Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE as s’mund të sfidohet dhe as s’mund të zëvendësohet me forma të tjera angazhimi të BE, deklaron në intervistë me ‘DW’, ish-ambasadori i Polonisë në Kroaci dhe Suedi Wieslasw Tarka, koordinator i Samitit të Poznan-it.

Ai deklaron se Polonia, si shumica e shteteve anëtare, është e kënaqur që Komisioni Europian rekomandoi hapjen pa kushte të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Na vjen keq që nuk u mor vendim muajin e kaluar, në qershor, dhe presim që në tetor të merret një vendim pozitiv, pa asnjë vonesë të mëtejshme”, thotë Tarka.

Ambasador Tarka, cilat janë çështjet kryesore që diskutuan ekspertët në forumin “Think Tank” dhe në Forumin e Shoqërisë Civile, në Samitin e Poznan, lidhur me politikat e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor?

Forumi “Think Tank” iu kushtua kryesisht situatës social-ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmes së politikës së BE-së ndaj rajonit. Në Forumin e Shoqërisë Civile u diskutuan Axhenda e Gjelbër për rajonin, mënyrat më të mira për të mbështetur bashkëpunimin kulturor, procesin e pajtimit, politikat antikorrupsion, dezinformimin dhe kërcënimet hibride ndaj demokracisë, perspektivat për të rinjtë në rajon dhe zhvillimin e Organizatave të Shoqërisë Civile.

Mesazhi i përbashkët nga dy Forumet është i qartë: duhet të ndryshojë mënyra sesi ka funksionuar deri tani zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që zgjerimi si politikë dhe BE si aktor i politikës në BP të mbeten të besueshme. BE dhe BP janë në udhëkryq: procesi i zgjerimit duhet ose të përshpejtohet deri në arritjen e qëllimit përfundimtar, që vendet e reja anëtare t’i bashkohen BE-së në një të ardhme të parashikueshme, ose politika e zgjerimit dhe BE, si aktor politik në BP do të humbasin qëllimin.

A u dëgjua zëri i shoqërisë civile në samitin e Poznan-it për një politikë zgjerimit të BE në përputhje me realitetin në BP?

Organizatat e shoqërisë civile, pjesëmarrëse në samit, përgatitën materiale për politikën e zgjerimit dhe tani po përgatisin konkluzionet nga diskutimet në Forumin e Shoqërisë Civile. Organizimi i të gjitha ngjarjeve vetëm në një vend ishte një avantazh i Samitit të Poznanit, sepse kjo bëri të mundur ndërveprimin mes zyrtarëve, ekspertëve dhe organizatave të shoqërisë civile. Për herë të parë, përfaqësuesit e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor morën pjesë në sesionin plenar të Ministrave të Jashtëm të BP.

Çfarë sugjeruan ekspertët e Ballkanit Perëndimor për të shtyrë përpara axhendën e konektivitetit mes vendeve të rajonit, që mbetet një nga shtyllat e Procesit të Berlinit për lidhjen dhe bashkëpunimin rajonal?

Para së gjithash, për ta bërë Komunitetin e Transportit funksional, duhet përqendrim jo vetëm në infrastrukturën e rëndë, por edhe zbatimin e masave të buta, si për shembull. harmonizimin e rregulloreve, që mund të shkurtojnë në mënyrë të konsiderueshme kohën e udhëtimeve në rajon.

Rekomandimi i dytë është forcimi i pozitës së Komunitetit të Energjisë që monitoron zbatimin e rregullores së politikës së energjisë së BE në BP. Sipas Komunitetit të Transportit ky institucion është dobësuar kohët e fundit dhe rekomandimet e tij nuk janë zbatuar. Çështja e tretë është rritja e kapaciteteve të administratës në Ballkanin Perëndimor jo vetëm në nivel qendror, por sidomos në nivel lokal. Një nga arsyet pse projektet rajonale kanë mbetur pa u zbatuar është, se Ballkani Perëndimor nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të përgatitur sa më shpejt dokumentacionin e nevojshëm.

Çfarë mendojnë ekspertët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për sigurinë në rajon dhe kërcënimet kryesore ndaj saj?

Ekspertët dhe shoqëria civile diskutuan çështjet e sigurisë. Nga perspektiva e tyre kërcënimi kryesor për sigurinë dhe stabilitetin në rajon është mungesa e një perspektive të qëndrueshme anëtarësimi në BE, elitat politike të rajonit nuk kanë interes për zbatimin e reformave, që do të forconin institucionet në rajon, sidomos gjyqësorin, prokurorinë dhe policinë, që janë vendimtare në luftën kundër krimit të organizuar, një kërcënim ky kryesor i sigurisë në rajon. Pa një perspektivë të qartë anëtarësimi në BE, elitat qeverisëse po kërkojnë aleatë alternativë si Rusia, e cila dëshiron të destabilizojë rajonin.

Cili është qëndrimi mbizotërues në Samitin e Poznan-it ndaj deklaratës të para disa ditëve të fundit të Presidentit francez, Macron, sipas të cilës Franca do të refuzojë miratimin e zgjerimit të mëtejshëm të BE derisa ai të rikuperojë kredibilitetin e humbur dhe përshpejtojë vendimmarrjen?

Ekspertët në forumin “Think Tank” i kushtuan vëmendje të veçantë qëndrimit të Francës. Sipas tyre, Franca po mbështet politikën e zgjerimit të BE në BP sipas meritës. Por në fakt, politika që po ndjek BE është krejt e kundërta: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet. Rekomandimi i Komisionit Europian është pozitiv, por Parisi është kundër hapjes së negociatave me këto dy vende. Politika e zgjerimit është politika më efikase kundrejt vendeve fqinje me BE. Ekspertët mendojnë se Franca po minon themelet e kesaj politike dhe nuk po propozon asnjë alternativë. Ky qëndrim do të dobësojë në masë të konsiderueshme ndikimin e BE jo vetëm në BP por në gjithë vendet e tjera fqinjë me BE.

Qëndrimi i Polonisë është që procesi i zgjerimit të BE ka një fuqi pozitive transformuese në BP dhe njëherazi është një investim për paqen dhe stabilitetin në rajon. Është shumë e rëndësishme të sigurohet progresi i përgjithshëm i rajonit. BE duhet të plotësojë zotimet e tij të qarta për integrimin europian të BP. Anëtarësimi në BE i vendeve të BP as nuk mund të sfidohet, as nuk mund të ndryshojë në forma të tjera angazhimesh, siç sugjerojnë disa shtete anëtare. BE duhet të përmbushë angazhimet dhe konfirmojë kredibilitetin e tij në të gjithë rajonin dhe përtej.

Është e rëndësishme që BE të përballojë bashkë me BP sfidat e tanishme, si p.sh. lëvizjet migratore, terrorizmin, kërcënimet kibernetike, kërcënimet hibride nga Rusia dhe aktorë të tjerë.

Polonia, si shumica e shteteve anëtare, është e kënaqur që Komisioni Europian rekomandoi hapjen pa kushte të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Na vjen keq që nuk u mor vendim muajin e kaluar, në qershor, dhe presim që në tetor të merret një vendim pozitiv, pa asnjë vonesë të mëtejshme./atsh

Hapja e negociatave me Shqipërinë, diplomati polak: Në tetor presim vendim pozitiv, pa asnjë vonesë Read More »

Xhaçka: 126 ushtarë më të aftë i bashkohen FA-së

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë tashmë 126 ushtarë më të aftë, të cilët përfunduan Stërvitjen Individuale të Avancuar në Shkollën e Trupës Bunavi.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila theksoi se “ushtarët e rinj, mes të cilëve edhe 10 vajza, u përgatitën për postin e tyre luftarak në specialitete të ndryshme si Këmbësori, Logjistikë, Ndërlidhje dhe Polici Ushtarake”.

Ushtarët më të aftë u nisën më 19 shkurt të këtij viti për në Shkollën e Trupës në Bunavi, ku për rreth 3 muaj iu nënshtruan Stërvitjes Individuale të Avancuar. Ata u përzgjodhën pas testimeve fizike, intelektuale dhe psikologjike nga Qendra e Personel Rekrutimit të Forcave të Armatosura. Pjesë e kandidatëve për ushtarë/detarë ishin edhe 10 vajza. /atsh

Xhaçka: 126 ushtarë më të aftë i bashkohen FA-së Read More »