Aktualitet

Shqipëri-Itali, projekte të përbashkëta në fushën e Doganave

Rritja e bashkëpunimit midis administratave doganore shqiptare dhe italiane është theksuar gjatë takimit të dy drejtoreve të përgjithshëm të dy vendeve.

Drejtori i Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve të Italisë, Benedetto Mineo, priti në Romë, në selinë e Agjencisë në Piazza Masai, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Shqiptare, Arlind Gjokuta.

Gjatë takimit u diskutuan tema me interes të përbashkët në fushën e asistencës së ndërsjelltë administrative duke analizuar rezultatet e arritura në luftën kundër trafiqeve të paligjshëm në dy anët e Adriatikut. Të dy drejtuesit theksuan domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve të ngushta të bashkëpunimit si në nivel qendror, ashtu dhe në nivel lokal midis porteve me fluks të madh tregtar.

Gjithashtu u vlerësua rëndësia e pjesëmarrjes së përbashkët në projektet rajonale si SEED dhe INTERREG, që kanë si objektiv thjeshtësimin dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave, dhe në veçanti ndërmjet Porteve të Barit dhe Brindizit me portin shqiptar të Durrësit në optikën e zhvillimit të rrugës detare të Adriatikut Jugor, si një aks i rëndësishëm për lëvizjen e mallrave midis Azisë dhe Europës.

Ky takim i drejtorëve të përgjithshëm u organizua në kuadër të raporteve shumë të mira që karakterizojnë marrëdhëniet midis dy Administratave Doganore, të cilat vetëm gjatë 6 viteve të fundit kanë bashkëpunuar në tre Projekte Binjakëzimi, të financuara me 5 milionë euro nga fondet e Bashkimit Europian, ku u përfshinë ekspertët e dy administratave doganore në një tërësi prej 3550 ditë pune./atsh

Shqipëri-Itali, projekte të përbashkëta në fushën e Doganave Read More »

Zero tolerancë ndaj ushtrimit të aktivitetit pa licencë

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj garantoi se qeveria është e angazhuar se do të tregojë zero tolerancë ndaj abuzuesve të ligjit.

Ushtrimi i aktivitetit pa licencën përkatëse sipas ministres së Financave, Denaj, sjell përfitime në kurriz të atyre që respektojnë rregullat e shtetit. Për këtë, qeveria ka vendosur të ketë zero tolerancë për ta.

“Të ushtrosh aktivitet pa licencën përkatëse sjell përfitime në kurriz të atyre që e bëjnë këtë sipas rregullave të shtetit. Ky është rasti i një subjekti në Dhërmi që do të qëndrojë pa aktivitet si pasojë e bllokimit ligjor derisa të marrë masat për formalizimin e tij. Zero tolerancë për përfituesit abuzivë”, – u shpreh ministrja. /atsh

Zero tolerancë ndaj ushtrimit të aktivitetit pa licencë Read More »

Task Forca e Turizmit në Vlorë, Klosi: Nga 139 subjekte, vetëm 11 prej tyre kanë kontrata me bashkitë

Nga qyteti bregdetar i Vlorës, ku ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi mblodhi Task Forcën e Turizmit dhe ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm, ministrja e Shëndetësisë dhe zëvendësministrja e Financave, të deleguarit e Këshillit të Ministrave për drejtimin e grupit ndërinsitucional për menaxhimin e sezonit turistik 2019, u raportuan problematikat dhe u lanë afate për zgjidhjen e menjëhershme të tyre, në shërbim të një sezoni turistik të miradministruar dhe në funksion të sigurisë së pushuesve.

“Nga 139 subjekte të kontrolluara në zonën e bregdetit në të gjithë qarkun e Vlorës vetëm 11 prej tyre kanë kontrata me bashkitë, ndërkohë që vetëm këtu ku jemi ka më shumë se 11 që e ushtrojnë këtë aktivitet, madje një numër i konsiderueshëm i këtyre aktiviteteve nuk ka nipt financiar”, tha ministri Klosi.

Ai foli edhe për sigurinë në plazhe, detyrimin që kanë subjektet për tu pajisur me kulla vrojtimi dhe ruajtës plazhesh të certifikuar, që sipas ministrit lë për të dëshiruar.

“Ne patëm 0 jetë të humbura në plazhet e Vlorës vitin e kaluar, ndërkohë që sivjet nuk është po i njëjti rezultat, sepse edhe shifrat flasin që kemi më pak roje plazhi sesa vitin e kaluar. Vrojtues të certifikuar kemi vetëm 84 ndërkohë që duhet të kishim më shumë. Kemi më shumë pika të ngritura për kulla vrojtimi krahasuar me vjet, por që nuk janë funksionale. Edhe pse është mesi i korrikut akoma nuk kemi realizuar në të gjithë zonën e vijës bregdetare, vijëzimet e detit; ku lejohet notimi dhe ku lejohet lëvizja e mjeteve të shpejtësisë. Vjet patëm përsëri një arritje të madhe në të gjithë zonën e bregdetit me 0 aksidente me jetë të humbura. Ndërkohë që parvjet mungesa e këtyre vijëzimeve na bëri që vetë në Vlorë të kishim 3 aksidente disa edhe me jetë të humbura të turistëve të huaj në qarkun e Vlorës”, – tha ministri Klosi.

Ministri tha se në Vlora i ka të gjitha mundësitë që deti të shfrytëzohet gjithmonë e më shumë, e megjithatë kontrolli mbi mjetet që shfrytëzojnë gadishullin e Karaburunit dhe Sazanin është pothuajse minimal.

“Nëse vjet kanë qenë 2, sivjet janë 27 mjete që ofrojnë shërbimin në zonën e mbrojtur të Karaburunit që është një arritje për zonat e mbrojtura, por përgjegjësia duhet të jetë gjithmonë e më e madhe. Meqë është dita e parë pas miratimit të Kodit Penal ku disa nga shkeljet e krimet mjedisore tashmë janë krime penale, i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse të ushtrojnë më shumë kontrolle, për të evidentuar dhe ndëshkuar krimin mjedisor, tanimë me ligj”, – tha ministri Klosi.

Për zëvendës ministren e Financave, turizmi është një nga sektorët prioritarë dhe strategjikë që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Shumë incentiva janë bërë edhe në fushën e akomodimit dhe shërbimeve në funksion të agrobiznesit, duke nxitur edhe agroturizmin. Por, të gjitha këto lehtësi, duhen shoqëruar edhe me masa ndëshkuese për subjektet që shkelin ligjin dhe ministria e Financës është padyshim pjesë integrale e Task Forcave për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe strukturat e saj kanë nisur kontrollet në terren për të identifikuar subjektet turistike, që veprojnë në shkelje të ligjit, duke cenuar mbarëvajtjen e sezonit turistik”, tha Ikonomi. /atsh

Task Forca e Turizmit në Vlorë, Klosi: Nga 139 subjekte, vetëm 11 prej tyre kanë kontrata me bashkitë Read More »

Nisma “17+1”, Shqipëria pjesëmarrëse në Kampusin Rinor “Ura e së ardhmes”

Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lorena Haxhiu zhvilloi një vizitë në Kinë, ku mori pjesë në Kampusin Rinor “Ura e së ardhmes”, në kuadër të nismës “17+1”.

Kina është iniciatore e kësaj nisme, në bashkëpunim me 17 vendet e Europës Qendrore e Lindore, për të rritur e forcuar bashkëpunimin mes tyre.

Përgjatë punimeve të këtij Kampusi, ku pjesëmarrës ishin homologët e saj nga vendet e përfshira në nismë, Haxhiu prezantoi projektin e “Qendrës për Zhvillimin Rinor” që do të ngrihet në Tiranë dhe do të shërbejë si një pikë kryesore për të gjithë këto shtete.

“Ne të gjithë biem dakord se e kemi nisur nga pjesa më vitale e shoqërisë, investimi për të cilën përkthehet si investim për të tashmen e të ardhmen e gjithë shoqërisë. Ne e nisëm me rininë dhe kjo Qendër, jo vetëm do të rrisë mundësitë që të rinjtë e vendeve tona të jenë më afër njëri-tjetrit, por do t’u shërbejë atyre gjithashtu të ndërtojnë urat e komunikimit ndërkulturor dhe të marrin pjesë në veprimtari të përbashkëta rinore. Më shumë programe rinore shkëmbimi për studentët, sipërmarrësit, profesionistët e artistët e rinj”, – theksoi zëvendësministrja.

Delegacioni shqiptar realizoi gjithashtu takime dypalëshe me përfaqësues të lartë të qeverisjes qendrore e vendore të Kinës, për të diskutuar në terma konkretë zhvillimin e këtij projekti. /atsh

Nisma “17+1”, Shqipëria pjesëmarrëse në Kampusin Rinor “Ura e së ardhmes” Read More »

Vlorë, mbi 5 mijë vizita shëndetësore deri më 18 korrik

Në qarkun e Vlorës deri në 18 korrik janë kryer më shumë se 5 mijë vizita në 11 qendrat shëndetësore verore.

Shifrat u bënë publike nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë mbledhjes së komitetit të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Vlorë.

Ministrja vuri në dukje se plani i masave ka siguruar shërbim 24 orë në shtatë ditë për pushuesit.

“Prej datës 1 qershor, sipas planit të masave të ndërmarra që është bërë traditë në këto vite, kemi hapur qendrat shëndetësore verore me shërbim 24 orë në shtatë ditë, qendra që garantojnë kujdes shëndetësor të organizuar me Qendrën Kombëtare të Urgjencës. Për rajonin qarkun e Vlorës janë 11 qendra shëndetësore verore deri ne 18 korrik janë më shumë 5 mijë vizita shëndetësore të kryera. Janë gjithashtu 11 poastacione fiks të autoambulancave. Këtë vit kemi një përmirësim në nivelin e pajisjeve të ambulancave me mjetet jetëshpëtuese”, -sqaroi ajo.

Sipas Manastirliut, të gjithë spitalet që preken nga turizmi janë përforcuar me mjekë dhe infermierë për të përballuar flukset që vijnë nga sezoni turistik.

Barnat dhe materialet shëndetësore nuk mungojnë në asnjë qendër shëndetësore verore. /atsh

Vlorë, mbi 5 mijë vizita shëndetësore deri më 18 korrik Read More »

Moti,ja si do të jenë temperaturat

Dita sot do të nisë me mot të kthjellët në të gjithë territorin.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se në orët e mesditës vranësirat do të bëhen prezente kryesisht përgjatë relieveve malore duke u pasuar nga reshje shiu të karakterit lokal.

Era do të fryjë e lehtë e mesatare me drejtim Veriperëndim-Perëndim 1-10m/sek.

Valëzimi në dete i forcës 1 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 19/33 Diell
Kukës 17/31 Diell shi i izoluar
Lezhë 18/33 Diell
Dibër 16/30 Diell shi i izoluar
Durrës 22/32 Diell
Tiranë 21/33 Diell re
Elbasan 20/33 Diell shi i izoluar
Berat 17/35 Diell re
Vlorë 18/31 Diell
Korçë 15/29 Diell re shi i izoluar
Gjirokastër 15/34 Diell re
Sarandë 19/31 Diell

Moti,ja si do të jenë temperaturat Read More »

Ramush Haradinaj jep dorëheqjen

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha sot dorëheqjen e parevokueshme nga detyra. Haradinaj mblodhi sot anëtarët e kabinetit qeveritar dhe paraqiti dorëheqjen e tij, me arsyen se sipas tij, ka marrë thirrje nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar.

“Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua t’iu falënderoj për besimin dhe për përkrahjen. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marr thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga dhomat e specializuara në Hagë si i dyshuar”, tha Haradinaj.

“Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme. Jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, iu dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime edhe e luftës së UÇK-së është e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjë herë. Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme me një multietnicitet, me shumëgjuhësi, me territor e kufij, Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo Dodik Republika”, tha Haradinaj.

Kjo është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit si i dyshuar për krime lufte. Në vitin 2005 ai dha dorëheqjen nga pozita e kryeministrit pasi i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. /atsh

Ramush Haradinaj jep dorëheqjen Read More »

Task Forca u rikthen qytetarëve mbi 14 plazhe publike

Taskforca për Turizmin e Prefektures së Qarkut Durrës ka vijuar aksionin e saj në plazhin pranë Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit për të liruar plazhet publike të zaptuara nga sipërmarrësit privat. Aksion ky që është vlerësuar edhe nga pushuesit dhe banorët e zonës.

Aksioni Taskforcës i mbështetur dhe nga Policia e Shtetit, u fokusua në dy zona: te Shkëmbi i Kavajës dhe zona e Golemit, ku u liruan katër hapësira publike të zaptuara, ndërsa më herët aksioni është shtrirë në të gjithë vijën bregdetare nën jurisprudencën e Prefekturës së Durrësit, duke nisur nga Gjiri i Lalëzit e duke vijuar deri në kufi me Kavajën.

Gjatë vëzhgimit të bërë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, qytetarët u shprehën pozitivë ndaj nismës së kësaj Taskforce. “Kam 15 vite që bëj plazh në këtë zonë dhe në fillim kemi pasur një rrip plazh publik, por tani ishte zhdukur”, tha ajo. “Sot bashkia erdhi dhe e hapi. Ne kemi shtëpinë këtu. Pse duhet të paguaj shtratin e plazhit, pse duhet të paguaj. Kur kam shtëpinë këtu, duhet të kem dhe vendin tim këtu në rërë”, tha një zotëri tjetër.

Përfaqësuesit e Bashkisë së Durrësit gjatë aksionit, teksa u përballnin me sipërmarrësit që kishin zaptuar plazhet publike, garantuan qytetarët se do respektohet ligji për hapësirën publike që u takon. Qytetarët dhe banorët e zonës pranuan se Bashkia edhe vitin e shkuar kishte reaguar në lidhje me të njëjtin fenomen. “Edhe vjet dhe sivjet jam i detyruar në bazë të ligjit të hap hapësirën e nevojshme për plazhin publik. Plazhi publik është pa pagesë, e ofron Bashkia, që ja jep banorëve”, garantoi nëndrejtori i Policisë Bashkiake i pranishëm në aksion.

“Unë kam shumë vite që vi këtu te Shkëmbi Kavajës. Sivjet paska bërë shumë ndryshime kryebashkiaku i Durrësit. Policia Bashkiake është prezentë dhe na qëndron pranë për çdo problematikë”, tha një zotëri që po ndiqte nga pranë aksionin e Taks-Forcës për bregdetin.

Ndërsa për ATSH, punonjësit e Policisë Bashkiake u shprehën se “jemi duke mbajtur në kontroll plazhet publike që ka liruar bashkia. Jemi këtu dhe ruajmë të gjitha këto plazhet dhe vrojtojmë dhe fenomenit e tjera”.

Qytetarët u shprehën mirënjohës për punën e bërë. “Ne e vlerësojmë punën e Policisë Bashkiake. Kjo Bashki ka ardhur edhe vitin e shkuar. Kemi qenë të shtrirë mbi njëri-tjetrin, kemi pasur konflikte mes nesh”, tha një zonjë tjetër aty pranë.

“Erdhi polica bashkiake liroi vendin. Mua më pëlqen veprimi”, thotë zotëria tjetër. Kam shtëpinë këtu dhe ndryshimet janë të mira”, vijon ai.

Oltsen Gripshi Koordinator i Taskforcës për Turizmin, Prefektura e Qarkut Durrës u shpreh se puna e bërë deri më tani do të vijoi deri në fund të sezonit veror. “Ky është një bashkëpunim i ndërsjellët mes institucioneve vendore dhe atyre qendrore bashkë me Task Forcën e kryesuar nga Prefekti i Qarkut. Jemi munduar të vendosim në veprim ligjin, duke krijuar dhe hapur plazhet publike. Kemi nisur që në mëngjes këtu në zonën e Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës për të krijuar hapësirat e mundshme për pushuesit vendas e të huaj. Sot u liruan 3-4 plazhe deri më tani. Në total janë mbi 13-14 plazhe publike të rikthyera te qytetarët. Pas një aksioni të ndërmarrë nga prefekti i Durrësit ka nisur një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike duke nisur nga Gjiri Lalëzit, duke vijuar te Plazhi i madh i Durrësit dhe tashmë në Shkëmbin e Kavajës dhe Golem”, tha Gripshi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare./atsh

Task Forca u rikthen qytetarëve mbi 14 plazhe publike Read More »